Wednesday 23 January 2008

VETËM RRAPI I MOCËM I BEZISTANIT KA MBETUR PAQETHUR!

Klima, qyteti i Elbasanit dhe pergjegjësia qytetare:



Në një kohë që e gjithë bota po trajton me të madhe problemin e Ngrohjes Globale, dhe po bëhet një ‘autokritikë’ e njeriut si dëmprurës në këtë problem në Shqipëri, pikërisht në Elbasanin tim të lindjes, sërrish dora e njeriut vë sëpatën mbi pishat, mushkëritë e pakta që që pastronin ‘kancerin’ e tymit. Sot pata mundësinë të lexoj një shkrim të Dilaver Baxhaku mbi prerjen e pishave në qytetin tim të lindjes Elbasan. Njëkohësisht ndoqa dhe filmin dokumentar të Fatmir Terziut “Clouds of Smoke“ (Retë e Tymit) një prodhim i Terziu Media Productions & Film në bashkëpunim me Departamentin Britanik të Mjedisit, Ushqimit dhe Aferave Bujqësore dhe gazetarin e BBC-së Mike Sergant.
Të dy zotërinjtë janë nga ky qytet dhe ndonëse trajtojnë subjekte të ndryshme, kanë një shqetësim të perbashkët shkatërrimin e sistemit ekologjik në qytetin e Elbasanit.
Duke u nisur nga informacioni i dhënë prej Baxhakut dhe Terziut është e qartë se gjendja e mjerueshme e mjedisit në Elbasan është rezultat i neglizhencës lokale dhe asaj burokrate nga njëra anë. Kjo neglizhencë pasqyrohet në filmin dokumentar të Terziut, ku padyshim absurdja përqëndrohet rreth lëshimit të gazrave ndotës dhe vrasës nga fabrika të cilat duhen të mbyllen ose janë në nevojë renovimi të domosdoshëm për të reduktuar lëshimin e gazrave të dëmshëm në atmosferë e sidomos në ndotjen e ajrit për qytetarët e Elbasanit dhe spostimit të plehrave të qytetit në një fushë masive në periferi e djegien e tyre pa kriter. Lëshimi i gazrave nga djegia e tyre s’bën tjetër gjë porse u shtohet atyre të leëshuara nga fabrikat e stërvjetëruara.
Nga ana tjetër është arbitrarizmi burokrat dhe vendimet e pamenduara me rezultate katastrofike për pamjen dhe ekologjinë e qytetit, sikur rezulton nga artikulli i Baxhakut.
Për qytetarët e Elbasanit ndotja e mjedisit s’është një fenomen i ri, çdo kush e kujton tymin e kuq që binte mbi rrobat që thaheshin në ballkone, e që vinte nga oxhakët e Metalurgjisë gjatë viteve te socializmit. Edhe gjatë asaj kohe qytetarët e Elbasanit ankoheshin dhe e mallkonin katraurën e hekurt, ndërtuar në fushë pjellore. Por le të mos kalojmë në reminishencë e të fokusohemi në të tashmen.
Ç’mund të behet në këtë drejtim? Si mund të kontribuojnë qytetarët për të mirëmbajtur qytetin e tyre dhe si të mund të gjejnë një zgjidhje zyrtarët e zgjedhur në Bashkinë e qytetit? I shtroj këto pyetje-shqetësime, sepse më duket se situata nuk është e pashpresë, ndonëse edhe mund të duket e tillë në aparencë.
Ndonëse nuk kam dyshim në afrimin e zgjedhjeve të mundshme nga ekspertët e mbjedisit dhe atyre nëpër zyrat e Bashkisë, dëshiroj të paraqes disa zgjidhje të mundshme për qytetin e Elbasanit në një perpjekje për të kontribuar në përmirësimin e ambientit dhe gjelbërimin e qytetit.
Së pari, plehrat në periferi të qytetit: Duke menduar se zyrtarët e Bashkisë jane të decentralizuar ata mund të shikojnë mundësinë e bashkëpunimit me kompani te huaja të trajtimit të plehrave, të cilat kanë eksperiencë jo vetëm në grumbullimin dhe trasportimin e plehrave por dhe në ndërtimin e landfills dhe shndërrimin e gazit të prodhuar nga procesimi në energji për kosumatorët ose qytetarët e Elbasanit. Mbyllja e vendit ku hidhen plehrat dhe zëvendësimi i tyre me landfills. Kjo natyrisht kërkon studimin dhe koston e projektit, porse ndodh shpesh që kompanitë e interesuara të mbulojnë koston e shpenzimeve. Sa kohë që marrëveshjet nuk u përngjajnë atyre të tipit italian, sjelljes së plehrave dhe procesimin e tyre në Shqipëri, projekte dhe marrëveshje këto që myken diku nëpër sirtaret e tavolinave që kanë ndërruar gustot e kryetarëve të Bashkisë. Izraelitet kane zhvilluar një sistem mjaft të mirë për procesimin e plehrave dhe të përpunimit të ujrave të zeza. Një mundësi bashkëpunimi mund të shikohet në këtë drejtim. Organizatat qeveritare dhe jo qeveritare për mbrojtjen e ambientit në Shqipëri mund të përdoren për të ndermjetësuar këto bashkepunime.
Një vëmendje e veçantë, nga ana tjetër, i duhet kushtuar ndërgjegjësimit të çdo qytetari për kujdesin ndaj ambientit ku banon. Eshtë e rëndësishme qe te jete nje mirekuptim se jo vetem shtepia ku banon ka rendesi te mbahet e paster por dhe vendi jashte saj, aty ku lozin femijet. Nje shoku im me tregonte sesi nje miku i tij gjerman ishte çuditur kur shikonte shtepite kaq te pastra ne Elbasan dhe mbeturinat qe fluturonin nga dritarja. Nje paradoks i vertete. Vertete jane vene kosha plehrash por e mira do te ishte te vendoseshin dhe kosha per riciklimin e objekteve te ndryshme p.sh. ne Gjermani koshat jane te ndare, nje per plehra,nje per objekte riciklimi plastike dhe letra e nje tjeter per objekte qelqi, qytetaret nga nga tjeter qysh ne shtepi i ndajne plehrat dhe objektet ricikluese dhe i vendosin ne qeset perkatese. Ndersa ne Amerike çdo shtepi merr nga komuna kundrejt nje pagese prej 10 dollaresh nje kosh qe eshte veç per objektet e riciklimit. Ne te dy shtetet ekziston dhe gjoba per hedhjen e plehrave pa kriter, ne Amerike eshte rreth 500 dollare, Pra ne kete menyre çdo qytetar jep kontributin e tij dhe eshte i ndergjegjshem per rolin qe luan ne mirembajtjen e mjedisit. Te kuptohemi drejt nuk e kam fjalen per adoptimin e praktikave te huaja, se natyrisht 500 dollare eshte nje shume e konsiderueshme lekesh per xhepin e nje qytetari amerikan le me pastaj te nje qytetari shqiptar, por ideja eshte ne rritjen e kontributit qytetar per mirembajtjen e qytetit.
Se fundi rigjelberimi i qytetit. Gjuha shkon ku dhemb dhembi. Mbas katastrophes se qendres se qytetit prerjes se bredhave dhe krijimit te nje pamjeje qe te vret syte, nje specialist i pyllezimit dhe zbukurimit duhet punesuar ( landscape designer) qe te mund te paraqes nje projekt plan per riparimin e sheshit kryesor te qytetit. Do te thote ndikush po ku jane fondet? Po bashkesia nuk ka fonde per ma do mendja qe fisnekeria dhe bujaria e biznesmeneve te qytetit do te mund te siguroje fondet per kete projekt. Nje fundraising do te ndihmonte ne mbledhjen e fondeve. Jo shume larg qytetit ku banoj ne ane te autostades eshte nje pllaje e mbjelle me lule dhe e zbukuruar sapo i afrohesh asaj lexon nje pllakate te vockel “ Kjo parcele mirembahet nga nxenesit e shkolles se mesme”. Ne shkollen e tim biri nxirret nje njoftim here pas here per te mbjelle lulet ne kopshtin e shkolles apo disa zarzavate, ku prinder dhe femije mblidhen se bashku per te zbukuruar ambientin rreth shkolles. Dikur ne kemi bere aksione per mbjelljen e pemeve. E di dikush do te qeshe e do te mendoje : “ Po pse ne kohe te Enverit jemi ne?!!” Jo, nuk jemi ne kohe te tilla dhe as i deshiroj kohe te tilla te perseriten. Por, angazhimi i femijeve i jep mundesine atyre qe te marrin pjese e japin kontributin e tyre per t’u kujdesur ne ambientet ku jetojne apo shkollohen. Askush nuk i ve shkelmin nje diçkaje per te cilen eshte djersitur se punuari. Mbase mbase nje iniciative nga shkollat e mesme te qytetit do te angazhonte studentet (nxenesit) per te mbjelle e u kujdesur per disa peme qe i nevojiten qytetit te Elbasanit.
Elbasan i bukur Elbasan, thote Bixhaku ne artikullin e tij duke e perfunduar kete fraze me nje pikepyetje, ndersa Terziu jep nje pamje te ish-pishave te moçme te ngarkuara me debore qe shkrin si rezultat i tymit dhe keshillon per pergjegjesine qe ka çdo qytetar ne mbrojtjen e mjedisit. Koha e komunizmit ka ikur se bashku me kohen e heshtjes se qytetarit nga frika e persekutimit, eshte koha e kontributit dhe e pergjegjesise qytetare. Veç ne kete menyre do te ndalohet arbitrarizmi burokrat i zyrtareve dhe do te mund t’u trashegojme gjeneratave pasuese bukurite e qytetit ne te cilin ne u rritem. Pishat iken e jane tani pjese e historise se shkuar, le te mos lejojmë që indiferenca jonë qytetare të na bëj sehirxhinj nëse nesër i vjen rradha dhe Rrapit të moçëm të Bezistanit apo shndërrimit të qytetit në një kosh ku hidhen mbeturinat kimike dhe plehrat.

Aida Dismondy 2007 Janar 23

No comments: