Thursday 6 October 2011

Karadaku i Preshevës joshës për pushime dhe tërheqës për turizmin malor





Karadaku i Preshevës joshës për pushime dhe tërheqës për turizmin malor

Fotoreportazh: Udhëtim dyditësh nëpër Karadakun e Preshevës                                                          
Karadakun e Preshevës shumë herë e kam kaluar  këmbë, por më shumë  me makinë udhën e asfaltuar gjarpërore, zigzake Preshevë-Gjilan -Prishtinë. Sa herë që kaloja, diqysh sikur dicka magjepëse, tërheqëse, joshëse nga brendia e malit më thonte eja këmbë dhe udhëto disa ditë nëpër Karadak dhe kënaqu me bukuritë e mia përrallore.
Dhe ashtu i ftuar nga Karadaku, vendosa që në muajin qershor dhe korrik 2011 të udhëtojë nëpër te. Jo, e pamundur ta kaloja Karadakun lindje-perëndim, jug-veri brenda dy ditëve udhëtimi, por aq  pata mundësi, dy ditë të tëra udhëtova me makinë më pak dhe këmbë më shumë, nëpër Karadak. 
Dita e parë, më 30 qershor 2011, nga Presheva herët para dite, me makinën e Haki Sylejmanit u nisa për në Karadak. Me ne ishte edhe Felah Kurtishi, koleg pune në Bibliotekën “Mehmet Jusufi” në Preshevë.
U nisëm rrugës Preshevë-Gjilan, “Udhës së Nemcit” si e quan populli. Caku i parë i jonë ishte Ilinca, një vendbanim në të djathtë të rrugës Preshevë-Gjilan, në veri të Karadakut.

Shpella e Ilincës                                                    

Shpella e Ilincës-brendia e saj                                                 

Vendi „Lugjet“ në Ilincë                                    

Xhamia e Ilincës  

Pamje nga Ilinca                                                            

Pamje nga Ranatoci

Maxherja                                                              

Çezma në Maxhere


Pas vizitës së Ilincës, zbritëm në rrugën Preshevë-Gjilan dhe vazhduam për Caravajkë

Vendi “Te Ura” në Caravajkë, rruga Preshevë-Gjilan.
Këtu Lumi i Stanecit dhe Lumi i Seferëve bashkohen dhe formojnë Llapushnicën, e cila vazhdon rrjedhën e saj drejt Moravës së Binçit, te Pogragja dhe  ashtu sëbashku derdhen në Moravë Jugore.

Rrjedha e lumenjve kryesorë dhe mullinjtë e vjetër në Karadakun e Preshevës

Para se të arrijmë te Vila Ada, aty ku bashkohet lumi i Seferëve dhe i Depcës, në të majtë të rrugës Preshevë-Gjilan marrim rrugën për Caravajkë e Lezbali/ Elez Baliu/

Shkolla fillore në Caravajkë                                    

Udha për Caravajkë-Lezbali

Xhamia e Caravajkës                                                  

Vorrezat e vjetra në Lezbali, në lartësi mbidetare 915 m

Sofra shqiptare e shtruar në familjen Sylejmani në Lezbali: bukë, e kripë e zemër        
Në sofër : Felahu, Naseri, Xhemaledini dhe Hakiu
Familja Sylejmani në Lezbali ka ndërtuar një ekonomi familjare të pasur, ku kultivohet kopshtaria : patate, speca, domate, fasule, kastraveca e tjerë; bletaria; pemëtaria: qershia, kumbulla; blegtoria:  ruanin 8 frymë kafshë, me të cilat siguronin të mirat familjare, por edhe në treg shesin mish, tambël e tjerë. Aty nuk mungoi as rakia e freskët, sallata e shijshme taze, me domate, speca dhe kastraveca pa kurrfarë pesiticidesh. Të gjitha kishin aromë natyre dhe ishin të shijshme. Bile, në shetitje e sipër pas qershijave të posapjekura dhe taze, hasëm në një dud të bardhë, të të cilit frytet i kishin aromë dhe ishin të shijshëm. Moti kohë nuk kisha hangër duda. 
Naser Sylejmani me familje  kujdeset për këtë ekonomi familjare të pasur, ku gjetëm të gjitha ato të mira që i duhen një familjes së mirë ekonomike shqiptare.
Kushëriri i familjes Sylejmani, Osmani i Lezbalive kishte një ekonomi, poashtu të pasur familjare, ruante 20 krerë lopë. Me këtë furnizonte familjen dhe kishte edhe për treg.

Vendi afër shtëpisë së familjes Sylejmani ku kultivohet dhe rritet bleta. Familja prodhon për vete, por edhe për treg. Mjalti është i natyrës së pastër të Karadakut.

Lisi /Trungu/ i Çarrit shumëvjeçar                  

Dudi shumëvjecar i Fazlisë në Lezbali
Kroi i fshatit Lezbali                                      

Bunari/pusi/ i Qazimit në Lezbali.
Kroi i fshatit ishte burim i vetëm i ujit të pijshëm dhe për larje. Ishte me kilometra larg fshatit. Ujë kryesisht bajshin grate e fshatit.                                                       
Më vonë Qazimi i Lezbalive ndërtoi bunarin që furnizonte me ujë të pijshëm larje tërë fshatin, edhepse ishte shumë larg mëhallave dhe ishte një rrugë e gjatë prej fshatit deri te bunari. Bile, banorët e këtueshëm tregojne se ujë bajshin më tepër gratë e mëhallave të fshatit.

Ostrovica, e fotografuar nga Lezbalia            

Kurbalia e fotografuar nga Lezbalia 

Buhiçi i fotografuar nga Lezbalia                      

Staneci i fotografuar nga Lezbalia

Shkolla fillore në Depcë                                      

Lugina e Lumit të Seferëve

Lumi i Karaçëve-Udha për Iseukaj                        

Përmendorja te Iseukët

Livadhi i Shehut                                              
Livadhi i Valevës                                                                

Guri i Shpuem                                                  
Kalaja-Mëhalla e Kurbalive 
Dita e dytë udhëtimi nëpër Karadak, 19 korrik 2011. E njëjta ekspeditë morëm rrugën për Depcë edhe ate te Mëhalla e Lafetëve. Mungonte vetëm Felahu.

Shtalla e lopëve                                      
Ferma  lopëve – pronë e Shaip Bajramit

Në Mëhallën/lagjen/ e Lafetëve nuk takuam njeri, pos një djali që ruante lopët. Ai na përcolli deri te ferma e lopëve prej 13 krerësh të Shaip Bajramit. Në hyrje të pronës na priti një qen i madh i bagëtive, me të cilin më vonë vuam kontakt miqësor.
Mixhën Shaip Bajrami, pensionist të Zvicrës, i cili banon në Corroticë, ndërsa ditën vjen në fermë, e gjetëm duke mjelur lopët. Menjëherë posa na vërejti ndërpreu mjeljen dhe na priti me buzagaz, tamam pritje karadakçe, burrërore.Pasi u njoftuam, na tregoi për jetën e tij dhe punën që e bënte në Mëhallën e Lafetëve, duke u kujdesur për lopët dhe pulat që i kishte në pronë. Me vullnet dhe kisha shëndet për t’i kryer këto punë na rrëfehet mixha Shaip, mirëpo sivjet shëndeti nuk më shërben, andaj do të jam i detyruat t’i shesë lopët, rrëfehet mixha Shaip.Pos që i përmbush nevojat familjare, me prodhimet nga prona, furnizon edhe tregun në Preshevë. I uruam shëndet.

Pamje nga Karadaku                                                
Pamje nga Mëhalla e Lafetëve
Nga Mëhalla e Lafetëve morëm rrugën për te Seferët, mirëpo në pjesën veriore të Seferëve dhe në Mëhallën e Jasharajve nuk gjetëm arsye për të bërë fotografi, pos që i fotografuam disa shtëpia të rrëzuara/kulla/. 
Pushuam te shtëpia e Nazmi Seferit, e ndërtuar me donacion, sepse e vjetra iu kishte djegur nëluftën e Kosovës.

Shtëpia e Nazmi Seferit                                                  
Kullë e rrëzuar te Seferët
Në fshatin Sefer mbahen edhe Takimet  tradicionale, ku tubohen shumë banorë të këtij fshati, të cilët tashmë jetojnë në Kosovë, Preshevë dhe në Evropën Perendimore. Ato  mbahen  të “Lama e Halimit”, në lagjen e Sykëve dhe  kanë për qëllim njoftimin e të rinjëve në mes veti, mbajtjen e kontakteve mes më të moshuarve, sepse para viteve të 2000, ky fshat është banuar me rreth 60 shtëpi. Në Takim organizohen edhe gara sportive, si në vrapim, gjuajtjen e gurit dhe gara tjera, në mënyrë që të kujtohen kohrat e mëherëhme të jetës në këtë fshat të Karadakut të Preshevës. Ndërsa, në Takime nuk mungojnë as programet artistike, ku fëmijët dhe të rinjtë me prejardhje nga kjo anë këndojnë dhe recitojnë poezi. 
Pastaj, pasi pushuam mirë, e lamë makinën dhe vazhduam këmbë për në Mëhallën/Lagjen/ e Seferëve.Rrugës për te lagja e Seferëve,  vendlindje e  legjendarit Idriz Seferi, u ndalëm te Vorrezat e  Seferëve-familjes së Kosumëve, dajë i Idriz Seferit
Oda e Can Seferit                                                  
Bedriu, autori dhe Hakiu në Odë

Në Odën e Can Seferit na pritën djemtë e tij : Bedriu, Rashiti dhe Emrani dhe na gostitën me kafe dhe me ujë të freskët mali të Seferëve. Edhe këtu hasëm në mikpritje shqiptare : bukë, e kripë e zemër. 
Familja e Can Seferit-Kosumit jeton në Gjilan, por punët bujqësisë dhe blegtorisë i kryejnë në fshat. Prona e Can Seferit ishte një ekonomi e pasur me 17 krerë lopë, e cila pos nevojave familjare  kishte edhe prodhime për treg. Familje bujare dhe mikpritëse. Në Odë e ndiem qetësinë shqiprtërore, por rrëfimi i Canit për djegjen e shtëpisë nga serbët në 
Luftën e Kosovës na bëri pak shqetësim, mirëpo na qetësoi fjala e tij kur tha se Odën nuk e prekën as paramilitarët. Kishin ndërtua shtëpi të re. 
Prona e tyre kishte livadhe, kullosa dhe pyje. Për rreth shtëpisë kishin mbjellur edhe perime. Djemtë Bedriu, Rashiti dhe Emrani na përcollën edhe jashtë shtëpisë, ndërsa i madhi Bedriu, edhepse i lodhur nga lojërat me futboll, erdhi me ne deri te Nezajt.

Shtëpia/kulla/ e Can Seferit                                        
Varri i Rashit Kosumit „Luxha“ 1925-2001 /    

Kalaja e Seferëve-në territorin e Republikës së Kosovës                        
Krroni i Seferëve larg fshatit me kilometra, ku mbushnin ujë të pijshëm banorët e lagjes së Seferëve            
Pamje te Godenit, Resulëve në Kosovë  nga Seferët
Oda e Maliq  Nezajt 

Shtëpia e Maliq Nezajt                                            
Shtëpia e Deli Nezajt

Vila Ada
Në Vila Ada drekuam pas një shetitjeje të gjatë, na gostiti një kushëri i Hakiut.
Vila Ada me restorantin, në pronësi të Skender Musahut nga Presheva ka kushte të mira për ta pranuar dhe gostitur vizitorin e pushimeve verore dhe të turizmit malor në Karadakun e Preshevës.
Mali i Karadakut (Kara- i Zi + dag-Mal= Mal i Zi) shtrihet në Republikën e Maqedonisë, Republikën e Kosovës dhe Republikën e Serbisë. Karadaku përfshinë komunën e Shkupit, Kumanovës, Likovës, Han Elezit, Kaçanikut, Vitisë, Gjilanit, Preshevës dhe një pjesë të Bujanocit.
Mali i Karadakut ndahet në Karadakun e Shkupit, të Kumanovës, të Gjilanit dhe të Preshevës. Karadaku i Preshevës shtrihet në perëndim të Preshevës dhe fillon nga Kardaku i Kumanovës, kufizohet me vijën administrative në jug, në përëndim me vijën administrative të Karadakut të Gjilanit, mbaron në veri me  Grykën e Konçulit, në komunën e Bujanocit, ndërsa në lindje përkufizohet me fushëne Preshevës.
Karadaku i Preshevës përfshinë këto fshatra të komunës së Preshevës : Kurbalinë, Stanecin, Seferët, Peçenën, Caravajkën, Depcën, Buhiçin, Ilincën, Ranatocin, Maxheren, Gosponicën, Bukocin, Garen, Bërçecin dhe Shoshajën e Epërme.
Autori Jovan Trifunoski e zgjëron territorin e Karadakut të Preshevës dhe sipas tij  Karadakun e Preshevës e formojnë këto fshatra : Reka e Tërrnavës, Tërrnava, Norça, Kurbalia, Rahovica, Bukoci, Ilinca, Gosponica, Shoshaja, Corrotica, Rainca, Rainca e Vogël, Bukuroca e Keqe, Letovica, Garja, Bërçeci, Gramada, Vërbani, Nasalca, Osllara, Luçani dhe Levosoja. Fshati Miratoc mbetet në Karadakun e Kumanovës. Disa fshatra të komunës së Bujanocit : Letovica, Gramada, Vërbani, Nasalca, Osllarja, Lluçani dhe Levosoja, autori i vendos në Karadakun e Preshevës. 
Autori hulumtimet i bëri në mbarim të vitit 1940 dhe  në fillim të vitit 1941, andaj edhe disa fshatra i takonin Karadakut të Gjilanit : Staneci, Seferët, Peçena, Caravajka, Depca, Buhiçi, Ranatoci, Maxherja (Jovan F. Trifunoski, Kumanovsko-Presevska Crna Gora, Beograd, 1951, f. 158-191)

Karadaku i Kumanovës dhe i Preshevës sipas Trifunoskit 

Në verën e vitit 1947, Karadaku i Llapushnicës(e quan Dr. Jahi Murati-Staneci, Bujku, 22 prill 1996, f. 7) me 9 katundet e tij : Kurbalia, Staneci, Seferi, Buhiçi, Caravajka, Peçena, Depca, Maxherja dhe Ranatoci që gjithmonë dhe pandërprerë ishin pjesë e Kosovës, deri në vitin 1947, çuditërisht shkëputen nga ajo, i bashakngjiten Karadakut të Preshevës. 
Aktit të bashkangjitjes i parapriu një vullnet i padëshirueshëm i popullatës dhe i paprecedencë në histori. 
Karadakut të Preshevës i takonin edhe Mirasheci, Vaçka dhe Valeva, vendbanime të vjetra, por të zhdukura.
Majat më të larta në Karadakun e Preshevës janë : Ostrovica, me lartësi prej 1.168 m; Maja e Madhe mbi Preshevë, me lartësi prej 1.034 m dhe Kodra e Peçenës, me lartësi prej 977 m. 
Karadaku i Preshevës përfshin 45,4% të territorit të komunës së Preshevës.
Në mes viteve 1371, Betejës së Maricës dhe 1389, Betejës së Kosovës, ushtria e Sulltan Muratit te vendi “Çadrat” në Karadakun e Preshevës i shtriu çadrat dhe pushoi.
Ushtri turke, kalimin dhe sulmin kryesor për në Betejën e Kosovës e bëri nëpër Karadakun e Preshevës. Poashtu edhe ushtria e gjeneralit austriak Pikolomini(1690) kaloi nëpër Karadak dhe që nga ajo kohë udha kryesore Preshevë-Gjilan është quajtur Udha e Nemcit. Rruga Preshevë-Gjilan u asfaltua në vitin 1979, në gjatësi prej 30 km. Kjo rrugë i lidh shumicën e fshatrave të Karadakut të Preshevës dhe ndikoi shumë në zvogëlimin e shpërnguljes së popullatës të Karadakut.
Në vitin 1530, këtë rrugë për Kosovë e kaloi edhe Benedikt Kuripeshiqi me suitën e tij prej 35 personave. “Të enjtën, më 12 janar 1530 u nisëm nga Presheva, nëpër malet e larta të Karadakut(Jeruagara) dhe arritëm në fushën e Moravës, pastaj në Livoç dhe Poneshin e Epërm ku edhe fjetëm”./Benedikt Kuripesic, Putopis kroz Bosnu, Srbiju,…f. 49/. 
Lumenjtë kryesorë të Karadakut të Preshevës janë: Lumi i Depcës, Lumi i Seferëve, Lumi i Stanecit, Lumi i Kurbalisë dhe Llapushnica.
Në Karadakun e Preshevës rriten pyjet gjethrënëse : ahu, bungu, qarri, shkoza, krekëza.
Në Karadakun e Preshevës jetojnë këta shpezë dhe shtazë: thëllënza e egër, pula e egër, kaprrolli, lepuri, ujku, dhelpëra, derri i egër.
Gjermani J.G.v. Hahn, më vitin 1868  udhëton në relacionin Beograd-Selanik dhe në rrugën Bilaç-Kumanovë përmend edhe vargmalet e Karadakut./J.G.v.Hahn, Reise Belgrad nach Salonik/
Gjermani Spiridon Gopçeviq udhëtoi më 1888 me tren nëpër hekurudhën e posandërtuar Vranjë-Shkup për në Selanik dhe  kështu e përshkroi Karadakun:” Karadaku është mal i dendur dhe nëse shikohet nga hekurudha duket shumë i gjallë dhe i bujshëm. Majat në veri janë më të ulëta (1.011 m), ndërsa në veri janë më të larta(1.552 e 1.535 m)”. Spiridon Gopcevic, Putovanje po Staroj Srbiji, Beograd, 1890.
  Toponomi e Karadakut të Preshevës: Laki i Arushës, Përroi i Shavarit, Ara e Rekës, Kodra e Demës, Prroni i Kishës, Te Kroi, Livadhi i Pizitit, Kroi i Nukit, Mëhalla e Lafetëve, Mëhalla e Gjinajve, Mëhalla e Jasharajve, Mëhalla e Seferëve, Hisari, Te Lugjet, Vaçka, Valeva, Te Kroi i Mahmutit, Maja e Zabelit, Livadhi i Shehut, Ilixha, Vrella, Burimi i Ramazanit, : Lejthishta, Varret e ‘’Mazëve”, Imeridi, Goleshi, Kroi i Mines, Kroni i Haxhi Isahit, Rrezja, ,  Arat e Sahitit, Mashalla, Kodra e Luleve, Fërkemi i Kalit, Kroi i Kopilit, Suravaci, Guri i Gjyrishecit, Ara e Kodrës, Sherekica, Përroi i Alisë, Dardhishta, Roga e Dredhëzave, Ara e Bunarit, Te Guri, Guri i Nrikllës, Kroni i Ftohtë, Mali i Dalipit  Maja e Madhe, Bregi i Tërrllës, Vorret e Moçme, Ara Gatë, te Kisha, Suka, Guri i Macës, Guri i Dragoit, Bregi i Mullinit, Mashalla, Lugishta, Kodra e Drenit, Roga e Madhe, Roga e Vogël, Maja e Lisit të Gjatë, Maja e Tupanit, Maja e Madhe, Kodra e Peçenës, Pusi i Kaut, Përroi i Buhiçit, Çarri i Kuq, Rrethi, Hija e Rrethit, Gurishta, Kodra e Mirë, Guri i Gat, Ahu i Madh, Livadhet e Vaçkës, Suka e Ilincës, Kroi i Demajëve, Kroi i Rrahmanëve, Kroi i Kamerit, Kroi i Maksutajëve, Kroi i Talit, Kroi i Dedajve, Kroi i Gishtajës, Kroi i Isaukëve,Çezma e Haxhi Abdullahut, Çezma e Xhel caravajkës, Çezma e Vaxhidit, etj.
Popullata e Karadakut të Preshevës është  shqiptare, me përkatësi fetare muslimane dhe katolike.
Popullata e Karadakut të Preshevës gjatë historisë ishte gjithmonë nën presionin e pushtuesve të ndryshëm. Andaj edhe nga kjo trevë ndodhën shpërngulje të mëdha.
Shpërnguljet e popullatës së Karadakut të Preshevës filluan qysh në kohën e Turqisë Otomane, presioni për ta pranuar islamizmin, sepse Karadaku ishte kryesisht i banuar me popullatë shumicë katolike. Pastaj presioni që kësaj popullate iu bë gjatë Luftërave ballkanike, Luftërave Botërore, sidomos shpërnguljet e mëdha të kësaj populate ndodhën gjatë Luftës së Kosovs dhe Luftës së UÇPMB-së, atëherë me të madhe popullata u shpërngul në Gjilan, Kumanovë e gjetiu.
Shpërnguljet e popullatës së Karadakut të Preshevës nuk ndodhin vetëm si pasojë e presioneve dhe shtypjeve të pushtuesve, por edhe si pasojë e kushteve ekonomike, kushteve për jetesë, të cilat ishin  të vështira, pa rrugë, pa kushte për një jetesë normale e bëjnë që popullata e kësaj ane të fillojë të shpërngulet për në Preshevë gjatë vitit 1960, sidomos shpërnguljet e mëdha për në qytet nga fshatrat ndodhën, por edhe nga ato të Karadakut të Preshevës në vitet 1962/63. Atëherë kemi një shpërngulje të madhe të popullatës së Malësisë dhe fushës për në qytet, e cila rrit numrin e banorëve të Preshevës, por zvogëlohet numri i banorëve të këtyre fshatrave nga ndodh shpërngulja.
Për ta parë fenomenin e shpërnguljeve po i japim disa të dhëna statistikore mbi popullatën e Karadakut të Preshevës, gjegjësisht të fshatrave të Karadakut gjatë disa viteve:
Viti 1953, Kardaku i Preshevës kishte 3.694 banorë
Viti 1961, Karadaku i Preshevës kishte 3.804 banorë,
Viti 1971, Karadaku i Preshevës kishte 3.366 banorë dhe
Viti 2002, Karadaku i Preshevës kishte 1.860 banorë.
Të themi se pas viteve të 2.000-ta fshatra të tëra të kësaj Malësie kanë mbetur pa asnjë banor.
Popullata e Karadakut të Preshevës merret me bujqësi, blegtori, përshkak të kullosave dhe livadheve të shumtë, me pemëtari, pylltari dhe lavërtari.
Karadaku i Preshevës ka një mundësi të pa shfrytëzuar: për pushime verore dhe turizëm malor.Resurset malore të Malësisë kanë kushte të mëdha për pushime verore dhe turizëm malor. 
Kështu vendi “Te Lugjet”, te “Vrella” në Ilincë, Gurra e Seferëve, Livadhet e Seferëve, Mëhalla e Lafetëve, Caravajka, te shkolla fillore, te “Ura”, në Lezbali, Livadhi i Shehut, Livadhi i Valevës, Ostrovica etj. kanë kushte shumë të mira për pushime verore familjare, janë vendpikniqe të mira për të gjitha moshat e popullatës, por edhe për vizitorët e jashtëm nga komunat fqinje e më gjërë.
Livadhi i Shehut quhet edhe Livadhi i Shenjtë dhe Livadhi i Fshehtë. Livadhi ishte pronë e Shehlerëve apo pronë e ndonjë Shehu të Preshevës.
Livadhi i Shehut kishte rëndësi jo vetëm si pushimore, por edhe për pemëtari, kështu më vitin 1959, Kuvendi komunal i Preshevës i dha në shfrytëzim Koperativës bujqësore të Preshevës Livadhin e Shehut, me sipërfaqe prej 25 ha për pemishte: molla, dardha dhe kumbulla.
Livadhi i Valevës gjendet në vendin e quajtur Valevë. E quajnë edhe Livadhi i Selver Ramadanit, përshkak të prones së tij: aty janë arat e tij, livadhi dhe ka ujë të bollshëm, natyrë me ajër shumtë të shëndetshme. Bile, shumë më herët kam ndëgjuar se këtë vend e kanë kërkuar për sanatorium, ku do të shëroheshin  të sëmuritë nga frymëmarrja dhe mushkëritë.
Ndërsa Shpella e Ilincës, Shpella e Arushës në Tërnavë, Kalaja e Preshevës Guri i Shpuem dhe kullat e vjetra në Sefer, në Mëhallën e Gjinajve dhe te Nezajt paraqesin pika tërheqëse turistike, jo vetëm për vizitorë vendorë, por edhe më gjërë.
Karadaku i Preshevës mundëson destinacione edhe të turizmit shkencor((gjeografik, gjeologjik, historik, etnografik, biologjik, zoologjik, spelologjik)
Turizmi gjeografik me larminë e objekteve gjeografike në majat e ndryshme të kësaj zone si maja e Ostrovicës, Maja e madhe, Kodra e Peçenës, etj.
Turizmi historik: Popullata e kësaj zone ka zhvilluar një luftë të vazhdueshme kundër pushtuesve të ndryshëm, prandaj studimi i historisë së kësaj treve dhe nxjerrja në pah i saj kanë një interes historik.
Turizmi etnografik: Zona e Karadakut të Preshevës ofron vlera të papërsëritshme studimore për etnografët. 
Turizmi spelologjik: Shpella e Ilincës, Shpella e Arushës, Guri i Shpuem, etj. japin mundësi të mëdha studiuesve spelologjik. 
Edhe sporti i gjuetisë mund të aplikohet këtu për vendasit dhe për turistët, sepse gjuetia në këto zona të Karadakut të Preshevës është shumë e përshtatshme.

Referencat
1.Dr. Jahi Staneci, Presheva në fotografi dhe fjalë(Monografi), Prishtinë, 2010
2.Dr. Jahi M. Staneci, Si iu shkëput Karadaku Kosovës?, Bujku, 22 prill 1996, f. 7
3..Jahi Murati, Savremene socijalne-geografske i ekonomske karakteristike presevske komune, Vranjski glasnik, knj. XI, Vranje, 1975, f. 377-431
4.Demush&Metush berisha, Karadaku i Preshevës mburrje dhe krenari, Prishtinë, 2010
5.Jovan F. Trifunoski, Kumanovsko-Presevska Crna Gora, Beograd,1951
6.Radovan Rsumovic, Presevska potolina, Vranjski glasnik, knj V, Vranje, 1969
7.Spiridon Gopcevic, Stara Srbija i Makedonija(Putovanje po Staroj srbiji)Beograd, 1890
8.Mehmet Jusufi, Vështrim gjeografik i Preshevës me rrethinë, “Përparimi”, nr.7-8, Prishtinë, 1965
9.Aleksandar Stojanovski, Vranjski kadiluk u XVI veku, Vranje 1985
10.Jova Hadzivasilevic, Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, knj. II, Beograd, 1913
11.J.G.v. Hahn, Reise Belgrad nach Salonik, Ëien, 1868
12.Benedikt Kuripesic, Putopis kroz Bosnu, Srbiju, Bugarsku i Rumeliju 1530, Sarajevo, 1950


Shkruan: Xhemaledin Salihu     

/Fotografitë i bëri: Xhemaledin Salihu dhe Haki Sylejmani/

No comments: