Thursday 17 January 2008

Graceni

Nga Fatmir Terziu
“Për të mos rënë në dorën e të ligut, Gratë e Cenit u hodhën nga shkëmbi!”
Legjenda


Daj Ceni s’ka këngë
Nga legjenda ka hyrë
i mbeti fshatit në emër,
i mbeti shkëmbit në fytyrë.

I mençur ky azgan
I besës dhe i punës
Në zemër një plagë mban
Që s’i ndali gjëmën turmës…

Në kohë të hershme fort
Kur pyjet rreth mbulonin
Dhe nën qiellin mot për mot
Dëllenja e mare lulëzonin.

Mbeti Cen duararti
I vetëm këtu fare
Dhe mbolli një lehë duhani
Rriti këtu ca manare.

Po nga fis i këtij dheu
Mori këtu nusen e tij
Në ditë të Shëndreut
Lindën për këtë tokë, fëmijë.

Dhe forcoi punën ballëartë
Edhe besën e pushtetshme
Djemtë për bëma e për shpatë
Edhe vajzat krejt të ndershme.

Mori udhën e mira e tij
Hyri në çadrën e armikut
Dhe për çudi burra, gra e fëmijë
Ranë në dorën e të ligut.

Kasaphanë u bë atë ditë
U mbyllën portat u bë gjëmë
Tek ai shkëmb i mprehtë thikë
“Gratë e Cenit” u hodhën në këmbë.

Gjëma mbeti legjendë
Emri Gracen për të hyrë
Për të mbetur këngë
Shkruar shkëmbit në fytyrë.


No comments: