Sunday 7 September 2008

Troshitje koloriti


(Mbi foton e Miri Dhramit)

Fatmir Terziu

Këto ditë Miri Dhrami foli me ne me gjuhë tjetër. Foli me një gjuhë të veçantë arti. Solli artin e bukur të fotografisë. Dhe me këtë art gatoi mallin e vendlindjes. Gatoi bukuritë e natyrës shqiptare. Ashtu thjesht, por me një gjuhë të larmishme solli ngjyrimet, atmosferën dhe situatën e asaj zone ku mijëra sy e zemra shuajnë mallin. Dhe natyrshëm edhe ai vetë foli akoma më thjeshtë: “I dashur, po të dërgoj disa foto nga vendi. Janë foto të marra në gusht. Secila ka shumë për të folur, por siç thonë kinezët, një foto është e barabartë me njëmijë fjalë.
Ruga që nga Saranda deri në Himarë, po thuaj mbaron në Dhjetor. Është zgjeruar e gjithë dhe po shtrohet. Vitin tjetër mbaron dhe krahu tjetër Himarë-Vlorë. Pra, vendosi si ekspozitë ti shikojnë të gjithë që kanë interes.”
Dhe unë me dëshirën e tij të mirë i vëzhgova fotot. Vërtetë ata flasin me njëmijë fjalë. Flasin në heshtje. Ndoshta më shumë se sa kemi folur ne, ndoshta më shumë se sa dimë ne për rrethanat dhe gjuhën e tyre. Një gjë është e qartë, secila prej tyre plotëson njëra-tjetrën. Secila i flet qetë dhe në hapësirë të ndjeshme njëra-tjetrës. Tre të parat “Jahtet”; “Plazhi” dhe “Pulëbardhat” flasin për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen. Pra ata dokumentojnë në kohë dhe në hapësirë tre pamje që krijohen dhe mbesin në mendjen e njeriut teksa i prek ato me syrin e tij. Pamja vizive e tyre vjen si një mit. Një mit që ka origjinën e tij tek kjo shumëllojshmëri ngjyrash, të cilat historia herë i zverdh e herë i nxin. Në fakt “Jahtet” kanë më shumë fjalë në mes vetes. Ndryshku që vjen si një gërvishtje plagësh në trupin e tyre ka një theks shpotitës. Ama ka edhe një domethënie që nis e bitis në trupin e tyre. Autori i ka sjellë “Jahtet” në sepia. Dhe kjo lloj modë-ngjyrimi ka një tjetër arsye në ridimensionimin e tyre. Pra, ndërsa gjuha e tyre është e heshtur, frymëzimi rreth tyre është i madh. Deri në detajin më të fundit aty gjen edhe interesin e ndryshëm që lidhet hershëm me to.
Tek “Plazhi”, ndoshta është fjala e tjetrit më e domosdoshme. Sytë tanë vetëm shohin, korigjojnë në heshtje dhe dirigjojnë në ecjen tonë, në hapësirën tonë. “Tjetri” ka më shumë halle që të shohë gjendjen dhe pamjen e tyre. E shkuara duket si e shkrirë me të tashmen e tyre dhe e nesërmja ende nuk dihet. Nuk dihet e nesërmja e këtij “Plazhi”…Ndoshta nuk dihet se edhe “Pulëbardha” është fiksuar diku larg, diku në mes të detit. Ashtu e vetmuar, e troshitur…

No comments: