Wednesday 20 August 2008

Dy tregime nga Ilir Levonja



Ismail liberatori

Përfundimisht, Ismaili e ndjeu se i kishte ardhur dita, ajo për të cilën qe frymëzuar nga ëndrrat dhe parashikimi për të arritur diku, duke u shfaqur në tërësinë e një heroi apo të një soji të tillë. U gatit për bukuri, duke u kundruar hera herës në të vetmen pasqyrë që kish në murin e dhomës, pranë derës, një pasqyrë trikëndore mbërthyer me gozhda, të cilën e kishin dhjerë mizat aq sa duhej të mbyllje një sy për të parë veten. Lidhi një rripëse të zezë rreth kokës, lëshoi kaçurrelat e zeza anash, aq sa shiriti i dukej vetëm në ballë kurse nga pas si një bisht fjongoje, kaloi kryq përpara dhe pas trupit dy gjerdanë me fishekë, vendosi një alamet rripi meshini në brez, nga ata të forcave të ndërhyrjes së shpejtë ku mbante pistoletën, thikën dhe disa granata dore. Me pantallona të shkurtra, me shumë xhepa, të cilët i mbushi edhe ato me krehëra fishekësh dhe paisje të tjera, duke i dhënë vetes portretin e një ramboje.
Në një skutë të mendjes së tij fekste një emër, të cilin ai e mbante mend qysh nga koha e fëmijërisë kur shkonte në qytet për të parë ndonjë film në kinemanë verore, të cilin dhe e shijonte për shkak të tingëllimit. Ishte emri, Liberator. Ai, nuk ia dinte kuptimin, po fakti që i pëlqente kur e thoshte, i kishte krijuar një bindje të atillë sa që medoemos ai emër, duhej të ishte diçka e fisme, diçka që të sjell fat sepse nuk kishte pse i shijonte aq shumë kur e thoshe. Po ngatërrohej keq kur përpiqej të kujtonte ngjizjen, shkakun se si i kish lindur pasioni pas atij emri. Sepse, paralelisht, i shfaqej edhe emri i asaj gruas italiane e cila u vra tek ura nga gjermanët, në filmin me titull ''E dashura ime, Libera''. Libera dhe Liberatori i dukeshin diçka e përafërt, megjithëatë, për të shuar kureshtjen, pyeti një nga mësuesit e fshatit dhe kur tjetri i kish shpjeguar me pak fjalë se, liberator do të thotë çlirimtar, ai ishte kënaqur shumë. Kjo që kishte ndodhur vite më parë e pati bërë punën, liberatori kishte ndjerë triumfin që një ditë do t'i fekste edhe atij, por ndodhi që i thanë se do ta martonin dhe ai e harroi fare atë impenjim. Një nga dajat e tij këmbënguli duke i mbushur mendjen të atit me arsyetimin se nëse e martonin, ai kishte për tu ndrequr e rregulluar edhe nga fiqiri.
-Dëgjomë mua ti, martesa është ilaçi më i mirë për kësi tipash, - i pati thënë ai.
-Mos marrim më qafë kot bijën e botës, Myrto. Djali im nuk është për tu martuar, - i tha babai i Ismailit, kunatit të vet.
-Hiç mos ki gajle, ke për të parë po nuk u kthye për së mbari.
-Ore, për së mbari vjen ai, po..., puna është se ikën prapë.
-Nusja ka për ta mbledhur, dëgjomë mua, gruaja është melhem në këto raste.
-Ashtu?
-Po, po.
-Mirë, më thuaj një rast që di ti, si ky?
Burra u mendua një hop të mirë, nuk po i kujtohej kush, megjithatë e kishte bindje se nëse Ismaili do të martohej me siguri që do të rregullohej.
-Po, ç'rëndësi ka, - tha ai entuziast. - Unë them se nusja ka për ta kthyer në rrugë të mbarë.
-Me të thënë, thua ti.
-Dëgjo vëllain, ka për tu ndrequr.
-Qoftë për mirë, atëhere, nuk kam se çfarë të them.
-Pastaj dhe ti ke nevojë për një nuse në shtëpi, mjaft bëre punët e gruas.
-Eh more Myrto, më mirë në varr se sa i ve. Po ta provosh do të më besosh.
-Të besoj, prandaj edhe përpiqem.
-Qoftë për hajër, ta dhash fjalën unë.
Dhe ashtu u bë, Ismaili u martua dhe erdhi në rrugë duke treguar një dashuri për gruan dhe fëmijët. Megjithëse në një moment, i shkau pak vetja nga dora, kur këmbënguli si mushka për ti venë emrin Liberator djait që i lindi pas vajzës.
-Po them të kishim ritur emrin e babait tim, Ismail, - kish thënë babai.
-Jo, edhe pikë, djalin tim e quajnë Liberator dhe pikë, - ia ktheu ai.
I ati, pa atë dalldinë e mëparshme në cepat e syve të tij, ndjeu shtrëngimin e nofullave dhe fërkimin e kotë të duarve, zakon i cili tregonte se në brendësinë e qënies së tij kishin filluar erërat. Mblidhte buzët dhe fshinte sytë kot më kot pastaj u kthehej sërish fërkimit të duarve me njëra-tjetrën, kërciste gishtat dhe shihte përqark i shpërqëndruar. I ati nuk e zgjati më, sepse e dinte se çfarë mund të ndodhte nga pas, kështu që u bë e Ismailit dhe djalin e quajtën Liberator.
Ca vite më pas, nusja e kishte kuptuar se me të shoqin e saj diçka nuk shkonte. Njerëzit lart e poshtë thoshin ndonjë fjalë dhe fakti që asaj nuk i kishin treguar i rëndonte si plumb. Megjithatë ngushëllonte veten me fëmijët dhe i përkushtohej atyre. U bind për këtë kur Ismaili filloj të shkonte shpesh në xhami dhe fliste në shtëpi me shprehje të atilla që të kujtonin librat e fesë. La mjekërr vuri dhe një kapele në kokë nga ato që mbajnë besimtarët muslimanë dhe zuri nga faljet, agjerimi dhe të tjera si këto.
-Baba.
-Po, moj nuse.
-Ka qenë i sëmurë Ismaili, më përpara? - e pyeti nusja.
Atij i erdhi si rrufe në ditë me diell. E pa me çudi dhe trëmbje sepse nuk po dinte se si t'i përgjigjej.
-Jo moj bijë, - ia ktheu me të butë ai, me shpresën se mos ajo e kishte fjalën për ndonjë sëmundje të natyrës së ftomës apo stomakut dhe jo atë të fiqirit.
-Tani njeriu edhe sëmuret moj nuse, sepse bëjmë jetë të vështirë. Ja ti nuk je sëmurur ndonjëherë? - i tha ai.
-E kam thafin për ato sëmundjet e tjera, - tha ajo duke tundur dorën tek tëmthi i kokës së saj pa përmendur mendjen me drojën që të mos lëndonte të vjehrrin.
-Jo, jo, asnjëherë.
-Po pse flasin njerëzia lart e poshtë.
-Sepse, askush nuk ta don të mirën.
-Kaq shumë besimtarë jeni ju si shtëpi, se Ismaili ngeli dyerve të xhamisë.
-Po moj bijë.
-Ai thotë që gjyshi im ka qenë imam.
-Gjyshi i tij ka qenë bujk, po edhe musliman i mirë. Shkonte rregullisht në xhami dhe ndihmonte me ato që kishte.
-Nuk e di, po kam shumë frikë.
-Jam unë këtu moj bijë.
-Ai, ngrihet natën dhe flet me veten.
-Po kushedi moj nuse, mbase ju kanë bërë ndonjë magji.
-Ashtu them unë.
-Shkoni gjëkundi për tu yshtur se ku i dihet.
-Të shkojmë thua.
-Ç'të keqe ka moj bijë, ekzsistojnë dhe këto gjëra dhe njerëzit kanë gjetur derman.
Dha e dha me durimin e saj, deri sa e ndjeu që jeta po i bëhej e padurueshme nga që lloj-lloj mendimesh të turbullta i mësynin kokën dhe mendja i shkonte gjithnjë për keq, mori fëmijët dhe i hipi furgonit për në fshatin e saj. Atë ditë Ismaili kishte shkuar me të atin në dasëm, tek një i afërm i tyre që martonte vajzën, e cila dhe ajo kishte një histori të vetën. Po martohej pas katër vjetësh dhe me dy fëmijë, pasi ishte rrëmbyer me djalin që donte, duke kundërshtuar vullnetin e të atit. Babai i saj dhe kushuriri i parë i babait të Ismailit, tani kish ndërruar mendje, sepse ishte sëmurë rëndë dhe nuk donte të vdiste pa e parë vajzën të veshur nuse, aq më tepër kur edhe dhëndrri thoshin që ishte burr i zoti. U çoi fjalë se i kishte falur dhe se ishin të mirëpritur në derën e babait, i cili për të ndrequr gjithçka, do të bënte edhe një dasëm që të mbahej mend.
Ismaili u bë keq dhe një e më dy shkonte në fshatin e nuses dhe i lutej të kthehej në shtëpi. Po, edhe më keq u bë i ati të cilit i ra damllaja në kokë, iu pre goja e iu lidhën këmbët deri sa ndërroi jetë pas plotë shtatë ditësh. Tamam atë ditë vdiq edhe kushëriri i tij, ai që posa kish bërë dasëm për vajzën e rrëmbyer, i varrosën njëri pas tjetrit në dy orë kohë midis, por pranë e pranë.
Nusja nuk dëgjonte të kthehej dhe një ditë i dha karar punës, iku në Greqi tek të vëllëzërit sepse nuk e shikonte dot të shoqin të katandisur në atë gjëndje dhe për më tepër i pikonte në shpirt kur ai përkedhelte fëmijët. Po siç edhe ndodh në këto raste, njerëzit pëshpërisnin se ajo kishte ikur me Artanin, policin e zonës pasi edhe ky kishte kohë që nuk po dukej andej. Madje ca thoshin se ai e kishte çuar në një shtëpi publike, ca të tjerë thoshin se ai jetonte me atë, të tjerë ngulnin këmbë se polici qe transferuar në qytet dhe nuk kishte pasur të bënte fare me gruan e Ismailit.
Kur erdhi në vete Ismali, dukej i qetë dhe gjithë ato që pëshpëriteshin përqark i dëgjonte me qetësi, madje nuk jepte e merrte shumë me njerëzit, vetëm se ndonjëherë kur përgjigjej, fliste me fjalë të përmbledhura në formën e sentencave filozofike e fetare.
-Po ke ndonjë haber nga fëmijët more Ismail? - e pyeti një ditë, fqinja e tij.
-Allahu i madh, - ia ktheu ai duke bashkuar duart dhe shikuar nga qielli, - i ka në kujdes,i qofsha fal atij sepse ai e din se çfarë bën.
-Po gruaja, ku ndodhet?
-Unë jam zog që kam kuvlinë time dhe për të di të flas. Se ku e ka ndërtuar dudia kuvlinë e saj unë nuk e di, po edhe me kuvlitë e botës punë nuk kam.
-Gruaja, nuk është punë e botës, Ismail, - i tha fqinja.
Ai u mendua për një hop pastaj krruajti mirë e mirë kaçurrelat. Nuk po e gjente përgjigjen. I vinte inat me veten. Nuk e mendoi kurrë se një ditë do të gjendej në ato kushte. I dukej sikur të gjithë flisnin vetëm për 'të. Ishin molepsur keq gjërat për tipin e tij, ikja e gruas në njërën anë dhe malli për fëmijët në anën tjetër. Herë kërciste dhëmbët nga inati që ishte turpëruar për faktin se gruaja ia kishte hedhur, herë shtrydhej si limoni nga malli për fëmijët.
-Nuk duket më as, Artani, - i tha gruaja.
Ismaili e kuptoi se ku rrihte ajo. Po Ismaili, nuk e besonte sepse Artani ishte i martuar dhe kish fëmijë.
-E për çfarë e dua unë Artanin?
-Po, ja të interesohej, të pyeste se atë kemi shefin e fshatit.
-Hëm.
-Po ai nuk po duket për vete.
-Ti, Mereme je grua e keqe.
-Ua Ismail dhe këtë më the.
-Po, po... Se ti më kujton për budalla mua. E di unë ku të rreh ty.
-Nuk ta ka me të keq, Meremja ty.
-Ti, me të keq ma ke. Se, që i thonë llafes, ma hedh si me terezi ti.
-Jo për kokë të kalamajve.
-Ti do të thuash që Dudia më la mua për Artanin.
-Jo, qafsha, kalamajt.
-Po, po.
-Për atë zot që jo.
-Mos e përmend zotin. Ymri të tretet si vesa dhe mishi të bëhet si plaçkë gardhi dhe ti vetë si dodrdolec për të trembur harabelat. Qesh ti qesh, po zoti zemërohet dhe kushedi se çfarë të bën pastaj.
Ai iku kokëvarur. Po, nga brënda e gërricte një dyshim. Mbase vërtetë gruaja kishte ikur me Artanin? Megjithatë, nuk u hap me asnjë njeri dhe qysh nga ai çast ata me uniformat e policisë ishin njerëzit më të urryer për 'të.
Kjo ishte me pak fjalë jeta e Ismailit deri mengjësin për të cilin po flasin, kur ai e ndjeu vetëm të çliruar më në fund nga të gjitha pandehmat dhe gërricjet e trurit, shtrëngoi në krah një kallashnikoll dhe zaire të tjera ushtarake, i bindur të të ndreqte shumë e shumë gjëra. Kishte përfituar nga rrëmuja dhe ishte futur me të tjerët në depot e një reparti ushtarak, pasi kishin përlarë gjithçka në portën e policisë, e cila nuk ishte asgjë tjetër po një barakë me mur tek dhe soletë të hollë betoni.
Puna e parë që bëri, pasi u shikua mirë e mirë, doli në rrugë dhe ndali furgonin e linjës me qytetin. Njerëzit u tmerruan por ai u bërtiti me sa kishte në kokë...
-Mos kini frikë... unë jam mbrojtësi i juaj. Qysh sot unë do t'ju mbrojë nga grabitjet e maskave. Unë jam liberatori juaj.
Rrinte në derën e hapur të furgonit duke u mbajtur me njërën dorë, kurse në krahun tjetër shtrëngonte kallashin me tytën lart nga qielli. Rrinte me një këmbë brenda dhe një jashtë dhe gjithsaherë ndalonte furgoni, ai drejtonte njerëzit dhe i thoshte shoferit të nisej. Këtë punë zuri ta bënte me një qejf të madh, deri duke ndërruar furgonët, për t'ju lënë njerëzve të kuptonin se ai ishte me të vërtetë mbrojtësi i tyre. Megjithëse me romuze e thumba, njerëzit u mësuan me realitetin e ri, nga njëra anë u bëhej qejfi që ai bënte atë punë, për faktin se ishin disi më të sigurtë nga maskat. Nuk kishte ditë që të mos dëgjonin për punë maskash në linja të ndryshme. Kur u kthye në darkë në shtëpi, Ismaili ndrinte shënd e verë, kishte mbrojtur njerëzit dhe kishte ndihmuar furgonët sa më s'bëhej. Ndjeu gëzim të madh dhe në përpjekje për të qetësuar shpirtin, ndjeu se e kish një uri të madhe, u kujtua se nuk kishte ngrënë gjithë ditën për shkak të pamundësisë. Kërkoi nëpër raftet e bufesë në aneks, po nuk gjeti asgjë të freskët. Aty ishin vetëm ca pako makaronash dhe ca konserva me mish të thatë, të cilat ai i kishte marrë në një nga kazermat e ushtrisë ditën kur turmat e njerëzve po plaçkisnin depot e ushtrisë. Ndezi bombolën e gazit, mbushi një tenxhere me ujë duke i hedhur kripë në të, pastaj priti deri sa uji vloi për të shtier makaronat. Hapi nja dy konserva dhe hëngri sa u dënd duke ndjerë dhimbje të forta në stomak, po gjithësesi gjumi e kapiti aq sa ai ia shtroi duke gërhitur nëpër ca botë fantazmazh e të çuditshme. Të nesërmen u gatit përsëri madje me një vrull tjetër dhe doli më herët në rrugë. Kësaj herë, furgonët nuk kishin nevojë që tu a bënte me dorë, shoferët ndalonin menjëherë dhe ai serioz rrinte në derë duke ndjerë afshin e erërave në fytyrë e nëpër flokë. Qe një ditë e bukur dhe dielli sapo kishte nxjerë kryet sipër maleve, kur ata u futën në qytet.
-Ndal... - i foli Ismaili shoferit.
Dhe sapo ky u bë gati të frenonte, Ismaili u hodh në trotuar duke vrapuar drejt tri policëve të cilët sapo dolën nga një kafe aty pari dhe po shkonin për në punë. Ata shtangën në vend dhe për fatin e keq të tyre ishin edhe të paarmatosur, pasi një udhëzim qeveritar i atyre ditëve, u kishte hequr të drejtën e armëmbajtjes. Ismailit i shkrepi në kokë që të tu bënte rreshtoren e mëngjesit, nisur edhe nga mllefet karshi uniformave të policisë, nga që thellë vetvetes kishte filluar të bindej se ishte pikërisht ai polici i zonës në fshatin e tij, i cili i kishte rrëmbyer gruan. Nga ana tjetër, seç i hipte një dalldi krenarie, kur bënte gjëra të tilla, aq sa i dukej vetja si një gaztor i zoti për sytë e kalimtarëve në rrugë. Policët iu bindën pa një e pa dy, bën gjithë çfarë u kërkoi ai..., rreshtore me hap prapa ktheu, zvarritje dhe ngjitje në pemët e gështenjave që ndodheshin në trotuar. Njërëzit u mblodhën si mizat dhe ndërsa Ismaili dirigjonte policët, ata gajaseshin së qeshuri. Në fund Ismaili u tha të ecnin në rresht pa kthyer kokat se përndryshe do t'ju a mbushte barkun me plumba.
Pastaj, nisi tu flas njerëzve me pasion politik, duke sharë qeveritarët dhe kryetarin e bashkisë, deputetët, duke i cilësuar si hajdutë dhe njerëz që s'e kishin mendjen tek hallet e popullit. Njerëzit qeshën sa qeshën, pastaj filluan të largohen një e nga një, deri sa Ismaili e kuptoi se po i fliste ajrit nga që kalimtarët nuk ia kishin më ngenë. Megjithatë i bindur se ajo pjesë e trotuarit në atë shëtitore, ishte kthyer në një tribunë për 'të. Nuk e kishte me qejf të largohej, po vetëm sillej e sillej nëpër trotuar duke shtrënguar kallashin dhe pa e ditur as vetë përse shikonte gjithnjë diku përpara në distancë, jo kalimtarin e afërt, po diku përpara, se mendonte që në sy të të tjerëve duhej të dukej vigjilent. Kur po brehej dita, ndjeu sërish uri dhe si me marifet u afrohet dritareve të byrektoreve dhe u thoshte të zotëve, që të mos kish frikë nga askush se i mbronte ai. Dhe kur ata i afronin ndonjë byrek ai në fillim sikur hezitonte pastaj e merrte.
-Allahu ju bekoftë punën tuaj. Allahu ju ruajt Sheqere. Sepse ti që ndihmon Ismailin, të dërguarin e Allahut, je fisnike si do vetë ai. Ismaili kokën do të lërë këtu tek pragu i dyqanit tënd po qe se vijnë maskat për t'ju grabitur, për kokë të kalamjve, kokën kam për të lënë.
-Mirë, mirë po hai tashti.
Në shëtitore, nga ana tjetër e rrugës ndaloi një furgon. Ismaili, me sytë ndezur i foli shoferit që aty.
-Skënder, pate ndonjë problem rrugës?
-Jo, Ismail.
-Shumë mirë. Tashti dëgjo, po që se të ndalon ndonjë maskë, u thuaj se kanë punë me mua. Se, ta dish, një fërshëllimë dhe jam aty, ku ta dojë nevoja.
-Po, fërshëllima sikur nuk dëgjohet kaq larg o Ismail.
-E dëgjon allahu lart dhe ai sinjalizon çentralin tim. Gjoksi më bëhet motorr dhe këmbët rrota. Për pesë minuta vij aty.
-Mirë, mirë mos kij merak.
-Ashtu djal, nisu tashti.
Ndërsa po hante byrekun me gjizë i mbështetur pas një ekualipti, i mbeti kafshata në gojë kur pa në distancë Artanin, i veshur civil që po kalonte në rrugë. Tjetri ecte në punë të vet dhe thëthinte një cigare me mendjen kushedi. Ismaili, iu kujtua gruaja me fëmijët, të qeshurat e saj, fytyra e djalit, çapitjet e vajzës nëpër shtëpi. Iu mbushën sytë me lot dhe në një grimë të çastit i vloi nga brenda një duhmë inati sa në çastin që Artani po i kalonte përbri, ai ngriti kallashin lart dhe zuria ta godasë nga pas në kokë me sa i hante krahu me kondakun e armës, duke e palosur tjetrin në vend.
Ata që ishin përreth u llaftarisën dhe për pak minuta trotuari dhe rruga u zbrazën krejt, aq sa në atë moment mund të mendoje se ishte ora dy e mesnatës dhe jo dy pasdreke.
-Ti që më rrëmbeve Dudinë, - i kanosej ai përsipër trupit, pa u shqetësuar aspak nga bllanja e gjakut që hapej përqark. - Ti që më shkretove shtëpinë. Dudinë ma more, folenë ma shkatërrove.
Pastaj iku duke bërtitur dhe shtënë ajrit me një mllef që nuk i zbriste e nuk i zbriste....
-Dudinë ma more, folenë ma shkatërrove...
Vonë nga mesnata, Ismaili po kotej në mendime. Shikonte portretin e babait me nënën dhe u buzëqeshte. Diçka kërciti përjashta, por ai nuk u druajt fare, mendoi se do ishte ndonjë zagar nëpër gjerdhishte. Rrinte shtrirë në gjysmë errësirë i rrethuar nga armatimet e tia. Kur befas, dera dhe kanatet e dritares u hapën me tërsëllimë dhe ai u gjënd në disa drita verbonjëse përsipër, ku midis tyre dalloi grykat e armëve.
-Çfare jeni, maska që po më grabisni?
-Jo, policia e shtetit, jeni i arrestuar.
-Pse ka shtet akoma?
E ngritën vringthi dhe ai kuptoi se nuk do ta kishte të lehtë, pasi menjëherë i hodhën përsipër një thes dhe mbasi i lidhën duart dhe këmbë, ndjeu ta godisnin ku ti hanin këmbët atyre.
-Po më rrihni, hë?
-Mbylle gojën.
-Burri nuk rrihet, burri vritet.
Kur u përmend, e gjeti veten të mbyllur në një dhomë të vogël e të ftohtë ku një rreze drite fekste nga një dritare si ato të kafazave të pëllumbave, tri pëllëmbë lart mbi kokën e tij. U përpoq të kthjellohej, po prapë e kishte të vështirë, ajo vala e triumfit që e kishte përfshirë qysh në momentin kur kishte vrarë Artanin, nuk i hiqej që nuk i hiqej. Preku trupin, kofshët, shpinën, shpatullat, kokën, të gjitha i dhembnin, dikur u kujtua se shikonte vetëm me njërin sy. U ngrit në këmbë dhe e ndjeu menjëherë se gjëndej brenda nje kthine që kishte formën e një fuçije, aq sa ai nuk hapte dot krahët, po i dukej vetja sikur ta kishin mbyllur në shishe. Në hekurin e dritares kishin lidhur një çarçaf dhe Ismaili e kuptoi mesazhin, po puna ishte se nuk po i pëlqente lartësia dhe ai nuk donte të lëngonte duke mos shtrirë dot këmbët. Qeshi me veten gëzueshëm sepse, e kish vënë në vend nderin e familjes, pastaj po me të njëjtin hov e kënaqësi, ia vloi murit me kokë deri sa i plasën trutë.


Qeni i armikut


Një diell i ngrohtë shtatori kish rënë gjithandej. Mbi avllitë e shtëpive, rëndonin veshulët e rrushit të pjekur. Selamiu, ishte ngritur herët dhe i kishte vënë zjarrin kazanit të parë për atë vit. Ndërsa zjente rakinë e re, pinte tek-tuk nga një gllënjkë, gjoja si për ta provuar. E dinte që, rakia lehonë t'i merrte mend shpejt, por ja që atij i pëlqente. Zjarri ishte bërë bubulak, aq sa flakë të mëdha kërcisnin gjithë tërsëllimë. Ai, largoi urat e ndezura, për shkak se currili i rakisë së re, sikur e kish marr me të nxituar. Pastaj, u ul në stolin prej druri mani dhe drodhi një cigare. Currili i kristaltë, u qetua. U kthjellua në trajtën e një filli peri, i cili shpërbëhej në rruzuj vocërrak në krye, tek gryka e shishes.
Dikur, ai ndjeu diçka të lëvizë gjerdhishtet e kallamave. Ktheu kokën, qeni i fqinjit doli sa kaq që andej, duke e shikuar me droje.
-Hë, erdhe të ankohesh për tymin që po bën zjarri im? - i tha ai.
Qeni, angulliu duke tundur nga pas bishtin e trashë. Ishte një kone e këndshme, me qime të kuqërremta, që i vareshin nga koka deri tek këmbët.
-Epo, unë nuk e urdhëroj dot tymin..., sepse, ai s'më pyet mua.
Nga shtëpia tjetër, u dëgjua zëri i gruas së fqinjit. Ajo po thërriste qenin, duke i shtirë mëngjesin në një gavetë alumini.
-Shko, se po të pa ajo që po llafosesh me mua, do të të ngordhi në dru, - i thoshte Selamiu.
Qeni, nuk luajti vendit. Angulliu lehtë, pastaj avazin e bishtit. Gruaja, e thirri sërish.
-Luli, Luli...
Selamiu, vuri syrin tek një birë mes kallamave. Gruaja, nuk e kishte hequr akoma këmishën e gjumit. I dukeshin qartë linjat e trupit dhe forma e mbathjeve, që i shtrëngonin kofshët. E gjithë hija e saj, dukej si një figurë brënda puplinit të hollë, të rrobdishambrit.
Qeni ia dha të lehurit. Gruaja e ndjeu se dy sy po e vështronin, andaj bëri sikur e stisi më mirë gavetën, pa u sikletosur fare.
-Hëm, - psherëtiu ai.
-Ham, ham..., - ia ktheu qeni dhe iku përmes birës së gardhit, në shtëpinë përmatanë.
-E di, e di, nuk jam i zoti, - u fjalos burri me vete. Po që në fakt, i drejtohej qenit. Sepse, mendonte sikur Luli, ia kishte pikasur qejfin.
-Po, në fund të fundit, nuk kam si t'ia them. Ajo rri zemëruar me mua, për shkak të të shoqit. Apo nuk e di ti këtë?! - tha Selamiu, gjithnjë në adresë të qenit. - Me njerëz të zemëruar, nuk flitet kollaj. Ta dish mirë këtë.
Gruaja, po u hidhte ujë meneksheve dhe trëndafilave, duke mbajtur veshët pipëz dhe sytë përdhe, ndërsa një e qeshur i rrinte në cep të buzëve. E vërteta ishte se, Selamiu i pëlqente për fizikun dhe tipin që kishte. Në fillim, nuk kishte dashur ta fuste veten në ngasje të tilla, por ja që nuk po i shmangej dot. Pastaj, donte të shtynte edhe kohën. I shoqi, sikur nuk ia kishte shumë ngenë, i qe vënë tregtisë dhe mendjen vetëm tek paratë e kishte. Më të shumtën e kohës, ajo e kalonte vetëm, sepse kish mbetur pa punë nga reformat. Ndërrmarrja e grumbullimit të drithërave, ku ajo kish punuar si magazinjere, ishte privatizuar. Djali i madh kish shkuar emigrant në Austri, ndërsa vajza, studente në Tiranë. Ishte sistemuar me punë në një agjensi biletash udhëtimi, e rrallë vinte në shtëpi, madje shpesh harronte edhe të telefonte. I shoqi, kish guxuar nga të parët, me një tavolinë të vogël, mbushte me gaz çakmakë, shiste paketa, ora dore, deri sa arriti të ngrejë një dyqan, në një qoshe pallati. Një ditë ajo vërejti se, të gjitha të mirat i kishte në shtëpi. Shkurt, asgjë nuk i mungonte nga ajo anë, vetëm se dita-ditës, po ndjente se asaj karabinaje i kish ikur gazi. Gjithçka brënda ishte muzeale, aq sa ajo kullohej pas telenovelave dhe ndonjë kafeje të zier fort. Me fqinjët, nuk fliste prej vitesh. Prishur për gjëra kot fare, të natyrës provinciale. Zënka sa për të mbajtur kokën mënjanë. Mendonte se gratë e rrugicës nuk e kishin klasin e saj. Shumë prej tyre e shikon atë si një kërcënim, nga që ishte e bukur. Asaj aq i bënte, mendonte se ashtu fitonte klas dhe sido që të ishte, i pëlqente të kishte distancë me ato.
Para dy vjetësh, me këmbënguljen e saj, i shoqi porosit të birin, që t'i sillte një qen të madh. Ajo, harboi nga gëzimi. I stisi një vend në një nga qoshet e korridorit, duke i qepur me dorë një shilte, me emrin e tij Gof. Qeni, i cili nga pamja ishte me të vërtetë i frikshëm, qëlloi i një natyre jo miqësore. Sa herë që ajo e nxirrte në oborr, ai i hungërinte fqinjëve.
-E more vesh, moj..., Myneveri, e futi qenin në shtëpi. - i tha Liria, gruaja e Selamiut fqinjës tjetër, përmatanë rrugës, Xhevos.
-Epo, është evropiane ajo, jo si ne, gra të prapambetura. - ia ktheu ajo.
-Pale, u thotë njerëzve se qeni ka edhe pashaportë?! - tha Liria.
-Çfarë thua moj kështu ? - u habit Xhevoja.
-Hë, hë, është qen me pashaportë, - këmbënguli gruaja e Selamiut.
-Gjithfarësoj po na dëgjojnë veshët, - ia priti tjetra.
Gofi, nuk linte as Selamiun rehat, i hunguronte nga pas gardhit sa herë që e shikonte. Kështu, dita-ditës, burri e kishte me siklet të dilte në kopsht për të punuar pemët dhe hardhitë. Myneveri kënaqej me bishën e saj të zezë, e cila ishte gati të thyente kallamat nga çasti në çast, e ta bënte copa Selamiun.
-Hej, Zot..., më mbaj duart, - i pëshpëriste ai vetes. Ndërsa veshët i mbante përpjetë më keq se Gofi i Myneverit, sytë tinëz nga ai, duke djersitur duart tek bishti i belit. Qeni sillej gjithë tërsëllimë nëpër oborr dhe nganjëherë, i hidhej së zonjës në shpinë, duke i lëpirë qafën e bardhë, aq sa ajo shkulej gazit nga gudulisjet. Qysh atëherë, për të filluan të fliteshin edhe fjalë të dyshimta, thoshin se ajo bën lojra të cuditshme me qenin në shtëpi.
Një ditë, Gofi i zi u zhduk krejt papritur, humbi si me magji. Njerëzit thoshin se kishte vrarë Selamiu dhe e kish groposur kaq thellë, sa kurrë e zonja nuk kishte për ta gjetur. Nisur nga këto llafe, por edhe nga qejfmbetjet ndër vite, Naimi, i shoqi i Myneverit shkoi e trokiti gjithë mllef në derë fqinjit. U shanë e u kacafytën nëpër oborr, aq sa u bënë gazi i botës. Myneveri, u pendua keq kur e pa të shoqin me nofullat gjithë gjak, por ishte tepër vonë. Naimi, vinte imcak dhe nuk mund ta vinte dot poshtë Selamiun. Fqinjët menduan se Myneveri vuri mend pas kësaj. Por nuk ndodhi ashtu. Naimi i solli asaj një tjetër qen, Lulin. Një kone të vogël, mashkull që hodhi shtat dita-ditës dhe që ndryshonte shumë nga Gofi. Luli ishte dashamir me njerëzit e rrugës. Madje, si për inat të Naimit dhe Myneverit, shkonte pas Selamiut. Sapo ndjente erën e tij, kur dilte nga shtëpia dhe i drejtohej kopshtit me belin në krah, ngrihej vringthi nga shilteja në qoshe dhe ia mbathte përjashta me të katra. Myneveri, çirrej nga të thirrurat, por më kot. Luli i argalisej Selamiut nëpër këmbë, ndërsa ajo i përgjonte pas perdes. Ata rrokulliseshin nëpër bar, pastaj ndiqnin njëri-tjetrin. Myneverit, i vinte plasje. Lëshonte perden për pak, pastaj ndërronte mendje. Nga aty, kopshti i Selamiut i ngjante një lëndine. Fqinji, i kishte pemët dy e nga dy. Pastaj, një kordon hardhish rreth e qark, me rrush shesh i zi, e shesh i bardhë. Kishte trashëguar zanatin e të atit, kopshtar e pemshtar. Ishte lidhur me disa dyqane të qytetit, kurse rakinë ia merrte nje kafene në periferi. Nuk dilte keq, madje kënaqej shumë me atë punë.
Atij mëngjesi, provonte një gaz përbrenda. Rrushin e kishte të mbarë dhe rakia po dilte e pastër. Përqark, kish kapluar një qetësi ku zukatja e grerzave pas bërsive dhe luleve, dukej se ishte më e potershme nga çduhej. Myneveri kaloi aty pranë gardhit, seç kërkonte rrëzëve të kallamave. Burri, u përtyp, pastaj gëlltiti thellë një ofshamë. Një nerv i drodhi vetullën e djathtë. Ajo i kishte kthyer kurrizin. Drita e diellit ia kish vizatuar kaq bukur hijet e trupit, brenda rrobdishambrit, sa atij iu zu fryma.
''Ndofta, do që t'i flasë, po..., nuk i flas''. - foli ai me veten.
Gruaja shkoi tek gryka e pusit, hodhi brënda kovën duke duke rrotulluar me shkathtësi çikrikun e litarit, pastaj bëri të kundërtën duke e ngritur lart. I hodhi një kovë ujë këmbëve për tu freskuar.
''Nuk të flas, jo. Po ta bëj një gjë të tillë, ime shoqe do të tërbohej. Po shyqyr, që s'është në shtëpi''.
Myneveri, nxorri një kovë tjetër. Freskoi fytyrën e saj të bukur me ujë të bollshëm. I hodhi flokët e gjatë pas. Nga pakujdesia, njomi cepat e rrobdishambrit, aq sa coha e hollë iu ngjit pas kofshëve. Burri, futi dorën në mes të shalëve. Diçka e ngrohtë i drodhi trupin. Po, atje tej, një mace e bardhë kaloi nëpër bordurin e avllisë që rrethonte oborret e shtëpive nga krahu i rrugës. Ajo bëri sikur u tremb. Luli i vërsul me të lehura. Macja nuk e prishi fare qejfin, rrëmoi nëpër gjethet e hardhive, pastaj zbriti poshtë, nga ana e rrugës. Selamiun e kishte kapur një memecllëk dhe ashtu i shastisur shikonte Myneverin.
Gruaja po fjalosej me qenin.
-Ua, sa qenkam lagur. Po shkoj të ndërrohem. - tha ajo.
Qeni e ndoqi nga pas. Ajo ndali për pak tek shkallët e verandës dhe ktheu kokën nga Selamiu. Vështrimet e tyre u ndeshën, si të thuash, si për ta zënë gafil njëri-tjetrin. Ajo tërhoqi qenin brenda, ndërsa Selamiu mbeti gojë hapur.
''Hëm, do që t'i shkoj atje''. - psherëtiu.
U mendua. Një çunak fërshëllente nga rruga. Dielli ishte ngritur edhe më. Zjarri digjej qetësisht dhe rakia rridhte në fije të perit, e argjendë.
Pas nja dhjetë minutash, erdhi qeni me një shuk të mëndafsht në gojë, duke ia lëshuar atij tek këmbët. Pastaj, zuri t'i sillej nëpër këmbë, duke i lehur fort. Të mbathurat e mëndafshta, ishin ngacmuese, me pala të lehta tyli.
-Hëm, këtë nuk mund ta bëj, jo, jo. - i foli ai qenit. - Edhe pse ajo është shumë e bukur. Edhe pse, gruaja e armikut tim.
-Ham, ham, - lehu qeni.
-Kam sedër unë, kam moral, - tha ai duke shikur nga dera e shtëpisë së fqinjit.
Perdja e rëndë e dritares, u lëshua atje matanë. Myneveri, e ndjeu se e kishte tepruar. Ndofta, fqinji nuk e pëlqente. Ndaj e quajti të udhës ta harronte. Mirëpo, një mendim se i duhej të shfaqësohej përpara tij, e tundoi kaq beftësisht, sa ajo provoi një panik të çuditshëm. I bëhej, sikur Selamiu do të shkonte mbasdite nga pazari, e do tu thoshte burrave. Kështuqë, iu duk më e udhës të dilte, e të përpiqej të sqarohej me fqinjin.
Burri, mbante me majën e gishtërinjëve një gotë të vockël qelqi me raki. Myneveri, u afrua portës prej llamarinash të ndryshkura, e cila kishte vite pa u hapur. Selamiu shtangu, ktheu gotën me fund, ndërsa gruaja këputi telin e rezes me një palë darë të mëdha. Burri, shkoi i zuri rrugën me nxitim për tu mbrojtur. E kapi nga duart dhe e tundi fort... Gruaja, në vend që të klithte, iu ngjesh atij pas gjoksit të lagur nga djersët. Ai e mori prej krahu, duke shikuar përqark, pastaj e tërhoqi brenda barakës në fund të kopshtit, aty ku mbante zairet e shtëpisë. E vendosi atë hopa, mbi tavolinën e vjetër të veglave, pastaj i hapi shalët, e filloi të zbërthej kopsat e pantallonave. Myneveri vuri dorën mbi sy, ndërsa burri e shtrëngonte fort nën vete, ashtu siç e kish dëshiruar edhe ajo. Selamiu, nuk po dinte se çfarë të bënte më. Kraharori i saj ishte i gjerë, gusha e bardhë dhe mollzat e faqeve të pjekura nga dielli. Sytë i kishte kaq të kthjellët, sa atij i dukej sikur ishin prej loti. E puthi fort në buzë, pastaj u ngrit përnjëherë. Ngriti baluket përpjetë, mbërtheu pantallonat, pastaj kontrolloi oborrin e shtëpise. Luli qëndronte tek pragu i derës dhe u lehte me inat, nganjëherë ndukte Selamiun nga këmbëza e pantallonave. Zjarri i rakisë kërciste atje matanë, ndërsa grerëzat pluskonin akoma nëpër lulet e meneksheve.
-Nuk duhej ta kishim bërë, - i tha ai.
Myneveri, ishte ngritur dhe po rregullonte flokun e gjatë e të rëndë. I mblodhi pas koke pastaj, futi dorën nga pas duke hedhur një cullufe në supin e djathtë.
-Ti je fqinja ime, kemi fëmijë, familje..., - vazhdoi ai.
Gruaja e kapi nga gusha me majën e gishtave. Ai u shmang syve të saj. Ajo u zgjat dhe e puthi në faqe.
-Kjo që ndodhi është një sekret, mes meje dhe teje, - i tha ajo dhe vrapoi nga shtëpia e vet, duke marrë ndër duar konen e vogël, që ende nuk ishte qetësuar.
Selamiu iu afrua zjarrit të rakisë dhe u bë gati të ndërronte kazanin. Gjithë ditën e ditës, zemra i rrahu fort dhe mendja i rrinte tek e shoqja. Pastaj, i dha karar punës me nja dy gota të tjera, deri sa e kaploi një gjumë dreke pa ëndrra.
E shoqja e Selamiut, Liria dhe vajzat erdhën në tu errur. Ishin në fshat, tek vëllezërit e saj. Vajzave u pëlqente fshati, atje kishte edhe lumë. Ai, thuajse kishte përfunduar zjerjen për atë ditë. Të nesërmen i duhej të vilte pjesën tjetër të rrushit, ta shtypte e ta fuste nëpër kadet' e fermentimit. Gruaja dhe vajzat i kishin premtuar se do ta ndihmonin, por kur mendonte atë që kish ndodhur, i vinte turp, nuk e dinte akoma nëse do të kishte kurajon për t'i parë në sy. Mbrëmja po freskohej qetësisht. Nëpër gjethet e pemëve kish nisur të loste një fllad i lagësht.
Nga shtëpia e fqinjit u dëgjuan disa zhurma të çuditshme. Ai mbajti frymën thellë, Naimi po i bërrtiste Myneverit me sa kishte në kokë. Pastaj diçka u thye, qeni rrinte tek dera dhe shikonte brenda i tensionuar. E shoqja dhe vajzat u dhanë tek pragu. Ai vazhdoi punën, megjithëse nga andej të bërrtiturat e zhurmat sa vinin e shtoheshin.
-Po këta, çfarë kanë? - e pyeti e shoqja.
-E nga ta di unë moj grua, - tha ai kokëulur, duke u hedhur ujë kazanëve.
-Mbarove?
-Po.
-Eja të hash darkë, se me sa pashë unë, nuk kishe ngrënë asgjë gjithë ditën.
-Do vi, do vi.
-E ke për gjynah t'i shërbesh vetes ti. Një kokërr vezë nuk e skuq dot.
-Po jo moj, jo.
-Mezallah se e njom gojën po nuk ta vuri kush pjatën përpara, vetëm te rakia nuk do shërbyes ti.
-Shko ti, shko, se erdha unë.
Dalngadalë, ajo që po ndodhte në shtëpinë e fqinjit erdhi duke pushuar. Naimi nuk po shante, e bërrtiste më. Qeni, hyri brënda dhe drita e jashtëme u fik.
''T'i ketë thënë vallë ajo? Nuk e besoj. Ndofta dikush na ka parë''. - mendoi ai.
U ul në minderin e verandës, ndezi një cigare me gjithëfarsoj mendimesh të turbullta në kokë, duke ndjerë për herë të parë turp nga vetvetja. Gruaja i tha nga brënda se darka ishte gati dhe se ato të tria, po prisnin atë. Ai u ngrit i dërrmuar, u ul në tavolinë midis vajzave dhe hëngri pa e ngritur kokën fare. Gruaja dhe vajzat po qeshnin pas humorit në televizor, ndërsa ai, kapërcente lugët një e nga një.
-Po dal përjashta, këtu bën vapë, - tha ai.
-Si të duash, - i tha e shoqja.
-Babi...
Ai ndali hapin. Gjysmë tinëzisht pa nga e bija.
-Po, xhan..
-Nesër do të ndihmojë edhe unë me Elonën.
-Mirë, zemër..
Kur ai ishte larguar, vajzat u panë ndër sy.
-Ua, babi na tha xhan e zemër, - tha vajza e madhe Anila.
-Vërtetë, ashtu tha. - ia priti tjetra, Elona.
Ato kishin mbaruar prej kohësh gjimnazin. Kishin mbetur pa punë. Ishin në një moshë madhore, ndaj ai u habit se si e shqiptoi fjalën ''xhan''. Vetëm nga që përpiqej të ishte i kujdesshëm, bëhej nervoz. Përjashta, pluskonte një natë e këndshme. Ai, hodhi supeve një xhaketë, pastaj u ul të mendohej në minderin e verandës. Fakti që ia kishte hedhur aq lehtë, pasi gruaja dhe vajzat nuk nuhatën gjë, e kish mbushur më një ndjenjë gazi. Aty për aty, pas gjithë asaj aventure, pas gjithë atij sikleti, ai vërejti se sa e bukur ishte jeta kur gjërat shkonin vaj.
Një grimë më vonë, atje tek qoshja e gardhit diçka lëvizi kallamat. Ai ndjeu afrimin e qenit të fqinjit, i cili iu hodh në prehër, duke mbajtur në gojë një lule menekshe. Ky ishte një mesazh i guximshëm, që i dha mundësinë të kuptojë se andej gjithçka ishte qetësuar. E fsheu lulen në xhepin e xhaketës, pastaj i tha qenit me zë të ulët.
-Ik, ik andej.
U ngrit përnjëherë dhe doli në oborr, duke lëshuar qenin për tokë.
-Shko, në shtëpi, ik, - i thoshte ai me zë të ulët, duke shikuar gjithë frikë nga dera e shtëpisë së tij. Pastaj u kujtua për lulen. Kërkoi xhepat me nxitim deri sa e gjeti dhe e vërviti matanë gardhit.
-Shko, të thashë, - iu hakërrua ai kafshës.
Qeni, iu lajkatua nja dy-tri herë nga këmbët, pastaj iku nga kish ardhur. Ai mori frymë thellë. Pastaj, u përpoq të mblidhte veten, sepse në fund të fundit, qeni hynte e dilte prej kohësh në shtëpinë e tyre. U mblodh kruspull në krye të shkallëve, ndezi një cigare dhe i tha vetes nëpër të.
-Tashti, e ke edhe ti një dashnore, o Selami.
Të nesërmen, herët, ia nisi punës me gëzim të madh. Bënte humor me vajzat e gruan, duke i lënë ato pa gojë nga habia, pasi tipi i tij rrallë qelllonte e të qeshte. Megjithatë, hera-herës, sy e vesh andej nga shtëpia e fqinjit. Myneveri, nuk po dukej gjëkundi. Përpiqej ta mbante mendjen top, po prapë diçka e ngacmonte përbrenda. Dikur kërciti dera kryesore dhe atij i rrahu zemra fort. Po në vend të asaj, doli ai, Naimi. I hodhi qenit për të ngrënë, pastaj vaditi lulet shpejt e shpejtë.
''Ku, të ketë shkuar ajo?'', pyeti ai veten. Pastaj priti, ndofta, që thellë brenda tij, bëhej ndonjë zë i gjallë. Asgjë, asnjë jehonë nuk pipëtiu. Vetëm se zhurma monotone e mëhallës, pluskonte nëpër nervat e tia të tendosura. Dikur, një bori makine u ndje tek porta e shtëpisë matanë. Ai pa Naimin që doli me të nxituar, duke e shikuar gjithë inat.
''Po, ajo?'', pyeti ai sërish veten. Kështu, pak e nga pak, humori i tij u tret dhe ai, u bë i mëparshmi, njeriu hijerëndë i familjes. Gruaja dhe vajzat, vazhduan ta ndihmonin, megjithëse jo me të njëjtën dëshirë.
-Nëse u lodhët, lëreni, se e përfundoj edhe vetë, - i tha ai gruas.
-Jo, jo. Nuk jemi lodhur, - i tha e shoqja.
-Lëreni, lëreni, - këmbënguli ai.
-Po, pse ta lëm? - iu kthye gruaja.
-Sepse dua unë, - ngriti zërin ai.
Ajo pa një nervozizëm tek ai. Pastaj, i tha vajzave që ta ndiqnin pas. Selamiu mori frymë i lehtësuar. E ndjente veten më të sigurtë pa praninë e tyre. Më mirë ashtu me punën, se sa me ato. Ndofta ajo çoroditje e pakuptimtë, që e kish kapluar të tërin, nga zhdukja misterioze e Myneverit, tani do t'i shpërndahej. Prania e gruas dhe e vajzave, sikur ia mbanin atë makth, sepse i druhej ndonjë gafe. Punoi gjithë ditën, i vetëm e me aq inat, sa në mbrëmje jo që e voli pjesën e mbetur, por e shtypi dhe e futi nëpër butet e boshatisur për tu fermentuar. Megjithatë, Myneverin, nuk e pa gjëkundi.
Ditët pasonin njëra-tjetrën dhe ai, gati po lajthiste. Ku nuk i shkonte mendja, kështu që netët i kalonte me një sy hapur e tjetrin mbyllur, situata ishte tamam si ajo kur humbi Gofi. Mbase Naimi, ngrihej natën dhe e godiste në befasi. Ndofta, paguante ndonjë që ta vriste, atje në rrugë. Ai kishte para, sepse ishte tregtar. Pastaj ruante dhe inatet e fëmijërisë, ai asnjëherë nuk e kishte mundur Selamiun, madje edhe kur ishte stërvitur për disa javë. Atëherë, kishin organizuar dhe një takim boksimi në mal me të gjithë çunat e lagjes. Aty do të vendosej se kush ishte më i forti dhe ajo punë merrte fund një herë e përgjithmonë, pasi edhe ashtu me rrokje e ndeshje të çastit nuk shtyhej më.
Dy djemtë fqinjë, i bënin planet fshehtas syve të familjeve. Stërviteshin me shtanga të ndryshkura nga ato të vagonave në fabrikën e tullave, orë e pa orë, kur i u jepej mundësia, gjithnjë duke u shmangur pikëpjekjeve me njëri-tjetrin. Edhe në oborrin e shkollës i largoheshin syve dhe përballjes së tyre, ndërsa të tjerët e dinin mirë që ata do të ndesheshin shumë shpejt lart në mal. Naimi bleu edhe një rrip mesi me kursimet që kishte në kasën drurit, nga një ngritës peshash, duke u përpjekur ti jepte formë trekendshi trupit të tij. Mbushi me rërë një thes kërpi, të cilin e vari me litar në një degë fiku, duke e boksuar fortë e më fortë. Ndërsa Selamiu, darkave, pa u ndjerë fare i avitej këndit të ushtrimeve fizike në fushën sportive të gjimnazit,bënte më shume ushtrime në hekurat e paraleve dhe vrapime rreth fushës së minifutbollit. Takimi në mal i ngjante një arene boksi të vërtetë. U mblodhën rreth nja tridhjetë djem nga të lagjes dhe gjimnazit. Vajzat, nuk mund të ngjiteshin lart, megjithëse disa prej tyre e dëshironin një gjë të tillë. Ishte pasidete e kthjellët marsi, me një diell të butë që rrezatonte mbi barin e njomë, duke i dhënë një kthjelltësi prej qelqi ajrit përqark. Diku fishkëlleu një mëllenjë e vonuar, pastaj nëpër kurorat e ullinjëve pushoi sërish ajo qetësia mistike e malit. Poshtë qyteti dukej si në pëllëmbë të dorës, ndërsa një gumëzhitje zhurmash sa vinte e tretej në hapësirat e fushës përtej, deri në det.
Rregullat e takimit ishin të qarta për të gjithë. Askush nuk duhej të vinte baste, sepse ai ishte një takim nderi. Askush nuk duhej të bënte tifozllëk, gjithsejcili duhej vetëm si deshmitar. Kishte vetëm një gjyqtar, një nga djemtë më seriozë të maturës, ai quhej Dritan. Kur Selamiu me Naimin dolën në shesh, gjysmë të zhveshur, ai u kërkoi atyre të premtonin përpara të gjithëve, se nuk do të rrinin të zemëruar me njëri-tjetrin si do që të mbaronte ai takim. Dhe ata thanë një zëri, ''po''. Krisën grushtat. Selamiu u zu në befasi, sepse sapo i hodhi dorën duke përfituar nga gjatësia, Naimi i ngjeshi me kokë në fytyrë dhe me grushte në bark. Atij iu errët sytë, ra përtokë, pastaj e kuptoi që nuk do ta kishte aq të lehtë. Mblodhi forcat dhe u përpoq të reagonte menjëherë, megjithëse, akoma nuk i kishte ardhur shikimi. Kishte përpara një siluetë të shkathët dhe të pakapshme. Vetëm sytë e kthjellët të Naimit, dukeshin qartë. Një urrejtje e madhe, vlonte brënda tyre.
-Ngrehu, në ta mbajti...- bërtiste ai.
-Tani, o vdeks, - ia ktheu Selamiu dhe e goditi fortë me shqelm nga këmbët, duke e rrëzuar tjetrin si kallam përdhe.
Grushtet zgjatën për minuta të tëra, sa vetëm fal rezistencës dhe fizikut, Selamiu mundi ta vinte poshtë Naimin. Në fund ata u ndanë duke i shtrënguar duart njëri-tjetrit. Megjithatë përbrenda ndjenin një lloj përbuzje, një valë shpifsire, e cila kishte ndarë përfundimisht shoqërinë e tyre si fqinjë e djem lagjeje. Dhe qysh nga ai çast, të gjithë do të njihnin Selamiun, si më të fort. Naimi, nuk ishte gjë tjetër, veçse një vdeks. Domethënë, njeri i pafuqishëm, apatik, vdeks.
Këto po mendonte Selamiu, ndërsa ruante veten nga ndonjë doras i paguar prej Naimit. Ishte bërë me fiksime, i dilte gjumi orë e pa orë, aq sa cdo krah lapureku e vilanoste në vend. Pastaj, merrte guximin dhe dilte përjashta, i sillej shtëpisë rreth duke shtrënguar fort, një hu me gunga. Dhe asaj nate, ashtu bëri. Gruaja, flinte me një gërre të lehtë. Ai, qe mbytur i tëri nga djersët e kujtimeve që e zgjuan nga gjumi. Përjashta ishte terr i thellë, një ajër i rënduar. Ndërsa rrinte te shkallët e verandës, pa një siluetë që lëvizi nga shtëpia e fqinjit. Një dritë e vakët, si dritë qiriri, luhatej brënda njërës prej dhomave. Qoshja e gardhit lëvizi, sikur dikush të kishte shkelur mbi shkarpa të thata. Ai shtrëngoi hurin fort, mbajti frymën, duke shqyer sytë në terr. Ishte qeni. Selamiu ndjeu hovet e zemrës. Lëshoi hurin përtokë dhe u përpoq të kuptonte xhestet e qenit. Pa e menduar gjatë, shtyu portën e ndryshkur duke përfituar nga një gjëmim i fortë, ashtu në majë të gishtave iu avit dritares ku luhatej qiriri. Plasi një rrebesh shiu kokërr madh, aq sa nata e vonë u mjegullua e tëra. Ai mbajti veshin tek dritarja, dikush nga brënda qante. Shtyu lehtë kanatin, dritarja ishte e hapur.
-Erdhe?...
-Po, erdha.
-Ik..
-Çfarë.
Sakaq u ndez drita e dhomës dhe ai pa Naimin me armën e gjahut në dorë. Nuk ishin më sytë e atij imcaku, të cilin ai e mbante mend prej kohësh, ishin ndryshe . Tjetri e kishte kurdisur gjithçka me përpikmëri, kështu që Selamiu, u përpoq të rrinte urtë me shpresën se mund të sqaroheshin gjërat. Naimi i hodhi tek këmbët një zinxhir ngjyrë nikelato, duke e urdhur që të lidhte njërën këmbë. Zinxhiri ishte i gjatë deri tek dera. Me një tjetër të tillë ai kishte lidhur gruan. Pastaj, bashkoi kryet e dy zinxhirëve duke i kyçur, hodhi armën në krah dhe doli përjashta i ndjekur nga qeni.
-Po tani? - pyeti ai Myneverin.
Gruaja u ngashërye, ishte zbehur e tretur sa nuk njihej. Ai e kuptoi se ajo duhej të kishte ditë e lidhur. Nga përjashta u dëgjuan zëra, dritat e shtëpisë po ndizeshin një e nga një. Selamiu, mendoi se të gjitha ato fitoret e tia përballë Naimit, ishin shembur vetëm tani, për pak ditë. Ajo ishte një humbje e tmerrshme, vdekje. Në sytë e të tjerëve, atij i dukej vetja një kafshë e zënë në kurth.





_______________

No comments: