Tuesday 2 December 2008

DY VLERESIME PER VELLIMIN E RI TE NDUE UKAJ

VARIACIONE TË DALLUESHME TEMATIKO-STILISTIKE

(rreth përmbledhjes poetike “Ujëvarat e metaforave”, të Ndue Ukajt)


“Ujëvarat e metaforave” është përmbledhja e parë me poezi e Ndue Ukajt, pas një debutimi të disakohshëm dhe me sukses në fushën e studimeve, të kritikës letrare dhe të publicistikës.

Poezia e Ndue Ukajt, si një poezi që përpiqet të zbresë tek honi i shpirtit të njeriut, tek ai labirinth i çuditshëm, më së pari, na vjen në trajtën e një rrëfimi të dlirtë të autorit për vetveten, si jehonë e një shpirti të trazuar, dhe që njëkohësisht prezanton një krijues të përkushtuar, të mbështjellë me ethet e vëzhgimit dhe të krijimit dhe që e bëjnë poezinë e tij sa lirike, aq dhe gjysmëepike dhe dramatike njëkohësisht, sa fantazoide, aq dhe të prekshme për shqetësimet njerëzore që ngre, për temat e ndjeshme që merr dhe rimerr, për atë frymë ekzistenciale që funksionon dhe frymon në trupin e krejt poezisë.

Kjo ndodh, siç është thënë me të drejtë se “Duket sikur poetët do ta kenë gjithmonë punën që është bërë enkas për ta” (V. Simborska).

Poezia e librit “Ujëvarat e metaforave” nuk sillet brenda një rrethi të caktuar, të kufizuar tematik, por natyrshëm shpërfillet njëanshmëria tematike (që shpesh e ngushton rrezen e shikimit); kështu, tematika në poezinë e Ukajt merr më tepër gjerësi, përftohen variacione tematiko-stilistikore, shikimi i lexuesit nuk pikëzohet vetëm dikund, por përftohet e drejta hapësinore e depërtimit në shumë pika e pikëza të shpirtit të njeriut, çka kemi të bëjmë me një vështrim të gjithkundshëm, por dhe me një depërtim tepër të hollë vetëm në trupin e atyre gjërave që mund të shqiten nga shumësia e gjërave dhe të vijnë si të tilla për të shkaktuar dridhje tek shpirti i njeriut. E, në këtë furtunë metaforash dhe hapësinë tematike, nuk mund të ndodhë që poezia të mos jetë më e pasur, më e lëngshme, më pranë shpirtit të njeriut. Rrjedhimisht, ndjesia do të jetë më e natyralizuar, efekti poetik më i gjallë, dhe lexuesi t’i rikthehet kësaj poezie tabloide (mataforoide) me një kënaqësi të re, si për të plotësuar krejt imazhet që mund të përftohen prej saj, duke e ushqyer vetveten me mendimin dhe dëshirën të mos i largohet asgjë prej këtyre imazheve. Brenda variacioneve të dallueshme tematiko-stilistike, shpalohen natyralisht variacione temëzash, variacione idesh, motivesh, trajta të tjera që gjallojnë për shkak të rrëfimit poetik.

Në përmbledhjen “Ujëvarat e metaforave”, koncepti i bashkëkohësisë dhe koncepti i së shkuarës janë vetëm pamja më në reliev e poezisë, është prezantimi parë se çfarë lëngëzohet në këtë poezi. Është, si të themi, vetëm një udhëzues ideotematik. Imazhet lëvizin nga njëra kohë fizike në tjetrën, ngarkohen me imazhe të tjera, rrudhet ajo çka është e tepërt, jofunksionale, dhe mbetet më së fundmi, thelbi i poezisë, mu aty ku komunikimi i autorit mund të jetë vetëm përmes vijave të shpirtit. Dhe në këtë komunikim, ndërfutet miti si pjesë e shkuarës, por dhe si pjesë e bashkëkohësisë. Edhe disa poezi në këtë përmbledhje (“At Pjetër Bogdanit”, “At Gjergj Fishtës”, “Nënë Terezës”, “Anton Pashkut”, “Dardania antike”, etj.), e japin rishfaqjen e mitit me pamje bashkëkohësie dhe lexuesi njëmend mund të shohë (të parakuptojë) mitin në trupin e bashkëkohësisë, si pjesë të saj, si refleks i detyrueshëm i një të shkuare të largët dhe t’afërt.

Kam përshtypjen se në poezinë e Ndue Ukajt, ka përpjekje për të prishur disa shabllone që ekzistojnë në aktivizimin e metaforës (një lloj ndërlikimi i shprehjes, të sintaksës, të lëvizjes poetikë në tërësi, etj), çka do të thotë se autori, në këtë rrafsh, është në përpjekje ta shohë metaforën jo vetëm si një figurë thjesht poetike, por si një mjet të fuqishëm që ve në lëvizje gjithë pamjen poetike, me shfaqjen dhe joshfaqjen e vet. Kësisoj, krejt poezia në fjalë, mund të shihet lehtas si një poezi që funksionon vetëm brenda një shtëpie metaforash.

Është për t’u vënë në dukje se në përmbledhjen “Ujëvarat e metaforave”, ka një rimarrje të aktivizimit të poezisë së gjatë (nëse mund t’i marrim edhe si poema krijime të tilla si “Vetëm heshtje”, “Kënga e dritës”, etj.), dhe kjo formë transformuese, i jep më tepër vlera poezisë, e bën të dallueshme si poezi e imazheve të plota, shton kuptimësinë dhe dendësinë e mendimit, krijon mundësinë e një shprehjeje më të plotë poetike të autorit.

Si e tillë, poezia e përmbledhjes “Ujëvarat e metaforave”, është e mirëpritur, që vjen me kodin e vet të komunikimit, dhe duke u profilizuar si një poezi e një tematizimi dhe shprehimësie të veçantë, ku një ansambël metaforash ndriçojnë edhe pikat më të imta brenda shfaqjeve që përcjell poezia për lexuesin.

PETRIT PALUSHI


NJË PSALMIST MODERN
(pjesë nga recensioni)
Ndue Ukaj deri tash është bërë i njohur si studiues, kritik i letërsisë dhe publicist.
Tani e pas do ta njohim edhe si poet. Vërtet, vargjet e tij ishin (janë) të pranishme në periodikun e shtypur dhe atë elektronik edhe deri tani, por libri ka përmasa të tjera dhe receptohet ndryshe.
Autori i këtij libri nuk është nga ata shkrimtarë që mbyllen në kabinet dhe që të vërtetën ta gërmojë në vetvete. Vargjet e tij paraqesin një formë të komunikimit kreativ, të gjallë, me personin e zemrës, me personalitete të mëdha, me kontekstin kulturor e politik, me botën empirike, me historinë e letërsisë…
Ndue Ukaj nuk është as nga ata shkrimtarë që e gdhendin fjalën duke e reduktuar atë deri në bërthamë, por ai gjithsesi është një njohës shumë i mirë i artit të të shkruarit. Ligjërimi i poetit është shpërthyes, ngacmues, kërkues dhe karakterizohet nga kultura enciklopedike. Për të komunikuar me vargjet e tij lexuesi duhet të jetë i pajisur me njohuri nga literatura mitologjike, ajo biblike, pastaj historiko-letrare etj., që janë tipare të intertekstualitetit. Në vargjet e tij kemi edhe ndonjë varg të huazuar të Azem Shkrelit, apo ndonjë perifrazë të vargjeve të Nënës Tereze etj., që autorit i shërbejnë si pikëmbështetje për të zhvilluar poetikën e vet.
Poeti shkruan në gjuhën standarde, por për efekte të caktuara, në jo pak poezi përdor edhe shprehje dialektore (idiomi).
Çdo poezi nënkupton një lexues, e në vargjet e Ukajt me lexuesin herë flitet në vetën e dytë e herë në atë të tretën. Një numër të madh vargjesh Ndue Ukaj ia kushton të dashurës së tij (në vetën e dytë) dhe këto janë vargjet artistikisht më të realizuara të tij.
Disa poezi Ukaj ua kushton personave të njohur nga fusha e kulturës, politikës apo humanizmit (Anton Pashku, Pjetër Bogdani, At Gjergj Fishta, Rifat Kukaj, Ibrahim Rugova, Nëna Terezë, kryesisht në vetën e tretë, por edhe të dytë), të cilat kanë pak ngjyrim patetik, por përmes tyre autori shpalos brenga dhe ide, kritika ndaj dukurive të caktuara dhe vizione interesante për ardhmërinë …
Ndue Ukaj poezisë, pra edhe poetit, i rezervon misionin e alkimisë (alkimistit) dhe kjo është arsyeja pse ai shkruan.

Me matematikën e zemrës
Zgjidhte të panjohurat e bëra lëmsh
(Poetët vetmitarë)

Pra, Ndue Ukaj beson seriozisht se poeti mund ta ndryshojë botën. E forca e besimit, thuhet në Ungjill, mund të zhvendosë edhe malet.

Prandaj, edhe po e them krejt në fund: Ndue Ukaj është një psalmist modern!
ANTON GOJÇAJ

No comments: