Tuesday 15 January 2008

USHKURI

Nga Fatmir Terziu

Ushkuri u ndodh aty të bënte detyrën që i kishin ngarkuar. I përzgjedhur. I gjatë. I fortë dhe i thatë. Nga fis ushkurësh. Ushkur e i kaluar ushkurit. Aty ku qëndronte, ashtu i lidhur fort, ngjeshur pazgjithshëm, ushkuri zor s’e kishte zanat tjetër veç detyrës së ngarkuar. Ç’them kështu? E ç’punë tjetër mund të bënte ushkuri? Ajo që dihej, dihej! Ushkuri zëvendësonte llastikun. Llastiku mungonte në dyqane. Pikë. Ushkuri duhej të mbante brekët. Dhe këtë kush tjetër më mirë se ushkuri mund t’a bënte.
Një ditë, aty ku i thoshin 1 Maji, ushkuri humbi durimin, forcën e tij shtrënguese. U gris. Bota pa dynjanë në shesh. Nam la ushkuri te 1 Maji. Lajmi pushtoi menjëherë zyrat. Dhjetra ushkurë kuq e blu u tundën në ajër dhe sa të hapësh e mbydhësh sytë e tërhoqën ushkurin e grisur zvarë, të lidhur me ushkurë çeliku. Pas gjysëm ore, aty përballë 1 Majit, në xhamin e një Qendre Agjitacioni u ngjit një çarçaf i madh letre. Ushkuri i grisur, lidhur me zinxhirë. Karikaturë. Fletërrufe. “Turp! Ushkuri ka kopjuar botën kapitaliste. Ushkuri tentoi të sjedhë modën e huaj, lakuriqësinë borgjezo-revizioniste”. E ku i kishte ngel gojë ushkurit të fliste, pas atij trajtimi në ato qoshe të zeza. Apo ndonjë dëshmitar të hapte gojën, të tregonte të vërtetën?! Nejse punë ushkurësh!
Ushkurë e joushkurë, pastaj detyroheshin të shkonin, lexonin, shanin e qortonin ushkurin e grisur, aty tek ai xham, ku varrej çarçafi i nxirë prej letre. Të gjithë duhet të dënonin ushkurin e grisur, si armikun e jetës së lumtur, armikun e bollëkut. Armikun e Mirëqenies!?
Kështu kaluan ditë, muaj, vite. Ushkurin e farkëtuan. Ia pastruan ushkurit “ndërgjegjen e kalbur”, siç “pastrohet çeliku nga skorjet”. E bën ushkurin më të fortë se çeliku, ushkur të ri të kalitur në kudhrën e revolucionit. E bënë ushkur të kuq. Vite më pas e takova ushkurin, po aty tek 1 Maji.
E,- i thashë,- s’e paske harruar 1 Majin, ë?
Ç’1 Maj,- m’a ktheu prerë ushkuri. Nuk quhet më 1 Maj ky nga ne. Atë ka vite që e quajmë Omonia. Sheshi i Ri Omonia.
Po ç’ne Omonia këtu në zemër të vendit?- e pyes i habitur. Ç’ne?
Dëgjo këtu! Dëgjo ushkurin mirë. Omonia është në Athinë. Atë e di edhe bufi. Por, kur bie fshesa atje, ai, ata atje, që i shikon vijnë këtu. Marin lopata, mistri a ku di unë dhe dalin këtu. A s’është pra Omonia kjo? Ç’na duhet më 1 Maji…?!
Ushkuri s’pushonte. Fliste e fliste. Pastaj nxori një bllok. Lexoi ca emra. Ca numra celularësh…
Pas pak ushkuri ngriti zërin. U nxeh. E sheh,- tha i inatosur, - edhe vijnë këtu në këtë shesh, edhe taksë s’paguajnë. E më thuaj kam faj unë. Unë bëj detyrën. Ç’kohë është kjo? S’ka më papaguar…
Po, po thashë me vete. Ushkuri ka të drejtë. Ç’kohë është kjo kohë vërtet? Është koha e ushkurit akoma?

No comments: