Wednesday 5 March 2008

MARINAJ: “POEZIA GJINIA MË SUPERIORE E ARTIT”




Nga Fatmir Terziu


Në një kulturë si e jona, shumë e tendosur në ndarje dhe shkëputje të gjërave si një kuptim për kontrollin, është disa herë një lloj grimcë shokimi që mbahet në mendje për tu kujtuar, në shkrime, krijime apo edhe fakte praktike. “E thënë më saktë krijimtaria është një mesazh”, thotë Marshall McLuhan. Kjo nënkupton para së gjithash anëkraftëzimin artistik, të cilin krijuesi e gjen në kulturën dhe njohurinë e tij. Poeti, prozatori, krijuesi i gjithë aspektit mediatik ndan në këtë tejlidhje mesoren e një figure gjeometrike që krijohet rishtaz nën imagjinatën e trios mesazh, derivat dhe arritje. Mesazhi si elementi më i rrëndësishëm në krijimtari është një lloj pasaporte që lypset nga çdo nivel lexuesi. Këtu kritika e hershme gjente një molekulë frymëzimi për të udhëhequr apo ndarë në klasa, kategori dhe revolucionarizëm, gjë që në fakt ishte një antagonizëm i krijuar nga postulati i udhërrëfimit ideologjik. Mbartja e mesazhit që natyrshëm sot përbën faturën e kritikës për krijuesin është një lloj liçense, të cilën e prodhon një vëzhgim shkencor dhe e vulos një lexues pa shijuar ngjyra, medalje, vlerësime apo diploma, por duke shijuar vlerën e krijimit në shijen e tij. Prej kohësh më pati tërhequr dyanësia e një aplitude që rreket nën dhe pas emrit Gjekë Marinaj. Krijimtaria e tij, natyrshëm për aq sa kam mundur t’a ndjek dhe kritika ndaj veprës së tij, të paktën për aq sa e kam pikëtakuar me kureshtjen për ta lexuar me imtësi. Në pamje të parë ngjan me një organikë komplekse, ku një tis i hollë ndan dy aplitudat në fjalë. Një tis ky që në disa raste krijon një koazion artistik që deshifron realitetin, që anëson vlerat e vërteta dhe fryn argumentin e një krijuesi që ka veprën dhe vlerat e tij, duke i imponuar spaleta dhe komplekse figurative, madje edhe personit të tij, karakterit real të tij, jo atij në vetën e parë që prodhon tek-tuk vepra e tij. Adnan Mehmeti, për shembull e cilëson në një fjali që simpatizon një fiktivitet gjuhësor dhe deformues të realitetit duke shprehur në kritikën e tij: “Gjekë Marinaj, më shumë se poet”. Pa gërmuar në fjalorin e hershëm të të madhit Androkli Kostallari, por duke gjetur anën emergjente dhe shkencore në fjalorin e Oksfordit për gjuhën shqipe (Oxford Albanian-English Dictionary) që botohet nën siglën “The World’s Most Trusted Dictionaries” (Fjalorët më të besueshëm në botë) dhe që udhërrëfehet me fjalë, shpjegime fjalësh, grupe fjalësh apo togfjalësha e frazeologjizma, madje edhe me fjali komplekse ndihmëse, mund të thuhet me plot gojën se një fjali e tillë e përdorur nga kritika, sapo ‘dashamirëse’ që të jetë, krijohet një vetsulm padashje ndaj vlerave të veprës së autorit dhe një penelatim me akuarel në një sfond metalik, tek i cili shiu apo edhe një veprim tjetër natyral krijojnë një hiç. Një hiç të cilin e krijon kritika dhe e përqafon në heshtje përqasja e saj në sferën pëlqyese. Aspak nuk do të ndalesha në këtë pikë nëse nuk do të vazhdohej më tutje: “Universi poetik i Gjekë Marinajt- trokitje drejt majave” (Mehmeti: po aty). Dhe ‘universi poetik’, edhe pse figurativ në këtë rast, paralajmëron një dëshirë dhe një fakt tek i cili lëvrohet analiza e mëtejshme, duket se diku në thellësi të analizës shpjegon me gojën e vet krijuesit: "Për mua poezia është gjinia më superiore e artit. Vetëm në poezi mund të gjesh një përbërje të përbashkët gjeniale të arteve në një trup e shpirt të vetëm poetik: muzikalitetin imagjinues të një kompozitori, imazhin meditativ të një piktori, prozën e kondensuar të një romancieri, dramën vibruese të një dramaturgu e medikamentin shpirtëror të një lexuesi. Në një farë mënyre, unë jetoj për të lexuar e krijuar poezi" (Marinaj; në kritikën e Mehmetit).
Atëherë duke lënë pas ‘kritikën për kritikën’ ajo që s’do koment është krijimtaria mes vlerave reale të saj. Autori i "Mos më ik larg", 1995 – poezi,"Infinit", 2000 – poezi, "Ana tjetër e pasqyrës", 2003 – intervista, "Ora e paqes", 2005, përkthim - poezi nga Rainer Schulte "Në shpellën e Platonit", 2006, përkthim - poezi nga Frederick Turner "Poezia Amerikane", 2006, përkthim - antologji nga poetë amerikanë, që në planin e parë të vëzhgimit duket i pandashëm në deklarimin e tij paraprak. Pra poezia e tij është ajo që bie në sy. Në fakt ajo ka vlerat të cilat janë simpatike dhe komplekse. Një poezi e tillë siç është “KUAJT”, ku dominon një metaforë profesionale flet më shumë se një elozh padashje, flet më shumë se një ‘dashamirësi’ apo edhe vlerësim metaforik. Kuaj dhe njërëz. Një binom që estetika e quan një nga krijesat model. Jo më kot të dy krijesat gjenden në siparin e hershëm papirus, jo më kot kanë qenë ushqim i vlerave të shkruara biblike, por jo më kot Leonardo da Vinçi, Mikelanxhelo, Rembrandi apo Van Gogu thyen penela e spatula të krijonin lartësitë artistike më njërëz e kuaj. Më tutje jo më kot Pol Elyar apo Burns sollën elementin njërëzor dhe kuajt si dy bashkëjetesa në poezitë e tyre të famshme. Këtu ka një vlerë, një detyrim të cilin e realizon një bashkëjetesë tek krijuesi kërkues dhe tek krijuesi krijues, ku në gjuhën e poezisë së Marinaj të dy karakteret, kuaj-njeri shihen në një dyfish-retushim artistik dhe jepen të pastra në kuptimin mbartës. Njërëz dhe kuaj, kuaj dhe njërëz një simbolikë që ushqehet sa me populloren aq edhe me modernen në këtë rast. Kemi të bëjmë me një zotërim logjik të figuracionit që çimentohet në vargjet:

“Tërë jetën duke vrapuar rrimë
Shohim veç përpara
Ç'bëhet prapa s'duam t'ia dimë.
Ne nuk kemi emër
Të gjithëve kuaj na thonë”.

Më tej është një mori figurash që kristalizohen nën veprime foljore dhe detaje situatore, që flasin me një gjuhë, që ndihen edhe në heshtje, ashtu si edhe në fakt vargjet e mëposhtme shprehen:

“Nuk qajmë,
Nuk qeshim;
Heshtim,
Dëgjojmë;
Hamë atë ç'na japin,
Ecim nga na thonë,
Asnjë nga ne s'është mendje hollë.”

Veprimi njërëzor që mbartin vargje të tilla, natyrshëm luajnë rolin e një sintakse të qartë, të shkoqitur e të mirëpërdorur, gjë që sot synohet nga shumë poetë, por pak njihet nga një palë tjetër. Një fjali poetike e tilë, dyfishon vlerat e mesazhit dhe i hap rrugë kompleksit figurativ. Duke plotësuar kompleksin e përzgjedhur figurativ autori shugullon larminë e tij metaforike dhe lezeton platformën mesazhiere duke krijuar një apriori të rastit, në një gërshetim kohë, vend dhe ndërlidhje ‘oreksore’, që nënkuptojnë patologjinë dhe fizionominë e një shteti pa vertebër, pa shtyllë kurrizore, ku dominon oreksi apo shija për një zgjedhje apo shije obortaro-ironike, gati-gati edhe didaktike për vlerat që mesazhi i poezisë krijon. Autori nuk mëdyshon atë që thotë, por thekson qartë dhe prerë:

Kush qe kalë mbreti,
Posti qe i lartë
Kush qe kalë princeshe
I bënë shalë të artë
Kush qe kalë fshatari
Pat samarë me kashtë
Kush qe kalë i egër
Tërë jetën fjeti jashtë.
Po qemë dhe mbetem kuaj, para njeriut!

Duke parë këto vargje natyrshëm ndjen një arsye më shumë të mëshosh se autori kërkues, autori studies është sot e përditë më shumë një arritje që synon bashkëjetesën e ndryshimeve mediatike, bashkëjetesën në botën së cilës krijimtaria shqiptare ende hyn nga të çarat e dritareve.

Vazhdon… FJALA E LIRE

No comments: