Saturday 16 February 2008

PËRGJIGJE KUCEDRIMIT GJYSËMSHEKULLOR

Nga Fatmir Terziu

Në hapësirën e majme shqiptare ngjashmëria me simptomën duket një dehje poetike. Nën një gërvishtje të shkaktuar në fushatën pompoze të majmërisë, qoftë të asaj që shtrydh legjenda apo asaj që katapulton historia e shkruar nga djaj të majmosur ose të vënë nën hijen e Rrapit që ushqehet nga batuta popullore padyshim një kostum kaq filozofik ndeshet në platformën e sajuar dhe i përgjgjet nuses-plakë që calon nën vello, duke stigmatizuar ende ‘lugën e floririt’ që nxori goja e 'qafirit' teksa pushtoi mendjet e cetës së tij grabitëse me 100 a 200 petrita, skiftera apo ku mund të dijë një histori reale që u zhgaravit në legjendën 50-vjet histori dhe u zhubros në katedrën me fill të kuq.
Epopeja e Rrapit e Novruz Abilekajt duket se është ilaci më i mirë për këtë kucedrim gjysëmshekullor…
Nje gjuhe e thjeshte, por e situr mire ne tabanin filozofik-popullor, sjell nen hijen e Rrapit njw histori rrapash, ndoshta jo per te 'kwrkuar ato rrenje qe dikush ne krijimtarine e tij klasike, kishte gjetur ate qe me vone e trumbetoi te mire 'si nje rrap madheshtor, ..., aty ndane rrapash, aty ku pra ai shikonte se... rrenjet e asaj cete banditeske kishin mbire ...'. Me sakte flet vet Epopeja e Rrapit si nje pergjigje per kucedrimin gjysemshekullor...

LEXO VAZHDIMIN TEK FJALA E LIRE

EPOPEJA E RRAPIT
(legjendë për ata që bënë 50 vjet histori)

1.
Ai u kujtua i pari
anës rrugës mbolli një rrap.
Më parë kishin mbjellë dafinë,
shegë, … mollë, … qershi.
Pemë pa trung të trashë.

Ai u kujtua i pari,
zgjodhi farën e mbolli një rrap.

Ish djalë i bukur;
trup të hedhur,
buzëqeshje tërheqëse,
sy depërtues,
(i mençur ?!).
…Mendimi e rrëmbente lart.

Anës rrugës mbolli një rrap.
U ul në majë të rrapit.

Rrapi thelloi rrënjët,
shtriu degët,
u hap, … u hap, … u hap.
Sa bimë rreth tij sythonin,
luteshin për jetë,
shihnin nga qielli, nga nëntoka, në horizont;
rrap, … rrap, … rrap.
Të mjerat thaheshin,
pluhur, baltë, pleh bëheshin
të stërzmadhohej rrapi.

2.
Kish thënë:
O degë e gjethe,
rrënjë e trungje,
zogj e miza,
insekte ku jeni,
s’ka si rrapi.
Shijoni frutat e rralla,
të papërsëritshme.
Uluni në hije,
në hijen e padepërtueshme.
Gëzoni jetën në bythë të rrapit.
Bota, qendra, fanari, parajsa,
ekzistojnë mbi rrap, nëpër rrap, nën rrap.

3.
Të jetë kështu?!..
Dyshonin insekte, miza, gjethe, degë.
Pjesë trungu brente dyshimi.

Zogjtë e rrapit cicëronin:
Kështu është, kështu.
Krahët duke rrahur
nëpër degë e gjethe,
pendëndritur, zëbukur,
përhapnin besim:
Rrapi është rruzulli,
është qielli,
gjithësia.
Të doni rrapin
dhe mbjellësin,
deri në flijim.

Zogjtë e rrapit,
nga kafazi i bukur
përhapnin besim.

4.
Degët dëgjonin,
ngazëlleheshin , përkëdheleshin, drithëroheshin,
hidhnin valle.

Gjethet gjethetrokisnin, flijoheshin,
vetëvarroseshin përqark.
Me kufomat e tyre
mbulonin bimët
që nën hijen e rrapit
thaheshin.

Rrënjët nguleshin thellë,
më thellë,
të rronte sa malet ,
të mos kish mort Ai,
dhe rrapi.

Mizat grumbuj dheu sillnin,
i ngjeshnin,
i çimentonin në bythë të rrapit,
secila një pofkë gjente;
aty gjumë, … bukë, … hale,
valle dhe hare.

Shpërbleheshin zogjtë me kafaz të ri,
dhe prapë:ci-ci,ci-ci,
para nënës, gruas, fëmijëve,
rrapi të rroj,
të rroj rrapi.
I përkasim rrapit.
Rrapit i përkasim.
Gjithkush,
gjithçka,
gjithkund për rrapin.

Rrap gjithë bota!
Në majë,
përjetë mbjellësi!

5.
Vërshëllente pylli,
eeej, kujdes nga rrapi;
ka gjethe të madhe,
hije të rëndë,
trung të trashë.
Kokrrat s'i hahen,
lëngu s'i pihet,
zgavërohet,
eshkën shton,
… edhe kërpudhat.
Mbillet ,
s'i gjenden rrënjët,
humnerë lë tek shkulet..

Kujdes nga rrapi.
Vërshëllente pylli
...nga përtej rrugës.

6.
Ai

rrapin
mbolli
edhe këto
i dinte.
Për çdo degë, për çdo rrënjë a rrënjëz,
për gjethe a filizë,
menunë e saktë kishte.

Gjethet lindnin e binin,
një e një,
aty e këtu
të gjitha për rrapin
dhe bashkë kurrë.

Kur dimri bënte i madh,
gjethet ndryshkeshin, dridheshin, këputeshin,
ktheheshin në baltë.
Zbriste Ai,
nën sqetull një kafaz,
në të;
skifter, laraskë, buf, qukapik, kanarinë me zë bas.
… Vet Zot që sundon lart.

I turrej pyllit,
klithmë lëshonte.
Mes parcelës së majtë përmireshin ujqër e tigra,
dhe në parcelën e djathtë frikeshin luanët,
ia mbathnin.
Skëterrë për urithët,
thellë strukeshin,
nën rrap .

Gjetheve s'u rëndonte zverdhja,
s'u dhimsej këputja;
brohorisnin:
flakë në pyll,
u shpërbë pylli,
ngordhën urithët,
ka vetëm rrap,
vetëm rrap,
urraaaa...!

Kjo ndodhi në dimër,
në dimrin e madh.
...Rrëfeu kanarina me zë bas.

7.
Fësh-fësh frynte era,
sillte nga pylli melodi,
gjethet të gjitha në shpirt drithëroheshin,
naivet majtas-djathtas lëviznin,
pa dalluar erë lindjeje a perëndimi.

Loçkës së rrapit, pa e-mail
ç'ne e-mail?!
pa celular,
ku celular?!
pa telefon,
s'bën telefon;
pa kartë,
kurrë me kartë,
i vinte urdhëri nga lartë:
Shkundi ato gjethe,
hidhi në pleh,
mbuloi
dhe...
të ruash atje.
Buuuum.! Shëëëëëët.!

Askënd s'dënojmë ne.
Dënon gjykatësi , prokurori.
Vendosin degët, gjethet, mizat.
Ato e dinë ç'fat duan.
Ato e zgjedhin melodinë.

Fësh-fësh era nga pylli sillte tingull të ri.
Gjethet mbyllnin veshët,
prisnin veshët,
nxirrnin sytë,
gjumi t'i zinte.
S'do gjumi.

Bien gjethet një nga një.

8.
Shtoheshin zogjtë,
cicërinin, pyesnin:
si të duket, si të tingëllon ty?
Ë..? Loçkë, më thuaj,
do t'i pëlqej Atij?
Loçka bën gojë dhe qesh,
hi-hi-hi,
unë nuk di, ... unë nuk di,
loçkë jam,
s'mbaj përgjegjësi.
Dhe shkon loçka diku e thotë:
Atje ,
kujdes,
është një,
pyet në cicërin mirë,
ç'tjetër ka në mendje?
...qafiri.
Buuuum!... Shëëët!...

Veç zogj më të mënçur ka,
pa pyetur kuptojnë, mësojnë fjalë,
rregullojnë melodi për rrapin,
mbi rrap ngjitin Atë,
skifterin, shqiponjën, mbinjerinë,
e çojnë gjethe më gjethe,
nënagjethet i japin të pi,
dhallë, ujë bore, a lëng trëndafili.

Fanda? Koka kola? Uiski?
Jo!… Jo!… Jo!...
Janë pije xhungle.
Mbjellësi do ujë,
ujë dhe dhallë do.

9.
Sidoqoftë dhe rrapi,
si rrap,
me vitet u plak.
U hap zgavra,
në rrëzë të rrapit nxinte,
dhe gjethet , dhe degët kur binin,
nga plakja, nga era, veçanërisht nga prerja,
i përpinte.

Mbahet mend njëherë;
sa gjysma e rrapit u shkëput një degë,
lëshoi kërcëllim,
flakëroi gjithë rrapi,
zgavra u bë shpellë,
gjethet të zverdhura vështronin në erë:
Ç'të jetë?! … Ç'të jetë?!
Loçkat jepnin shpjegim,
sillnin qetësi:
shshëëët..!
s'është gjë,
hiç gjë,
të rrojnë mizat,
të rroni ju,
të rroj Ai.
Kjo vetë u thye,
përgjonte lindje, jug , veri e perëndim.
Ish qafë përdredhur që në fillim.
Shshëëëët.!

10.
Ora është orë,
ha vehten, ha kafshë, ha gurë,
dhe perandorë.
Rrëzoi nga maja e rrapit
dhe mbjellësin e madh,
me zhurmë e tërsëllimë
sa toka u ça,
sa gjethe e degë u shpërndanë.
Lotë, … britma, …shpresë,
hata.

Zgavra gojëhapur,
e thithi,
ah,
tjetër,
tjetër a ka?

Gjithë degët, nëndegët, gjethet dhe zogjtë,
(të parët zogjtë),
një ton hekur varën në qafë,
tre tonë ai që kishte kafaz.

Mizat u mbytën në vaj.

11
Cëk-cëk nën rrugë,
bijt’ e mizave hapën një vrimë,
e ngushtë vrima,
por dilte në pyll.
U përfol, u sha ,
si jashtëqitje ato miza u pështyn.
Një ditë,dy;
dikush tha:
Ç' vrimë e hatashme,
sa dritë, sa mirë,
ç'para-a-jsë!
S'ish vrimë,
ish vetëtimë.

Shpejt të parët e zogjëve shtegtuan.
Klithën:
Foleja u prish, fojeja u prish,
të ikim, gjetkë të këndojmë,
të tjera këngë, motive të tjera,
Gjethet janë gjethe,
të bëjnë hije, të mbulojnë,
të kthejnë në dhe.
Drejt pyllit, … drejt pyllit,
me radhë, … pa radhë.
Atje melodi ,
atje pleqëri,
atje bukë .
Të hamë,
të mos na hanë.

12.
Legjënda, legjendë është,
e thonë edhe ndryshe,
(e thashë kështu),
por fjalët e mëposhtëme,
thuhen gjithëmonë, kudo,
dhe këtu:
Mbjellësi hijerëndë i lumtur iku,
pafund turma nga pas,
degë, degëza ,
zogj,
gjethe, gjethe,
miza, miza, miza,
ç' bisht i gjatë!
Kujtonin ç'u solli,
Shumë apo pak?
… Dritare e derëmbyllur s'dinin
në kish dritë jashtë.

Mbetur nën hijen e rrapit,
turma lebetitej , ... lebetitej.
Kolaps.

13.
Qukapiku ngriti sqepin;
quk-quk, këtu spatë, atje sharrë.
Quk-quk fort qysqinë, vini zjarr!
Dhe u bë mbi gjithë mbretër
Zjarrmëtar.

Mblodhi rrugës njëqind vetë,
Me pishtarë ndezur në dorë:
Bëri shtet.

Degë, gjethe edhe miza fërkojnë sytë,
Kokëposhtë e shohin botën;
Rënia e parë, rënie e dytë, rënie e tretë!?
Medet! Medet!

No comments: