Wednesday 7 January 2009

Poeti që në jetë kishte vetëm poezinë


Frederik Rreshpja, gjurmët e një poeti të madh lirik

Zef Pali

Nuk e di nëse ka mbetur ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. Gjithë ç’kam dashur e kam humbur. Pra, çdo gjë e kam humbur në mënyrën më serioze dhe nuk ankohem nga fati im. Kur trishtohem shkruaj. Prandaj shkruaj shumë. Nëse rri me njerëz, këtë e bëj vetëm për edukatë. Vizitat dhe mbledhjet i kam inat. Përgjithësisht kohën e kaloj në dhomën time, i vetmuar. Pastaj “sa më shumë të shkruash, aq më i vetmuar je. Është një rreth vicioz”. Kështu do të shprehej kohë më parë ai, para pak ditësh pasi u përcoll për në banesën e fundit.
Rreshpja
Pak rebel nga natyra nuk mungoi të jetonte brenda tipit dhe ekzistencës të tij ditët e fundit të jetës. Mbase i lindur për të qenë një përjashtim, Frederik Rreshpja nuk pranoi mëshirën dhe lëmoshën e askujt. Jetonte në kushtet e një vështirësie të tejskajshme ekonomike, megjithëse poezitë e tij recitoheshin në tryeza parlamentarësh a milionerësh të rinj. Frederik Rreshpja ka pasur një jetë paradoksale dhe tragjike. Rebel dhe krenar, ai nuk mund të pajtohej brenda ideve të shtrënguara të kohës. Kështu jeta e tij u rrokullis nëpër burgje gjatë regjimit komunist për gati 17 vjet. Ndryshe nga të burgosurit e tjerë politikë, ai kurrë nuk e ka përdorur këtë certifikatë as për t’u hakmarrë dhe as për të kërkuar diçka, që në fund të fundit i takon.
Në Shkodër njihej dhe nuk njihej. Mund ta krahasoje me gjithçka e me këdo, por mbase as do të të shkonte ndërmend se bëhej fjalë për një nga poetët lirikë më të mëdhenj shqiptarë të shekullit njëzet, Frederik Reshpjen.
Poezia
Me duar që dridhen dhe më zë të zvargur, një nga miqtë e Frederik Reshpes do të citojë disa falë të Moikom Zeqos, aty në këmbë pranë trupit të poetit. “Poezia e Frederik Rreshpes është skema e tij nevralgjike e pashlyeshme, që dimensionohet në heshtje, delikate dhe e sigurt, në hapësirën panteonike të poezisë dhe të artit shqiptar. Rreshpja është një poet i lindur dhe jo një poet i bërë”. Është e vështirë të flasësh dy fjalë për njeriun dhe për poetin. Në këtë kohë të dominuar nga politika, Rreshpja bëri një sfidë elegante për të na shpalosur një kaleoidoskop imazhesh dhe plot ngrohtësi njerëzore. Libri i tij poetik më i famshëm “Erdhi ora të vdes përsëri”, nuk është aspak një mall nekrofilik. Poezia e Frederik Rreshpes është me një kod dhe një apel simbolesh dhe nënkuptimesh. Në poezinë e tij, është një finesë tepër e hollë, një delikatesë e brendshme që të habit Robert Elsie, pohon se që në rininë e tij Rreshpja ka qenë një poet tronditës. Botuesi amerikan, Henri Izrael, shënon se poezia e Rreshpes “është një poezi tronditëse dhe me një mjeshtëri që amerikanëve iu mungon”. Kritiku rus Ivanov shkruan: “Ne kemi Pushkinin, Eseninin dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një poet të tillë”. Kritiku francez, Leo dë Rua, thotë se është tronditur nga ky njeri që përmban një gjenialitet ballkanik, ndërsa Ismail Kadare, thotë se Frederik Rreshpja është ndër poetët më të mirë të Shqipërisë.

Pasaporta
Datëlindja 19 korrik 1940
Vendlindja Shkodër
1967 Boton vëllimin “Rapsodi shqiptare”
1991 Kryeredaktor i gazetës “ORA”

PËRGJITHMONË
O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.
Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë me det
Dhe varkat e lotëve kanë për të ngecur në stere.
Shkoj dhe shirat po i lë të kyçura
Por do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua.
Unë kam qenë trishtimi i botës.
O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.

No comments: