Monday 11 August 2008

Thërrime jete mbetur në xhepat e kujtesës




Kostaq Duka
“ Diskoteka” e viteve 70-të

Nuk më kujtohet cili nga studentët e grupit e hodhi idenë për një eskursion në Korcë.Di që m’u afruan shokë e shoqe e më ngacmuan: je i gatshëm të na presësh? Me Korcën ju korcarët mburreni shumë, por ja le ta shohim se ku e ka bukurinë.Ata flisnin e unë në cast e cova mendjen tek rrugicat me kalldrëm, tek Luftëtari Kombëtar, Themistokli Gërmënji, Lëndina e Lotëve, kodrat me akacje, Birra Korca, Parku i Rinisë, Shtëpia e Vangjush Mios, tek vajzat e bukura që në pranverë mbushin bulevardet dhe tingujt e ëmbël të këngëve të serenatës....Po sa do t’u bëjnë këto përshtypje studentëve të tjerë sidomos këtyre të Tiranës?! Ishin fillimet e viteve 70-të dhe fryma e liberalizmit përkonte me trillet, fantazinë e bukurinë e moshës sonë...Pas
kalimit të dy qafave të malit, asaj të Kërrabës e të Thanës dhe magjepjes me bukurinë e patjetërsueshme të liqenit të Pogradecit,fillon të ndjesh erën e Korcës.E dukshme kjo bëhet sidomos kur syri kap pamjen e gjërë të Fushës së Korcës deri tutje në konturet e vargmalit të Moravës.

Gjithcka dukej së po linte përshtypje të mirë.Ndihej kjo sidomos me ata që vinin për herë të parë, studentë nga Veriu, Fieri,Vlora...Por edhe Korca vetë u pëlqye si qytet.Gati për tre orë ecëm nëpër rrugët e sheshet e saj.

Dhe kur po afrohej mbrëmja u duk se eskursioni këtu do të merrte fund. Të nesërmen do të riktheheshim në Tiranë.Po sikur, sikur të organizonim diku një mbrëmje vallzimi,tha një nga studentët.Vetëm për kaq erdhëm në Korcë?! Kërkesa u duk nga më absurdet.Mbrëmje vallzimi?! Ku, në cfarë salle, me cfarë orkestre? Në cast mendimi u kundërshtua dhe sidomos nga pedagogia kujdestare që na shoqëronte, e cila në fakt ishte e hapur dhe e shoqërueshme me ne.Dhe kur mendimi do mbetej thjesht një trill moshe, unë thashë: Mund të gjejmë edhe sallë dhe orkestër.Në kujtesën time ishte e pashuar mbrëmja e maturës në mjediset e “Valbonës”.Godina e restorant “Valbonës”, e ndërtuar me një arkitekturë që edhe sot ruan vlerat e patjetërsueshme të saj është në mbarim të Bulevardit Republika. Pranë saj është Lëndina e Lotëve.Dhe thjesht me këtë kujtim mature thashë të bëja përpjekje të siguroja sallën e vallzimit.Po si? Ku të trokisja unë 22 vjecari fantazist për ta siguruar e perdorur deri herët në mëngjes sallën?

Përgjegjësi i “Valbonës” kur i paraqita dëshirën që meqë kemi ardhur nga Tirana, djem e vajza mirë është të na jepej salla për vallzim, duke treguar kështu edhe mikpritjen si korcarë, u shpreh: Nuk bëhet. Shumë shpejt ne e mbyllim lokalin.Leja merret nga drejtoria e Ndërmarrjes së Ushqimit Social. Fjalët e tij të prera dhe përbuzja që reflektohej në sytë, ishin si një dush i ftohtë. E megjithatë ideja për mbrëmje më kish rrëmbyer të gjithin.E, më thanë shokët që prisnin para derës së madhe me kangjëlla të “Valbonës”, e sigurove sallën? Po, u thashë, e sigurova por jo këtu, do të shkojmë nga shtëpia ime.E kam dy katëshe, kemi vënd të bollshëm për vallzim. Tani na duhet vetëm orkestra.Mendimi hasi në kundërshtim .Tani po e tepron, më tha njëri, do të prishësh qetësinë e gjithë shtëpisë.Jo, thashë, prindërit më kuptojnë.Ky është një rast. Teksa të gjithë ecnin nëpër bulevard ashtu në grup, aq sa tërhiqnin vëmendjen e të tjerëve unë shpejtova hapat për nga teatri “A.Z. Cajupi”. Nga reklamat kisha vënë re se atë ditë kishte shfaqje grupi i estradës. Po sikur orkestra e estradës të më vijë këtë mbrëmjë në shtëpi? Kisha mes tyre disa miq që i njihja që gjatë viteve të gjimnazit.Nuk do ma prishnin, thosha me vete. Pas pune s’u kërkon njeri llogari. Kur mbrita në dyert e teatrit aktorët, këngëtarët dhe orkestrantët ishin duke dalë .U përqafova me plot prej tyre dhe e plasa bombën; Dua që orkestra e estradës, së paku një pjesë, të më vijë në shtëpi për një mbrëmje vallzimi.Kemi ardhur tërë grupi i studentëve të filozofisë nga Tirana.S’dua të më thonë s’na bëre gjë. Edhe pse dikush qeshi me këtë trill, shumica ishte dakord.Po vijmë që tani, ku i ke të tjerët?....

Nuk harroj entusiazmin e tërë grupit kur u thashë : orkestra do të vijë në shtëpi.Prindërit thanë, vëtëm të na kishe lajmëruar të bënim dicka për t’i gostitur etj, por i qetësova dukë u thënë mos u mërzisni,rrini të qetë .Mbaj mënd nëna u mërzit kur hoqa qilimin e mirë në korridor dhe e vëndosa tek sobalka.Po kjo duket tmerr, tha.Jo, i thashë, na duhet thjesht dyshemeja.Mbi qilim nuk vallzohet.Orkestra e mësuar dhe me dasmat korcare, e gjeti vëndin në qoshe të ballkonit prej ku shihej i gjithë oborri.Dritat e ndezura, në gjithë katin e dytë dhe shpërthimi i orkestrës,me vegla frymore, fizarmonikë, kitarë, ishte një e papritur pa shpjegim për rrugicën e përgjumur. Në castet e shkurtëra të pushimit, pas vallzimit, vajza e djem dilnin në ballkon, dyert e të cilit komunikonin me korridorin. Një pamje joshëse, e harmonizuar me kënaqësitë e ëmbla që jepte vallzimi, i bënte këto caste të vecanta.Gati dy hapa larg ishin tre rrënjë mollë që mbi degët e ndera mbanin lulet e bardha, të pafundme, me petale delikate, transparente.Të dukej se kjo bardhësi nuk varej mbi degë por qëndronte pezull si një dekor i thurrur më mjeshtëri.Ishim të rinj, fare të brishtë,pak fantazistë, paksa të marrë, ja si lulet e mollës që bukurinë e shfaqnin sheshit....Ndejtëm gjatë, afër mëngjesit.Kanë kaluar 36 vjet që atëherë, por kur e sjell rasti të bisedoj me ndonjë nga bashkëstudentët ata më kujtojnë atë mbrëmbje,trill moshe dhe lulet e bardha të mollës,të bardha e pa faj si vetë ëndrrat e tyre.

gusht 2008

No comments: