Sunday 17 August 2008

Varfëri në Amazon (.com)




Astrit Lulushi, SHBA

Atdhetarizmi është dashuri e përkushtim i një populli apo individi për vendin dhe vlerat e tij. Dhe këto ndjenja mund të tregohen me fjalë ose veprime. Por kur mungojnë kushtetet që ato të mbruhen e shprehën nga të gjithë njësoj, atdhetarizmi i ngjan një gare të padrejtë dhe ai që del i pari vetëshpallet më atdhetar se tjetri.
Kjo garë, jo sportive, me një cmim kaq të lartë, shpesh i bën njerëzit të harrojnë qëllimin përse vrapojnë. Në raste të tilla, mes tyre lind, smira, inati e xhelozia, dashuria vritet, e bashkë me të edhe vetë ata që përpiqen të dashurojnë. Pista e garës për atdhetarizëm bëhet kurth, dhe vrapuesit u ngjajnë atyre që bien në mocal, nga ku sa më shumë përpiqen të dalin prej tij, aq më thellë zhyten derisa humbasin.

Mungojnë librat historikë shqiptarë

Në raste të tilla, shprehja “atdhetar”, për nga forca e pasionit, i ngjan vetëm asaj të urrejtjes që ndez përdorimi i fjalës “tradhëtar” Të dyja këto ndjenja të kundërta ndeshen sot në thuajse të gjitha bisedat a debatet politike, shoqërore, fetare e kulturore, mes shqiptarëve, në botën reale a virtuale..
Librat historikë, biografikë, me kujtime gjithmonë kanë luajtur rol sqarues e zbutës në këtë drejtim, pasi duke përhapur njohjuri, libra të tillë nxisin krijimin e kushteve që të gjithë njerëzit të jenë në gjendje t’a duan njësoj, me fjalë a vepra, atdheun e tyre. Por këto kushte bëhen të barabarta për të gjithë vetëm kur libra të tille me vlera njohëse edukative gjenden kudo e në cdo kohë dhe kur shtypja e numrit të mjaftueshëm e shpërndarja e tyre sponsorizohet a nxitet nga shteti, i cili ndodhet aty që të administrojë dhe përkujdesjet për përhapjen e vlerave të kombit mes gjithë shtetasve të vet.

Zhgënjimi

Por një lloj zhgënjimi krijohet, kur viziton faqen më të njohur elektronike të librit “amazon.com” dhe aty nuk arrin të gjejë shumë nga librat për të cilët shqiptarët sot kanë më shumë nevojë. Për shembull aty nuk ndodhet në shitje asnje libër mbi historinë e Skënderbeut, përfshi veprat e mirëfilltat të Barletit e Nolit, pa përfshirë të autorëve të të tjerë vendas a të huaj e që nuk janë pak. Një gjendje e ngjashme vihet re edhe në qëndra të tjera globale të shitjes së librit në internet.
Në “amazon.com”, që u shërben cdo ditë qindra mijëra në mos miliona njerëzve në mbarë botën, mungojnë libra studimorë rreth figurave të Rilindjes kombëtare si të vëllezërve Frashëri, Fishtës, Mjedës, Konicës, Nolit, Prishtinës e shumë të tjerëve, megjithëse ato ekzistojnë. Gjithashtu nuk mund të gjesh asnjë libër prej studiuesve të njohur të gjuhës e kulturës shqipe si Cabej, Koliqi, Camaj e shumë të tjerëve. Por në librarinë elektronike më të madhë në botë, “amazon.com”, nuk gjendet në shitje qoftë edhe një kopje e Historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërkohë që mendohet se më shumë se 1/3 e kombit jeton larg atdheut, në megrim, ku një brez fëmijësh, të rinj a te reja, pritet të ruajnë traditat e të parëve, por që më parë duhet t'i mësojnë.

Kujtime për Ismail Qemalin, një mijë stërlina

Mes librave rreth shqiptarëve, “Memoirs of Ismail Kemal Bey” (London 1920), është sot një ndër librat më të kërkuar në botë. Një kopje që ndodhej para pak kohe në një dyqan antikuarësh në Londër mbante cmimin prej rreth një mijë stërlinash.
Për herë të parë “Memoirs of Ismail Kemal Bey”, u ribotua në anglisht, i plotësuar me shënime e kapituj shtesë nga Renzo Falaschi, në vitin 1997 në Romë. Por ky libër, të dyja botimet në anglisht e një botim më 1978 i përkthyer në italisht, ka kohë që është zhdukur nga qarkullimi. Për herë të parë libri “Kujtimet e Ismail bej Qemalit” u botua botua në shqip, falë Sh.B. Toena, vetëm në vitin 1997, botim, që rastësisht a jo, përkoi me trazirat shkatërruese si pasojë e rënies së skemave piramidale. Si pyetja tronditëse “Quo Vadis?” ashtu edhe libri i Ismail Qemalit, për nga përmbajtja, duket se u bë atë vit një thirrje për kujtesë drejtuar shtetit nga vetë themeluesi i tij.
Thuhet se librat, si “Kujtimet e Ismail bej Qemalit”, të shkruar në kohë të vështira, vlejnë më shumë në kohë paqeje. Ato përmbajnë përvojë, mësime, urtësi, por që bëhen të vlefshme vetëm kur përhapen. Megjithatë aq të paarritshëm janë sot këto libra për lexuesin e gjërë, sa që e shtyjnë tjetrin të mendojë se libra të tillë trajtohen si pronë e një rrethi të vecantë, apo si mallra të shitjes me pakicë, ashtu si aparatët televizivë në kohën e diktaturës, që ishin të pakët, të shtrenjtë dhe me autorizime ndaheshin vetëm për njerëz të caktuar.

Gjithashtu mosbotimi herë-pas-here i librave me kaq shumë vlerë, derisa cdo familje shqiptare t’i ketë në bibliotekën e vet, ashtu sic mban Kuranin a Biblën, duket se nxitet edhe nga ndonjë mendësi e tkurrur, që e bën njeriun thotë se është më shqiptar se tjetri.

No comments: