Sunday 10 August 2008

Simaku, me tinguj nga zanafilla





Kenneth Carter


“Unë besoj që elementi antik në idiomat muzikore, në kuptimin më të gjerë e më të thellë të fjalës, jo vetëm që ka mbijetuar në botën tonë moderne, por është i aftë të zërë vendin që i takon në muzikën bashkëkohore.”

Kritika


Simaku, 50 vjeç, i lindur në Shqipëri, dhe tani lektor në Universitetin e York-ut, e sheh qartë veprën e tij. Muzika e tij, eksploruese dhe gjithmonë në lëvizje, shpesh herë e prerë dhe formale, është bashkëkohore. Por, në të njëtjën masë, është e mbrujtur me “frymën antike”. Ai synon për një gjuhë të pasur, ku të integrojë një gamë të gjerë teknikash dhe idiomash në një gramatikë muzikore që komunikon përmes tingullit. Ai mësoi shumë nga muzika folklorike e Shqipërisë së Jugut, ku përshtypje i bëri isoja, improvizimi, dinamika e brendshme, mikro-tonaliteti dhe mjaft cilësi të tjera muzikore të kohëve primordiale.

Por, nëpërjet kësaj gramatike muzikore të shumëllojshme, a ka ai diçka për të shprehur?

Jo pak, me qetësi, synimi i tij arrin tingujt primordialë të universit:

“Radius – Kuarteti Nr. 2” shpreh territorin antik që përcakton origjinën tokësore të Simakut – një tokë e nxehtë dhe e trazuar; ndërsa ‘Voci Celesti – Kuarteti Nr. 3’ përshkruan zërat hyjnorë dhe tregon lidhjet e tij me qiellin. “Due Sotto-Voci” për violinë solo, prezanton një zë njerëzor, që nëpërmjet shoqërimit të vet muzikor, bisedon me vetvehten.

Tre veprat solistike (Soliloquy I, II, III) u kompozuan gjatë një periudhe prej 5 vjetësh. Simaku na tregon që këto tre pjesë fillojnë me një notë të vetme – Mi bemol. Secila nga këto vepra përbën në fakt një meditim rreth tingullit që niset në një udhëtim sonor nga Mi-bemol në “vende të tjera”. Dy faktorë përcaktojnë udhëtimin dhe “vendin tjetër”: “ngjyra” e notës fillestare dhe timbri individual i instrumentit. Për shembull, udhëtimi muzikor i violinës ndryshon nga ai i violonçelit apo violës. Por, në secilën nga këto vepra, muzika kthehet në “shtëpinë” e notës fillestare, në Mi –bemol (‘in my beginning is my end’). Të marra së bashku, këto tre vepra nuk janë suitë, por triptik.

Këto fjalë analitike janë më tepër ekspozim i synimit, se sa vlerësim i arritjes. (Një kompozitor i zakonshëm mund t’a kamuflojë muzikën e tij të rëndomtë, duke i hedhur sipër një mbulesë që shkëlqen nga fjalë marramendese). E thënë shkurt, mund t’ia vlejë barra qerane që të lexosh rreth muzikës - por vallë a ia vlen që t’a dëgjosh atë?

Në rastin e Simakut, përgjigja është një “Po” e palëkundur.

Këtu kemi të bëjmë me një muzikant me një vesh të mprehtë, që investigon instrumentin muzikor sikur të ishte një zë i vërtetë njerëzor, që shpreh shpirtin, fizikalitetin dhe ndërgjegjen e tij. Ky është një burrë me një mendje muzikore të zhdërvjelltë, me sensibilitet modern dhe plotësisht i ndërgjegjshëm dhe vlerësues i trashëgimisë së tij të pasur muzikore. Secila nga veprat solistike eksploron kapacitetin individual të instrumentit, deri në kufirin e mundshëm teknik dhe ekspresiv. Në këtë pikë, Simaku ngjason me Berion e Sekuenzave, bashkë dhe me guximin për të qenë më shumë lirik.

Peter Sheppard Skaerved, Neil Heyde dhe Morgan Goff bëjnë një prezantim të shkëlqyer të instrumenteve të tyre nëpërmjet një muzike që në çdo moment e mban gjallë interesin. Kuarteti “Kreutzer” ëhstë i klasit të parë. T’a luash këtë muzikë ka kërkesa të forta dhe ata i përgjigjen me tekniken e tyre të shkëlqyer. T’a interpretosh atë, dhe të jesh i vëmendshëm për çdo ndryshim tonal të atmosferës dhe teknikës muzikore, kërkon një nivel kuptimi dhe pasioni shumë më lartë se mesatarja.

Simaku do të qëndrojë. Po kështu edhe Kuarteti “Kreutzer”.

No comments: