Friday 5 September 2008

Në mikpritjen e Jonit


(Mbresa nga Vlora dhe Himara)

Aleko Likaj

Fundi i verës më gjeti në bregdetin e Jonit shqiptar.
Sa isha kthyer nga “tabja” e kalasë së Beratit, ku qyteti dukej në gjithë shtrirjen e tij, që nga Uznova e lagja “Donika Kastrioti” e “Kushtrim” dhe deri tek lagja “Mangalem”, aty nën shkëmb e “Goricë” matanë lumit e deri tek Murat-Çelebi, që sheh tutje në hapësirat e Urës Vajgurore e të qytetit të Kuçovës, m’u desh përsëri të kaloja Kakavijën drejt qytetit bregdetar të Vlorës.

1. Besua, Bruna dhe Bolonja
“Në këto vite dashurie ëndërruam,
që të gëzojmë një mbrëmje bashkë...
Të jemi tek urimi juaj,
në udhën tonë shumë të gjatë...”

Këta vargje ishin tek Ftesa që më erdhi nga miku ynë Besim Mero, ku më lajmëronte për dasmën tek “Bolonja” në Vlorë. Para pesë vjetësh isha i ftuar i posaçëm tek “Bolonja”, në rolin e Dajos, ku Artan Prifti, djali i madh i Fanit dhe motrës sime Mariana, u martua me anglezen Amy Elizabet nga Londra. Tashti isha i ftuar nga një miku im krijues, anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Drita”, që ka kontribuar e kontribuon me mirësinë e tij në bashkimin e krijuesve emigrantë tek revista “Pelegrin” e në gjithë veprimtaritë letrare të këtij Klubi.
Dasmat në Vlorë dhe sidomos tek “Bolonja” që flet gjithë ditët me dallgët e detit, janë të veçanta. Salla, e stolisur si nuse, ishte plot me dasmorë nga të dy palët, me kryefjalën: Nuse-Dhëndër! Aty, në krahun tim kisha poetin Myrteza Mara dhe Simoni, piktorin e ri që së bashku me të shoqen kishte ardhur nga Athina, siç “kisha me vete” miqtë e mi Robert Goro (që nuk mundi të vinte për arsye pune), Vasil Qesari, Iliriana Sulkuqi, Kolec Traboini, Eglantina Kume, Fatime Kulli, Aleko Likaj, Fatmir Terziu, Myslim Maska, Luan Xhuli, Eduart Ymeri, që u bashkuan tek urimi im. Porosinë e Ambasadorit Vili Minarolli, nip Vlore, për të uruar çiftin dhe dasmorët, nuk e harrova. Ai e njeh direkt Besim Meron nga veprimtaritë e përbashkëta që kemi organizuar. Kisha aty në krah vëllanë e madh të Besos, Leonard Meron, që na ka sjellë Mopasan-in në faqet e revistës “Pelegrin” dhe vëllanë tjetër Çlirimin. Prindërit e Brunës, Niko dhe Nola Loshi, vëllai i saj Alketi, shoqia e ngushtë e saj, Bruna e shumë familjarë, të afërm e miq të tjerë... U kënaqëm me “Dy Baxhanakët” dhe gratë e tyre-motra, që kishim në tavolinë: Leonidha Subashi dhe Stavro Subashi (ndodh dhe kështu që baxhanakët të kenë një mbiemër). Orkestra kishte ardhur nga Gjirokastra, një grup djemsh që i binin skaj më skaj me muzikë trojeve shqiptare. Dhe dasma veç gëzimit e urimeve pijeve të ndryshme, mezet e peshkut-erë-deti e të mishit-leshbutë, frutat që kapërcenin stinën dhe ëmbëlsira, që ëmbëlsoi çiftin, kishte edhe kërcimin mbi tavolinë të Besos dhe Brunës dhe fishek-zaret me pupla bore... Kësaj dasme i munguan ato që duhet t’i mungojnë çdo dasme: grindja, inati, xhelozia, thyerja e gotave dhe pamje të tjera të këtyre “dukjeve” burrërore...
Poeti Myrteza Mara hodhi disa vargje-urimi, që u duartrokitën gëzueshëm nga dasmorët:
“Si mund të urojë tjetër një poet, kur zemra flet më shumë se fjala,
Bruna dhe Besimi: një fat-një besë, në udhët e jetës veç ëndrra të bardha...

Si mund ta urojë Poeti-Poetin, kur muza e ndezur nuk flet dot?!
Këtu në Vlorë, në pasqyrë të detit, trashëgime-çiftit për jetë e mot!


2. Me librat dhe poetët

Për Vlorën, dikur kam shkruar “Vlora Poete” dhe është e pamundur që të ndodhesh në Vlorë e të mos gjendesh mes poetëve. Disa ditë më parë lexuesit vlonjate e zgjatën Panairin e Librit, ndryshe nga vitet e tjerë. Presidenti i shtëpisë botuese “Toena” dhe kryetari i shoqatës së botuesve të Shqipërisë z. Fatmir Toçi, që është bërë “pelegrin” i librit-shqip nga rrethi në rreth të Shqipërisë e nga shteti në shtet në botën e qytetëruar, ku ndodhen lexuesit shqiptarë, nuk kishte si t’jua prishte vlonjateve pasjonantë të librit.
Behari i mbledh poetët dhe krijuesit tek vendlindja. Vasil Qesari nuk e le , as një vit, pa e takuar Vlorën dhe Qeparoin. Vjen nga Bordo-ja e Francës, ku punon, prej vitesh, gazetar televiziv, vjen me kujtimet dhe dashurinë e pashuar për nënën që e ka emrin Nënë, për vëllanë, motrën, miqtë, shokët... Kisha disa vjet pa e takuar Vason por nuk na ka munguar në postën elektronike e në faqet e revistës “Pelegrin”. Libri-ese “Misteri Montekristo” që ka nisur në faqet e kësaj reviste, konkurron me fotografitë e tij artistike. Sa ishim në Vlorë, u takuam disa herë e folëm për Klubin e Shkrimtarëve “Drita”, për miqtë tanë krijues dhe revistën “Pelegrin”. “Pelegrin” meriton miq si shkrimtarja franceze ClAUDE CHATRON – COLLIET se, nga numri në numër, po rrit cilësinë e shkrimeve. Kështu, pa tjetër do të shtohen edhe shkrimtarët cilësorë”. Pastaj më gëzoi për ekspozitën fotografike që do të çelte në Nju Jork, në këtë fillim-vjeshte dhe më dha romanin e ri “I braktisuri”, të shkrimtarit Robert Martiko, që jeton e krijon në ishullin e Korfuzit. “Më pëlqen mënyra e të shkruarit të Robert Martikos se brenda fjalës gjen filozofinë e fjalës dhe brenda romanit gjen filozofinë e jetës”-i thashë Vasos. Sa herë mbërrij në Vlorë, i pari më pret Myrteza Mara, dhe në çdo rast me nga një libër të ri. Romani “Semaforët e thyer” dhe novela “Faji i bukur” ishin mirëpritur nga lexuesit. Këta dy libra janë sprovat e para dhe të suksesshme në prozë, pas dhjetë librave me poezi. Nga Italia kishin ardhur edhe poetët Qerim Skënderaj e Seit Seitaj. Setin e takoja për herë të parë (veç botimeve që i kam bërë tek “Pelegrin” dhe antologjia “Itaka e fjalës”), kurse Qerimin (që ka prodhuar një djalë artist të këngës, Alban Skënderaj) e kam takuar disa herë. Tashti jemi edhe banorë në të njëjtin pallat në Skelë, aty buzë detit...
Tavolinat e bisedave letrare nuk munguan as me Prof. Dr. Bardhosh Gaçen, pedagogun e letërsisë në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, poetin-veteran Miliano Stefa, që kishte botuar serinë e veprës së tij dhe e gjeje çdo ditë tek kafe-Riviera në Skelë, duke mos pushuar së shkruari, apo Çlirim Hoxha që më dhuroi edhe dy romanet e tij “Nëndetësja e plagosur” dhe “Ushtarët e botës”që porsa i kishte dalë nga botimi. Aty ishte dhe bashkëqytetari i lagjes Thodhori Baba me librin e ri poetik “Dehja e natës”. Kafe-Lulishtja “Avni Rustemi” pranë shtatores së Heroit, gjithë mbrëmjet rrinte plot e përplot. Ishte vendi më i përshtatshëm për të gjetur krijuesit vlonjatë. Duke pirë kafe me Simbad Detarin takova artisten e mirënjohur të teatrit dhe skenës Luiza Laska. Portreti i saj të impononte respekt. I kishte hije lëvizja, dhënia e dorës, thënia e fjalës. Nga një tavolinë u ngrit e na përshëndeti dr. Pirro Peçi, i ardhur prej mbi një muaj nga Athina në Vlorë e në Himarë. “Tashti rri me miqtë këtu, kur të kthehem do takohemi në Athinë e do pimë një gotë me raki “prej vërteti” siç thua ti...” tha Pirrua dhe më bëri të fala për doktor Evriviadhin. Tek Fredi Marko morra “prodhimet e verës”, librin e ri poetik të Odhise Goros “Pse më solle lule për ditëlindjen?!” 60 lirika në një portret: Poeti-Joni-Himara...
“Shëtitje pa veten” është një nga librat e fundit poetikë të poetit të mirënjohur vlonjate Fatos Arapi, që sapo ishte nderuar me “Kurora e Artë” në festivalin e poezisë në Strugë. Ka të drejtë Poeti, poeti e harron veten kudo që shkel, kudo që gjendet...

3. Në Himarë tek doktor Gorua me miqtë

Rruga nga Vlora deri në Himarë është shumë mbresëlënëse. E kam bërë këtë rrugë edhe kur bora kishte bllokuar Llogoranë, edhe kur era kërkonte të vendoste ligjin mbi pishat, edhe kur uji i ftohtë i burimit të “Sorkadhes” të freskon poret e trupit dhe poret e trurit dhe e ndjen deri në qelizat e kockës. Edhe kur qengji në hell, kripej nënë sqetulla e në bark, lidhej me tel nga këmbët dhe nga shtylla kurrizore tek helli, qepej barku pasi i ishin hequr të përbrendshmet dhe pastaj niste rrotullimi mbi prush sa të pikonte e të skuqej cipa...
Gjithë bregdeti sikur e kishe qëndisur me dorë. Plazhet e pastër, me pyllin e çadrave që kishte mbjellë Bashkia e Vlorës, edhe me karrige, edhe me shtretër plazhi, edhe me dushe për heqje të kripës nga lëkura, edhe me “siguruesit e detit”... (Si mund të shitet në Itali kjo rërë e mrekullueshme e bregdetit shqiptar?! S’besoj të ndodhi asgjë kundër kësaj natyre të bukur joniane!) Bukuria natyrore të bënte që ta harroje rrugën e pashtruar nga Dhërmiu në Vuno, për të mbërritur në Himarë me mbresa kënaqësie.
Në autobusin e vogël të linjës Vlorë-Sarandë ishin 35 pasagjerë të t’ gjitha moshave. Dy të rinj anglezë ishin fundosur mbi romanet e trashë mbi 600 faqe (më i trashë ishte i vajzës angleze) dhe as donin t’ia dinin për bukuritë e vështirësitë e udhëtimit. “Mora në telefon Vasil Qesarin, që ishte nisur një orë më parë për t’u drekuar në Borsh, aty nën kalanë historike e ku rridhte magjishëm uji i ftohtë i Sopotit: “Në autobus janë dy të huaj, që lexojnë libra dhe 33 shqiptarë që bëjnë të kundërtat e leximit... kur mendon se do të hyjmë në Europë ne shqiptarët?” Vasili ma dha përgjigjen dhe unë isha dakord me përgjigjen e tij. I falënderoj pasagjerët që kur dëgjuan bisedën time të mos-leximit, të paktën nuk m’u zemëruan.
Zbrita tek “Shpella” (e zënë nga një masë e thyer betoni dhe e pa hequr). Ngjita shkallët, aty në të dalë të qendrës së qytetit dhe hyra tek porta e hapur. Larushqet te gardhi, rrushi kokër-zi që rrëndonte shtratin, xinxifet te këndi i bahçes dhe domatet, piperkat, ... lulet me në krye borzilokun... tregonin se dikush e dashuronte natyrën me jetën e gjelbër, që i jep jetë e kënaqësi jete njeriut. Kush tjetër veç Doktorit dhe Zonjës së tij nikoqire (që nuk i harroj byrekët e Athinës, pa le këtu në Himarë si mund t’i gatuaj!). Veranda e vilës , mbi 40 metër katror, që më e sakta mund të quhet: ballkon-deti, gumëzhinte nga bisedat e ndezura. Kishte miq Doktori. Nuk mund të kuptohet pa miq ajo derë e madhe. Veç personave që njihja, familja e doktor Goros dhe kunata e ardhur nga Tirana, gjendej një zonjë e moshuar, që i jepte humor fjalës së saj të mençur.
“Doktoreshë Vangjelo Grillo (Veizi)-ma prezantoi doktori-është pediatria e parë e Himarës, këtë kam zëvendësuar unë”. Biseda vazhdoi. Doktoreshë Vangjello, fliste aq hijshëm e me kulturë sa të imponohej. Po edhe i shoqi i saj, shkrimtari i mbi 40 librave për fëmijë, Odhise Grillo, ishte mjeshtër i fjalës së shkruar. Sa Ana, zonja e shtëpisë, na solli kafen të shoqëruar me wiski, ngjiti shkallët një burrë i gjatë e truphollë me një libër në dorë. “Ja-thashë unë-edhe shqiptarët nuk e ndajnë librin nga dora!” dhe tregova historinë e autobusit me dy lexuesit anglezë. I porsaardhuri ishte doktor Sinan Kuka, mjek otojatër. Kishte ardhur për pushime nga Tirana dhe nuk mund të rrinte pa takuar me doktorin e Himarës, Evriviadhi Goron. Dhe kur bashkohen tre mjekë dihet se çfarë udhe merr fjala. Por në atë “konsultë” mjekësie nuk mungoi edhe letërsia. Libri është qytetari, është klorofil-jete për çdo qytetar-mendova. Unë edhe zonja Ana përfituam nga rasti dhe iu “qamë” dr. Sinanit për veshët që s’donin të dëgjonin, edhe pse “audiogramat”e nivelit të dëgjimit i kishim bërë qysh para 30 vjetësh...
Ishte akoma paradite. Doktor Goro telefonoi për makinën dhe ne “çeta” prej katër vetash morëm udhën e plazhit të Livadheve, jashtë Himarës. U banjosëm e u drekuam me peshk të freskët te restoranti i “motrës së Robert Goros” siç i kam folur unë vajzës së vogël të çiftit të madh Goro, Vadikës. Dy vajzat e saj, Eleni dhe Ana, i vareshin në qafë gjyshit. Unë kujtoja me xhelozi, dy nipat e mi, Teon e Nikolën, që më tepër i ngjiten nënë-Leonorës. Por e kam gjetur të “fshehtën”, sa herë vi nga Shqipëria u sjell libra me përralla, abetare në shqip, dhe Teo katër vjeçar, ka nxjerrë konkluzionin: “Shqipëria ka shumë libra, sa herë vjen gjyshi na sjell libra të bukur!”. Kur ishim në kulmin e “qejfit” të tavolinës (me raki pa hile) na vjen telefonata nga Athina. Ishte miku im “prej vërteti” (për miqtë e për rakinë kam qejf ta përdor këtë fjalë) Robert Goro: “Lum si ti-më tha mua-u kam zili. Doja të isha dhe unë aty, por ç’t’i bëj “Tribunës”?!
Mbrëmja, aty tek “ballkoni i detit”, s’kishte të mbaruar. Doktori më tregoi për ato që kishte shkruar dhe do të shkruante, që në libra të shkruar arrin disa volume. Më dha nga ato “mençuritë” e tij për numrin e ri të revistës “Pelegrin”. Gjithmonë punonte në kompjuterin lëvizës, që ia kishte “falur” Berti, me atë pasion siç kishte bërë gjithë jetën zanatin e mjekut. Jeta e tij nuk mund të kuptohet pa letërsinë e mjekësinë. Është një portret me vlerë jo vetëm për fëmijët e tij, nipërit e mbesat, por edhe për shokët e miqtë e tij të shumtë. Ky njeri i nderuar nderon qytetarinë e Himarës. Ky njeri me vlera nuk duhet të jetë jashtë vëmendjes së Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak. Është në nderin e tyre që intelektuali i përkushtuar i Himarës Evriviadhi Goro të jetë Nderi i këtij Qyteti.
Mëngjesin e ditës tjetër më duhej të kthehesha në Vlorë, por nuk mund të ndahesha kaq shpejt nga ky qytet me vlera historike e kulturore, me njerëz që e donin vendin e tyre dhe krenoheshin me vendin e tyre, siç dhe trishtoheshin për “prapambetjen” e infrastrukturës, që akoma e vuante “Himara e bukur-Himarë”... U ulëm aty tek kafe-buzë detit për të pirë një kafe-pazari. Na thirri një i moshuar me shkop, por që energjia ia humbte vlerat shkopit. Kur më prezantoi Doktori, ai u ngrit dhe më përqafoi: “Nase Jani-Pelegrini!”-foli me zë të fortë sa “shqetësoi” tavolinat përreth. “Doktori më ka dhenë revistën Pelegrin. Pastaj e kam kërkuar çdo numër. Pelegrin është një revistë që këndohet me kënaqësi të madhe. Një revistë me vlera letrare që të jep informacion. Është një revistë që s’e lexon në Shqipëri... Të përgëzoj ty dhe stafin që punon!” Ishte mësuesi veteran Pano Maniko, që 82 vjetët e jetës e respektonin jetën e tij prandaj s’ia tregonin moshën. Aty na erdhi Petraq Pali, i ardhur nga SHBA, djali i Mësuesit të Merituar Janko Pali. Më dha dy librat e të atit dhe librin e tij të fundit që kishte botuar. “Historiku i shkollës Qeparo” ishte një nga librat e Mësuesit-Erudit, siç e quante mësues Panoja, që kishim në tavolinë. “Do rri me ty sa të nisesh për në Vlorë-më tha Petraqi dhe, ashtu energjik, thërriste në tavolinë gjithë të njohurit e shumtë e i qeraste me “ç’të donin”...
Joni ngrinte ndonjë dallgë, deri tek ne, sikur donte të na përshëndeste me këngët-magji të bilbilave të poezisë e të këngës Himariote...

“Më humbi një mendim në udhë,
nuk di ku e lashë, s’mbaj mend ku e humba...” shkruan krye-poeti vlonjat Fatos Arapi... Dhe unë, mendimin e humbur mbase e gjej kur të shkel përsëri në udhët buzë-Jonit...

Fund-gushti 2008

No comments: