Sunday 14 September 2008

Kritika letrare a është liruar nga dogmatizmi?

Ndue Ukaj

Studiuesi i letërsisë Behar Gjoka ne tekstin “Shqipëri nuk ka shkrimtarë bashkëkohorë” shtron disa teza interesante për diskutim, të cilat natyrisht mund të vlerësohen nga pikëpamje të kundërta, të cilat natyrisht se e pasurojnë mendimin për letërsinë. Në të vërtet, Gjoka në këtë tekst shpreh një intencë jashtëzakonisht të rëndësishme, e cila korrespondon me mendimin e dijetarit të letërsisë Tvetan Todorovit “për një kthim në letërsi”. Me ketë mendim, Gjoka kërkon që ligjërimi letrar shqiptar përfundimisht të kundrohet si akt estetik. Kjo intencë letrare, kuptoj është tejet e nevojshme për letërsinë shqipe, sidomos nëse kjo vështrohet në kontekstin soc-realist dhe përpëlitjet e saj për të konsoliduar vetën. Megjithatë, tendenca se në letërsinë shqipe nuk ka shkrimtar bashkëkohor duket e fuzionuar dhe si e tillë e pabazë. Në parim, nëse në letërsi pretendohet të bëhet prerje, të jepen vlerësime të pa alternativë, apriori bëhet një gabim i madh, një gabim përjashtues, një lloj i refuzimit estetik, tani në kuptimin kritik letrar, sipas Ibrahim Rugovës (term letrar të cilin e përdor Gjoka në këtë shkrim). Kjo për arsye të thjeshta se mendimi për letërsinë ka një status subjektiv dhe pikërisht ky status i jep asaj dimensione shumëkuptimore. Pikëpamjet e Gjokës në këtë vështrim kapin çështjen në një kontekst të gjerë, duke përfshirë disa decenie të letërsisë shqipe. Duke e shtruar temën në një kontekst më të gjerë, ai sikur vë çështjen tek trashëgimia soc-realiste, e cila ligjërimit letrar shqiptar dhe përgjithësisht letërsisë shqipe i ka shkaktuar dëme të rënda, ende të pariparuara. Por, të niset nga kjo premisë që të jepet një kualifikim se në letërsinë shqipe nuk ka shkrimtar bashkëkohor nuk qëndron.

Teza se letërsia shqipe nuk ka shkrimtar bashkëkohor nuk përkon me realitetet letrare në hapësirat ku sot kultivohet letërsia shqipe. Përveç tjerash, mendoj se vetëm formulimi letërsi bashkëkohor, lejon shumë variante të interpretimit dhe kuptimit, për faktin se mund të derivoj dhe merr konotacione të shumëfishta. Madje, ky formulim mund të konceptohet por edhe interpretohet ndryshe nga interpretuesit e letërsisë. Në këtë kontekst, shtrohet natyrshëm pyetja se a mund të jetë njësoj bashkëkohor në Shqipëri Fatos Harapi sikur Gjekë Marinaj, Dritero Agolli si Agron Tufa, Ismail Kadare si Shpëtim Kelmendi, apo në rastin tjetër në letërsinë e krijuar në Kosovë, a mund të jetë njësoj bashkëkohor Anton Pashku si Kujtim Rrahmani, Sabri Hamiti si Anton Berishaj, Ali Podrimja si Xhavit Beqiri. Këta autorë i lidh hallka e asaj që mund të formulohet letërsi e sotme shqipe, por gjithsesi brenda një koncepti bashkëkohor këta shembuj paraqesin përplasje të natyrshme. Këta autorë kanë distancat e tyre jo vetëm kohore, por edhe prirjet tematike dhe stilistike, andaj është e vështirë të lexohen brenda një konteksti kohor letrar, sikundër edhe të interpretohen brenda këtij formacioni.

Ajo që mendoj se duhet të shtrohet se temë diskutimi ne leteraturën shqipe është fakti nëse kritika letrare është liruar nga dogmatizmi? Dhe pastaj sa ajo i ndihmon letërsisë? Dijetari i letërsisë Northep Fraji thotë “artet janë memece, ndërkaq kritika mund të flasë”. Nëse pajtohemi me këtë tezë, që gjithsesi ka mbështetje antike për letërsinë, atëherë mund të themi se problemet e letërsisë shqipe janë të ndërlikuara dhe kanë një shtrirje më të gjerë, mes shkrimtarëve dhe studiuesve të letërsisë.

Kjo për faktin se segmente të rëndësishme të mendimit për letërsinë, apo më mirë të themi kritika letrare shqipe ende nuk ka arritur t’i riparoj gabimet e trashëguara dhe kjo përbën një pengesë në rrugën e emancipimit të saj dhe zhveshjes nga dogmatizmi. De facto ajo ende nuk e luan funksionin e saj për të vlerësuar, karakterizuar, seleksionuar, ndërmjetësuar, por kurdoherë mban rolin e apologjetit apo mohuesit. Kjo për mendimin tim përbën një aspekt të dogmatizmit. Si dhe në anën tjetër pengon letërsinë shqipe të vlerësohet si dukuri estetike.

Mendimi letrar shqiptar dhe kritika letrare përgjatë shumë dekadave ka përjetuar dhe përjeton krizë identitetit, që ka konsekuenca të fuqishme në konsolidimin e kritikës letrare, por edhe letërsisë shqipe përgjithësisht. Ka segmente të caktuara të kritikës letrare, të cilat, jo që nuk janë shkëputur përfundimisht nga dogmatizmi e kritika ideologjike, por tentojnë me çdo çmim të krijojnë brezin pasardhës të kësaj ideologjie letrare. Për fat të keq, në këtë regjistër hyjnë të ashtuquajtur emra të mëdhenj e autorë me famë, sikur në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë. Megjithatë, konsideroj se kritika dogmatike përfundimisht është në zvetënim e sipër. Tanimë ka një tendencë për hapje të kritikës letrare dhe emra të rinj në Tiranë e Prishtinë kanë qasje inovative dhe tejet të avancuara letrare. Por, kriza e defamiljarizmit nga dogmatizmi, për mendimin tim ka krijuar një paradokse tjetër, që është po aq i rrezikshëm, ngase ekziston një tendencë çoroditëse e interpretimit të letërsisë shqipe, përmes fenomenit të glorifikimeve dhe përbuzjeve ekstreme, që gjithashtu ka një segment dogmatizmi në vete.

Vlerësoj se dy dekadat e fundit në letërsinë shqipe gjithsesi kanë shënjuar ndryshime dhe formësime pozitive, në kuptimin e hapjes së studimeve letrare, përvetësimit të metodave dhe shkollave të shumëfishta letrare. Në fakt, sot nuk ka ndonjë uniformitet në studimet letrare, ka një shumësi e shkollash dhe vlerësimesh letrare, duke u bazuar tek teoritë klasike e bashkëkohore. Dhe kjo është një shenjë e shpresëdhënëse.

S’duhet harruar në këtë kontekst se letërsia shqipe sot ka një shtrije të gjerë dhe ajo tanimë shkruhet ane e kënd botës. Madje poet, prozator, teoricien dhe dijetar të letërsisë me namë sot gjendet në gjitha qendrat e mëdha euro-amerikane. Kjo dukuri letrare e pasuron dhe i jep dimension universal letërsisë shqipe.

Në këtë kontekst të debatit ka të drejt Fatmir Terziu ku thotë: “Është dhënë edhe përgjigja disaherë për këtë. Mungon lexuesi! Mungon lexuesi, jo thjesht ai që blen librin, por ai që e merr në duar atë për ta vënë në shërbim të profesionalizmit të tij. Pra mungon lexuesi i kualifikuar”. Pra, letërsisë shqipe nuk i mungojnë autorët bashkëkohor, por i mungojnë lexuesit model dhe ata empirik, terme këto të Umberto Ecos.

Megjithatë të shpresojmë se ky debat mund të sjell mendime të vlefshme për qenien e letërsisë dhe nevojën që kjo fushë shpirtërore të jetë sa më aktuale në botën shqiptare.

No comments: