Friday 1 February 2008

TËSHTIMA



Tregim

Nga Fatmir Terziu

“Ti pickon fort, dreqi ta hajë”- foli ajo.
“Ti tështin, aq shumë sa më shtyp të tërin, nga ai sforcimi yt, me atë tendosje kockë e lëkurë”- u kundërpërgjigj ai.
E gjitha dukej e ngjante si një zënkë fjalësh, aty në atë ngrehinë dykatëshe me ballkon të dalë nga ana e rrugës kryesore. Një ngrehinë e re. Tipike perëndimore. Një ngrehinë; vilë. Vilë! Tamam ashtu siç e quante ajo atë ndërtesë të ngrehur me djersën e tyre të ballit. Dhe asnjëherë s’e kishin menduar ata të dy se aty ku ballkoni i godinës u qëndronte si shapkë mbi kokë kalimtarëve të rastësishëm edhe zëri nga brenda dilte e hynte në veshët e kalimtarëve si një mesazh, si një lajmërim për zënkat dypalëshe që dukej sikur s’kishin të sosur aty brenda. Unë nuk e di pse pëlqeja në fakt të kaloja andej disaherë pasditeve atë javë. Dhe sa herë që kaloja do të dëgjoja ndonjë gjë të re ato ditë. Por, edhe pse ishte e dëgjuara e vjetër, ajo britma e tështimës, akoma s’më hiqet nga mendja.

***

Sa kalon rrugicën e vjetër ku kalldrëmi me gurë zgjatet në formë kurriz peshku e tërhiqet pastaj si një përrua drejt qendrës, bie në sy ajo vilë. Vilë që për kokën e vilës është. Aty ka me dhjetra vila, por ajo bie në sy. Është pronë e dy të sapo kthyerve nga emigracioni në qytetin e lindjes. Dy të rrinj që erdhën dhe u futën drejt e në shtëpinë e re. Shtëpinë e ndërtoi një firmë, teksa ata ishin jashtë shtetit. Ata dërgonin para nga jashtë dhe firma e kontraktuar ndërtonte vilën. Dhe vila iu duk si një dhuratë kur erdhën prapa nga emigracioni i tyre i lodhshëm. Mosha e tyre zor s’e mund të përcaktohej në fakt kollaj. Me një të përllogaritur ata ngjanin aty rreth të tridhjetave. Ai dukej i dashuruar pas kostumeve, ndërsa ajo pas fustaneve. Rradhë mund t’i shikoje sportive ose me xhinsa. Nga veshja dukeshin tipa zyrtarë. Dhe për çudi, ngjanin me njëri-tjetrin edhe në aparancën fizike. Ngjanin aq shumë sa mund të gaboje për t’a, pa e dëgjuar atë zë që të vinte në vesh aty nga ballkoni, sa herë që ishe poshtë tij. Zëri, në fakt dukej si i vetmi përcaktues i drejtë dhe i mundshëm si i tillë që të ndriçonte realitetin që i lidhte ata të dy në jetë. Ata ishin të dashuruar, vendosa unë përpos atij zëri që prodhonte zënka. Ata gjithmonë ishin të dashuruar. Edhe zëri që pulsonte nga brenda godinës kësaj dashurie ia nxirte petët. Kësaj dashurie që ishte padashje edhe pjesë e rrugës. Atë ditë ishte hera e parë që dëgjova ato zërra nga brenda asaj vile. Dhe e gjitha ishte kështu.
-“Hë, hë ashtu …, ashtu, … ashtu”- dëgjohej zëri burrëror, “ashtu mbaje, ashtu mbaje”, - përsëriste ai zë që rritej, sforcohej dhe tendosej papushim.
-“Ja, ja gati e ke, ja, ja ku po e bëj atë siç e dëshiron…”- shtonte zëri femëror.
-“Po ti pickon aq fort, sa dreqi e mori…”- dëgjohej zëri femëror.
-“Aman të lutem mos tështi më, se ….” – shtonte ai.
-“E mirë pra e nisim nga e para”, - foli ajo.
Unë nuk durova dot. Nuk e di pse më kishte hypur një temperaturë e brendshme. Ndoshta fytyra ime mund të ishte bërë spec e kuqe. Sinqerisht isha tunduar e përhumbur. Isha në një botë tjetër. Ngrija sytë andej nga vinin zërrat dhe pushteti i emocioneve më komandonte tërë qënien time. I dola vilës nga pas. Asnjë roje, asnjë ndalesë. Asnjë pengesë për të hyrë brenda. Vendosa të ngjis shkallët. Arrita në koridorin e madh të katit të dytë. Aty kishte qetësi, pastaj disa zërra, një tështimë… Dhe pastaj një britmë burri.
-“Kjo tështima jote më tërbon, por nuk e di pse më pëlqen. Të lutem tështi edhe njëherë si në rastin e parë. Të lutem provo edhe njëherë.” – vazhdonte zëri i burrit.

Unë kisha mbërritur thuajse në derë. Ajo ishte në këmbë. Ai mbante në duar një kamera të madhe xhirimi. Pastaj të dy kthyen kokat nga unë dhe folën si me një zë.
“Sa mirë, e paskeni lexuar reklamën tonë. Uluni, pas pak do të fillojmë testimet…”
Unë nuk e doja veten. Nuk dija si të dilja nga ajo situatë. Në fakt, pastaj ishte tështima e vazhdueshme që më ndryshoi mendjen. Aty po xhirohej një sekuencë filmi dhe të dy ata ishin protagonistë të atij filmi me metrazh të shkurtër, që unë e titullova “Tështima”.
Pastaj, sa herë që kaloja andej nga ajo vilë, më vinte të qeshja me të madhe me veten time, me zhgënjimin që më bëri tështima e asaj vile.

1 comment:

gjuha shqipe said...

Ke te drejte, teshtimat gjithnje vijne nga temperatura te brendshme, po Fat!
Ne te vertete, jo vetem teshtimat: edhe letersia (si krijimtari dhe lexim), edhe filmat (si jehone e pashmangshme e atyre qe ndodhin jashte kameres), por gjer edhe kureshtja, ajo qe ushqen levizjen e njeriut, si prove e qenies gjalle, prej ndryshimit te gjendjeve (brenda, jashte, midis, prane, larg) ardhka!

OK,

faruk myrtaj