Wednesday 10 September 2008

Merimanga dhe fyelli

Tregim

Nga Fatmir Terziu



Gjysëmerrësirë. Nga jashtë herë vinin e herë iknin dritat e neonëve. Qetësia dukej e prishur. Zagushi. Zëra nga të katër anët. Një grimë viole depërtonte nën perde. Vetë perdet dukej sikur prodhonin zëra. Në tavan portollamba bënte të njëjtën gjë. Të njëjtën gjë bënin edhe orenditë. Orenditë kërcisnin. Tërmet?! E pamundur. Asgjë nuk lëvizte nga vendi. Qesha me veten. Frikacak! Isha mbledhur kruspull nën jorgan. Jorgani ishte gati e vetmja gjë që shihja në çast. Epo, thashë, se ndoshta ngaqë isha lodhur. M’u duk se po më dridhej i tërë trupi. Në çast besova. Dhe mbylla sytë. Sa mbylla sytë sërrish brofa në krevat. Ashtu gjysëmlakuriq tentova të hapja dritën. Drita s’po hapej. Në atë gjysëmerrësirë dhome iu drejtova dritareve. Edhe perdet nuk shkiteshin. Dukej sikur ishin ngjitur me njëra tjetrën. Atë çast pashë se ç’është frika. Dridhesha. Iu drejtova derës. Dera nuk hapej. Asgjë nuk lëvizte nga vendi. As karrigja, as tavolina, as komedinat… Asgjë. Çdo gjë dukej e ngjitur. Bëra të marë zemër e të thërasë për ndihmë. Por, edhe fyti më dukej i ngjitur. Mbeta në mes të dhomës. As këndej dhe as andej. Fryja me vete. Shfryja me tërë fuqinë e inatin që kisha. Pastaj më nisën mendimet. E ndërsa po mendoja, fap drita u ndez vetë. Ç’të shihja?! Jorgani ishte në fund të dhomës. Ishte zhubrosur i tëri. Perdet ishin thurur me një rjetë të çuditshme. Llamba ishte ngecur në një rrjetë tjetër. Dhoma gati dukej sikur ishte nën pushtetin e një punishteje ku gatuhet mëndafshi. Eh, thashë me vete, ç’dreq kusuri është ky? Pastaj pashë edhe këmbët e krevatit. E njëjta rrjetë i përshkonte tej e tej. Pastaj pashë veten time. E ç’të shihja vetëm këmbët dhe duart nuk ishin ngjeshur e ngjeshur nën atë rrjetë si pambuk. Po e humbisja fare. Tentova sërrish nga dera, por më kot. Më kot. Aty ndanë krevatit, një merimangë e zezë, e madhe, këmbëtrashë dhe tepër e shpejtë vazhdonte në të sajën. Thurte e thurte si me normë. Të fundit dukeshin në këtë mesele të papërfunduar të saj ishin gjymtyrët e mi. Pashë përreth. Vështrova prapë rreth e qark. Asnjë mjet. Asgjë s’më kish mbetur pa u thurur. Në çast vështrimi më mbeti nën krevat. Aty pashë fyellin tim. E vështrova qetë. E vështrova dhe e vështrova, gati për disa minuta. Pastaj, pashë që edhe ajo, merimanga e zezë e vështronte atë. Eh thashë, me vete, po mua ç’mu desh të vështroja andej. Unë kam kohë që s’e kam parë atë fyell. Ka shumë vite që unë nuk përdor më fyellin. Qëkur erdha këtu në këtë qytet modern unë u dashurova me saze të tjera moderne. Fyellin, kot e kisha marë me vete. Në fakt, kot m’a kishin dhënë me vete prindërit.
“Mere, mere me vete bir!”, - më kujtohen fjalët e tim ati. “Mere, se do të të duhet!”.
E çdo të më duhesh ai fyell mua? Leksionin e parë e bëmë me trompë, pastaj rrokëm korno e me rradhë mjaft vegla moderne. Fyellin tim askush nuk e trazoi. Kështu edhe unë e braktisa nën krevat. Në atë çast, se ç’ndjeva për të. Bile kur mbarova mendimet, pashë që merimanga ishte zhdukur. Shyqyr thashë. Pashë këmbët lëviznin. Lëviza duart, isha në rregull. Mora guxim. Dy hapa dhe para krevatit. Ngrita çarçafin. Mora fyellin. E fshiva. E rifshiva sërrish. Dhe ashtu në përlotje e sipër tentova t’i bija. Ai nuk bënte asnjë zhurmë. Në çast rifilluan zhurmat e tjera. Zhurmë më të forta bëheshin. Mbylla veshët. Nuk duroja dot më. Mora jorganin, ia hoqa atë rrjetë të tmershme dhe sërrish u gjenda nën të. Rrija gjysëmzgjuar. Emetoja çdo lëvizje. Veshët më ishin bërë pipëz. Kur pas pak pshë se jorgani prapë po më tërhiqej. Po. Ishte ajo. E zezë, këmbëtrashë. Ishte tek këmbët e mia. Në fund të krevatit. Atë çast rroka fyellin dhe bëra ta godasë. Por jo fyelli nuk lëvizte. Pushteti i rrjetës e kishte përpirë. Gjithsesi e lashë jorganin. Edhe ajo e la. U ngrita në këmbë. Dhe mbeta pranë fyellit. Ia shkulla rrjetat. E kappa në dorë dhe me çarçafin e fjetjes nisa ta pastrojë. Ai nxirte tym e pluhur bashkë. Pastaj ia ngula sytë në brendësi të tij. Ishte mbuluar nga rrjetat. Dukej se vite të tëra ajo, pra merimanga kishte bërë punën e saj. Vendosa të pastroja fyellin edhe nga brenda. Dhe kështu bëra. Merimanga kishte zënë një vend në qoshe të dhomës, nga e djathta ime dhe vështronte me ata sy të kërcyer sit ë ndonjë bretkoce. Unë pastro e pastro. Një sy e mbaja nga ajo. Më në fund e pastrova. E kapa mirë në dorë. E ngrita lartë. Një dritë nga rrezet violë të neonëve të rrugës erdhi drejt mbi të. U bëra gati ti bija fyellit. Ajo lëvizi. Pastaj përsëri në vendimin tim. Nisa ti bjerë. Sa fillova ti bjerë, zhurmat e tjera u zhdukën. Asgjë nuk zhurmonte më. Tingulli i fyellit sa vinte e bëhej më i ëmbël, më i fuqishëm. Hodha sytë andej nga ishte merimanga. Ajo kishte ardhur në mes të dhomës dhe përdridhej. Unë vazhdoja ti bija fyellit dhe ajo kërcente. Atë natë unë kisha rënë me fyellin. Kur u ngrita në mëngjez, pashë dritaren paksa të hapur. kërkova gjithandej të gjeja merimangën e zezë. Por më kot. Ajo dukej se kishte ikur.

No comments: