Saturday 30 August 2008

Rethi i Kolombit

Albana Lifschin


Para se të punoja taksist me taksitë e verdha të Nju Jorkut, unë kisha zënë një punë si portjer në një institucion, në Broadway. S’kishte punë më të rehatshme. Rrija ulur para një tavoline e kush hynte e dilte firmoste në një rregjistër të madh, aty përpara meje. S’kishin nevojë për ndihmën time. Gjashtë muaj e vrava kohën duke lexuar libra. Drajzerin e kisha lexuar ne shqip, këtu e thava në anglisht, po kështu Heminguejn, Witman e … deri tek shkrimtarët limonada të Amerikës. Zgjedhje më e mirë për një përkthyes të anglishtes- punë që e kisha bërë tërë jetën në vendin tim, nuk kishte. Ndihesha si në biblotekë deri atë pasdite shiu kur para derës së godinës ndaloi një taksi e verdhë.

Prej andej doli një grua elegante që i zgjati taksistit një 20 dollarësh dhe taksia u zhduk në çast. Ishte menaxherja e firmës së katit të pestë. Me atë buzëqeshjen e saj tejet femërore më tregoi se nuk kishte qenë veçse disa blloqe më tutje kur e kishte zënë shiu fare papritur e “në këto raste taksia është zgjidhja më e mirë".

” 20 dollarë për disa blloqe më tutje?” Rroga ime qe 7dollarë e gjysëm në orë. Ndërsa ai taksisti, pakistanez , libanez a kushdoqoftë merrte disa herë më shumë se unë vetëm brenda tre -katër minutave. Mu duk vetja fare i mjerë para tij. Paguaja për një dhomë të vetme 700 dollarë në muaj, pa përfshirë pagesën e elektrikut dhe telefonin dhe ndihesha i kënaqur që me ato që më tepronin mbuloja shpenzimet e tjera Madje kisha filluar të gatuaja (që s’e kisha bërë kurrë në jetën time) që të kurseja diçka. Ndihesha mirë në varfërinë time pa e ditur se isha i varfër. Ajo taksi e verdhë më prishi qetësinë. Mora informacion për taksitë e qytetit. Pastaj bleva një hartë të Nju Jorkut dhe fillova ta studioj.

Që të ngisje një taksi të atillë duhej ndjekur një kurs i veçantë, jepej një provim dhe pastaj merrej liçensa. Një moment mu duk se po i hyja një aventure. A s’është e gjithë jeta një aventurë? Erdhi puna që një llotari më solli në Amerikë kur s’më kishte vajtur mendja kurrë. Tani jam këtu. Sapo i mbusha të 60-tat dhe po e filloj jetën nga fillimi. Kush e di se ku të përplas e ardhmja? Vetëm dy vjet më parë isha drejtor dikasteri në Ministri. Shisja mend me rrogën që kisha, të cilës i shtoheshin e dhe burimet e shërbimeve jashtë. Në një shërbim të tillë në Gjermani kisha blerë makinën. Qe një makinë që e njihte i gjithë qyteti. E tregonin me gisht. Dhe tani po kërkoja punë si taksist. I mësova përmendësh emrat e urave që lidhnin pjesët më të rëndësishme të qytetit, rrugët e avenjutë e mëdha dhe ato të vogla. I bëra të tëra këto në dy javë kurs. Kur instruktori na pyeste ku binte kjo apo ajo rrugë, unë ngrija dorën. Kursantët amerikanë çuditeshin kur u thoja që s’kisha bërë ende dy vjet në këtë vend. Taksinë e mora me qera: 700 dollarë në javë. Rroga javore, apo më mirë fitimi javor shkonte nga 1200-1400 dollarë. Dmth çdo muaj bëja 5000 dollarë. Si portjer rroga mujore qe e barabartë apo më pak se ajo javorja. Ndryshim i madh, apo jo.

Punoja natën e flija ditën. Natën bëhet paraja. I mësova ku ishin e ku s’ishin baret, e u zija pritë. Pas mezit të natës, nga baret dilnin çifte, burra, gra te reja apo edhe të vjetra. Një të gdhirë më doli përpara një çift. Gruaja kishte një tualet të rënduar, ai mbante një kapele meksikani. Më thanë t’i shpija në avenunë e pare, pranë lumit. Aty burri doli jashtë taksisë , gruaja e re qëndroi brenda. Burri u vërtit reth një dyqani që ishte mbyllur me qepena hekuri e zuri t’i binte fort. Askush s’përgjigjej, i ra rotull bllokut disa herë e u kthye duke sharë me vete. Më tha që t’i ktheja aty ku i kisha marrë, nën urën e Bruklinit, pranë një picerie italiane. Pata një ndjenjë që kisha në taksi pasagjerë që merreshin me drogë. Në televizor vazhdimisht jepen lajme për taksistët e natës që goditen nga pasagjerë të dehur apo të droguar. Përfundojnë në spital apo edhe humbasin jetën.

Nuk jam nga ata që dorëzohem kollaj, vërtet jam tek të gjashtëdhjetat, por jam akoma i fortë. Pastaj e kush e ka të garantuar jetën? Vdekja vjen si me shaka edhe në mes të ditës po ju mbush mendja, apo jo. Përfytyroja sikur na rethonte policia. Si nëpër filma. Pasagjerët e mi më urdhërojnë t’ja shkel taksisë me 100 mile në orë. Në rrëzë të veshit kam koburen. A ja vlejnë tërë ato para që marr për… Çlirohem nga këto imagjinata të frikëshme. Çifti, më dha një bakshish të mirë.

Marr kthesën në rethinat e bareve në Kreshent. Aty janë dy të tillë përballë njeri tjetrit. S’e kanë frikë konkurencën, janë plot çdo mbrëmje. Tek dyert sheh klientë që pijnë cigare, shkëmbejnë ndonje llaf me njeri tjetrin e pastaj hyjnë sërish brenda. Unë shikoj orën. Po shkon dy e mëngjezit. Tani është koha kur nxirren gjithë paratë e ditës, e kur është fundjave ato të gjithë javës. Nga bari dalin dy çifte e drejtohen tek makinat e tyre. Pastaj shoh një benz që ndalet pranë derës. Që andej del një grua elegante tek të dyzetat. Tek shoh silueten e saj përtej xhamave, e kundroj si kliente të vonuar. Apo ndoshta frekuenton baret e natës, del nga njeri e hyn tek tjetri. Pesë minuta më pas ndrrova mendim. Gruaja doli nga bari duke mbajtur për krahu një zonjë reth të 70- tave. Zonja e moshuar kishte hedhur një mantel të zi krahëve, e reth qafës një zinxhir floriri. Nga veshët i vareshin gjithashtu vathë në formë rathësh. Kishte një fytyrë borë të bardhë, a thua se s’kishte dalë kurrë ditën jashtë, por vetëm natën. Mezi ecte. “Ka pirë”, thashë me vehte

Gruaja e ndihmoi zonjën të hynte në taksi, përplasi derën pas saj e më tha shkurt: Në rrethin e Kolombit!

Pastaj u largua në drejtim të makinës së saj. Adresa ishte më se e qartë. Zonja e moshuar pas në sedile, dukej se po dremiste. Çuditërisht fytyra e saj mu duk më e re , nga sa e përcaktova. Ndoshta duhej të ishte më pak se 70-të. Kur mbërritëm tek qarku i Kolombit, ndala taksinë.

-Madam, i fola dhe prita. Asnjë përgjigje. Po flinte. Zbrita nga taksia dhe i hapa derën. I thirra përsëri. Ajo hapi sytë e vegjël me qerpikë të lyer, krejt e pasigurtë se ku ishte. Pastaj ngriti krahun sikur të regullonte flokët. Më trëmbi. Lëkura e krahut iu var poshtë nga kocka e hollë që e mbante. Më shëmbëlleu me një flamur të lëshuar. Duhej të ishte shumë më tepër se 70 vjeç. Për gratë s’duhet të ketë plakje kurrë, thashë më vehte.

- Madam, mbërritëm, thashë unë.

Ajo vështroi që nga brenda vendin përreth. Disa dyqane të mbyllura. Dy shtëpi private të bukura. Një bllok më tej një godinë e lartë.

E ndihmova të zbriste nga taksia, duke menduar se qe akoma përgjumësh. Ajo drejtoi njëherësh trupin e më dha krahun.

-Nuk po orientohem dot, tha.

-Jemi pikërisht në Rrethin e Kolombit, sqarova.

-Unë nuk dal kurrë më këmbë nga shtëpia, gjithnjë vijnë më marin.

Kaluan dy-tre minuta e ajo s’po dinte të orientohej.

Ashtu për dore e nxorra në udhëkryqin më të afërt.

-A të kujton gjë ky dyqani i likernave këtu?

Nën dritën e dyqanit shkisnin gërmat e ndriçuara “ Liquor store”

Ajo buzëqeshi.

-Po, po, ky dyqan është afër me apartamentin tim.

Doli që apartamenti i saj ishte në godinën e lartë 12 katëshe, vetëm një bllok më tutje. Ishte një godinë e bukur me strehë të kuqe, e ruajtur nga roje me uniformë. Nuk kishte asnjë dyshim që aty banonin qytetarë të pasur. E shoqërova deri tek hyrja. Ajo hapi çantën e dorës. Qe një çantë e vogël, lustrinë e zezë. Rruga kishte bërë 25 dollarë. Pasi rrëmoi në çantë, u ankua se s’po gjente dot të holla që të më jepte aq sa kishte ndërmend. Mendova se kisha rënë në ndonjë çifute. Më kishin thënë që ato janë koprace të mëdha. Geri u shmangej sepse nuk jepnin bakshish kurrë. Së fundi zonja nxori nga çanta 3 njëzet dollarëshe të reja fringo.

-Ju më trajtuar si xhentelmen- tha. E falenderova dhe i futa dollarët në xhep duke më ardhur keq për hamendjen time të mbrapshtë. Gjesti i bujarisë së saj më bëri ta shoqëroj deri brenda në hollin e godinës. Dy rojet duke menduar se isha njeriu i saj më buzëqeshën, ndërkohë që ajo nisi të rrëmonte përsëri çantën.E shoqërova deri tek ashensori. Ç’dreqin kërkonte ashtu? Qe një çelës.

-Ky është çelsi i apartamentit tim. A nuk do të ngjiteni lart? Im shoq nuk është në shtëpi sonte.



No comments: