Monday 18 February 2008

XHEVAT LATIFI: LEXIMI PËR TË TREGUAR

Nga Fatmir Terziu
“Dashurisë i vjen era epsh
qenosesh edhe vetë në kohë qenësh
poetët bëjnë punë mbi letra t’zverdhura
këndojnë këngë të qivitosura i falen parave të pista
automobilat luksoz vrasin lady Dajanën
shtohen lutjet për kërkëllimë qindarkash
Me mjete të sofistikuara të shekullit atomik
Vërtetohet se Liria nuk egziston
u postua dhe u bart në Marsin e mistershëm
civilizimi e shpuri duke u zgërdhirë
Për të mbetur berza e numrave ku njeriu është malli më i lirë
në ekspozitë kolektive.”

Ish presidenti i SHBA-së Bill Klinton në librin e tij “Jeta ime” (2004) thotë se shumë njërëz i bëjnë komentet e tyre nga nivele të ndryshme por që pikëtakohen ose ndërlidhen në tre kategori. Në njërën shqetësohen për vitet e rinisë, në tjetërn për efektet e asaj moshe dhe në të tretën në lidhjet e kësaj moshe me progresin apo regresin në jetë. Kjo thënie edhe pse thuhet nga një politikan i kalibrit siç është Klinton, në thelb ka një huazim nga kritika letrare. Edhe në kritikën letrare të kohëve të fundit këto tre lidhje kanë derivate të njëjta argumentimesh dhe komentesh. Të paktën në kritikën e avancuar amerikano-britanike ka një strukturë që pak a shumë ka në thelb një verteber argumenti të ndërlidhur në këtë tematikë ku shfaqen komentet, por që në fakt ka një motivim dhe një synim të përafërt. Në frymën e asajt që quhet, ‘lexim për të treguar’, argumenti analitik ka një brazdë të ndërtuar mirë, ka një hulli ku kritika depërton lehtë dhe gjen fjollëzën që flet, që tregon dhe lexohet për të treguar. Richard Wise, njëri nga kritikët më të avancuar që e sheh ‘kulturën e sotme në këtë tis’ në librin e tij Multimedia një shikim krtik, e ligjëron këtë. Duke ndjekur këtë shteg që sot ka diktuar kritika letrare unë gjeta një pikëlidhje ‘lexim-treguese’ në veprën e bollshme të Xhevat Latifit, poetit që ka latuar mirë e bukur fjalën shqipe në kuadratin e larmishëm të ngjyrymeve artistike me të cilat ai kundron në bahçen e plotëbegatshme të traditës shqiptare të poezisë të lëvruar në të gjitha trevat me shqiptarë. Latifi ka një sintaksë që flet në një situatë bashkëkohore. Ai tenton thjesht dhe realizon bukur. Është në fakt një përkëdhelje që ai dhuron poezisë së tij, veprës së tij. Unë nuk e njoh autorin, por njoh poezinë e tij, dhe kështu nëpërmjet poezisë së tij unë i lexoj qëllimin, synimin, dhe madje i gjej edhe modestinë dhe talentin e tij. Poezinë e tij e gjeta në faqen muzeum të letërsisë shqipe, Seguraëeb.nl, dhe talentin e tij e gjeta po aty të shtruar qetë e bukur në mesin e bujarisë mikpritëse që të fal poezia shqip, që ka burim frymëzimi traditën shqiptare, sofrën e madhe shqiptare të shtruar nga Jugu në Veri e nga Perëndimi në Lindje.
Autori gjen “SHI NË FLOKUN TËND” dhe pastaj përçon mesazhin domethënës teksa kalkulon gjithë potencialin e tij detajues të shpreh se “Njeriu vizaton bardh e zi llahtarinë”. Ai sheh si një njeri i përditësisë, por edhe si një qenie njërëzore me kostumin e poetit, atë që ai e titullon: “ROBËRI ARTISTIKE”. I këndon dhe i thurr pastaj një vend të kritikueshëm dashurisë, ku ai zbulon se asaj pra,
“Dashurisë i vjen era epsh
qenosesh edhe vetë në kohë qenësh
poetët bëjnë punë mbi letra t’zverdhura
këndojnë këngë të qivitosura i falen parave të pista
automobilat luksoz vrasin lady Dajanën
shtohen lutjet për kërkëllimë qindarkash
Me mjete të sofistikuara të shekullit atomik
Vërtetohet se Liria nuk egziston
u postua dhe u bart në Marsin e mistershëm
civilizimi e shpuri duke u zgërdhirë
Për të mbetur berza e numrave ku njeriu është malli më i lirë
në ekspozitë kolektive.”
Diku ai bashkëudhëton më pas me kohën në kohë të ndryshme. Dhe kohën e thërret si një dëshmitar për historinë, e thërret të ringrej terrenin e duhur për të shkuarën, të sotmen e të nesërmen. Si një metafor e shpirtit të tij pastaj del edhe ajo që gjendet tek “URA”:

“Në urë Isa Boletini
Shitohet xhamadani
Na vranë
e thatë Podgorica kundërmon
liqeni i Shkodrës
i thellë Syri i hasmit
ushqen nishan qenin e çartur
e çartet vetë.”
Historia nuk është thjesht një kalim rasti, nuk është një rrugëtim i thjeshtë poetik. Historia për të ka plagë dhe si e tillë ajo sjell, shëron dhe harron plagë. Ndërsa disa plagë mbesin të tilla si “MASAKRA E GJILANIT”:

“gjithëfarë krrokasjesh rrugëve
djeget ithët era e blirit
njëmijëenëntëqindekatërdhjetëekatër
herë ju thashë
unë Mulla Idriz Gjilani
porta e atdheut është te Molla e Kuqe
dhe në grykë të karajfiles
amin”

Në hapësirën që rreket midis kohëve historike, latifi paraqet edhe hapësirën fizike, të prekshmen, larg utopikes, jashtë asaj që mbetet vetëm hamendësi. Ai sheh tek “QYTETI I BARDHË TIK-TAK E ZEZA” se si “Tik-takët si këmbana harxhojnë sekondat’ dhe ‘akademikët, priftërinjët, memorandojnë korin e ushujzave”. Por autori nuk harron të gjej edhe detajet e duhura të hulumtojë një krodinatë që pasthirmohet e pastaj hiberbolizohet derisa
“…këmishë e thurën hynë thellë në mish
ashti im buzë që dridhen si miu në fushë
sa vonon sa shumë zgjatë një minute…”.
Se ndryshe s’ka si të kamuflohet një qetësi, një ‘Hongahop’ që trazohet nga “Vemja dhe shkuja, hosia e gjakut të pa tharë… Dhe në fakt vargjet këtu s’duan koment:
“hongahop një kryq i vjetër
gjysmë hëna e kuqe
frenjëza e zonjës që nuk përfillë
bishtin e vetë merr dallgë kolli i keq
eteri i mërrolur i Ballkanit me varre
të shprishura si flokë dame.”
Në siparin historik ku autori lexon retinën e historisë, ai natyrshëm di edhe të mbrohet, jot ë frikësohet e të shushatet. Ai di por edhe tregon se “tërhuzet’ ndërsa
“Vetulla puthë nishan të kuqërremtë
se kush mund ta dijë
tërhuzem nga njeriu tinëzak
një copë lëkurë tërhiqet nga dy buaj të tredhur
kalërojnë nishani dhe vetulla
minjët e gjerizit gjejnë strehë
puthet lëmyshku i palcës pëlcet deri në kupë
llahtarinë ëndrra Vetë ëndrra është rreth i mbyllur
regjet nga hithat shetitorja…”

E kush më bukur se poeti mund të gjej pragun e shekujve, madje edhe ndërrimin e tyre?! Ai i ka fiksuar ato në lëvizjen e tyre amorfe, dhe njërin e ka veçuar në gjuhën e tij poetike:
“Shekulli njëzetë gëlltitë luftën e fundit
histori e rëndë në një cd virtuale
klith dhembjen
E therrjes me armë muzeale
thikë
qengel ...
prapë ikje biblike
në ekspozitë Holokausti
nga sateliti vëzhgimet e Fosileve
Lufta B-52 humbja asnjë ushtar
rrezet Ultravjollce trandin nga ëndrra
Kosova bëhet kërthizë e botës.”

E ndërsa ne i shohim pikënisjen dhe i pikëtakojmë rrugën për t’ia uruar të mbarë poetit Latifi, ajo që shënohet në atë ‘lexim për tu treguar’ është një mesazh vlerash tek “RRUGA”:

“Edhe një copë rrugë deri në tokën e shpëtimit
as njerëz as kufinj nuk duken gjëkundi
sall lecka të shkyera të grave mbi shpinë

edhe një copë rrugë bartim peshën e tokës
buzët kanë relief të vijëzuar plazmasi
paska kufinj tmerri nënë
mbetën dëshmitar që u flasin plagët
kepi i shpresës së mirë qullet me lotë
që bien si lëkura trupit
shkruhet shifra UNHCR”.

No comments: