Sunday 14 December 2008

Përkushtimi i një Bashkëshorti...



(Mbresa nga leximi i vëllimit poetik “Për jetë me ty” të Ivzi Cipurit)

Albana M Lifschin

Përpara kam një libër me një kopertinë ngjyrë të hirtë kornizuar me lule të zeza. Në qendër të saj, një medaljon me fytyrën e bardhë e të ëmbël e një gruaje të re me qerpikë të rrëzuar, në portetin e së cilës duket sikur lodron nuri i dashurisë së parë. Nën medalion është ‘gdhendur’ titulli i librit “Për jetë me ty’.
Provoj një dridhje të lehtë. Kuptoj që kopertina e hirtë me medalionin nuk është një bukuri në vetvete,.nuk është e paqëllimtë, siç ndodh shpesh me librat e botimeve të fundit, apo pa lidhje me përmbajtjen e librit. Kopertina të godet me një mesazh trishtimi për një lumturi ‘të humbur’, por të paharruar. E tek ata që e njohin autorin e librit, Ivzi Cipurin, është një mesazh i thellë, që të depërton në shpirt me realizmin e tij. Eshtë përkushtim që i bën ai bashkëshortes së tij të paharruar, Liçes, në përvjetorin e pestë të vdekjes.
Në përpjekje me një sëmundje të gjatë e të pashërueshme, pesë vjet më parë autori humbi bashkëshorten e tij të paharruar, Alijen,(Liçen) nënën e dy vajzave, Ivës dhe Klodias. Janë rreth tridhjetë poezi shpirti, dhimbje dashurie e malli, të mbledhura në një buqetë kujtimesh në vargje për t’ja sjellë bashkëshortes së rallë, ‘kur t’i shkoje pranë’. Instiktivisht të shkon mendja tek dashurite e mëdha bashkëshortore, ato që hyjnë në letërsi e art, por edhe ato dhjetra e qindra qe qëndrojnë të heshtura në sublimitetin e tyre. Një dashuri e madhe jeton për jetë të jetëve. .
Për autorin Liçja e tij nuk ka vdekur. Prej vitesh,tashmë, ai komunikon për ditë me të, Kudo që shkon, ngado që kthehet Alija(Liçja), ka lënë portretin e saj, gjurmët e saj. Ajo i ka lënë amanet vajzat , për të cilat ai kujdeset dyfish duke përfshirë brenda brengës së tij edhe dashurinë e saj.
Autori e merr për dore lexuesin për t’i treguar një rrugë jete e dashurie pafund. E sjell atë në vitet 60-të. Një ndjenjë e pastër, por e lindur në një mjedis fanatik, kur dashuria përgojohej si mëkat. Të dy të rinjtë të zënë për dore rrugëve e parqeve me portretin e pafajsisë u duhej ta mbronin dashurinë e dinjitetin e tyre. Një ndjenjë aq e bukur ndjente nevojë për mbrojtje nga dhuna e mediokritetit. Kush e ka jetuar atë kohë e gjen shumë realiste tablonë e përshkruar nga autori.

“..sa herë të dy ne cicëronim
a bënim mirë a bënim keq
gjithmonë Hamletin do citonim
…un’ paskam lindur të të ndreq..”

I kredhur në kujtimet e dekadave të shkuara , nëpërmjet një vargu të thjeshtë, të pastër e të qartë, ai përshkruan rritjen e dashurisë për të shoqen, komunikimin e brendshëm shpirtëror, kur ai dhe Liçja filluan ta kuptonin njëri tjetrin pa folur, kur edhe një ndjenjëz xhelozie ’dukej e bukur’ dhe mirëkuptohej, ndërkohë që adhuririmi ndaj botës shpirtërore të njërit tjetrit rritej; kur të dy në sytë e njëri tjetrit u bënë të pazevendësueshëm, kur qënia pranë njeri tjetrit ishte e vetmja gjë që u duhej për të kapërcyer të gjitha vështirësite e jetës. Në këtë lidhje të rallë, lexuesi gjen një idendifikim të plotë të dashurisë me lumturinë, sepse lumturinë nuk e sjell paraja, por vetëm dashuria e vertetë, përkushtimi çiftit ndaj njëri tjetrit. Ky përkushtim i bëri ata më të fortë për të kaluar sëbashku vështirësitë e jetës. Koha që kaloi, vitet që erdhën, e vunë në provë dashurinë e tyre e ajo fitoi mbi shumë vështirësi.
“Ziçe , më thoje , a s’është një mrekulli?
Ç’vlerë kanë të tjerat , kur jemi bashkë të dy?

E ëndërruan të ardhmen e tyre,si një rrugë të pafund që do ta bënn sëbashku , ashtu të zënë për dore, që nga puthja e parë deri në vitet e pleqërisë së bardhë Por a do ta arrinin dot, vallë, atë ditë? Kush është në gjendje të parashikojë të ardhmen? Endërra mbetet ëndërr,destinimi e këput në mes; ndaj tij jemi të pafuqishëm.

“ Këtu papritur kujtimi ndaloi
u ngrita i trishtuar s’dija ku të shkoja
një tjetër çift i vjetër pranë kaloi
dorë për dore, nuk desha ta besoja!

Ndarja është e pakonceptueshme për të dashuruarit. Gjithçka mund të besohet kur ajo ndodh tek të tjerët, por jo tek vetvetja. Vetvetja është ë e paprekshme..Kur Liçja u sëmur, as ai, por as ajo nuk mund ta besonin. Ndaj Liçja refuzoi t’i dorëzohej vdekjes. E bukura e sfidoi vdekjen duke bërë jetën e saj "normalisht” midis dashurisë së bashkëshortit dhe të dy vajzave. E luftoi atë me gjithë forcat e saj shpirtërore për dhjetë vjet rresht, krahas Ivziut të saj, i cili e mbante fort,për të mos ja dhënë asaj dite të zezë marsi 17, 2003. E solli në Amerikë me shpresë për ta shpëtuar Liçen. Dhe kur mësuan fundin e pashmangshëm bashkëshortët shtrënguan duart fort, e si atëherë kur shfaqën dashurinë e tyre para botës, shpallën edhe një herë përjetësinë e saj...

Por si gjithmonë , trime dole përsëri
Ti më njeh Ziçe ndaj mos u shqetëso
Ashtu sikurse unë besimin kam tek ti
Mbahu, bëhu trim, kurrë mos u dorëzo!

Në poezitë e lidhura me njëra thjetrin si hallkat e një zinxhiri të artë,të përshkruara nga një fill dhimbje dashurie pafund, poeti kridhet në të kaluarën, ‘riprodhon ’ lumturinë e atëherëshme mbi dhimbjen e së tashmes e cila do të zgjasë deri ‘sa të vijë tek ty”. Autori ka gjetur një mënyrë komunikimi me bashkëshorten, në këtë retrospektivën,- një linjë komunikimi që do ta mbajë gjallë atë deri atë ditë që do të shkojë tek Liçja e tij.

Duket vajtuar në heshtje të pazëvndësueshmen, gruan e e tij , autori e rrëmben lexuesin dhe e bën shok në pesimizmin e vet, por gjithësesi ky pesimizëm nuk arrin në “vetëvrasje’. Mënçuria, guximi timëria e Alijes, lufta me vdekjen për dhjetë vjet, i japin forcë bashkëshortit:

“Në gurin përmbi varr shoh fytyrën e skalitur
Në zemër digjem zjarr i lodhur i cfilitur
Më dukesh sikur thua, bëhu i fortë Ivzi,
Mos rri veç me mua ke edh dy fëmijë
“ mbahu ti për vete, kurrë mos u dorëz!
Kujdesu për dy gocat, deri në fund mi mbro!’

Poezia Heshtja, është një monolog i gjatë i autorit. Shumë gjëra mbetën pa thënë, shumë gjëra që nuk thuhen .

Heshtja nuk është këngë
Heshtja-kjo gjuhë e rëndë
Heshtja-vaj që s’dëgjohet
Heshtja –dhimbje që s’durohet

Ndër momentet më të vështira janë ato që bashkëshorti provon në muajin e luleve, në prill. Të dy u lindën në prill.Lulet ishin mbjellë për ta. Tani lulet sjellin trishtim. Tufa e luleve –urim për ditëlindje u shëndrua në kurorë…

Prillin tonë me gëzim e prisnim dikur,
Por iku ajo kohë e s’kthehet më kurrë
Për ditlindjen time nuk doja t’ja di
Ditëlindjen tënde, si ta festoj tani?

I gjithë libri është një e vertetë njerëzore e dhimshme. Ivzi Cipurin, këtë burrë me kulturë, fjalëpak që më parë nuk kish shkruar kurrë poezi, dhimbja për humbjen e shoqes së jetës e beri poet. Ndaj poezite e tij janë kaq origjinale, ndaj vargjet e tij të prekin me sinqeritetin e tyre. Ai guxon të jetë vetvetja dhe pikerisht kjo, e bën këtë libër të jetë siç thotë kritiku Xhezair Abazi “sui generis’.

No comments: