Tuesday 31 March 2009

“Perjete me ty”, poezi e dhimbjes dhe dashurise




BEQIR SINA, New York

Babe e bije poete te njohur ne Amerike


Vitet e fundit, nje sere aktivitetesh me titull “U promovua libri”, po organizohen ne shume qytete te shteteve amerikane. Aty ku me se shumti jane edhe te perqendruar shqiptaret, kryesisht komuniteti I shkrimtareve, poeteve, tregimtareve, eseisteve, novelisteve, monografive, biografive, dhe publicisteve shqiptare ne SHBA-es. Emigrimi i nje numeri te madh te tyre, eshte bere burim frymezimi dhe ka qene I begate per shume autore, te gjejne kohen e lire te shkruajne libra. Dhe t’i promovojne, me pase ato me ceremony te bukura e terheqese. Qe do t’i kishin zili edhe autoret ne Shqiperi, Kosove e viset shqiptare. Ketu dite komuniteti shqiptare, u njohe nepermjet medias elektronike se: Shoqata Atdhetare - Kulturore Shqiptare – Amerikane “Bijte e Shqipes” , Keshilli Drejtues i Shoqates, ne bashkepunim ...

Lexo tek Fjala e Lire

Monday 30 March 2009

Braktisja e të moshuarve, një plagë e re për shoqërinë shqiptare



Nga Nuri Dragoj

Tranzicioni i shoqërisë shqiptare po rëndon në radhë të parë mbi moshën e tretë. Lëvizja e të rinjve drejt emigracionit, tendencat për të krijuar familje bashkëkohore, familje të vogla apo të vetmuara në çifte, pa praninë e vjehrrës apo vjehrrit, kanë vështirësuar jetën e të moshuarve. Burime zyrtare të besueshme bëjnë të ditur se janë mbi 500 të moshuar në vit, ose rreth 40 në çdo muaj, që kërkojnë ndihmën e shtetit, për shkak se kanë mbetur të vetmuar, të braktisur nga fëmijët e tyre, diku për shkak të emigracionit dhe gjetkë, për shkak se fëmija i tyre nuk mund të jetojë bashkë me prindërit. Kjo krizë e dukshme në jetën e të moshuarve, vihet re për herë të parë në vendin tonë, pasi në vitet e shkuara ka dominuar familja patriarkale, ku prindi kishte autoritet të padiskutueshëm ndaj fëmijës. Tani po ndodh e kundërta. Nuk është fjala për t’u kthyer sërish te familja patriarkale, por për një sensibilizim të mundshëm ...

Lexo tek Fjala e Lire

Friday 27 March 2009

GRYKËS




Roman

Fatmir Terziu



Dyert e bibliotekës u mbyllën dhe në një tavolinë të vogël, që qëndronte anash të tjerave me një tufë lulesh në cepin e saj, mbeti libri “Nudo Zyrtare” i Faruk Myrtajt. Monda Huta, e bija e deputetit të zonës zuri vendin e saj në një anë të stolit të vetmuar të parkut “Rinia” dhe iu kthye me një ton të vrazhdë katër femrave të tjera. “Unë para së gjithash e quaj këtë mbledhje “E Diela e Fjalës”, aq sa për ti vënë një emër. A jemi dakord me këtë pikënisje, ju lutem aprovojeni duke ngritur duart”.
Elisa Torpe la filxhanin e saj të kafesë mënjanë dhe u afrua të ulej më pranë saj. Sytë e saj bojëqielli tikluan sa gati u duk sikur u zgjua në çast nga gjumi, ndërsa trupi i saj i hollë u duk sikur u ngjesh njësh me trupin e Suzi Çepës, të bijës së Prokurorit, që ndodhej bri Fridës dhe Mendës. “Berta dhe unë ndoqëm mbrëmë të gjitha lëvizjet e Shefit të Policisë, Subit. Ne e ndoqëm atë deri në brendësi të asaj godinës gjatë gjithë kohës”.
“Çfarë patë juve, … atje?”,- pyeti Menda Bogja, duke injoruar habitjet e të tjerave, që mbetën me gojë hapur. Sytë e saj të ullinjtë diktuan një admirim për habinë e tyre të shfaqur.
“Titi e organizoi këtë mision, së bashku me atë gruan që quhet Rita Alko, që të na shpjerë ne tek dhoma sekrete prapa rrapave buzë Shkumbinit, ku duket se vetëm ajo pikë karburanti punon në funksionin e saj. Në derën e pasme kishte disa vrima të vogla që kishin mbetur nga tejtharja e dërrasës me nyje e gunga pishe dhe ne me pak vështirësi kishim mundësi të shikonim mjaft gjëra që na vinin në kuadratin e hapësirës ...

Lexo tek Fjala e Lire

Thursday 26 March 2009

Francezi që desh ta bënte Pogradecin “Venecia e Ballkanit “



Bardhyl Berberi

Kam patur rastin në prill të vitit 1988 të më bjerë në dorë për të botuar një projekt i një projektuesi francez prej 12 faqesh me një titull “Pogradeci Venecia e Ballkanit “ djali i projektuesit Edmondi Gariku gjatë vizitës në Shqipëri dhe në Pogradec më la një kopje të projektit për ta botuar por ishin vitet e diktaturës dhe shefat e mëdhenj partiakë që kontrollonin shtypin dhanë urdhër që ky shkrim të mos botohej sepse nuk e dinin se çfar ishte ky francez !Por projekti ngeli në dosjen time personale të dokumentave me vlerë dhe imeli që më dërgoj këto ditë akademiku Luan Starova me orgjinë pogradecar dhe ambasadori i Maqedonisë për disa vjet në Francë më detyroj ta shfletoj dosjen dhe tju sjell ...

Lexo tek Fjala e Lire
Hija e UNMIK-ut dhe dilemat e Kosovës

Nga Gjon KEKA*

Përpjekjet e Bashkësisë ndërkombëtare për të stabilizuar dhe qetësuar rajonin e Ballkanit kanë qenë të vazhdueshme, do mbeten dhe do jenë edhe më tutje një ndër pikat më të rëndësishme dhe strategjike për ardhmërinë e këtij rajoni në përgjithësi. Ato, jo vetëm kanë arritur që të krijojnë kushte të qartësimit dhe të vullnetit të përbashkët të palëve të përfshira në shuarjen e “zjarrit ballkanik”, por edhe hapjes së një faqeje të re dhe një vizioni të qartë drejt ...

Lexo tek Fjala e Lire

Wednesday 25 March 2009

"ZOTI JU DHASHTË...NA FALNI CA PËRKRAHJE..."



- Se braktisa "sigurinë e plotë amerikane" -

Shefqet Meko
Minneapolis SHBA


Një debat i kohëve të fundit për rolin e të rinjve në politikën shqiptare, më solli në mendje të njëjtën batutë të njohur se "Enver Hoxha braktisi Francën për fatet e Shqipërisë..." Por kishte një ndryshim të madh, sepse autori që braktisi "sigurinë e plotë amerikane..." sikurse deklaronte Velija në TV Klan, edhe pse ka një vullnet dhe dashuri të madhe për Shqipërinë, ka një mangësi të madhe: i mungon karizma në publik. E pashë për herë të parë këtë djalë në TV dhe e admirova për guximin që tregon për ta ndryshuar politikën në Tiranë. Por Velija nuk të bënte për vete me ato që thoshte. Madje ai edhe përrallat nuk i tregonte me dëshirë që t'i dëgjoje. Dhe thashë: Nëse ky është modeli i udhëheqsit "të ri" në Shqipëri, Dash Shehi tingëllonte më i ri edh pse me plot thinja që nuk i leu kurrë...
Duket se ata që kanë shkuar në Shqipëri për ta ndryshuar, e kërkojnë ndryshimin si "dhuratë" nga baballarët e politikës ...

Lexo tek Fjala e Lire

Tuesday 24 March 2009

“Një nënë greke më lindi ,një nënë shqiptare më rriti ,mirnjohje pakufi shqiptarve ….”


Bardhyl Berberi

Rrugën për në Niçën e thellë malore e cila gjendet në krahinën e Gorës e kemi bërë që nga Qafë –Panja .Kalojmë njëra pas tjetrës lugina të bukura me male alpinë të mbuluara me kurora të gjelbëra të aheve dhe të pishave .Jemi futur në mbretërinë e pyllit .Nga larg dëgjohet zhurma e ndonjë motorsharre dhe të trokiturat ritmike të sëpatës e cila përzihet me këmborët e tufave të mëdha të bagëtive dhe me këngën e pafund të zogjëve .Një simfoni e vërtetë .Shiu që ka rënë e ka harlisur së tepërmi gjelbërimin në këtë pranverë të hershme.Në pjerrësinë e malit një masiv dëbore ,duket sikur dy stinët janë bashkuar me njëra tjetrën .Burime të pafund me ujra të kristalta që nuk ndjen të ngopur .Në pyll fryjnë erëra dhe korente që vijnë nga larg .Dikur kjo zonë ka qënë një stabiliment i madh sharrtarësh ,ishte një qytezë e vërtetë na thotë Petraq Shkëmbi një bari nga Niça me ...

Lexo tek Fjala e Lire

Sunday 22 March 2009

INDIVIDUALITETI LETRAR I BEQIR MUSLIUT

Nehas Sopaj

Materiali qw po ju paraqesim wshtw shkwputur nga studimi i autorit Nehas Sopaj: “Individualitete Letrare” pwr vepwrwn e shkrimtarit Beqir Musliu. Redaktor: Sali BASHOTA. Recensentë: Shaip BEQIRI, Ramadan MUSLIU.


Libri që keni në duar, është mund disavjeçar hovesh të ndry¬shme shkrimi që nga viti 1993 e këndej rreth veprës letrare të B. Musliut (1945-1996), shkrimtarit tonë shumë të njohur, një nga më të veçantit në letërsinë e sotme shqiptare. Nuk di se sa do të jetë i suksesshëm ky libër, por jam i sigurt se opinioni do ta mirëpresë këtë mund, sepse shkrimtari dhe vepra e tij meritojnë diçka të këtillë. Libri nuk është menduar të ndriçojë aspekte nga biografia e shkrimtarit, kjo gjë u mbetet miqve më të ngushtë të autorit, në vend të kësaj këtu studimi merret me fenomenin e shkrimit të tij që është një nga problemet shumë thelbësore dhe shumë të mundimshme të lexuesh¬mërisë. Autorin e kam njohur shumë herët, që në vitet e adoleshencës sime (1971 e këndej), por nuk kam pasur fatin të jem afër tij, sado që miqësinë autori ma kish ofruar që atëherë, dhe siç edhe zakonisht ndodh, leximi “për karshi” nganjëherë është më i dashur. Ky libër merret ekskluzivisht me veprën e botuar të shkrimtarit dhe mund të them se është i vetmi shkrim që mëton të jetë interpretimi i tërësishëm i veprës së autorit. Të gjithë ata që e kanë njohur Beqir Musliun, e dinë se ai në hartimet letrare, ishte “i shumtë“, shkruante poezi të gjata, proza e drama “të çuditme”, ndaj nga periodiku dhe botimet e atëherë¬shme, krijimet e tij ishin ndër më të “vështirat”, ndër “më të mëdhatë“ që botoheshin, dhe ata lexues që dëshironin t’i kuptonin, dety¬roheshin t’i mësonin mirë rregullat e teorisë së letërsisë dhe të estetikës, duhej të mbatheshin mirë e mirë me gno¬seologji, erudicion dhe ontologji, të ishin në korrent me kohën (historike dhe estetike), përndry¬she kthehe¬shin pa kuptuar gjë nga ajo që lexonin.
Beqir Musliu, krijuesi i cili m’i kish hapur dyert e letërsisë mua personalisht, mu kur po “çelej”, “rritej” dhe bëhej “i madh”, shpejt m’u bë “i huaj” pikërisht për shkak të mënyrës së tij të shkrimit dhe “frikësimeve” të kritikucëve të kohës! Fillimet letrare të autorit, më vonë bëri që unë, më se një dekadë, “të largohem” nga ai dhe të mos e lexoja autorin, të “mërgohem” nga rrjedhat e tij letrare për një kohë, duke iu rikthyer vetëm në vitet e pjekurimit të shkrim¬tarit, pra pas “plandosjeve” të mia jetësore në kohën kur shkrimtari ynë kish botuar veprat e tij më të mira letrare. Prandaj them se unë nuk dalloj fare nga shumica e lexuesve/krijuesve të tjerë, të cilët “e kishin “braktisur” dhe nuk e lexonin më autorin, kështu që vetëm kah vitet e fundit (prej vitit 1983), te unë u ndez ndjenja e moçme që ta lexoja autorin, ta lexoja dhe rilexoja dhe t’i kthehesha “grishjes” miqësore të tij nga viti 1971, letërsisë së tij. Më shumë se një dekadë, vepra e shkrimtarit ishte “trashur”, ishte bërë e madhe, kaq sa ishte shumë vështirë të “çelej” dhe “qepej” para syve të mi magjia e dikurshme e leximit. Grishja e vjetër që një vepër letrare ta lexoja me ëndje, pa “bacilet” e teorive, dogmave dhe hijeve të “diktatit” soc-realist, të ngu¬litur pavetëdijshëm në sub-koshiencën time, tani magjia e shkrimit të shkrimtarit vetë po më shkarkohej nga mendja.
Hiq lexuesit e këqinj të veprës së këtij shkrimtari të madh, hileqarët e ziliqarët, si dhe lexuesit që letërsisë mund t’i hyjnë edhe sot me teza të ngritura prej përpara me atë që prej letërsisë ta kërkojnë atë që arti letrar nuk mund ta ketë, vërtetë janë shumë të paktë lexuesit e B. Musliut (qofshin ata edhe “miqtë“ e tij më të ngushtë, prandaj shkrim¬tarët që sot mund të jenë eminenca e kohës), të cilët e kanë lexuar komplet këtë shkrimtar. E them me përgjegjësi se vërtetë janë fare të paktë ata lexues të cilët e kanë lexuar B. Musliun fillim e fund. Krejt kjo, për shkak të mënyrës së shkrimit të shkrimtarit! Ata mund të thonë se e kanë lexuar, por nuk e kanë lexuar, sepse po ta kishin lexuar, po ta kishin lexuar p.sh. romanin Amullia apo dramat, nuk do të bënin aso gafesh të tipit: “Beqir Musliu ishte poet dhe mbeti vetëm poet”, në ndërkohë që autori ka dhënë prova se ai lëre që nuk është vetëm poet, por prozator dhe dramaturg me po të njëjtat vlera që mund të qëndrojë në kulm të tri gjinive letrare për të cilën kritika letrare akoma s’di se kjo është e vërtetë. Krejt kjo, sepse vërtetë të rrallë janë lexuesit, prandaj edhe të interpretuesit, të kësaj vepre në tërësi të këtij shkrimtarit!
Vepra letrare e Beqir Musliut duhet parë në dritën e një evoluimi të gjatë krijues në të cilën autori bëri shembullin e një lëruesi vetëmohues e të palodhshëm të letërsisë, duke lënë amanet mija faqe shkrimesh të ndryshme letrare. Ajo shtrihet në tërësinë e saj, duke u dalluar nga të gjithë krijuesit e tjerë dhe kap tri gjinitë kryesore - poezi, prozë dhe dramë, të cilat autori i kishte kultivuar paralelisht, me një intensitet dhe dinamikë pothuaj të njëjtë, në tërë shekullin e tij krijues. Prandaj, për ta njohur veprën e krijuesit dhe sidomos veçantinë e tij, për t’i parë tiparet artistike, dhe siç do ta thoshim ne, për ta mikrofilmuar “grimasën” e tij intime, duhet parë esencialitetin letrar nga fillet e para krijuese në të cilat ai shquhej me një indivi¬dualitet shumë të veçantë nga të gjithë shkrimtarët tanë të tjerë bashkëkohorë. Duke u nisur nga ky aspekt, prandaj unë më poshtë do të përpiqem të jap një kontribut modest për ndriçimin e disa aspekteve të fenomenit letrar të shkrim¬tarit, duke u munduar t’i zbardh disa aspek¬te të shkrimit, të cilat, ma merr mendja mua, e ardhmja do t’i dëshmojë si shumë thelbësore nga vepra e tij, që është kulm i eksperi¬montuesit, modeluesit nga më të guximshmit dhe më të sukses¬shmit që ka pasur ndonjëherë letërsia shqiptare në përgjithësi. Duke qenë mjeshtër që bëri sprova më shumë se të gjithë të tjerët në fushë të letërsisë, ai me durim dhe guxim shumë të madh punoi, eksperimentoi dhe dha vepra shumë të rëndësishme të letërsisë shqipe, që me vite rrinë akoma të pastudiuara nga kritika jonë letrare. Duke qenë krijues që arriti jo vetëm të trasojë tema dhe motive të ndryshme, por edhe t’i kurorëzojë ato brenda një vepre të madhe, me stil dhe shprehje autonome, ai paraqet një nga kulmet e rralla estetike në të cilën vigjilon një madhështi letrare ku e bukura dhe e shëmtuara trajtohen me të njëjtin seriozitet, me një shkrim nga më të çuditshmit te i cili vlon një zjarr prometeik krijues nga më të paepurit në tërë letërsinë e sotme shqipe. Duke çmuar se kritika shqipe i ka shumë borxh këtij krijuesi, jam i sigurtë se një ditë do të vijnë studiues të cilët do ta ndriçojnë këtë vepër monumentale që na qëndron e pastudiuar nga fillimi, në mënyrë që ta shohim të sistemuar, të interpretuar dhe të prezantuar si duhet, me një fjalë, ajo të bëhet e kapshme për vlerat që kanë brenda. Duke e parë numrin tematik të revistës Jetës e Re të vitit 1997 që i kushtohet autorit me rastin e vdekjes së tij, ku janë mbledhur pothuaj të gjitha shkrimet rreth veprës letrare të autorit për kohën kur qe botuar, fitohet përshtypja se autori ynë në letrat shqipe, kryesisht kish qenë vetëm poet, edhe pse, siç dihet, autori gjatë tërë jetës, krahas poezisë, krijoi të gjitha gjinitë dhe zhanret letra¬re,aprozë (tregime, romane), dramë, por edhe kritikë letrare, publicistikë etj. Jo vetëm nga ky botim ku janë përmbledhë pothuaj të gjitha shkrimet për autorin dhe veprën e tij, por edhe më gjerë, brenda dyzet vjetëve e sa, në opinionin publik shqiptar në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, vazhdon të dominojë mendimi se autori ynë kryesisht kish qenë poet, dhe vetëm pastaj edhe prozator, dramaturg e kështu me radhë. Është e vërtetë se B. Musliu për nga natyra ishte poet, madje duke i analizuar poezitë dhe krijimet në prozë dhe dramë të cilat kanë tharmin e poezisë, fitohet përshtypja se vokacioni i parë i shkrimtarit ishte thjesht poezia (shih deklarimet e T. Dërvishit, S. Hamitit etj.), por ç’bëjmë se prozat dhe dramat e autorit, atij ia kanë marrë shumë më tepër kohën e krijimtarisë se sa poezia, dhe se rëndësia dhe pesha e këtyre dy gjinive nuk rrinë fare prapa poezisë, kështu që botëkup¬timi ynë për veprën e tij letrare, përveç se në “paushall”, edhe “fizikisht” mund të ndryshojë. Duhet të themi se brenda kësaj kohe, (pra pas vitit 1997), gjithsesi të pafavorshme për shkak të luftërave dhe thyerjeve të mëdha që ndo¬dhën dhe që ndër¬prenë zhvillimin shkencor albanologjik te ne, krahas disa studi¬meve dhe qasjeve kritike rreth prozës dhe dramës, për kënaqësi të opinionit tonë, krejt papritur u botuan disa studime dhe qasje kritike shumë serioze ndër më kompetentet që janë shkruar ndonjëherë për autorin dhe veprën e tij, siç janë janë studimet e R. Musliut, N. Islamit, J. Papa¬gjonit, I. Stafës etj., që hapin gamën e interesimit të ri për B. Musliun, i cili ndryshon dukshëm në gjykimet e mëparë për autorin dhe krijimtarinë e tij. A flet kjo se po nis, nga fillimi, epoka e studimeve për autorin? A do të thotë kjo se po nis interesimi i opinionit për veprën e tij? Këtë mbetet ta dëshmojë e ardhmja. Në këtë drejtim, edhe ky kontribut imi modest. Mendoj se problemi i parë që shtron sot vepra letrare e B. Musliut, është mosleximi i saj jo vetëm nga lexuesit e thjeshtë, por edhe nga vetë kritika letrare. Marr guximin të them se shumë pak janë lexuesit që e kanë lexuar dhe lexojnë B. Musliun, madje edhe lexuesit e shkolluar, kritikët, por edhe vetë shkrimtarët. Këtë e konstatoj, sepse nuk ka asnjë studim të plotë për veprën e autorit, qoftë ajo edhe pa ambicie shkencore, një studim rrumbullakësues që do të tregonte iti¬nerarin e përgjithshëm letrar të autorit para lexuesve . Nuk u paraqit asnjë kritik letrar që do t’ia bënte një vlerësim të tërësishëm kësaj vepre, krijuesit par exelence, ndonjë studiues i cili do t’i “ulej” leximit në tërësi veprës së këtij krijuesi, leximit që do të ishte hapi i parë për të filluar njohja e krijuesit në dimensionin e tij të drejtë, gjë që do ta grishte lexuesin për mënyrën e shkrimit të tij të veçantë, shumë herë të diskutueshëm në “kallaballëk”, kur është në pyetje sidmos ky krijues dhe vepra e tij, por edhe “shkolla” e tij. Është shumë e qartë pse kritika profesionale i bishtëron inter¬pretimit të veprës letrare të autorit, sepse ajo është shumë e gjerë - poezi, prozë e dramë, që është një ndër më të mëdhatë në produksionin tonë letrar në përgjithësi. Ajo është shkruar me një gjuhë dhe stil shumë të lartë, që me automatizëm presupozon një punë të madhe për njohjen e kodeve të veçanta të shkrimit të autorit, që d.m.th. se kjo kërkon një mbathje teorike bukur të lartë për t’i njohur drejt mesazhet dhe vlerat e vërteta estetike që kanë, ndaj duket se kritika sikur i “frikësohet” interpretimit të vërtetë veprës letrare të autorit, sikur “i trembet” dekodimit të këtij krijuesi, i cili ishte deshifrues duke shifruar , ishte dhe është një autor që patjetër duhet të interpretohet, në mënyrë që të kuptohet drejt në mënyrë që vepra e tij letrare të komu¬nikojë lirshëm me lexuesit. Lirshëm, sepse për t’u kuptuar kjo patjetër duhet kulturë, gnoseologji, erudicion dhe ontologji, estetikë dhe filozofi, informata dhe dokumen¬taritet nga të gjitha kohët dhe epokat, një mbathje maksimale teorike, përafër¬sisht adapte me karakteristikat që ka vepra brenda, në mënyrë që lexueshmëria e autorit të “kapet” plotësisht, diçka të cilën nuk e ka bërë askush gjer tani. Me botimin e veprave letrare të fundit që bëri ShB Faik Konica në shtatë vëllime , duket sikur po vjen epoka kur vepra e Beqir Musliut do t’i nxisë studiuesit të fillojnë ta lexojnë dhe njohin atë si një ndër shkrimtarët më pak të lexuar dhe të cilin kanë dashur ta njohin, por s’e kanë njohur. Fitohet përshtypja sikur po vjen koha kur do të fillojë të lexohen, vlerësohen dhe ndriçohen aspektet teorike-letrare që ngërthen kjo vepër, në mënyrë që ajo që quhet etos i përgjithshëm i këtij artisti, të njihet, të vlerësohet pa hiperbolizime, dhe të çmohet nga kritika dhe opinioni i përgjithshëm letrar dhe shke¬ncor. Por, problem është si të dekodohet kjo vepër letrare e mjeshtrit të madh të letërsisë, Magut Beqir Musliu, siç kanë qejf ta quajnë shokët e tij, ndër më të ndërlikuarat që kanë ngritur kodet letrare autori, si të zbardhen, të afrohen kah lexuesit që ta “prekin” shpirtin e tyre, në mënyrë që “kapacitetet” teorike dhe “tensionet” e trasuara, siç janë poezitë e tij të pastra, romani i përroit të ndërgjegjes dhe në fund, antidramat ose dramat e absurdit, që synojnë të jenë etaloni i përba¬shkët teorik i tri gjinive letrare të veçanta të shkrimtarit, të kuptohen, të ndriçohen dhe të bëhen të kapshme nga të gjithë. Të gjitha ato aspekte letrare që duken të rënda për “zbërthim” (një fjalë e preferuar e autorit për shprishjen e lules), duhen zbardhur në mënyrë që të mos jenë të rënda, t’i thyejnë “fortesat” e tyre hermetike duke u bërë të receptueshme për lexuesit.
Esencialiteti i poezisë, sferat e “errëta” të romaneve dhe të dramave, autorin e dëshmojnë fshehës të qëllimshëm të kodeve të shkrimit, kurthe për lexuesit që ta sprovojnë kulturën e tyre ontolo¬gjike dhe sensin e tyre për artin poetik, në mënyrë që të gjurmojë mesazhet artistike që mban “në dry” autori, po i cili është kaq transparent në fshehje, i kapshëm në moskapje, fluid në zërimin që thekshëm flet për të vërtetën absolute, i “pamundshëm” e i “paka¬pshëm” në gjuhën që mbërthen të gjitha fijet e fshehta dhe të thella mendimet, të cilat nganjëherë shkasin në groteskë, po kaq është edhe i fshehtë, mistik dhe i thellë sa vetë e vërteta absolute, e cila është kaq enigmatike si edhe vetë shpirti njerëzor në përgjithësi. Nuk është për çudi që një ditë ato vlera që ka vepra e autorit, të bëhen të recep¬tueshme, të kapshme dhe të prekshme nga lexuesit e thjeshtë; mendja e njeriut përherë përsoset, fshehtësitë gjithmonë vrapojnë të bëhen tran¬sparente. Thyerja e tabuve, klisheve dhe trasave të ndryshme që krijon/ndryn zhanri, lloji a gjinia letrare, janë fara enigmatike që duhen çenigmizuar, misteret e fjalës artistike duhen bërë dritë për çdo lexues/recepient, eliksiret duhen hapur ose kuptuar si të këtilla, për çka flasin hartimet unikale të autorit tonë.
Beqir Musliu u lind në Gjilan, më 11 VI 1945 dhe vdiq më 24 VI 1996. Qershori i autorit është si gushti i F. G. Lorkës (1889 – 1936, pra muaji i lindjes dhe vdekjes). Prindërit e tij kishin ardhur nga fshati Livoç të Gjilanit, para se të lindëte autori. Shkollimin fillor e të mesëm i kryen në Gjilan, kurse studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Gjatë studi¬meve, tok me Rexhep Elmazin (poetin e martirizuar për çështje kombë¬tare), u prangos si aderues në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në krye të së cilës ishte A. Demaçi. Pastaj, një kohë (1970-1971), e drejtoi revistën letrare Plejada, ku tuboi krijuesit e rinj shqiptarë, dhe ajo pas gjashtë numrave, në numrin e saj të shtatë, u konfiskua nga UDB-ja famëkeqe jugosllave për të mos u ripërtërirë asnjëherë më. Në fillim punon në revistën letrare për të rinj Zëri i Rinisë e më vonë gjatë kohë punoi në revistën letrare Fjala. Në vitet ’90, është redaktor i revistës letrare Jeta e Re. Vdiq nga një sëmundje e pashërueshme në moshën 51 vjeçe.
Bibliografia e veprave të botuara të autorit është kjo:
1. RIMAT E SHQETSUEME, poezi, bot. Edicioni i Jetës së Re, Prishtinë1965;
2. LULKUQET E GJAKUT, poezi, bot. Rilindja, Prishtinë (1966);
3. KURORË SONETESH, poezi, bot. Rilindja, Prishtinë (1968);
4. BUKURIJA E ZEZË, poezi, bot. Rilindja, Prishtinë (1968);
5. SEZAMET, poezi, bot. Rilindja, Prishtinë (1972);
6. PARABOLA, poezi, bot. Rilindja, Prishtinë (1976);
7. DARKA E MAGJISË, poezi, bot. Rilindja, Prishtinë (1978);
8. RROPULLARI, dramë, bot. Jeta e Re, Prishtinë (1978);
9. VEGULLIA, roman, bot. Rilindja, Prishtinë (1979);
10. MBLEDHËSIT E PURPURIT, prozë-roman, bot. Rilindja, Prishtinë (1982);
11. UNË HALIL GARRIA, dramë, Rilindja, Prishtinë (1982);
12. LIBRI I ANATEMAVE, poezi, bot. Rilindja, Prishtinë (1987);
13. FAUSTIANA, dramë, bot. Rilindja, Prishtinë (1988);
14. MURANA, dramë, bot. Rilindja, Prishtinë (1988);
15. KRUPA, roman NGBG Rilindja, Prishtinë, (1989);
16. RRAKULLIMA, teatër-libër tetraptik, (MURANA, KORI I KORBAVE, FAMILJA E SHENJTË, ANTI¬FONA), Bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1989;
17. SHTRIGANI I GJEL-HANIT, libër-teatër, tetralogji, (UNË HALIL GARRIA, FAUSTIANA, ORA E KUKU¬VAJKËS, PANAIRI I GJILANIT), bot. NGBG Rilindja, Prishtinë, 1990;
18. KORI I GJELAVE TË VDEKUR, tregime, bot. Duka¬gjini, Pejë, 2002
19. ORFEIANA, shtatë libra me poezi,
20. SKENDERBEU, poezi,
21. AMULLIA, roman,
22. KRUPA, roman,
23. MAKTHI, roman,
24. NDESHTRASHA, roman,
25. SKËRLUTA, bot. Sh. B. Faik Konica, Prishtinë, 2004.

Opusit të gjerë letrar të autorit, do shtuar librin Libri i ana¬temave, 1987, zgjedhje nga poezia, librin Trëndafili i drunjtë, përkthim në serbokroatishte nga M. Gashi, dhe përkthimet e ndryshme në gjuhët më të njohura të botës (frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht etj.), zakonisht pa rëndësinë dhe peshën e preza¬ntimit çfarë e meriton autori, por edhe çfarë, me përjashtime, në përgjithësi i bëhet letërsisë shqipe në botë. Me gjallje të shkrimtarit, qe vënë në skenë dhe pastaj ekranizuar, drama Unë Halil Garria. Për jetë të tij, nuk qe shpërblyer asnjëherë, sado që si redaktor, ai i shpërblente miqtë e tij (mes tjerash, edhe shkruesin e këtyre rreshtave). Jashtë botimit, në bibliotekën familjare, ruhen dorëshkrime dhe shkrime të ndryshme rreth teatrit si dhe shkrime të tjera publicistike të hedhura gjithandej nëpër gazetat dhe revistat tona.

vijon...

BLLOKU I SHËNIMEVE

AZIS NESIN
--------------------

--------------------------------------
-tregim satirik-

(PËRKTHEU: ILIAZ BOBAJ)

Në shtëpinë time,nën tryezë,gjeta një blok shënimesh.Pyeta njerzit e shtëpisë,se mos ishte i tyre.
Nuk ishte i askujt.Ishte një bllok i bukur dhe fin,me ballinë blu dhe shkronja të arta.Fillova ta shfletoja, për të marrë vesh se i kujt ishte.Por u befasova që në faqen e parë.Ishte shkruar emri i një personaliteti të lartë,adresa e shtëpisë së tij dhe numri i telefonit.Hapa faqen e dytë dhe aty,njeri nën tjetrin,ishin emrat e tre personaliteteve,me adresën e shtëpisë dhe numrat e telefonëve të tyre.
Sa më tej shfletoja faqet,aq më tepër befasohesha.Blloku i shënimeve ishte mbushur me adresat e nëpunësve të njohur të lartë shtetërorë,ekonomistë,etj.Detyra me e ulët e hierarkisë shtetërore,aty midis tyre,ishte ajo e Sekretarit të Përgjithshëm...
Vura re edhe diçka tjetër: në bllok ishin të ndarë emrat e politikanëve më të fuqishëm të vendit tonë. Kushdo që të ishte në vendin tim,do të ndjente të njëjtin shpërqëndrim.Ky bllok shënimesh,me adresat e personaliteteve të rëndësishëm,i ngjante një bombe,e cila është gati të pëlcasë.Padyshim,do ta ketë lënë fshehur në shtëpinë time ndonjë nga miqtë e mi.Më pushtoi një frikë e pashpiegueshme.Mund të trokasin befas në derë,të turren brenda hafijet dhe të më thonë:
-Nxirr bllokun e shënimeve !
Unë,duke u dridhur,do të pyesja:
-Cilin bllok kërkoni ?
Do kërkojnë në dhomën time.Do gjejnë bllokun nën tryezë,sikur ta kenë vënë aty me dorën e tyre.
E di shumë mirë se çfarë do të ndodhë.Njeriu i lig,i cili e la enkas bllokun e shënimeve në shtëpinë time,do të njoftonte ndërkohë edhe policinë.Është e qartë si drita e diellit,që rashë në një grackë të rrezikshme...Kur ta gjejnë bllokun e shënimeve,policët do thonë:
-Pa na i shpiego ! Mbake regjistër dhe ke shkruar në bllok emrat e kaq personaliteteve të lartë.Për
t'u bërë presion,ë ? Apo edhe për ndonjë vrasje ?
-Aman,jarabi !...Çfarë t'u them ? Mos vallë do më besojnë ? Duhet ta djeg menjëherë bllokun dhe hirin e tij ta shpërndaj në të katër anët.Cili ishte ai i pacipë,që ma bëri këtë punë ? Në mbrëmje kishin ardhur tre miq në shtëpinë time.Është e pamundur ta kenë bërë ata këtë gjë.Njeri është docent në Universitet,tjetri është bibliotekar,kurse i treti filolog...
Në çastin që isha gati ta digjja bllokun në banjë,trokiti dera.Ishte miku im,Haliti,bibliotekari i Universitetit, i cili kishte ardhur edhe mbrëmë në darkë.Edhe ai ishte i shqetësuar,ashtu si unë.
-Çfarë ke ?-më pyeti,-të shoh shumë të zbehtë.
E pyes:
-Ç'është kjo pamje,përse je në këtë gjendje ?
-Aman,mos më ra gjë mbrëmë ndonjë bllok shënimesh ?
Ia tregova.
Ma rrëmbeu nga dora.
-Aman,ky është...Nuk mund të ta them me gojë se sa u shqetësova,mendova se e humba...
E mora për krahu dhe e shpura në dhomën ku kam zyrën time.
-Për pak vdiqa nga frika,-i thashë.-Dhe tani më thuaj të vërtetën,përse të duhen adresat e kaq personaliteteve ?
Këtë herë ishte ai që u habit.
-Ti nuk ke bllok të tillë me adresa ?
-Jooo !...
-Të lutem,bëj çmos ta keshë një të tillë dhe mbaje në xhep ! Ulu të të sqaroj,se përse i kam shkruar në bllok ato adresa.
Më hipi mania të mblidhja stilografë.Disa i bleva,disa m'i dhuruan.Arrita të kem dhjetë të tillë në xhep,pastaj pesëmbëdhjetë.Kisha shkuar në hotel për të takuar një mikun tim gjerman,që është poet,i cili kishte ardhur nga Gjermania.Kur mori vesh se bëja koleksion me stilografë,më dhuroi edhe ai një të tillë.Sapo dola nga hoteli,nuk i bëra dot ballë kureshtjes dhe,kur mora një kthesë,thashë t'i hidhja një sy stilografit.Duhet të dishë se përherë mbaj me vete lente.Pashë me lente majën e stilografit.M'u duk se maja ishte ca e trashë. Shkrova dy fjalë dosido në bllok.Dy fjalë,të cilat më erdhën ndërmend atë çast:'' e hollë dhe fine''.Për të fërkuar majat e stilografëve,përherë mbaj me vete një letër zmerili shumë të hollë,si ajo që kanë argjendarët. Mora lenten në dorë dhe,ndërsa po këqyrja edhe një herë majën e stilografit,dy duar më mbërthyen nga pas shpatullave:
-Çfarë bën aty ?
-Unë ? Asgjë...Po shikoj stilografin.
-Hi,hi,hi...Stilografin,ë ? Çfarë punë bën ?
-Unë,në Universitet...
Nuk arrita ta mbaroja fjalën:
-Domethënë profesor,ë ? I shkreti profesor !...
Njeri prej tyre më shtyu me bërryl në krahun tim të majtë,duke më thënë:
-Pa ec të shohim !
-Aman,bej !...Me siguri gaboni !...
-Ec,ore !...
Sapo fillova të ecja,më dhanë një të shtyrë nga ana e djathtë.Në ta mban, mos ec...Shkuam tek roja.Më përplasën në një birucë.Prita,as zë e as këmbë njeriu...Pas disa orësh ia behu njeri:
-Bjer në gjunjë !-më tha.
-Nuk bie në gjunjë !...
-A,kështu,ë ? I shkreti profesor !...Hajde,nxirr ç'ke me vete !...
I nxorra të gjitha ç'kisha dhe i vura mbi tryezë.Katërmbëdhjetë stilografë,dy libra,një bllok shënimesh,një lente
dhe dy fletë letër zmerili...
Më tregoi stilografët:
-Ç'janë këta ?
-Stilografë.
-Hi,hi,hi...Stilografë,ë ? I shkreti profesor !...
Nuk isha në gjendje t'u thoshja se nuk jam profesor,por bibliotekar në Universitet.Mori në dorë lenten:
-Çfarë është kjo ?
-Lente...
-Lente,ë ? I shkreti profesor !...
Erdhën edhe tre të tjerë.Filluan të më hetonin të tre së bashku.
-Çfarë është kjo ?
-Letër zmerili.
-Bre,çfarë letër zmerili është kjo ! Nuk ka asnjë shenjë zmerili.Kujt ia shet këto ?
-Është letër zmerili e hollë,nga ato që përdorin argjendarët...
-Hi,hi,hi...Letër zmerili e hollë,ë ? I shkreti profesor !...
Më dha edhe një të shtyrë me sup.E pashë që isha ngatërruar keq.
-Bej,-iu thashë,-me siguri është bërë ndonjë gabim...Nuk e di se për çfarë arsye më sollët këtu,por mua më njohin të gjithë gazetarët dhe universitarët.Unë nuk jam nga ata tipa,për të më bërë një hetim të tillë.
Ai që këqyrte bllokun e shënimeve,më qortoi,duke ia bërë ''shshsht !''.
Mandej në çast i shkëlqyen sytë.Më tregoi fjalët që kisha shënuar para pak çastesh,për të provuar stilografin.
-Çfarë shkruan këtu ?
-E hollë dhe fine...
-E hollë dhe fine,ë ?
-Po,e hollë dhe fine...
-Dhe ç'domethënë kjo ?
-Asgjë...
-Atëhere përse e shkrove ?
-Për të provuar majën e stilografit dhe...
-A,meqë është kështu...Po mirë,nuk gjete ndonjë gjë tjetër për të shkruar dhe shkrove këtë ?
E vërteta është se nuk e kisha menduar aspak...
-Nuk e di,ajo më erdhi ndër mend,atë shkrova...
-Hi,hi,hi...E hollë dhe fine,ë ? Tani do të ta tregojmë ne...Atë kujtove,ë ? Përse nuk të erdhi ndërmend diçka tjetër ?
Njeri prej tyre shkoi pranë makinës së shkrimit.Filloi të lexonte procesverbalet.Më zuri frika...Mos vallë ajo që kisha shkrur rastësisht '' e hollë dhe fine'',ishte kodi i ndonjë rjeti spiunazhi ? Katërmbëdhjetë stilografët,blloku i shënimeve, lentja,dy librat,letra e zmerilit të argjendarit,'' e hollë dhe fine''.Kushdoqoftë,do të dyshojë.Nuk dija ç'të bëja.Të gjitha këto i shënoi njeri prej tyre,kurse një tjetër këqyrte përherë e më me vëmendje bllokun e shënimeve.Për të gjitha këto sende,që më ishin gjetur,mund të gjeja një justifikim.Por atë ''e hollë dhe fine'',si mund ta justifikoja ?
Ku në dreq erdhën ato dy fjalë në majën e penës sime ? Nuk qe e thënë të shkruaja diçka tjetër ?
Ai që këqyrte bllokun,papritur ndaloi në një faqe.Pastaj jua tregoi atë faqe të tjerëve.Diçka pëshpëritën midis tyre.
Befas ndërruan qëndrim ndaj meje.Ai që këqyrte bllokun,më tregoi adresën që ishte shënuar aty.
-Më falni,bej efendi,-më tha,-çfarë e kini këtë këtu ?
-Shok të vjetër shkolle.U takuam pardje.Më ftoi edhe të hanim.Më dha adresën e tij dhe e shkrova në bllok.
Ato që thashë ishin krejt të vërteta.Takova një shok,të cilin kisha vite pa e parë.As që e dija që ishte Drejtor i Përgjithshëm.Ai që mbante bllokun në dorë,më foli me një buzëqeshje të ndrojtur.
-A,meqë qenka kështu...Zoti Drejtor i Përgjithshëm qenka mik i ngushtë i madhërisë suaj...
-Natyrisht.Bile në shkollë e thërrisnim Tirtik Riza'...
-U gëzova shumë,bej efendi...Përse nuk uleni...Urdhëroni,ju lutem ! Pastaj u kthye nga kolegu i tij.
-Xhanëm,përse e sollët këtu bej efendinë ?
Duke u kthyer nga unë:
-Bujrum,bej efendi...
Unë përpara dhe ata pas,hymë në një dhomë të mobiluar.Më vunë të rrija në një kolltuk.Thotë njeri prej tyre:
-Bëka nxehtë sot.Do urdhëroni të na sjellin ndonjë gazozë të ftohtë ?
-Ooo,ju lutem !...
Erdhën gazozat.Mbetëm ne të dy,të tjerët u larguan.Më pyeti:
-Bej efendi,cila është arsyeja e vizitës suaj ? Mos dëshironi gjësend ?
-Allah,Allah !...Ç'të dëshiroj ? Nuk më prutë ju forcërisht ?
T'i thoshja që më sollën me të shtyra dhe me grushte,më vinte turp,meqë tani po më shfaqnin një sjellje plot delikatesë.I them:
-Bej efendi,erdha ashtu kot,për t'ju bërë një vizitë,për të pyetur si e kini qejfin.
-Aman,efendi,falminderit shumë ! Qofshi mirë !...Më falët një gëzim të madh.Aman,çfarë nderi që na bëtë !...
Mendova të ngrihesha pa u vrrejtur prapë koha,e cila u kthjellua pak më parë,duke thënë:
-Do më falni,ju lutem,bej efendi...
U ngrit në këmbë dhe më shoqëroi deri tek hyrja.Për të shpëtuar nga thonjtë e tyre,shpejtova hapin.Do ishte turp t'ju kërkoja stilolapsët,bllokun,lenten.Do të ishte njëlloj sikur t'u rikujtoja gabimin e tyre....Dikush vrapoi pas meje.
-Bej efendi...Bej efendi...Zoti profesor !... Efendi,harruat sendet tuaja.
Më kishte sjellë sendet e mi.
-Vërtet jini mik i Drejtorit të Përgjithshëm ?
-Po.Përse pyesni ?
-Ja ashtu,tani është bërë e modës...Secili shkruan në bllokun e shënimeve emrat dhe adresat e personaliteteve të lartë.Më kuptoni ? Në këtë mënyrë shpëtojnë,duke thënë se janë miqtë e tyre.Ku ta dimë ne nëse janë apo nuk janë miqtë e tyre.Përderisa ju jini vërtet miku i tij...
-Po.
-Bej efendi,në këtë letër kam shënuar të dhënat e mia.Nuk dihet ç'ndodh e ç'nuk ndodh ndonjëherë...Nëse e
takoni përsëri zotin Drejtor...
* * *
Pasi Haliti m'i shpiegoi të gjitha ato që hoqi,shtoi:
-E pra,që nga ajo ditë e në vazhdim,kudo që gjej adresa të personaliteteve të lartë,të njohur e të panjohur, i shënoj menjëherë në bllok.Mik vëllai,më plasi tëmbli,duke kujtuar se e humba.Këto adresa janë diçka si sigurimi i jetës....Aman,bëje edhe ti ! Veç bëj kujdes në diçka.Nëse rastis të japë dorëheqjen ndonjeri prej tyre, të lerë shërbimin për shkak të shëndetit ose të dalë në pension për shkak të moshës,shuaje menjëherë prej bllokut.Në të kundërt do futësh veten në telashe...Pasi ty nuk ta pret mendja për gjëra të tilla...
-Nuk kam patur të tillë bllok.
-Është për të mirën tënde...Vëllaçko,tani secili mban në xhepin e vet nga një bllok të tillë,për t'u mbrojtur nga fatkeqësitë dhe telashet.E di se ç'të pret kur të dalësh nga kjo derë ? Të kujtohet,dikur njerzit mbanin duva me të yshtura të ndryshme,për t'u mbrojtur nga sëmundjet dhe nga ora e ligë...Tani,në vend të yshtjeve, janë adresat e shkruara.Dhe janë qind për qind të suksesshme.
PËRKTHEU: ILIAZ BOBAJ

... Ik, ik, ik ...jemi pjesë e së qeshurës...

Kristaq Turtulli


Fragment nga romani: Vetmia e Zërave

VI


Mosdhënia e lekëve krijoi hendekun e parë, të padukshëm mes tyre. Vili nuk i kushtonte rendësi opinionit. Atij fakti i shkaktonte mërzi dhe inat të pamerituar. Vilit gjithmonë e më shpesh i shfaqej hollimi i zërit. Kjo gjë ia acaronte nervat. Hollimi i zërit parashfaqte shuarjen. Shfaqte dukshëm dobësinë. Humbjen. Ai ishte në fillimin e jetës, s’kishte përse të gjykonte veten. Gabimet u përkasin të tjerëve. S’kish përse të pranonte grimcën e vogël të gabimit. Bota nuk do të kishte kuptim pa shumëllojshmërinë e gabimeve dhe morinë e fajeve. Do ishte tmerrësisht monotone. Aleno e pranoi miqësinë me të, automatikisht edhe të hollat duhet të kishin rrjedhjen natyrale. Netët e gjata nëpër lokalet e natës. Magjitë e shumëllojshme të gjokseve, duke filluar nga më të voglat, të brishtat, të tremburat, të pavendosurat, deri tek gjokset e mëdha me përmasa të hatashme. Atë e mbërthente mania për të zbërthyer gjuhën enigmatike të gjokseve. Ndoshta kjo ishte një nga shkaqet kryesore të shkarjes së ngadalshme. Çrregullimeve, shpërndarjes nga vëmendja e studimeve universitare. Ai donte ta mbërthente jetën për brirësh. Ngujimi përpara librave kishte monedhën e mpirjes, qullosjes...
Dy herë hëngri grushte të mira për arsye gati elementare. Mungesa në shkollë ishte pa rëndësi sesa lufta e gjatë me vetveten. Ai duhej të kishte eliminuar grushtet dhe gjurmët e sherrit në fytyrë. Grushtet janë për kaqolët, qejfmbeturit, ose mburravecët naivë. Shkaku ishte akoma i turbullt. Vili nervozohej për rezultatin. Gjakosja e parë kishte ndodhur herët në fëmijëri prej Selami Carës. Gjakosja ishte e pabesë. Selami Cara e priste mbrapa derës, e derdhi goditjen sa kapërceu pragun. Vilit nuk i kujtohej shkaku i goditjes nga Selami Cara, shuplaka e plakut ishte dertim që e shkundi, e solli në vete.
“- Qarash, - dëgjoi zërin e plakut, - lejon veten të bëjnë për petulla.”
Vili vrapoi tutje, lau fytyrën në pus. Aty, në ujët e pusit shqoi fytyrën e vet dhe hënën si kosë mbi të.
Vili kishte tjetër përfytyrim për studimet universitare. Gjetja e një shtegu. Mbërthimi mbas diçkaje. Vendi i huaj dhe ato çfarë kishte menduar ai ishin diametralisht të kundërta. Erëra, ftohtësirë, barrierë. Ajo copë dërrase shpëtimi me emrin Aleno, kishte filluar të thithte ujë. Shpesh herë hakohej, ishte gati të fundosej. E mbërthente inati. Xhelozia e heshtur ndaj Taqo Lekës ishte e ndehur. Ai e ndjeu veten tmerrësisht bosh e të mbërthyer për muri. Taqo Leka e gjeti teksa ai fshinte, në qoshe të dhomës së mësuesve, këpucët e mësuesit të matematikës. Vili i hutuar brofi në këmbë. Koka iu përplas mbas raftit të librave, pa lëshuar nga duart këpucët e zeza e të mëdha të mësuesit. Taqo Leka e vështronte ngulazi. Vili Tare tha diçka pa lidhje, lëshoi këpucët përdhe. Drejtoi trupin. Shikimi i Taqo Lekës ishte qesëndisës. I ktheu shpinën, u largua. Fshirja e këpucëve ishte detyrë vullnetare e Vili Tares. Ai nuk kishte përse të pyeste ose t’i merrte dorën dikujt. Gjithsesi llomotitjes së pakontrolluar të ndonjërit duhej t’i shmangej. Ai ndihej i huaj, gati i shtypur në qytet.
Ai vinte nga ekstremi jugor, qyteti i Liceut ishte paksa jugor, lindor. Besohej se qyteti respektonte çiltërsinë, mbasi vetë qytetarët ishin disi romantikë nga natyra. Besimi dhe bindja e tij ishte në kundërshtim. Koha e romantizmit kishte perënduar njëherë e mirë, ndaj qyteti dhe qytetarët ishin disi arealë, anakronikë. Prapëseprapë qyteti largohej prej tij, duke i vënë përballë sitën e padukshme. Ndoshta ishte i vetmi qytet në vend që vërtiste sitën ngadalë, përreth dhe pa kuptuar. Vili duhej të mprehte aftësinë, të dezertonte shkathtësisht nëpërmjet vrimave të vogla të sitës. Ai lëvizi rrëshqanthi, dribloi, depërtoi, triumfoi. Prova e parë kaloi. Përfundoi Liceun. Virgjëria djaloshare u prish në një dhomë të ndyrë e gjithë lagështirë në mëhallën e jevgjve, fare pranë dyqanit të gëlqeres. I kujtohej fare mirë kjo hollësi, sepse mbasi u vesh, atëherë u kujtua të vështronte përreth muret e nxira me vite, të palyera dhe jevgën përdhe, në mes të dhomës gati lakuriq.
“- Rrëmbe kovë me gëlqere, lyeje dhomën, do dukesh më e bukur, - i tha.”
Jevga e vogël e vështronte syhapur pa thënë gjysmë fjale. Ajo rrëmbeu kovë me gëlqere, e leu dhomën. Ai pinte, dehej, bënte dashuri me të. Jetën e tij nuk e kishte gjetur aksidentalisht në rrugë. Jeta e tij gjithsesi ishte jeta e tij. S’kishte asnjë ndryshim esencial tjetër për të. Në momente të caktuara, ndihej i dobët, i pafuqishëm, me depresion të fshehur, në skutat e thella të trurit. Lavazhi që i përmendi dikur nëna duhej të kishte bazën e tij të vërtetë. Prindërit kishin budallallëkun e kohës dhe jo marrëzinë e lindur. Dashuria e prindërve ishte diçka ndryshe, midis shpërthimit dhe ngrirjes.
Ëndrra e frikshme, e turbullt ate e mundonte. Makth i tërë iu shfaq menjëherë, fill mbas kapërdimit të lëngut të neveritshëm.
Ngjyrat, tonet, ngjarjet. Lëvizja e trupit. Shpërndarja e gjymtyrëve. Flakja, përplasja e tyre ishte krejtësisht e ndryshme. Fytyrat e shfytyrëzuara, zhurmat, klithmat, goditjet, kafshimet, gjakosjet, groposjet ishin në plane dhe mjedise të ndryshme. Gjithçka kthehej në vorbull të tmerrshme. Në hone të pafundme. Ai përpiqej të depërtonte, të çante mjegullën, të grumbullonte gjymtyrët e shpërndara të trupit për të përgatitur rezistencën në përplasjen e madhe. Atëherë kur besonte se përplasja ishte eliminuar, shfaqeshin fytyra të transformuara njerëzish që nuk i kishte ndeshur kurrë më parë. Urrente natën. Shtynte gjumin duke besuar se mbas orës dymbëdhjetë, ëndrrat shtegtojnë tutje, në njerëz të tjerë. Krijojnë shpella a labirinte të reja. Ai i besonte këtij mendimi, kishte ngatërruar gishtërinjtë aty, për të gjetur një strehë. Një qoshe të thjeshtë, shplodhëse. Pa ëndrra. Besimi po përmbyste topitjen, frikën. Mbyllte sytë ngadalë. Me besim. Besimi davaritej pa u ndehur. Fluturime me kobndjellje shfaqeshin, shtyheshin, shungullonin.
Një natë i ndërkryer, i vrarë, i shkroi letër nënës.
“- Po më pushkaton ëndrra, më shpëto!”
E ëma i ktheu menjëherë përgjigje thatë dhe prerë:
“- Djalë, je ti që e kërkon atë dreq ëndërr. Lëre, braktise, flake tutje. Ndryshe djalë, kalite zemrën, lëre ëndrrën të vetëlodhet. të vetëvritet.”
Përgjigjen e letrës së nënës e bëri shuk me nervozizëm, e flaku tutje. E vështroi ngultas atë letër të mbledhur si top, tek cepi i këmbës së tavolinës, i ngjau si tru i vogël, ngarkuar tejembanë me imazhe të çartura. Befas ai topth i vogël prej letre lëvizi, zuri të sillej vërdallë nëpër dhomë. Herë i dukej si sy i stërmadh i ndehur në ajër. U ngrit nxitimthi, rrëmbeu topthin gjithë nervozizëm, e grisi, e bëri copa- copa të vogla. Hapi dritare, zgjati krahun dhe me ngadalësi gati ceremoniale hapi gishtërinjtë duke lënë erën të luante me copëzat e letrës, le ti shpërndante gjithandej.
“- Shkoni tutje, - murmuriti, - shpërndani ankthin tim, endrren time.”
Vili Taren e vrau indiferentizmi i nënës. Pothuajse e njëjta gjë ndodhi edhe me vëllanë e madh të sëmurë. E kishin mbyllur në dhomën më të largët të shtëpisë, askush nuk kujtohej dhe kujdesej për të. Klithmat e vëllait që tundën shtëpinë e vjetër e detyruan plakun të turrej si i ndërkryer nëpër shkallë. I dhimbsej ai djalë. E shoqja i doli përpara, i vendosi dorën në gjoks:
“- Ku shkon plak.” i tha”
“- Lart, tek djali... - i ati mezi mbushej me frymë, - ai kërkon dikë.”
“- Gremisu, ai ka zënë udhët.” - i tha ajo.
Ai nuk i vuri veshin, kërkoi të ngjitej. Ajo e goditi me hu rrëzë qafës. Plakut iu morën këmbët. Iku. Hyri në haurin e shtëpisë. Pres asaj dite, i ati u ngujua në haurin e shtëpisë. Gojëkyçur. Nuk u pa fare. Vili u mundua të komunikonte me të atin. Dera e haurit ishte mbyllur me lloz nga brenda.
“- Hape, plak. Jam unë Vili.”
I ati shfaqi fytyrën e zverdhur tek dritarja e vogël duke i bërë shenjë me duar: Ik. Ik.
Plakut i dhembte shpirti.
“- Të lutem plak, hape derën, - i tha Vili, - mos më ler të ndjek rrugën e vëllait.”
I ati ishte i rrëmbushur i gjithi. Vazhdonte t’ia bënte me dorë. Ik. Ik.
Ngujimi i tij bëri bujë. Komshinjtë kërkuan arsyen e vërtetë të marrëzisë së ngujimit. I ikën farat plakut të gjorë me grua të mirë e hamshore. U ndeshën me heshtjen. Gjendja u lodh nga kërkimi i arsyes. Ata kalonin ngadalë pranë haurit. Vështronin brënda, të dallonin siluetën e dobët të plakut. Ndeshnin vetëm errësirë. Gjithsecili gjatë ditëve dhe javëve u familjarizua me heshtjen, gojëkyçjen dhe ngujimin e plakut. Ndoshta ishte mendje shkrepje shërrimtare. Plaku shpesh herë bënte ca gjëra që i linte gojëhapët bashkëqytetarët. Ngujimi duhej ta kishte shkakun të madh, përderisa lotët e gruas hamshore thaheshin në vetmi.
Mendjeshkrepja e plakut ishte shëmbëlltyrë e gjallë për bashkëqytetarët. Doni të pastroni shpirtin, doni të gjeni parajsën e thjeshtë mbi tokë, hë, doni? Ndërtoni haur ndanë shtëpisë, me mjete të thjeshta rrethanore. Pa zulmë e bujë. Vetëngujimin e dytë e bëri plakë Rukia. Gojët e liga thanë se ishte i dhunshëm ngujimi i plakë Rukies. Pati zëra se shkak i drynosjes ishte nusja e djalit. Ajo e kishte rrahur dhe lënë në govatë me ujë të ftohtë orë me radhë. Nusja shkulte flokët duke thënë se ngujimi kishte qenë i vetëdëshiruar. Në pleqëri iu shpif plakës, vjehrrës, dashuria e marrë për babanë e Vilit. Shfaqja e dashurisë ishte vetëngujimi. Vjen një moshë e njeriu e ndjen të domosdoshme të bëjë një bashkëbisedim të gjatë, gati të pafund me vetveten.
Ngujimin e tretë e krijoi një vajzë. Ajo nuk ndërtoi haur. Drynosja e saj u bë në skajin më të largët të shtëpisë trekatëshe. Në këndin që lidhte qiellin me murin perëndimor të shtëpisë. Kthina ishte shumë pranë erërave dhe glasave të pëllumbave. Tradhtia dashurore kishte qëlluar vajzën e re. Pabesi e radhës, por këtë herë i fejuari i saj kishte rënë në grepin e kushërirës së saj të parë. Vajza mund të kishte vrarë veten. Preferoi izolimin. Familjarët e vajzës e kundërshtuan fjalomaninë. Mbyllja në skajin perëndimor kish qenë trill i hershëm i vajzës së tyre. Pasioni i çuditshëm iu rishfaq. Kur vjen mosha e pjekurisë vajzat e bukura përfshihen nga dëshira për të qëndruar skajeve të largëta në meditim të pafund. Ato i tundon mendimi i humbjes së shpejtë të bukurisë dhe janë në kërkim të freskisë së përjetshme.
Ngujimi filloi të përhapej si epidemi në gjithë qytetin e vogël jugor si kërpudhat mbas shiut. Shumica e banorëve me mendimin se vetizolimi do të ishte i pashmangshëm, një ditë u turrën, blenë troje. Ndërtuan dhoma të mëdha dhe mure të larta. Pak kush interesohej për rezultatet e vetëmbylljes. Kyçja, qëndrimi në vetmi, ishte pastrim tërësor i shpirtit. Bashkëbisedimi më i zjartë me Zotin dhe botën e përtejme. Një farë parajse. Zgjim i ndërgjegjësuar i shpirtit. Revolta e skajit paqësor.
Të pangunjuarit kureshtarë kërkonin të mësonin çfarë ndodhte me të ngujuarit. Verdhësia e trupit dhe fytyrës ndodhte nga mungesa e dritës apo nga pastrimi i shpirtit. Dikush bëri pyetjen: A lejoheshin nevojat personale gjatë një izolimi? Përgjigja ishte: Provoje. Ai e provoi. Mbas tre ditësh e shtruan urgjent në spitalin e vogël të qytetit.
Aksidentet dhe ngjarjet e hidhura pasonin njëra tjetrën. Vajza e ndarë nga i fejuari, u çmend. Plaka pati vdekje të qetë mbas një kolle të gjatë. Të tjerët dolën të zbehtë dhe të sëmurë. Askujt nuk i kujtohej kush ishte nismëtari i këtij ngujimi. E kishin harruar përfundimisht plakun. Ngujimi për të ishte i zakonshëm. Ai mbas çdo zënieje vete ngujohej. Hauri i tij ishte plot e përplot me rrangulla. Ai i jepte kuptim jetës së tij aty në vetmi. Vetëm lëkurët e kafshëve dhe zvarranikëve sikur t’i ziente, jetonte dy jetë i vetmuar. Ngujuesit e tjerë ishin tërësisht naivë. Ata i shtypte shumë shpejt hapësira boshe.
Vone,Këshilli Bashkiak nxori qarkore. Urdhëronte prerazi ndalimin kategorikisht të haureve kulla. Brenda 24 orëve pa marrë parasysh arsyen e madhe ose paarsyen, të ngujuarit të nxirreshin dhunshëm prej haureve kulla. Të vetëdyllosurit nuk pritën sa të vinte policia bashkiake për të përdorur dhunën. Ata dolën vullnetarisht. I fundit doli plaku. Dalja e tij ishte e pandierë. Ai mbante sytë përtokë, lëvizte trupin ngadalë. Vërtitej nëpër oborr përqark shtëpisë. I shmangej përplasjes me gruan hamshore. Me shfaqjen e parë të saj, ai fap, zhdukej, Humbiste në haurin kullë. Në hapësirën e vogël, të ngushtë të haurit kullë, zbuloi botë të çuditshme, të panjohur më parë. Ai dëgjonte zëra që vinin nga poshtë lart. Mjedisi i kufizuar i haurit qëndronte gjithmonë i përmbytur nga oshtimat dhe zhurmat e pashpjegueshme të zërave. Plaku besoi se i kapi një çast, i mbajti mbyllur në dorë. Oshtimat, klithmat s’qëndronin gjatë, as një sekondë. Iknin. Urrejnë ngujimet dhe burgjet. Ato i krijoi njeriu. Klithmat, ulërimat, oshtimat përherë qëndrojnë mbi njerëzit.
E ëma ia plasi të qeshurit me të madhe për pak u mbyt kur dëgjoi për përpjekjen e burrit të saj në mbërthimin e oshtimave. Fshiu lotët që i rridhnin rrëke, u qetësua mirë dhe tha:
“- Të gjorin, ngujimi ia zhvidhosi krejt edhe ato dy vidha që kishte.
“- Është babai, - e kundërshtoi butë Vili.
E ëma i a nguli sytë.
“- Eh, ç’e do firaunin, - tha.
Ngandonjëherë ajo largohej prej shtëpie e veshur mirë duke tundur vithet e mëdha. Plaku e ndiqte me shikim të trishtuar nga dritarja e haurit.
“- Eja baba brënda, - iu lut Vili një ditë
“- Dëgjo djalë, - i tha i ati, - unë i dëgjoj oshtimat dhe klithmat. Jam i sigurtë që edhe ti po të kesh pak durim i dëgjon. I ngjan një beteje.
Fatkeqësisht asnjë nga të ngujuarit s’kishte dëgjuar oshtima e klithma. Ata ishin të dërrmuar, të shkatërruar.
“- Ishte errësirë, - thanë ata, - erë e çmendur. Lodhje, këputje. Uri. Zhurma, rrëketë e minjve nëpër dërrasat e mureve. Vrapim i lajthitur i tyre. Glasa pëllumbash, pickim mushkonjash.”
Praninë e minjve dhe vrapimin e tyre i ati e kundërshtonte vendosmërisht. Minjtë për mendimin e tij janë ndër kafshët më intelektuale. Aftësitë e tyre janë fantastike. Miu e ndjen në mënyrë instinktive brengosjen e njeriut. Miu ngadalëson rrëmujën, shton qetësinë. E ëma s’qeshi. E vështroi sy çakërdisur burrin e saj. Ajo s’mund ta besonte që i shoqi të bënte ndonjë shaka të hollë, gjithë kripë. Gruaja më shumë besonte në lëvizjen tërësore të dyshemesë dhe çatisë së trurit. Ajo vrapoi jashtë, hyri në haur, qau. I bëhej të besonte se i shoqi në ngujimin e tij të stërzgjatur, të çmendur, duhej të kishte qenë në shoqërinë e vazhdueshme të minjve. Hauri ishte tepër i ftohtë, shtypës. Nuk duroi më, doli, kërkonte ajër. Dritë.
Ajo, atë natë e zhveshi lakuriq të shoqin. Ai kishte marrë shëmbëllimin e minjve dhe erën e tyre. Plaku kundërshtoi të lahej, gruaja ëmbëlsisht, djallëzisht e bindi të futej në govatën me ujë të ngrohtë. Oh, kishte kohë që nuk pat ndjerë mbi lëkurën e vet dorën e butë, eksituese të femrës. Mbylli sytë. Njeriu duhet të prekë dhe të ndjejë dhuratën e zotit. Të ishte vërtet gruaja që shkumboste dhe fërkonte trupin e tij! Ai nuk guxonte ta vështronte në sy. Të dy i mbanin sytë përtokë. Asnjëri prej tyre nuk mundte të përballonte shikimin. Dora e saj i shkaktonte drithërima. Ajo i tha të ngrihej prej govatë. Ai bëri sikur nuk dëgjoi, donte të zgjaste në pafundësi qëndrimi i tij në ujë dhe prekja e dridhshme e dorës së saj.
“- Ngrihu de, - përsëriti ajo.
Ai u çua ngadalë, qëndroi i zhveshur përballë saj duke lënë piklat e ujit të binin me zhurmë përdhe. Ngjante si një fëmijë i pambrojtur, i humbur, i paditur. I gjendur rastësisht në dhomë përpara një femre hamshore, që çuditërisht ishte gruaja e tij.
“- Eja, - i tha gruaja. E tërhoqi lehtë, drejt shtratit të ngrohtë, gati të huaj për të. - eja. Njëri je dhe ti. Ke nevoje për një çikë erë gruaje.
Ai nuk fliste, e kishte lënë veten tërësisht në duart e saj. Ajo e futi në shtratin e madh. E mori nën vete, e ngrohu, e dehu. I ati mbas shumë kohësh, gëzohej, përkëdhelej, thithte dhe thithte pa ndërprerë erën e kurmit të femrës. Shtëpia ra në qetësi mbas një ankthi të stërzgjatur. Plaku i trembej së nesërmes, sepse e ndjente së thelli, ishte dhuratë e çastit që ndoshta nuk do të përsëritej më. Gruaja kishte shpërthimet e veta që lindnin dhe treteshin shumë shpejt...

Saturday 21 March 2009

Hermeneutikë surreale

Natasha Lushaj


Vëllimi poetik “Lojë shahu në shekullin XXI”

( Shah: absurdi i dy lëvizjeve nga paprania e të tretit)

Esse


Pas leximit të librit me poezi të Petraq Ristos Lojë shahu në shekullin XXI, për çudi, të parët që formulova ishin titulli dhe nëntitulli. S’më kishte ndodhur kurrë. Hobia e “të pirit” thjesht për qejf më kishte lënë me kohë. Fati i leximit varej nga “gllënjka” e parë, madje, për të zezën time, shijimi niste pikërisht kur arrija të peshkoja truke befasuese me fjalën njëkohësisht me gjeometrinë e figurës që zbulohej vertikalisht. Nuk ishte e domosdoshme t’i ktheheshe për herë të dytë, mjaft që të dije formulat. Dyshimin nëse ia vlente ta lexoje librin që rastësisht të ra në dorë (pak herë i kërkoja), këtë radhë e kishte topitur kureshtja. Por mbetej ai boshi shkurajues nga mospërputhja e rrathëve të përmbyllur estetikë të botës së letrave dhe realitetit të hierarkive e moralit që mban në këmbë rendin e gjërave në botën materiale. Natyrisht, dyshimi niste nga vetja. Ç’formulë magjike e bën dhe ribën vazhdimisht artin, që prej fillimit të botës, megjithëse artistët janë njerëz prej mishi dhe gjaku? Këshilla se morali nuk është çelës i përshtatshëm për të gjitha dyert, sidomos për artin, nuk m’i shkrydhte gishtat. Në “kontaktin e qenies inteligjente me materien memece” (Camy) kishte lindur absurdi. Nga konstatimi deri te pranimi (pastaj sfidimi “me anë të revoltës, lirisë dhe pasionit”) rruga është më e gjatë se ç’besohet.
Në mëdyshje e sipër, i shkrova menjëherë, sikur desha ta shpëtoja mbresën e leximit të parë, si një dashuri të vjetër që dhemb herë pas here. Harresa ishte një lloj kure. Më e keqja ndodhte kur mbresa tjetërsohej. Bëhej e sofistikuar, e ftohtë. Si një lojë. Nuk më bëhej t’i hyja rileximit e shqyrtimit më tej dhe të përpiqesha të detajoja veçoritë e poetikës, teknikën e linjat e strukturimit tërësor të vargut dhe krejt librit. Nuk e kuptoja se si, por ajo që kisha shkruar kishte lidhje pikërisht me to. File-in e lashë disa javë ashtu, të sapofilluar, pa mundur t’i afrohesha më shumë. Sa herë e hapja atë faqe dhe rizgjoja kujtesën, bindesha se ishte i saktë si përcaktim. Druhesha t’i rihyja punës. Shkatërrimi i mbresës së fillimit për mua donte të thoshte shumë më tepër se kaq. Isha në fazën e verifikimit të vlerës së shijeve.
Kërkimi i një çelësi për t’i shpjeguar vetes atë që kisha shkruar thuajse m’u imponua. Sfondi i zi, ngjyrë e zgjedhur përgjithësisht për kopertinat e kësaj shtëpie botuese, s’më thoshte asgjë te re. Për më tepër, na kishte pllakosur kriza e dritave dhe errësira ishte normale. Ironikisht, e vetmja dritë natyrale vinte nga grataçielat nën qiellin e Nju Jorkut të 11 shtatorit. Bardhësia e paqtë e pjesës së poshtme të fotos së vogël në qendër s’kishte fare lidhje me pjesën e sipërme të saj. Po ta shikoje të veçuar e me ndejt surrealist, shpërthimi i flakëve në mes të njërës prej kullave ngjante si një buqetë lulesh mbi mermerin e një varri në një ditë të bukur vere. Tymi i dendur në majën e tjetrës, si nga një oxhak furrnalte, nxinte gjithë kopertinën. Mbi të, shkronjat luanin me grinë e ftohtë të hirit. Në fund, sigla e imtë e shtëpisë botuese, që i ngjante një molle të vockël, me një gjeth në bisht e me hartën gri të kontinenteve, si njollat mëkatare të hënës. Gjithë ngrehina shumëvjeçare e autorit-botues të Globus R. sikur ishte projeksion i këtij libri. Molla e mëkatit (apo e krimit) si fillesë e gjithçkaje, projektuar në kupolën e zezë të universit (kështu duhet të përfytyrohet qielli i Ferrit), një zemër e gjakosur e globit. Më e frikshme se gjithçka ishte shtrirja vertikale e numrit romak XXI, si pesë eshtra të kryqëzuara të shekullit që sapo nisi.
Edhe mëkati ribëhet e ribëhet. Duket se madhohet a tkurret nëpër kohë e hapësira të ndryshme, por është veç iluzion. Varet nga këndvështrimi dhe distanca. Kopertina-kod të jep ndjesinë se, sado e tmerrshme, gjithçka është një lojë. Shenja të tjera nga brendësia (motivet dhe sidomos variacionet e tyre) të kujtojnë qetësisht qenësinë e kërrusur nga vetëfajësia, pesha e fajit të parë. Ka marrë emra të tjerë, është veshur si tunikë dhe mbajtur si skeptër, ngurosur në rojë a në pritje, ndarë në rangje e fate, që gremisen e ngrihen për t’u rinisur sërisht drejt asgjësë. Dikush ushtar, dikush mbret, dikush kalë. Lëviz nëpër kohë dhe hapësirë me rregulla të pandryshueshme. Me kalë, me kala, me kamikazë. Me pabesi miku, me lakmi pasurie e pushteti, me krim dhe mashtrim.
Ai që luan dhe mëkati. Të njëjtën lojë, pafundësisht. Mungon vetëm njeriu. Ose dashuria. Edhe pse reklamohet. Fjala e tretë.
Duket sikur, që në kryeherë, dikush nga lart vazhdon të luajë shah me hirin tonë. Dhe pastaj emri Petraq Risto, po ashtu gri. Kalimthi më kujtohet një nga poezitë e librit ku luhet alegorikisht me kuptimin trivial të emrit të gjyshit, atit dhe birit. Do të thotë se poetëve mund të ndodhë t’u besohen mesazhet e mëdha të ringjalljes? Ku i dihet. Jo rastësisht fjala poezi (poems) në kopertinë ka diçka nga ndriçimi i së artës. Ngjan si një stoli e vjetër, gjetur nën shkrumbin e paskohës sonë, kushedi se nga kush.
E dija se do të më ngatërrohej gjithçka po ta vazhdoja. Tashmë u bë. Kushedi se kur do t’i kthehem përsëri këtij libri. Ndiej se ajo që duhet thënë për të gjendet këtu, në mes rreshtave, edhe pse kjo nuk i zhduk dilemat.
Fundja, pse t’i zhdukë. Loja nuk ka mbaruar...

Intervistë me Sokol Demakun- kryeredaktor i revistës Dituria ne Boras të Suedisë




Intervistoi Arsim Halili

Një prezantim të shkurtër z Demaku?

Sokol Demaku, poet kosovar me banim në Suedi, prozator, pedagog, publicist, redaktor. Studjon Pedagogjinë në Universitetin e Gethenborgut, ushtron profesionin e mësuesit dhe drejton revistën e përmuajshme "Dituria" dhe një radio lokale me emrin "Radio Dituria". Njëherit punon si gazetar i lirë i programeve në gjuhën shqipe „Jehona” të Radio Suedisë. Që në moshë të njomë e kultivon poezinë.

Ju jetoni në Suedi a mund të na thoni sa është i organizuar komuniteti shqiptar atje?

Në Suedi jetojnë diku rreth 50 000 shqiptar në të gjithë teritorin e shtetit suedez nga jugu deri ne veri. Një numër më të vogël shqiptarësh gjen pothuajse në çdo vend evropian, por tani më nuk ka cep të Botës që nuk gjejmë shqiptarë.
Po pra shqiptaret vete jane nje histori dhe deshmi kohe edhe këtu ne Suedi.
Unë jetoj në qytetin e Boråsit të Suedisë nja 40 km afër qytetit të dytë me radhë për nga madhesia në Suedi Gethenborg, por Boråsi është një qytet me traditë për prodhimin e textilit apo më mirë të themi qyteti i textilit në Europë qytet me mbi 100.000 banor, e ku në të jetojnë dhe veprojnë mbi 2 500 shqiptar të ardhur që nga vitet 90 nga dhuna dhe represioni serb i kohës kanë gjetur vetën dhe zhvillojnë jetën e tyre me baticat dhe zbaticat e kohës.
Qëllim primar ishte ruajtja e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtarë të bashkatdhetarëve me banim në Borås me rrethinë. Që nga fillimi i punës, Qendres Kulturore Shqiptare ”Migjeni” kishte veprimtari kulturore, informative, sportive dhe humanitare. Nga themelimi e deri më sot në organizim të QKSH ”MIgjeni” u bë shënimi dhe manifestimi i të gjitha datave historike dhe fetare, u organizuan mbrëmje shoqërore. Duhet theksuar se në tërë këtë veprimtari rol të veçantë pati grupi themelues i cili ishte edhe bartës kryesor i jetës kulturore. Këtu duhet theksuar edhe aktivitetin dhe kontributin e madh të nxënësve shqiptarë.
Detyre primare per fillim, Shoqata kishte tubimin e bashkatdhetarëve, kontaktet me ta, shqyrtimin e mundesive per nje organizim me të mirë, shtimin e bashkëpunimit me Shoqatat tjera shqiptare si ne Suedi, ashtu edhe jashta saj.
Por, mbi te gjitha, detyrë e te gjitha detyrave, para Shoqates u shtrua çështja e ruajtjes se gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar tek shqiptaret me banim në Borås, e sidomos kjo çështje madhore, kishte te bënte me gjeneratat e reja dhe fëmijët qe kishin lindur ne Suedi.
Bashkatdhetarët nga ky vend aktivisht moren pjesë në të gjitha protestat që u mbajten në përkrahje vendlindjes.
Fillimi ishte i vështirë, por me entuziazmin dhe angazhimin e pashoq të aktivisteve te QKSH u arrit nje kontinuitet i jetës kulturore dhe shoqërore te shqiptareve ne Borås me rrethinë.

Jeni kryeredaktor i revistës “Dituria” një opinion më të gjerë rreth kësaj reviste?

Në prill të vitit 2007 respektivisht me 10 prill doli edhe numri i parë i revistës ”Dituria” organ i Qendrës Kulturore Shqiptare ”Migjeni” në Borås e cila do të dali një herë në muaj në gjuhën shqipe e me dy ose katër faqe në gjuhën suedeze. Revista ”Dituria” është një revistë për fëmije, të rinjë dhe prindër shqiptar që jetojnë dhe veprojnë ne Suedi
Revista ”Dituria” del çdo 15 të muajit me një tirazh 250 ekzemplar dhe me 20 faqe.
Temat të cilat trajtohe në revistë janë nga jeta e fëmijëve, të rinjëve, shkollës, familjes, prindërve, bashkëkombasve që jetojnë në mërgim si dhe tema nga vendlindja dhe trojet shqiptare.
Revista ka krijuar një rrjetë të gjërë bashkëpunëtorësh në Suedi, Kosovë e Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Siri, USA, Rumani po ashtu edhe në mesin e mërgimtarëve shqiptar në vende të ndryshme të botës.
Revista shpërndahet tek bashkekombasit gratis ne qytetin e Boråsit me rrethinë, por edhe në internet. Gjithashtu dërgohet një numër i caktuar egzemplarësh edhe ne Kosove, Shqipëri, Lugine te Preshevës, Maqedoni, Greqi, Finlandë, Rumani, Zvicë, Gjermani si dhe Angli e SHBA ku ka shoqata të shqipëtareve e me të cilat QKSH ka një bashkëpunim.
Ne i falënderojmë të gjithë ata poet, shkrimtarë, gazetar të cilët na ndihmuan me punimet e tyre në begatimin e revistës sonë.
Në vitin e parë të botimit revista ka arritur të dalë në 7 numra gjatë vitit 2007 sepse me nxjerrjen e revistës është filluar nga prilli e ne dy muajt e veres është pushuar kështu që ne vitin e parë të punës së sajë revista ka dalë me shtatë numra. Botimi i revistës tani ishte më i lehtë në vazhdim të vitit 2008, ku me mjaft sukses filloj botimi i saj e deri në fund te kerij viti jane botuar dhjetë numra të revistës “Dituria” e do të vazhdohet ne këtë vit dhe viteve tjera që për cdo vit revista të dal me dhjetë numra në vit.
Me rëndësi të veçantë do të jetë e dhëna se në këtë revistë do të botohen përmbajtje të cilat do të ndikojnë pozitivisht në integrimin më të mirë të shqiptarëve në shoqërinë suedeze . Është fakt i njohur se reputacioni i komunitetit shqiptar në Suedi është shumë pozitiv, andaj një punë e tillë në këtë drejtim do të ishte me dobi të shumëfishtë. Për tu arritur një raport edhe më i mirë mes komunitetit shqiptar dhe popullatës vendase do të punohet në drejtim që të trajtohen edhe tema me të cilat ballafaqohet personeli arsimor suedez e të tjerë në raport me fëmijët, prindërit dhe arsimtarët shqiptarë. Do të krijohen mundësi që në faqet e kësaj reviste të botohen edhe përmbajtje nga pala suedeze dhe të tjera, duke filluar nga fëmijët e deri tek mësuesit dhe profesionistët e fushave të ndryshme që kanë të bëjnë me fushën e arsimit.

Përmes kësaj reviste ne synojmë të kultivojmë tek fëmijët shqiptarë në Borås dhe më gjerë kulturën e të lexuarit e cila është njëra prej komponentave kryesore për suksese në shkollë, synojmë të sjellim të arriturat më të mira në fushën e letërsisë për fëmijë nga të gjitha trojet shqiptare dhe mërgata jonë, që është shtylla kryesore për krijimin e një identiteti të shëndoshë e modern. Përmes përmbajtjeve të përshtatshme për moshën e fëmijëve dhe për rrethanat e tyre jetësore , revista do të jetë një lidhje e natyrshme e botës fëmijërore me atdheun dhe me vendin mikpritës Suedin.
Do të bëhen kontakte të përhershme me krijues për fëmijë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, të cilët do ta ushqejnë revistën me përmbajtje të përshtatshme për botën fëmijërore.
Në faqet e kësaj reviste një vend i veçantë do t’i kushtohet edhe botës prindërore.
Prindërit shqiptarë kanë nevojë imediate për tu informuar mbi shumë çështje që kanë të bëjnë me shkollimin e fëmijëve të tyre, duke filluar me informacionet mbi sistemin shkollor aty ku ata jetojnë e deri tek temat e veçanta mbi vështirësitë konkrete që ata i mundojnë.
Punime të ndryshme shkencore nga fusha e mësimdhënies do të zënë një vend të
veçantë në faqet e kësaj reviste, si nga ekspertë shqiptarë ashtu dhe të huaj. Do të
botohen punime të shkruara nga mësimdhënës dhe do të bëhen shkëmbime të përvojave në fushën e mësimdhënies.
Me rëndësi të veçantë do të jetë e dhëna se në këtë revistë do të botohen përmbajtje të cilat do të ndikojnë pozitivisht në integrimin më të mirë të shqiptarëve në shoqërinë suedeze .

Krahas nxjerrjes së revistës “Dituria” punoni edhe ne një radiostacion po me të njëjtin emër sa përmbushet boshllëku informativ te ky komunitet dhe cili është efekti i këtyre mediave?

Në janar të vitit 2008 redaksia e revistës ”Dituria” merr edhe një hap guximplotë dhe mjaft të rendëshishëm për gjuhën dhe kulturën shqipe, ajo vendos që të filloj me emetimin e një programi shqip në radio lokale në Borås.
Pasi i bëhet kërkesa Entit për Radio të Suedisë, marrim përgjegje pozitive se na janë lejuar frekuencat për emitim atehere tani ne fillojmë me një radio program në shqip në qytetin e Boråsit.
Për nderë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe në kuadër të manifestimit të kësaj Kremteje të madhe për popullin e Kosovës me 27 shkurt 2008 filloj nga puna Radioja lokale ”Radio Dituria” në gjuhën shqipe në qytetin e Boråsit. Pra me 27 shkurt 2008 në mënyrë solemne u fillua puna në radion lokale shqipe “Radio dituria”. Pra edhe një zë i embël në shqip mbi qiellin e Boråsit, i cili për cdo të mërkurë në mbrëmje troket në dyert e shqiptareve.
Programin e vet kjo radio lokale e emiton çdo të mërkure nga ora 18,00 deri në ora 19,00 e kjo do jetë një ndihmë e madhe për QKSH ”Migjeni”.
“Radio Dituria” është organ i Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Borås.
Qëllimi me këtë radio është që shqiptarët të lidhen sa më afër me njeri tjetrin, që të prezentohet kultura, tradita dhe gjuha e tyre shqipe ne keto troje ku jetojnë dhe veprojnë.
Ne kemi dëgjues nga mosha të ndryshme, duke filluar nga fëmijet deri tek te moshuarit.
Ne jemi për ate që të bëjmë hapa përpara që të krijojm dhe ruajm identitetin tonë kulturor këtu ne Suedi.
Kjo është një urë lidhëse për botën e fëmijëve me vendlindje.
Një fakt është prezent se komunitetit shqiptar në Suedi ka një përkrahje të madhe dhe kjo është ana pozitive e punës sonë dhe se kjo ka jehonë shumë pozitive në jetën e shqiptarëve në Borås.
Kjo radio në gjirinë e saj ka edhe redaksinë e programit për fëmijë ku vet fëmijët janë sajues dhe kreator të programit të tyre. Redaksia e programit për fëmijë nga qyteti i Boråsit këtë program ka pagëzuar”Fëmijët e radios”.
“Radio Dituria” është e vetmja radio lokale me program në Gjuhën Shqipe në Suedi është një pishtar i transmetimit të vlerave kulturore, shpirtërore dhe gjuhësore tek shqiptarët në Skandinavi.

Megjithëse jetoni me një shtet demokratik, a ka ndonjë gjë që e preokupon komunitetin tuaj e posaçërisht juve si intelektual?

Po si çdo kund edhe këtu ka probleme por edhe perparime në lami të ndryshme të jetës. Një gjë është brengosëse dhe sa edhe e dhimbshme, çështja e lënies pas dore të gjuhë amtare pra Gjuha shqipe eshte duke mbetur gjuhe e dorës së dytë edhe pse shteti këtu jep shumë në këtë drejtim dhe mundëson që fëmijët ta kenë edhe gjuhën amatare në shkollë.
Kjo është një brengë e madhe jo vetëm e imja, por edhe e shumë bashkëkombësve të mi në mërgim e që të gjithë duhet angazhuar dhe bërë edhe me qe kjoi tendencë të zhduket dhe çdo gjë rreth gjuhës të vihet në binar pozitiv.
Problem tjetër ne vete për mërgimtarët është edhe ruajtja e kulturës dhe traditës.
Shumë figura të çmuara letrare shqipe në perendim nuk e kanë mundësinë për të komunikuar me lexues, me kritikë dhe me dashamirë të artit dhe gjuhës, sepse mungon publiku, mungon kritika, kryesisht mungon publiku shqiptar sepse ata vendas janë admirues dhe adhurues të artit dhe letersisë, por ne nuk jemi?
Mungojnë përkrahjet për evenimente të tilla, pra letërsia shqipe ka probleme edhe në diaspor si edhe në shtëpi. Së këndejmi, thuajse gjithë kombet pajtohen se letërsia është abc e kulturës, është ajo që lidhë kohën me histori, është një fushë që pasqyron psikologjinë njerëzore dhe brendin shpirtërore te njeriut. Ajo i jep bazën dhe fizionomin një kombi të moderuar dhe të kulturuar.
Por duhet të them se këtu kushtet dhe mundësit janë që të bëhet më shumë edhe kur është fjala për gjuhën, kulturën, traditen e shumë e shumë gjëra tjera, por duhte angazhim dhe punë në këtë drejtim.

Ju me disa shkrime e keni ngritur një problem mjaft serioz komunikimin jo të mjaftueshëm në gjuhën shqipe tek rinia shqiptare në këtë vend, ju lutem mund të na tregoni sa është serioze kjo brengë e juaj dhe cilat janë masat për parandalimin e këtij shqetësimi?

Në ditët bashkokohore ne jemi dëshmitarë të asaj se tek shumë fëmijë, të rinjë dhe të reja shqiptare në vendet perendimore gjuha amtare ka kaluar në gjuhë të dorës së dytë. Këtë nuk është fare vështirë njeriu ta kuptojë, apo edhe ta përjetoj. Këtë mund ta kuptojmë më së miri nga vet angazhimi i ynë dhe i të rinjëve në diasporë, angazhimi i familjes në këtë drejtim si dhe enteve dhe institucioneve mësimore në diasporë.
Pra këto janë disa nga dukurit më të shpeshta të cilat kanë ndikim negativ vendimtar pse fëmijët tanë nuk janë të interesuar dhe nuk i japin kurfar rëndësie gjuhës amtare.
Por edhe shumë e shumë probleme tjera të cilat kanë efekt negativ në zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës së nënës tek fëmijët tanë.
Ky fenomen që është mjaft aktual është duke u përhapur ditë e më shumë jo vetëm tek fëmijet tanë që kanë lindurë ne diasporë por edhe tek ata të cilët kanë lindur në vendlindje e më vonë kanë migruar.
Ne si prindër dhe si të rritur duhet të kuptojmë se kjo dukuri është shumë e dhimbshme dhe është mjaftë shqetsuse për ne. Duhet të kuptojmë se fëmijët dhe të rinjët tanë janë atje ku janë pa fajin e tyre, pra shkaktar kryesor i kësaj dukurie shume të ndieshme dhe negative janë të rriturit, pra vet prindërit e ketyre fëmijëve.

Ju punoni në një nga shkollat atje në Suedi mund të na flisni më shumë për këtë gjë?

Po, unë jam arsimtar i diplomuar i Gjuhës shqipe, por punoj si mësues ndihmës në lëndë të tjera mësimore në shkollë suedeze.
Arsimi në këtë vend skandinavik ka arritur shumë, pra është bërë shumë për shkollën dhe shkollimin që nga entet parashkollore, kopshtet e fëmijëve, shkollat fillore deri te gjimnazet. Këtu përdoret metodologjia bashkëkohore në mësim, kompjuterët çka fëmijëve ua bënë të lehtë nxënjen.
Fëmija ndihet i freskët dhe nuk ndjenë kurfarë ngarkese në kohën sa ai qëndron në shkollë. Qëndrimi në shkollë i fëmijës është gjatë tërë ditës, por ai i ka të siguruara të gjitha duke filluar nga libri, fletoret, materiali shpenzues dhe ushqimi, këto të gjitha janë gratisë për fëmijet që nga entet parashkollore deri në gjimnaz. Këtu shkollimi fillore eshte i obligueshëm. Është kënaqësi të jesh pedagog në një shkolle suedeze dhe të punosh me fëmijë e aq më shumë kur të jepet mundësia që të ndihmosh fëmijët e bashkëkombësve tu.

Si qëndron puna me organizimin e mësimit shqip te komuniteti shqiptar?

Në shkollën suedeze egzistonë kjo moto:”NE MUND TË MËSOJMË SHUMË GJUHË”
Tani në Suedi ne flasim shumë gjuhë. Shumë fëmijë rriten në një familje që
përdorë disa gjuhë. Në institucione parashkollore dhe shkolla fëmijët dhe të rriturit ndeshen me shumë gjuhë. Si institucioni parashkollor ashtu edhe shkollat mbrojnë shumë gjuhësin e fëmijëve dhe të rinjëve dhe kjo ka një domethënie vendimtare për identitetin dhe zhvillimin e njohurive të tyre.
Pra shteti suedez investon mjete të mëdha materiale për kultivimin e gjuhës amtare te të gjithë të ardhurit në këtë vend pa marrë parasysh se çfarë gjuhe flasine ata.
Pra shteti u kriojn kushtet dhe mundesit për ruajtjen dhe kultivimine gjuhës amtare, por sa ne si ardhacak e realizojmë këtë në jetë ajo është nje kapitull në vete.
Qëllimi pra është të ndihmohen nxënësit kurbetçarë që të mos e harrojnë gjuhën e tyre amëtare, shkrimleximin, historinë, kulturën, doket dhe zakonet tona më të bukura kombëtare, e jo për t’iu vë në konkurencë konceptit mësimor suedez, të cilët, pra, organet suedeze u dolën në ndihmë fëmijëve tanë, duke u siguruar nxënësve dhe arsimatrë tanë lokale dhe duke i furnizuar me mjete mësimore, mjete materiale dhe të gjitha çka ata kanë nevojë. Këtu nuk ka asgjë private, pra shteti është ai i cili kujdeset për të gjitha respektivisht komuna ka mbikqyrjen e shkollës. Prindërit nuk aderojnë me asgjë në këtë çështje, çdo gjë është e siguruar nga komuna, por duhet vetëm angazhimi ynë për rezultat dhe punë me të suksesshme.

Përveç këtyre segmenteve që i përmendëm brenda komunitetit shqiptar a ka ndonjë organizim kulturor që sa do pak fëmijët tanë të krijojnë një vizion për kulturën shqiptare?

Jeta kulturore brenda komunitetit shqiptar edhe pse kushtet dhe mundësit egzistojne nuk është e nivelit të kënaqshëm, e këtë e them kur kushtet dhe mundësit janë e punë bëhet shume pak në këtë drejtim.
Ka manifestime të llojeve të ndryshme në shumë qytete ku ka shqiptar, festohet Dita e Flamurit, Pavaresisë së Kosovës, ditë tjera të rëndesishme nga historia e lavdishme popullit tonë.

-Duke filluar nga semestri vjeshtor 2008, për herë të parë në Suedi, fillon studimi i gjuhës shqipe në nivel universitar në Universitetin e Uppsalës. Studimet në gjuhën shqipe do të zhvillohen në kuadër të Institutit për gjuhët moderne në Fakultetin e shkencave filologjike. Në këtë semester është startuar me kursine e parë - Albanska A1 për të vazhduar në semestrin e pranverës me kursin Albanska A2.

-Programet në gjuhën shqipe në Sveriges Radio datojnë që nga 4 janari i 1994. Emisioni i lajmeve ”Ditari” vazhdoi deri më 13 janar 2006. Ndërkaq nga 16 janari 2006 programi në gjuhën shqipe transformohet në format të magazinës dhe merr emrin e ri ”Jehona”.
Herë pas here redaksia organizon edhe takime publike me dëgjuesit e vet me qëllim të mbajtjes gjallë dhe të thellimit të kontakteve me dëgjuesit por edhe për të avancuar informimin për ta në gjuhën shqipe.

-Në Landskronë të Suedisë, mbahet Konferenca e mësuesve të gjuhës amtare shqipe në Suedi. Kjo konferencë, e organizuar nga Enti për zhvillim të arsimit i Suedisë,
në bashkëpunim me grupin e punës nga Landskrona që administron faqen e gjuhës amtare shqipe "Temaplats Albanska".

-Në Borås të Suedisë mbahet ”Java e bibliotekës Nordike” ku edhe revista ne shqip ”Dituria” është bashkorganizatore e ketij manifestimi i cili që nga ky vit do jetë tradicional edhe për ne shqiptaret e ne te do marrin pjese shkirmtar dhe poet shqiptar ku do bejnë promovimin e veprave te tyre. Vitin e kaluar ishin prezent poeti Ibrahim Abedini dhe shkrimtari Hamit Gurguri, të cilit Lidhja e shkirmtareve të Suedise i ndau kete vit nje stipendi prej 4000 euro për punën dhe kontributin në letersi.
E këtë vit besojmë se ne këtë mnaifestim do kemi poet dhe shkrimtar edhe nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Maqedonia ku do bejnë promovimin e veprave te tyre.
Këtu punon me sukses radioja lokale Radio dituria si dhe botohet revista shqipe ”Dituria”.

Sa dini ju për Luginën e Preshevës dhe a ka ndonjë qytetar të kësaj ane që jeton në rrethin ku jetoni dhe veproni?

Po sinqerisht me u thënë ne jemi vazhdimisht me shqiptaret e Luginës dhe me problemet e përditshme të tyre. Ne jemi në Lugin me mendje edhe pse fizikisht jemi larg. Ne kemi përjetuar ate çka ju po perjetoni sot nga shteti serb dhe sistemi i atij shteti ku ju jetoni.
Ne përmes revistës sonë Dituria edhe fëmijeve, të rinjëve tanë por edhe atyre të cilët kan migruar me herët ua përkujtojmë vendet tona e ne kete mes bëjnë pjesë edhe Lugina e Preshevës, pra shqiptaret kanë mundësi më për së afërmi të njihen me realiten atje.

Në Luginë funksion revista “Perspektiva”opinion i juaj për këtë revistë?

Po unë e marë çdo numër të “Perspektivës” në internet.
Jam i entuziasmuar me punën që ju bëni atje. Është një punë për çdo lëvdatë e ju të gjithëve të cilët jepni kontributin tuaj në “Perspektiva”.
Ajo është një pasqyrë, një dritare për shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në ato treva dhe troje.
Ne përmes kesaj reviste jemi me afër me ju.
Une kisha pasë dëshirë që në të ardhmen të kemi një bashkëpunim të mirëfillt mes dy revistave tona “Perspetiva” dhe “Dituria”.

Mesazhi i juaj drejtuar lexuesve të revistës sonë?

Ti kthehemi të mbarës, traditës e kulturës sonë kombëtare, ta duam njëri tjetrin, të jemi si një.
Shqiptari di të bëjë vepra të mira.
E me këtë mendoj se do ia arrijmë të jemi një, të jemi së bashku, të jemi të gjithë aty ku duhet të jemi në vendin tonë, të jemi shqiptar të Shqipes.

Perspektiva nr. 130. 23 shkurt 2009

Thursday 19 March 2009

Parathënie me “Hallelulja” ose poeti është plagë”

Petraq Risto


(Parathënie e autorit për librin e ri “Hallelulja”)

Fjala e re Hallelulja është thjesht një bashkim i dy fjalëve të njohura shqipe, njëra e vrazhdë: halle dhe tjetra e brishtë: lule. Bashkimi i vrazhdësisë me brishtësinë është një domosdoshmëri shqiptare, aq më tepër kur ky bashkim përafron me thirrjen kristiane Aleluja! Vendi im që, siç them në poemën “Engjëlli me virus H5N1”, “ka formën e vrimës së çelësit,ë ku gjithkush me çelësa kopilë në xhep ë hyn e del sipas qejfit”, ndodhet në një udhëkryq “ku veç kryqit s’ka mbetur asnjë udhë”... Hallelulja!
Poeti, duke mos patur imunitet diplomatik, ka detyrën e atij qytetari të thjeshtë që e vë dhembjen në buzë si një plagë nga kafshimi i mbiqendresës...Pra, poeti është plagë... Poeti dhemb. Poeti kullon gjak. Poeti këlthet...Poeti kupton që sistemet shoqërore, duke qenë naivitet i rracës së tij dhe, mbase, vetëm fenomen tokësor, bëjnë pjesë në gënjeshtrën e manipuluar mijëra vjeçare; por duke qenë një lule mbi prehërin e plehut të gënjeshtrës, poeti shpallet si zhgënjim vetëm me fytyrë nga qielli, sepse, instiktivisht, ai kupton se vetëm qielli mund t’i japë imunitet të përjetshëm (këtu jo thjesht në kuptimin e zotit, por në kuptimin e qytetërimeve në galaktikat pa sisteme). Hallelulja!
Poetit i lejohet të luajë, madje t’i përdorë metaforat si armë, por jo si një artileri që godet papushim në një shkretërirë, ku nuk ka asnjë të plagosur nga dhembja dhe dashuria. Loja e poetit parashikon që floriri në të ardhmen do të shërbejë vetëm për protezat e dhëmbëve, se paraja do të jetë thjeshtë një kuriozitet si pullat postare për filatelistët, se luftërat do të jenë e kaluara primitive e gjakësore e të parëve të pagdhendur, që në disa mijëra vjeçarë luftonin se donin të vidhnin tokë e plaçkë, apo naftë e gaz, dhe si shkak për këto luftra kanë përdorur ose femrat, ose diktatorët...dhe gjithnjë ia kanë arritur qëllimit të dytë, që natyrisht ka qenë dhe i vërteti. Hallelulja!
I bindur nga urdhërat e rastësive, duke qenë mbret i çastit, por edhe okult i të ardhmes, poeti shpesh arrin të kap thelbin, qoftë edhe kur ky vërtitet në ajër si shenjë, si klimë revolte, si zhgënjim apo frikë kolektive. I ndodhur mes pulseve të dy sistemeve, poeti kupton të vërtetat lakuriqe, kupton se pulsi i tij ka rrahje tjetër, përpiqet të bashkojë me naivitet ritmet e dy sistemeve, apo të krijojë një sistem të tretë apo të katërt, ta krijojë vetëm në mënyrë paqësore, pa luftë, pa gjak të kuq, por vetëm me gjakun blu, apo të blertë, apo të bardhë të metaforave. Duke qenë kështu një mbret utopik, poeti do shkruaj:

Ti Njerëzim i barabartë si vrimat në një fyell: i barabartë
gishtërinjtë që luajnë muzikën nuk janë të barabartë.
Dhe njerëzimi qesh, qesh me veten si palaçoja
me planetin Tokë - hundë prej llastiku
kur thërret me gisht drejt mbretit: armiku, armiku!

Polarizimi i pasurive, eksplorimi i poleve, shkrirja e akujve polarë, sikur parathonë apokalips të ri. Hallelulja!
Për poetin shpejtësia e dritës është e tejkaluar nga shpejtësia e mendimit, por fatkeqsisht sot mendimi intelektual shqiptar është pa humus dhe pemët - pa klorofil, drita është pa vlerë, veçanërisht në një vend ku mungon edhe drita si vlerë ndriçimi.Fatkeqësisht mendimi letrar shqiptar është i mjerë, secili merr një tambure në qafë dhe i bie vetëm për vete, (ç’provinc-hale-izëm!), apo edhe kur e dëgjojnë pakëz të tjerë, ose mbyllin veshët, ose qeshin, ngaqë s’kanë guxim të qajnë.
Hierarkia, Hijerakia, Hijearkia, Hijearkët (hije në arkë) Hijerkarët.
Mashtrimi dhe gënjeshtra janë ngritur në sistem, mjerimi i poezisë nuk arrin të kthehet në plagë, ndaj askush nga të plagosurit s’ rënkon.
“Ulisi qau kur dëgjoi rapsodin të këndonte për Kalin e drunjtë...”
Hallelulja!
“Lotët janë të barabartë, dashuria ime, por avullojnë shumë shpejt
si gjithë të barabartët...”
Hallelulja!
I kapur rob nga poezia, i burgosur në një dhomë të fshehtë me frëngji vargjesh, përpiqem të vras veten çdo ditë nga pak, duke joshur me naivitet dritën e një ylli të vdekur, me shpresën se duke arritur deri tek unë, drita e atij ylli do të kthehet në një planet pa halle, ose thjeshtë në një lule.
Hallelulja!
Ne purgatorasit kemi një zakon të mirë, i mbajmë pranë dhe hallet dhe lulet, hamë atë salmon menjëherë pasi i kemi kënduar zakonit të tij marramendës: kthehet nga oqeani të lind vezët në një lumë të zakonshëm majë malit dhe të vdesë në vendlindje, “Jam rryma e ndezur nga shpirtra salmoni”; ne purgatorasit që na deh “një sup i njomë në kabare”, jemi prindër apo pinjoj të atyre që vrasin magjinë me emrin Grua..., jemi ata që falim, por edhe ata që vjedhim, jemi ata që dikur revolucionet i quanim shkallë zhvillimi e që tani shkallët, gjithnjë anonime, kërkojmë ti transformojmë në shtigje mali; jemi ata që, në fund të fundit, kemi forcën torturuese që hallin ta kthejmë në lule dhe lulen në hall.
Hallelulja!

Romani « Vetmia e Zerave » fragment

Kristaq Turtulli



...nata e ndiqte pas, vraponte, shkelte nëpër terr...


Letë Sholla ishte vajza e tretë e të famshmit Kostello Sholla. Të pa përsëritshmit, karamele bërësit dhe shitësit. Bas baritoni i serenatave. Pijetari shembullor. I kudogjenduri i panaireve dhe aktiviteteve të ndryshme artistike. Karamelet e Kostello Shollës ishin të veçantat në të gjithë trevën, si dhe në trevat e shtetit fqinj. Karamelet e Kostallos ishin të shijshme, të ëmbla. Shumëngjyrëshe, më mente. Kostello ishte njohës i mirë i nektarit të luleve. Ai, me nektarin e luleve, përgatiste esencat e ndryshme të karameleve, të cilat i hidhte në kazan, përgjatë përgatitjes se brumit të karameleve. Kostello kishte përgatitur forma të ndryshme;fluturake, rrumbullake,zemrake,dredhrake, bastunakë. Në ritet fetare ai, prodhonte karamele të vogla në forme bajame. Në fejesa, ai përgatiste karamele zemrake. Në martesa, karamele me zemra të mëdha shumëngjyrëshe, me aroma dehëse. Kostello Sholla ishte hokatari, pijetari qejfpaprishur. Qejfliu i grave, dorëshpuari i burrave, zemërbardhi i fëmijëve.
Vite më parë, në përvjetorin e madh të një feste fetare,te një shenjtori. Festa organizohej në shtetin fqinj,por në realitet shenjtori dhe të gjitha ngjyrat festive ishin të vendlindjes se Kostellos. Sa herë dehej Kostello u a thoshte në fytyre:"More vëllezër, si shumë gjëra që keni ju këtu edhe ky shenjt është i yni. I di Kostello mirë këto punë. Ka studiuar Kostello më parë historinë dhe legjendën. S'ka gjë, ju e festoni dhe kjo është gjë e mirë dhe Kostello ju respekton shumë."
Si zakonisht u ftua dhe Kostello Sholla, të shiste karamele, të shijshme, njëkohësisht të demonstronte mënyrën e prodhimit të tyre. Çdo aktivitet pa karamelet e Kostellos ishte si gjella pa kripë. Vendasit e pritën Kostellon me zulmë dhe bujë. Ata i kishin përgatitur vendin, ku të flinte, si dhe ku të vendonte tezgat gjatë ceremonisë fetare, në krah të kishës, aty ku rruga ishte detyrimisht e kalueshme për të gjithë vizitorët. Kostello fjeti lehtë. Në mëngjes, hapi tezgat, vendosi letra të pastra, të lyera pakës me vaj arome, për të mos lejuar ngjitjen. Ai hapi karamelet, si lulet më të mrekullueshme të pranverës, së bashku me fluturat. Tregtaret e tjerë e vështronin me zili dhe mëri së bashku. Kostello ishte i çiltër, nuk i vinte re. Kostello Sholla shend e verë filloi të shpërndante rreth e rrotull karamele.
Atë vit Kostello Sholla, pati shitje të jashtëzakonshme dhe dehje të madhe. Paratë e fituara i bëri rrush e kumbulla;duke dhuruar grave lule, karamele fëmijëve dhe gota të mëdha me raki burrave. Ai vit ishte lavdia,xhelozia dhe gracka e tij. Mjalti dhe hidhësia. Të gjitha femrat i dhuruan puthje të nxehta, jo në faqe, por në buze. Me copëra fletësh të shkruara bukur, ku thuhej :Në mesnatë të pres.
Kostello Sholla u gjend në mëngjes, në shtratin e tij i zhveshur lakuriq, së bashku me një femër të panjohur, lakuriqe dhe ajo. Vendasit shqyen derën dhe hynë brenda gjithë zhurmë. Dhjetëra sy të egërsuar, nervozë, u ngulën mbi të.
"- Kostello, Kostello!"
Vajza kishte lëkurë tmerrësisht të bardhë. Ajo ngjante me shumë një lepurushe e bardhë. Syvegjël, si dy pika bojë të zezë. Hundë poçe dhe gojë katrore. Flokët e vajzës ishin gati pa ngjyrë, rendonin më shumë drejt të gjelbrës se shpëlare, të lodhur. Kostello kërkoi të ngrihej. Me njërën dore mbuloi trupin me çarçaf, ndërsa dorën tjetër e vendosi mbi dyshekun e fortë prej kashte
Dëshmitaret e mbytën njëzëri.
"- Qëndro aty"
Kostello lëshoi trupin të binte në dyshek. S'foli.
"- Të puthem Kostello, por jo të na marrësh nderë, - i thanë, - tani qëndro ashtu siç je, të vijë prifti t'ju martoje. S'ka dërç mërç."
Kostello më në fund hapi gojën, u përpoq të mbrohej:
"- More miq të mirë, si do më martoni kështu, - i a bëri ai, - hë, më thoni si?!Ku e njeh Kostello pijetari këtë femër. Kjo nuk ka as ndonjë bukuri të lësh mendtë. Prisni."
"- S'e njeh thotë, - ata zbardhen dhembët me dashakeqësi, - Nuk e sheh veten si je, i zhveshur gollomesh, si shejtan me brirë, Kostello. Keni bërë dashuri gjithë natën. Jeni zhgërryer në kashtë Kostello. Shihe veten, ti nuk di ku ke çarçafin dhe këmbët Kostello."
"- Prisni, martoni ose burgosni rakinë, jo Kostellon, - u lut ai, - unë nuk e kam prekur me dorë këtë femër, rakia ndoshta. Pyesni rakinë."
Vajza bardhoshe, vërtiste sytë sa andej këndej dhe ngjeshtë hundën poçe, mbas gjoksit të zbuluar të Kostellos. Ajo nuk ngjante si një lepurushe, ishte më shumë dhelpërushe.
"- Shko tutje, moj, që nuk ta di emrin. Pa më thuaj, mirë unë isha tape, ti çfarë ishe, shishe?!, - i thoshte ai, - thuaj të drejtën. Mos e korit Kostellon."
Ajo s'i kthente përgjigje. Filloi të qante dhe të mbështillej si mumie me çarçaf.
"- Qan dreqi, qan. Eh e lidhi Kostellon me litarë dhe qan tani, - pëshpëriste me vete Kostello, - më zuri magjia e puthjeve. Po ti moj që nuk ta di emrin, ku ishe, nga mbive?! Ç'e do Kostellon pa zemër, çe do?"
Ajo nuk fliste, vetëm qante.
Ashtu të mbështjelle me çarçaf, u vunë kurorë. I martuan. Vendasit i thanë, e urdhëruan prerë, pa i lënë kohë të mendonte:
"- Kostello!"
"- Hë, - ia bëri ai."
"- Puthe nusen."
Kostello përpëliti i humbur qerpikët, mori frymë thellë dhe hapi krahët, çarçafi ra përdhe, e zbuloi atë, disa zbardhën dhëmbët ai e ngriti me nxitim.
"- Daleni more të uruar, prisni,- foli ai, - unë nuk i a di emrin, si të puth? Si të thërras?"
"- Qenka ngopur menjëherë maskarai, ndaj nuk do të puthe nusen, - folën disa me zë të lartë."
I veshën me përdhunë me tesha të reja. Kostello vështronte me bisht të syrit vajzën. Ajo herë i dukej miushe dhe herë dhelpërushe,por jo lepurushe. Nuk i kujtohej ta kishte parë ndonjëherë dhe jo më pastaj të kishte biseduar, e aq më tepër të kishte bërë seks. Pëf. Kostello puthi plot femra atë ditë, i dëshiroi ato:bardhoshe, bionde, ezmere, brune. Këtë miushe, dhelpërushe, ndoshta nuselale, nuk mbante mend ta kishte puthur ndonjëherë. I futen në dhomë dhe i detyruan të flinin së bashku ligjërisht.
"- Më jepni të pi, që të hyj brenda, - bërtiste me të madhe Kostello, - nuk bëhet ajo punë esëll. Kuptoni. Isha i dehur kur m'u fut kjo në shtrat. Eh, e lidhen Kostellon e lidhen!"
"- Jepini raki, të dehet, të thyeje qafen, - thanë vendasit, - ai i martuar është tani. S'ka tërci mërci."
Kostello piu direkt raki nga gryka e damixhanit. I a krisi gazit, qeshi me të madhe, duke rrahur gjoksin me tërsëllëm.
"- Tani moj virane, jallane, tullane, - bërtiti ai, - prit, mu kujtua, oh, oh, dale moj, mos vallë Tula e ke emrin. Hë?! Më dukeshe me e bukura e botes. Hajt pra, le të kërleshemi në çarçafët e botës. Me unazat e botës. Me rakinë e botës. Kashta e botës. Nuk e di veglat a janë të botës. E kam fjalën për hallatet tona. Mirë, gjysmat janë tonat, pra hallati im, dhe gjysmat të botës,pra vrima jote provoluese, e ëmbël dhe e hidhur se toku. Le te bëjmë seks. Le të bëhet nami në qafë, në fytyrë, në gjirin e në shpellë të botës."
Kostellos, nëpër mjegull i u kujtua. Kjo femër flokë shpëlare dhe tmerrësisht e bardhë, i u qep atëherë, kur rakia i kishte bllokuar trurin. Ai u mbështet i tëri tek ajo dhe eci nëpër humbëtirë. Ata ishin vetëm dhe ajo e tërhiqte me durim nëpër shkallët e ngushta të shtëpisë me qira që i kishin dhuruar vendasit, për një natë. Ai nuk ishte i sigurte në kishte bërë seks me të apo jo. Atëherë si u gjend i zhveshur lakuriq, pa një leckë në trup!Mbi të gjitha nga u gjenden vendasit të dhomën e tij!
Në mesnatë, kur i doli rakia, Kostello donte të arratisej duke lidhur çarçafin në hekurat e dritares. Ai u përpoq të mos bënte zhurme, të mos zgjonte miushen, dhelpërushen, nuselalën, por ajo i mbiu e zhveshur lakuriq, me gërshërë në dore. Sytë e saj shkëndojinin si dy thëngjij të vegjël, të ndezur në errësirë. Ajo nuk fliste, hapte dhe mbyllte dy anët e gërshërës, si akrep.
"- He, më thuaj çfarë do, burrë, - pëshpëriti ai, - po burri do të ikë."
Ajo luajti kokën kërcënueshëm dhe filloi të priste çarçafin e lidhur. Kostello vështroi poshtë, po të hidhej do thyente kokën.
"- Na moj ti, Kostello është martuar me rakinë, qejfin, jo me Tulen. Lëre Kostellon të ikë. - i tha ai."
Ajo nuk po bënte shaka, po i hollonte çarçafin.
"- Shiko, moj. Eh, ç'më polli belaja, - foli i mërzitur Kostello, - na moj. A më do ti, a do Kostellon me gjithë raki? Më lër të ik, për atë zot!”
Ajo luajti kokën në shenje mohimi.
"- E do Kostellon ti?"
Ajo luajti kokën në shenje pohimi.
"- Shiko, e dashka Kostellon kjo. U lidhe Kostello. Mirë, Kostello nuk mban inat."
Tula luajti kryet e gëzuar, u përdrodh vërtet si dhelpërushe. Ai u ngjit ngadalë dhe hyri në dhomë. I tha vajzës të vishej. E lidhi nga e para çarçafin, duke vështruar Tulen që nga koka deri në këmbët dhe sharre rakinë.
"- E zunë Kostellon, - foli me vete ai, - se paku mban erë femër. Është i mirë Kostello s'të le kurrë në baltë."
Ata u kacavjerrën në çarçaf dhe humbën nëpër natë. Ai gati vraponte, dëgjonte pranë veshit frymëmarrjen e shpeshtë të Tules.
"- Le të jetë sikur e kam rrëmbyer, - foli ai, - të ngushëlloj shpirtin.
Ajo s'bëzante, e ndiqte pas si hije. Nata ishte e thellë.
Kostello e mësoi Tulen të punonte brumin e karameleve, por zënien dhe hedhjen e nektarit të luleve nuk i a mësoi kurrë. Ai e zbonte Tulen, kur përgatiste esencën. Punonte vetëm. Tula i a kërkoi. Ngulmoi. Ai e shtynte dita ditës.
"- Nektari është aroma, drita, ëndrra e jetës, - thoshte Kostello, - nektari dhurohet. As nuk merret dhe as nuk vidhet."
Tula i vodhi lirinë. Sidoqoftë ajo i dhuroi tre vajza. Të gjitha diçka gjelbëruake, si tre kotele. Kostello kishte krijuar tre trasta, fuste vajzat brenda, i hidhte në shpinë. Së bashku me to, bridhte fshat më fshat, shiste karamele. Vetëm e vogla, Leta ishte sikleti i Kostellos. Ajo i ngatërrohej ndër këmbë dhe gërmonte nëpër xhepa. Vajza i vidhte paratë. Kostello i mërzitur i a shkulte duart nga xhepat dhe tundte kokën trishtueshëm.
"- Mos bijo. Ajo, dhelpra Tule të ka mësuar të gremisesh në xhepa, është ves i keq dreqi- i thoshte ai, e shtonte rënkueshëm, - Ajo m'i zbraz xhepat natën,kur jam i dehur. E ti moj dhelpërushe e vogël, mundohesh të më ndukesh, ditën! Lërmë të qetë. S'i ke lënë gjë sat ëme. Shko luaj, shko."
Kostello thërriste vajzën e madhe, Danën, i jepte të holla për të ngrënë. Më pas i lodhur dhe i mërzitur drejtohej për në lokal. Ai pinte dhe qeraste të gjithë. Kostello dehej ditën. Ajo e tradhtonte natën. Kostello qante dhe qeshte përgjatë pirjes. Vetëm Dana, vajza e madhe i qëndronte pranë. Vajza e shkundte nga mënga dhe i përgjërohej të shkonte me të në shtëpi. Kostello e vështronte në drite të syrit dhe përmbytej nga lotët. Ai përgjërohej për vajzën.
Një ditë të ftohtë vjeshte, Kostello u gjend i vdekur, në njërën nga stolat e vjetër të lulishtes së qytetit. Kostello dukej sikur flinte. Ai ishte gjoks zbërthyer, ku në të, kishte qëndruar një gjethe e verdhe bliri, si medaljon i artë. Faqoren bosh të rakisë, e mbante të shtrënguar në dorë. Kostello ishte i ngopur, i dehur. Xhepzbrazur. Shpresëhumbur.
Tula nuk pranoi ta fuste në shtëpi edhe pse vajza e madhe lutej dhe qante me dënesë. Kostello kishte lënë dy gisht letër, futur në xhepin e brendshëm të xhaketës. E kishte gjetur Dana, por ajo nuk i a tregoi Tules. Kostello shkruante:
"- Në kapakun e dytë, sekret, të kutisë se madhe të karameleve. Unë Kostello Sholla, kam vendosur disa të holla. Janë kursimet e mija. Të blihet raki, të pinë, të këndojnë, të dehen, të varfrit, zemërbardhët, të gjithë miqtë e mi, përgjatë varrimit. Shpirti i Kostellos është avull rakie dhe frymë kënge."
Dana, vajza e madhe e përmbushi amanetin e të atit. Ajo duroi me gjakftohtësi, zemërimin dhe dhunimin e Tules. Rrugët u mbushen me njërës, që pinin, këndonin dhe kërcenin. I madhi Kostello edhe me vdekjen e tij e shkundi qytetin; dhuroi liri, dashuri dhe këngë. Bashkëqytetarët u mallëngjyen, mblodhën të holla, për nderimin e kujtimit, të thjeshtit Kostello. Ai s’ ishe vetëm karamele bërësi, shitësi. Ai ishte ëmbëlsira, mjalti. Ai ishte i varfri dhe njëherësh i pasuri i qytetit. Miqtë pinin, deheshin tek varri i Kostellos Shollës. Ai ishte dehja dhe dhembja. Besnikëria dhe tradhtia.
Tula mblidhte e nervozuar buzët edhe pse me paratë e dhuruar nga bashkëqytetarët, ndërtoi shtëpi të madhe dykatëshe. Tula s'e kishte dashur Kostello Shollën. Lakuriqësia e dikurshme e ishte trilli i parë dhelparak. Ajo kërkoi dhe krijoi vazhdimisht trille të tjera. Nuk ishte e vështirë t'i gjente. Të gjitha treteshin, harroheshin, banalizoheshin. Nuk ishte më një mizë dhe një grere..."