Sunday 28 September 2008

Mushkonjat universitare

Tregim



Fatmir Terziu


“Kujdes mushkonjat bir”, - më tha ime amë kur ma dha dorën atë ditë që autobuzi i vetëm i linjës urbane Elbasan-Tiranë ishte prenotuar nga studentët e rrinj. Por, po të ishte vetëm nëna ime që këshillonte, do të lodhja ndoshta më pak mendjen. Ishin plot nëna që paralajmëronin. E nënat janë nëna! Por, unë u çudita kur e dëgjoja të thoshin, se "mushkonjat në Universitet janë më të mençura, se ata që jetojnë larg". Ishte kohë tjetër. Një kohë që të qenit student mezi pritej. Vareshin listat aty tek Kultura, ngjitur me Degën Ushtarake të Rrethit dhe sapo shihje emrin nuk mbaheshe nga gëzimi… Por, pastaj fillonin gjërat e tjera. Kusure jete. Kusure kohe. Librat, bursa, … shokët e shoqet. Pastaj shtoheshin dhe natyrshëm duhej të mendoje edhe mushkonjat…
***
Unë sapo mbarova studimet universitare, u emërova të punoj mësues i Letërsisë Shqipe në një fshat jo shumë të vogël në veri-lindje të Shqipërisë. Dhe atje, u bëra ‘mik’ me shumë mushkonja natyrale, që fillonin të na vizitonin që nga fillimi i Marsit e s’na ndaheshin deri në futjen e notave të nxënësve të Shkollës së Mesme të Bashkuar “Elez Koçi” në amzë. Por, ishte e lehtë të bëje “miqësi” dhe “marëveshje” me mushkonjat e atjeshme. Ishin jo aq dinake (!) Mjafton të rrëkëlleje dy a tre dopjo nga ajo pika e parë, as që e kuptoje gjëmën e thumbit të tyre. Patjetër, që ata donin të pickonin dhe të thithnin gjak. Por, mushkonjat si mushkonja, binin menjëherë në kurthin e njerëzve, kur u dilte rakia. Më pas ata dukeshin se nuk ishin aq ‘inteligjente’ që të kapërcenin barrierat, kur njerëzit filluan të përdorin rrjeta izoluese nëpër dritare që ti ndanin ato nga bashkëjetesa me ta.Por çdo gjë fillon tek vetja. Unë e kisha mundur prezencën e tyre. Më saktë e kisha sfiduar pickimin e tyre. Në fakt unë isha i sigurtë dhe i garantuar në gjumin tim gjatë gjithë natës që kur doli në modë ajo rrjeta. Dhe tani kujtoj vitet universitare. Madje i shoh në ëndërr edhe mushkonjat. Sa herë që filloj të tregoj ndonjë mesele për to më ndërpriten mendimet. Nuk e di pse. Ndoshta, ngaqë ishin ‘mushkonja’ universitare?!
***
Vite më vonë kur unë s'punoja më mësues dhe fillova detyrën e gazetarit, u përballa me ‘raca’ të tjera ‘mushkonjash’. Ca nga ata të përkëdhelnin dhe pastaj të mernin gjak, madje pa e kuptuar pickimin e tyre. Por, kur ndërrova klimë dhe vend, vite të tjera më pas, kur kalova shtete e dete, në jetën time ngucën më shumë mushkonja. Në mendjen time u ngulën ca ‘mushkonja’ më të çuditshme akoma. Si fillim në Universitetin ku punoja dhe studioja ngeca padashje në këto “veti mushkonjash të çuditshme”. Prania e tyre ishte harbuese. Mu kujtua rrjeta. Natën e parë e gdhiva thuajse me sy hapur. Natën e dytë vura rrjetën. Një rrjetë moderne! Dhe kur u sigurova se ata nuk kishin asnjë mundësi për të kryer misionin e tyre, ia futa gjumit. Por, aty nga mesnata, kur gjumi po merte formën e tij të lartë të përhumbjes, një pickim i çuditshëm më shkundi. Hapa sytë. Ndeza dritën. Ç’të shihja? Kurrizi im ishte bërë gjithë njolla-njolla si pulla kopsash.“Mushkonjat e ndyra!”- shfryva me vete. “Ju thithni gjakun tim, do t’ju bëj juve që të paguani këtë me jetën tuaj”. Dhe nisa të kërkoja nëpër mure, tavan, krevat e ngado. Asnjë mushkonjë nuk gjeja dot. Në qoftëse do të ishte ky universitet diku ku ka fshatra, si ato tonat ku plehu qëndron në kavaleta dhe arave, natyrshëm do mendoje ndryshe. Por këtu me klimë të ftohtë, madje dhe me koindicionerë që mbajnë klimën normale, vërtet bëja çudi me mushkonjat. Në rastin më të fundit që unë i kujtoja ata, kishin një pamje stomakore të jashtëzakonshme, barkmëdhaja, faqekuqe nga gjaku që thithnin e shumë ndryshe nga simotrat e tyre. Atje kujtoja efektin e rrjetës. Këtu ata nuk pyesnin për gjë. Ja, kurrizi im fliste vetë.Po tërbohesha. Por i lodhur rashë prapë në gjumë. Dhe si me forcë prapë kërceva nga gjumi. Atëherë dëgjova një zhurmë mushkonje që kaloi si ndonjë reaktiv pranë veshit tim të djathtë. I thirra vetes në heshtje, ashtu si nëpër dhëmbë. “I dashur?”. "Ato akoma s’kanë ikur! Ata janë duke pritur këtu darkën e tyre të dytë!" E fika dritën përsëri dhe fillova të kërkoj më me vëmendje. E megjthatë prapë po dështoja. Asgjë. Asnjë mushkonjë nuk po pikasja. Këtë herë mora dhe elektrikun e dorës që të kontrolloja më mirë. Kur c'të shihja... Ej, o Zot! Ata ishin fshehur në një qilim në cep të dhomës ku ishte mjaft vështirë që ti gjeje ato. Ishin maskuar si dikur në ato zboret tona ku maskonim veten me gjethe dushku. Por këtu qilimi u vinte në ndihmë. Kur unë e drejtova dritën e elektrikut të dorës drejt mbi ta, ata fluturuan shumë shpejt dhe u strukën përsëri. Sa të stërvitura! Ata ishin të stërvitur për ti shpëtuar rrezikut që u kanosej. Ishin si diçka e padukshme, por shumë e zgjuar. Vepronin si anonimatë të thekur. Por unë në inatin tim.
***
“Nëse gërmoni varrin tuaj për tu fshehur, unë do t’ju përvëloj edhe atje nën dhe”, - shfryva i mërzitur, pas gjithë atyre budallallëqeve të tyre..., që edhe gjakun ta pinin me thumbin e helmatik. Pas betimit tim unë godita me jastëk gati çdo anë të qilimit derisa gjaku u pa qartë me sy.Një natë më pas, unë e bëra krevatin tim si kala dhe u garantova se asnjë mushkonjë nuk do të hynte dot në kohën që po flija. Por, garancia ime e sigurisë dështoi përsëri. Në mesnatë krahët e mia u mbushën me pulla pickimesh akoma më të mëdha se kopsat. Dhe sërrish në kërkimet e mia, por, asgjë. As në vendin e parë nuk kishte më ndonjë mushkonjë.Më në fund sekreti ishte zbuluar. Jashtë rrjetës sime, një grumbull mushkonjash qëndronin në qetësi dhe në mënyrë elegante drejtonin antenat e tyre. Ato ndoshta kishin përfituar nga vënia e pakontrolluar e dorës sime në rrjetë teksa më kishte zënë gjumi. Por nuk po duroja dot më. I tregova një shokut tim për mushkonjat në Universitet. Ai më talli mua me ironi. “Ti erdhe në Universitet të fitosh dije dhe njohuri, dhe të bëhesh i mençur, apo jo? Ti e di se shumë gjëra inteligjente jetojnë përreth Universitetit. Përpara se të vinit këtu të parët e mushkonjave kanë qenë këtu me dhjetra vite para jush dhe kanë përfituar nga avantazhi i studimeve të larta brez pas brezi. Pra, ato kanë mësuar që të dinë se si të bëhen anonimatë dhe të maskuar në çdo lloj misioni të tyre”.Unë u çudita nga kjo teoria e shokut tim. Megjithatë ai më tregoi mua një fakt të vërtetë, se mushkonjat në Universitet janë më të mençura se ato që jetojnë në vende të tjera.


No comments: