Sunday 27 July 2008

Të shkosh apo të mos shkosh në Pekin?




Fatmir Terziu


Të shkosh apo të mos shkosh në Pekinin e Lojërave Olimpike? Kjo s’është vetëm një pyetje që nuk kërkon përgjigje, as edhe një hamendësi turistike. Është një dhimbje therëse që vjen nga të qënit shqiptar, nga lotët paraFlamurit Kombëtar dhe nga emocionet e Hymnit Kombëtar. A thua vallë do të ketë shans Kombi të gëzohet apo edhe të nxjerrë lotë gëzimi në Pekin? Gazetari shqiptar, radio-transmetuesi i mrekullueshëm, Ahmet Shqarri e shikon turbull: “Nuk dua të ngre himne e ditirambe për "heronjtë" e së kaluarës, por kur në sportin tonë nuk ka ende një të tillë, përveç atij të 36 vjetëve më parë, me emrin Ymer Pampuri, domosdoshmërisht duhet ta përdorësh si pikë referimi dhe shembull për të tjerët, të cilët, tani për tani, janë të detyruar ta shikojnë atë nga poshtë-lart.”
Pra vetëm një Ymer Pampuri?! Sa të tjerë kanë marrë torbat, se zyrtarët e sportit u kanë kthyen kurrizin? A do të ishim ne që do të krenoheshim me dhjetra të tillë, që presin të ngjiten podiumeve me flamuj të tjerë apo nën ritmin e hymneve të vendeve ku kanë ikur dhe i përfaqësojnë? Natyrshëm shqetësimi i Shqarrit është me vend. Në Pekin nuk të bëjnë këmbët të shkosh. Në Pekin zor se ndonjë shqiptar apo shqiptare, të paktën prfaqësimin mund t’ua dëgjosh, vec atyre që nën siglën zyrtare u renditën në numrin më të madh të përfaqësimit shqiptar në Olimpiada. Por ndërsa thuhet pak dhe saktë, ne jemi shumë larg…

***

Pak ditë më parë nga Londra m’u kërkua një intervistë nga gazeta Suedeze, “Expressen”. Gazetari i saj, Siegge në pyetjen e parë më drejtohej ti jepja opinionin tim për Kombëtaren e futbollit, pasi ai kishte lexuar tek “Albanian Mail” shkrimin tim, ku pa qenë gazetar sportiv, apo njohës i mirë i futbollit, thjesht dashamirës shqiptar i futbollit, ngreja problemin e ngjashëm me Shqarrin. Në shkrimin tim ishte futbolli, dhe më tej problematika e tij. Përgatitjet për 2010-tën, ku përballë Shqipërisë do të jetë edhe Suedia. Por pa u shtruar tek intervista apo shkrimi për gazetën suedeze, ajo që shkruan Shqarri për Pekinin e Largët, jo thjesht gjeografikisht: “Pyetja ka të bëjë me të sotmen dhe pikërisht me faktin e pjesëmarrjes të sportistëve tanë në Lojërat e 29-ta Olimpike, që për dy javë do të çelin siparin e tyre në kryeqytetin kinez. Konkretisht, bëhet fjalë për atë se çfarë mund të arrijmë në Pekin 2008, ku ne shqiptarët, tani, nuk do të kemi përballë vetëm kinezët, si dikur, me të cilët ndanim miqësisht nëpër gara dhe ndeshje "humbjet" dhe "fitoret" (sipas një plani të caktuar nga partitë komuniste të të dy vendeve), por do të jemi pjesë e një konkurrence të jashtëzakonshme mes mijëra sportistëve të tjerë, përfaqësues të mbi 200 vendeve të ndryshme të botës.”

Dhe ndërsa Shqarri shkruan dhe pyet “Pra, sa afër dhe sa larg është aktualisht ky sporti ynë nga Pekini i Olimpiadës?”, përgjigjja nuk është aq e thjeshtë. Nuk është aq e thjeshtë për njëmijë arsye. Një nga ky mal arsyesh është pozicioni shqiptar në këtë shekull, që më shumë sytë ia ka politikës dhe xhepit personal. Dhe pozicioni ynë është disi i coroditur, disi i tejet amortizuar, në këtë dualitet midis politikës dhe xhepit. Sportistët janë njërëz dhe jetojnë si njërëz, dhe kështu ata s’kanë sit ë përjashtohen nga ky dualitet. Por ndërsa njërëzit shqiptarë, qytetarët në Shqipërinë dhe ata që vejnë e vinë, i kanë ngulur një kohë të mirë kafeneve dhe në një masë të madhe presin tek sportelet e dërgesave për të kaluar muajin, sportistët kanë zënë fushat dhe palestrat, nëse ekzistojnë për të djersitur për një nder në ndonjë podium. Por kur ky nder nuk simbolizohet, nuk shpërblehet, ikja dhe pesimizmi mbesin armiqtë më të mëdhenj të sportit, ose më saktë të gatimit të largësisë me Pekinin e Ilimpiadës. Të tjerat mjeshtërisht i ka thënë Shqarri ynë i madh: “Për të bërë "apologjinë" e sportit tonë, shpesh kërkojmë deri në lashtësi për të gjetur medalistë dhe kampionë, megjithëse emri Shqipëri apo Arbëri, në ato kohëra të hershme, nuk ekzistonte gjëkundi. Sidoqoftë, pse duhet të shkojmë aq larg për të bërë "apologjinë" e sportit tonë, kur faktet i kemi "të freskëta", nga kohët tona moderne. Pikërisht, në startin tonë në një olimpiadë botërore, në atë të vitit 1972 në Mynih të Gjermanisë, Shqipëria njeh të parin dhe të fundit rast, deri tani, që ka mundur të fitojë një medalje kampioni. Ka qenë 27-vjeçari Ymer Pampuri, atëherë një peshëngritës i Tiranës, i cili pati thyer rekordin olimpik të japonezit Yoshinobu Miyake, në stilin e forcës, i papraktikueshëm më në këtë sport, që prej asaj kohe. Kështu, ajo peshë prej 127,5 kilogramësh e ngritur prej Ymer Pampurit 36 vjet më parë në Lojërat e 20-ta olimpike, sot është i vetmi rezultat që mund të na bëjë të ndihemi "afër" të tjerëve në Olimpiadën e Pekinit. Pra, ky Ymer Pampuri, tani për tani, është e vetmja vlerë sportive-olimpike, me të cilën mund të krenohet kushdo prej ne shqiptarëve. Por, edhe pse "vdesim" për një çikë lavdërim dhe mburrje para botës, në vend që ta përmendim si krenari Ymer Pampurin në rastin e sportit (sepse Pirro Dhimën "disa" vazhdojnë ta quajnë tradhtar!?), përkundrazi, kampionin e para 36 viteve më parë në Mynih e kemi harruar fare, duke e futur në radhën e anonimëve. Emri i tij del shumë rrallë në publik, madje, ai nuk e di pse është zbehur aq shumë edhe nga vetë Komiteti ynë Kombëtar Olimpik!? Vetëm për meritën e padiskutueshme të Pampurit në sportin tonë, ai duhej të ishte zgjedhur, të paktën, anëtar nderi i asamblesë së institucionit më të rëndësishëm olimpik, gjë që nuk kushton aspak, veçse do t'i bënte nder protagonistit në fjalë, si dhe atyre që do të kishin fatin të qëndronin pranë këtij kampioni, të papërsëritshëm deri tani…”.
Dhe më tej kjo në gjuhën dhe logjikën tonë është një lidhje me KOKSH-in për të cilin Shqarri, ashtu si shumë prej nesh e paraqet me këtë paragraph: “Si ka mundësi që në asamblenë e KOKSH-it bëjnë pjesë njerëz gati të panjohur për sportin tonë dhe jashtë mbeten ata që kanë shkruar apo përpiqen të shkruajnë historinë e tij!? Dhe, përsëri shembulli mund të merret po nga sporti i peshëngritjes, që edhe pse vazhdon të jetë më i shquari dhe më rezultativi në gjithë këto vite, prej të cilit edhe në Pekin 2008 mund të shpresosh diçka, ai përsëri nuk ka asnjë përfaqësues të tijin në institucionin tonë më të rëndësishëm olimpik!? Si për t'ua kujtuar edhe më shumë drejtuesve të KOKSH-it këtë fakt të suksesit të saj të vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare, peshëngritja, gjatë garave të Kampionatit Evropian që u zhvilluan në Francë i dha këto ditë medalje të tjera Shqipërisë, tashmë nëpërmjet një protagonisti të ri, djaloshit të talentuar nga Peqini, Daniel Godelli, për të cilin kam kënaqësi të them se është bërë kampion Evrope, ashtu si disa vite më parë peqinasi tjetër Hamdi Tufa, edhe nëpërmjet punës pasionante të shokut tim të hershëm, të viteve të rinisë shkollore, trajnerit të sotëm, Ali Lundraxhiu…”
Më në fund ndërsa Pekini është aty dhe Gushti do ta corodisë atë sportivisht, ne do të shojmë në heshtje larminë e sporteve dhe kostumeve, duke medituar ‘sikur të kishim ca …”, ndoshta ‘edhe ca qereste’ si në filmin shqiptar për të ndërtuar ura më të afërta me podiumet, me nderin dhe krenarinë shqiptare nëpër botë, do të ishte natyrshëm një obligim jashtë politikës, por nder i Shqipërisë.

No comments: