Friday 14 November 2008

Poezia, krijuesi, njohja dhe “ngatëresë-harresa”



Fatmir Terziu

Siç e kemi thënë edhe më parë, që nga fillimet e saj e deri vonë letërsia, krijimtaria letrare, është quajtur vetëm poezi. Kuptimi i saj përcaktohej përpos njësisë poetike që ishte forma e vargut ose metri, siç e quanin grekët e vjetër. Janë rreth 46 lloje poezish, që lëvrohen sot në botë. Të gjitha lëvrohen në fushën e krijimtarisë poetike. Dhe thuajse gati të gjitha kanë lakminë krijuese shqiptare sot. Dhe shpesh vetë poetët apo krijuesit i “ngatërrojnë” ato. Më e “ngatërueshmja” i përket poezisë së quajtur “ABC poezi”. Kjo më së shumti ndodh në mesin e krijuesve të rinj të Kosovës dhe Maqedonisë, të cilët kanë mbetur prapa atyre që më herët e kanë lëvruar këtë tip poezie me sukses. Kjo lloj poezie ka një seri vargjesh që krijojnë emocion, imazh apo edhe ndjenja. Vargjet janë ndërtuar me fjalë dhe fraza. Fjala e parë e vargut të parë fillon me germën “A”, fjala e parë e vargut të dytë fillon me “B” e kështu me radhë. Kjo lloj poezie lëvrohet në krijimtarinë shqiptare kohët e fundit dhe mjaft poetë janë dashuruar me të. Poezi të tilla ka krijuar Kallupi, Zeqo, Duka, Dalipaj, Ahmeti, Krasniqi, Bala e mjaft të tjerë.
Një poezi tjetër që shpesh bëhet e vështirë në llojin e vet, por e ëmbël në lexim është poezia e quajtur “Analoge”, që në fakt është një ngjashmëri midis gjërave. Analogjia është një krahasim midis dy gjërave që kanë të njëjtën lidhje. Një nga shembujt e përdorimit me vend të kësaj lloji poezie është poet ii mirënjohur kosovar, Sabri Hamiti. Poezia e tij “Trungu Ilir” është një model që ngjiz në krahasimin midis gjërave me të njëjtën lidhje. Këtu në këtë poezi shfaqet portreti-peisazh i qytetit, ndoshta po aq mrekullueshëm sa “Mëngjes” i lasgush Poradecit. Të dy këta shembuj janë një arsye më shumë për shumë krijues që tentojnë këtë lloj poezie. Por në poezinë e Hamitit “Peisazh Urban” ajo është tipike moderne dhe një arritje që duhet parë si model:

“Reja e kuqe endet mbi qytet.
Poshtë dheu i zi si futa.
Në dritare të soliterit,
Dielli shtramon vetveten,
E mbytet mbas kodre, vdes.
Reja u vra nga zemërimi, u bë terr
E zbriti mbi rrugët, shtëpitë.
Edhe veten vështirë po e njoh.”

Por Sabri Hamiti është edhe një mjeshtër i përdorimit të Onomatopesë, ku fjalët janë vënë me mjeshtëri që të imitojnë zërin. Tek poezia e tij “Telefoni” fjalët “Alo! Alooo?” nuk janë thjesht një artificë poetike, por një fuqi potenciale e vargut. Poezia ushqehet ndjeshëm dhe lexuesi e sheh atë si një lehtësi e kuptueshme. Por një mjeshtër i kësaj poezie është dhe mbetet Ali Podrimja.

Le të lemë pak mënjanë këtë lloj të poezisë që tingëllon bukur. Një lloj tjetër që unë mendoj është më problematike është lëvrimi i një poezie uniforme, të cilën e ka lëvruar edhe Shekspiri në disa nga krijimet e veta. Kjo lloj poezie tashmë ka marë një formë të gjerë, sepse është e parimuar dhe me pesërrokësha (“pentametra”) iambike. Kjo lloj poezie lëvrohet nga shumë poetë sot që krijojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e jashtë trojeve ku ata janë me punë e banim. Një nga poetët më të spikatur të kësaj gjinie është poeti Abdylasis Islami.
Poezia tjetër është ajo e quajtur “Kanzone” (Këngë) dhe është një lloj poezie lirike italiane, me pesë apo gjashtë strofa dhe me një strofë përmbyllëse të shkurtër. Kjo poezi e shënuar nga poet ii famshëm Italian, Françesko Petrarka, është e mirënjohur në krijimtarinë e Sulkuqit, Jorganxhiut, Doçit, Shehut, Lleshanakut, Traboinit, Alien, Jatru, Ahmetit e mjaft të tjerëve. Poezia e Petrarkës ka sjellë një dihatje të këndshme në stimulimin krijues poetik.
Pastaj vijnë poezitë që vijnë nga kultura japoneze si Haiku, Senriu dhe Tanka. Këto lloje poezish kanë gjetur përdorim edhe në mesin e poetëve shqiptarë. Përshembull Haiku ka tashmë vendin e vet në poezinë shqiptare, por shumë nga krijuesit e tij e kanë keqkuptuar atë. Haiku ka rregulla të strikta dhe ne kemi shkruar për të edhe më parë.
Por, më kryesorja në këtë njohje të llojeve të poezisë është ajo që lidhet me krijuesin, poetin, arritjet dhe vlerësimet e tij. Shpeshherë është ‘xhelozia’ që poeti Ali Podrimja e gjen dhe e zbulon si shkak në disa çmime e vlerësime deri tek evenimenti poetik “Kurora e artë” e Strugës. Ali Podrimja kohë më parë gjatë një interviste në lidhje me “Kurorën e artë” poetike të Strugës do të shprehej: “Në këtë Pellg të Ohrit ai që e ka merituar “Kurorën e artë” para së gjithëve ishte princi i letrave shqipe, Lasgush Poradeci, por Lasgushi nuk është më. Megjithate, mendoj se Kurorën e artë ka mundur t'i takoj letërsisë shqipe që moti, por ekzistojnë edhe momente xhelozie mes kulturave dhe nuk mund të pranohet ndoshta gjeniu krijues shqiptar. Disa nga ata që e kanë marrë “Kurorën e artë” unë i kam lexuar, për asgjë nuk kanë qenë më lart me vlerat e tyre se bie fjala miku im Fatos Arapi, i ndjeri Azem Shkreli apo bardi ynë, Dritëro Agolli apo krijuesit tanë të njohur ndërkombëtarisht, Ismail Kadare dhe Xhevahir Spahiu. Pse nuk është marrë “Kurora e artë”: Lëre, ndoshta na kanë zili!” Në këtë lajtmotiv fjalësh del qartë edhe arsyeja pse disa herë ato që fitojnë bëhen të harruar, apo edhe të ngatërruar. Sipas Podrimes ata janë të tillë se ata pikësëpari krijojnë, por harrojnë të kuptojnë poezinë. Ata që krijojnë dhe e kuptojnë poezinë janë pak. Po aq pak është edhe poezia e mirëfilltë në të gjitha llojet e saj të zhvillimit sot. Duke vazhduar me Podrimen kuptojmë edhe anën tjetër: “Është e vërtetë se kam përkrahur poetët e rinj dhe atë e kam bërë që hapësira e jonë mos jetë e zbrazët, por të shtohen emra dhe dëshiroja që nga çdo cep i vendit tonë të shfaqet ndonjë yll që të bëjë dritë aty ku frymon. Nuk them se të gjithë e kanë merituar një përkujdesje të tillë, por qëllimi im ka qenë thjesht që fjala e bukur shqipe të vihet në lëvizje dhe të mos harrojmë se vlerat megjithatë do të shfaqen dhe do të nxjerrin emra në letrat shqipe. Gjithë këtë e kam bërë si redaktor i Shtëpisë botuese "Rilindja" që kishte për qëllim që në letrat shqipe të ketë emra të rinj, ndërkaq vlerat do të shfaqeshin vetvetiu e kjo varet nga potenca krijuese e poetëve.”

No comments: