Thursday 18 December 2008

Mysafire në shtëpinë e Mark Twain-it




Nga Kozeta Zavalani



Në Hartford, vizitova shtëpinë muze të shkrimtarit amerikan shumë të njohur Samuel Clemens, të mbiquajtur Mark Twain.

Dy nga thëniet e tij të fuqishme:

"Një nga idealet e mia më të larta është që të mbetem i pashkatërrushëm në këtë botë të paqëndrueshme" dhe "Kur keni dyshime tregoni të vërtetën"
Nga Mark Twain

Hartfordi është kryeqyteti i shtetit Connecticut (Kënektikat) dhe ndodhet në brigjet e lumit me të njëjtin emër. I mbiquajtur "Kryeqyteti i sigurimeve të botës", Hartfordi strehon shumë prej qendrave të kompanive të sigurimeve më të mëdha të botës, ashtu sikurse sigurimet janë dhe industria kryesore në rajon. Thuajse 400 vjecar, ai është një prej qyteteve më të vjetra të SH.B.A.-ve dhe pas Luftes Civile Amerikane ishte qyteti më i pasur i Amerikës. Në vitin 1868 Mark Twain e përshkroi qytetin si më poshtë: "Nga të gjitha qytetet e bukura që kam patur fatin të shoh, ky [Hartfordi] është kryesori".
Shkrimtari Mark Twain do të mbetet një nga njerëzit më të dashur e të përkushtuar dhe një nga autorët më të lexuar të të gjitha kohërave. Ka lindur në vitin 1835 e pikërisht më 30 nëntor. Si shkrimtar, humorist, lektor, kritik social dhe sipërmarrës, ka hapur një dritare unike në jetën amerikane. Personazhet e tij të pavdekshme dhe mitet janë ende të gdhendura në letërsinë amerikane e atë botërore. Si njeri familjar Mark Twain apo Samuel Clemens ndërtoi një shtëpi elegante komforti dhe gjithë sharm, e cila u bë vendlindja e legjitimitetit të tij artistik. Këtu ai shkroi klasikët që ndikuan në krijimin e një terreni të ri për shkrimtarët e tjerë. Ndaj në ditët e qëndrimit tim në Hartford, vizitova këtë shtëpi, tashmë të kthyer në "Muzeu Mark Twain". Më shoqëruan bashkatdhetarët Doria Nasto e Ardit Sholla, që tashmë kanë vite që jetojnë e punojnë në Hartford. Shtëpia muze ndodhet pranë qendrës spitalore St.Francis, ku ne pasi morëm daljen 46 në Sisson Avenue, tek semafori, kthyem djathtas për në veri e pasi vazhduam edhe katër blloqe, tek semafori i dytë u kthyem majtas, në lindje deri në Farmington Avenue. Ndaluam makinën "kadillak" që bashkëshorti Carlos i kishte blerë Dorianës për lindjen e djalit Adam në hyrjen për tek shtëpia muze. Shtëpia e Mark Twain-it, shtëpia ku lindi letërsia amerikane moderne është një vilë me 19 dhoma, dekoruar nga Luis Komfort Tofanz. Familja Clemens jetoi këtu nga viti 1874 deri në vitin 1891, në një kohë kur ai udhëtoi shumë dhe u dha jetë dy djemve me emrat Tom dhe Hak. Një monument historik kombëtar shtëpia është e hapur gjatë gjithë vitit. Sodita gjatë dhomën e rinovuar të bilardos, ku Twain shkroi "Një Janki nga Kënektikat" Në dhomën e gjumit mjaft mbresa më la krevati i tij i madh e i lartë, me kokën e drunjtë të gdhendur mjeshtërisht bukur. Këtu shkrimtari i madh flinte rrethuar nga engjëjt, që për t'i soditur më mirë ato figura që e frymëzonin në krijimtarinë e tij, ai flinte duke vënë kokën nga këmbët... Ambientet e reja të restauruara të kuzhinës dhe sallonit kanë një dekor viktorian dhe mirëpresin veprimtari e takime gjatë gjithë vitit.
Në muze gjen trashëgiminë bashkëkohore të thesareve të krijimtarisë së Mark Twain, që të fut në botën e tij duke pikturuar ekspozenë e thjeshtuar të jetës. Përjeton biografinë e një fituesi të çmimit, admiron dhuntitë e një lexuesi të diskriminuar dhe koleksionues objektesh të artit delikat.
Si fëmija i gjashtë ndër shtatë fëmijët e familjes Clemens, ai nuk njohu përkëdheki nga jeta. Në vitin 1847, kur Sem ishte 11 vjeç, i vdes i ati dhe ai lë shkollën pas klasës së pestë për të punuar si ndihmës në një shtypshkronjë lokale. 18 vjeç ai drejtohet për në lindje të qytetit të Neë Yorkut, ku punoi në disa gazeta të ndryshme. Më vonë shkroi për Sipërmarrjen Territoriale, një gazetë e qytetit të Virxhinias në Nevada, ku ai për herë të parë përdori emrin e vet të artit, Mark Twain. Letrat e tij të udhëtimit, plot me përshkrime të gjalla dhe vërejtje të goditura, gjetën një audiencë kaq miratuese saqë më vonë u ripunuan për librin e tij të parë "Te pafajshmit" jashtë shtetit, në vitin 1869. Po në këtë udhëtim ai takoi kunatin e tij të ardhshëm, Charles Langdon. Siç thuhet, ai i tregoi atij një foto të së motres, Olivia dhe Semi ra në dashuri me shikim të parë. U martua pas dy vjetësh me të. Në një përpjekje për të qenë më afër me botuesin e vet, Semi zhvendosi familjen e tij në Hartford, Connecticut në vitin 1871. Në vitet e para Clemens-ët morën një shtëpi me qera në Nook Farm, një zonë rezidenciale që ishte strehë edhe për shumë shkrimtarë, botues dhe figura të tjera të shquara. Në vitin 1872 lindi vajza e parë e Clemens-ve, Suzi, kurse djali i tyre Langdon vdiq në moshën dy vjeçe nga difteria.
Në 1873 ai e ktheu fokusin e shkrimeve të tij rreth kritikës sociale. Pasi shkroi novelën që sulmonte politikanët e korruptuar, biznesin e madh dhe obsesionin amerikan për t'u pasuruar, që dukej se e zotëronte atë epokë. Për ironi, një vit më vonë përfundoi shtëpia e tij me 19 dhoma në Farmington Avenue
Për 17 vitet që pasuan (1874-1891), Semi, Livi dhe tri vajzat e tyre (Klara lindi në 1874 dhe Xhin në 1880) jetuan në shtëpinë në Hartford. Gjatë atyre viteve Semi përfundoi disa nga veprat e tij më të famshme. Romane si "Aventurat e Tom Sojerit" (1876) dhe "Jetë ne Mississippi" (1883) kapën kujtimet e tij në Missouri dhe mbresat nga skenat amerikane. Gjithsesi komentet e tij për shoqërinë vazhduan. "Princi dhe i varfri" (1881) zbuloi marrëdhënie klasore po ashtu si edhe "Një Jenki nga Kënektikat në oborrin e mbretit Artur" (1889), i cili duke shkuar edhe një hap më para, kritikoi shtypjen në përgjithesi duke ekzaminuar bumin teknologjik të periudhës. Dhe në ndoshta veprën e tij më të famshme, "Aventurat e Hakëllberi Finit" (1884) Clemens satirizoi institucionin e skllaverisë dhe kundërshtoi dështimet e restaurimit dhe trajtimin vazhdimisht të varfërisë të afro-amerikanëve mbi të gjitha.
Megjithëse Semi jetoi suksesin financiar gjatë viteve të tij në Hartford, ai vazhdimisht bëri investime të këqija në shpikje të reja, që e çuan në falimentim. Në përpjekje për të ekonomizuar dhe për të shlyer borxhet, Semi dhe Livi u zhvendosën me familje për në Europë në vitin 1891. Kur shtëpia e tij botuese falimentoi në vitin1894, Semi u detyrua të dilte për një tur mbarë boteror leksioni për të fituar para.
Në vitin 1896 e goditi tragjedia kur Susy Clemens, 24 vjeçe, vdiq nga meningiti gjatë një vizite në shtëpinë e tyre në Hartford. I lënduar thellë ai e pati të pamundur për t'u kthyer në shtëpinë e vdekjes së saj, kështu Clemens-ët nuk u kthyen kurrë më në Hartford. Ata udhëtuan nëpër botë nga viti 1900. Në vitin 1903 pas tre viteve që jetuan në New York , bashkëshortja Livy u sëmur rëndë dhe ata kthehen në Itali, ku pas një viti ajo vdes. Kurse Sam Clemens vdiq fizikisht më 21 prill 1910 në moshën 74 vjeçare, por shpirterisht ai jeton ne zemrat e lexuesve te tij anembane botes.
Në çdo sezon festash shtëpia dhe muzeu i Mark Twain-it zbukurohen ashtu si vetë Sami dhe Livi do ta kishin zbukuruar për Krishtlindje. Kurora të ndryshme ngjiten deri në katin e tretë degë të vogla ashjeje, bimës tradicionale të Krishtlindjeve vendosen në raftet e librave dhe mbi mbulesë, ndërsa vajzat e çiftit bëjnë zinxhirë shumëngjyrësh prej letre në dhomat e tyre.
Sami i referohet kësaj periudhe si "ajo vetëvrasja e skëterrshme e Krishtlindjeve" dhe shton se "Krishtlindjet u shpikën për të shaktërruar shëndetin dhe forcën e grumbulluar përgjatë 11 muajve të mëparshëm dhe për të shurtuar jetët e njerëzve me 10% çdo vit e kjo e bën punën e vet dhe përmbush misionin me një siguri mizore". Livi e kalonte këtë periudhe duke përgatitur shporta për të varfërit, ndërsa vajzat mbajnë mend si bëheshin gati për ceremoninë e vigjiljes së Krishtlindjeve e niseshin me saja e slita duke shpërndarë shportat nëpër qytet.
Një gjurmë çizmeje është lënë në hollin e hyrjes nga Santa: "Nëse çizmja ime do të lërë njollë mbi mermer George [ Griffin , shërbyesi] të mos e fshijë atë. Lëreni aty përherë në kujtim të vizitës sime dhe kurdoherë që ta shikoni ose t'ia tregoni ndokujt lejoni që ajo shenjë t'ju kujtojë se duhet të jeni vajza të mbara…" Në katin sipër, në mëngjesin e Krishtlindjeve vajzat hapnin dhuratat dhe u shkruanin letra falenderimi të afërmëve, shokëve dhe shoqeve. Ato merrnin dhurata si patina akulli, kukulla letre, libra, rruaza të vogla floriri dhe madje piano nje vit! Krishtlindjet ishin një kohë e magjishme për këtë familje, ndaj le të gëzojmë edhe ne ashtu si ata.

No comments: