Thursday 4 September 2008

Nela është poeti i fundit disident në Evropën lindore i mbytur në litar nga diktatura

Trashëgimia letrare e Havzi Nelës

Prof. as. dr. Shefqet Hoxha

1.- U mbushën dy dekada nga dita e martirizimit të Havzi Nelës - (10 gusht 1988). Në 5-vjetorin e varjes u pikasën me shumë zor dhe u rivarrosën eshtrat e tij në Kollovoz, ku kishte dashur ai, te Guri i Gjardanikut. Kështu u plotësua një ndër amanetet e tij:

"Andej, shokë, ju kur t'kaloni,

N'atë kodrinë kush ka me dalë,

Te ai gur kur do t'pushoni,

Për Havziun thoni ni fjalë".

Më 1993 iu dha titulli "Martir i Demokracisë" dhe tri mote më vonë, megjithë shtënimin e këshilltarëve të majtë në bashkinë e Kukësit, gjimnazi mori emrin "Havzi Nela". Në nder të tij është botuar një pjesë e krijimtarisë letrare të mbetur në dorëshkrim (në dy libra të titulluara "Pa nji ditë lumnie", 1996, 2000) si dhe përmbledhja "Fjala në litar" (2005) me kujtime, vlerësime e miradi të 43 njerëzve të politikës, kulturës, artit, letërsisë, bashkëvuajtës e të persekutuar nga regjimi komunist. Një film dokumentar ka gdhendur në celuloid jetën dhe veprën e Havzi Nelës. Dokumente dhe shkrime kushtuar martirit po shpalohen çdo ditë.

Po a është bërë sa duhet për këtë "Promethe të fjalës së lirë?" - Jo dhe jo, sepse Havzi Nela është poeti i fundit disident në Evropën lindore i mbytur në litar nga diktatura e kuqe. Për këte poet mbetet shumë e shumë për të bërë, në të vërtetë qe po bëhet e do të bëhet, megjithëse ata që nxinë jetën e tij dhe të shkuarën tonë nuk kanë çfaqur ende shenja reflektimi, vazhdojnë djallëzisht të hedhin baltë mbi figurën e tij.

2.- Havzi Nela është shuar fizikisht, por ka lënë pas një emër, një kauzë, një vepër. E njerëzit që lënë pas vetes një vepër, nuk kanë për t'u vdírë kurrë - vepra është jeta e tyre. Portretin shpirtëror të Havzi Nelës e kemi të skalitur në opusin e tij letrar prej pesëmijë e sa vargjesh, në epistolarin e mbetur prej disa dhjetëra letrash, në një album të pasur me fotografi dhe në gjashtë dosje hetimore - gjyqësore me 431 faqe, si dhe në mjaft dokumente arkivorë. Kjo pasuri e bolltë mundëson ndriçimin e plotë të jetës dhe të veprës së Havzi Nelës edhe pse shkrimet e para vitit 1967 konsiderohen të humbura.

Opusi i ruajtur poetik mund të çmohet kësi soji:

a) Është krijimtari i lindur në burgje e kampe, pra shfrim i një shpirti të ndrymë në kafaz, i cili si një "zgalem lirie" shpërthen nga qelitë e Rrëshenit, Burrelit, Ballshit, Qafë-Barit dhe nga kampi rrëzë Zepës, midis viteve 1967-1988.

b) Një pjesë e kësaj krijimtarie është formësuar me mend, pa përdorur laps e letër. "Me vjete të tana - thotë autori - vjershat kanë qëndrue në tru dhe tue i përsëritë me vetvete, me kokë nën jorgan, ose në vende ku ishem i vetmuem", prandaj - vijon ai - ma shumë janë "material bruto" sesa krijime të mirëfillta artistike, mbi të cilat pat dëshirë e shpresë të përdorte sharrë e limë, por nuk ia arriti, pse e kositi vdekja.

c) Poezitë e martirit, sidomos ato me tematikë politike, janë reflekse të përpikta të bindjeve të tij dhe të qëndrimeve të shprehura në mjedise shokësh e bashkëvuajtësish dhe para seancave hetimore e gjyqësore, nuk janë frymëzime poetike abstrakte. Në to shpalohet qartë bota e tij shpirtërore - siç dokumentohet në dosjet arkivore dhe në pohimet e atyre që e kanë njohur së afërmi jashtë dhe brenda burgut. Vepra letrare është vetë Havzi Nela, si njeri, si poet, si atdhetar e antikomunist. Poezia e tij lindi e burgosur, u arratis me vështirësi dhe u varros pa krye misionin, por nuk dha shpirt, mbijetoi. Desh zoti dhe shpirti poetik i Havzi Nelës është gjallë!

ç) Rrethanat e vështira, në të cilat krijoi Havzi Nela - siç thamë - ndikuan në nivelin artistik të opusit të tij. Ai shkroi më shumë në gegnisht sesa në standartin zyrtar dhe ka lëkundje në ortografi dhe në pikësim. Prandaj një botim kritik i veprës poetike të Havzi Nelës është nevojë, detyrim dhe respekt ndaj tij.

3.- Vepra letrare e Havzi Nelës përbëhet nga vjersha të shkurtëra e të gjata (poemtha) dhe prej tri poemash të titulluara paraprakisht nga autori: Fluturon shqiponjë e malit me 18 këngë, Kosova Republikë me 23 këngë në variantin e parë dhe 11 në të dytin (fletorja 6) dhe Mujo Ulqinaku e ndarë në dy pjesë. Kjo poema e fundit trajton një temë historike, dy të tjerat kanë të gërshetuara historinë me aktualitetin.

Sipas një klasifikimi relativ, poezitë e shkurtëra dhe poemthat ndahen në lirika të mirëfillta kushtuar dashurisë, familjes, natyrës e atdheut (12), në vjersha moralizuese (3), në vjersha politike (18) dhe në vjersha patriotike (3).

Shumica e poezive janë ndarë në strofa 4-she të kombinuara ndonjëherë me strofa 3-she e 5-she. Poeti është mbështetur në poezinë e traditës; vargu mbizotërues është 8-rrokshi, po ka përdorur edhe 10 e 12-rrokshin. Vargjet janë rimuar në skemat ab-ab (rimë e alternuar) dhe aa-bb (rimë e puthur).

E tërë vepra noton midis poezisë së mirëfilltë dhe rapsodive të Veriut. Autori bart barabar cilësitë e një poeti dhe të një rapsodi.

4.- Tematika e poezive të Havzi Nelës është tejet e larmishme. Në lirikë gëlojnë fryma, motivet dhe mjetet artistike të folklorit të Veriut dhe të letërsisë së Rilindjes (Pashko Vasa, Gurakuqi, Shiroka, Fishta, Çajupi, Mjeda, Noli). Në epikë rikëndohen figurat e shquara historike të kombit dhe të krahinës. Poeti ka huajtur për jernek motivin e zogut të ndrymë në kafaz, të rinjohjes amë e bijë, të metamorfozës së motit, shejtnisë së dashurisë dhe të familjes, vajtimin mbi të vdekurin dhe nderimin e varrit etj. Ka shumë figura letrare me burim floreal e faunistik të marra nga lirika popullore lumjane. Tabani i epikës së Havzi Nelës është kënga historike e legjendare popullore, të cilën e ka pasë interpretuar edhe ai vetë.

Shumë poezi ia ka kushtuar Kosovës, për të cilën ndjen dashuri, dhimbje e krenari të pamatë dhe këto i ka veshur me një puhizë epiko-lirike.

5.- Cikli i vjershave me tematikë të mirëfilltë politike është vlerë e madhe, ndoshta jo për nivelin artistik, por për nga frulliza e disidencës që e përshkon tej e ndanë. Si politikan disident Havziun e dëshmojnë bisedat konfidenciale e kritikat e hapta në tubime masive si dhe qëndrimet burrërore para hetuesisë e gjyqeve politike. Si poet disident ai ndjek hullinë e poezive politike të Nolit dhe nga denduria e përdorimit të sarkazmës e satirës nuk mbetet pas tij. Havziut nuk i mungon gjuha e Ezopit, por karakteri e shpirti i mllefosur i tij mund të knaqeshin vetëm "me vargjet plot vrull që ngrejnë e joshin detin". Ai i dha krah vargut për t'u lëshuar si rrufe mbi tiranin "trumyk", "komplotist", "intrigant", "xhelat pa cipë" - siç e ka karakterizuar diktatorin e shqiptarëve më 1975. Pyes: "Cili poet tjetër i kohës së tij barabitet në disidencë me Havzi Nelën? Ky ka shkruar edhe: "Shtylla qëndrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Hoxha" (Qafë-Bari, 5 shkurt 1983). Po nuk është ndalur vetëm te ky. Në poezinë "Sihariq, shokë, sihariq" - simotër me "Tiranin", i turret një tirani tjetër, i cili - sipas Havzi Nelës - "u vetëvra" ose "e vranë" më 1981. "U vra mizori", "u vra tradhtari" qe kumti i poetit.

Në vargjet politike të Havzi Nelës gjenë dhimbje, vaj, qëndresë, protestë, kushtrim. Ai bën thirrje të hapët që "selinë e përgjakun ta bëjmë rrafsh me tokë", sepse ajo endi shtypjen, varfërinë, robërinë, izolimin, luftën e klasave, e cila u nxiu jetën shqiptarëve dhe poetit, që u ndodh para alternativës "liri a vdekje". "Liria më thërret - shkruan ai - vdekja nuk më tund".

Në poezinë e Havzi Nelës janë endur mjeshtërisht jeta, bindjet dhe shpirti i revoltuar, i pamposhtur i tij. E, pse nuk vdes poezia e martirit, nuk vdes as kujtimi i tij. Ai do të mbetet, ashtu siç qe në të vërtetë, "skifter në fluturim", "poet zemërzjarrtë", "armik i mizorisë", "këngëtar i njerëzisë", "ndjellës i dritës", që "provoi prangat" e "t'errët qelinë".

No comments: