Saturday 31 January 2009

D R A G O I I M

Nga Suzana Kuqi




Ku gjenden përrallat ?
ka një në çdo send
në dru , në tavolinë
në gotë , në trëndafil
Përralla rri aty brenda
prej kohësh
e nuk flet
është si një bukuroshe e fjetur
e duhet ta zgjosh
Por nëse një princ
apo një poet
nuk vjen ta puthë...
fëmija përrallën
më kot e pret..


Xhani Rodari

Pylli i zi dhe kalorësi ynë


Një kalorës me pelerinë të errët e kapele të rrasur mbi koke që mbulon fytyrën e tij por nuk fsheh dot flokët e gjatë e të zez, del si hije nga pylli akoma i përgjumur që përkëdhelet nga drita e parë e agimit. Në këtë çast magjik të zgjimit të gjithësisë duket si një figurë fantastike e mbushur plot me mister e trishtim dhe bjen në kontrast të plotë me horizontin që ka filluar të ndizet e ngjyen me ar sipërfaqen e lumit që rrjedh aq qetë sa duket sikur fle. Kali në ngjyrë kafe përfiton nga ky çast e fillon të shuajë etjen. Heshtje. Kalorësi duket sikur ka ngrirë mbi shpinë të kalit, as edhe ajri nuk lëviz e duket sikur respekton trishtimin e dhimbjen e tij. Lotë të nxehtë rrokullisen mbi faqet e tij burrërore. Kush ka thënë se burrat nuk qajnë... Papritmas një trok i zhurmshëm kuajsh vjen nga pylli dhe kalorësi ynë duket sikur shkundet. Kali i shqetësuar lëvizi e me flegrat që fërgëllonin tek ndjente rrezikun, u ngrit kas, hingëlliu e u bë gati për t’u lëshuar me vrap . I zoti shtërngoi frerët duke e detyruar të ulej dhe një çast u duk i pavendosur se ç'të bënte. Kur zhurma erdhi e u bë më e fortë, nguli thembrat në barkun e kalit e rendi drejt lumit. Një pyll akoma më i errët e priste në bregun tjetër...


- & -

Sapo ai u zhduk në të, pesë kalorës të tjerë ja behën e qëndruan po në atë vend ku kish qëndruar kalorësi ynë pak më parë. Kuajt ishin të nxehur e të djersitur. Ju afruan bregut të lumit dhe kuajt filluan të shuajnë etjen. Kalorësit ishin të zemëruar, bërtisnin njëri tjetrit duke treguar shenjat që kish lënë kaloresi i parë në tokë e pastaj ndoqën me sy bregun tjetër, ku dukeshin ende të freskëta gjurmët e kalit të tij. U ndez një diskutim, tre donin ta ndiqnin pas, por dy të tjerët ngulnin këmbë të ndalonin aty dhe të ktheheshin prapa. Papritmas një kalorës tjetër me kalë të zi e flokë të bardhë u shkëput nga pylli dhe u afrua. Dëgjoi të gjithë me rradhë dhe në fund tha:
- "Kthehemi.Atë që kemi filluar ne do ta mbarojë pylli i zi."




- & -
I Zi quhej pylli, por kur dielli ngrihej lart rrezet e tij bënin të shkëlqenin gjethet e lisave të mëdhenj e të fuqishëm me një ngjyrë te gjelbër paksa të errët por shumë të bukur. Ato zgjatnin degët e tyre, i gëzoheshin rrezeve të para të mëngjesit dhe dukej sikur përshëndesnin dhe falenderonin ditën e re. Gjethet e pemëve ishin gjithmonë të gjelbërta, dukej sikur gjelbërimi buronte në këtë vend dhe kjo binte me shumë në sy në dimër kur pylli përkarshi ishte i zhveshur dhe pemët e tij dukeshin si dordolecë qesharakë që dridheshin nga era e të ftohtët e dëborës së bardhë.Toka, ajo pak që mund të shihej nga bregu tjetër, ishte e errët dhe ndjehej nga larg kundërmimi i mirë i dheut të lagësht e të freskët edhe në muajt më të nxehtë të verës. Ishte i bukur si një pyll ëndrrash apo përrallash por askujt nuk ja mbante të vinte këmbë në të. Për sa kohë mbahej mënd në fshatrat përreth , kush kish kaluar lumin e kish hyrë në të, ose ish gjetur më pas i vdekur poshtë fshatit në breg të lumit i sjellë nga rryma ose ... por më mirë i vdekur se sa i katandisuar si ata të paktë që kishin dalë gjallë. Vetëm pak, shumë pak vetë kishin hyrë, dhe këta numëroheshin me gishtat e një dore. Kush nuk ishte kthyer, mendohej i vdekur. Pra në këtë pyll kish hyrë edhe kalorësi ynë dhe tashmë konsiderohej dhe ky si i tillë...




- & -

Pasi u fut brenda në pyll aq sa mendoi se nuk e shihnin më nga ana tjetër, Gjini sepse kështu quhet kalorësi ynë, zbriti nga kali dhe filloi të ecte më këmbë derisa lodhja i këputi gjunjët e u shemb përdhe. Dhimbja e pushtoi të tërin tek pa duart e lyera me gjak. Ishte gjaku i Marikës së bukur. E kish lënë atje nën hijen e atij lisi të madh ku takoheshin përherë. Përse ajo shpatë kish goditur Marikën dhe jo atë? Përse ja kish mbathur dhe e kish lënë atje? Do të ish më mirë të kish vdekur me të . Por ajo i kish thene:-" Ik Gjin! Ik e jeto edhe për mua!" Po ç'e donte jetën pa të? Ai i la rrugë të lirë dhëmbjes dhe u shkreh në vaj. Ngashërimet e tij ngriheshin lart e shuheshin në degët e dendura të pemëve. Përreth kish vetëm qetësi, as zogjtë nuk cicërinin, dëgjonin në heshtje dhëmbjen e madhe të kësaj qënjeje të çuditëshme që kish hyrë ashtu papritur në teritorin e tyre. Diku dhëmbja dhe lodhja e raskapitën dhe Gjinin e zuri gjumi duke pëshpëritur emrin e të dashurës mes dënesave që po shuheshin...




Shtojzavallet...


Tri vasha me flokë të gjatë e të shndritshëm që ju zbrisnin valë valë deri në fund të këmbëve, të bukura si yje, veshur me fustanë të bardhë, lëshonin një dritë të bardhë si qumështi përreth. Dukeshin sikur ishin bërë prej drite dhe ajri. Kishin qëndruar pak më larg Gjinit dhe e vështronin me keqardhje. Lotët, si margaritarë të vegjël rrëshqisnin faqeve të fildishta të vashës me flokë të zinj si korbi.
- "C'po ndodh me ty motërzë ?"- pyeti vashëza me flokë të verdhë si drita e diellit në mengjes.Tingulli i zërit të saj ishte një mori cicërimash të bukura.
-" Vallë e njeh motërzë ?"- pyeti vashëza me flokë të kuq si rrezet e diellit ne perëndim kur duket sikur merr flakë e ndez horizontin.
-" Po motërza, e kam parë dhe e kam dëgjuar kur i binte fyellit e i këndonte të dashurës së tij. I bjen aq bukur sa shpesh kam qëndruar e jam fshehur ndër degë të lisit e shpirtin ma ka mbushur me gëzim. Gjin e quajnë dhe Marika, vashëzën e dashur të tij. Familja e vajzës është në gjak me familjen e tij dhe e kërkonin për ta vrarë, por ajo e deshi dhe e takonte fshehur atje tek ai lisi i madh e i lashtë i pyllit tjetër. Shtriga e fshatit i zbuloi dhe e kallëzoi tek vëllezërit e saj. Pesë janë, nuk janë djem të këqinj, por e dini gjaku është gjak për ta. Kur e pikasën se kishin rënë në kurth ishte shumë vonë. Marika u hodh para duke e mbuluar me trupin e saj kështu shpata që qe nisur për të marrë jetën e djaloshit, plagosi atë. Do ta kishin vrarë këtë djalë të shkretë, por aq u hutuan ata tek panë se shpata e tyre kish prerë një grua, sa e humbën toruan. Kështu, ajo përfitoi nga rasti dhe e urdhëroi të largohej. Ajo, shtriga e mallkuar nuk ju kish thënë se ishte motra e tyre ajo që shihej me Gjinin...
-" I shkreti, "- pëshpëriti flokëarta, -"keq i ka punët. Herët a vonë do t'i shkojë pranë në qiell".
-"Jo, - ja preu flokëzeza, - ajo nuk është në qiell. Ai e din .... vazhdon tek Fjala e Lire

No comments: