Thursday 14 August 2008

Një libër me vlera për fushën e krijimtarisë muzikore



Fatmir Terziu


Me emrin e Akil Kocit jemi mësuar të lidhim fatin dhe tempin e notave muzikore, mbi tastierën e rrokur prej tij qysh herët. Mbi pianon e tij ka shenja gishtash në Londër. Janë shenja të freskëta, edhe pse ai tashmë është në moshë. janë shenja brezash që ai ndjeshëm u dirigjon kompozitat e tij të ndjeshme. Por tashmë jo vetëm brezave edhe gjithë dashamirësve të letërsisë shqipe, kompozitori Koci u ka bërë një dhuratë në moshën e tij. Nga botimi del së shpejti në qarkullim libri i tij i botuar në Rumani “Vibracione të shpirtit Shqiptar”, vëllimi i parë, me redaktim dhe pasthënie të Kopi Kycykut. Nga shtëpia botuese “LibrariumHaemus” në fakt është një parantesë për këtë vepër të cilën më parë Koci e kishte shpërndarë në gazeta dhe shkrime të ndryshme. Janë rreth 161 faqe dhe tërë shkrimet thuajse janë të njohura e të stërnjohura, pasi Koci i ka publikuar në linjat online dhe në disa gazeta. Shkrime si Besim Sahatciu, korife i skenës teatrore dhe filmike në Kosovë, Lament për kompozitorin Esat Rizvanolli etj, janë botuar në Agimi.com. Fjala e Lire, e mjaft media të tjera. Kështu këto shkrime të kompozitorit dhe muzikologut penëartë Koci me plot gojën mund të themi do ti vlejnë asaj pjese që nuk ka patur mundësinë të lexojë online atë. Në këtë mënyrë shkrimet e tij ngjajnë si një mesazh domethënës transmetimi, ku thesari i mbrujtur në vite flet shumë pastër dhe bukur. Nga fusha e muzikës dhe krijimtarisë muzikore një burim i tillë plotëson një mangësi të ndjeshme, dhe sidomos për njhjen e figurave të ndryshme të muzikës nga gjithë trevat shqiptare.
Në parathënien e librit Koci thotë: “Për një krijues apo studiues të artit nuk është aspake lehtë, madje përbën një sfidë të vërtetë, me shumë tëpanjohura, guximi për të shkruar rreth veprimtarisë krijuese të kompozitorëve shqiptarë të një periudhe të caktuar. Thënë ndryshe, të flasësh dhe të hulumtosh veprat e personaliteteve që kanë bërë histori në lëmin e artit muzikor, do të thotë të jesh i ndërgjegjshëm për faktin që ata mishërojnë alfën dhe omegën në njërin prej lëmenjve artistikë, shkencorë dhe kulturorë, përderisa veprat e tyre, qofshin muzikore, apo etno-muzikologjike, kanë lënë gjurmë të thella në krejt krijimtarinë muzikore shqiptare. Në ndërmarrjen e kësaj nisme, më ka nxitur e më ka dhënë zemër fisnikja Xhejlane Broqi.Edhe pse ka vite që ka ndrruar jetë, ngrohtësia e fjalës e jehonat e këshillave të saj më kumbojnë ende në vesh e në zemër. Kjo interpretuese e mirënjohur e këngës popullore, më pat ndenjur oreçast pranë, në ditë të mira e të vështira, jo vetëm si bashkëshorte shembullore, por edhe si kolege, si shoqe jete e devotshme dhe si burim i pashtershëm frymëzimi”.

No comments: