Monday 15 September 2008

Për hir të artit?



Astrit Lulushi,
ShBA

Për Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit të XX, mund të thuhet se ishte një vend që provoi rilindje por kurrë reformim; si ai që për hir të artit shkatërron vetëveten, por gjithashtu mbetet skeptik, si Pilati, ndaj së vërtetës. Ndoshta shqiptarët mendojnë se janë më të zgjuar se bota dhe shohin se e vërteta është vetëm mirazh, ndërkohë që arti, kultura, e bukura - sado subjektive - përbëjnë për ta pasuri apo realitet. Shkrimtarët e artistët e të gjitha fushave, gjatë periudhës së komunizmit, duket se qëndruan indiferent ndaj realitetit për rreth, por edhe kurrë nuk u lodhën të mendonin rreth ideologjisë dhe moralit komunist. Ata sikur u mjaftuan me faktin që Partia e Punës i njihte aftësitë e tyre dhe ishte gati të paguante shpenzimet që ata vetëm të krijonin, por jo shqetësime. Ishte si një ligj i pashkruar në Shqipërinë e asaj periudhe që njerëzit e kulturës nuk duhej të krijonin probleme për regjimin. Dhe kujt i shkonte ndërmend a guxonte të tregohej mosmirënjohës? Shumicën e tyre, Partia i kishte shkolluar me fondet e veta, u kishte dhënë dorën të ngriheshin, të ecnin, të krijonin, të botonin kudo, pa asnjë shpenzim, duke i bërë të njohur, e ndonjë deri të famshëm. Por pati edhe rebelë që u përpoqën t’a shkelnin këtë pakt të heshtur me Partinë. Dhe si njerëzit që mundohen t’u shmangen borxheve a taksave, ata e paguan shtrenjtë duke u lënë në heshtje, apo me vite burgimi në mos me jetën e tyre. Disa edhe u thyen, u përulën dhe me të tjerët, me talentin e tyre, e mbushën vendin me vepra arti, piktura, skulptura, pjesë muzikore, libra të cdo lloji, me sasi e cilësi që shqiptarët kurrë nuk kishin provuar ndonjëherë në historinë e tyre. Kjo shtresë krijuesish e intelektualësh jetoi me ideologjinë, duke u bërë gjithnjë e më shumë pa Parti dhe gjithnjë e më shumë besnike e saj. Dhe kështu arti u zhvillua, me dashje a jo, në shërbim të regjimit; pa disidencë a plangprishje - që njohën regjimet e tjera simotra, por që mungoi në Shqipëri deri në vitin 1990.

No comments: