Friday 30 January 2009

Ulko Çopia



Fatmir Terziu

Ulko Çopia fshiu mustaqet me dorën e majtë. Pastaj po atë dorë e kaloi si pa ndonjë qëllim pas prapanicës. Ndoshta si një motiv që shoqëron fshirjen e duarve. Pastaj pështyu mes dy shuplakave dhe pasi i fërkoi me njëra-tjetrën nisi të kërciste gishtat. Kështu kreu gjestin e tij të dytë në pak sekonda, krejt instiktivisht. Fshiu dorën tek pantallonat për së dyti. Mandej përsëri me dorën e majtë kruajti hundën. Gjesti i tretë i tij. I treti dhe i fundit.
-Ulko Çopia?-u dëgjua zëri nga altoporlanti.
-Këtu!- bërtiti ai sa fuqi zëri kishte, aq sa sheshi që gumëzhinte pushoi si me komandë.
-Bëni në krye!
-Si urdhëroni!
Ai eci mes turmës. Cepin e xhaketës tip ushtarake e jakëngritur e kafshonte ndër dhëmbë. Gjesti i katërt, thuaj. Pastaj u ndal. Mori drejtqëndrim. Shikonte vetëm andej nga erdhi zëri me altoporlant.
-Sa vjeç jeni?
-58.
-Pse keni ardhur?
-Kam ardhur për aksionist…
-Aksionist?
Të qeshurat në shesh dhe zhurma therëse e altoporlantit që deshifronte të qeshurën therëse të Instruktorit të Komitetit të Partisë, gati mbytën përgjigjen e prerë të Ulko Çopias.
-Ju prisni aty, ju sqarojmë më vonë - oshëtiu sërish altoporlanti.
Ulko Çopia bëri disa hapa mes turmës së madhe aty para godinës së vjetër të ish-degës ushtarake, dhe ngeci thuajse pak metra nga pozicioni i tij i parë, pasi nuk e çante dot më tej rrugën nga turma me njerëz. Uli kokën poshtë dhe u mundua t’u shmangej vështrimeve direkte.
Teksa kërciste dhëmbët nga inati, nëpër mend sillte pastarmanë e varur në tra. Tre ditë iu deshën ta kryente atë varje të gjithë atij mishi të stërkripur e të tharë nëpër trarët e shtëpisë së vjetër. Ishte një mesele më vete kjo puna e pastarmasë.

***

Tre burra të një familjeje. Tre gra dhe shtatë fëmijë. Kjo ishte në fakt familja Çopia. E njohur dhe e dëgjuar në vite për pasuritë dhe bereqetin e saj. Por prej më se tridhjetë vjetësh, ky emër ishte harruar. Ishte harruar madje gjithshka lidhej me këtë emër. Çopiat hynë në kooperativë, por çe ku e mbanin ndonjë bagëti. Natën e ushqenin dhe natën kujdeseshin për bagëtinë. Kur u dha urdhëri për kolektivizimin, Çopiat mbajtën veshët në radio. Urdhëri ishte urdhër. Të plotfuqishëm e punonjës të sigurimit qëndruan më dendur në ato anë. Lëviznin edhe natën. Dhe ku dëgjonin ndonjë blegërimë, dihej rezultati. Internim me gjithë familje. Çopiat nuk kishin asnjë shans. I dorëzuan bejkat dhe shelegët me duart e tyre. Pikë qumështi jo se jo, por edhe pastërmaja u harrua në shtëpinë që shquhej për të, në tërë zonën. Kush afrohej tek Çopiat, era e e pastarmasë dimrit të mbushte kraharorin. Dhe kush s’kishte shijuar atë të uruar me ndonjë gllënkë raki?
***

Ulko Çopia u ngrit herët atë ditë. Doli thuajse pa gdhirë mirë. Gjithë ditën nuk u duk në shtëpi. Kur u kthye ishte afër mesnatës. Hapat e tij ndaluan afër grazhdës. Një kërcitje e derës së rëndë e të drunjtë të grazhdës dhe pastaj, një fener bëri ca dallgë drite mbi dëborë. Kaq u desh që të rikthehej ajo zhurmë e atij dimri që dukej sikur vinte me gjithë malin tëposhtë. Atë natë Ulko Çopia fjeti gjatë. Në mëngjez gruaja e shkundi dhe ai ashtu gjysëmsyhapur e pyeti për kaun.
-Kaun? – pyeti e tromaksur gruaja, duke ngritur supet dhe parë sa nga ai e sa nga tavani.
-Po, po kaun të thashë. Kaun që e solla mbrëmë.
- Unë, unë ,… s’kam parë gjë ka.
-Si nuk më patë ju mbrëmë kur e solla kaun?
-Jo.
-Atëherë, ja pra unë kam sjellë një ka. Ai është në grazhdë dhe duhet ushqyer mirë e dhënë ujë të vakët, se …
-Se çfarë?
-Se do ta therr e do ta bëj pastërma.
-Mirë.- ia ktheu e shoqja si me gjysëm goje dhe menjëherë rendi tek babai i tij. I ati i Ulko Çopias, një burrë vetulltrashë, i mbajtur dhe shumë i mençur, të paktën kështu njihej në atë zonë, menjëherë brofi në këmbë. U mbështet mbi bastun dhe e pa të shoqen e Ulkos në sy. Pastaj priti ajo të fliste. Sa ajo u bë gati të nxirte fjalën e parë, ai lëvizi dorën dhe i bëri shenjë të mos vazhdonte. Bëri nga dera. Pastaj nga dhoma ku flinte Ulko.
-Dëgjova zhurmë kau mbrëmë, apo…?
-E di, e di…, që ke kohë që s’të prish gjumin një zhurmë e tillë. Edhe mbrëmë mendova se …
-Se çfarë?
-Se do të më ndihmoje të…
-Pastarmaja nuk bëhet natën, nuk bëhet me …
-Mos duhet që..
-Jo, po më thuaj ku e gjete atë ka?
-Larg, shumë larg. Një ditë me këmbë, baba.
-Ashtu?!
-Ai ka nuk më duket nga andej. Ai ngjan më shumë me…
-E paske parë?
-Po. Sa u shtrive e të zuri gjumi ty, unë atje e kisha vendin.
-E di se çfarë na ke bërë?
-E di. E di se kam prishur emrin e mirë të Çopiajve. E di. Por a e di ti se ne s’kemi më emër?
-Jo, jo, nuk bëhet kështu, nuk bëhet…
-Po, e di këtë, e di.
-Mirë atëherë. Para se ta therrim, zgjoje tët vëlla, dhe kam diçka për të provuar.
-Çfarë? Ç’është kjo provë?
-Shko zgjoje njëherë…, shko.

***

Kau për gati një vit u bë pastaj pjesa e fshehtë e tyre. Ai kurrë nuk pa dritë dielli me sy. U mbajt në grazhdë dhe u ushqye aty. Vetëm kur erdhën të korrat e misrit mëngjezeve herët plaku e nxirrte deri tek ara. Ai kujdesej për të. Ai e ushqente. Ai i çonte ujë.
Një ditë i mblodhi bashkë të dy djemtë. Dhe nisi tu tregonte diçka.
-Lëshojeni kaun mes stavave të misrit. Lëshojeni të ecë vetë, - u tha plaku.
Ata të dy shihnin njëri-tjetrin në sy. Pastaj e lëshuan. Kau kaloi stavën e parë, pastaj të dytën, të tretën, të katërtën, të pestën, të gjashtën dhe tek e shtata nisi të kafshojë kallinjtë e verdhë të misrit që vareshin poshtë nga tejpjekuria e tyre.
Plaku ngjeshi duart mbi dorak dhe foli menjëherë: “Tani po. Tani ai është për pastarma. Dëgjoni mirë djema. Në këtë jetë çfarë do të bësh, është e pamundur që të të mos rikthehet në dëmin tënd, në kokën tënde. Dhe iu kthye Ulkos. Ti e rrëmbeve kaun që na e grumbulluan neve, por dije se prapë do të ta grabisin. Por kur kau shkoi tek stava e shtatë, duke lënë gjashtë pa prekur, unë kuptova se pas shtatë brezash, le të ndodhë ç’të ndodhë. Mundi dhe sakrifica e tim biri most ë shkojë kot…”
Dhe ashtu u bë. Kau u therr. U bë pastarma. Dhe dimri kaloi si vite më parë në familjen e Çopiajve. E ndërsa dimri ia linte mantelin e zi bardhësisë së pranverës, postieri në një nga ditët me diell u solli një letër të zarfuar. Ishte një letër e Komitetit të Rinisë që kërkonte vajzën e Ulko Çopias për në aksionin e hekurudhës. Ulko nuk e donte veten.
-Unë nuk kam vajzë për aksione. Nuk e çoj në aksion. Dhe ashtu bëri. Ditën që do të nisej ai u gjend vetë në atë shesh.

***

Ishte thuajse i përhumbur. Sheshi po zbrazej. Autobuzët po mbusheshin. Para tij tre burra me kostum dhe një me uniformë policie kishin nxjerrë një bllok dhe diçka shkruanin. Shkruanin e vetëm shkruanin. Ai u shkund. Fshiu sytë, pa përqark dhe ashtu në hutim e sipër foli: “Jo, unë nuk e volla kaun…”

No comments: