Wednesday 4 March 2009

Triniteti poetik shqiptar

Fatmir TERZIU


Kur poezia moderne 'nisi' jetën e saj në mesin e poetëve shqiptarë shumëkush ndjeu pragun e një tisi ndryshimesh që rrokën tërë strukturën poetike. Bashkë me të edhe kritika ndryshoi gjuhën. U harrua propaganda, dhe nisi 'poet-miqësi-lidhje-dogmoganda'. Një turrë kalemash rendën të thurin imazhe letërkëmbimi me poetët që mbinë, madje edhe rendën të nënshkruanin tryezave me shampanjë e uiski edhe parathëniet e reja për risinë 'e re'. Poetë të vjetër me kostum të ri, shanin poetët e vjetër me kostum të vjetër dhe më tej dora dhe mendja që sapo ngrihej si e 'shtresës' së poezisë 'kontemporane' [jo më kot e përdor këtë term në anglisht], ngjizej në fidanishten e porsanisur të gjallërojë dhe tërhoqën tek-tuk edhe ndonjë vizitorë-kritik ose 'njohës' të letërsisë shqiptare me thonj, duke i quajtur ata ....dhe vetëm ata poetë të mirënjohur “kontemporanë”, ose njësoj si atëherë kur vetëm ata që kishin marrë aprovimin e fillit të kuq, kishin të drejtë të thoshin fjalën e fundit, dhe vetëm ata përcaktonin nivelin e poezisë apo vlerat e saj. Sot kur petët e lakrorit janë zbuluar nga teknologjia e re e komunikimit dhe kur media e re e thotë hapur fjalën e saj, kritikë e të rënë apo të mbetur në fik, janë në një luftë të re, atë që quhet net-luftë, për të marrë ose rimarrë “vlerat e cunguara” apo edhe të 'nëpërkëmbura'. Media e re dhe teknologjia e re natyrshëm luajnë rolin e fushës neutral, për aq sa në mesin e 'gladiatorëve' modern të poezisë ngjizet beteja dhe ndonjëherë përflaket edhe heshtja ose injorimi i atyre që ende kapen pas çmimeve që i japin e i marrin vetë, pas thurjeve e prurjeve nga postat 'shoku-shoqe', apo edhe nga lutjet e lëvdatat për t'u bërë një shkrim apo edhe një lëvdatë. Këtu moral ii shkruesit, kritikut apo penë-përdoruesit ka një ndryshim nga morali i krijuesit, poetit apo edhe më tutje. Por në pamje të parë të dy kanë një moral, që duket tamam një urë për të kaluar në analizën e nisur për këtë problem në kohë e vend të caktuar për poezinë “kontemporane” shqiptare dhe për kritikën ndaj krijuesve, më së shumti poetë “kontemporanë”. Triniteti i dikurshëm i retrospektivës poetike na vjen këtu në ndihmë. I përfaqësuar në skenën botërore nga Auden, Spender dhe Day Lewis, që thuajse janë emra që tingëllojnë në një hapësirë me Freeman, Hardy and Willis, është modeli nga ku nisi 'stili i ri i arkitekturës poetike, ndryshimi i zemrave në poezi' që në gjuhën e të Madhit Auden, do të thotë të festosh të ardhmen, ose ashtu si Spender e nisi me këta vargje të fuqishëm:

"Vdekja është një shkëmb-pavdekësie në rrugën e saj,

Me një nënqeshje në buzët e tyre dhe me një furtunë që shpërthen përreth tyre

Ata flasin thjesht

Se si një e mbaruar për të gjithë të bën

Edhe ty të shtrëngosh mendjen

Duke synuar një revolucion të pazëshëm

Aty ku ti dhe mendja jote formojnë të shkuarën..."

Këtu pra niste një nyje e re që u zgjidh shumë shpejt dhe formuloi edhe ndryshimin në poezi. Në këtë kontekst ka pak ngjashmëri me atë rrugë në të cilën ky model erdhi dhe u përfaqësua në mesin e poetëve shqiptarë. E thënë qartë, prandaj sot në mesin e kësaj “net-lufte” ende dëgjon penë-shpatat apo bubullimat e tasierëve që fshehin apo nxjerrin në breg të detit të madh elektronik fytyrat e poezisë në kohëra të ndryshme, që në fakt ndryshojnë dhe deformojnë realitetin e tyre të vërtetë, pasi shprehen në kohë tjetër për një kohë tjetër, kur poezia kishte gjuhën e saj të ndikuar nga kushte dhe rrethana të caktuara të njohura publikisht, por edhe të studiuara. Poeti thotë Louis MacNeise në të famshmen ese të saj. Poezia Moderne, është në sens një njeri në gjendjen e tij më të përqendruar mendore, por kjo nënkupton personalitetin e tij si njeri, jo botëkuptimin e tij si poet. Ajo thotë më tej: "Poetët për më shumë se njëqind vjet kanë qenë nën problematikën e vet-botëkuptimit. Ata kanë kuptuar tani se ajo që u shtir të thuhej ndoshta duhet zëvendësuar me atitudën e poetit, që para së gjithash është një subjekt i poezisë, sepse ai vet ishte jopoetik" (MacNeise, 1968:XV). Këtu komenti është i tepërt për ata që kuptojnë lidhjen dhe krijimtarinë poetike në dy kohë, por që zbulon edhe thelbin e trinitetit poetik shqiptar në këtë kohë.

Stilistika dhe e sotmja letrare

Stilistika është sot ajo që përbën një aspekt të së ashtuquajturës disiplinë stilistike. Ç’do kontribut në këtë disiplinë shumëdimensionëshe dhe shumëformëshe ngjizet me përfshirjen e stilit. Të pranosh atë që subjekti i vëmendjes sonë për kritikat e eseve tona është një poemë, një novelë, një tregim i shkurtër apo edhe një skript qoftë si shtysë shqiptare edhe në gjuhë tjetër, perëndimore], përfshin një pranim që literatura e sotme letrare është e ndarë në tre regjistra bazë të stilistikës. Madje edhe pëlqimi i studimeve letrare si një fushë akademike e ndarë është figuruar nga ekzistenca e një lidhjeje midis literaturës dhe tekstit ndryshe prej saj. Stilistika tenton në këtë lidhje të na afrojë një kapje të lehtësishme të funksionit të saj objektiv, që rreket në identifikimin dhe emërimin e tendencave ndryshueshmëri të tekstit letrar, dhe të specifikimit të strukturave rezultative në letërsi, krijimtari dhe sidomos në kritikën e sotme letrare. Kur ne nisim të përgjigjemi në gjuhë e në botën reale, kuptimi ynë që lidhet me atë çfarë fjalët transmetojnë dhe nënkuptojnë është i ndërvarur nga disa seri apo faktorë që burojnë nga stresime të ndryshme që lidhen me 'xhelozi' krijuesish, 'inate' kohërash dhe hakmarrje që lidhen me populloren: 'është molla ime ajo? Jo. Atëherë përse të mos e shkurtojmë?!??!!'. Kjo çon në atë që gjuha është një kod mundësimi, që lejon dhe poshtëron ndërkohë artikulimet e zgjedhjeve në sekuenca kohore, ose interesash çasti, madje edhe në vendime grupore, kundërpërgjigje, akte dhe sekuenca që jargëzojnë letërsinë dhe jetë krijimtarinë e autorit shqiptar në të gjitha kohërat, në të gjitha zhanret. Një nga hulumtuesit dhe teoristët më të njohur të kësaj fushe sot në botën e krijimit Richard Bradford analizon duke theksuar se "stili dhe gjuha e poemës, novelave dhe tregimeve apo skripteve përfshijnë pandashëm qëllimet e tyre të funksionit, por kur ne shikojmë më tutje tyre efekti në kontekstin e tyre na çon në një çorientim të ndërvarur midis asaj çfarë ka ndodhur në tekst dhe asaj që çfarë mund të ndodh jashtë tekstit". Sipas Bradford, këtu ndahet pikërisht dhe stilistikisht tabani krijimtari dhe krijues, duke kuptuar veprën dhe autorin nën tutelën e veprës. Këtu temptet koha e shkuar dhe koha në të cilën kritiku shkruan për të shkuarën. Ndoshta prandaj sot kritika është në krizë, ndoshta prandaj dhe kritikët kërkojnë të deklarojnë krizë edhe në krijimtarinë e kohërave. Bradford na vjen në ndihmë kur thotë: "stilistika mund të na tregojë neve të emërtojmë një pjesë të një krijimtarie letrare dhe të na mundësojë gjithashtu se si ta dokumentojmë dhe klasifikojmë atë". Por ajo mund të jetë në ecje e sipër dhe gjuha e krijimtarisë ndoshta pikturon në mendje të ndryshme terminologji dhe metodologji disiplinash që fokusohen mbi këtë 'gjuhë kritike' në botën reale. Këtu është defekti i stisur dhe jo real. Pra marrëdhëniet problematikën një subjekt parësor mund të ndërtojë një mini-lidhje që synon ganglomerizmin dhe zhargonin letraro-kritikues pa bazën e argumentit Bradford në letërsinë e sotme shqiptare të t’ gjitha trevave ku ajo lëvrohet me vrull.

Modelet e ndërlidhjes, kritika-faktor i hapur

Xhakobson dhe Halle janë dy kritikët që kanë formuluar një aspekt të rëndësishëm të modeleve të ndërlidhjes midis metaforës së poezisë dhe metonimisë së prozës të cilën ata e shohin tek rezistenca, e që nënkupton në ndërlidhjen e krijimtarisë në shqip atë lidhje në të cilën kritika gjen veçantinë apo urën për të parë prioritaren. Prioritarja që tulatet në teorinë e naracionit, të përfaqësuar nga Formalizmi Europian dhe strukturalistët Viktor Shklovskij, Vladimir Prop, A. J. Greimas dhe Cfetan Todorovi, pa harruar edhe lëvizjen anglo-amerikane të gjuhësisë dhe letërsisë të përfaqësuar nga Booth, Chatman, Leech, dhe Short. Por duke ditur se proza është më shumë e ndërlidhur me metoniminë, në të cilën seleksioni gjuhësor lartëson paralelisht midis asaj që është thënë dhe asaj që synohet të pasqyrohet. Novelat dhe tregimet janë molekulëzuar në formatin prozë. Ato si modele të ndryshme të këtij zhanri letrar padyshim janë edhe nën ndikimin reflekteve meditative (të meditimit), të folurës, dialogut, përzgjedhjes letrare etj. Në këtë mori ndërlidhjesh midis faktorëve dhe zhanreve është edhe nocioni kohë dhe hapësirë ku kritiku synon të thotë pavarësinë e tij. Unë duke u bazuar në këtë ndërlidhje kam sjellë në analizat e mia disa herë të pathënën dhe kurrë nuk kam synuar të them atë që shoh sot nga pikëtakime të ndryshme që mund të vështirësojnë problemin. Kështu unë e shoh kritikën e sotme një betejë të hapur për të gjithë faktorin krijues.

Zbulues zbuluesish apo teka “vlerësuese”

Është një titull, por jo thjeshtë një titull pa lidhje i Bill Nichols. Ai buron nga kritika, më saktë nga kritika e (tej)okupuar nga mirazhi i stinëve të (pa)mbarsura letrare, që kanë kthyer kritikun e kritikës letrare-artistike në një zbulues-zbuluesish të tekave 'vlerësuese', duke korruptuar vlerën e kritikës si art historik më vete. Dhe pastaj shfaqet, ashtu siç shfaqet ç do gjë që hulumton për të korruptuar edhe artin, edhe krijimtarinë edhe vlerat e tij. Sidoqoftë, ky titull nuk kërkon të zbulojë zbulues zbuluesin, pasi ai ka kohë që shëtit në skena të ndryshme politologjiko-letrare, [a ku di unë], nuk 'korrupton' kritikën, apo vet tipin 'zbulues zbuluesish'. Nuk tenton as të 'korruptojë' diç ka, madje as të kompromentojë gjuhën që sot një zbulues i artit, krijmtarisë apo fushës së medias ka në pragun e tij, që tendoset në një dilemë, që përkulet ose tkurret me fatin e një kohe, me fatet e kohërave, dhe me mëkatet e historisë, [nëse historia do të pranohej pa mëkate?!]. Dhe aty ku piketohet nyjë-lidhja e tipit 'zbulues zbuluesish', fakti nënshkruan tërësoren kuptimplotën, por jo gjetjen e gjuhës me të cilën zbuluesi i paraqet mendje-ndjenjën e tij lexuesit. Prej kohësh më pati shqetësuar ky fakt. Fakti që ngjizet me gjuhën që ka krijimtaria. Në fakt ajo është 'Gjuha' me të cilën shfaqet krijimtaria, arti apo media në tërësi dhe jo gjuha në të cilën ajo shkruhet ose prezantohet për një instancë njerëzore të lidhur me kulturën. Ajo është gjuha që zbulohet 'në lagështirën e të ndenjurave' të tipave 'zbulues zbuluesish', për të cilët kritiku dhe akademiku Bill Nichols kursen një mesatare tjetër "ashtu si treguesi i konvertuar i hamendësisë me ngjyrat e fanatizmit edhe demoni 'zbulues zbuluesish' në art luan lojtarin e kritikut me arsyetimin e praktikave që interpretimin e kanë në themel" (Nichols, 1999:192). Përpos këtyre interpretimeve lindin edhe pyetjet, që pastaj formojnë amalgamën e pyetjeve të interpretimeve, që na ballafaqohen nën dritë të diellit e sy për sy me delirin e shtysës zbulues zbuluesish në fushën e detyruar të politikës së prezantimit. Por, ndërsa prezantimi ushqehet dhe lëvrohet nga argumenti i interpretimit të botës historike pa dashje vizaton të vërtetën e ligjëruar tashmë.

No comments: