Tuesday 16 September 2008

… Viktima të atij rregjimi dhe kohës që jetonim…



Intervistoi :Raimnonda Moisiu-Hartford CT USA
Për "Fjala e lirë"

Në letërsinë për fëmijë, në planetin e tyre, gjej veten e qetësoj shpirtin"

Interviste me poetin dhe aktivistin e shquar shqiptar nga Kosova ,
Nën /kryetar i SHSHSHA-ë Z.Mëhill Velaj.

Gëzon tributin e një njeriu modest ,energjik,intelektual,gëzon virtytin e mirësisë dhe kujdesit atëror,me një shpirt të madh ,të cilat i mëshiron , edhe në bisedat e thjeshta,që bën me të,ku spikat ndjeshën një humor me një inteligjencë të hollë dhe tejet dashamirëse .I "dashuruar" shpirtërisht ,plot talent,muzë e pasion,pas letërsisë për fëmijë , e tregon pena ,stili i krijimtarisë së tij poetike,që është një burim i pashtërrshën frymëzimi dhe vargjesh për botën fëminore që e quan "celës magjik", ku gjej veten e qetësoj shpirtin.I do aq shumë fëmijët sa ka vargje pafund që jau kushton ish-nxënësve të tij ,të cilët janë përjetësuar në shpirtin e zemrën e tij,-Mezi pres të bëhem gjysh -shprehet poeti .Ju betohem se do jem gjysh i mirëI Kjo tregon se ai gëzon trinomin POET -NJERI- DASHURIA NJERËZORE! Megjithse larg Kosovës, kjo nuk e ka penguar aspak që ai të kontribuojë për ceshtjen kombëtare shqiptare ,për cështjen e Kosovës që ai e do shumë.Është një aktivist i shquar ,ku synimi i tij është që të përhapë bashkim njerëzor,paqe ,dije ,urtësi,ndër shqiptarë .Dhe është aq këmbëngulës sa ja arrin.Ka botuar disa libra me poezi ,si "Gërshetat e Aulonës",Metamorfoza e rruzullit",dhe është bashkëautor i disa antollogjive letrare ,të botuara nga Fotjonart dhe"Zemra prindërore",në shtypin shqiptaro-amerikan ,në Kosovë dhe ëebsite-t ,forumet e bashkëatdhetarëve në internet. Është një dashamirës enthusiast ,optimist i artit e letërsisë ,i te bukurës e të madhërishmes ,në art e histori,sa nuk kursen jo vetem talentin ,kontributin e tij intelektual ,bamirës e shpirtëror ,por edhe sponsorizon financiarisht në lulëzimin dhe përjetësimin e tyre. Por kush janë dashuritë e poetit ,hobet,pasioni për letërsinë ,në vecanti për poezinë ,kalvari i dhimbjes dhe i sakrificave për një Kosovë të Pavarur ,ne do t'i mësojmë në këtë intërvistë që unë i shkëputa ,poetit dhe aktivistit të shquar shqiptar nga Kosova ,me banim në Stamford CT.,Mëhill Velaj.

1-Prej disa kohësh ,kam dëshiruar të realizoj një intervistë me Ju.Heshtje!Përse?

-Është dëshirë e gjithsecilit krijues që në një mënyrë a tjetër t'i afrohet opinionit ,të komunikojë me njerëzit ,të dijë se ai ose ajo,janë dikund në këtë rruzull,edhe pse deti është i thellë dhe duhet me qënë notues i mirë që të arrish në breg.Gjatë këtij notimi e them simbolikisht dy gjëra të kesh parasysh : Të luftosh frikën dhe të kesh forcën fizike .Pastaj kur arrin në breg,fillon të mendohesh ku të sistemohesh,për cfarë kategorie je përcaktuar.Unë me sinqeritetin më të madh po ju them jo vetëm Juve ,por edhe opinionit ,se unë kam punuar pa u ndalur kurrë.Gjithmonë !E kam bërë këtë për lexuesin,për kohën,sepse këta faktorë janë matësi ma i mirë ,se ku secili nga ne e ka vëndin.Unë jam pjesë në atë grupim krijuesish,që së paku,deri tani ,si adhurues i poezisë.Më pas guxova t'i afrohem lexuesit të rritur ,por mbetem gjithmonë besnik vargut dhe rimës fëmijërore.Është kënaqësi e vecantë që të intervistohem për herë të parë nga një publiciste si jeni Ju ,me një reputacion të mirë krijues.
Emocionohem ,nuk di se sa po i afrohem opinionit,atyre ,por edhe juve ju kërkoj ndjesë.Duhet të kisha bërë shumë e më shumë punë e më pas të intervistohesha.

2-Jeni një poet prodhimtar .c'mund të na thoni për krijimet Tuaja të fundit ?

-Dëshiroj,të jem i sinqertë .Punën time nuk e kam bërë shumë publike.Fillimisht kam shkruar nëpër fletore,gazeta shkollore ,revista të kohës dhe shumicën e poezive ,që doja t'i publikoja i mbaja "peng" të shpirtit ,sepse nuk ishte koha e përshtatëshme dhe e duhur.Nuk i pëlqente rregjimit të kohës ,dhe ne padashje bëheshim viktima të atij rregjimi dhe kohës që jetonim,.Por duket se ato kohë të turbullta po kalojnë dhe gjeneratat që janë e do të vinjnë pas nesh ,do ta kenë më të lehtë së paku,kanë lirinë e te shprehurit ,të cilën ne dhe moshatarët e mij e kishim të ndaluar e të mohuar.Për krijimtarinë time ,momentalisht po provoj që së shpejti të dalë një libër më përmbledhje me poezi.Të shpresojmë!
3-Jeni një emër i dëgjuar,Ju lexojmë shpesh në shtypin shqiptaro-amerikan dhe në Kosovë ,biles edhe tani që ndodheni larg vendlindjes.Cfarë ka sjellë në krijimtarinë Tuaj ,ky ndryshim gjeografik?

-Nuk e kisha të lehtë adaptimin dhe sistemimin ,aq më tepër kur vjen nga një vënd i vogël ,mes Ballkanit ,dhe futesh në mes të oqeanit ,pa njerës ,pa njohur gjuhën e vëndit ku ti mendon se do jetosh,biles as kulturën e atij vëndi.Mes shumë dhimbjesh,sakrificash,sfidash e brengash ,merr kohë që në moshën time , 40 vjecare me pesë fëmijë të vegjël.Në atë periudhë të vështirë më është ndodhur shumë pranë një motra ime,me një shpirt të madh të jashtëzakonshëm ,e cila kishte emigruar ma herët se ne.Shumë shpejt ne e muarrëm veten,si familje.Ndryshimi është i madh ,si nata me ditën.Je pothuajse në një botë tjetër .Dy gjera më kanë mbajtur në jetë :Familja dhe njerëzit e mirë që më rrethojne ,që punoj e bashkëpunimi me ta.Vëllezërit e motrat i kam dhunti nga Zoti,ndërsa miqtë gjithmonë i kam zgjedhur ,nuk kam nënvleftësuar askënd ,por gjithmonë kam bashkëpunuar me të zgjedhurit.Me njerës që kanë qënë dikushi.Me këtë rast dëshiroj të falenderoj publicistin Dalip Greca,Kryerdaktorin e gazetës shqiptaro -amerikane ,"Illyria" ,për hapësirën që i ka kushtuar veprimtarisë e krijimtarisë sime,po ashtu edhe gazetarin,Beqir Sina ,në gazetën " Bota Sot". Unë akoma shoh ëndërr me shokët e shoqet e fëmijërisë ,aty ku luanim ,atje te pragu i votrës.Kam shumë shpresë që vitet e pleqërisë do i kaloj herë në vëndlindje herë me fëmijët e mij ,këtu.Me shpresën e madhe të Zotit,që një ditë të bëhem gjysh.Ju premtoj se do jem një gjysh i mirë.(qesh)
4-Ju i kini kushtuar shumë vargje fëmijëve këtij simboli shpirtëror të njerëzimit .Libri me poezi "Gërshetat e Aulonës",i kushtohet pikërisht ,brishtësisë,e dlirësisë fëminore.Cili është "celësi sekret"e letërsisë për fëmijë ,që ju kini?C'mund të na thoni për këtë?

-Për opinionin dhe lexuesin dua të bëj një sqarim:"Gërshetat e Aulonës",është simbolike ,shkruar para tetëmbëdhjetë viteve.Vlora një emër shumë i dashur për mua kur e kam vizituar për herë të parë në vitin 1994 -r.Aty kuptova se Vlora në Illirishte ishte AULONA ,i lidha gërshetat e Marigosë që qëndisi flamurin,dhe si peng dashurie për Ujin e Ftohtë në Kainë e ato vënde të bukura .Më vonë vajzën time të vogël ,sugareshën e babit ,sic e thërras unë ,e quajta Aulona. Shkruaj për fëmijë ,se aty e kam celësin magjik ,në planetin e fëmijës gjej veten e qetësoj shpirtin.Fëmijët janë malli më i shtrenjtë dhe me vlera mirësie ,dlirësie ,pafajshmërie ,që ka bota .Botën pa fëmijë ,unë e konsideroj një botë të mjerë e të mbaruar .Unë kam punuar për një kohë relativisht të gjatë,prej nëntëmbëdhjetë vitesh ,në arësim ,,ku kam qënë në kontakt të drejpërdrejtë me fëmijët.Ata më jepnin lëndën e parë ,arin e pastër njëzet e katër karat,.Unë e përpunoja,,fëmijët ujisnin kopështin tim,në atë kopësht unë gjej gjithmonë frymëzim.Po të kishin mundësi fëmijët të lexonin shpirtin tim ,se sa unë i dua ata-do të më ngrinin një lapidar,përsë gjalli.
5-Ju sapo botuat librin tjetër me poezi ,intrigues që në titull ,"Metamorfoza e rruzullit".Pse ky titull ,dhe c'mund të na thoni rreth mesazhit që përcillni nëpërmjet tij?

-Pas një akumulimi të gjatë pritjeje dhe frymëzimi ,shpirti më ishte mbushur plot.Disa të mira po i ndodhnin kombit tonë ,dhe unë desha të bëhesha pjesë e këtyre të mirave ,e pse mos bëja dicka simbolike,në këtë kohë që po ribëhet Kosova,ku dinjiteti i saj po vihet në vënd .I mblodha poezitë ,në një libër ,të cilën jua ofrova lexuesit.Të presim opinionin lexues se cfarë mendon.
6--Një pyetje delikate e dhimbshme .Ju keni kaluar një periudhë të luftës në Kosovë .Kjo ju ka lënë gjurmë ,vragë,plagë e dhimbje të thella.Keni poezi që jau kushtoni luftëtarëve të UCK-së.C'mund të na thoni për këtë?

-Po Kosova ka qënë me shekuj në luftë ,tash 2000 vite presim liri,por ja që i takoi edhe gjeneratës tonë ,të përjetojë këtë shtypjë mizore sërbe.Por ne duket ishim gjenarata me me fat e pafat,e quaj sepse vuajtëm,,por tani ne bashkë me Kosovën ,po dalim në dritë .secili shqiptar i trojeve etnike ka dhënë në një mënyrë a një tjetër kontributin e mëvetësisisë së shtetit më të ri në botë ,ribërjes së tij.Këtë kontribut të cmuar ne duhet ta vlerësojmë ,posacërisht për atë pjesë të rinisë që u flijua në altarin e Lirisë.Iu kemi borxh që tërë jetën t'i kujtojmë.Si mos të kujtoj ish-nxënësin tim Adrian Krasniqi,ushtarin e parë që dha jetën në uniformë të UCK-së,jo rastësisht them aty,ku brezat kanë pikëtakimin .Unë gjakun e dëshmorëve e quaj trëndafil ,aty ku pushojnë ënndërrat ,nisin pranverat e lirisë ,lirisë që nuk është më ëndërr ,por po përjetësohet.Vitet po kalojnë e malli për të rënët dhe të zhdukurit shtohet dhe gjithmonë ndaj mall poeti me familjarët dhe së paku iu fal vargje nga thellësia e shpirtit tim.Së paku tu lehtësoj dhëmbjen familjarëve.

7-Poezia e Juaj është e arrirë dhe e vlerësuar nga kritika .Cfarë mund tu ofroni krijuesve në përgjithësi nga përvoja e Juaj?

-Ata që në një mënyrë a tjetër e kanë lexuar poezinë time më japin kurajo,të vazhdoj .Unë ju jam mirënjohës të gjithëve sepse ata janë promotori i im,,për vazhdimësi,.Vetë mënyra si sillen me mua ,më jep për të dëshiruar ,.se unë dicka po krijoj,.Ishin kohë të vështira kur në krijonim në terr ,por ne e shihnim një dritë përtej tunelit dhe vazhdonim pa u ndal.Te përvoja e parë unë mësova shumë nga redaktori i librit tim të parë ,shkrimtar shumë i dashur për mua si krijues ,Hasan Hasani,i cili më tha:- Ti din të shkruash ,ke talent ,muzë,-mos u tërhiq!Vazhdo! E mbaj përherë atë shprehje si xhevahire të thëna nga një vëlla poet .Edhe pse ka kaluar kohë e gjatë ,shprehja e tij më ndjek pas.Një këshillë e mesazh për rininë shqipfolëse që i respekton të 36 shkronjat e alfabetit -"që dijnë të bëjnë magji"-bëni bashkë si kallinj gruri e bëjuni miqve tuaj dhuratë poezi .Ajo është një gjini e rëndë për tu realizuar ,sepse në pak fjalë duhet thënë shumë..
8- Kush janë rrënjët e origjinës të poetit Mëhill Velaj?

-Jam lindur në Gllogjan ,që shtrihet në kilometrin e 24-t në juglindje të Pejës,vënd që njihet ,për traditat të shëndosha kombëtare ,në ato vënde që quhet "Lugu i Baranit ",ku kanë pushuar dhe luftuar shumë burra të kombit dhe gjenin strehë e përkrahje për punë të mëdha ,që e prisnin vëndin nga rregjime të njëpasnjëshme .Babai im i mirë ,kishte nëntë fëmijë të gjallë .Jemi pesë vëllezër e katër motra të shkëputur nëpër botë .Babai prej vitesh iku në amëshim,,ndërsa nëna jeton akoma.Sipas gojëdhënave ,vite -vite më parë kemi jetuar në Malësinë e MbiShkodrës,e ma vonë për tu vendosur në afërsi të Kallmetit të Lezhës,ku akoma edhe sot e kësaj dite ,shumë toponime lidhen me emrin e origjinës e mbiemrit tonë,por që për shkaqe ekonomike dhe politike kanë emigruar gjithmonë brënda hartës së gjeografisë Ilire .Një pjesë e madhe jetojnë të shpërndarë në jugë e veri të Shqipërisë dhe pjesa më e madhe në Kosovë .Pjesa tjëtër është shumë karakteristike se jemi në dy konfesione të krishter dhe pjesa tjetër e islamizuar,por me komunikim shumë të ndërsjelltë.Komunikojme si vëllezër të një gjaku që jemi .Dëshiroj një ditë ,sinqerisht në një vënd të përbashkët të kemi një "reunion" (bashkim brezash) të përzëmërt të trungut familjar.Shpresoj të më realizohet kjo dëshirë.Duket ekstreme por shumë e mundëshme për tu realizuar.

9-Si ndjeheni si një qytetar i Kosovës,si poet ,por edhe si një aktivist i shquar për cështjen kombëtare dhe kosovare ,këtu në Diasporë,për zhvillimet më të fundit në Kosovë,dhe statusin që gëzon atdheu yt?Si i shikoni përpjekjet e politikës kosovare,shqiptare dhe ndërkombëtare ,për njohjen e Pavarësisë së Kosovës,nga diplomacia botërore?

-Ndjehem padyshim shumë i lumtur që ma në fund edhe ne po dalim në dritëe.Fundja më mirë vonë se kurrë!-thotë populli.Po japim prova se dijmë , duam e ia dalim.Po dëshiroj ta njohim e respektojmë së pari njëri tjetrin,se duke u respektuar si komb,si vëlla,,e më pas duke qënë mirë në familje ,respektojmë të tjerë .Ndoshta njohjet po bëhen spontanisht ,po na pranon bota dhe Europa ,gabimet që bënë me ne gjatë shekujve.Janë tallur me ne mjaft,por tani janë bindur se shqiptarët janë faktor kyc,në Ballkan.Të shpresojmë!.Por mua si zemër të ndjeshme poeti ,që kam- lutem për një Shqipëri të madhe etnike ,por gjithmonë duke respektuar fqinjësinë e mirë ,se janë popuj më të vegjël se ne.Ne ishim dhe mbetemi brumi më i mirë në Ballkanin plak,dikur bënim historinë .Tani bota e ka kuptuar se ne i kemi dhënë shumë njerës të artit ,pushkës,dhe penës .Bëmë kulturën e Gadishullit ,me mirësjellje dhe virtytet më të larta njerëzore.Pavarësia e Kosovës ,hyrja e Shqipërisë në NATO,inkuadrimi në Bashkësinë europiane,bën të ditur se tani -edhe ZOTI po punon për shqiptarët.
10-JU menaxhoni disa restorante me emër në shtetin e Connecticut-it.Si mundeni Ju,të balanconi ,profesionin tuaj me krijjimtarinë dhe aktivitetin kombëtar?

-Vërtet unë punoj në një nga restorantet e bisnesit familjar, të përfshirë në industrinë kulinare,që më jep komoditet të mjaftuar për punë .Duke punuar për familjen ,kam kohë që të kontribuoj edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan,brenda mundësive të mija .Kam dëshirë të jem aty ku dy shqiptarë bashkohen ,në të mirë të komunitetit e atdheut ,dëshiroj që me mundësinë time prej intelektuali,t'i grish edhe të tjerët në sofrën e paqes e miqësisë,sepse duke qënë bashkë -jemi të fortë.Po mos të isha duke punuar për familjen s'di si do t'ia dilja ,.Kam një mirëkuptim të ndjeshëm nga bashkëshortja ,djemtë dhe vajzat.
11-Ju jeni babai i pesë fëmijve .Tre nga vajzat Tuaja ,Linda,Furtuna dhe Aulona ,janë sportiste ,yje të futbollit(soccer),në Amerikë.Meqë mu dha rasti dëshiroj t'i përshëndes e t'ju uroj Sukssese!Sa ju mbështetin ,bashkëshortja ,fëmijët ,në impenjimet për krijimtarinë Tuaj?

-Po nuk punove si ekip,i koordinuar mirë ,nuk ka sukses.Jemi skuadër komplet e plotësojmë njëri-tjetrin.Të jem objektiv .Mua më ndihmuan shumë fëmijët ,pikërisht dy djemtë ,të cilët akoma pa i mbushur pranverat e duhura të moshës,ju përveshën punës.Që të dy ,Simoni e Noli janë mekanikë shumë të mirë dhe kanë bisneset e tyre ,dy automekanik punues ,dhe janë të suksesshëm në punë.Kanë punësuar disa punëtorë gjithashtu..Vajzat edhe këto i ka bekuar Zoti ,që të trija studiojnë,janë futbollistet më të mira në SHBA,përvec që janë edhe studente të mira .Linda studion për stiliste mode,Furtuna për shkenca politike ,Aulona në shkollë të mesme .Unë mburrem që i kam .Nga sporti kanë përfituar shumë .Kanë përfituar bursa marramëndëse,që cdo kush do i kishte lakmi.Në këtë moment që po bisedojmë i bëj pyetjen vetes:-A është e mundur të jem kaq me fat me fëmijët e mij?
12-Casti më i vështirë në jetë?

Nëpër cfarë katrahurrash kam kaluar ,s'di si jam gjallë .Por kurrë nuk e kam humbur besimin te Zoti e në vetvete ,,as kur më vdiq fëmija i parë ,djalë ,që mu përvëlua në qumësht ..,( e ndërpres).
-Të shpreh ngushëllimet ,dhimbjen e keqardhjen time ....(R.Moisiu)

.......as kur më vdiq ish-nxënësi im ,nga ethet e minjve në bjeshkë të Rugovës,,as kur u vra ish -nxënësi im ,as atëhere kur po na merrej autonomia substacionale e Kosovës,as atëhere kur u dëshpërova të iki nga vëndlindja ,pa iu thënë as nxënësve të mij ,lamtumirë,.Por kjo qënka jeta ,sa diell ,sa shi.MBIJETOVA!

14-A urren Mëhilli?

-Intersant kurrë urrejtja s'ka mundur të më mbillet në shpirt .I dua njerëzit ,s'di të urrej ,di të fal.Sa herë e kam pasur të vështirë e kam shikuar realitetin në sy,.I kam parë gjërat bardhë e zi,.Asgjë nuk është përfekte.Unë me modesti po e them ,s'di me urrejtë .Kur dy njerës grinden qoftë për shkaqe banale , ose normale ,ndihem keq ,ndoshta edukata e shëndoshë që më mëkuan prindërit e mij të mirë edhe pse pa shkollë.,por të kalitur në sfidat e jetës.
15-Në kopertinën e librit me poezi,"Metamorfoza e rruzullit",është edhe portreti i Nënë Terëzës.Cfarë ju lidh me këtë Nënë të madhe të bamirësisë dhe shpirtit shqiptar?

Unë mburrem pse jam nipi i Kastriotit ,se i takoj shekullit që na dhuroi ,Nënë Terezën (E LUMTURUEME),kjo është forca e magjisë,sepse rruzulli ,po na rrivë ne të vegjëlve që dijmë të dhurojmë paqe e mirësi,e pse jo edhe urtësi,si ajo e Rugovës,Anton Qettës, e trimave ,kur e kërkon nevoja si Adrian Krasniqi e Adem Jashari,lirishte do e quaj :Epoka e të mëdhenjve.Paqe :Nënë Terëza,Urti:Ibrahim Rugova,Trimëri : Adem Jashari.Shqiptarët tashmë dijnë të bëjnë politikë.

16-A ka në jetën tënde ndonjë ngjarje që ja sheh gjurmët edhe sot ?

Ka plot ngjarje ,Por më i vështiri ka qënë kur u detyrova të lë Kosovën,më 31 prill 1998,nga raprezaljet që më bëheshin nga oficerët e sigurimit.Në vënd që të nesërmen të isha në shkollë me nxënësit e mij,,unë kërkoja rrugët që vrasin veten për të lënë atdheun,pa ju thënë nxënësve të mij ,lamtumirë.Më përcolli familja ,deri te dera e oborrit,.I lashë më lotë ndër sy.


17-Cilët janë autorët ?

I kam thesar autorët shqiptarë si: Azem Shkreli,Din Mehmeti,Kolec Traboini,Xhevahir Spahiu,Faruk Myrtaj,Roland Gjoza,Adnan Mehmeti,Naum Prifti,Teuta Shabani Toëler,Fatmir Terziu,Pjetër Jaku,etj..Në letërsinë për fëmijë ,Hasan Hasanin ,Drenusha Zajmi Hoxha,etj.Nga poetët botërorë,F.Lorka,Janis Ricos,,këtu në SHBA,Gjekë Marinaj,Ramiz Gjini,Pal Ndrecaj,Iliriana Sulkuqi,Albana Mëlyshi Lifschin,Merita Bajraktari McCormack,Kozeta Zylo,Petraq J.Pali ,Agim Bacelli,Gjeto Turmalaj,, etj,lista është shumë e gjatë.

18- Kini shumë miq këndej dhe andej matanë oqeanit,Cili është sekreti i këtyre lidhjeve të qëndrueshme?

-Dëshiroj që edhe ata të më duan ashtu si i dua unë.Respekto të të respektojhnë?I

19-Ka shumë shoqata shkrimtarësh ,si në SHBA ,ku Ju ,jeni nën/kryetar i Shoqatës Shqiptaro-amerikane ,apo edhe në vënde të tjera të Europës ,ku jetojnë krijues shqiptarë .Si ju duken këto bashkime?

-Aty ku njerëzit janë bashkë për të krijuar ,dicka të mirë ,unë i cmoj ,jam krenar që i takoj SHSHSHA-së,ku punoj fort që të arsyetojë besimin,që më kanë dhënë shokët,.Do jua shpërblej me punë e përkushtim.

20-Cfarë po shkruan poeti tani?

-Po kam shpresë që së shpëjti do ju gëzoj me një përmbledhje poezish -por kësaj radhe ndryshe.Së paku kështu mendojne recesentët që po punojnë.tani-për-tani.

21-Mesazhi i Juaj ,për talentet e reja .....

Së pari për miqtë e mij që kam punuar për një kohë të gjatë ,i përshëndes dhe ju bëj thirrje për përkrahje :Hasan Hasanit,Ali D.Jasiqi,Jonuz Fetahaj,Demush R.Avdimetaj,Pal Ndrecaj,Agim Shehu,Xhavit Alickaj,Gjekë Marinaj,Ramiz Gjini,Xhelal Tetaj,Shpend Gjocaj,Zef Përgega,Margita Markaj,Astrit Tota ,Zois Shutie,e shumë të tjerë që në një mënyrë a tjetër më kanë dhënë kurajo në punë.Mesazhi im është:Sa më shumë dashuri njerëzore për njëri tjetrin,Punoni sot se nesër është vonë për të bërë histori.

Ju faleminderit ! Urime e Suksese!

No comments: