Friday 15 February 2008

McCORMACK, POETJA E DIELLIT

“Bukur, këndshëm, diell i artë
plot me ngrohtësi i mbushur!”

Nga Fatmir Terziu

Është vështirë të mbash diellin në ëndërrën tënde të madhe. Është vështirë të zbulosh magjinë e diellit të ëndrrës që të ndjek në jetë. Vështirë është! Por vargu i Tingujve të Mallit të poetes Merita Bajraktari McCormack, natyrshëm ‘përzgjedh’ një zgjidhje ndryshe. Midis metonomisë poetike dhe meta-sintaksës së goditur ky varg propozon një dystrofësh të arrirë, që rreket në kolonën e një plejade poetësh tashmë në udhë të mbarë. Mes kësaj pasurie të plotë të figurës letrare që përcjell enigmën poetike vjen ëndërra e poetes dhe pikërisht natën, ashtu siç ajo e parandjen atë, [në mungesën e Diellit të vërtetë], ashtu siç e dëshiron në fakt një poete me vlera në rritje dhe me një kulturë poetike perëndimore. Ja ku reflekton kjo:
“Bukur, këndshëm, diell i artë
plot me ngrohtësi i mbushur!”

Dy vargje këto që në detaj duken si një interpretim i përditësisë, por që në analizën poetike mbartin atë ëndërr që vetëm një varg me fjalë të tilla e thotë. Le të shohim tingëllimën si mjeti që komunikon dhe realizon dallesën. Në tingëllimë vargu merre frymë lirisht dhe gjuha poetike flet e kuptohet qartë. Në vargjet e Diellit të Ëndrës Sime ne shohim një tendosje të lehtë të zhurmës që varet në melankolinë e tingullit dhe pastaj gjejmë të gatshme frymën Serembiane të tingëllimës apo Lirikën e famshme të Mjedës së paarirë. Këtu ka një tentativë. Por modernja dhe tradicionalja duket se kacafyten paksa, pasi autorja e vargjeve të tilla ka arritur të realizojë edhe një shpërfidhje momentale:
“Zgjata krahët dëshirëplotë të të ndjeja
përjetë të mbaja një rreze brenda meje…”.

Pra a nuk është një kapërcim i arritur mirë? Në kuptimin logjik ai duket edhe më i arrirë akoma. Ndërsa autorja vazhdon të plotësojë me vargjet e tjera, natyrshëm ky kompleks gjuhësor duket më i arritur dhe më i plotë:
“Por ishte veç një ëndërr, Dielli im,
Zgjuar, kuptova sa larg jam prej teje!”
Le të shohim më tutje edhe një detaj tjetër që plotëson këtë fakt të domosdoshëm në frymën e analizës kritike letrare. Në një vjershë të ngjashme me të parën autorja ndryshon amalgamën poetike të ideve dhe përcjell një mesazh ndryshe, por brumin gjuhësor të interpretimit e mban të njëjtë, madje edhe më të forcuar:
“E virgjër natyra si tridhjetë vjet më parë
një lumë i qetë, ca kodra në anë
gurët dhe shkurret të njëjtat kanë mbetur
lulet si atëherë, atë aromë kanë…”.

Një gjuhë të cilën e kemi ndeshur në “Fshatin përkarshi/me kishë e me varre/rrotull ca shtëpi/të vogla fare” të poetit shqiptar Andon Zako Çajupi. E ndërsa rima tendoset ajo durimtare dhe logjike ndërvaret në kapriçiot e modernes poetike që të lëvrojë natyrshëm dhe lehtëkuptueshëm edhe tradicionalen e famshme poetike shqiptare. Ne kemi një shans mes poetësh të tillë, që jo rrastësisht kapin edhe njohin majat ‘himalajane’ të poezisë.

MESAZHI DHE TENTATIVA PËRCJELLËSE E FRYMËS MESAZHERE

Në poezinë e sotme kemi një risi të re të thurjes së mesazhit dhe përcjelljes së frymës mesazhere. Mesazhi është poetik, ose është gjuha e poezisë në gojën e autorit për lexuesin e saj, ndërsa fryma mesazhiere është paksa më ndryshe ose më e vështira për tu arritur. Ajo, pra fryma mesazhiere ka një dallim me të parën, mesazhin në dy pika, ose në dy ndryshesa. E para lidhet me natyrën e poezisë dhe e dyta me mënyrën se si natyra poetike dhe vargëzimi bashkëtakohen për të lançuar një sinjal, ndoshta edhe të vogël që të kapet qartë nga radarët e padukshëm të kritikës letrare. Tek poezia e McCormack një dukuri e tillë është në poezinë Dielli im, ku autorja ndërthur dhe zgjidh këtë enigmë:
“Dielli im nuk lind mëngjeseve
as perëndon mbrëmjeve
dielli im lindi njëherësh me mua
Janarit, borës që binte shtruar…”

Krahaso më tutje këtë vazhdimësi për të kuptuar edhe ndryshimin e dy problemtaikave të lartpërmemdura:
“Dielli im ndriçon në çdo stinë
në çdo qelizë timen, në çdo ngjyrë
në çdo pikë të horizontit
Lindje, Perëndim, Jug, Veri…”.

Në strofën e parë është mesazhi që lidhet me metaforën poetike dhe përçillet gat ii gatshëm tek lexuesi që e njeh se Janarit, pikërisht në vendlindjen e autores dëbora binte shtruar. Pra u shpalos një enigmë që zbulohet lehtë; vendlindja dhe detajet që lidhen me të, natyrshëm duke shtrydhur edhe dëshirën dhe mallin për të. Në strofën e dytë është sërrish dielli që ndriçon në çdo stinë, por edhe nëpër qelizat e autores ama, që të përgatisë frymën mesazhere që përcillet në çdo pikë të horizontit, por duke e shtuar sqarimin e katër anëve të tij: Lindje, Perëndim, Jug dhe Veri.
Kështu është edhe në poezitë Dëbora Sot, Sa Keq, Dhimbja e Fjalës dhe jam si Pëllumbi Krahëshkruar. Në poezitë e tjera shihen nuanca kontemporane dhe tradicionalja duket paks e përflakur ose e lënë paksa në harresën e pushtetit të vargut. Diku edhe për më mirë. Përshembull në Mall dhe Dashuri vargu flet shumë bukur:
“dashuri… mall
dy pika lot
kristal që plasi
në copëza u thye…
netë të gjata
lot, dhimbje
dashuri e njomë
iku… më s’u kthye…”

Apo edhe në poezi të tjera si Fëminore, Madh e dashuri etj Tek Madh e dashuri vargu arin një frymëmarje dhe natyrshëm kapërcen lidhjen tradicionale kur fjala rrëshqet gati lirshëm:
“Paritur i dashur u gjendëm larg
e loti s’pushon dhe syrin ma lag.
Një qiell para shiut, zemra ime sot,
Shpirti do të zbrazet,
Qenka mbushur plot!”

POEZIA, VËZHGUAR NË LARTËSITË E SAJ

E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja janë pikat ku poezia synon pikëtakimin me lexuesin e saj. Dhe në këtë pikëtakim shpeshherë janë aksiomat sintaksore të frymëzimit ato që kërkojnë lancimin e modelit qetësues në modelin e krasitjes poetike të vargut. Ky model dhe kjo krasitje kanë gjetur këtë kënd qetësues edhe mes vargjeve të poezisë së shkruar nga pena e një talenteje në rritje. Në fakt poezia e saj e kërkon me ngulm këtë. E ka krijuar vetë dhe e ka bërë moto. Një moto në fakt që e bën këtë poezi të veçantë e të dallueshme e që nën rrahjen pulsore të vrullit tërheqës e magjepsës synon të të bëjë për vete , sepse pikërisht ky detaj, jo pak i mungon poezisë në tërësi. Dhe ky stil poetik mes kësaj ligjësie padyshim ka të bëjë me rritjen që poezia e saj ka realisht. E sheh këtë rritje në tërë ndjesinë poetike që lexon dhe këtu i mëshon rrekjes pas një fakti sublim. Një fakti, ku nuk synohet analizë për poezinë në tërësi të autores, as për qënien dhe ekzistencën poetike të shkruar në kohë të ndryshme, e as të përshkruaj kohët e poezisë. Synimi është të vëzhgoj këtë varg, këtë poezi në majën e kohës, në lartësinë ku vetë kjo poezi është në fakt sot. Dhe këtu, e thënë troç, fjala është për të shprehur lirshëm atë që ndjen, për këtë arritje në fushën e madhe e përditë të lartësueshme të poezisë shqiptare, kudo që lëvrohet ajo.
E lakuar thjesht, qartë dhe bukur në të gjitha rrasat, fjala poetike dhe rrugëtimi i saj mes larmisë figurative, janë tolerues në këtë rrahje të pandërprerë pulsore, sepse aty në brendësi të këtij vargu e shkuara është vetëm fakt, e sotmja realitet dhe e ardhmja, padyshim arritje. E ndërsa pulsi i një jete të re lëvrin brenda venave jetëdhënëse të këtij vargu, poezia e Merita (Bajraktarit) McCormak s’ka qetësi, edhe kur dremit atyre kujtimeve fëmijërore, rinore edhe kur nusëron mes bukurisë Korçare, që Zoti e ka pikturuar me penelata të rradha. Ashtu si dhe vetë vargu i saj e thotë:


“Do të vij të prek dhe gurin
Të ndjej aromën e bukur
Lulëshqerrat kur të çelin
Mbi jargavan të shoh një flutur

Të njom buzën me ujin e kroit,
Në shqip dy fjalë të këmbej,
Të kuvendoj gjatë me shoqet
Gjithçka tënden, o vendi im të ndjej...”.


Në një varg ritmik, kohor e gjuhëëmbël ndjehesh komod. Rrekesh mes brendisë dhe harron rropamat dhe rropatjet e një kohe që në këtë varg mbetet një monument kritik mes fuqisë së fjalës, dhe dhimbjes së shpirtit: “


“Ah sa dhemb shpirti
Prej fjalës së ashpër,”

E ndërsa vargu sillet si një dëshmi, koha poetike të mëson tolerancën, dashurinë, forcën e jetës dhe freskinë e saj. E arritura në varg është tregues i një rruge plot vuajtje, plot mundim e plot siklet. Vazhdimi më shumë se premtues. Angazhimi padyshim, pjesë e jetës së poetes McCormak.
Në këtë rrugë krijuese poetike, dialektika është çelës magjik. Këtë çelës poetja e përdor me sukses. Dhe me këtë çelës ajo hap portat në vendlindje dhe tenton t’u mesojë kodin të gjithëve më të rrinjve që hyjnë në këtë rrugë dhe synojnë të hapin portat e lashta të bedenave ku prehet vargu i moçëm. Natyrshëm, poezia e saj ka rrokur shpejt këtë kod dhe tani synon majat e kohës.

"Ulur jam mes barit të gjatë e gjëmbash fshehur
Mendja shëtit në fëmijërinë e uruar
U deshën kaq vite kohë e durim
E shkuara me të tashmen këtu për t’u takuar"


Komplekset në të cilat ndodhet sot poezia janë një pozë mode në proces kalimtar. Dhe si të tilla ata flirtojnë edhe disa pikënisje në lëmin poetik shqip. Më së shumti aty ku poezia tenton të pasqyrojë pragun e kohërave. Në kapërcim pragjesh, poezia ende ndodhet si në atë historinë e treguar për ndjesinë që të krijohet kur ndodhesh lart në majë të ndonjë kulle shumë të lart. E hedh vështrimin poshtë nga lart kullës. Të kalojnë mornica, kulla dridhet e tëra dhe të duket sikur të flak tutje, dukesh i pështjellë pastaj me ethe frike… Dhe po qe se kulla lëviz sa andej aq edhe këndej, sipas ndërtuesve dhe arkitektëve, mos ia ki frikën. Ajo është normale dhe kulla s’bën rrezik. Por, nëse kulla qëndron në një vend, ajo po sipas të lartcituarve, “mendohet” nga të të hedhë, s’ka përqëndrimin e duhur. Pra, ende s’ka një pozicion të caktuar në lëvizjen e natyrshme poetike, në atë lartësi ku është ngjitur. Në këtë rast poezia e McCormak ndodhet jashtë rrezikut. Ajo veç vazhdon të rritet e lartësohet.

No comments: