Sunday 4 January 2009

NAIM BERISHA NJË ‘SPROVË E SUKSESSHME’



Fatmir Terziu

“Nata e një lypësi” është “sprova e parë me tregime të shkurtëra” thotë autori i tij Naim Berisha në shënimin e librit. Janë 100 tregime të shkurtra. Tregime të shkruara ndjeshëm dhe botuara nga “Dituria”. Tregime që nisin me “Fillim vjeshte” dhe bitisin me tregimin “Njeri”. Tregime që përmblidhen në 127 faqe libri. Dhe të gjitha në pesë kapituj. Pesë kapituj që mbajnë ngeshëm interesin e leximit të tyre. Një interes që shfaqet në mënyrën e paraqitjes, kuptimin, metodën, arsyen, mesazhin, leximin poetik dhe mori gjërash të tjera interesante. Të gjitha këto janë një arsye më shumë për t’u ndalur në leximin e shkrimtarit Naim Berisha, autorit të njëmbëdhjetë librave, romanit “Vetëvrasja e shpirtit”, librave në poezi “Njëzet lumenj rjedhin në klasën time”, “Le të vijnë vajzat”, “Zog i qiellit” etj. Është një arsye që vjen, jo thjesht nga sasia e botuar, por nga vlerësimi i dhënë për të.

Psikologji me ndjenja njerëzore

Naim Berisha është lexuar e vlerësuar nga shumë pena shqiptare. Dritëro Agolli, Teodor Laço, Bedri Dedja, Halil Rama e shumë të tjerë kanë thënë fjalët e tyre për krijimtarinë e tij.
“Nata e një lypësi” nuk është vetëm një sprovë. Tregimet e renditura në këtë vëllim janë një mënyrë e re paraqitjeje. Një mënyrë që vjen nga natyra poetike e autorit. Janë tregime shumë të shkurtra që flasin qartë e përcjedhin ngeshëm mesazhin emocional të tyre. Kështu flasin të njëzetë tregimet e kapitullit të parë. Tregimi “Fillim vjeshte” pasohet nga një tregim domethënës “Fryma e nënës” dhe në tërë argumentin e tyre sjelin një domethënie të madhe tek lexuesi. I pari me një figuracion të plotë sjedh fatin e një tërësie në lëvizjen e detyruar vjeshtore ku pastaj shënohet fati i saj në kohë, vend e hapësirë. Dhe këtu është ajo që lexohet si një ndodhi: “qysh prej asaj kohe, çerdhet e tyre kanë mbetur të shkreta si guaskat boshe të zajeve”. I dyti është një lidhje në harresë-kujtesën njerëzore që lidhet me frymën e nënës. Pastaj me rradhë janë “Nata e një lypësi” që vjen si një telajo e një nate të zezë, “erozion” që sjedh populloren “si dushku për gogla”, apo edhe “Mat e mos pre” që lxohet si një fjalë e urtë e tëra. E kështu plot tregime që në këtë linjë e rendisin autorin jashtë sprovës së tij. Një sprovë e sukseshme! Një sprovë që në fakt me autorin nis që në vitet 80-të. Një sprovë që fillon tek poezia. Shkrimtari shqiptar Teodor Laço thotë për autorin: “e kam ndjekur krijimtarinë e Naim Berishës thuajse që në fillimet e saj. Si shumë poetë që vijnë nga zonat rurale, edhe Naim Berisha sillte natyrshëm aromën e vendlindjes, me të veçantat e saj, me një psikologji ku ndjenjat njerëzore, ato që formojnë ashtin e individit si krenaria për fisin, materializim i rrënjëve të thella dhe i luftrave për mbijetesë, qërshetohen në përjetime të çiltra për dashurinë”.

Rima dhe figuracioni, dy armët e autorit

Kur botoi vëllimin me poezi “Zog i qiellit” autori Naim Berisha theksoi se “nuk kam përfshirë poezi të errëta ose si të pakuptueshme për një pjesë lexuesish, si në tre vëllimet e para. Nisur nga sentenca angleze “no to rhyme it’s a crime” (vjersha pa rimë është një krim) jam munduar të përdor lloje të ndryshme rimash”. Duke lexuar poezinë e tij shkrimtari shqiptar Teodor Laço shkruan: “janë disa hulli që e kanë çuar autorin, Naim Berisha, ndaj një poezie të thjeshtë, konkrete, me rima e me ritëm, por ku është i pranishëm gjithashtu edhe figuracioni që është gjuha e poezisë. Duke zgjedhur këtë formë, autori duket se niset nga dëshira që të prekë edhe atë mërgimtarin pak të shkolluar që don të mbajë në mendje e të përsrisë me vete dy vargje të përmallshme edhe intelektualin që është i detyruar të bëjë punë të rëndomta”.
Dhe natyrshëm poezia e fundit e Naim Berishës është një arsye të ketë kaluar ‘sprovën’ e tij. Ajo është e pjekur dhe e dashuruar me lexuesin, pra duke e detyruar lexuesin të përhumbet mes saj. Berisha është më kthjellët në poezinë e tij. Mjafton të sjedhësh nëpër mend poezinë e tij “Bari i ringjalljes” të kuptosh gjithë forcën e 49 poezive të tij. Autori ka botuar edhe fabulat e tij në vëllimin me fabula “Grindja e skeleteve” (1998).

Romani i Naim Berishës

Jo më kot autori në hyrje të romanit të tij ka përzgjedhur thënien e Henry Heinne: “Ai që dashuron për herë të parë, qoftë dhe pa sukses, është një perëndi. Ai që dashuron për herë të dytë, qoftë dhe me sukses, është budalla.” Kjo përzgjedhje e autorit përshkon gjithë fabulën e romanit që vjen nga goja e Anës, karakterit kryesor që sillet si një plotës e tërë lidhjeve dhe ndjesive me Andin. Fjalëprurja në trajta dialektore të zonës verilindore e bën këtë lidhje dhe pikënisje në roman një fuqi shprehëse dhe një siguri në interesimin e të lexuarit.
“Vetëvrasja e shpirtit” pason kështu suksesin e autorit në poezi, në prozën e shkurtër dhe krijon një mundësi më të madhe shprehëse e lidhëse me sfidën e tij ‘sprovë’. Është pikërisht kjo sprovë që në gjuhën e Brenda Almond vjen si një metaforë e tolerancës shpirtërore për të përshkuar një ndjesi shpirtërore që autorizohet në roman. Gjetja sipas autorit se “toleranca nuk është neutralitet” është edhe një pikëtakim me teorinë e paraqitur nga Almond tek Revista e Filozofisë së Aplikuar (Vëllimi, 14, numri 1, viti 1997, faqet: 19-30). Kjo tolerancë lidh dhe fuqizon tërë karakteret në roman dhe gjen forcë në transparencën shpirtërore të lidhjes Ana-Andi Egro.
Ndërsa filozofia e Berishës gjen se në këtë lidhje është konceptualja midis përshkrimit të natyrës njerëzore dhe konceptit se çfarë është mirë për njohjen e kësaj natyre, sipas Almond, është e njëta gjë që lidhet me disa probleme etike që shërbejnë për të ngritur konfidencialitetin dhe informuar në mënyrë të plotë atë që është diskutuar. Sipas të dyve, ajo që është kryesore është se lidhjet jetike sjedhin një kuptim më të plotë për kuptimin e ideales në tolerancë.
E gjithë kjo lidhje filozofike vjen si një burim i pasur fjalësh që ushqehen nga njohuria dhe pasuria e madhe e autorit. Fjalë të fuqishme dhe të shprehura urtazi janë një thesar dhe një ushqim për letërsinë shqiptare. Këtu Berisha kryen më shumë se sa ‘sprovë’ dhe fuqizon tërë elokuencën e tij krijuese. Naim Berisha nuk shton kështu vetëm numrin e librave të tij, as edhe ‘sprovën’ në një zhanër të ri të letërsisë, por tregon se është një autor që kërkon kujdes dhe duhet parë e lexuar mirë dhe kuptueshëm. “Vetëvrasja e shpirtit” flet qartë dhe pastër në 247 fletët e tij.

No comments: