Friday 13 March 2009

NË BOTËN E TYRE

Pilo Zyba



tregim

Zef Toma, roja i Kombinatit Kimiko Metalurgjik, ishte ngujuar në dhomën e tij në hyrje të objektit dhe po mendohej.Herë e mërrte dhe here e lëshonte telefonin nga dora.Kishte plot 44 katër vjet në këtë Kombinat.Ishte fëmijë kur erdhi nga Shkopeti dhe u rrit bashkë me uzinat e një pasnjëshme që hidhnin shtat.Por përpara 18 vjetësh zhurmat e objekteve filluan të shuhen njëri pas tjetrës. Kombinati filloi të binte në një gjumë të rëndë e të gjatë letargjik.Tek, tuk dëgjohej vetëm pulsi, si ajo e uzinës së supërfosfatit në një kënd të largët sa për të treguar se Kombinati nuk kishte vdekur plotësisht.Pemët brënda tij gjatë ketyre viteve ishin rritur me shpejtësi, pasi mbeturina kimike nuk kishte më.Ata tundnin leshrat e gjata atje lart krehur nga era, dhe dukej se bënin me dorë e tallnin oxhakët e mëdhej qe heshtnin.
Oxhakët me kostumet e vjetëruar që ua kishte gërryer erozioni i kohës.Çibuku i tyre kishte pushuar tashmë të tymoste.Zogjtë tufa- tufa para mërgimit të tyre u qëndronin në supe për të bërë procesverbalet e udhëtimeve. Në ikje e sipër lëshonin morinë e gëlasave, që nuk i lante as shiu i furishëm i dimrit të ashpër, dhe as era e forte që i godiste me shuplakë.Ata të humbur në gjumin e thellë të harresës dremisnin dhe vetëm dremisnin, si një grup pleqsh që e kishin prerë biletën për në udhëtimin e fundit.Tufa resh, tirrnin mbi kokat e tyre mendimet e largoheshin duke marrë me vete vetëm ndonjë rënkim të thellë, që krijonte rënia e ndonjë cope kostumi, nga suvaja që ishte kthyer në një libër të vjetër, ku gërmat me vështirësi lexohen nga përdorimi i tepërt.
Tufa të tilla resh vinin rrotull dhe në qiellin e mendimeve të Zefit.Ai i largonte me shkopin e bariut nga arat e kopshtet e tij, por, ato largoheshin përkohësisht dhe ktheheshin përsëri.Sa here që mblidheshin si një lukuni e egër, kërcënonin kopenë e shpirtit të tij që kulloste blerinave të asaj pak jete të qetë që kishte kaluar.
“Pse tani, mendoi, ta mbyllja dhe portën e jetës sime, pastaj lë të ndodhte çfar të donte”.
Vendimin që kishte marrë e rrotullonte në mëndje si një zarf të mbyllur që, nuk e dinte çfar kishte brënda.E dinte si do ta prisnin të tjerët fjalën dhe mendimin e tij.Fakte kishte, por ato nuk mund ti dhuronte në tryezën e bisedimeve.Ato ishin apstrakte si vetë zhurmat dhe fjalët që dëgjonte kur udhëtonte natën nëpër kantjeret e heshtura të uzinave, për të pare mos hynte njeri dhe vidhte ndonjë material.Qëndronte në mes mjergullës që ndan jetën nga vdekja dhe dëgjonte.
Herë i dukeshin si të vërteta dhe here si imazhe të një bote të humbur dhe vidhisur në greminën e thellë të viteve.Ato që dëgjonte i kishte jetuar e dëgjuar dhe më pare.Kjo e bënte të heshtte, të mendonte se ishte si rezultat i moshës dhe melankolisë që kishte pushtuar botën e tij shpirtërore vitet e fundit.Por zërat nuk pushonin, ai, i dëgjonte çdo natë.Kishte arritur deri aty sa ti dallonte njëri nga tjetri, njihte dhe portretet e atyre që flisnin.Ishte pjestar në bisedat e tyre, në thirrjet e gëzuara dhe në trishtimet e puthjet.Si mund ti hiqej nga mëndja ajo thirrje lemeritëse që shponte hapësirën e thellë të natës duke kërkuar. Kërcitjet e këmbëve të tij nëpër shkallë dhe frymëmarrjen e thellë e të shpejtuar.Pastaj puthjet e zjarrta dhe rënkimet që binin të flinin në kraharorin e heshtjes. Dritën e verdhë të hënës që shikonte nga dritarja.Dhe hëna nuk ishte një dëshmitar që mund të aprovonte thëniet e tij?Këtë e dinte dhe ai, por hëna nuk flet, nuk provon fajësi apo pafajsi.Ajo vetëm shikon, zverdhet nga dhimbja, apo llamburit e lumtur orbitës qiellore duke marrë me vete lumturinë e të tjerëve.
Zefi porsa hynte natën në oborrin e Kombinatit , mbyllte dhomën e dezhurnit dhe futej nëpër kantjere.I qetë, me flokët tashmë të zbardhura si një dallgë nga furtunat e jetës.Futej nëpër koridorët e gjatë, si në një bibliotekë të madhe dhe kërkonte çdo natë një roman të ri, një ngjarje të re.Dëgjonte një zë, një bisedë intime dhe i ngjitej pas.Për ti pare nuk i shihte por i përfytyronte,
ashtu si i kishte pare përpara 18 vjetësh mes zhurmave dhe makinerive.Këto vitet e fundit kishte krijuar në trurin e tij tashmë të plakur një diskotekë zërash, një ekspozitë fytyrash, të cilat i lexonte dhe i kuptonte vetëm ai.Dinte ku kishin punuar, lidhjet që kishin me njëri tjetrin, dhe punën.Ndjente vrullin e bisedave të tyre, gurgullimën e burimit të zërave përzier me zhurmën monotone të makinerive.Herë - here, zhurma e transportjerëve dhe motorrëve e mbyste bisedën e tyre.Atherë ai tendoste vëmëndjen, thërriste në ndimë shqisat e dëgjimit që ishin të lodhura nga jeta dhe i detyronte t’i bindeshin.I mërrte këto biseda, i fuste në laboratorin e trurit të tij i përpunonte por nuk nxirrte dot konkluzione dhe as rrugëzgjidhje.E ndjente se ishte lodhur.Vitet e fundit ishin për të një stërmundim i madh.Kohën e pensionit e kishte kaluar por prap punonte.I dukej sikur, në këtë Kombinat vinte të ruante kujtimet e atyre mijra njerzve që për vite dhe vite krijuan dashuri e urrejtje, gëzime e hidhërime, lodhje e dhimbje por dhe luftën që të lë koha për të jetuar.I ngjante me një muzeum që perveç dhimbjes ka brënda dhe diçka që nuk mund ta harrosh lehtë, diçka, që ngarkuar në trastën e jetës e mërr me vete dhe të bëhet pjesë e pa ndarë e shpirtit.Pa të cilën nuk mund të jetosh, apo të paktën të duket se vuan me mungesën e saj.Në gjithë këtë Kombinat, Ai, shikonte një tjetër Kombinat, më të madh se të parin dhe më të rëndësishëm se ai.Shikonte shpirtrat e këtyre njerzve të ndërthurur me dashurinë e njëri tjetrit, që ndonse njëri kishte vdekur, ai i mekanizmave, tjetri luftonte pa u kuptuar për të mos u shuar kënga, dashuritë e tij, ndjenjat, ëndërrat.Ky kombinat ishte shumë i fuqishëm, frymëmarrja e tij e mbyste zhurmën e makinerive të çakorduara nga puna e tepërt dhe të këputur nga hallka e mendimeve e bindjeve.Kënga e tij vinte e largët, e thellë, ajo nuk kishte nevojë për remont si makineritë.
Ajo nuk ishte ndërtuar mbi themelet e bindjeve por mbi bazamentin e forte të shpirtit e të ndjenjës.
Nuk kishte si ndodhte ndryshe, përderisa pas 18 vjetësh ata ende kërkonin njëri tjetrin.Ai rrëngjethej i tëri kur dëgjonte për natë zërin e njohur të djaloshit nga Mirdita.Thirrjen e tij që i trondiste dhe i trëmbte gjumin natës duke thirrur.
“Shpresa, Shpresa, ku je, ku je futur”?
Makineritë nuk e mbysnin dot zërin e tij.
“ Këtu, këtu! Jam mbrapa tablosë elektrikut!”
Ai e ndiqte pas thirrjeve që lëshonte zëri i saj.E mërrte në krah, e puthte, e ngrinte në krah.Ajo harlisej me flokët e shpërndarë në erë, si një pemë e gjelbër.E gjelbër deri në skajin më të thellë të rrënjës së saj.Makineritë heshtnin.Zëmrat e tyre rrihnin më shumë se të gjithë motorrët e kantjereve të marrë së bashku.
Zefit kjo thirrje i ishte skalitur në thellësi të orbitës së trurit.I njihte mire të dy.Edhe tani pas 18 vjetësh portretet e tyre ishin si ato vite.Dashuria e tyre kishte rënë në sy të të gjithëve.Ata nuk dinin ta fshihnin, e linin të lire, të lire si era të endej kantjereve
të zhurmshëm të kombinatit.Pastaj erdhi Demokracia.Makineritë heshtën, njerzit u shpërndanë duke kërkuar punë larg, në Itali, Gjermani, Greqi… Ndërtuan andej shtëpinë e endërrave të tyre.
Por Zefit nuk i largoheshin nga mëndja thirrjet e tyre.Këto thirrje e mbanin gjallë, por dhe e mundonin.Kthehej nga puna gjithnjë i lodhur tej mase, ndonse nuk kishte bërë asgjë.Këto udhëtime të përditshëm nga e djeshmja te e sotmja dhe anasjelltas, e bënin të ulej i kapitur në kolltukun e thellë përpara televizorit që i kishte dërguar i biri nga Italia.
Dhe këtë mëngjes i përhumbur ndërmjet ëndërrës dhe ralitetit, mendoi të mërrte në telefon policinë e të njoftonte, se në kantjeret e Kombinatit dëgjonte zëra, puthje.Do t’u thoshte se, vertet nuk punonin makineritë, por jeta gjallonte mes heshtjes së vdekur të prodhimit industrial.
Nga prehëri i kësaj përgjumje që e përkëdhelte shpesh kohët e fundit e zgjoi zëri i spikerit nga televizori i Alsat- it.
“Sot pas një operimi të rëndë e të pa suksesshëm mjekët Italianë njoftojnë se”:
Zefi u drodh i tërë, sikur mbi të të kishte kaluar rryma elektrike e një turbine të tërë të hidroçentralit të Shkopetit.Në Itali kishte të dy djemtë.
“Në njërin nga spitalet modern të Milanos, vdiq emigranti Shqiptar nga Mirdita, Ndue Përshqefni.Mosha 40 vjeç.Mjekët vunë re, se i sëmuri vuante nga një sëmundje e pa njohur.Ai kishte kohë që kishte humbur zërin, nuk kishte lidhje me ambjentin që e rrethonte.Kishte humbur ndjenjën e të qënit njeri, shpirti i tij ishte i boshatisur si një fole pa cicërima.Një mëngjes në rrugët e Milanos e goditi një makinë e cila i mori jetën.
Zefi u ngrit në këmbë.
“Jo, thirri, jo! I mori trupin e pa jetë.Ai jeton, po..po ..jeton.Unë e shikoj, e dëgjoj çdo mbrëmje mes zhurmës së makinerive”.
Zefi, tha këto fjalë dhe ra me fuqi të prera në kolltukun e thellë.Ai ishte dëshmitari i vetëm që Ndu- ja jetonte.Shpirti i tij çdo mbrëmje kërkonte Shpresën e humbur.Në mëngjes linte dashurinë dhe rendte të futej në trupin e Ndues. Atë ditë që u harrua në kraharorin e dashurisë së Shpresës dhe nuk u kthye, e shtypi makina marramëndëse e kohës.

No comments: