Friday 5 September 2008

DASHURIA BRENDA LLOJIT


(Sprove)


Miri Dhrami

Asnjëherë nuk kam këmbëngulur të them diçka të re. Gjithmonë kam përsëritur nga ato të vjetrat, klasiket e mirënjohura. Sot do t'ju them pa intriguar, se është e natyrshme që këndesi të dashurojë pulën, lepuri lepurushen, dashi delen, miu miushen, gjarpri gjarpërushen dhe anasjelltas. Deri këtu besoj se askush nuk ka ndonjë kundërshtim. Pra, kjo është rrjedha normale që jeta kërkon prej gjithë gjallesave. Veç në këtë mënyrë bota ruan ekzistencën e llojit. Sikur gjeli të dashurohej me sorrën, miu me lepurushen, dashi me pulën etj, do të ndodhte apokalips. Një anomali e skajshme, ndonëse rrjedh prej gjestit më fisnik, dashurisë.

Kjo lloj dashurie brenda llojit, në disa raste të veçanta pranohet dhe si klasifikim. Por le të shkojmë përsëri tek bota e kafshëve. Është logjike që porsa të shikosh rrëzë mullarit pulën, menjëherë të kuptosh se aty pas pak do afrohet gjeli. E kush tjetër të afrohet vallë?! Thua, pula aty pret ariun?! Veç nëse kujton që ariu mund ti katranosë diçka, (pa ja dëmtuar zorrët,) kjo është tjetër gjë. Por kot e ka që zgjatet. Një kokosh të kapë prej sqepi dhe të rrijë urtë. Peshat dhe kokët e tyre janë njëlloj. E rrjedhimisht edhe brenda tyre kanë të njëjtat mend. Kjo dhe e lumturon si çift. Pra, këtu duhet të mëshojnë të dy dhe të mos shikojnë andej-këndej. Megjithëse me lirinë që ka fituar sot çdo specie, mund të dashurojë këdo ose të urrejë këdo, madje dhe brenda të njëjtit seks. Pula të dashurohet fort me pulën dhe gjeli me gjelin etj. Një dashurie homoseksuale, paçka se dihet që këto dashuri nuk sjellin fruta, veç kënaqësisë individuale. Ndaj dhe modernët i pranojnë lehtë. Homoseksualët nuk shqetësojnë askënd. Kanë njëri-tjetrin dhe rehatohen. Është një zgjidhje për jetën e tyre dhe nuk mund tu futet askush midis. Diçka e tillë mund të ndodhë dhe tek gjitarët apo tek gjahtarët. Por nuk mund të ndodhe kurrsesi tek dyshja e karrocës se qumështarit. Në qendër një kalë dhe anash një gomar.

Nuk dihet sa kohë e tërheqin atë karakatinë së bashku, aq sa kishin filluar të mos bindeshin më si dikur. Kuptohej qartë, që secili donte të ishte në qendër. Gomari të bëhej kalë. Në këtë rast, ai e bënte thjesht për ego dhe aspak për nevoja seksuale. Se po të ishte pelë, e lumja mes shtangave të karrocës, me siguri që një ditë nga ai, gomari i anësores, ajo do të pillte mushkën e vockël. Këtë bindje, për të qenë të barabartë mes tyre, përveç gomarit gati ta besonte përditë e më tepër dhe Arif karrocieri. Bile disa herë qe matur të vinte gomarin ne qendër, por i vareshin takëmet deri poshtë.

"Ah, që s'mundi ti bëjë të dy o kuaj, o gomarë. Po me këta e zuri hera, dhe me këta ka për ta mbyllur!"-thoshin të gjithë porsa merrnin atë kile qumësht të holluar për merak.

"Nuk shikojnë qumështin, por i ha meraku i anësorit!"-pëshpëriste nëpër dhëmbë Arifi, nga krahu tjetër. "Nuk them, midis çdo lloji më mirë të ndodhë dashuria sesa urrejtja!"-shtonte duke qëlluar gjithmonë gomarin. Si përfundim edhe Arifi e kish kuptuar që diçka nuk shkonte me atë dyshe, paçka se hiqej sikur nuk i prishej puna. Kjo për arsyet që njihen, se Arifi ish një jevg që nuk kish dashuruar kurrë ndonjë jevg tjetër, veç ciganes Gjethe.

Athinë 2008.

No comments: