Sunday 7 September 2008

Libri ''Nata e fundit'' i Petraq J. Palit


Ka dale nga shtypi libri i ri i shkrimtarit Petraq J. Palit, "Nata e fundit" me parathenie nga Z.Iliaz Bobaj.

Shkrimtari i mirënjohur Petraq Pali, autori i disa librave, vjen përsëri para lexuesit, me atë vrullin e tij të admirueshëm krijues. Këtë herë me tregime. Pa e kufizuar aspak interesin dhe vlerën e gjithë zhanreve të krijimtarisë së tij letrare, mendimi im është se maja e krijimtarisë së deritanishme të tij, është padyshim, tregimi. Aty ai është më i plotë, më bindës, më i vërtetë, më i fuqishëm, më tërheqës. Tregimi është froni i krijimtarisë së shkrimtarit Petraq Pali.

null

Në tregimet e tij ai nuk rend pas imagjinatës pa fre, por e zotëron veten si ai plaku i urtë, që rrëfen në hijen e rrapit shekullor, ndërkaq rreth tij ndodhet grumbulli i dëgjuesve, i cili i ndjek rrëfimet e tij tërheqëse me një kërshëri të veçantë. Se ka se ç’të dëgjojë prej tij.
Është për t’u theksuar se autori di ta ndërtojë ngrehinën e tregimit të tij me një thjeshtësi të admirueshme,tepër njerëzore, të tillë, që në portat e saj të mund të hyjë kushdo, për të shijuar artin e tij. Ai e ndjek rrugën që të shpie në këtë ngrehinë në mënyrën më të drejtpërdrejtë, më të komunikueshme, pa kthesime dhe ndërlikime të panevojshme, duke mos e lodhur lexuesin e vet. Veçse ai përkujdeset, që, kur të dalë prej kësaj ngrehine, lexuesi t’ia ketë arritur tërësisht qëllimit të vizitës së tij,duke marrë me vete mesazhet e vërtetë njerëzorë, të cilat janë edhe mushti i këtyre tregimeve.
Edhe në këtë libër, të titulluar “Nata e fundit”, synimi i vetëm i autorit është të qëmtojë objektet e tij të parapëlqyer, kryesisht njerëz me virtyte të veçantë deri në fisnikëri dhe ta vërtitë rrëfimin e tij rreth këtij objekti,për t’i rrezatuar lexuesit vlerat më të qenësishme njerëzore, duke sjellë në këtë mënyrë edhe kontributin e vet krijues në fisnikërimin e njeriut dhe të shoqërisë njerëzore. Ndonjëherë ndjek rrugë të kundërt, godet gjetkë, (duke patur objekt të tij njerëz e paaftë dhe militantë të rëndomtë partiakë, të cilët bëhen jo vetëm pengesë zhvillimi dhe burim krimi,por edhe njerëz qesharakë).
Por edhe në këto raste qëllimi i tij është i qartë, orientimi i tij i saktë dhe i drejtë. Kështu ai jep edhe ndihmesën e tij me vlerë si njeri dhe si krijues, paralelizëm ky,që e përmason më tepër çdo shkrimtar. Njëherësh kjo është edhe arsyeja që tregimet e tij gjejnë lexues të shumtë edhe në radhët e njerëzve të thjeshtë. Natyrisht mjeshtëria e një shkrimtari është një punë që nuk mbaron kurrë. Po, nëse edhe në librat e tij ka gjëra që mund të përsosen më tej, në këta libra ka shumë më tepër gjëra që ia vlejnë të vlerësohen e të çmohen, ç’ka na intereson më tepër të gjithëve: autorit, lexuesve dhe ne, miqve të tij. Le ta ndjekim me kujdes tregimin e tij. Tregon bukur Petraq Pali.
Rrëfim të mbarë, miku im!

Nga Iliaz BOBAJ
Patra, Greqi

Zoti Bobaj njihet si autor librash me humor dhe ai eshte edhe autor i ketyre vargjeve nga "Molla e sherrit":

Kohë diplomash

Thërret Gjeli,
poshtë e lart:
- Kam diplomë,
për shkollë të lartë.

Tha një Viç:
- Mos u mburr shumë,
një të tillë,
kam dhe unë.

Një Rosak,
fjalën e zë:
- Pse, mos vetë,
jam pa gjë?

Qesh Gomari:
- Oh, ç’na thatë,
unë kam dy,
more të ngratë.

Meqë m’u duk,
rast i mirë,
bleva dhe një,
për tim bir.
….
Arritje,
për kohën tonë:
lind Kërriçi,
me diplomë.

Shqiponja dhe Kërmilli

Në majë, aty ku mali prek retë,
Shqiponj’ e habitur,
Kërmillit i flet:
- Po ti si mbrrite këtu, o qyqar?
- Pa rënë në sy,
ashtu zvarrë-zvarrë.
- Pa shih, tha ajo, dhe ra në mendim,
s’arrijnë në majë,
të gjithë me fluturim…

No comments: