Sunday 31 August 2008

HALIL LAZE NË KUJTIMET E MIA

RIZA LAHI


Në krye të gazetës nga më të dashurat për mua, “Drita”, lexova emrin e kryeredaktorit të ri – Halil Laze.

E kisha lexuar këtë emër më parë në krye të një gazette sindikalistësh të djathtë, por, e kujtoja mirë edhe shumë vite më parë. Ai emër kishte botuar një tregim shumë – shumë të bukur, aq sa e mbaja mënd edhe tani, me titull, mos gaboj, “Vajza e ishullit”. Ishte një tregim plot frski, elegancë, me shumë shpirt dhe , me siguri, I shkruajtur në prezencën e valëve dhe erës së magjishme të detit.

“Drita”, si e vetmja gazetë letrare , sulmohej nga të gjithë. Kishin nisur edhe “kafetë” për të botuar atje por unë, për shumë motive, edhe sot e kësaj dite, e kam pas konsideruar fyerje të personalitetit tim t’I jepja kafe dikujt për interes. I lumi ai që më bën një të mirë kur unë kam aq ngut për të mirën e tij. Unë e kam në vesh derisa t’ia laj, gjithjë, sipas mënyrës sime, këtë të mirë ; t’ia laj disa fish.

Kisha shkruar një poemë që fliste për rezistencën e armatosur të shqiptarëve të Maqedonisë.

Me “floppin” në cantë bëra përpjetë shkallëve të “Dritës”.

Vjollca Kola, daktilografistja dhe kompiuteristja e redaksisë, si mori dikë me telefon duke I shqiptuar emrin tim, më bëri me shënjë se, po, kryeredaktori, ishte atje, te zyra e tij.

Pas një “Hyr”, cela derën dhe pashë në zyrën e “shefit” katër – pesë veta.

Me një vështrim të shpejtë kalova sytë e të gjithëve.

Kryeredaktorin e gjeta vetë. Kishte një palë sy të jashtëzakonshëm, të shëndritshëm shumë dhe që kishin një mall që të këpuste shpirtin; një mall të fshehur që unë e dallova menjëherë.

Halil Laze kishte një dashuri të pakufishme ende për ushtrinë, megjithëse, qënga radhët e saj, e kishin burgosur. Si cdo lab, ai ishte gati të bënte “hara-kiri” për pilotët e vëndit të tij.

Më duket se më njohu, mbase më kish parë në televizor ndokund, apo, mbase më kishte lexuar atëherë kur e ndalonin të botonte.

Ia lashë CD.

E ndjeva veten njeriun më të privilegjuar në atë ambient ku shkruhej se ishte zyra e kryeredaktorit.

Më erdhi shumë rëndë.

Të dielen, në vënd të poemës, pashë të botohej një pjesë tjetër, nga ata që kishte “floppi” im. Poema, e kuptoj edhe tani, kishte gjëra që mund të krijonin probleme shtetërore.

Të dielen tjetër, pashë , sërish, dicka të botuar nga unë. Sigurisht nga “floppi”.

Po fluturoja nga gëzimi. Ishte hera nga më të rrallat ,që dikush kishte kushtuar kaq shumë nga vëmëndja e tij për krijimtarinë time.

Kur pashë se edhe të dielen tjetër, “Drita” kishte botuar prap nga “floppi”, vendosa të shkoja ta takoja Halil Lazen.

E ndesha te shlkallët.

Rëndakop, I qeshur dhe me sytë jashtëzakonisht të zgjuar, më dha dorën dhe unë I thashe se kisha ardhur për dy gjëra. E para, që, mbase do të ishte mira që të ndëriste botimet e mia numur për numur , pasi kushedi se sa njerëz mund të bëheshin xhelozë apo të mërziteshin se nuk po kishte vënd për ata, dhe, e dyta, a do të ishte e mundur të pinim nëj kafe së bashku.

Të parën kafe…

“U bototonj te “Drita” kush ka talent; kush nuk kaaa talent, u nuk I botonj”, ma ktheu përgjigjen labce, me zë të lartë , aq sa të dëgjohej gjer te dera e “Lidhjes”.

Kisha dëgjuar se e kishte qejf atë të shkretë raki, dhe, sapo u ulëm në kafenenë e klubit, e ftova që të pinte sa të donte. Unë atë kohë kisha para nëpër duar, se merrja dy rroga, një në ushtri, e një tjetër në OSBE, ku punoja pasi mbaroja punë në repart.

Mirëpo ishte hera e parë që ai pinte dicka me mua. Dhe, ishte e pamundur të porosiste raki dhe, po ashtu, e pamundur, që unë të paguaja paratë e kafesë.

Isha borxh deri në fyt për këto mirësi që sikur po m’I sillte qielli. Nuk kujtoja të kisha takuar dëndur një njeri kaq fisnik.

Më lëvrinte poshte këmishës së shtatit ndjenja e mirënjohjes.

E kisha të pamundur ta mbaja gjatë.

M’u dha rasti që të botoja një nga librat e mi më të dashur. “Nën hënën e Ulqinit”. Këtë libër ia kam kushtuar nënës sime dhe, për nder të plakave ulqinake, në syprinën e parë të atij libri , unë vura fytyrën gjith mirësi të nënës sime, Shemsijes.

I thashë Halilit se doja të kishim nëj kujtim së bashku. Të ishte ai redaktor I këtij libri. Më tha se, ishte I zënë deri në fyt për ta lexuar, se lexonte me dhjetra e qindra shkrime që sulmonin për ditë “Dritën “ ( e shkreta “Drita”, që arriti edhe këtë ditë që të mos dalë më!), por, ani, ta shkruaja se iashte reaktor ai, zëre se e kishte lexuar.

Ashtu bëra.

Kur isha gati ta dërgoja në shtypshkronjë librin tim, I telefonova gjith hare Halilit në shtëpi dhe më doli një zë më rinor se zëri I atij. Më tha se ishte djali I Halilit.

I tregova për shariqin.

Nga ana tjetër më erdhi kjo përgjgije:”Halil Laze ka vdekur”

Menjëherë shkova në shtypshkronje që ta rrethoja emrin e tij me shiritat e një paralelpipedi dhe,që andej, ia gjeta shtëpinë në katin e pestë.

Shumë të burgosur politikë kanë marrë prona, kanë bërë proekopi, e kanë provuar veten e tyre në goxha përgjegjësira shtetërore, apo edhe ambasada.

Shtëpia e Halil Lazes, ishte thuajse trokë.

Një dhomë e guzhinë e kohës së Enverit.

Halil Laze vdiq thuajse në mjerim ekonomik.

RIZA LAHI

shkrimtar

Refleksione mbi një libër që i u rriktheva sërrish




Aleko Likaj


Ditet e nxehta te kesaj vere ne Peloponez, me bene qe te jem paksa me i kujdesshem. Ndryshe nga Bordoja e Frances, ku prej tre vjetesh ende nuk e njohim, dhe e shijojme stinen e veres si ne mesdhe, u desh qe keto lloj pushimesh verore, ti kaloja i mbyllur brenda mureve te shtepise se nenes sime, nen efektin e nje aparati klime, qe e bente ajrin « konstant », per nje te pamesuar si mua.I u rriktheva leximit ne ate ambjent. Nje ndjesi e çuditshme me kishte bere vetem nje çast perpara nisjes per ne Patra, te marr nga biblioteka e shtepise sime ne Bordo edhe librin ; « Hijet e Virgjereshave ». Mbase nje fakt i thjeshte, qe ka te beje edhe me nje nisme private, e disa kineasteve te rrinj shqiptare, nxenes ne shkollen « Marubi » , ne Tirane,te cilet kishin zgjedhur per te realizuar nje film per pune dipllome, pikerisht nje tregim nga ky liber ; « Bote ciganesh », ishte dhe mbeti nje arsye me shume, qe ta rrishfletoja serrish. Shume vite me pare e kam ndjekur tregimtarin Myrtaj, dhe qe te jem i sinqerte deri ne fund, midis letrareve te rrinj te asaj kohe, egzistonte mendimi, qe Faruku ishte nje ze krejt i veçante ne gjinine e tregimit. Natyrisht, qe une nuk e njihja autorin aso kohe, por libri i pare i tij, »Njerez qe kam njohur », dhe me pas tjetri, »Marreveshje per te jetuar » me kishin krijuar nje ndjesi te paperseritshme, midis emrave te krijuesve te rrinj qe qarkullonin ato vite, kryesisht nga periudha e 80 tes, deri ne pragun e kapercimit te sistemit.
Pas nje banjoje qe beja ne det, ku shfaqesha ne oret e para te mengjezit, kthehesha me linjen 4 te urbanit te Patres, dy ore afer mesdites, per te vazhduar leximin e « Hijeve… ». Kisha mbetur rrob a peng siç thuhet sot, i atyre tregimeve qe nuk ishin realisht krejtesisht te panjohura per mua. Mbase « magjia » qe mbeshtetet fort tek forca e fjales, por edhe te « kurthet » qe ngre autori, te cilat, shpalosen pastaj paragraf pas paragrafit. Ndonje mbetet i tille deri ne fund, sa, edhe kur e ke mbyllur ate faqe, ende ndjen si nje jehone te larget, si nje imazh qe ka mbetur diku, e qe vazhdon te shfaqet ne nje salle te boshatisur, ne nje celuloid, qe tashme ti nuk mund ta shohesh.Kete pyetje i a kam bere vehtes, sapo mbarova tregimin e ciganeve, per te cilin metafora qe perben vete thelbin e tij, dhe te mesazhit qe kerkon te percjelle autori tek lexuesi. Nuk e di pse ndodh kjo keshtu ne tregimin e Myrtajt, ndaj e kam konsideruar si nje lloj magjije, qe te ben te ndjesh te veçanten tek ky autor.Gjithesesi, ato jane te ngjizuara, dhe kane ne thelb realen, ate çka ndodh rreth nesh. Faruku ne tregimet e tij perpiqet qe te jape ndjesine e jetes se vertete, jo thjeshte te pershkruaj jeten a ta kritikoj, por faktikisht ta beje ate te gjalle. Eshte kjo, mbase magjia-sekret qe faktikisht eshte e vertete kur e lexon Kete fakt ka konstatuar edhe mikesha ime, poetja Iliriana Sulkuqi, e cila ne nje mesazh qe me ka nisur keto dite, me ka percjellur kete ide per prozen e Myrtajt « Kur shkrimtari zbulon apo merr përsipër të shkruajë realitetin që ai e sheh, e prek dhe e ndjen tej palcës së shpirtit të tij, ai s'e bën këtë për vete, por për të gjithë ata që duhet të kuptojnë në çfarë kohe jetojnë, nga vijnë dhe ku shkojnë. Ai frymon të rilidhë bashkësinë e një AND-je nga rrjedh. Pikërisht për këtë arësye - tretet i harruar. Faruku ka një sens moral jashtzakonisht të ekuilibruar, ku mjeshtërisht pena e tij e sprovuar ndan gazetarin nga shkrimtari. Kjo, falë përvojës sëj tij si gazetar, falë talentit krijues të tij edhe si poet. Fjala e tij, merr vlera të mrrekullueshme, qoftë e thënë në gojën e personazheve, qoftë në përshkrimin e karaktereve të tyre apo në përshkrimin e mjediseve ku ndodhin ngjarjet. Fjalët, jo të kërkuara, por të natyrshme (një fjalor i pasur leksikor, pa teprime gjuhësore, bie menjëherë në sy), bëjnë që tregimet e tij të lexohen me një frymë, pa të ngecur fjala në fyt, pa t’u marramendur vetja nëpër labirinthe pa krye, siç na ndodh shpesh kur lexojmë tregime të stërzgjatura e pa kurrfarë mendimi. Nëse çdokush nga ne mendon se ka diçka për t’i dhënë letërsisë, kam bindje se Faruku, ashtu sikurse edhe shkrimtarë të tjerë, të cilët tashmë kanë hyrë në top-listën e njerëzve të Penës Shqipe, me të vërtetë ka diçka për t’i dhënë letërsisë. »
Por libri te mrekullon. Kete e kupton pasi e ke mbyllur edhe faqen e fundit. Te pakten, ky eshte mendimi im. Dhe kur them keshtu, kam parasysh gjithe krijimtarine e Faruk Myrtajt ne gjinine e tregimit te shkurter, ne kontekstin e letrave shqipe te ketyre viteve te fundit. Ka nje rritje brenda vete krijimtarise se tij. Kete fakt ma verifikon edhe tregimi i fundit qe hodhi ne listen tone para tre a kater muajve, « Turmat e dimrit ». Sapo e lexova, nxitova qe ti dergoj nje mesazh urimi, jo nga ato qe shkruhen sa « per te kaluar rradhen », por per ti thene, shkrimtarit, se, « na e ke dhene mrekullisht ne te gjithe dimensionet filozofine e turmes ».Ishte vertete nje ngjarje per ne te gjithe, e jo vetem per Farukun. Por, le te kthehemi perseri tek « Hijet… » si, dhe tek vera e nxehte e Peloponezit , atje ne mesdhe, prane detit te kaltert, ku pertej dritares se dhomes sime, pas avujve te nxehte qe çliroheshin nga suprina e kripur e nje deti te qete e te paqte,shfaqeshin konturet e Itakes homeriane. Kjo ndodhte sapo thyhej mesdita, kur rrezet e diellit fillonin te perthyeheshin duke ikur drejt perendimit, atje ku ishulli lahej e tretej ne det. I heshtur dhe hijerende, ashtu si ne legjenden qe e solli tek ne.
Ajo qe te bie ne sy menjehere tek proza e Myrtajt, ka te beje ne rradhe te pare me vete strukturen e tregimit. Faruku, jo vetem qe eshte nje njohes i shkelqyer i detajeve teknike, por di po aq mire qe ti « ekonomizoje » ato. Gjithmone ne funksion te idese dhe mesazhit qe kerkojne te percjellin.Fraza duket se lemohet dhe axhustohet, jo vetem me kujdes, por te duket si e skalitur nga nje dore mjeshtri, alla Mikelanxhoje.Ka nje leksik per tu patur zili.Te qeruar e te zhveshur nga huazimet qe i ndeshim rendomte, si nje fenomen-plage keto vitet e fundit tek shume krijues te tjere e te rij.Keshtu edhe personazhet, te cilet vendosen gjithmone nga Myrtaj ne skakieren e tregimit ne pozicione te nje dramaciteti, qe ne momentin e pare, te krijojne pershtypjen se nuk kane asnjefar zgjidhje. Shkrimtari i ben te besueshem ata, pikerisht sepse u le ne dore qe te zgjedhin vete fatin e tyre. Dhe kete ata e bejne mire, edhe pse here-here ata kane perpara ndonje suprize ideore, qe perfundon me nje zgjidhje te mençur. Ata jane ne pergjithesi karaktere qe nuk i ngjajne njeri tjetrit, ashtu si ne jete do te thosha. Kane bote dhe shpalosin para lexuesit virtute. Pa i pergjithesuar dhe i permendur qe te gjithe sipas tregimeve te ketij libri, dua qe te pohoj se ata mbesin realisht dhe ngjizin tek ne.Nuk e di pse me ishte krijuar mendimi shume vite me pare, pas leximit te vellimit poetik, « Dielli i nentokes » se Faruk Myrtaj, do te mbeste ne poezine e re shqipe. Ka qene fund vjeshte i vitit 85 – se. Edhe pse kisha lexuar vite te shkuara nje vellim tjeter me temen e nentokes, nga minierat qymyrgurore, te mikut tim te vjeter Ilirian Zhupa, « Dielli… » i Myrtajt jo vetem qe nuk ishte nje kopje e Zhupes, por sillte perveç risise, edhe nje game tjeter temash nga bota qe rrilind ne sgaferat e nendheut, brenda arterieve te saj. Pastaj ne kapercellin e dy sistemeve, 90-91, kuptova qe poeti ishte shkrire brenda prozes se tij te shkurter. Ndaj per mua tregimet e Farukut, kane jo vetem nje trill poetik, por realisht ato konceptohen si te tille. Dhe ky me duket se eshte tashme nje qellim me vehte i autorit, sa here ulet qe te beje prozen e tij. Eshte kjo arsyeja, mendoj une qe ne tregimet e Murtajt ka shume figura artistike, sa qe here – here te duket se ndonje prej tyre ka nje ngarkese te tepruar me to. Ky nuk eshte nje iluzion qe merret me kotesine e gjerave qe s’kane fund, por nje realitet i prekshem. »Autobuzi i dates 1 » edhe pse duket se nis si nje rrefim i zakonshem qyteze puntoresh, nga ato qe ishin ngritur ne disa pika te rrendesishme te artereve te atdheut, fillon e hyn shpejt ne piken « vluese ». I vizatuar nen nje doze humori dhe alegorie te kendeshme, autori perveç personazheve zberthen artistikisht me elemente poetike, « piken e zgjidhjes ». « Bote ciganesh » nepermjet nje metafore zberthen njeriun e sotem me dramen e tij ne dhera te huaj. Jeten tone te emigrantit ne te kater cepat e kesaj bote te vockel, edhe pse autori merret me elemente te tjere figurativ, brenda jetes se nje grupi ciganesh.Vete tregimi « Hijet e virgjereshave », vendos ne qender karakterin e nje njeriu femer-burre duke e zbritur ate nga sheshi i bjeshkeve, qe ende e ruajne nje aureole epizmi deri ne ditet tona, te mbetura te virgjera, jo vetem psikologjikisht, por edhe me natyren e tyre krenare, te stolisura me nje lloj bukurie te eger qe u a ka transmetuar vazhdimisht banoreve qe jetojne ne ato vise, per ta sjelle pastaj mijra kilometer larg, ne ambjente te nje kontinenti verior, ku gelon nje jete krejt e ndryshme prej saj.Me nje gjuhe te pasur e te thelle ne mendim, personazhia « operon « ne nje ambjent « djerre » siç eshte aeroporti…
« Rroba per andej », « Nje europiane bredh ne Ballkan… », « Bermuda »…, duken se ndertohen mbi dramen e individit duke patur ne thelb kontraditen me vete shtetin, shoqerine dhe ambjentin qe i rrethon. Me vjen mire qe te rendis ketu edhe mendimin e Lazer Stanit, shkruar posaçerisht ne hyrjen e botimit, i cili perkon me ate qe kam ne koke edhe une vete, pas rrileximit te ketij libri te mrekullueshem.
« Në të gjithë letërsinë e Faruk Murtajt, - veren Stani-shteti perceptohet si armik i individit, si një e keqe fatale.. Nëse shteti është një e keqe e domosdoshme në shoqëri, eksperienca shqiptare mesa duket e ka provokuar autorin që të jetë një armik i papajtueshëm me shtetin. Edhe pse askund shteti nuk shqafet si një i tërë, në shumicën e tregimeve të tij shteti dhe qeveritë kanë një prezencë armiqësore, rrënuese dhe fatkeqësisjellëse për individin. Në letërsinë e tij, shkrimtari Faruk Murtaj e shikon individin shqiptar në katër raporte kryesore: individi në raport me vetveten, individi në raport me të tjerët, individi në raport me shtetin dhe individi në raport me të huajt (joshqiptarët). Duket se drama e individit të krijuar nga Faruk Murtaj është dramë që vjen nga deformimi i këtyre raporteve, nga mosekzistenca e harmonisë në këto raporte. Arsyet këtu janë disa, por më thelbësori është tipi sociopsikologjik i krijuar në rrethana të caktuara historike, sistemi i dyshimtë i vlerave, i krijuar nëpërmjet imponimeve të vazhdueshme në mungesë të lirisë, informacioni i vonuar, absurdi dhe marrëzia që nganjëherë përshkruhen si një fatalitet i racës. Faruk Myrtaj është mjeshtër në përshkrimin e raportit midis individit dhe shtetit. Ai e përshkruan këtë raport me një realizëm tronditës, pa kaluar as në historicizëm dhe as në kriticizëm. Për fat të keq të shqiptarëve, shteti për ta ka qenë gjithnjë një armik, që është identifikuar ose me pushtuesin (të huajin) ose me uzurpatorin (të brendshmin). Një shtet i tillë nuk mund të jetë tjetër veçse një shtet keqbërës, një shtet që nëpërkëmb fatet e individit dhe njëkohësisht që zgjon te individi ndjenjën antishtet – anarkizmin. Edhe pse individët e Myrtajt nuk janë anarkistë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, ata janë individë armiqësorë me shtetin ose individë të shkatërruar –hije që kanë humbur kuptimin e ekzistencës.
Edhe individi në raport me të tjerët është një individ i ndrydhur, një individ jo i lirë, mosbesues, hezitues. Sentenca e Sartrit “Ferrei janë të tjerët” duket se gjen një vend të dukshëm në tregimet e Faruk Myrtajt, ndërkaq me të huajt është krijuar një raport ekzotik, falë një virtuti të lashtë, mikpritjes, pavarësisht se kjo ndjenjë e shqiptarëve për të huajin perceptohet si relike ekzotike prej tyre, si çudi e ruajtur prej kohëve të vjetra. Individi me vetveten, në prozën e Myrtajt, nuk gjendet në një raport më pak dramatik, ngaqë ai gjithnjë e ndjen se nuk mund të jetë ai që do të jetë, ai nuk mund të mendojë atë që do të mendojë, ai nuk mund të bëjë atë që do të bëjë në një çast të dhënë. Kjo në tërësinë e vet e bën individin në prozën e Myrtajt një individ dramatik në ekzistencën e vet, që lëviz midis fuqisë dhe pafuqisë së tij, midis rebelimit dhe nënshtrimit, midis ikjes dhe kthimit të vazhdueshëm.
Pak kohe me pare jam shprehur, per nje moment te rrendesishem ne jeten e Farukut, siç eshte ikja nga humbetira bituminoze e nje zone si Selenica e Vlores, se ka qene vertete proza e tij, ajo qe e solli drejt qendres te kryeqytetit, pikerisht ne ato vite, ku diktatura kishte ngritur kurthe e bariera te panumerta per gjithe intelektualet shqiptare. Dhe nuk jam gabuar ne kete lloj gjykimi.Art-magjia ne gezofin e prozes se Myrtajt, jo vetem qe ishte nje ze i veçante ne letrat shqiptare, por te krijon nje ndjesi qe mund te ta japin vetem shkrimtare te medhenj te hasur ne rrugen tende.
Kesisoj, « Hijet e Virgjereshave », jane dhe mbesin nje « mision i arrire », per krijues si Faruk Myrtaj, te cilat jo vetem e nderojne autorin qe hulumton ne kete fushe prej afro tre dekadash, por edhe e rendisin ate, pa dyshim ne arradhen e mjeshterve me te mire ne te gjithe hapsirat ballkanike, ndoshta edhe me tej.
Nuk e di pse gjate kthimit te linjes ne tragetin Patra- Ankona, ne kete fund gushti,qe posa lame pas, nen ajrin e nxehte te stines duke kaluar ne ngushticen midis Korfuzit dhe Sarandes ne buzembremje, e ku shkembijte me dukeshin si nje bust i larget se bashku me nje vello mugetire qe perçudnoheshin atje tej, mu duk vehtja si personazh i tregimit te Faruk Myrtajt, tek « Bote ciganesh », i cili se bashku me familjen e vet duhej qe te largohej i pari nga ai kamp endacakesh pa e ditur pastaj se cili do ta kallte nder dhé ate cope zemer qe la pas. Dhe befas ndjeva se me pershkroi nje dritherime qe me beri te mekem, dhe pastaj te ngasherej duke mbajtur brenda kraharorit nje gulç qe u vetekyç. Me kurizin e dores se majte fshiva lotet qe rreshqiten ne faqe duke lene rreke ne te dy anet e buzes. Dy hapa me tej nje çift te rrinjsh greke qe kishin ardhur nga Athina per te udhetuar pastaj, drejt veriut te Italise ne kufij me Zvicren, si alpiniste drejt nje ekspedite, qe me sa dukej i priste prej ditesh, ne nje çast te vetem u ndjene si te turperuar.Nuk ishte puthja e tyre ajo qe kishte zgjatur ne parmaket e kuvertes te gjigandit « superfast » ne krahun tim te djathte, qe i kishte bere te ndjenin ate lloj ndrojtje, por gjendja ime e renduar psikologjike prej mergimtari, perballe atdheut qe me vidhej ngadale pas vellos qe hidhte nata…

Saturday 30 August 2008

UDHA PËR TE VDEKJA

Roman


Zanës
Besnikja fisnike e vuajtjeve të mia

Agim Shehu
Kreu IV

Porosita drekën: një makaronë, një supë, një fetë bukë! Banakierja mori 2 lekët e më pa në sy:
-Më falni, kam vënë re që e shtrëngoni shumë dorën! Truri i shkrimtarit do ushqim! -
-Këtu jam punëtor. -
-Po dhe puntorët këtu hanë më mirë se ju! -
-Vuaj nga diabeti! - Më vështroi me mirësi.
-Unë mund t’ju pororosit mish pa dhjamë, kundër diabetit! -
-Të pyes mjekun! - Ajo tundi kokën e po shënonte porosinë.
Dorëzova biletën e kamarierja më solli poshtë pjatës dhe një thelë mishi. Po e vështroja në heshtje. Erdhi u ul dhe shefi i Financës, nga Malësia, njeri i përpiktë e i ndershëm. Porositi dhe dy birra.
Pas tij vjen oficeri në lirim; na përshëndeti, uli pjatën e pilafit në tavolinë dhe nisi të hante ; një burrë prerë shtrembër e gjysëm tullac, me hundë si majë piperke të lëmuar. Zëri i niste i hollë, pastaj papritur i trashej!
-Si jeni për diskutimin e puçistëve ? - foli befas si pa të keq - unë jam munduar...- Bëra sikur s’e dëgjova, po ashtu dhe shefi i financës. - Unë i njoh gjeneralët armiq, se kam qënë oficer - shtoi si me vete!
-Pse të liruan? - pyeta unë.
-Me kohë nuk ka qënë në një mëndje me ta, si duket ! - foli shefi i financës.
-Sidoqoftë - shtoi ish oficeri - tradhtarët do dënohen si tradhtarë, veç në luftë kanë qënë trima...kanë dhe plagë! Çudi si u bënë tradhëtarë! -
-Kush tha që nuk kanë qënë tradhëtarë me kohë!? - fola unë, - ata nuk u bënë të tillë papritur! -
-Me ty jam, armiq të fshehur, por dhe meritat e dikurshme..! Të mohosh që gjeneral Çako qe trim i rrallë, që në Bazën e Vlorës tregoi aq guxim...Është dhe një film, ju si shkrimtar e dini, e keni dhe fshatar; dje ai ju ka nderuar, veç sot e prishi! -
-Guximtar qe dhe Hitleri, por krimet nuk ia zbukurojnë këtë meritë..! -
-Më fal, nuk më kuptuat!..-
-Më fal, ti ç’kërkon nga ne!? - fola me zemërim.
-Unë s’desha të prishem me shokët për hir të armiqve! Ata tani i thonë vetë në hetuesi ! -
-Nga i di ti se ç’po thonë ata në hetuesi? - pyeti shefi.
-Unë fola i çiltër...- foli më qetë ish oficeri.
-Në je i çiltër, këto që na the ne do t’i shprehësh kështu dhe në mbledhjen e organizatës! - preva bisedën. U ngrita e u largova. Shefi më ndoqi nga pas.
-Ç’qe kjo bombë që na plasi!? - foli me gjysëm zëri shoku. Mblodha supet.
U nisa nga Drejtoria e Përgjithëshme ku kish zyrën Dega e Brendëshme. U ula në lulishte me gazetën “Metalurgu” në dorë e po prisja shefin nga Gjinokastra, vëllain e mikut tim të ngushtë. Më pa dhe shkova e takova.
-Pse është pa humor sot shkrimtari!? - foli nga larg.
-Të lutem, më dëgjo pastaj bën humor! - I tregova ngjarjen. Ai po qeshte:
-Pse e lodh veten me gjëra të tilla!? -
-Me gjëra të tilla kam arritur gjer këtu, ti qesh! - i fola me një lloj ankimi.-Ju duhet të mbani qëndrim me të, nëse..! -
-Çfarë, nëse?! Mos hyr në punët tona! -
-Kjo punë që flas është dhe imja! -
-Ti je i siguruar. Kaq, dhe eja na jep një konjak! -
- Sidoqoftë, mos e moho që unë ta kam thënë! E bëj të ruaj veten, jo t’i bëj keq tjetrit! Nuk di ç’të bëjë njeriu: keq të tregojë keq të mos tregojë! -
-Gati paratë për konjak! - dhe më hodhi krahun drejt mencës.

Ngado ndjehej gëzimi që do festohej Furnalta. Sheshi rrotull qe mbushur njerëz. Grupe të tjera po vinin nga tërë anët. U dukën dhe autoritetet e njohur, nga Rrethi e nga Tirana. Ngado skuqnin flamurë e gjëmonin lartfolësit (autoparlantët). Fotografë e gazetarë lëviznin tërë shkathtësi nëpër njerëz. Dy filmues, Televizioni dhe Kinostudio kishin zgjedhur pikat më të mira të filmimit.
Autoriteteve u ndriste fytyra, bisedonin vetëm duke qeshur me njeri tjetrin si të qenë në oborrin e një dasme dhe ata qenë krushqit e parë! Ngrinin sytë nga maja e Furnaltës drejt qiellit dhe fytyra u bëhej hare e tëra, si “çlirimtarë të dytë” të Shqipërisë! Shihnin me bisht syri aparatet e filmimit dhe fytyrat i bënin gati si pa u kuptuar.
Mbi një shkallë të ngushtë metalike të Furnaltës montatore Liliana vështronte me dorën mbi vetulla për të parë më mirë. Në sup mbante hedhur një triko të hijëshme ngjyrë portokalli si të lyer me perëndim dielli. Qe zgjatur, që t’i përgjigjej poshtë një fotoreporteri. “Afrohu” i foli atij, e fytyra i dukej më e hijëshme.
Shoku im me burgje, Panua, i lumtur që i dalloi, u nis të ngjitej dhe ai lart, në krah të saj. Dalloi që filmuesi po bënte gati aparatin përballë Heroit të Punës Socialiste, një babaxhan nga Dibra, dhe nxitoi te ky i fundit; iu ngjit te krahu e diç po i tregonte me humor. Heroi qeshte me zemër dhe e afroi më shumë. Shoku im i hodhi dorën te supi duke vazhduar shakatë. Filmuesi e preu atë që mori me të dy bashkë, po gishtat e ish të burgosurit i kishin mbetur te cepat e yllit të Heroit. Gjysmat e dekoratave në anë të gjoksit shoku im ia kish marrë me vete me gjithë një pjesë të supit, dhe Heroi ngjante invalid.
Montatorja u filmua nga tërë anët dhe zbriti poshtë. Befas e mbuloi pikëllimi. Për festimin e Veprës ajo kish blerë bluzën e re. Para se të ngjitej e la mbi hekura diku poshtë, dhe nuk e gjeti. Endej e pikëlluar me sy nëpër njerëz!..
Po rrija në një kënd gati i padukshëm; m’u afrua dhe Shoku - burg. Sa shihte diku një rrëmujë të gëzueshme e ai s’qe në mes tyre, bëhej menjëherë gati të më ikte. E mbaja me bisedë të mos më linte vetëm. Ai më dëgjonte si zogu në degë me sy nga fluturimi.
-Do bësh ndonjë marrëzi, të të futin prapë brënda! - i fola.
-Ta kam thënë, brënda është më mirë se jashtë, provoje dhe gjykomë! Këtu trëmbesh të vesh një çikë nga ana tjetër! - Diç pa, dhe u shkëput tutje. Lëvizte si ngjalë mes njerëzve, u dilte përpara aparateve të filmimit. E largonin; ai ecte pak më tutje dhe zgjaste fshehur fytyrën te supi i tjetrit. Dy të rinj të Degës po e ndiqnin me duar në xhepa.
E shihja e qeshja me vete: dy herë në burg! Herën e parë u fut tepër i ri, se guxoi të bënte dashuri me vajzën e gjeneralit në lagjen tonë! Tek i dyti - si armik i qartë! Tani kërkonte të tretin!..
Filmuesi nga Korça i Kino-Studios takoi sytë me të mitë; më buzëqeshi lehtë e u kthye prapë te puna e tij (para ca vitesh kishim qënë bashkë në tërmetin e Dibrës, unë si gazetar pas tij). Ia ktheva fshehur buzëqeshjen - vazhdo punën tënde! Po filmonte nga çdo anë. Sa i dilte në fokus fytyra ime, e largonte me kujdes!
Shoku im e dinte këtë, dhe gjurmonte vëndet si pamja ballore e Furnaltës, parullat kryesore për Partinë apo Heronjtë e Punës tërë dekorata!..Vente e vinte nëpër ta; shkoi pranë grupit të udhëheqjes. Dikush e kapi për krahu dhe e largoi.
Iu afrua përsëri dy Heronjve Socialistë. Ata e panë, i buzëqeshën të përzemërt dhe u kthyen prapë te njeri tjetri. Ky u doli nga ana tjetër, u zgjati i qeshur nga një cigar dhe nxori shkrepsen. Ata e morën, e ndezën. Filmuesi u drejtua kameran fytyrës dhe dekoratave të tyre. Shoku im thoshte nga një humor e qeshte sa më afër supit! Filmuesi nervoz po bënte mundim të veçantë, që ish i burgosuri të mos dukej gjëkund. Shoku im po ndizte cigaren e re; kineasti nxitoi te aparati; shoku im e la sa ai nguli syrin aty, pastaj Heroit i hodhi dorën në qafë nga pas.
Ai vëzhgoi filmimin: dora e të burgosurit kish dalë në supin e Heronjve, te vëndi i spaletave. E shoi menjëherë dhe po e shihte me inat; shoku im mbante fytyrën tërë vëmëndje nga udhëheqja ku mbahej fjalimi! Aparati u shkrep dhe një herë. Fotografia kish dalë - dy portrete gati të ngjitur bashkë. I zoti e fshiu përsëri e filloi ta priste që aty. Heroi kish dalë me një sup të prerë. Ai po shkonte në Ekspozitën e kryeqytetit me dorën e të burgosurit në supin tjetër.
Nëndrejtori më afrohet me nënkryetarin Çomo të Komitetit, ish shok gjimnazi nga Libohova. Takohemi të përzemërt, e nis tregon me fytyrë nga Kosovari si sekretar organizate, që mbrojtjen për mua atij t’ia bënte më të fuqishme: “doli më i miri i maturave, e vetëm atë vit u shkel rregulli - nuk dhanë dekoratë; të drejtën e studimit lart ia dhanë për doktor kafshësh, edhe pse qe në rrethin më të mirë të talenteve!..Të tjerat i di vetë. S’e kuptoj ç’fat e ka ndjekur!..” Bëri një humor, e shtoi me fytyrë nga unë. “Shkruaje një poemë për Kombinatin - shtoi shoku - t’u mbyllësh dhe gojën disave që thonë se nuk e frymëzon as klasa e atje le të kalbet!..-
-Njësoj është - fola unë - mua nuk më beson njeri...-
-Ti bëj tënden! Bëje për fëmijët!..Kryetari im, lekdushasi juaj, të do shumë e të mbron pa zë! Është burrë! Këto mos ia thuaj njeriu! - Në fund na ftoi në shtëpi duke na treguar Pallatin - hyrja e parë, kati i dytë!..- Nëndrejtori e shoqëroi në ikje, duke i folur më tej për mua.
Shoku-burg po bisedonte me një të panjohur. Ai herë-herë shihte nga unë, nënqeshte lehtë, pastaj vazhdonin prapë bisedën e tyre.
-Të më falësh, do rri pak me atë!.. - m’u drejtua shoku.
-Kush është ai, që po shkriheni humor? -
-Hetuesi im i burgut të parë, ka ardhur nga Tirana për festën! - Hapa sytë.
-Po ai pse ka ardhur?! -
-Punë të tyre! Është shpirt njeriu! -
-Ti je i çmëndur!.. -
-Nuk e njeh! Ai ka bërë detyrën siç e urdhëronin! Ore - shtoi me zë tjetër shoku im - po ai të paktën është i zbuluar, kurse gjithë këta rrotull ç’i pandeh ti, janë si ai por të fshehur! - Qeshi e vazhdoi më me qejf: - Pastaj veç burgimit, me të unë kam dhe kujtime të mira...Isha djalë kur u dashurova me vajzën e gjeneralit; me pyetjet që më shtrëngonte qoftë dhe me kamçik, që të tregoja pse kisha fyer një gjeneral, ky më bënte dhe shakara, më çponte ku gudulisesha se si e bëra…Lermë tani! - dhe u çkëput e shkoi prapë tek ai.
Po shihja i habitur! Hetuesi, i qetë, disi asnjanës; shoku im i burgjeve - më i çiltër e i qeshur ndaj tij, herë herë sikur e ledhatonte! U ulën diku në mencën e Furnaltës; unë me Kosovarin në një cep tjetër. Ata nisën kujtimet:
-Si vete këtu? - pyeti qetë hetuesi.
-Jo keq! - u përgjegj i burgosuri.
-A më mban mëri..?! -
-Ti bëje detyrën! Në mos ti, atë do ta bënte një tjetër! - Para ish hetuesit, shokut tim fytyra i merrte çuditërisht një ëmbëlsi të dorëzuar.
-Të kam dhënë dhe ndonjë shufër...-
-Fajin e kisha dhe vetë që s’hapja gojë menjëherë, të thoshja dhe të pabëra, ç’do humbisja! Veç njeri më qafë nuk do mirrja. Po të më caktonin mua, mbase dhe unë ashtu do bëja me ty! - Ai i zgjati një cigare; shoku im e mori duke e falënderuar, nxori çakmakun e u zgjat njerëzisht drejt tij. E thithi fort cigarin e fytyra i buzëqeshi e tëra brënda tymit:
-Më qe tharë goja tek më pyesje, e më dhe një cigar që s’e harroj! -
-Pasi të kisha dhënë një pëllëmbë...-
-Ajo më solli në vete e fillova...Më ka marrë malli për atë kohë, qe dashuri e parë e ti u fute brënda saj! Më gudulisje me pyetje, se ç’kish të pëlqyer tek ajo vajzë! E mban mënd besoj, ma kujto dhe ti njëherë, më qafsh!..- Vështroi nga banaku e porositi dy pije të tjera. Poqi vështrimin me mua, më shkeli syrin dhe e largoi menjëherë.
-Thuaj të drejtën - shtoi me humor hetuesi - pak inat më ke marrë kur të shova cigarin në mish se po vonoje përgjigjen!? -
-Qënke budalla! Kthema atë rini me tërë vuajtjet që hiqja e i duroja, të të përqafoj! - u përgjegj shoku-burg i qetë. - Kur isha jashtë, arrestimin e mendoja më të tmerrshëm, kurse me ty m’u duk një vazhdim jete i një lloji tjetër që e vlen ta provosh!..Do pimë dhe një gotë? -
-Nuk pi më! -
-Pastaj kish më keq! Si qe puna e atij shokut tonë : erdhe e more për pyetje në mesnatë, e në mëngjez u gjënd i vrarë tek telat!? -
-Se deshi të arratisej, por mos ha m...me historitë e të tjerëve! - Fytyra i mori zemërim.
-Ra fjala ! - u mbrojt shoku-burg e ndëroi bisedë: - Po kur thirrët një shokun e qelisë se i kish ardhur gruaja!?..Ata të dy vanë tok në vëndin e caktuar, ti mua më shkele syrin !...Rashë të flija e s’më zinte gjumi ; mbulova kokën me batanien e çjerrë e nisa të bëja me ngè «punën» time. «Po mbaroje, të shkretën se na le pa gjumë ! Nesër do vemi që natën në punë!» thirri shoku në fund të dërrasës së përbashkët si shtrat!..Ç’qyfyre rinie!..-
-Si e ke atë shokun atje?! Thonë, është i majmë! - pyeti hetuesi me bishtsyri nga unë.
-Lere, të ziun, se është i mirë e ka famlje! -
-Po ne me të nuk do sillemi më keq se me ty, dhe ai do na kujtojë siç na kujton ti! -
-Ai është i rritur tani. Për të paske ardhur? -
-Na e shet dot!? Fitim do kesh, do shpëtosh veten tënde!..-
-Këtë s’e bëj dot, merrmëni përsëri mua! Por kot flet kështu, zemrën ti s’e ke të keqe!.. Ahere ti thirre për dëshmi dhe vajzën e vogël të gjeneralit; kujtoma, më qafsh, ç’tha ajo për mua!..-
-Kaq shumë të ka pëlqyer, sa më kujton të ëmbël dhe mua me të!? -
-Kujtimet janë njeriu. Jeta është e shkurtër, kujtimet janë të gjata!..-
-Si guxove nise atë dashuri në rrethin e një gjenerali!? -
-Fare kot, nisa ndryshe, doli ndryshe. Ishim të varfër. Ajo, 16 vjeçe, ulej në sofà e hante bukë të bardhë me gjalpë në mes. Unë i shihja me zili paninen e goja më lëshonte lëng buke! Tek më shihte ashtu, ajo lëvizte këmbët e lumtur duke i hapur pak si me naze. Pastaj unë e vështrova nga këmbët! E harrova bukën, e goja po më mbushej me një lëng tjetër më të këndshëm, krejt të panjohur...E kuptoi, e ma bënte zili bukën duke i mbajtur këmbët të mbledhura! E pashë që ma “mbylli derën”, e iu largova. Ajo u afrua vetë, duke hapur në fillim krahët drejt meje...Një plakë e mirë e lagjes na pa nga kanata e papafingos; shkuli faqet nga frika e gjeneralit, pastaj kur na pa të shtrënguar fort, vështronte tërë qejf gati pa marrë frymë...Pastaj nisi ta ndante bukën me mua...E kuptoi, që unë po trokisja gjetkë...U puthëm aq fort, sa më ra në kokë e një javë s’e mora veten!..Më qafsh, kujtoma dhe ti njëherë, si ta pata treguar në hetuesi!..-
-Nuk trëmbesh më tej nga unë?! -
-Të tjerët që vinë do ta nisin nga e para, e janë më të hidhur!.. Të pimë dhe një tjetër!-
Hetuesi u ngrit e u ndanë.



Te “Zona-7” do zgjerohej fusha për shkarkim minerali nga importi, kryesisht hekuri. Drejtori i ri, nga ata që thirren “çakmak”, caktoi 10 vetë e na porositi që të jemi shembull si klasë puntore, se do vinin dhe nga shkollat!
Morëm veglat e punës e u nisëm. Te fusha një si ingjiner u caktonte detyrat punëtorëve. U ndamë dy nga dy: njeri kazmën e lopatën, tjetri karrocën. Do gërmonim një bokërimë të fortë e do ta shkarkonim në breg të lumit.
Hoqa setrën e nisa kazmën. Ajo qe e vjetër dhe e rëndë; balta i ngjitej për metali e doje mundim ta shqitje.
M’u afrua Dalani e më këshilloi të venim ta ndëronim.
Te një tog veglash rrinte një punëtor i moshuar, ua ndëronte ato atyre që ia kërkonin. Nuk i fliste njeriu me gojë, veç ua bënte me shenjë se kë donin! Në njerën dorë mbante cigarin kurse veglat ua tregonte me dorën tjetër të prerë.
-Ka një histori më vete - më tregoi Dalani: - Në një festë, populli në shesh po duartrokiste, dhe ky ngriti dorën e prerë lart si kërcu e i binte me pëllëmbën e tjetrës te bërryli, si në rastin kur themi „hip këtu të shohësh!..“ Njerëzit në krah e panë shtrembër. S’kuptoi, e shanin apo i qanin hallin, dhe psherëtiu me vete: „ç’isha mirë në kohën e mbretit Zog“!
Të nesërmen e thërrasin në hetuesi: „kur duartrokitej socializmi, ti ke mburrur mbretërinë!“. Hapi sytë e nisi të spjegohej: „ Ju lutem, unë vuaja që nuk duartrokisja dot si shokët për pushtetin, dhe kujtova kohën kur isha i ri e i kisha të dyja duart“! „Pse të mos duartrokisje“? „Po ngaqë nuk e kam njerën pëllëmbë, ma preu bomba e Duçes! Si të duartrokas, apo me dorën e saktë t’i bie kokës me grusht“!?
Punonjësit e Degës panë njeri tjetrin: „Përsëri tallje për pushtetin - populli t’i bjerë kokës me grusht! Agjitacion e Propagandë, neni 55!“ Nxorën hekurat e nisën ta lidhnin, por ai kish vetëm njerën dorë! Panë përsëri njeri tjetrin: „ rregullorja nuk ka parashikuar, si do lidhen ata që s’e kanë një dorë?!“ Ia lidhën për mënge të palltos dhe me një litar... e e përcollën dy vjet në burg. Tani punon këtu, dhe nuk e hap gojën me asnjeri!..-
I kërkova të ndërroja kazmën dhe e shihja me vëmëndje në sy. Më nguli po ashtu sytë në heshtje, e me cungun e dorës së prerë më tregoi kazmën më të mirë që e ruante poshtë të tjerave. Lashë të vjetrën, hodha të renë në sup e i buzëqesha lehtë duke ikur. Nuk m’u përgjegj. Më ndiqte me sy, i sigurt se do ta ktheja kokën prapë. Pas ca hapash ktheva kokën pas - më buzëqeshi aq sa nuk kuptohej.
U dëgjua larg një zhurmë e gëzueshme. Qenë shkollarët. Ecnin e silleshin rreth njeri tjetrit. Kazmat në sup i tregonin me më tepër humor.
-Kujdes!- përsëriti brigadieri - jeni para nxënësve!- Lopatën e këmbeva me kazmën. Një nxënëse po më shihte nga larg. U nis drejt meje e u takuam të përzemërt. Ishte mbesa ime.
-Vëllai i mamit! - i tha shoqes për mua.
-Ai që kishim në Antologji!..- tha me gjysëm zëri shoqja. Mbesa nuk foli. Po më shihnin rrobat tërë pluhur.
-Lodhesh? - pyti ajo.
-Jo! -
-Pse nuk na ke dalë? - Nuk fola...
Dëgjuan zërin e mësuesit. Më la gazetën ku kish mbështjellë drekën. I fola, por u largua menjëherë. Një grup nxënësish po e pyesnin me sy nga unë. Ngrita karrocën e u nisa ta shkarkoja. “Kafe Flora-burra plot”- këndoi një zë nga larg. E dëgjoja duke shtyrë karrocën. Rrota u fut në një pellg balte e u përmbys. Togu i dheut ra përdhe. U dëgjua “Kënga e Nënës”. “Ai që e këndon është në burg” foli njeri. “Ai që e krijoi - është jashtë!” plotsoi tjetri dhe qeshën në botën e tyre. Brigadieri më pa togun e derdhur:
-Kështu i edukojmë ne shkollat!? Ti ke ardhur...- thirri me qortim pa e mbaruar fjalën. Mblidhja dheun me duar dhe e futja në karrocë. Ajo po rimbushej.
(Do vinë që nga Algjeria 3 milionë dollarë hekur në ditë, do shkarkohen këtu!- më kish thënë miku i ngushtë. “Po a do t’i fitojmë ne këtu 3 ml. d. në ditë!? - fola unë. Këtë pyetje mos e bën më! - foli ai. Rëndësi ka që po bëhet Çlirimi i Dytë)!
Punëtorët hapur nëpër fushë ngjanin si egjiptasit e lashtë rrotull Piramidës në ngritje. Punonin në heshtje buzë Shkumbinit si buzë Nilit, e zërin dhe veglat e tyre i kishin lënë në lashtësi! Brigadieri i Metalurgjisë u kish dhënë vegla të tjera dhe urdhëra të tjera. Me metale të huaja moderne po ndërtohej një fantazëm e lashtë për t’i dhënë emrin “Faraon” Udhëheqësit 50 km larg. Po “çlironte” një vënd duke bërë skllevër njerëzit e tij!
Lashë karrocën e mora lopatën. Në sup më kish kapur një dorë. Qe Ramadani nga Dibra. I kishin thirrur dhe ata në fushatë.
-Të dallova tek t’u derdh karroca - tha i biri. - Ne e mbaruam me kohë punën tonë. - Ramadani më rrëmbeu lopatën nga dora dhe ia nguli dheut. Ai u ça menjëherë si të qe bukë e ngrohtë prerë nga thika. I biri mori karrocën.
-Mos na pengoni! - kundërshtova unë, ne kemi detyrë...-
-Ti mos na pengo, i di vetë ato detyra; çlodhuni pak! - foli i ati dhe ngrinte kazmën mbi shpatullat e forta, e ngulte si urdhër brënda tokës. - Gjer ku e keni ju!? - Shoku im tregoi kufirin. Po vinte brigadieri.
-Ç’po bëni? - pyeti nervoz.
-Punë!- foli Ramadani pa ngritur kokën.
-Ty kush të ka ftuar këtu!? -
- Po ti, ç’do këtu? Kam pesë vjet në ndërtim e s’të kam parë gjëkund! -
-Këtu më ka dërguar Partia! -
-Pse, mua më ka dërguar Serbia?! - Shoku im ktheu krahët që të fshihte të qeshurën. Brigadieri qe skuqur i tëri.
-Këta duhet të japin shëmbull si klasë puntore...- shtoi ai.
-Po ndihma njeri tjetrit, nuk është shëmbull nga klasë puntore?! - foli Ramadani. Dhëmbët e rënë që qeshën në drejtim të tij brigadierin e zemëruan më shumë. - Më trego pak duart! - shtoi këmbëngulës dibrani. Ai i tërhoqi pas. -E sheh, ke frikë të tregosh duart e tua, dhe jep urdhëra! Karroca nuk mbushet me gjuhë, mbushet me lopatë...-
Mbushi karrocën dhe u nis ta shkarkonte...Brigadieri u largua duke folur diçka me vete...

Ndërmarja u zgjerua e u bashkuan tok dy organizata partie. Nëndrejtori më tha se sekretar i të dyjave vjen një mekanik i aftë e njeri i mirë, nga kosovarët në Kavajë. U gëzova që ishte kosovar dhe në vetvete e thirrja „Kosovari“.
Ulur në mencë karshi, e vështroja me vëmëndje, e po ashtu më vështronte. I bëshëm, me fytyrë të purpurt të ëmbël e i ngadaltë në lëvizje! Më përshëndeti kur u ndodhëm afër, e po ashtu e përshëndeta. Ndjeva se kishte dëshirën për të më njohur.
Isha vetëm në kafen e mëngjezit e u ul tek unë. E prita me mirësi. Më shihte me vëmëndje, pastaj ulte kokën, të mendonte bisedën në vazhdim. Kur kënaqej, qeshte me zemër babaxhani e fytyra i ndriste nga shpirti i mirë.
-Të kam lexuar ato që ke botuar për Kosovën; - foli më tej - jo vetëm unë po tërë kosovarët në Kavajë. «Është njeri i mirë» thanë të gjithë «gjersa shkroi për ne në kohë të keqe, kur rrallë kishim parë për Kosovën»! Heshti e priti mendimin tim. Po ndjehesha i gëzuar e me fat.
-Të faleninderit! - fola pastaj.
-Ne të falënderojmë ty - shtoi ai. - Për ty unë nisem këndej; të tjerat, më saktë i gjykon Partia. - Më vështroi në sy për të më kuptuar përshtypjen nga ajo që foli.
Gjithënjë e më shumë po rrinim afër njeri tjetrit, e kërkonim shoku shokun. Vinte në dhomën time e pinim kafe me dy filxhanë të cilëve u kisha thyer bishtin tek i laja. Hipja në motorin e tij duke iu mbajtur pas krahëve; pastaj ma mësoi motorin duke u mbajtur ai tek unë. E përplasa disa herë në hendek me gjithë veten, e pasi kalonte tronditja, ia shkrepte të qeshurit i shtrirë! Në biseda kish një theks të çuditshëm filozofie popullore sikur kish njohur gjithëçka të botës. E lija të fliste, si një zë të çiltër që rrallë e dëgjoja gjetkë:
„E keqja e juve me shkollë, më thoshte, është se shihni larg e s’dini të shihni te maja e hundës! Njerëzit e pësojnë më shumë nga mizat se nga skifterët...Në qarkun elektrik po bëre lidhje të shkurtëra, bën masë e telat këputen. Edhe ju, bëni shpesh lidhje të shkurtëra, miqësi me njerëz dritëshkurtër, dhe bëni masë - digjeni!..“. Më shihte në sy nëse isha në një mendim, pastaj vazhdonte:
„Ka ngjarje, kur të drejtën duhet të dish kur ta kërkosh, jo me zor e kokëfortë! Si puna e makinës: kur rrotat dridhen në baltë e mbeten në vënd, nuk duhet të shtosh me forcë gazin e motorit, se e thellon më tepër gropën e ngec më keq! Zbrit nga makina, vuri ca gurë (të njohur) nën rrota, pastaj kalo mbi to! Jeta ka shumë baltë e nuk ia del dot i vetëm“! Qeshte çiltër me vete e fytyra i përskuqej më hijshëm.
„Po kur s’ke gurë - njerëz të mirë - të të ndihmojnë?“ pyesja unë.
„Njerëzit e mirë nuk mungojnë, por duhet të dish ku të trokasësh. Një fshatar i çrregullt fqinjit i kërkoi për një ditë litarin e mushkës. Ai iu përgjegj se e kish të zënë, po ndërte misër mbi të për ta tharë!..Ku ndëret misri mbi litar!? foli i pakënaqur fshatari. Po ç’të të them kur s’dua të ta jap?! ia priti fqinji“.
„Shpesh e pëson kot, për hiç gjë“ fola unë.
„Që mos të të gjejë gjë, i duhet ruajtur dhe asaj „hiçgjëje“! Një njeriu seç i vajti në kokë, e pelës ia hipi nga bishti, pas! E panë, e u hap fjala se pelës i bëri „punën“ e keqe! Ai betohej, se vetëm ia kish hipur andej!..Miku e qetësoi duke e qortuar: mirë, s’kishe mëndje të ligë, po ç’deshe që ia hipe nga bishti, ndryshe nga bota!?!..“
Më shihte përzemërsisht në sy duke dashur që të qeshja bashkë me të.

Në fushatën e mbjelljes së misrit Kombinati do ndihmonte kooperativën më të afërt.
U nisëm herët me dy makina të hapura. Njerëzit rrinin më këmbë duke u mbajtur te njeri tjetri. Në krye qe flamuri i kuq. Punëtorët këndonin e thërrisnin si të qenë krushq; u bërtisnin kot kalimtarëve poshtë në rrugë si t’i kujtonin - po ju, ç’bëni! - Një fshatar punonte copën e arës pranë shtëpisë e po ngiste kaun me hosten. Puntori në ballë të makinës ia zgjati gjer poshtë parullën që mbante në dorë „Bujqësia-çështje e të gjithëve“ si t’i thoshte - lexoje! Fshatari hapi sytë e u kthye prapë me hosten nga kau që nga frika e parullës i kish dalë nga brazda! Shoferi në qejf të tij po ecte më shpejt.
Te gropat e udhës klasa puntore e nisur drejt fshatarësisë po hidhej përpjetë e njerëzit pa shëndet mezi mbanin të vjellët. Në kthesa binin mbi njeri tjetrin. Një vajzë binte mbi djalin i cili e kish zgjedhur që në nisje vëndin afër saj; ai i kërkonte të falur, pastaj priste kthesën e kundërt kur ajo do të përkulej mbi të! Dikush nisi këngën „Në njerën dorë kazmën...“
-Më kujtohet kënga dikur në aksionet e para pas çlirimit - „me hapa vigane ecën moj rini...“! 30 vjet! Popull i fortë! - foli nëndrejtor Hakani që s’di pse më donte shumë.
-Puna vullnetare vazhdon - fola unë, - edhe pse ajo fjala „vigane“ sikur ka rënë nga kënga! -
-Megjithatë vazhdon - shtoi tjetri. - Këto aksione zgjaten nga rrethimi, jemi të detyruar! -
Makina u ndal në anë të arës buzë Shkumbinit. Një agronom na drejtoi te një fushë mbushur me “kubikë” misri. Qenë katrorë të vegjël në formë bakllavaje me baltë. Sipër kishin një fletëz të gjelbër misri të sapombirë.
-Çdo kubik ka një farë misri, pra një kalli - spjegoi agronomi. - Fillimin e mbirjes në vënd që ta bënte ara, e ka bërë njeriu, dmth ne. Ju do t’i mirrni me kujdes e do t’i vini në arë ngjitur me njera tjetrën si thelat në tepsi. Ara i merr në dorëzim e i rrit vetë më tej! Si fëmijët, lindin në maternitet pastaj çohen në shtëpi. Është shkolla moderne...-
-Mos kjo është e leverdishme për Kinën - foli njëri pas - se ata kanë krahë pune sa s’dinë ku t’i çojnë, dhe i shpërndajnë te çdo koqe misri! - U dëgjuan të qeshura. Shefi rudhi ballin në drejtim të të gjithëve.
Filluam punën. Futnim gishtat t’i nxirnim kubikët një nga një, i vinim në tezgë dhe i çonim tek ara për t’u mbjellë.
-Jemi dhe në garë! - fliste herë pas here shefi i kuadrit dhe tregonte ca flamurka të kuq me bisht dërrase ngulur në tokë. Kalonin orët dhe kubikët nuk mbaronin, si të qenë kinezë. Kisha mbetur në të pasmit. Ca më shtrëmbëroheshin kur i ngrija, ca më thërmoheshin kur i vija!
-Më duket se saboton! - më bëri humor te veshi Seiti dhe zuri të më ndihmonte.
Mbaruam punë e po ktheheshim. Makina fluturonte më gëzueshëm. Fshatari në udhë e kish mbaruar arën e vet e po rregullonte një mullar. Kau i tij përtypte qetësisht kashtë me vithe drejt puntorëve.
Zbritëm në ndërmarje, dorëzuam veglat. Disa zëra po hapnin lajmin se në darkë do të ketë mbrëmje vallzimi për nder të një plenumi në rreth, e se një shishe birre ishte falas!
U shtriva në krevat i përgjumur. Hyn Kosovari e më flet që të ngrihesha se jemi vonë. Nuk vij, i thashë. Nguli këmbë, se po na presin damat!..”I kam harruar të gjitha”, dhe po i tregoja çizmet e rënda gjithë baltë! Unë s’di fare, shtoi ai, po eja se do të ta keqkuptojnë!
Më afroi çizmet. I vesha e dolëm.
Para restorantit njerëzit kishin pamjen e lumtur të vallzimit. Gratë buzëqeshnin të kënaqura me bisedat e burrave ndërsa bishtit të syrit të tyre s’i shpëtonte asnjë që hynte brënda. Autoritetet po dilnin nga veturat dhe ecnin me buzëqeshje të zgjatur në fytyrë, që e shkarkonin të njëllojtë nga një punonjës te tjetri.
Kosovari zuri një tavolinë në anë e u ulëm. Salla gumëzhinte tejpërtej zhurmë bisedash, karrikesh, trokitje takash, përplasje shishesh e pjatash, sinjale orkestre. Femra të shqetësuara për vëndin e keq ku i kishin ulur...Burrat po ledhatonin me humor shishet. Orkestra njoftoi çeljen. Ajri kish nisur të djersinte.
Sekretari i Komitetit dhe kryetari i kooperativës u çuan më këmbë. Secili mbajti fjalën e vet të shkurtër. U ngrit shëndeti i parë kolektiv me kryqëzime urimesh nga çdo anë, pastaj nisi vallja popullore. Njerëzit po e zgjatnin vallen duke iu futur në mes, mundësisht te dora e shefave apo e të bukurave!
Filloi vallzimi. Po ngriheshin drejt njeri tjetrit, apo i bënin shenjë nga larg asaj që i kishin vënë syrin; në ngritje, e përkëdhelura e ftuar bënte ca naze duke lëvizur pak mesin si fat për atë që e kish zgjedhur...Dredhje të holla fustanesh e rrotullime të shkathëta takash, buzëqeshje të lumtura, aroma parfumesh që pas çdo rrotullimi iknin nga e zonja e shkonin tek të tjerët...
-E di që është më qejf të shikosh se të kërcesh, se kur kërcen je vetëm me një, kështu i sheh të gjitha!..- foli Kosovari duke luftuar kokulur me biftekun e tij në pjatë.
Vallzimi po hynte në orën e dehjes, kur tjetri nuk pyet më nëse i vërente dikush lëvizjet e tij. Disa gra, pas pritjes së kotë që t’i ftonin, po kërcenin me shoqja shoqen.
Nga tavolina përballë po më bënin shenjë vajzat e ndërmarjes. Ua ktheja shenjën - jo! Njera bëri lëvizjen për të ardhur. Unë bëra sikur do dilja jashtë! Kamarjerja na solli dy shishe verë dhe na tregoi djalin karshi që na i dhuronte. Qe mjeku i qytetit, bir i sekretarit të parë, dashamirës letërsie. E përgëzova duke ngritur gotën.
-Shumë e ngatëruar bota! - foli Kosovari si Saadiu, duke mbushur i gëzuar gotën tjetër; - e thotë dhe dialektika! - e me pirun po studjonte gjëndjen e mezes që i kish mbetur.
I riu që na qerasi po afrohej drejt nesh me gotë në dorë:
-Erdha për një urim, sadoqë dikush mund të shohë me habi! Vlera e poetit nuk ndryshon; me të tjerat le të merren të tjerët! Gjatë udhës dhe kali i mirë përgjunj këmbën një çast, por fajin e ka dhe gropa! Megjithatë kuajt e mirë si i Moisi Golemit tonë shikojnë përtej këmbës së tyre! - Buzëqeshi, uroi dhe u largua. Mbeta me një gëzim të veçantë në shpirt.
Më këmbë po priste një vajzë. I thashë se nuk vallzoj, dhe i tregova çizmet.
-Për ato çizme po vij! - foli ajo këmbëngulëse. Kosovari më vuri dorën të çohesha. U ngrita. Sytë qenë drejtuar nga ne. Bëja kujdes të mos largohesha shumë nga tavolina jonë mënjanë. Ndjehesha më i qetë aty, si me notin në anë të detit kur ka dallgë. Drejtori e nëndrejtori po më vështronin. Syri i të parit sikur më fundoste, i të dytit - më ngrinte lart. Çizmet më rëndonin e mezi i tërhiqja.
-Ndjeheni i shqetësuar! - foli ajo
-Jo, - u përgjegja unë - por shpesh njeriu...-
-Unë i di të gjitha, ndaj dhe erdha...Mbaheni mënd më gjatë me këto çizme se me çdo kostum...-
-Unë s’ju njoh! -
-Kjo ka më shumë vlerë...Njeriun tim e kam ekonomist në Drejtorinë e Përgjithëshme, keni qënë shok bange në gjimnaz. Na ka folur shumë për ty...-
-Kohë të largëta! -
Ajo vallzonte shumë bukur. Më bëhej se me të ikja pas një ere pa drejtim hapsire. I veja pas duke u rrotulluar si në rini, pastaj ngulesha prapë te çizmet, e doja që të ecnim ngadalë. Po shihja bluzën e saj me ngjyrime ekzotike: një palmë xhungle, një kokë tigri ngjyrë tjegulle me gojën hapur kërcënueshëm. Katër dhëmbë të mprehtë, dy lart dy poshtë. Me të në kraharor, vajza në vallzim aty afrohej, aty largohej duke tërhequr pas saj dhe tigrin.
-Një shoqja ime qe në gjimnaz me ju; e kish marrë motra mësuese kimie.-
-Më kujtohet. Qe mësuese si Shën Mëria. Kur sillej mes qelqeve të bardha të laboratorit ne nxënësit i thirnim «mjellma e Elbasanit». Me motrën e saj të vogël kam vallzuar. Ishim të rinj, na pëlqente shumë «Danubi Blu» i Shtrausit. Fustanet e kaltëra të vajzave në rrotullim ngjasonin valët e Danubit. Ne ecnim të hutuar pas tyre e ca mbyteshin duke u nxituar, ca shpëtonin e delnin prapë…- Vajza qeshi me zemër.
-Ti, je mbytur ndonjëherë? -
-Nuk mbaj mënd, por mbytesh tek s’e pret ! - Heshti pak pastaj ndëroi bisedë:
-Po shikon tigrin tim në bluzë!? - Buzëqesha lehtë. - Është pëlhurë - shtoi ajo.
- Është dhe një film - “Zbutësja e tigrave”; ju, jeni e tillë?! -
-Sigurisht! - tha pa mëdyshje dhe nisi një rotullim të hijshëm, të lehtë. Bluza mori dridhje duke u afruar nga unë. Tigri qe zgjuar dhe kreshpëroi qafën me dhëmbët drejt meje...Drejtori karshi diç i thoshte në vesh antarit të Komitetit; ai më ndiqte lehtë me sy...U largova më shumë nga vajza. Tigri më vështroi dhe njëherë, tërhoqi më pas nga vetja oazin e bluzës, dhe u ul prapë të dremiste nën palmën e qetësuar…
Çizmet më qenë rënduar më shumë e më këshilluan të ulesha në karrike.


Do të bëhej Festivali i estradave në Metalurgji. Më thërresin e ma ngarkojnë detyrë.
-Do jetë mirë edhe për ne, edhe për ty! Edhe sikur të dalim nga fundi - më tha drejtori. - Dimë se ke përvojë që kur ke qënë mësues! Provat do bëhen në gjysmën e 8 orëshit. Nga ne do kesh çdo ndihmë! -
-Kush do të jetë regjizor? -
-Ky që kemi këtu. - Regjizori Dollia më buzëqeshi në krah të drejtorit. Ndjeva ngrohtësi. Ai qe i pari që posa shkela më mori për darkë pa u druajtur, dhe kaq më mjaftonte.
-Ti je artist në shpirt - foli ai i çiltër. E mban mënd natën e parë? - dhe po ia tregonte drejtorit: «Hyri i hutuar në shtëpinë time si të hynte në një ëndër! Gruaja shtroi rakinë. Ky rrinte në karrike si zog i trëmbur. Buzëqeshte me mëndje diku...dëgjonte pa na dëgjuar plotësisht…hante bukë si për të pirë ilaçin…Në sy kish vazhdimisht një mall të trëmbur. Radioja dha këngën «Ç’u dëshiruesh me të pa ty!» E dëgjonte me vëmëndje të hutuar. «Sa e bukur»! foli me vete nën zë…Ajo mbaroi. «Mos e ndërpre»! - më foli lehtë. «Po është radio, nuk është manjetofon» ia ktheva duke qeshur. «Më falni» - foli në turp. «Ti kush e di ç’bën kur këndon polifonia»! - shtova më pas dhe mbusha gotat. «Ç’u dëshiruesh me të pa ty…» - qe java e parë që qe larguar nga shtëpia»! -
-Pas kësaj estrade, i mbaron dhe afati e do kthehet! - foli Faja, një njeri tepër i çiltër si shpirt njeriu; në magazinën e tij do vazhdonim provat.
-Ndonjë talent besoj do ta punësoni këtu! - foli regjizori. Drejtori nuk kundërshtoi.
Nisëm bisedat e punës. Ndjeja dhe kënaqësi dhe ndrojtje. Ku ta gjeja humorin!? Ai kish mbetur larg. Në shpirt më zotëronte ankthi! Kujtoja estradat e dikurshme, skicoja ato që kisha shkruar dikur për t’ia përshtatur ndërmarjes.
Te Magazina e madhe në qendër qenë shkarkuar tullat kineze veshur kashtë. Ishim 12 puntorë e na dhanë drapërin t’i çveshnim. Kishin ardhur për estradën dhe dy vajza të reja disi zeshkane e të hijëshme, Eseri dhe Donika, njera këngëtare, tjetra valltare. Pakua e tullave qe e rëndë për to, por ato e bënin punën me humor. Tullës që s’i pritej kashta i këputnin një sharje të lehtë dhe e flaknin tutje për të marrë tjetrën.
Befas këngëtarja e flakte drapërin e çohej më këmbë; fshinte trupin e bukur duke tallur tullat, hipte në majë të tyre te dera e ia niste këngës: „M’ka shkue mëndja me u fejue/ e me marrë një ulqinak...“ Zërin e ngrinte lart, thua ta dëgjonte dhe ulqinaku larg të cilit ajo i drejtohej nga maja e tullave kineze në Elbasan.
Pas saj dilte menjëherë valltarja duke ia shoqëruar këngën me lëvizje të trupit. Një pjesë e programit kish nisur brënda magazinës. Befas këngëtarja ndërpriste këngën e i drejtohej shoqes: „këta janë budallenj...ca kaqolë në Tiranë i ndryshojnë këngët sipas qejfit!..Ajo është ...’për me marrë një ulqinak“, këta e kthejnë „me marrë një djalë beqar“, gjasme beqarët janë më të mirë! Ata i ngjajnë kumrisë - rrinë në degën tënde e sytë i kanë te pema tjetër! Një ulqinak i martuar mund të jetë një qind herë më i mirë se një beqar kaqol këtu!“. Shoqja i pëgjigjej duke dredhur më shumë trupin në vallen e saj. Punëtorët ulnin drapërin në prehër dhe e shoqëronin duke përpjekur duart.
„E kam megjithë mënd“ vazhdonte këngëtarja: Tefta Tashko këndon: ‚Kur më vjen burri nga kisha/ fërr-fër-fërr ma bën këmisha“; kaqolët e kthejnë: ‚kur më vjen burri nga fusha’..! Mirëpo ‚fusha’ nuk vete me ‚këmisha’! Nuk dinë as t’i zgjedhin atë që i shkon, bie fjala: kur më vjen burri nga fusha/ fërr-fërr ma bën...“ u mendua pak pastaj tha -‚harusha’. Heshti një çast, u kujtua ç’kish thënë dhe ia shkrepi të qeshurës! Valltarja aq deshi:
‚Si e the, përsërite më qafsh!“...dhe i shkeli buzën me ëmbëlsi. „Budallaqe, sa mirë e gjete“! Mori shaminë në dorë, e përdrodhi mbi krye, e bëri trupin hark gati t’i thyhej, pastaj nisi vallen më e rrëmbyer se kurrë. Fytyra iu përskuq e djersitur. Nga qaforja e bluzës i dilte avulli i trupit që e shpërndante andej nga kalonte. Puntorët i përpiqnin më gëzueshëm duart. Fustani i dridhej nga valët e trupit të ngjeshur si një qënie e gjallë që e kishin mbyllur me zor brënda - dil, „harushë“! Ajo dridhej në vallen e vet që njerëzit të paktën ta dinin vlerën e trupit të saj e mos ta këputnin me tullat!
Nisëm bisedën bashkë për estradën. Pullovra asaj i qe qetësuar. Pantallonat i rrinin të shtruara. Gjakrat qenë vakur, „kryengritja“ e trupit kish mbaruar. Tullat kineze prisnin me sy nga ato. „Ulqinaku“ po lundronte diku larg nëpër dete..!
-Vërtet, foli këngëtarja qetësisht, pse s’bëjnë një këngë të re me kostumin e saj, po këngëve të para u presin kostumin e vet, i shëmtojnë! Po dhe këngëtarët, më duket, janë një koqe servili...Ti bëre një këngë të lirë çunash - „Rruga e Dibrës“, e ajo të dha udhën e Elbasanit! Unë me motrën e kënduam me qejf..“
-Dhe e kishit gabim! Kënga qe e gabuar! - fola unë. Këngëtarja më pa në sy:
-Ama, dhe ju të polifonisë andej nga Jugu që hiqeni trima, jeni një koqe servili!..Kënga e luleve, aq e bukur - „të parën kemi kaçenë/, të dytën manushaqenë“ ju e keni ndëruar për udhëheqësit. Ne i duam ata dhe do t’u këndojmë, po le t’u bëjmë këngë të reja të bukura! Se po u qepëm këngët e para, ahere nesër do vinë udhëheqës të tjerë, dhe lulet do detyrohen të shpallin, bie fjala - „të parin kemi Hafizin, tër dytin kemi Reizin..! Më fal se dhe gaboj. Psh më bëj një tekst të bukur për Partinë, e të shikosh si do ta këndoj!..“
Në magazinën e Fajes u ulëm me regjizorin e po përzgjidhnim materiale. Ai na solli një shishe konjak dhe kafe. Fizarmonika nisi ëmbël meloditë popullore si të ledhatonte ata që qenë mbledhur. Nëpër sallë të rinjtë këndonin dy nga dy a më vete. Mënjanë rrinte një vajzë e ndrojtur me flokë të verdhë si fije dielli.
-Nga jeni? -
-Nga Jugu!- foli si me dy mëndje.
-Nga cili vënd? - Ajo s’m’u përgjegj.
-Nga Çamëria - plotsoi dikush, - çamët dikush i shan, dhe kësaj i vjen turp! -
- Çamëria është vëndi i Perëndive, me gjuhën e zogjve - iu drejtova asaj - a ke lexuar të diturit se ç’thonë për të? Duhet të mburresh!..- Ajo uli kokën pa e fshehur kënaqësinë. Sytë i jepnin dritë më të bukur.
Valltarja mori parodinë për guzhineren Xhemile të cilën e kish zënë halli me shefat! Po i këndonte vargjet duke dredhur trupin sipas një melodie të ngrohtë popullore dhe qeshte me vete: «moj Xhemile kaçurela/, pse i ruan ato thela?!..Kam ca shefa, ca zyrtarë/ që më qasen si manarë…»! Salla e provave mbushej me njerëz. Disa i mernin nga menca pjatat në duar e vinin aty. Drejtori qeshte fort. Shefi i kuadrit e mbante gëzimin te cepi i buzëve. Kosovari e nëndrejtori fërkonin duart të kënaqur. Faja më pëshpëriste i gëzuar në vesh - pas kësaj, ike në shtëpi!..
Te dera u duk njeriu - “enigmë”. Vështroi pak e foli me vete -“bukur”, pastaj u largua i nxituar si ta kërkonin gjetkë.
...Regjisorit i kisha dhënë një parodi kundër premtimeve me fushata. E pëlqeu dhe nisi provën. Kaluan dy punonjës komiteti, ia dëgjuan. Mësuan kush e kish shkruar dhe i thanë ta çdukte shpejt!
-Ç’më bëre! - foli të nesërmen regjisori sa më takoi.
-Po ti ma pëlqeve! -
-Gomar ti, hajvan unë! - dhe nxori letrën e lexoi: “Komitete, organizata/ po mashtrojnë me fushata...” Antiparti, na more në qafë. Çduke e bëj tjetër, gazmore! - Dhe bëri një rrotullim teatral rreth vetes si të çkëputej plotësisht nga parodia e mëparme. Pa humbur kohë, unë mendova aty për aty zëvëndësimin: “Kjo Metalurgjia, dasma jonë e madhe/, ndërmarjet me radhë dorëpërdorë në valle”..! Sa ndërmarje janë, që t’i lidh saktë në valle!? - pyeta shokun.
-Futja dy më shumë, të jesh brënda, 17! - Tani - po! Të keqen vëllai, kam fëmijë e s’dua “ç’u dëshrush me të pa ty” larg tyre! -

Qe pushim dreke. Në tavolinën pranë qenë ulur një grup i gjerë ingjinerë e zyrtarë. Mes tyre qe një suedez i ri ardhur për shkëmbim mendimesh apo marrëveshje me Kombinatin. E pyesnin e dikush përkthente.
Ai fliste shkurt. Mendimet i shoqëronte me një qeshje të kursyer. Kur e përkthenin ai shihte nga njerëzit me kureshtje e mirësjellje. Flokët e hollë lënë lirshëm kishin një shkëlqim të ëmbël çeliku. Nganjëherë ngjante si viking i largët, krejt i ndryshëm nga njerëzit rrotull.
“...Nuk më takon mua të gjykoj Kombinatin tuaj, por bota sot ka shumë...Sot çdo gjë vlerësohet nga bilanci...fitimi! Ne në Suedi, bie fjala, mund t’ua jepnim...”
-Parimi ynë është politika në plan të parë - spjegoi dikush.
-Puna juaj - tha i huaji - por bilanci, bilanci!..Ju dërgoni studentë për ingjinerë metali në Çeki...etj., ata të tyre i dërgojnë në Suedi...Dërgoni për mjekë në Bullgari, ata të tyret i dërgojnë në Gjermani. Natyrshëm, çdo shtet ka politikën e vet! -
-Përshtypja juaj nga Metalurgjia!? E duam të çiltër! - pyeti tjetri dhe zgjati kokën drejt tij si për ta dëgjuar më mirë. Ai nënqeshi lehtë me vete:
- Shumë njerëz këtu, në s’gaboj, ecin si të hutuar si të qenë mirazhe filmash pa zë dhe s’e kuptoj, e kanë nga ndonjë hall apo sëmundje! Kurse tek të rinjtë, çuditshëm si askund, shoh uri seksuale në sy, që ne suedezët e ftohtë do t’ua kishim zili! -
-Ndoshta, këtu duhej të këmbenim diçka! - foli njëri me humor. Ai kërkoi t’ia përkthenin saktë, dhe qeshi tepër gëzueshëm...

Në mbrëmje te tavolina po më afrohej një e re, veshur në blu-xhins. Fytyrën e kish të çiltër, ecjen të ndrojtur. Sytë i kish të ngrohtë. Flokët i mbante të lidhura pas me një kordele blu. Në dorë mbante një fletore.
-Mirëmbrëma! -
-Mirëmbrëma! -
-Jam një vinçiere, më pëlqen dhe poezia...Mund të ulem? -
-Me kënaqësi! - U ul. Ndrojtja e bënte më të këndëshme.
-Më të shumtën ju shoh vetëm...Ndoshta, vetmia e poetëve..! - Nuk gjeta ç’t’i përgjigjesha, e ajo shtoi - vetmia e shkrimtarit është një hapsirë që të zgjon kureshtjen, t’i hysh brënda...Aq më tepër kur dhe shkruan vetë sadopak! -
-Qënkeni me kulturë, por unë nuk e sajoj vetë këtë vetmi. Ajo vjen vetë! -
-Ndoshta kështu vij dhe unë. - I pashë fletoren:
-Vjershat tuaja janë ato? - Ajo m’i zgjati.
-Thonë, se i ndihmoni të rinjtë! -
-Laj detyrimin e atyre që më kanë ndihmuar kur isha i ri.- Po ndiqte me sy leximin tim.
-Kam katranosur gjë? -
-Ka gjëra të mira, por thërmia floriri nëpër rërë. Duhen ndarë! -
-Është e vërtetë, që për të pasur poezi të mirë duhet të kesh jetë të pasur? -
-E vërtetë! - Ajo heshti pak.
-Si mund të bëhet jeta e pasur? -
-Ajo pasurohet vetë, pa u ndjerë. I ngjan bimës, i bën lulet pa e kuptuar. -
-Njeriu ka dëshirë t’ju dëgjojë! Për poezitë, ç’mund të më thoni? -
-Keni poezi, por duhen lexuar të tëra. Kryesore, shpirtin e keni me poezi. -
Kamarierja thirri se menca do mbyllej. Tavolina në skaj lëvizi dhe dy të fundit dolën.
-Si do bëhet? - foli ajo.
-I lexoj herë tjetër, ose m’i lerni me vete ! - Dolëm jashtë. Nata qe e errët. I zgjata fletoren; ajo s’po e merrte.
-Mund ta lexojmë në dhomën tuaj? - Heshta i befasuar.
-Është vonë! -
-Ke gjumë? -
-Është vonë! - përsërita pa gjetur fjalë tjetër. Më pa në sy.
-Ke frikë nga shteti, apo nga femrat? - dhe nënqeshi.
-S’e kam menduar këtë. -
-Po tani, që ta kujtoj unë ? -
-S’kam frikë nga asnjëra anë, e po ashtu duhet trëmbur nga të dyja…Jeni e mënçur si poete dhe si vajzë, kështu që, natën e mirë! Këtu jemi! - I dhashë dorën; ajo më përcolli me sy sa hyra brënda. Mbylla lehtë çelsin e u shtriva në krevat. Kisha hequr vetëm çizmet. Shihja katrorin e errësirës në dritare. Pastaj llampën e dritës varur mbi krye.
Pas dritares u ndje një lëvizje...pastaj u duk maja e një koke. Shkova të shihja: një burrë kacavirej majë shkallës të shihte brënda dhomës.
-Ç’kërkon këtu ti? - Ai u step e s’po lëvizte.
-Janë këputur telat e korentit, po rregulloj furnizimin e Furnaltës..! -
-Nën dritaren time do ta rregullosh ti Furnaltën? Largohu se të përmbysa shkallën! - Ai shpejtoi e zbriti. Shoku e priste në terr...
Bie dera. “Jam Kosovari, hape”! Shoku im hyri tërë gëzim e fërkonte duart:
-Edhe një dëshmi tjetër - je i fortë e i ndershëm, të paktën për shtetin! Kur s’u dorëzove me atë të bukur..! Të lumtë!..Nesër drekën e ke nga unë. Më mirë, sonte eja të vemi me motor tek unë. E meriton!..-
-Ti i kurdis këto!? -
-Unë s’kurdis, unë regjistroj! Çohu, do festuar!..-

Më njoftuan se xhaxhai, më i madhi i katër vëllezërve, kish vdekur. Ishte sëmurë, por s’e mendoja se do të ikte shpejt. Për udhën e papritur më ndihmoi një koleg, Andoni nga Bregu, ardhur për një praktikë në ndërmarjen tonë. Qe njeri i kulturuar, i përzemërt e i zakonit; qe martuar me një ish nxënësen time të mirë.
Na erdhi pas dhe Kosovari.
Xhaxhai qe shtrirë në krevat pa jetë. I shenjtë në jetë dhe në vdekje. Njerëzit hynin e dilnin; ai rrinte i heshtur, thua i dëgjonte të gjitha ç’bisedonin po nuk ndërpriste asnjerin...Kur im atë me të tjerë bënin bisedë, xhaxhai i madh i dëgjonte, e herë herë ndërhynte për të saktësuar ndonjë shtesë. Im atë nxehej disi dhe e kundërshtonte për “zakon të keq”, që nuk pranonte zbukurimet!..Xhaxhai qeshte si babaxhan teqeje, dhe herë herë lagte nga pakëz buzën me majën e gjuhës në zakon të tij.
E përfytyrova ditët e fundit kur mezi i duronte dhimbjet e mëdha e i mbushej fytyra djersë. Më ngjanin si vuajtjet e një shenjti të heshtur. Kthente lehtë sytë nga njerëzit si t’u kërkonte ndihmë, pastaj e mbante vështrimin tek unë duke më treguar dashurinë e fundit brënda dhimbjes në ikje. “Të fala atij djalit nga Kosova...”!
Qe sa zakonor aq dhe me shpirt atdhetar, por të heshtur. Bëmat i tregonte me vështirësi, pa asnjë shtesë. Fliste për gjyshin e tij, Mahmut Shehu nga Kolonja që kish qënë me Abdyl Frashërin në Lidhjen e Prizrenit; për të atin e vet, Abaz Shehun që në konakun e tij hapi klubin e parë “Arbëria” në Kurvelesh, dhe vdiq nën ullinjtë e Vlorës, përzënë nga bandat greke. Vetë qe me Selam Musanë në Luftën e Vlorës e rrëfente dhe imtësi të rëndomta nga luftëtarët me ngarkesa mushkash në kthim, sa më zbehnin përfytyrimet e madhështisë së përgjithëshme të epopesë...Xhaxhai qe kronikë asnjanëse. Më tej shtonte se Ismail Qemali gatoi Pavarësinë, Mbreti Zog e poqi si duhet Shtetin, e vetë qe xhandar! Sot mbretin e shajnë se nuk i ngjajnë - më thoshte. Gjatë Luftës Qeveria e Tiranës e dërgoi, si shumë të tjerë, nëpunës në Gjakovë, në shtetin e bashkuar shqiptar.
Para sëmundjes i erdhi vizitë Gjenerali i fshatit, e xhaxhai i kujtoi ngjarjen, siç ia kish thënë ai vetë kur e pati vizituar në shtëpi në Gjakovë: U çlirua qyteti nga nazistët; partizanët shqiptarë udhëzuar nga ai si komisar, vunë në ballkonin e qytetit flamurin shqiptar; vinë serbët e heqin dhe ngulin të tyre; venë prapë shqiptarët, heqin flamurin serb e me urdhër të tij vënë të tyre...Pastaj vjen urdhër nga Komisari i Divizionit - të liheshin të dy flamurët bashkë! Ikën shqiptarët, iku dhe flamuri shqiptar...
Gjenerali ngjarjen nuk deshi ta kujtonte dhe u hodh në bisedë tjetër.
Xhaxhai më kujtonte se si i riu gjakovar Haki Taha i shkoi në zyrë Miladinit, pse e gënjyen Kosovën duke e shkelur premtimin në Bujan! Miladini e talli si budalla jashtë kohe; kosovari nxjerr koburen, e vret. U vra dhe vetë...Ai nuk është më i vogël nga Avni Rustemi, shtonte xhaxhai; një ditë, statuja e tij do rrijë në mes të Tiranës!..Ika në Metalurgji, e mes të tjerash më këshillonte që të rrija afër me atë nga Kosova!..
Shoku im tani po e shihte të shtrirë. Nuk arriti të bisedonte me të sa qe gjallë, dhe po e lexonte tek rrinte në gjumin e përjetshëm.

Kinoklubi i Kombinatit priste grupet e fundit ku do të jepeshin çmimet. Aty qe dhe estrada jonë me emër të mirë. Sheshi para hyrjes ushtonte nga daullet, gërneta e fizarmonika. Po vinin me radhë makinat e drejtorëve e të Komitetit. U duk dhe vetura e drejtorit tonë. Me të qenë nëndrejtori, shefi i kuadrit, sekretari...Drejtori vështronte me sy i lumtur kolegët e tjerë: Ku jeni? Sot do duken vlerat!..U fut dhe njëherë mes grupit të estradës. Të gjithëve u ndriste fytyra nga fitorja e sigurt.
Isha ulur në mencën e afërt karshi, me një konjak përpara. Vjen Kosovari i gëzuar e më thotë se ai donte që të veja dhe unë në sallë me grupin, por s’duhej të shkoja! Nga Tirana kish ardhur një i dërguar, i shkurtër nga trupi por nga sa pa, i shkoka shumë fjala; punon ekonomist e zevëndës i gruas së Udhëheqësit!..Më tha dhe emrin prej “shpendi fluturues” të tij!
-Kur të mbaroni, takohemi! - këshillova unë. Ai u nis kokulur.
Grupet nisën paraqitjen në skenë. Juria rrinte mes rreshtit të tretë, në kolltukë të zgjedhur. Rrotull tyre rrinin kuadro partie e shteti. Në pjesët më të bukura salla gumëzhinte nga duartrokitje e vërshëllima të gëzueshme; drejtori i ndërmarjes përkatëse nxirrte fytyrën më dukshëm.
Iu fol emri estradës sonë. Një djalë e një vajzë e paraqitën me fjalë të zgjedhura.Vërshuan duartrokitjet e para. Dolën 17 aktorët që përfaqësonin 17 ndërmarjet e Metalurgjisë. Secili jepte në vargje shoqëruar me muzikë popullore arritjet e ndërmarjes së vet. Në fund, e mbyllën me një valle të gëzueshme. Fytyrat e jurisë bënë shënja miratimi. Drejtuesit e ndërmarjes ndritnin nga lumturia.
Dilja nga menca, afrohesha te Kinoklubi të dëgjoja më mirë; më shihte dikush…e hyja prapë brënda.
Hyri parodistja e «Xhemilesë». Nisën vërshëllima e duartrokitje. Ajo filloi humorin e ëmbël të saj: «Kam ca shefa, ca zyrtarë/ që më qasen si manarë»…Salla këndonte gëzueshëm bashkë me të! «E mrekullueshme, për Tiranë»! - thirri i deleguari e u ngrit te kolltuku duke u shkelur syrin zyrtarëve me humor - mbajeni! I lumtë kush e ka qëndisur!..-
Juria u mblodh të jepte çmimet.
-Estrada e “Xhemilesë” veçohet! - tha i deleguari. Të gjithë qenë një mëndje. Në vazhdim ai pyeti: “kush e ka shkruar atë humor”? I thanë emrin tim. U mvrejt menjëherë.
-Më falni, ju lutem...edhe shpejtohemi...Por ju e dini pse ka ardhur ai këtu! Nuk mund t’i japim kapital politik...Kur ta marrin vesh lart...Gjithësesi, qëndroj në fjalën e parë - “Xhemileja” veçohet...e djegur! Marrim të tjerat...-
Njerëzit po dilnin nga Klubi. Gjithëçka kish mbaruar. Prisja të më vinin për urim. Makinat po iknin njera pas tjetrës. Vetura e drejtorit u nis me rrëmbim drejt ndërmarjes. Hynë dy puntorë të blenin cigare duke vazhduar bisedën:
-Të digjemi ne për qejfin e atij?! Alamet estrade!..-
-Po këtë „alamet“, ai e bëri! -
-Më mirë mos e kish bërë! Na tallin bota!..-
Po më afrohej Kosovari.
-Do vemi bashkë në shtëpi, çohu! - tha menjëherë. Po më shkrepnin sytë afër lotëve.
-Kam një punë! Nesër do vij! - U mendua pak, pastaj u largua.
Ndënja dhe ca me gotë përpara e u ngrita, dola! Kokën e kisha turbull. Metalurgjia e shtrirë tejpërtej vazhdonte e dremitur punën e saj - rrahje hekuri, kumbim motorrësh e zhurmë makinash, sirenë lokomotive që njoftonte arritjen. Flakën e madhe mbi Furnaltë errësira e bënte më të bukur.
Po ecja anës xhadesë, numuroja targat e makinave që kalonin. Dëgjova një zile mushke që binte ëmbël herë pas here.
-Eja këtu! - më thirri Demo Arixhiu, roje nate e Metalurgjisë. Qe mbështetur rëzë një trungu mbuluar lëmyshk. Ai vinte në punë me mushkën e tij që e ndiqte vetë nga pas. Ulej ndezte cigarin dhe vështronte herë uzinat përpara herë yjet në qiell. Herë herë vërshëllente vetëm në errësirë, si për t’i thënë ndonjë të ligu - „jam këtu“, apo për t’i thënë qiellit me yje mbi kokë të tij - „qofsh i bekuar“!
Ditët e para më ndiqte me sy tek kaloja vetëm para tij! Një mbrëmje më foli e iu afrova:
-Të dy qënkemi njerëz të natës, e të dy s’i flasim njeri tjetrit! Një hall të madh e ke..! - shtoi pastaj si duke më hedhur fall. Unë qesha, qeshi dhe ai. Dhëmbët e bardhë të rregullt iu dukën si në reklamat e pastës së dhëmbëve.
-Ç’qe ajo dasëm poshtë plot muzikë! Kush gëzonte?! -
-Estrada, festë! -
-Ne e bëjmë festën kur pjellin pelat e kur qethin dhëntë! Po këtyre, ç’u kanë pjellë gjithë këto fabrika! - Priti përgjigje, e vazhdoi vetë: -Ti sikur je ndarë i mërzitur nga kjo festë! - Pastaj hapi gazetën me bukën e tij të darkës.
-Kam ngrënë - fola unë.
-Paske ndot nga arixhiu?! - U ula e po haja me të. Mushkës më tej, sa herë ndëronte barin zilja i binte me tingëllim yjesh. Vështrova andej me një mall të largët për mushkën time të fëminisë në fshat. Demua më pa dhe fytyra i mori dritë.
-Ai që do kafshët nuk është kurrë i keq! - foli me vete. Hëngrëm bukë pastaj u çua, mori mushkën për kapistre, e ledhatoi në qafë, theu gjurin e bëri si shkallë e më thirri - hip! Hipa me kujdes. Ai më dha frerin në dorë. Pashë përpara duke ia lënë mushkës zgjedhjen e udhës. I vështrova veshët mos i kish të tendosura si shënjë zemërimi! Ajo i lëkundi lehtë sa të largonte një mizë e u nis. Lëviza pak dhe ndënja si një krushk dasme! Demua hipi në një mushkë tjetër, e më doli përpara:
-Mbahu, se ajo vjen vetë! -
-Ku do vemi? -
-Në udhë të madhe…edhe yjet lëvizin ! - Në xhade mushkat po rendnin të gëzuara. - Më mirë larg njerëzve! - shtoi më tej. - Rri vetëm që të ikësh prapë këndej! - dhe i foli mushkës së tij të nxitonte. Buzë Shkumbinit mushkat donin të pinin ujë. Zbritëm, i lamë të lira e u ulëm në një pllajë bari.
-Më kanë thënë që ti bën këngë të mira ! - ndëroi bisedë. Nuk iu përgjegja. - Nga kjo i ke të gjitha - shtoi. - Tregohu i pazoti, të mos të të ngasë njeri! -
-Njeriu s’e ka në dorë! -
-Ç’punë ke bërë këtu gjer tani? -
-Të gjitha sa më kanë dhënë! -
-Eja me mua, roje! Pa njeri pranë. Vetëm yjet mbi kokë dhe mushka me zile rrotull! -
-Unë duhet të punoj me puntorët, të më edukojnë..! - Ai qeshi me vete:
-Po tallesh me mua?! -
-Kam harruar të tallem! -
-Edhe mua, më kërkuan një ditë për mbledhje! Unë mora mushkën e u largova. Më thirën prapë e më lanë të lirë! -
-Po mua s’më lënë ashtu! -
-Do që të ikim bashkë, përgjithmonë? Se ku do jemi, vetëm yjet do ta dinë, po ata s’tregojnë! Edhe në zanatin tënd, me ne do jesh më mirë! Kam dëgjuar, kanë ardhur shumë nga ju me ne, sidomos kur i ka vrarë jeta. Ju të bardhët me njeri tjetrin jeni si arinjtë e bardhë në dimër...-
-Sa larg do ikim? -
-Sa të mos na arrijnë! -
-Po mua më arrijnë, se më kanë të tyre! -
-Ahere ju s’doni vetë të ndaheni me shoku-shokun!..- Po mërzitej.
-Je shumë i mirë, Demo - fola unë; - jo më kot ju quheni “rom”, dhe në gjuhë të huaja “rom” do të thotë “njeri”! -
-Pse, kush tha që s’jemi “njerëz” ? -
-Ma more keq. Juve ju thonë në mënyrë të veçantë “njeri” që nga sundimi i sulltanëve, për t’ju dalluar nga ata që hiqeshin më të mirë, po s’qenë njerëz, bie fjala grekët e shtirë, serbët e fryrë...-
-I ditke mirë ca gjëra, se ne i kemi parë me sy. Në asnjë vënd nga bredhim nuk shkojmë më mirë me njerëzit sesa këtu, me ju !-
-Ju keni nxjerrë njerëz shumë të shquar të botës: një piktor tepër i madh, Pikasso, është nga ju, rom; kam lexuar gjithashtu se humoristi me famë bote që talli dhe Hitlerin, Çaplini, është prapë rom…Dhe një List në Hungari, thonë, ka bërë këngët-çardashe me famë…-
-Ti, mund të bësh këngë për ne? - pyeti pa pritur.
-Pse jo! - Zilet e mushkës ranë ëmbël si për udhë.
-Je i martuar? -
-Kam tre fëmijë. I dua shumë! -
-Dhe të ndanë nga ata?! - Mblodha supet. - Bota, çdo njeri i saj, është mbushur mëkate! -
- Ti ke bërë ndonjë mëkat?! - pyeta për humor.
-Si quhej ai që vuri në lojë Hitlerin, se mbase do jem fis me të ! - dhe qeshi me vete para se të tregonte ngjarjen e tij:
-Ecnim nëpër Myzeqe. Një mushkë imja hyri në një kullotë dhe i zoti e qëlloi, i theu këmbën sa mezi ecte. Qava si fëmijë. Prita të nesërmen ta mjekoja me parà. Isha mbështetur te një mullar. Kaloi një burrë me kafshë të tij e më tha sa e shisja mullarin! ‘Kam hall, e ta jap me gjysëm çmimi’- i thashë menjëherë! Mora paratë dhe mushkën e çalë përdore, dhe shkova e mjekova!
Të nesërmen pashë të zotin që po shkonte në gjykatë me atë që më kish blerë barin. Unë vazhdova udhën!..- Qeshi përsëri me zemër.
-Nuk u pendove?! -
-Jo, qe dëshira e Zotit ashtu! Gjërat janë të shkruara. Ti do vije këtu, u poqe dhe me mua. Njeriu bën urdhërat e yjeve. Ato nuk kthehen. Kur njëri përpiqet t’i kundërshtojë poshtë, qielli lart bën bubullimat. - Po e shihja me kureshtje. - Nuk më beson më duket! Po ne s’na kuptoni dot nëse nuk kuptoni yjet! Ju jeni ndarë nga qielli lart dhe kjo do ju marrë më qafë! Tërë këto flaka e drita në Metalurgji...nuk di ç’bëjnë ato e pse i bëjnë! Yjet janë vetëm të bukur. Kur s’bindemi për këtë, ato këputen t’i shohim nga afër. Kur bie, ylli është më i bukur. Njeriu kur rëzohet është më i shëmtuar dhe ata që e shohin kështu, gëzojnë!..-
Në natën pa hënë yjet xixëllinin si xhevahirë të dridhshëm mbi kadife! Flakët e Furnaltës gjiteshin disi lart, pastaj binin prapë poshtë për t’u hapur udhë flakëve të tjera. Yjet i shihnin asnjanës nga lart.
-Çdo njeri ka yllin e tij në qiell - vazhdoi Demua - dhe ti, dhe unë...Si të lëvizë ai, do na lëvizë fati! -
-Për dy njerëz që duhen ne themi ‘iu poq ylli’- shtova unë.- Mbase, kur yjet e tyre piqen lart, dhe ata në tokë piqen bashkë. Në u ndafshin yjet, ndahen dhe njerëzit. -
-Ditke dhe ti diçka! - foli ai i kënaqur. - Të duket se ata lart rrinë në vënd, po të gjithë lëvizin dhe kthehen te vëndi...E sheh atë yllin tërë xixa me katër të tjerë pas?! Vetëm ai nuk luan! Ai urdhëron udhët dhe të gjithë i binden. Kur ndonjë yll s’e duron dot urdhërin, çahet nga inati e bie! Të tjerët vazhdojnë rregullin. Zot i Madh, ç’ke bërë! -
Fjalët e fundit i tha me fytyrën lart sikur i lutej diçkaje të panjohur. Mushka lëvizi nga vëndi për të kërkuar bar më tutje. Zilja binte me një tingull të bukur si t’i kishin rënë kristale yjesh mbi të! Pastaj mushka u trëmb.
-Ç’pati? - pyeta unë.
-Lëvizin dhe hije!..Këto ditë do ikim, na thërresin!..-
-Kush? -
-Nuk e di. Ju kur lëvizni merrni lejë nga shteti; ne marrim këshillë nga yjet. Lëmë zjarrin e fundit - tymi ikën lart, ne tutje! Vajzat që rriten kur ecin e u ulen flutura mbi fustan, janë pjekur për martesë. Nuseve kur u ulen bletë në supe - është shenjë se do bëhen nëna! Pelave u ulen zogj në vithe - do lindin mushka...-
-Kush do ta ruajë Metalugjinë? - pyeta unë.
-Unë s’pashë asnjë të lig të hyjë ta djegë! Dhe po të duash, ajo s’digjet. Zuri rrënjë të keqe!..Zilja e mushkës s’dëgjohet më, ka kaluar mesnata...mos të mori gjumi!? Ti je i vrarë, më duket, nga ajo gostia poshtë, po mua s’ma thua. Fli pak se gëzohem!..Mua e ty mund të vinë të na djegin, po këtë që ruajmë nuk e djeg njeri! -
Më hodhi sipër rrobën e leshtë me lule të mushkës. Mbylla sytë e menjëherë m’u afrua një çlodhje e ëmbël. Po hyja te gjumi i largët në stanin e dajove majë malit.


Kish ardhur ish piktori i Opera Baletit, Oseku, që të edukohej nga punëtorët! Më kish kërkuar të hanim bashkë një drekë mence. Ishim njohur që në Tiranë. Tek punonte, e mori gjykimi për shfaqje të huaja! Dallga po i afrohej mbi vete e ai qëndronte sikur s’po ndodhte asgjë! Sa kisha dalë nga gjyqi për Festivalin XI dhe e këshilloj të bënte një vetëqortim sa të largohej dallga. Ajo qe e madhe!
Më pa në sy. Qe i tëri një materie e tendosur disi nervoze. S’i gjeje një të çarë ku të varje një këshillë! Po të ngulje gozhdën në të, guri do shkërmoqej i tëri.
Ai kish zbritur në kryeqytet mbi vijat e bjeshkëve; ato vija po i kthente pikturë. Ia quajtën “Skica të Namuna” - krijonin kënd me vijën e shtetit! I thanë t’i kthente në kornizë shteti (“Dil nga korniza, Mona Liza/ korniza na duhet për Maon”! - kish shkruar Jevtushenko).
-Unë nuk tërhiqem dot dhe po të dua! - më qe përgjigjur. - Më thua se vinë “dallgë deti”! Po unë s’e njoh detin, si t’i tërhiqem prapa! Unë njoh Zeusin tim lart, rrëketë e bjeshkëve me bubullimat brënda tyre...Dhe po të dua, linjat e bjeshkëve të mia s’i bëj dot korniza zyre! E kam më lehtë të përmbysem vetë i tëri, po do bie përqafuar me karakterin tim!..Të tjerët le të bëjnë si ta kenë më lehtë”! -
E shihja me kureshtje. Fytyra e tij më ngjante e tëra një eshtër pa asnjë fije dhjami të huaj. Brënda syve si thellë një grope legjende Ajkuna kish nisur të riqante Omerin...Ai përsëriti dhe një herë: “Unë jam ky, s’e tradhtoj dot veten...”!
Hyra në mencën e Furnaltës ku kishim lënë takimin. Mbi tavolinë kish hapur disa skica pikture. Ngjante me një bust ngulur në karrike. Drejtori i ri i ndërmarjes sime pinte në anë me një përgjegjës kuadri të Komitetit. Panë nga ne dhe afruan bisedën më vete:
-Mirë më bëtë drejtor këtu, po sa do më lini! - i tha drejtori im atij të kuadrit - Tërë njerëzit e fshatit i kam të besuar në kryeqytet, gjer në Ministri të Brendëshme...-
-Varet nga ti, mundësitë të kanë ardhur...- dhe bëri me shenjë nga tavolina jonë. - Tregoi besnikëri Partisë, zbuloi njër armik! Ti je i zgjuar...- Te fjalët e fundit vuri buzën në gaz. Drejtori pa dhe njëherë nga ne si të bindej për atë që dëgjoi - dhe vazhduan bisedën e tyre.
Sa iu afrova, piktori më zgjati dorën (busti qe vënë në lëvizje). Po më spjegonte skicat. Qenë vija të mprehta si të bëra me presë guri. Skicat qenë pllajë bjeshke me zall. Balta kish rënë. Pa nga dritarja. «Qielli qënka i bukur si në pikturë» foli me vete. Pastaj më tregoi ca vija portretesh që po i njihja nga Metalurgjia.
-Qënke thyer ca! - fola me humor.
-Më vinë vazhdimisht njerëz e s’ua prish dot. S’e kanë dyfaqen e zyrtarëve...Edhe ti ke kokë skulpture, eshtake...- Mori një lapës dhe mbi fletë hoqi një vijë të mprehtë, me një kthesë të papritur të ballit. E la pak dhe po e shihte.
-Më le gjysëm - koke, fola unë - mbylle të plotë! E prerë po më dhëmb...-
-Lëre kështu njëherë! Gjysmën, herën tjetër! - Te letra në tavolinë shihja kafkën time të hapur.
Hëngrëm bukë dhe dolëm. E përcolla gjer te ndërtesa e komitetit e po largohesha. Te këmbët e tij u ndal befas makina e Degës; nga brënda doli vrullshëm përgjegjësi me dy të tjerë:
-Në emër të Popullit, jeni të arrestuar! - dhe i zgjatën hekurat. Piktori mbeti i ngrirë dhe foli i hutuar si me vete:
-Po ku është populli?! -
-Ta tregojmë ne po futu! - Hynë brënda dhe u nisën. Ndoqa pak me sy përgjegjësin krahinar - qe ai apo një tjetër? Ndërova drejtim dhe mora udhën nga qyteti. Vinin makina nga pas, e mbaja frymën: cila mund të ndalte te këmbët e mia! Shihja njerëzit e doja të më qenë pranë, ta miratonin vetë si „popull“ dëshirën e tyre kur të më thoshnin - „në emër të popullit“..!
Hypa në urbanin e parë e po shihja sheshin e Komitetit. Më dhimbëte koka. Vura dorën në ballë, si për të parë mos qe diku e prerë si skica lënë përgjysëm.
Te klubi i Kalasë në qytet pashë shokun tim të dashur, Nuumin, shkrimtar nga Fieri. Vazhdimisht dashamirës e i mënçur. Më thirri, e të dielën më ftonte në Fier, se festonin një gjel!..
-Ti po rri si i hutuar ! - tha. I tregova ngjarjen. Heshti pak e shtoi: - Ruaju nga kreu i ndërmarjes! Mos u trego si lumi juaj, Shushica, si quhet!..-
-S’të kuptoj! -
-Lumi juaj, de! Ju turreni si ai nga maja e malit drejt shkëmbit: o ta shkoq o shkoqem për vete ! dhe merrni veten më qafë. -
-Po ju, si e bëni ? -
-Ne? Si Osumi. Ecën Osumi në fushë; sheh kalanë e Beratit, e mat me sy se nuk e çan dot! Bën një dredhë anash tij e si e lë pas, niset prapë në det, dhe arrin në det Osumi, o babam! -
Vjen muzikanti i qytetit me krahinarin tim nga Ftera, aktor. Biseda u zgjerua e po mbushej humor. Në shëtitje kalojnë dy femra të pashme.
-Sa të hijëshme! - foli krahinari.
-S’u ke pa vëllain ti! - plotsoi muzikanti vëndas. Erdhën pijet.
-A gjënden lehtë taksi për Tiranë? Duhet të ikij! - tha krahinari.
-Po rri sonte, mezi na u duke ! - foli miqësisht vëndasi.
-Ti je ngushtë, me gruan...-
-Ç’mërzitesh, ç’të hajë gruaja do hash dhe ti, po ktheje me fund! - Qeshën gjatë të tre.
-Sikur rri i hutuar! - më pyeti krahinari. Shoku nga Fieri tregoi për arrestimin e piktorit...Krahinari që e kish kërkuar ta takonte, dëgjoi me hutim, pastaj hodhi sytë nga vëndi i taksive që nisen për Tiranë.

Ngarkuam metalet nga fusha e grumbullimit e po bënim një pushim. Shtrirë në bar, gjithkush po tregonte ngjarje të tij. Rrija mënjanë e më shumë dëgjoja.
Një stazhier ardhur i ri për në parti, po u kujtonte të tjerëve sesa bukur është gjetur nga udhëheqja shprehja “rrufjanët politikë”! Shoku pranë e pyeti se cilët hyjnë aty! U trazuan mendimet, në fund stazhieri spjegoi, se rrufjanët e politikës janë kryesisht artistët; se kryesorët u futën brënda e pas vinë shokët e tyre!..
Vështrimet e njerëzve u kthyen me kujdes nga unë. Ula sytë e me një fill teli po u hiqja baltën çizmeve. Biseda u kthye në anë të tjera. Gjeta rast u ngrita, t’i flisja një shoku në udhë, pastaj u ula mënjanë e po shënoja në fletorkë ca mendime.
-Ju e fyet atë! - foli shoku im i mirë nga Përmeti, Bashkimi.
-Ne s’folëm për atë - u shfajsua stazhieri.
-Ai i kupton që në ajër gjërat, mos e shihni ashtu! Sa përmëndët «rrufjanë», sytë i drejtuat nga ai. Ju them, ta mbani mënd, se llogaritë me të i bëni gabim! -
-Ç’po shkruan ai aty? - pyeti njëri.
-Mbase dhe qëndrimin tuaj, një për një. Më vonë do ta merrni vesh! - U bë heshtje.
-Ai po rri përmbys me fletorkë në gju, si Lenini në Siberi! - bëri humor stazhieri. -
-Siberi na e bëre Kombinatin!? - kundërshtoi njëri. Stazhieri zuri të spjegohej...
-Në të vërtetë, pse ka ardhur ai këtu? - pyeti tjetri.
-Atë e dinë të tjerët, e ju s’mendoni dot gjatë! - u përgjegj përmetari. Sytë u kthyen prapë nga unë si te një enigmë!
-Ç’e ka ai kryeministrin, janë të dy nga Jugu e me të njejtin mbiemër! - pyeti tjetri. Shokut tim i pëlqeu pyetja:
-Nuk ka rëndësi kjo...janë gjëra që nuk thuhen kudo! Ju përmëndët burgun; por ata që qenë për t’u futur nga vala e “rrufjanëve”, u futën edhe këtu. Për më tej, edhe për mua e ju nuk ka siguri, po të gjykojmë katër e pesë kundër vijës! Partia shënon çdo gjë.- Disa prej tyre vështruan prapë drejt meje. E kuptova se po flitej për mua dhe po zhgaravisja më hijerëndë.
-Ahere pse na e kanë prurë këtu? - pyeti më këmbëngulës i pari.- Ata që vinë si ai, o kthehen prapë, o futen brënda. Ky mbeti këtu e s’po shkulet! -
-Ti sikur je budalla - ia priti shoku - shteti mbahet me të hapur e me të fshehur, siç paraqitet armiku. Ku mund ta dimë ne detyrën e tij! E di ti, se ai tani mund të shënojë në fletore mua e ty, e nesër të dalë “Hero i Heshtur”! E keni parë në bisedat tona - vetëm dëgjon sikur s’ka gjë në mëndje! -
-Vërtet, e pyesin si shkon e ai thotë vetëm “shumë mirë”, s’ankohet kurrë, as shan njeri! Kurse fshehur me atë fletorkë mund të të shuajë derën. -
-Si punë “kundërzbulimi”, gjasme “diversant”!.. - shtoi tjetri.
-Puna është - qetësoi miku im përmetar - ç’u duhen të thellat me tjetrin! Ka kush i gjykon, mendoni për vete e për nesër, dhe ndreqeni aty ku e keni tepëruar! Po ju kujtoj të fundit, në Veprën e re për Artet të Udhëheqësit, vlerësimi për të është aty! Kaq! -
Të gjithë ranë në heshtje e më shihnin me bisht syri. Unë vazhdoja sipër gjurit tim.
Dikush i ra një çange, njoftonte orarin e drekës. U ngrita e futa fletorkën në xhep. E nxora dhe një herë si të saktësoja diçka aty, dhe e futa në xhepin tjetër. U drejtova nga menca. Porosita e zura një tavolinë mënjanë. Po shihja pirunin që më kapi dora - dikush, para ngrënies e kish përdredhur me inat dhe e kish bërë si tryelë të vogël për hapje shishesh.
Shokët po vinin njënganjë drejt meje. Fytyrat i kishin të çiltëra e të mira. Më kërkuan leje me mirësjellje nëse mund të uleshin. U tregova karriket me dorë qetësisht; ata mblodhën dhe karrike të tjera. Përmetari më shkeli lehtë syrin e u ul përballë. Dy vetë shkuan morën dy shishe me verë e i ulën në tavolinë.
Nisi biseda. Dikush e filloi me një humor; të gjithë qeshën; unë vura pak buzën në gaz. Kaloi nëndrejtori. «Si dukesh»?! - foli. «Bej në Stamboll» - iu përgjigja pa të keq.
-Do bëni ndonjë baladë tjetër këtu, t’ju përmëndë prapë Udhëheqësi? - pyeti njeri.
-Për kë ta bëjë baladën, për ty? - ia ktheu tjetri.
-Sa fletore harxhoni në muaj? Sot sikur mbajtët shënime, ç’ju ka frymëzuar ? - pyeti miqësisht tjetri.
-Janë gjëra që dhe nuk thuhen - u përgjegj për mua përmetari - mos e vini në pozitë! Ai ka ku raporton!..- U mbushën gotat me verë dhe nisën përshëndetjet.
-Nga kush frymëzoheni më shumë, kë pëlqeni më shumë nga Heronjtë e Heshtur? - pyeti tjetri e të gjithë më ngulën sytë duke pritur përgjigjen.
-Atë Hero që është sa më i heshtur! - Ata panë njeri tjetrin, si për të këmbyer spjegimet me shoku shokun.
-Kam këtë stilograf të mirë, jua dhuroj kujtim për ato që do shkruani! - foli ai që qe dëgjuar më pak. Kundërshtova, e ai ma futi në xhep.
-Ju ejani dhe nga shtëpia, na kanë thënë familjet! - kërkoi shoku në krah.
-Kur të veni në Tiranë, unë kam një mik shofer - foli stazhieri.
-Ju falemnderit për bujarinë - u përgjegja unë për të tërë, dhe u ngrita një urim. Vazhdoi humori.
-Nuk na thatë ndonjë nga ato shakatë e shkrimtarëve, që mblidhni! - tha shoku im. Këtë kërkuan dhe të tjerët. Po mendohesha, e fillova:
-Në një manastirin tonë në Jug kisha greke dërgoi një prift të saj. Fshatarët e dëbuan, pasi kishin të tyre, shqiptar. Në vënd të tij grekët dërguan një murgeshë të re, të bindur se si femër, shqiptarët fisnikë atë nuk do ta dëbonin. Një bari i largët kulloste dhëntë rrotull kishës, u miqësuan me murgeshën dhe ajo mbeti shtatzanë. Erdhi muaji që ajo s’dilte më dot në besimtarët, dhe erdhën e morën të zotët…-
Tavolina qeshi me zemër; kërkuan edhe një tjetër:
-Në një fshat fashistët mblodhën ca popull, t’i bindnin që t’u venin pas! Sa nisi gojtari i tyre, një fshatari të lodhur nga puna i shkau një…Plasi të qeshurit sa mbledhja u bë qesharake dhe u shty…Pas Luftës, fshatari shkon në pushtet, u kujton prishjen e asaj mbledhjes nga një zhurmë e tij të cilën, siç po betohej, ai e kish bërë gati që në shtëpi, dhe kërkonte librezë veterani për veprimtari antifashiste!..- Shpërtheu vala e dytë e të qeshurit.- Natyrisht nuk ia dhanë, shtova unë, se fitime të kota sot nuk ka! -
Pimë gotat e fundit e u ndamë. Rrëfimet e mia po ia përsërisnin udhës njeri tjetrit.

Po më afrohej përpara një burrë disi i thinjur. I hidhte këmbët me kujdes nëpër shinat e trenit të kombinatit e dukej se ecte shumë më ngadalë. Në duar mbante ca letra dosjesh. Qe Nasho Nathanaili, gazetari i njohur nga Muzina i ATSH - së. Më afrohej kokulur duke numuruar të prerat e shinave. Kish ardhur gjithashtu i dënuar. Në Tiranë takoheshim pak e duheshim më shumë. Bënte ca studime „Ç’thonë zërat në Muzinë“ ku tregonte rrënjët e lashta shqiptaro-ilire të krahinës së tij dhe lidhjet me Labërinë time.
-Na iku dhe një! - foli me pikëllim që nga larg - i ziu Bekim, qe aq njerëzor! Dje më tregonte se po shkruante diçka për punëtorët, t’i përgjigjej dënimit, e s’e mbaroi dot! U shtyp nga treni me disa të tjerë! -
Më kapi një pikëllim i menjëhershëm. Me të ishim bashkë studentë e shkonim mirë. Kolegu gazetar spjegoi më tej, se tek shkonin me makinë për një ngushëllim, i preu treni sipër shinave. I çuan në spitalë...Shoku ynë kish rënë sikur po shlodhej...E mbylli vetë dënimin!
-Ti, pse u dënove? - pyeta më pas shokun.
-As vetë s’e di mirë! Nisi që me spiunimin diku të një punonjësi tonë, një Majko! S’është as shqiptar...po na vrasin të huajt brënda Shqipërisë!..- Heshti, pa dashur ta zgjaste. I kërkova të vemi në spitalë, mos e takoj dhe një herë viktimën; dorëzoi diku letrat e u nisëm.
Bekimi erdhi në Kombinat pas meje, në valën e tretë të dënimeve. Te ndalesa e xhadesë pranë Metalurgjisë zbriti nga makina e vështronte nga të drejtohej! Isha me një aktor vëndas. Më pa e na u afrua. Ishte në kostum të rregullt kryeqyteti, ngjyrë blu. Hijoren e re me stofë të ndritëshme e kish mbështjellë hollë dhe herë pas here e tundëte në dorë si bastun qejfi. Hodhi sytë te çizmet e mia tërë baltë. E shihja me vëmëndje e ma kuptoi mendimin:
-Më dënuan dhe mua, - foli qetësisht - s’e kundërshtoj, po nuk kuptoj ç’kam bërë!? Me kunatin le të bëjnë ç’të duan, po me mua!? I pyeta për fajet, më thanë të vija të punoja, spjegimi do të jepet nga punëtorët! Dua t’i gjej se ku janë punëtorët e gjyqit tim ! - dhe vështroi në hapsirë si t’i mblidhte me sy.
Aktori vëndas në krahun tim i tha që më mirë të mos i fliste këto!
- E kam fjalën - shtoi - vimë me qejf në Çlirimin e Dytë të vëndit, po të na japin Kodin e luftës, të njohim saktë gradat që na vihen!..- Po merrte frymë me vështirësi. Nxori shaminë e fshiu djersët mbi buzë…Hodhi sytë nga hapsira e Kombinatit sikur po numuronte oxhakët që punonin. «Te cili tym do vete unë!? » - pyeti veten. «Tymrat janë njëlloj» tha aktori duke qeshur, - në një nga ato do vimë të të takojmë përsëri…».
…Në spitalë s’e gjetëm; e kishin nisur në shtëpi. U ulëm në një beton te oborri të çlodheshim.
-Po ne të dy, si mund ta kemi fundin këtu po ndënjëm gjatë? - u ndie te supi zëri i shokut tim, ngadalë që të mos e dëgjonte vdekja afër!
U çuam të iknim.
-Karshi, janë të sëmurët nervorë, lloj çmëndine - foli shoku. - Nuk merret vesh si e pse kanë ardhur! I vizitojnë shpesh makina të Degës; hyjnë brënda, s’dihet ç’u bëjnë e dalin prapë ! Pas tyre, një të nesërme dalin arkivolët e fatkeqëve…Këto që them janë me rrezik! -
Po ndiqja me sy lëvizjet e tyre karshi. - Janë njerëz të mirë, ndoshta se janë shumë të mirë, janë aty ! - shtoi kolegu. - Më thanë, se kur erdhi ambulanca me viktimat, dolën të gjithë që të ndihmonin, po mjekët s’i lanë! «I vratë dhe i sillni në spitalë t’i shëroni» ua kthyen me inat mjekëve të tyre.
Dy vetë e dalluan që po i shihja me kureshtje, dhe më ngulën sytë. Doja t’u shmangesha po ata sy s’më ndaheshin. Diç i thanë njeri tjetrit dhe ecnin si tinzarë anash të na afroheshin më mirë. Po bënin lëvizje të ngeshme si të mos mendonin asgjë. Njëri merrte një shufër, e studjonte kot nga njëra anë, pastaj e shihte nga ana tjetër e qeshte me të. Tjetri merrte një copë gazete të grisur, bënte sikur e lexonte dhe shihte me bisht syri nga ne. E kthente nga faqja tjetër pastaj e flakte. «Mos i shih në sy»! më tha shoku e më hodhi krahun të largoheshim.
-Kot ikni, këtu do vini të gjithë - foli i pari. - Të gjithë janë të çmëndur po s’e kuptojnë ! -
-Ju jeni më të çmëndur - na u drejtua tjetri - e për t’u fshehur, na mbyllni ne këtu! - Mori shkopin dhe po i binte si fyell duke lëvizur gishtërinjtë me shkathtësi të çuditëshme. - Ata që s’dinë t’i bien fyellit, këtë e mbajnë si shkop të na rrahin - dhe ia mori këngës «m’ka shkue mendja me u fejue» - pastaj qeshte me gjithë shokun e tij në krah.
-Ai atje, që rri ngulur pranë atij gardhi - më spjegonte Nashua - ka një histori të çuditëshme, është më në rregull se unë e ti. Dikur qe pronar. I morën pasurinë, pastaj për një ankesë e futën në burg. Nuk thyhej, as spiun nuk bëhej. E bënë të çmëndur duke i hedhur gjëlpëra të posaçme. Në fillim i kundërshtonte e ulërinte - s’jam unë i çmëndur, jeni ju, hajdutë!.. - S’pati fuqi të duronte e u mësua me to. Sa vjen ora, ai përvesh mëngët vetë dhe me krahun zgjatur kërkon mjekun për t’i hedhur shiringën! Në fund e përqafon dhe shkon ngulet prapë te gardhi i spitalit, duke vështruar rreth e rrotull ku ka të mbjella e perime. I kujtohet diçka e qan; e harron atë e zë e qesh!..Mbledh drurë, hekura, gurë e bën gjerdhe të vogëla kopështi, hap gropa sikur mbjell diçka dhe e lëmon baltën me duar duke mërmëritur fjalë këngësh të pakuptueshme…-
E vështrova në sy. Më buzëqeshi e u kthye prapë në kopështin e tij të përfytyruar…



Dashamirët më këshilluan të mësoja vinçin e magazinës, se po më këputnin ngarkesat në shpinë.
Mora librin e mësova teorinë. Pastaj u hodha te vinçi. Tri leva-timonë: njeri e lëvizte vinçin përgjatë sallës nga fundi te skaji përballë; tjetri, përpara, tutje - tëhu; i treti ngre e ul litarin e çelikut ku ngarkoheshin arkat. Shkel butonin elektrik e nis puna!
Komisioni pyeste në radhë punëtorë. Më erdhi emri. Salla qe mbushur plot kureshtarë që të bënin humor me poetin.
Teoria kaloi mirë. U nisa drejt vinçit: hipa shkallët prej çeliku dhe hyra mes timonëve. “Mos më turpëroni! - u fola nën zë. Njerëzit poshtë kishin krijuar një rreth me sytë lart. Ngjaja si një notar i vetmuar që do hidhesha me kokë sipër tyre.
Në magazinë kish hyrë një makinë importi. Shoferin e njihja: dikur e kisha nxjerrë për keq në gazetë. Sa më pa, thirri me ironi nga poshtë:
-O, kush qënka, poeti!..Makinën shkarkoma mirë se janë qelqe!- Përgjegjësi i magazinës shtoi i shqetsuar:
-Dhe kujdes, se këtu nuk ka poezi, ka llogari! I theve, jemi brënda të dy! -
Dikush tha se në fillim duhej bërë një provë pa rrezik: të lëvizej nëpër sallë një trung i madh i rëndë te dera! Vajzat e ndërmarjes shkuan ta lidhnin me kavo. Komisioni i largoi, se duhej ta bëja unë! E kapa trungun me litarët, e kalova në tërë drejtimet. Pastaj e lëviza me të tre timonët në të njejtën kohë! Salla gjëmoi në duartrokitje.
U erdhi radha arkave. Kapa të parën. “Kujdes se janë qelqe; Dega është te dera” më kujtoi dhe njëherë përgjegjësi. E ngrita arkën. Skica e qelqeve mbi dërrasën e saj m’u bë mjegull! Arka lëvizi si me rënkim, pastaj u lëkund si të ecte në udhën e saj pa më pyetur. E lëviza prapë timonin, ta merrja vetë nën urdhër. Litari i çelikut rënkoi me vërshëllimë metali. Arka po bënte valle.
-Leri vallet në ajër se më more në qafë! - dëgjova nga poshtë zërin e përgjegjësit. Zëra të tjerë më flisnin të shqetësuar se nga duhet ta çoja! M’u morën mëntë. Arka po më turrej drejt si një dem me brirë. Harrova cilin timon duhej të komandoja. I lëviza të tre bashkë! Sytë më qenë veshur xixa; njerëzit poshtë m’u bënë një mjergull e përbashkët. Hija e përgjegjësit hidhej valle sa andej këndej! Fytyra e shoferit po qeshte. Arka vazhdonte lëkundjen në ajër pa iu bindur njeriu; njerëzit u shpërndanë anëve t’i shpëtonin. Kryetari i komisionit qe futur mes disa arkave të larta dhe maste me sy nëse arka mund t’i binte sipër! U dëgjua një buçimë si plasje bombe.
Arka qe përplasur për muri. Dërrasat iu hapën dhe qelqet e thyera ranë për dhe!
-Po ç’më bëre, të porosita! - thirri në të qarë përgjegjësi, - po kam fëmijë!...Kush të pruri ty tek unë! - dhe shkoi te qelqet e thyera; i mblidhte një nga një në duar si duke vajtuar mbi to. Njerëzit u mblodhën afër. Shoferi më kish ngulur sytë me një qeshje të hidhur në buzë. Ula kokën mbi gjunjë dhe mbylla sytë. Doja të vdisja aty. Dikush u ngjit, erdhi pranë e më kapi lehtë për krahu...
U caktua një ditë tjetër prove. Punova ditë me radhë tek timonët. Komisioni ma dha patentën me paralajmërim: - një shkallë më të ulët dhe me kusht që të shkarkoja vetëm metale!


U hap lajmi se në magazinën tjetër të madhe karshi nesh do mbahej Kongresi i Rinisë. Filluan lëvizjet nga të gjitha anët. Njerëzit e Sigurimit hynin e dilnin kudo.
Nëndrejtori më kish lënë zyrën e tij për të fjetur disa kohë, bëja dhe një lloj roje natën! Më jep porosinë e re se duhej të largohesha këto ditë, kish urdhër - dhe mblodhi supet!
Hyra në dhomë e po mblidhja rrobat (si gruaja kur e përzënë nga burri), i shtriva mbi rripin e pantallonave, e shtova atë me një spango e i lidha deng. I hodha në sup e ia lashë përkohësisht një rojes së makinave.
U nisa drejt stacionit të autobuzave, dola në xhade. Një makinë ngadalësoi shpejtësinë. Shoferi zgjati kokën:
-Për Tiranë?! - pyeti. Mendova pak, e i thashë “jo” me kokë.
Te magazina e Kongresit njerëzit lëviznin si në film pa zë. Së shpejti aty do të bubullonin duartrokitjet e njohura. Gëmushat pranë zhurmonin nga cicërimat e zogjve në mbrëmje. Retë në qiell qenë të kuqëreme e lëviznin ngadalë si delet që zgjedhin barin. Në udhë copëzat e rëna të skorjeve dremitnin nën pluhur. Njoha zilet e mushkave të Demo Arixhiut. Ai m’u afrua i përzemërt. Ula rrobat e u mbështeta në to.
-Paske vendosur të largohesh para meje? - foli në humor.
-Kur do largohesh ti!? - Ai ngriti sytë lart:
-Shih ata tre yjet si unazë: kur ata të vinë në vijë të drejtë, u nisa unë!..Ata më japin urdhër - dhe qeshi më çiltër. - Këtu bëhet festë, e ty të paskan larguar nga kjo festë?! - shtoi me sy nga Magazina e Kongresit. - Qënke me siguri njeri i mirë!- Zgjodhi një rëzë gëmushe e shtroi velenxën e tij me ngjyra. Rashë për çlodhje. Zilja e mushkës përzihej me zërat e zogjve dhe mërmërimën e yjeve...

Të nesërmen u paraqita në punë. Rrija ulur te vinçi lart me një libër që e mbaja në xhep. Puna s’kish ardhur ende. Dëgjova zhurmë matanë dhe vura veshin.
Pas pak ditësh aty do të kumbonte fjalimi i Udhëheqësit...Salla e rregulluar për festë dhe e mbushur plot do dëgjonte me fytyra të ngazëlluara. Te pika kulmore e fjalimit që e kish përllogaritur, Udhëheqësi do ngrinte zërin...salla me fytyra të ngazëllyera do bëjë gati duart lart për t’iu përgjegjur me miratim stuhie! Udhëheqësi do ua bënte ngadalë me dorë që më në fund të pushonin!..Ata do pushonin duke parë anash nëse njerëz të veçantë ua kishin regjistruar entusiazmin...Dikush, i nxitur nga mallëngjimi i paharxhuar, niste përsëri përplasjen e duarve dhe të tjerët nuk guxonin për të mos e shoqëruar, duke i rrahur më tej pëllëmbët (kazani me ujë të valuar për zbutjen e të fryrave rrinte pas presidiumit). Pata shkruar mirë për këtë zhurmë!..Tani nuk më pranoheshin as t’i lavdëroja! Në vënd të penës po mbaja levat e vinçit. Disa ditë do jetonim të ndarë njeri me tjetrin në dy magazina, si dy botë të huaja.
Një delegat i Metalurgjisë, i njohur, më dha diskutimin për t’ia zbukuruar. I shtova figurën, se “ne rinia e Kombinatit jemi si mekanizmi i zjarrtë i Furnaltës që duke derdhur gizë e çelik, skorjet - mbeturina i veçojmë e i derdhim jashtë”.
Në kongres figura u pëlqye e u përsërit (autori qe “skorja” që rrinte sipër vinçit).
Në magazinë hyri përsëri makina e ngarkuar që më kish ardhur te provimi im. Kongresi vazhdonte bubullimat me duartrokitje. Makina vinte drejt vinçit mbështjellë nën zhurmën e tyre. Tek më afrohej ngadalë më dukej më kërcënues. Puntori hipi në makinë dhe po lidhte arkat me kavo. Kësaj here i zbrita me radhë tërë kujdes.
-Qënke bërë mjeshtër!? - foli shoferi me sy nga unë. Iu drejtova arkës së fundit. - Kujdes! - foli ai - është me zarar, ka aparate zëri! E ka vëndin te grupi i arkave rëzë murit, përballë Kongresit!..-
Arka u ngrit dhe e mbajta ca në ajër për t’i saktësuar drejtimin. M’u bë se nga brënda saj ndjeva një zë mikrofoni...pastaj duartrokitje...
-Drejtohu majtas, majtas të thonë, mos e përsërit gabimin! - thirri shoferi- janë gjëra me vlerë, mikrofonë..! -
Duartrokitjet nga magazina fqinjë e Kongresit po më mbulonin! “Ç’ke ndër mënd të bësh më shumë”? - u ndje nga mikrofoni brënda arkës një zë i thellë, i njohur...”Ende gërmon në thëniet e mia?! Mos do thuash, që “figurën e skorjeve” e ke shpikur ti”?!..
Duartrokitjet matanë po rriteshin nga zëra me kumbim të fuqishëm njerëzish. Për fajin tim, mikrofoni i ri në arkë kish hyrë gabim në magazinën time! Duhej ta dërgoja te salla tjetër, te shokët që flisnin! I dhashë korentit fort - arka u nis me vrull si një dem i egërsuar drejt fundit të sallës. Te muri afër Kongresit u përplas fort; korenti u ndërpre, arka mbeti në ajër mbuluar me pluhur tullash të rëzuara! Mikrofoni brënda heshti...
Zëri i njohur i Udhëheqësit po endej nervoz nëpër hapsirën e magazinës si duke kërkuar diçka që atij ende i qe fshehur!
Kish mbaruar seanca e drekës. Në udhën para ndërmarjes ecte vetëm një i ri e shihte hapsirën me oxhaqe. Qe një i njohuri im nga Mallakastra, dashamirës letërsie. Më takon i përzemërt, pa u shqetsuar nga asgjë. Dhamë duart, e m’u lut mos t’ia shtrëngoja se i dhimbnin...
-I kam nga duartrokitjet - sqaroi; - ka edhe më keq, po mua m’i zbuti ca avulli!..-
...Në një dhomëz të Kongresit pas Presidiumit rrinte një kazan i madh me ujë të nxehtë. Ai lëshonte shtëllunga avulli pa pushim. Në pushim, delegatët vinin me radhë e shtrinin duart mbi të, të qetësonin pëllëmbët e fryra. I zgjatnin mbi të duke i kthyer sa nga njëra anë te tjetra si mishin që skuqej! Sa më shumë u qenë ënjtur aq më shumë mburreshin te shokët: „Ç’të mos duartrokitje, njëri udhëheqës më i mirë se tjetri!..Për ta unë jam gati t’i këpus duart po të më thonë...“.
Kaloi Udhëheqësi pranë tyre. Ata kthyen menjëherë fytyrat e djersitura nga Ai, e po buzëqeshnin si vajza të turpëshme. „U lodhët ca, ë“..! foli Ai me përtesë e i kënaqur. „Ne për Partinë, po të jetë nevoja, shoku...“ dhe kthenin duart nga e skuqura t’ua shihte! „Bukur, Partia mendon!...“ dhe kalonte më tutje. Kazani e lëshonte më të vrullshëm avullin, pa u marrë vesh se nga i vinte fuqia, me dru a me korent! Ai që e trazonte me shkop ngjante me atë që në dasëm pjek mishin në hell për trapezin.
Sekretari i I-rë i Rrethit kish marrë për krahu një delegat të tij dhe po ia çonte përpara Udhëheqësit. Dy duart e tejfryra i riu i mbante përpara poshtë e qeshte me vete. Ato i qenë kthyer në mavi. „Ja ky i riu!..“ foli Sekretari, dhe ia tregoi Udhëheqësit. Ai ia mori duart në pëllëmbën e tij: „Bukur, bukur...me këto duar ecën Partia!..“. „Dhe është i thjeshtë, nuk ka asnjë dekoratë...“ shtoi Sekretari. „Ka duart...mendon Partia“! shtoi Udhëheqësi, dhe hodhi sytë mbi avullin e kazanit. Shtëllungat vinin rrotull; pëllëmbët e ënjtura shtrirë bashkë mbi të lëviznin gishtërinjtë si duke bërë magji me njeri tjetrin. Një i ri i ndrojtur me duar tepër të fryra nuk i fuste ato në avull pa gjetur rastin t’ia shihte sadopak Udhëheqësi. Ai po dilte, duke mërmëritur me vete - „Bukur, bukur! Mos duhen gjë dy kazanë!?“... Shoqëruesit ecnin pas tij duke qeshur të lumtur me vete.
Udhëheqja e Rrethit u kish dhënë porosi tre shitoreve të zgjedhur në udhën drejt Kombinatit, që të mbusheshin si asnjëherë me perime. Andej qe caktuar të kalonin pak udhë më këmbë krerët e kongresit, të cilët kishin kërkuar të shihnin dhe furnizimin e qytetit. Drejtoria përkatëse lëvizi me shpejtësi; shitoreve u çuan mallra nga dera e pasme që t’i nxirrnin në shitje me t’u dhënë urdhëri! Shitësit kishin njoftuar njerëzit e tyre, që në shënjën e dhënë kur do afroheshin delegatët, të dilnin nga qenë futur me trasta në duar, e të blinin të edukuar pazarin e fatit! Një punonjës Komiteti rrinte te trotuari: sa të shihte që larg në nisje të ftuarit, ai do të jepte shenjën!..
U duk tej grupi i njerëzve në bulevard që po afrohej ngadalë e me hije të rëndë. Qenë veshur kryesisht me të errëta (shenjë njerëzish me rëndësi)! U afruan. Punonjësi i Komitetit dalloi në krye të tyre njeriun disi hijerëndë, me kapele kineze në kokë e me bastunin që e tundëte para-pas, më tepër për kapardisje se për pleqëri. U kthye e u thirri shitësve, të hapnin shpejt mallin e të fillonin! Njerëzit dolën nga qenë fshehur me trasta në duar e iu mblodhën përpara shitësit. Ai i këshilloi se ka për të gjithë veç të tregonin edukatë!
Filloi shitjen me sy nga udha, duke llogaritur që të rëndësishmit e ardhur ta shihnin në kulmin e shërbimit të pasur!..
Ata po kalonin ngadalë përpara; punonjësi i Komitetit po shqyente sytë mbi ta. Pranë tyre dëgjoi copa bisede: „Mos jemi vonë?! Në ç’orë do ta varrosin!“. Tjetri pa orën: “Kemi kohë. Iku i ri, i shkreti!..“ Shitësi karshi po shtonte shpejtësinë, t’i përcillte të gjithë në rregull: „Merre! Tjetri!..” dhe herë herë vështronte ata që kalonin mospërfillës para tij. Burri që udhëhiqte ngushëlluesit e të vdekurit, kur kaloi para punonjësit të komitetit ngriti kapelen kineze dhe e përshëndeti mirësisht; pastaj vazhdoi udhën në krye, duke tundur bastunin me kapardisje. Punonjësi i komitetit ngriu në vënd. Pa nga shitësi. Kur grupi po largohej tutje, ai peshoi kandarin e fundit, ia zgjati blerësit të njohur dhe po fërkonte duart.
Operativi i Degës po vinte me motor drejt punonjësit të komitetit:
-Po vinë! Të fillojë shitja! - dhe u largua më tej në detyrë. Vartësi ngriu në vënd! Ktheu sytë gati më të qarë nga shitësi:
-Po ç’të kam bërë, bre! Po më more në qafë me gjithë fëmijë, më le pa punë!..- Shitësi po fshinte duart me një leckë dhe po e vështronte i habitur. - Po ata nuk qenë të kongresit, bre...Unë jam i ardhur e nuk i njoh..! -
-Po dhe unë i ardhur jam, nga t’i njoh nga larg ata që shkojnë udhës! Unë njoh këtu, te peshorja...Pastaj, janë dy shokët e tjerë që shesin anës meje. Dhe ata i furnizuat! -
-Po ti ishe caktuar kryesori, më i furnizuar e më i gojës!..Kjo është punë armiqësore!..-
-Të lutem mbaj gojën se jam derë fisi e ndershme nga Dhimajt e Progonatit...s’dimë dredha! -
-Ai me kapele kineze më gënjeu më shumë, ma tundëte bastunin si udhëheqës!...-
-Ç’faj ka populli, që nga dashuria për udhëheqjen kërkon t’i ngjajë dhe në veshje asaj!..-
Operativi i Degës erdhi më vrullshëm me motorin e tij. Shitësi mbylli kanatat përpara, doli shpejt nga prapa e u largua gati me vrap.

-Të kërkova dhe të gjeta! - foli sa më pa Sazani, miku im shkrimtar. Fytyra e tij e dashur më dha ngrohtësi që nga larg. S’po gjykoja saktë ç’të bëja (“në ke ardhur për të keq, të vishem si kallogre”!..). Po afrohej i përzemërt. Kish veshje puntori me çizme të gjata që e tregonin më të shkurtër. Bënte praktikë në një ndërmarje.
Hymë në mencë për një darkë bashkë. Morëm verë dhe konserva peshku. Biseda nisi për gjëra të ditës (u ruheshim ngjarjeve që të digjnin; të paktën prisnim që ta hapte tjetri).
Kishim qënë vazhdimisht të afërt. Nga mosha ruante dhe një lloj nderimi për mua. Kujtuam si në Skelë të Vlorës para dimri futeshim thellë në det të provonim sa të ngrohta qenë dallgët në shi! Ai përkundej mbi to si një delfin i lëmuar. I pata redaktuar librin e parë me tregime. E adhuroja se ndër të parët guxonte e botonte letërsi nga Kosova.
Ngjyenim bukën në vaj te konserva e pinim verë. Kisha mall për një mbrëmje të tillë me shokë të tillë! Trokisnim gotat me fund si dikur. Po turbullohesha.
Një çast m’u shfaq i dyzuar: ai që kish qënë, dhe ai që mund të ishte sot! Dy figurat përziheshin mes tyre duke i bashkuar kohërat; hynin e delnin te njeri tjetri. Të dy qenë njeriu im përpara. Centaur - gjysma njeri, gjysma kalë! Me cilin po ha darkë!?.. Një vjen nga letërsia, nga krahina jonë e përbashkët, tjetri vjen nga mbledhja e partisë...
-Gëzuar dhe mos çaj kokën, njerëzit të njohin! - uroi me gotën lart. Si e ktheu, sytë i hodhi te peshku në kuti. Sardelja më ngjau gjarpër i vogël.
-Me fund! - urova unë. Gjarpëri u fundos thellë kutisë e sipër doli njeriu.
-Japim një jetë të tërë, e s’na japin dhjetë minuta takim!..- fola unë i turbullt. Shoku bëri sikur s’e dëgjoi. U ngrit e solli një verë tjetër me sardele. Mbi çimenton e ftohtë të mencës ecte si delfin i bukur në detin me shi. Kujtuam rini të kaluar...
-Kur do shkosh në Tiranë, të vemi bashkë?! - pyeta.
-Dy javë nuk do largohem këndej, ka fushatë. -
Mbaruam dhe u ndamë. Hyra në dhomë e u shtriva turbull në shtrat.
Po mendoja shokun, pastaj - centaurin…
Në mëngjez hyn Kosovari:
-Ke filluar të pish pa klasën puntore...ç’qe ai poeti që pije pardje me të, ai Panua, a shoku-burg, si i flisje ! -
-Pse? - pyeta menjëherë.
-U arrestua…Mos të ka shkarë ndonjë fjalë!..- Mblodha supet e mbeta i ngrirë. - Mjafton kundër shtetit të mos flasësh, po s’ta kam frikën ! - Fjalët e fundit m’u dukën ngushëllim. U ngrita u vesha, hodha pak ujë syve e dolëm për një kafe. Po shihja tavolinën ku rrinim mbrëmë... M’u duk e qetë, e pafaj.
I kërkova dy orë leje përgjegjësit të magazinës. Më dha e u nisa për tek ndërmarja e shokut të mbrëmshëm, në Kantjerin e Prodhimit. E kërkova…më thanë se qe nisur në Tiranë!
Kali i centaurit po bënte udhë brënda kokës së rënduar. Nëndrejtori më njofton befas se babain e kisha ca sëmurë. I kërkova dy ditë leje pa pagesë. Më dha e dola te xhadeja.

Te dera e shtëpisë ula çantën e mbajta vesh. Heshtje e panjeri. Prita dhe pak…u dëgjua kolla e lodhur e tim eti. I rashë derës, doli gruaja. E pyeta për babain.
-E mbyti kolla; vjell vazhdimisht. Të kërkoi një ditë, pastaj s’ kërkoi më. -
-Kush është? - u dëgjua zëri i tij i qetë. Hyra brënda.
-Sot sikur nuk është dita e ardhjes! Kije mirë me këta! - foli im atë. I erdhi kolla përsëri. Bëri mundim ta mbante, u skuq i tëri; damarët në fytyrë iu frynë si t’i dilnin nga trupi, sytë iu lagën nga mundimi e dukej sikur kish qarë. Pushoi pak e ime shoqe e ktheu qetësisht për gjumë.
-Dritë ta bëftë, moj vajzë! Fisi është fis! - foli brënda vetes me urim perëndie për time shoqe.
-Doni një kafe, ta pini bashkë? - tha ajo.
-Bëni këtij, të ziut djalë e të ziut burrë ! - foli qetë ai; - po s’ke faj, mor bir! Është kohë e keqe për njerëzit e mirë. Që në shkollën turke para Pavarësisë na mësonin një vjershë: «ne se dender, ne be dender… », («s’ke faj ti e s’kam faj unë…»). Mbylli sytë e kujtoi më tej të kaluarën, si nga bota tjetër: «Kisha një mik në Gjinokastër, Papa Foti! Tek mbyllte sy e pyetëm për jetën e na u përgjegj: «Një ëndër: erdha, pashë, ika»! Hapi sytë e më pa drejtpërdrejt:
-U sollët keq me fetarët. U prishët vatrat, kisha e xhami. I tallët! Ç’ju bëri mekami i gjyshit tënd në fshat? Ia rënuat dhe eshtrat ia fyet! Në konakun e tij ai ngriti të parin Klub „Arbëria“... -
-Unë s’kam rëzuar asnjë faltore...-
-I shkreti Papa Foti, më qahej se e ngisnin nxënësit e tu...Të zë dhe gjynahu i të tjerëve, keni qënë bashkë! Zoti s’harron...-
-Po ata lart, me kaq mëkate, kur do t’i zerë? -
-Kohën ai lart e cakton vetë...- Ra zilja e derës. Hynë tre fëmijët. Më qafuan pastaj shkuan te gjyshi, njeri më të djathtë, tjetri më të mëngjër. Ai u hodhi ngadalë krahët, i afroi te vetja.
-Jeni dy krahët e mi...Ti - iu drejtua mbesës - je zemra ime mes këtyre të dyve. - I erdhi përsëri për të kollitur. Zëri i niste i trashë te gryka, pastaj duke u këputur i hollohej si i një fëmije. U qetësua e mbylli sytë. E lamë të flerë e shkuam në dhomën tjetër.
Djemtë hodhën çantat me inat mbi minder. I pashë në sy.
-Kot sa mësojmë - foli njeri i pikëlluar. - O ta lëmë shkollë, ose mos na kërkoni nota të mira! -
-Na i hanë notën hapur. Shokët që na kopjojnë detyrat marrin nota më të mira - shtoi tjetri. - Si nuk kanë turp kur shokët qeshin!.. -
-A ua keni thënë mësuesve ankesën? -
-Ia thamë mësueses së anglishtes, një Vorpsi, e ajo na kërcënoi: «nga babai e keni mësuar kryengritjen»?.. Kur do kthehesh ti !? -
Kish rënë muzgu. Llampa elektrike zbehu dritën.
-Do na i presin, ka mbi një muaj që s’e kemi paguar! - tha ime shoqe.-Duhet të rrimë o pa dritë, o pa bukë! Dje shita pakot e fundit të letrave që mblodha. Më vjen turp e nuk shes më! Blerësi lëshoi një fjalë: «Yt shoq po i shet dhe dorëshkrimet e poezive, kurse në to ka dhe ‘parti’ brënda!..»
Djemtë kishin vënë dorën te supet e nënës; vajza kish vënë faqen te gjuri im si të kërkonte të flinte. «Babai duhet vizituar» ! - fola unë.
Mora në telefon shokun e gjimnazit, Dr. Elezin. M’u përgjegj përzemërsisht, të veja kur të doja !

Në mëngjez para se të niseshin në shkollë djemtë po i binin pak minuta kitarës si për çlodhje. Vajza i binte një mandoline të vogël të shtëpisë së Pionerit.
-Shokët u janë larguar; u afroj muzikën, ta mbajnë shpirtin butë - foli ime shoqe. - I mëson mjeshtri Prodani. Pagesat i rregullova pjesë pjesë. Do ha më pak vetë...-
Djali kish unjur veshin mbi faqen e lëmuar të kitarës e po prekte butë telat. Fytyrën e kish të përskuqur e dukej më i bukur. Para se të zgjuante melodinë, rrinte i menduar mbi veglën dhe ngjante më i rritur. I binte një akordi - kitara mbushej me tinguj. Ai ulte më shumë veshin te gropëza e kitarës, thua aty do dëgjonte zërat e shokëve të larguar që qenë fshehur brënda!..Tingujt dilnin pa emër. I binte një teli tjetër, të kujtonte shokun tjetër! Pastaj të gjitha telave bashkë... Dhoma mbushej me zërat e tyre të humbur...
U nisën për në shkollë; unë u nisa nxituar për te shtëpia e Sazanit.
-Nuk është, por hyni! - më tha e shoqja. -
-Po e pres! - u përgjegja, dhe zura një vënd pas trotuarit. Zëri i saj qe i përzemërt.
Ai po vinte me biçikletë. Sa më pa, ndaloi me shkathtësi e më ftoi në shtëpi. Më tregoi ilaçet për fëmijën e sëmurë. Kërkova ta pinim kafen në klub.
Hyri brënda, e doli me ca libra në duar.
-Janë të shkrimtarëve nga Kosova, të mrekullueshme - tha. - Për të ardhur keq, që ne s’i njohim; aq më keq që shteti nuk çan kokën për to! - M’u ngroh zëmra nga fjalët e fundit.
-Mund t’i marr sonte me vete?! -
-Për ty i nxorra. - U ulëm në Klubin e Shkrimtarëve. - Ti pse erdhe jashtë ditëve të radhës? - pyeti.
-Kam të sëmurë dhe unë…Nisa dhe vjershën për «Çlirimin e Dytë», e kam porosi…- dhe i hapa fletën. Vuri buzën në gaz:
-Lere kur të çlirohet e plotë! - foli me të qeshur e ma largoi. Në kokë ndjeva një lehtësim të hollë. Centauri qe larguar. Shoku im qe delfini i bukur sipër dallgëve nën shi.
Tek dera u duk njeriu - «arkivol», shkrimtari për fëmijë. U afrua e na dha dorën i përzemërt. Nxorri shishen e fernetit dhe e nguli mbi tavolinë.
-Kur të ulesh në tavolinën e tjetrit, merr leje! - iu drejtua shoku.
-Erdha për këtë!- u përgjegj tjetri me sy nga unë.
-Kur të jetë vetëm; atë tani e kam ftuar unë. -
-Domethënë, të largohem?! -
-Si burrë i zgjuar që je...- Ai u ngrit duke buzëqeshur e doli.
-E njeh këtë ? - pyeti shoku.
-Pak, kohët e fundit. M’u afrua dhe s’gjeta fuqi ta largoja! -
-Piktorit i cili këto ditë u fut në burg, i doli dëshmitar...-

Te oborri takoj shkrimtarin ish boksier, mikun tim të këndshëm. Sa më pa, ulte kokën gëzueshëm e fërkonte pëllëmbët e duarve si nga një lajm i mirë! Më dhuroi librin “Përbindëshi” pastaj duke fërkuar më shumë pëllëmbët më tregoi historinë:
“Më trokasin te dera e shtëpisë tre njerëz. Sa e çela, “në emër të popullit jeni i arrestuar!” - thirri njëri e u afrua të më lidhte duart! Dy të tjerët rrinin të zymtë në gatishmëri. Bëra dy hapa pas i hutuar - ku i kisha parë?! U kujtova, në klubin e Lidhjes, si letrarë puntorë! “Zgjati duart, të mos përdorim dhunën!” vazhdoi i pari e futi duart në xhep të merrte zinxhirët! - Ç’kam bërë? - fola me gjysëm zëri dhe bashkova pëllëmbët përpara. Ndjeva mall t’i fërkoja dhe një herë pa m’i lidhur zinxhirët. U kujtova dhe iu luta: “Më falni pak, se kam lënë radion hapët”!..Tani e mbyllim ne atë, e ke te “Zëri i Amerikës”, tha i pari.
Dy të tjerët pas ia shkrepën të qeshurit. U çlirova, e u bëra gati t’i zija me shqelme! “Përbindëshi” thirri njëri e duke qeshur bënë pas.
“Eja të të qerasim”- thanë në fund.
Miku im tregonte e prapë fërkonte më fort duart, thua sa qe ndarë nga ngjarja.

Pasdite trokiti dera e hyri fqinjia (e martuar me një ish nxënësin tim të mirë nga Lunxhëria). Në duar mbante dy trungje të trashë druri.
-Nuk na i nxen soba jonë! - foli qetësisht e i uli poshtë. Ime shoqe deshi t’i kundërshtonte diçka, po heshti. Fqinja e përzemërt krijonte rast e u sillte fëmijëve ç’të mundëte.
Pas saj qe një vajzë; në fytyrë mbante një nënqeshje mirësie të pastër.
-E njeh? - foli fqinja, - i thashë që banoni këtu, e deshi t’ju takojë! - E pashë në sy - ajo qeshi më çiltër. Ish nxënësja Mira. Në qytetin ku isha mësues, kish ardhur si familje e dënuar antiparti nga i ati gazetar. Bashkë me vëllain qenë tepër të zgjuar e të mprehtë, por ua nxinin jetën!
Më përqafoi me dhimshuri.
-Nuk jua harroj, na keni mbrojtur kur na luftonin të gjithë...- E dëgjoja, pastaj fola qetë:
-Po tani, unë vetë jam...-
-E dimë - tha ajo - për këtë ju duam më shumë si familje. Me guximin që kishit ju doemos do dënoheshit; për ju qe e paracaktuar që do vinit nga ne!..-
Ime shoqe e mori përdore, e futi brënda.
Në fund të bisedës me kujtime fqinja na njoftoi, se kushëriri im i afërt e miku i tyre kish marrë shtëpi të re, e qe mirë t’i shkonim për urim! Mblodha supet meqë ai qe dhe në një lloj pune të ngritur rinie.
-Ti bëj tënden, kështu porosit dhe nxënësi yt! - përfundoi fqinja.
Me gruan menduam për dhuratën e vendosëm t’i çonim një vajzë të bukur portret, dhuruar nga miku im skulptor.
Udhës nxënësi përmëndëte kujtime nga gjimnazi...
Te hyrja ku shkonim, ime shoqe e kaloi dhe një herë lehtë dorën mbi fytyrën-skulpturë të vajzës së bukur si në ndarje me të, dhe priste hapjen e derës ku do ta dorëzonte. S’po ndihej asnjë lëvizje. I ramë përsëri ziles...përsëri heshtje. Pamë nga dritaret - njera prej tyre sapo e mbylli dritën! Nxënësi i foli në emër... u shua dhe drita e dhomës tjetër.
-Ikim! - fola unë dhe u nisa. Gruaja më ndoqi pas. Fqinjët i ranë dhe disa herë ziles, pastaj erdhën pas nesh. Ecnim në heshtje si në një udhë varrimi. Gruaja vështroi kot vajzën e skulpturës - fytyra në gips e saj qe e bardhë si e një të sëmuri që sapo kthehej në shtëpi nga spitali. Te shkallët nxitoi të hynte e para brënda.
-Prit - i fola - atë mos e fut brënda! Ajo s’është më jona, ka mortin në fytyrë; vdiq në përplasje mes kushërirësh! Po e mbajtëm, mynxyrën do na e kujtojë përjetë. -
Ia mora nga dora dhe e përplasa në cepin e ballkonit. U bë copë-copë. Gjysma u shpërnda brënda, shtrirë e thërmuar nëpër çimento, gjysma jashtë, në oborr. Hyra në dhomë. Harrova ç’duhet të bëja. Gruaja po vononte jashtë. «Mos ia vini re»! u tha fqinjëve ime shoqe. «Fajin e kemi ne» - foli nxënësi i pikëlluar.
Ime shoqe kish mbështetur faqen te parmaku i ballkonit dhe po shihte copëzat e thyera përdhe. Im atë doli ngadalë e i këputur nga dhoma:
-Ç’u bë? - pyeti me zë të lodhur duke parë rrotull.
-Më ra nga dora - u përgjegj ime shoqe me sy nga thërmijat e bardha.
-Dhe ky të kërkon llogari! - foli me sy të zemëruar nga unë. - Të të marrë të keqen, vajzë e babait! - dhe u afrua i lëmoi flokët.
Mblodha pjesët më të mëdha të thyera, u ula në karrike e i shtriva mbi gjunjë, thua po rikrijoja portretin! Bukuroshja e bardhë prej allçije nuk ngjitej më. E kisha vrarë. Mora një copëz të lëmuar e shihja se ku ia kisha dhënë prerjen. Një sy i vetëm më shihte me habi të turbullt. Mora një copëz tjetër - qe gjysma e buzës! Nuk kuptohej, qeshte a qante! Deshi të më fliste diçka, por i mungonte gjysma tjetër: ende te dera e kushëririt, ajo vazhdonte t’i thërriste atij nga poshtë që të hapte dritën, t’ia bënte të plotë dhe fytyrën e thyer…

Kunata infermiere erdhi me ambulancën për ta çuar tim et në spitalë. Ime shoqe nxori kostumin e këpucët. Infermierja po e vishte me shkathtësi për të mos i lënë kohë të mendohej.
-Ku më shpini ? - foli ai.
-Do bëhesh dhëndër! - ia ktheu me humor kunata e shkathët. Ai pa veten në pasqyrë, si t’i thoshte se nuk do shihej më me veten e tij!
Rrugës shihte jashtë. «Më presin Beluli e Latua...» pëshpëriti me vete për dy shokët e ngushtë të moshës.
U fut në dhomën e radiografisë. Infermierja e ime shoqe po e çvishnin me kujdes. Dhoma kish një ndriçim të kuq të zbehtë e njerëzit aty ngjanin si në një botë poshtë dheut.
S’e kisha parë kurrë aq të shkrirë trupin e atit tim - një skelet eshtërash lidhur hollë me njera tjetrën, gati në të rënë të gjitha bashkë. Lëkura e hollë në të verdhë qe gati e tejdukëshme. Kur kthehej që të hynte në aparatin e rezeve, trupi të kujtonte skeletet që rrotulloheshin në laboratorët e anatomisë. Aparati iu mbyll nga të dy anët. Im atë u zvogëlua. Drita u shua. Ai humbi i tëri. U dëgjua cizërima e rezeve. Aparati pushoi; llampa e kuqe u ndez; im atë erdhi përsëri...
Doktor Elezi e drejtoi për në analizat e tij. Dy gratë e mbanin për krahu. I lodhur e pafuqi, i hidhte këmbët si një fëmijë që mësohet të ecë...(mbaj mënd si fëmijë dikur, në oborrin tonë ai hidhte valle me burrat më me emër të fshatit: „Bej, kur luftoje me kordhë/, luftoje në Mesollonjë...“; secili valltar, duke u ndëruar me radhë në krye të valles, ngjante më bej se tjetri. Ata e hidhnin, unë e mërmërija në buzë i hutuar prej tyre!
Kur im atë qe në krye, vallja lëvizte më e bukur në sytë e mi. Im atë qe i ri e i pashëm, me rroba cohe prej mësuesi. Në rrethin madhështor të atyre burrave , ai, i ri, ngjante me një fidan hardhie mbështetur për lisi. Burrat me shajak vallen e hidhnin të rëndë, me zë të trashë si t’i thonin Musa Beut - mirë bëre që u vrave! dhe shaminë e dridhnin si një krah shqiponje mbi krye. Im atë kish një zë të mallëngjyeshëm si të hollë afër zërit të grave, thua edhe qante disi për të dhe shaminë e dridhte si krah pëllumbi! Ndërsa hapat në valle i fluturonte, thua ato i takonin më shumë ajrit se tokës.
E ndiqja me sy tim atë dhe më vinte të qaja për Musa Beun që qe vrarë diku, e që e thërriste dhe tim atë me vete!
Të tillë, të lehtë e fluturuese e hodhi vallen edhe në Vlorë, në dasmën time – “Mos pandeh se u harrove/, o lule Avni Rustemi”...Ime shoqe në vello të bardhë e ndiqte tërë adhurim me bisht syri, thua ajo po bëhej nuse hipur mbi vallen e tim eti si në cepin e një reje të bardhë)...
...-Mbahu mirë tek unë, Babush, afroma krahun! - i thirrte tani atij duke e çuar për analizë operacioni..!
-Ka ngushtim stomahu me mish të huaj! - më tha doktori; - vendos si të duash; po të isha unë me babain tim, do ta operoja. Veç në fiton, s’ke ç’humbet! -
Pas dy ditësh im atë rrinte i operuar në shtrat. Vajzat e tij i rrinin te koka. I lëmonin ballin, i merrnin dorën në duart e tyre...Herë herë frymëmarja i dëgjohej e ngjirur si e dalë nga një njeri tjetër brënda tij. Ato vështronin të pikëlluara shoqja shoqen.
Kosovari kish ardhur me punë në Tiranë, e dëshironte ta takonte tim atë. Shkuam me të në spitalë. E gjetëm me mikun e tij të herët fisnik, birin e Ismail Lesko Progonati. Im atë e kish kënduar vazhdimisht me zërin e vet të ëmbël këngën e tij “Vjen muzika duke qarë, bien një zabit të vrarë...” I biri tani, shokut të sëmurë i bënte bisedë me po atë zë të ëmbël të dhëmshur të tij, duke këmbyer pa kuptuar vëndin me shoku shokun. Biseda e tyre si të moçmet, lëvizte qetë në kufirin mes jetës e vdekjes duke pajtuar kohërat me njera tjetrën e duke e mirëkuptuar njeriun me fatin. Gjuha u qe afruar dhe më tepër kur edhe biri i atdhetarit rilindas djalin e vet oficer, shokun tim Lekën, e kish të dënuar rëndë në fonderi të Uzinës, vetëm se njihej me Gjeneralit “puçist” bashkëfshatar!
Hymë unë e Kosovari; shoku i tim eti ndënji dhe pak e na la vetëm.
-Të shkuara e mbahu! - foli me zë përtëritjeje shoku im. Babai dëgjoi qetësisht si para një shakaje:
-Mbahu thuaj atij! - dhe bëri shenjë nga unë.
-Ai mbahet, se është shumë i mirë! -
-Bela të jesh mirë kur je shumë i mirë! - Shoku im heshti duke e parë më me vëmëndje dhe po mendonte përgjigjen më tej. -
-Qëngji i urtë pi dy nëna! - vazhdoi humorin shoku im.
-Puna e ‘nënës’ sot sikur ka lëvizur nga vëndi, mor bir, s’të lënë të rrish pranë as me nënën tënde! Rrini burra me njeri tjetrin. Kosova është vëndi i parë ku lindin burra. Ne u këndojmë këngë! Ikni tani se po vjen doktori, dhe uratën! - I dha dorën nga nënmbulesa shokut dhe ra për gjumë...
Shoku im na ktheu te klubi jashtë.
-I fortë je që duron kaq shumë ! - foli si me veten e tij.
-Një dijetar yni i shquar ka thënë, fola unë, se të durosh kur s’ke ç’bën, do të thotë ta ruash veten për një kohë më të përshtatëshme. Unë duroj se vij nga vuajtjet. Që fëmijë, duke lënë pas shtëpinë e djegur nga lufta, u nisëm muhaxhirë me trastë në krah; shkollën fillore e bëra zbathur duke shitur me një kuti në qafë vogëlina pazari; më kthyen nga studimet jashtë e më mbyllën në një rreth me komitete partie të hekurta, për fat me popull të mirë. Sa erdha në Tiranë pranë shokëve, më thurën kurthin e më larguan. Fëmijët po m’i dhunon shkolla; ata janë dy trupa e një shpirt, e unë detyrohem t’i ndaj diku, t’u zvogëloj përndjekjet. Ata vetëm një herë janë ndarë prej shoshokut, në barkun e nënës: njëri u shkëput nga shoku për të dalë më parë në jetë, që të shihte si qe ajo, të njoftonte dhe vëllain e palindur. Tjetri pas, kur e pa që u vonua 15 minuta, u nis pas tij, t’i ndodhej afër në jetë për ç’të ndodhte!..-
Shoku vuri buzën në gaz. - Edhe këtë buzëqeshje fëmijësh ma vranë, kështu që dhe po të vdes, nga pak gjëra të lumtura do ndahem. Këtu e ka burimin durimi im... -
-Pse nuk i thua këto në mbledhje, njerëzit atje të duan! -
-Mjafton një shënjë nga lart, e pothuaj të gjithë të varrosin. Zërat e “shokëve”, klithmat e gishtërinjtë kundër meje i kam brënda gjakut tim. Kam kohë që unë flë me to! Po të bashkohen e të flasin që nga brënda meje, tek ecij udhës unë do të jem i tëri një ulërimë në lëvizje, një kambanë që thërret për vdekjen time. Në s’kam vdekur i tëri, kjo ngaqë kam ende vënd për të ngarkuar vuajtje, që të thërmohem vetë e të tmerroj dhe të tjerët si një kufomë e frikëshme. Për këtë më lënë kaq gjatë tek ju!..- Shoku uli buzët te kafeja e nuk foli.

Pas disa ditësh im atë doli nga spitali i përmirësuar e me një lloj humori, gjithësesi të lodhur. Shtëpia ndjeu orë gëzimi.
Të nesërmen ime shoqe po shkonte në shkollë me fëmijët rreth vetes; veshur pastër e bukur ata ngjanin me fëmijë zotnijsh. Këpucët e vogla u xixëllonin nga kadifeja që u shkonte e ëma. Çorapet e vajzës poshtë qenë prerë e qepur disa herë, kurse lart ngjanin si fletë zambaku rrotull kërmbëve të vogla. Nën sqetull e ëma u mbante fetat e bukës me djathë, gjalpë e vezë në mes, për ta ngrënë syçelur para shokëve.
Po hynin te kthesa e rrugës, e i ndiqja me sy. Time shoqeje i dallohej që nga larg palltoja kafe prej gëzofi; e ngrënë në supe e bërryle, ajo ngjante me zonjat e deklasuara pas Luftës. M’u kujtua vjersha bejte në librin e folklorit: “zonjave të kasabave/ u hoqmë mantot e grave/ peliçetë si kunadhe/, u dhamë kazmën e madhe” (ua komentoja nxënësve, pa e ditur se brënda asaj vjershe qe mbështjellur dhe gruaja ime)!..

-U gdhi, do ikij treni! - foli lehtë gruaja mbi kokën time.
-Tani fjetëm, gur u gdhi?! - u përgjigja unë pa i çelur sytë e u ktheva nga ana tjetër.
-Të jesh në rregull! - shtoi ajo e më vuri dorën lehtë te supi.
-Ç’dreqin ke që ngul këmbë, të ikij! - thirra unë nëpër gjumë. - Kam tërë natën...- dhe u mbulova më mirë.
-Ç’ka babi? - u dëgjua zëri i një fëmije.
-Shshshsht...kështu e ka kur niset! - pëshpëriti e ëma. Thirra fëmijët e ata m’u futën në gji. Gjumi s’më zinte më.
-Do ikij me makinë, në Sauk ...- fola të dëgjonte ajo. - Do vish dhe ti?! -
-Po unë, pse!?...-
U çova, u vesha, lidha çantën e u nisa. Bënte ftohët, mbështolla shallin në ikje, i pikëlluar i tëri. Trotuari i njohur e dyqanet bënin pas, thua po largoheshin përjetë nga unë.
Nga pas dëgjoj hapa të nxituara. Qe gruaja. Më arriti e më hodhi krahun. Pritnim kush t’i fliste njeri tjetrit.
-Mos ma vur re, fola unë, ti më kupton sa vuaj kur ikij! - Ajo heshti.
Kalonim para Universitetit.
-Të ishim dhe njëherë të rij! - fola ngadalë.
-Të ishim!- shtoi ajo.
-E mban mënd takimin e parë?! Në vallzimin e parë kishe një fustan me pika. „Moj nepërka pika-pika“ të pëshpërita te supi. Më duket se m’u afrove më shumë...-
-Për fantazi s’ta kaloj dot!...-
Kaloi një makinë e shoferi zgjati kokën.... „Ik”! i bëra shenjë, ka plot e mos na ndërpre..!
Vazhduam udhën me kujtime përkrah Varreve të Dëshmorëve. Te gardhi pranë të rënëve Tregëtia kish vënë reklamën: “Klientë të dashur, vizitoni lokalet tona! Do mbeteni të kënaqur”!..Nëna-Shqipëri rrinte monument me një degë dafine në dorë. Ajo degë s’i lëviz, as i këputet që t’i vejë dikujt mbi kokë. Dera pas së cilës flinin të rënët rrinte e hapur: dikush e di se ka shumë të tjerë, të harruar a të lënë jashtë që e kanë vëndin këtu!.. Në të vërtetë Statuja, si Nëna, e mban dafinën lart që ta shohin dhe ata që po rrinë të humbur. “Disa që sot po dënohen kot, e kanë prapë vëndin aty!..” i pëshpërita gruas. “Në na do, harroje këtë që the” - foli ajo.
Arritëm te agjensia. Udhëtarë me trasta, valixhe e hijore. Kalonte një makinë, turma turrej me thirrje drejt shoferit. Makina vazhdonte udhën, e ndjekur me të sharat e hallemëdhenjve.
Kalonte makina tjetër - i turreshin të tërë. Në bisht të tyre ecja dhe unë duke zgjatur me përtesë dorën së largu. Ime shoqe qeshte nga pas :
-Pse tallesh, e zgjat dorën kot në fund, sa për të thënë që u përpoqa, sikur ndërmarja po të ndjek me sy! - Një makinë më ndaloi te këmbët, thua më njihte. Iu luta të më mirrte.
-Prit pak! - foli ai pa më parë, dhe me letra udhëtimi në duar u nis te sporteli. Po prisja te dera e makinës. Më qaset një fshatar me zë lutjeje:
-Të lutem, shofer, gjer në Krrabë, aman se kam të sëmurë..! -
-Shoferi është njëtjetër; ky po lutet si ti, është shkrimtar! - i foli dikush në krah. Fshatari më pa me kureshtje, pastaj u drejtua qetë nga gruaja duke pëshpëritur si t’i shfajsohej asaj: «ku i njoh unë shkrimtarët»! Ime shoqe po qeshte me zemër. U kujtova se mbaja ende librezën e kuqe të publicistit. Hyra te sporteli, i thashë punonjësit se jam me detyrë si gazetar…dhe i tregova dokumentin. “Mirë, prit aty” ! ma bëri ai me sy.
-Je çmëndur! - më foli gruaja. S’i fola. Ndali një makinë tjetër e shoferi po afrohej. U turrën të gjithë rreth tij.
-Gazetari! - thirri punonjësi nga brënda, - ku është !? - Unë u afrova me lekë në dorë.
-Ç’gazetar është ky, ende s’e njihni?! - thirri dikush brënda turmës.- Ky është puntor si ne, bile më keq, është i dënuar dhe vagabond!..Thirra policinë po ia dhe atij biletën! - dhe mundohej të çante më përpara. Punonjësi u hutua. Turma më shihte në sy. “Dhe kjo na duhej”! foli e prerë me gjysëm zëri ime shoqe duke ndukur fshehur njerën faqe.
-Ky është dokument, dhe këtu nuk bëhen biografi -...thirra fort për të mbyllur gojët e të shmangia ndonjë ngatërresë më të keqe!
-Leri të ikin! - më foli lehtë ime shoqe dhe më tërhoqi nga dora. Dola. Ajo më hodhi krahun. Kish ngrirë e tëra. Ndënjëm pak te dera sa ajo mori frymë më qetë, pastaj u larguam në heshtje drejt shtëpisë.
-U pa puna, pasdite me tren! - fola unë duke u varur poshtë Monumentit të Dëshmorëve. Po ngjitej një Fiat i bukur. Ndala t’i zgjatja dorën. Gruaja më tërhoqi përkrahu gjatë udhës:
-Kujt ia shtrin dorën, veturave lluksoze? -
-E ke gabim, makinat janë si vajzat: nganjëherë djemtë nuk u drejtohen të bukurave nga ndrojtja se ato s’ta varin! Mirëpo shpesh buzën ta pëlcasin ato që s’kanë pamje, se s’u besohet në e ke megjithë mënd: “s’jam nga ato, unë, shko te motra tate!” ta përplasin! Kështu dhe makinat rangalle. Veturat shpesh të marrin për qejf, dhe për një copë muhabet udhës...-
-Nuk i di unë këto teori, se kujt i zgjatet dora...- foli ime shoqe.
Po vinte një makinë policie më të lartë. Gruaja u pre dhe po e shihte me bisht syri. U duk sikur do ndalonte; ne mbajtëm frymën. Ajo vazhdoi udhën. Gruaja më kërkoi librezën e gazetarit ta shihte; i grisi fletët e brendëshme, e futi thellë në çantë e po ecte e lehtësuar.

Te sheshi qendror në trotuar ecte shoku i ngushtë i fëminisë, Çobua, nipi i Gjeneralit nga fshati. Pilot i parë i mrekullueshëm i avionit të parë shtetëror. Për shkak të dajos qe pushuar nga puna, dhe priste arrestimin. Qe zbardhur krejt në flokë. I dola dukshëm; uli kokën e kaloi pa më folur. Ndjeva pikëllim e m’u trazuan kujtimet e vegjëlisë me të. Luanim në Shullë e Lumaqe me armët që kish lënë lufta, këmbenim një bombë të kuqe italiane me një mollë! Vareshim në humnerën e fshatit për një folè zogu e nga gjaku tek griseshim, këmbët e vogla na skuqnin si të thëllëzës...
Hyri në një shitore, dhe nxitova, e takova. U tkurr, po s’i lashë kohë të më largonte:
-Më ka marrë malli!..- Vuri buzën në gaz me pikëllim:
-Jemi vëllezër...Ik, të mos na vrasin me duart tona! -
-Të vrarë jemi! -
-Janë fëmijët!..- Heshti pak duke vështruar anash njerëzit; - për një gjë s’më zë gjumi: si mund të gënjehet kaq hapur! Si qënkemi gënjyer kaq verbër!? Gati po më vrasin e pres me orë arrestimin, se në avionin tim unë paskam dashur të vrisja Udhëheqësin, siç e shkruan në Buletin, por ai s’paska hipur asnjëherë tek unë! Unë e kam në fotografi, ma ke parë, që kemi fluturuar bashkë me të! Unë të vrisja për të!?..O Perëndi, ç’po fshihet pas e ç’po presim përpara! I shkreti popull! E shkreta, besa jonë e shkelur!..Mirupafshim! - foli në fund e u largua pa ma dhënë dorën!
Po e ndiqja me sy tek ecte si një baladë e ngrirë me flokë të bardhë, duke pritur në çdo kthesë kur do t’i ndalte te këmbët gazi i Sigurimit!
Ladi po shkonte në Kinostudio. Na pa, e u kthye. U ulëm te kafe Kursal. Më tregoi se mbrëmë qe grindur keq me Gjeneralin e krahinës. I kish folur me këmbëngulje, se mua më kishin bërë kurth! Ai s’e besonte, u nxeh dhe e nxori përjashta.
Trazuam bisedat. Pastaj më tregoi lajmin e ri të hidhur me një lloj humori: shkrimtarin boksier e arrestuan! Pa gdhirë mirë, i shkuan tre të Sigurimit në shtëpi dhe - Në Emër të Popullit..! Ai nëpër gjumë ua ktheu me të qeshur: “U tallët njëherë me mua, po ikni se do t’jua jap me një grusht më të fortë se të Kleit! - dhe grushtin ua nxori përpara. Dy të anës u afruan me duar te revolveri. I pari nxori hekurat. Tjetri i mbërtheu krahët e te nervi i bërrylit i nguli gishtat si dy maja hekuri. Shkrimtari hapi supin t’i qëllonte. Te dera u duk fytyra e kryetarit të këshillit. Shkrimtari ngriu: “e paskeni me gjithë mënd kësaj here”!? Ata vazhduan punën pa folur.
E vunë përpara e zbritën shkallët. Gazi jashtë ishte ndezur!

Pasdite u nisa për në stacionin e trenit.
-Mos më përcill! - i thashë gruas - me ty më prishet mëndja e kthehem prapë! -
Te sporteli i trenit dallova një nga të dënuarit që vinte në Elbasan. Ngadalësova këmbët sa të largohej ai. Në krah kaloi i dënuari tjetër. Ai u mënjanua vetë para se unë t’i hapja udhë. Vështrova pas, mes njerëzve dallova të dënuarin tjetër. Duhej ruajtur që të paktën të mos rrinim bashkë në një vagon. Nisa t’i numuroj...pastaj kujtova vagonat: të dënuarit qenë më shumë, e dy vetë do qenë pa tjetër bashkë! Treni që na shpinte në Çlirimin e Dytë të Shqipërisë qe mbushur me armiq të Shqipërisë!
Hyra në vagonin e parë. Qamili qe ulur në një kënd e bënte humor trapezi me fshatarët. Më pa, e pashë, dhe kaq. Qe dënuar për romanin „Kur qesh tërë qyteti“, ku nxihej realiteti! Ma dhuroi me fjalët: „bënim më shumë humor kur ishim partizanë në luftë se tani shkrimtarë në paqe“! E lavdërova në një shkrim. Pastaj erdhi shkrimi tjetër që na nxiu të dyve bashkë. „Pse më përvëlove“ - i thashë. „Pse më zbulove më shumë“ - ma ktheu...
Më këmbë karshi rrinte një vajzë. Poqëm sytë, ajo buzëqeshi lehtë. Ish nxënësja ime, Sallabanda. U takuam. Në fytyrën e hijëshme fisnike kish një pikëllim të fshehur. Qe vajza e një oficeri të lartë; me të bënim stërvitjen ushtarake si mësues. Na shtronte përpara harta me hije të rëndë lufte...pas shufrës së tij të hollë lëviznin gryka topash të egër drejtuar nga pushtuesit grekë në kufi...Vinte re që lufta s’na pëlqente shumë e donim të mbaronte ora...Ai buzëqeshte lehtë fisnikërisht...
E vizitoj në shtëpi sipas rregullit të shkollës, të bisedohej për fëmijët. Oficerin madhor me rroba të rrepta ushtarake e gjeta në shtëpi me pizhama të buta civile duke i rënë kitarës. Te gropëza e saj kumbonte një këngë e ëmbël korçare, tepër larg nga gjëmimet e artilerisë. Vajza dhe djali i tij, të hijshëm si të kishin dalë nga kitara, shihnin herë të atin, herë mua...
Tani edhe ai po gjykohej me puçistët si armik i vëndit të tij!
-Kam nderimin më të madh për prindët e tu! - fola unë. E bija vuri buzën në gaz, trazuar me ndrojtjen mos hapej më tej fjala për prindin e vet! Desha të shtoja, se nuk merret vesh kush e udhëhoqi Luftën!..por ajo s’e qaste atë bisedë. Zbriti në stacionin e afërt. Ktheu kokën dhe duke ikur e çliruar, buzëqeshi si nxënësja e largët.