Saturday 29 December 2012

"Një mall i pashuar"



Vilhelme Vranari Haxhiraj


   Fragmenti i IV- i novelës

...Kështu natyrshëm nisi historia e lidhjes sonë, një histori e brishtë me plot pasion si vetë rinia. Jetonim kohën e një lidhjeje dashurie të çmendur. Që nga ajo ditë kur unë i shpreha ndjenjat përmes bukurisë e pastërtisë shpirtërore, me dëlirësinë dhe pafajësinë që karakterizon atë moshë të pakthyeshme të ..., jo vetëm jetonim, por frymonim për njëri- tjetrin. Në natëvetmit e konviktit ëndërroja, bisedoja me Brikenën dhe me mendimet që më gëlonin në tru, ndërtoja të nesërmen, gjë që më habiste. Me fytyrën e saj engjëllore në ndërgjegje, më zinte gjumi. Prisja mëngjesin me padurim e gjithë ankth që ta takoja, ta përshëndesja, t'i dëgjoja timbrin nektar të zërit të saj. Çuditërisht ende pa e mbaruar vitin e tretë, ishim bërë të pandashëm. Përherë e kudo bashkë në pushimet mes orëve, në mbrëmjet e zhvilluara nga organizata e rinisë apo nga drejtoria e shkollës. Më pëlqenin shëtitjet buzë detit me Brikenën. Ajo hiqte sandalet dhe luante me valët. Madje duke kënduar si një sirenë, vallëzonte mbi shkumën e bardhë të dallgëve. Ishte vajzë aq magjepsëse sa, kushdo që e njihte, e admironte. Me fustanin e saj të bardhë, apo të kaltër, pak mbi gju, dukej si njëra prej pulëbardhave që lodronin me valët...Pastaj kur ato uleshin në rërë dhe vraponin për të gjetur ndonjë ushqim, ajo i ndiqte pas. Nuk ngopesha, kur ajo ngazëllehej duke i parë apo vraponte për t'i kapur. Ishte një mrekulli kur e shihja të ulur galuç mes tyre, i ngjante një zogëze në fluturim.Ndërsa vetëbisedoja me ndërgjegjen , u gjenda pranë shokut tim, i cili më vështroi gjatë dhe me kureshtje. E dinte që ne kishim shëtitur në bregdet buzëmbrëmjen e kaluar. Vetëm me shikime depërtuam në mendimet e njëri-tjetrit.
-Seç ka diçka të veçantë në qenien e saj, që nuk e gjen tek asnjë vajzë tjetër, -i shpreha mendimin Gentit, të cilit i besoja si vetes.     
-Nuk ke ç'i thua...Është për të pirë në kupë dhe nuk ngopesh,- vazhdoi ai mendueshëm.
-Ndaj e kam zgjedhur për shoqe...
-Thjesht shoqe?! Veç unë mos qofsha gabim, por më duket se i keni kaluar caqet e shoqërisë.
-Ishte vërejtje, apo...?
-Në asnjë mënyrë. Ti ke jetën tënde, të cilën as e drejton dhe as e kontrollon kush, por unë nuk besoj në shoqërinë mes djalit dhe vajzës.
-Më pëqen mua...,i pëlqen edhe asaj kjo ndjenjë. A nuk kemi të drejtë të duam dhe të ëndërrojmë për të nesërmen?
-Kush tha, jo...? Veçse asnjeri nga ju të dy, as ti dhe as ajo nuk e dini se çfarë e nesërme ju pret. Ti je nxënës shumë i mirë. I ke të gjitha mundësitë për të fituar të drejtë studimi, madje mjaftë të lakmuar nga cilido prej nesh ...ndoshta edhe jashtë shtetit. E kam të qartë që familja jote pretendon më shumë për ty. Kjo lidhje duket si diçka që nuk më bind. Pas ndarjes së rrugëve tuaja, si kohë jo shumë larg...a do të vazhdojë marrëdhënia juaj si tani? Kjo është dilemë.
-Po vë në dyshim karakterin tim? Asnjëri nga ne nuk do të shkojë në fund të botës, që rrugët tona nuk do të kryqëzohen kurrë më. Pastaj kush tha se nuk do t'i mbajmë lidhjet? As largësia dhe as koha nuk e zvordhin dashurinë. Nëse është reale, ajo ndjenjë kur zhuritet prej mallit, rritet e forcohet dhe pret vetëm çastin e duhur.
-Ti e di që të dua të mirën. Uroj që të jetë kështu siç dëshiron ti.
-Nuk jam unë, por është zemra ime, ajo që flet. Ajo vendos kushtet dhe bën ligjin përsa u përket ndjenjave.
 -Po ata të tutë...ç'qëndrim do të mbajnë? Nuk e kam fjalën për mamanë, se zemra e saj, si e çdo nëne tjetër, kthen dhe di të falë, por...
-Babai... ? Ke të drejtë. Është tel i sertë ai...tipiku i prindit patriarkal... Do të bëjë si do të bëjë edhe im Atë. Fillimisht do të kundështojë, pastaj do të hyjë në punë arsyeja. Në çaste qetësie truri logjikon me arsye. Ndaj nuk besoj të prishemi Atë e bir. Mos harro se kjo bisedë i takon të ardhmes, kohës pas diplomimit tim. Brikena le të jetë me studime, pa problem mund ta nisim jetën bashkë. Kurse duke qenë unë student , jo...nuk i përballoj dot disa përgjegjësi njëherësh. Veçse e dua shumë atë vajzë, e cila meriton më të mirat që ka bota.
-Aurel, besoj e di... javën që vjen do të shkojmë ekskursion. Klasa e saj e ka në plan, apo?
-Nuk e di...nuk kemi folur për diçka të tillë,- u tregova i pasinqertë me shokun tim më të mirë.
Agjencia automobilistike kishte venë në dispozicionin tonë dy autobuza. Bashkë nxënës e mësues ishim 110 veta që u nisëm për Gjirokastër. Rastësia bëri që klasa e Brikenës ishte në të njëjtin autobuz me klasën tonë. Nuk thonë kot se "rastësia është mrekullia e botës". Ishte një udhëtim i bukur, i jashtëzakonshëm që edhe sot më ka ngelur në mendje. Ishim të rinj dhe të padalë. Shkuam nga rruga që përshkon mespërmes Labërinë, që banorët e zonës e quajnë "Gryka e Lumit" që përshkon Kotë, Sevaster, Tepelenë, ndërsa natën e kaluam në Gjirokastër. Gjatë udhëtimit ndalëm disa herë. Rreth dhjetë minuta nga ura e Drashovicës kishte dalë nëna ime. Zbrita për ta takuar atë që më kishte nxjerrë në jetë. Më kishte sjell një çantë të madhe me ushqime. Çfarë nuk kishte gatuar? Të gjithë sa ishin në autobuz provuan nga gatimet e duarve të nënës sime.
-Aurel, po ajo vajza është me ju?- pyeti nën zë.
Ndërkohë që e thirra, Brikena ishte ulur pranë një gëmushe me dy shoqe. Pa nguruar, i bëra shenjë dhe e thirra. Si gjoja rastësisht, e njoha me nënën.
-Nënë, kjo është Brikena, është nga Vlora...e kam shoqe!
-Ti i thënke hënës: "Do dalësh ti, apo të dalë unë!" Po qënke si shpirt, moj bijë e nënës...Siç je e mirë, ashtu ta dhëntë edhe jetën Zoti! Lum ai djalë që do të të ketë fat,- e përgëzoi nëna pasi e puthi. Si e pyeti për familjen, ajo e falenderoi dhe u largua e bërë si lulëkuqe. Atë çast u përshëndeta me nënën dhe hipa në autobuz. 
"-U ruajtë Zoti , se të gjithë jeni bijë nënash!"- na dha bekimin dhe dora i ngeli në ajër duke tundur shaminë. E lashë nënoken time vetëm, fillikat, atje pranë pasarelës që lidh dy brigjet e lumit Shushicë. Gjithë dhembshuri më ndoqi me sy derisa autobuzi u zhduk në rrugën malore, drejt Tepelenës dhe jugut të vendit.
Gjatë rrugës vizituam shumë qendra historike dhe arkeologjike. Por mbi të gjitha tek unë la vragë bukuria e ashpër, joshëse dhe krenare e krahinës malore jugore. Dhe në mend më erdhën vargjet e Bajronit tek "Çajld Haroldi", i cili bukurinë e terrenit të thyer, me male e shkrepa të Shqipërisë e krahason me karakterin e ashpër të burrave shtatlartë, veshur me fustanella, me dhuntitë e tyre, si: besën, mikpritjen, bujarinë, përballë të cilave vë trimërinë. Ndërsa udhëtonim mes maleve, qafave kodrave dhe pyjeve, apo kalonim mbi ura, duke kapërcyer lumenj të rrëmbyeshëm si: Shushica, Vjosa, apo Drino, në tru më grryenin mendimet , që ishin pyetje pa përgjigje: "Sa shumë kështjella i është dashur të ndërtojë ky popull i drobitur nga shekujt. Sa luftra të përgjakshme janë zhvilluar në këto mure shekullore, vetëm për të mbrojtur vatanin, nderin, familjen dhe për ta ruajtur atë racë të hershme, fisnike dhe të lashtë sa vetë njerëzimi? O Zot, çfarë padrejtësie ka ndjekur bota e përdalë dhe e pangopur ndaj vendit tim të vogël ,por të bukur si ëndërr dhe tejet të pasur?! Të gjorët shqiptarë!" - mendoja ndërsa vizitonim kështjellën e Tepelenës apo Gjirokastrës. Mendimet herë zhyteshin në kllapinë e errësirës së mesjetës dhe herë gëlonin si dritëzat që feksin papritur mes territ, duke na dhënë një pamje të paharrueshme për të shkuarën e cila vazhdon rrugëtimin e nisur që nga lashtësia në të sotmen. Këtë e bënë me një siguri që vrapon për të kapur të ardhmen, e cila në çdo çast paralajmërohet nga trokitja e së tashmes..
 Atë çast me ne, me mua dhe Gentin, u bashkua edhe Brikena. Duke luajtur me shoqet e veta bëri përpara dhe nisi të përshkonte bordurën rrëzë bedenave të kalasë. Ashtu veproi edhe nëpër sokakët e gurta të qytetit muze që mban emrin e princeshës së flijuar Argjiro. Ardhur përmes gojëdhënave, madhështia e karakterit të asaj gruaje të rrallë ka ngelur e gjallë deri në ditët tona e do të vazhdojë pa kufijë... Kur je para atyre bedenave të shfaqet para syve silueta e asaj shqiptareje trime, me birin në gji, që i dorëzohet vdekjes për të mos qenë skllave e të huajit mizor. Tek shihja gjithë ëndje Brikenën, që kërcente gurë më gurë ,si një sorkadhe mali që të mos i lageshin këpucët dhe çorapet e bardha si bora e saporënë, për një çast e krahasova me Argjiron e lashtësisë. 
Era e ftohtë e Malit të Gjerë i rrihte faqet, të cilat ishin skuqur dhe dukeshin si pjeshka në gusht. I ramë rreth e qark jugut të vendit. Vizituam "Syrin e Kaltër", ku çdo vajzë e re do të donte ta rijetonte atë legjendë për ta fituar princin e ëndrrave. E më pas vizituam Kodrat e Ksamilit dhe Butrintin që si qytet është i një moshe me luftën e Trojës. Në të kthyer, para se të hynim në Sarandë iu ngjitëm kalasë së Lëkursit. Në të përpjetën e saj, iu drejtova të gjithëve: "Ai që gjen autorin dhe e di të gjithë poezinë, do t'i dhuroj një zog të skuqur. Të gjithë ishim konviktor dhe goja na lëshoi lëng sepse... Ndërkohë nisa të citoj disa vargje:
"Në Sarandë dolli Greku,
Në Lëkurs' u zu dyfeku,
O burra, o Shqipëtarë!
Greku kërkon të na marrë !..." -kush e vazhdon më tej? Gjithë zhurma entuziaste u shndërrua në heshtje..-Atëherë po e vazhdoj unë dhe zogun do ta shijoj vet..
...O burra,t'u hidhemi,
Mos trembi se s'vritemi,
Me dyfek s'goditemi,
Me këtë zë, nga vërria,
U derdhë çobanëria,
Muarrë përpjetë malë,
Dhe zunë Grekrët të gjallë
Ca i vran' e ca i grinë,
Ca i shpunë në Janinë,
Në det ranë ca të tjerë,
Po u prish Lëkurs i mjerë!
O Grekër, o kokëthatë
Nuk mirret Shqipëria!
Erdht' e u zutë si gratë
U turpëroj Perëndia"- kjo poezi është Anton Zako Çajupit.
-Unë e dija, se e kujt autori ishte, por nuk e kam mësuar përmendsh...,-tha njëri syresh.
 Lamë pas gjirin e Sarandës, përmes rrugës gjithë kthesa të forta, mbërritëm në Lukovë e Borsh. Magjia që të ofrojnë ujërat e kristalta që zbresin me rrëmbim nga mali i Borshit, duke krijuar ujëvara të magjishme, është e jashtëzakonshme e cila të shlodhë dhe të freskon trup e shpirt. Ndoshta në atë rrjedhë përjetësie bashkëudhëtonin burimet nëntokësore me copëza jete, këngë epike që u këndojnë trimave që u përleshën me kohën dhe të huajin në muret e kalasë së Borshit. Të gjitha këto e ngazëllyen Brikenën, e cila gjatë kthimit ishte ulur pranë meje. E shihja tek gëzohej dhe i qeshnin sytë nga një zog në fluturim, nga një fluturë apo nga epërsia ose pushteti i bregut mbi det. Zbritëm nga autobuzi e ndërsa vështronim që nga rruga kalanë e Palermos, e cila ishte pikë ushtarake dhe nuk lejoheshin vizitat në të, dëgjonim profesorin e historisë që na tregonte se Ali Pasha e ndërtoi për një ditë dhe një natë. Kjo kala e bukur, si mburojë kreshnikësh mbi dallgë, që shtrihet në ujërat blu të Jonit, e cila ka sfiduar dhe u ka rezistuar rrebesheve të kohërave, mban emrin e Vasiliqisë. Si simbol besnikërie Ali Pasha ia bëri dhuratë vajzës, e cila i kërkoi ndihmë, për ta mbrojtur nga pashai mizor, që ishte vetë ai. Për besimin që i dha vogëlushja, Aliu e mori para kalit, e çoi në kështjellë, e rriti me pekule dhe e edukoi me profesorë francezë . Kur Vasiliqia arriti në moshë madhore,u martua me të. Për të shprehur dashurinë e madhe ndaj saj, ai ndërtoi këtë kala në një kohë rekord, duke e përjetësuar emrin e saj. Dhe ajo fortesë u qëndron atje tufaneve të kohës. Si vajza e valëve, edhe ato mure janë dëshmi e besnikërisë dhe dashurisë së madhe të Vasiliqisë për Pashanë e Janinës edhe pas vdekjes makabre të tij.
Më pas ndalëm në Himarë. Me një barkë me lopata vozitëm për gjatë bregut të artë. "Nuk di se çfarë mrekullie ka ndërtuar Zoti, kur nxori mbi sipërfaqe Shqipërinë. Ndoshta ka qenë me leje, sepse e ka përkëdhelur me aq dashuri, sa nuk gjen vend tjetër në botë që të ketë kaq mirësi së bashku, si: diell, det, klimë të butë, gjire sirenash, mal e pyll, ullinj, vreshta, agrume... dhe pasuri nëntokësore. Mbi të gjitha i ka dhuruar dashurinë e madhe  dhe të përjetshme të bregut me detin."-mendoja aty ku vozisnim, nga ku të shtatë fshatrat e Himarës, dukeshin sikur ishin kapur për dore, për të përballuar së bashku ashpërsinë e dallgëve të Jonit blu. Pas Bregut të Artë, ku qiell dhe det shkrihen në një masë të vetme mjegulle iu ngjitëm mrekullisë që mban emrin Llogara. Ky park natyror me pisha i zhytur në mjegull, na futi në botën mistike të ëndrrave. Sa zbritëm  disa dhjetra metra nga Qafa e Llogarait, ndalëm për të shijuar veprimin e erës, që ka krijuar një vepër arti Pishën Flamur.Duke marrë tatpjetën e këtij mali magjplot,  që sipër në majë ka borë, trupin e ka veshur me gjelbërim të përhershëm me degëzat e pishës së zezë, kurse këmbët i ka zhytur thellë në det, na doli para syve Gjiri i Vlorës. Madhështinë këtij xhepi ujor tejet të mbrojtur, ia jep Karaburuni, Sazani dhe Triporti që duke formuar një hark janë vazhdimësi e maleve Longarë, Shashicë, Çikë dhe Vetëtimë. Kurrë nuk e kisha shijuar perëndimin si atë buzëmbrëmje që nga tatëpjeta e Llogarait. Ishte një nga ato muzgjet e pranverës, kur dielli lë pas në kupolën qiellore ngjyrën e kuqrremtë të bakrit, e cila duke u shkrirë me napën blu në të zezë të natës, krijon një ngjyrë viole marramendëse. Kurse ngjyra e bronztë e qiellit, pasqyruar në sipërfaqen e detit, i jep ujit përshkënditjen e kristaleve të diamantit që vezullojnë mbi sipërfaqe si një minierë thesari, që nuk do të shteret kurrë. Në mbrëmje vonë mbërritëm në Vlorë.

***
  Fund korriku. Dielli digjte duke përzhëlitur gjithçka. Pa aguar mirë dita, gjinkalla  kishte nisur këngën e saj monotone.
   Atë mëngjes isha për rrugë. Do të nisja pushimet verore. Për rreth pesë a gjashtë javë do të qëndroja në shtëpi, me prindërit, me vëllezërit dhe motrat e mija. Nuk ka përse e mohoj, pasi për gjithçka kisha mall. Dy motrat e mëdha ishin të martuara. Mendoja të shkoja t'i takoja. Njëra jetonte në Tiranë, kurse tjetra në Fier. Një rrugë e dy punë, jo shumë por dy a tri ditë, më mjaftonin sa të çmallesha me to. Më shumë nga të gjithë do të lumturohej nëna. Pak kohë kisha të lirë. Gjithsesi për aq sa do të qëndroja, do t'i bëhesha krah edhe babait. Veç po e lija qytetin me një rëndesë në stomak, më merrej fryma e gjithë kohën isha në një ankth mbytës. Më dukej sikur më vinte për të vjellë. Shkaku ishte largësia nga Brikena. I përhumbur, po shkoja drejt agjencisë, për të gjetur ndonjë makinë. Papritur ç'të shoh? Në një këndrrugice të fshehtë, të mistershme dhe të pakapshme nga syri i lirë i një vizitori të huaj, më doli ajo, drita e jetës sime.
   -Po ikën pa më përshëndetur, hëëë...? -pyeti duke qeshur dhe si me qortim.
   -Me sa duket po nis ta jetoj stinën time, stinën tonë të veçantë pa ty, vogëlushja ime sheqerkë. Ndoshta largimi i përkohëshëm do t'i forcojë më tepër fijet e padukshme që lidhin dy shpirtrat tanë. Papritmas i citova disa vargje të të madhit Ali Asllani:
"E un’ mbetem duke lutur,
Lutem yjeve të këputur.
Dhe un’ lus e kërkoj ty,
Atë vetull, atë sy!
Se në syrin tënd të zi
N’atë sy të zi, mazi
Shenj’ e buzës sime duket
Si një prush në re kur muget!
" - e në atë çast e putha lehtë në faqe. Kurse ajo me një shkathtësi të paimagjinueshme, hodhi vështrimin rretherrotull. Edhe pse gjithë frikë, m'u hodh në qafë e më puthi në buzë. Kurse unë paksa i habitur me guximin e saj vajzëror, e shtrëngova në kraharor dhe...Ishte puthja jonë e parë dashurore. Kurrë nuk e kisha ndjerë si në atë çast magjinë femërore. Më dukej sikur po ëndërroja, duke shijuar mjaltin e buzëve si burbuqe. Ishte një puthje e padjallëzuar, që buroi nga dëlirësia e saj. Këtë ndjesi pata kur ajo u shkëput nga krahët e mi dhe ishte gati të vraponte, por i mbajti këmbët.            
-Nuk kemi si lidhemi, ndaj na duhet të presim rikthimin tonë në shtator.
- Njëlloj si kënga me titull "Kthehem në Shator".Bëj shaka, sepse ka mënyra... Ah, po. Nëse ke ndonjë komshi që ka telefon, mund të të marrë unë nga posta telefonike e fshatit.
-Jo, jo...më mirë flas te posta qëndrore.
-Ide shumë e mirë. Ju femrat edhe mendjen e keni femër...
-Pse këtë mendim ke për femrat? Gjithsesi po ta fal, që të mos ndahemi me mëri. Kujdes herë tjetër kur komunikon, jo vetëm me mua, por edhe me të tjerët. Ka një mënyrë që...Të hënën dhe të enjten në kinema shfaqen filma për gra dhe të reja, ku shkoj edhe unë. Dal pak më herët nga shtëpia dhe flasim në telefon, - ajo me kurajo gjeti zgjidhjen dhe u largua me hapin e lehtë pranveror, duke më uruar pushime të mbara. E ndoqa gjatë me sy duke marrë me vete aromën e veçantë të puthjes së saj të parë që binte aromë lulelimoni. Edhe pse bisedonim dy herë në javë, më dukej sikur koha ecte me hapin e breshkës. Gjithë verës me mendje isha tek Brikena. Jetoja çaste ankthi dhe përmallimi. Kurrë nuk kisha besuar që mund të ekzistonte një ndjenjë e tillë, që herë të bënë me flatra nga gëzimi dhe herë të zhyt në zymtësi. Por si çdo gjë edhe pushimet e kanë një kufi.
Nisa të përgatitem për vitin e fundit të gjimnazit. Më tridhjetenjë gusht u largova nga shtëpia e fëmijërisë. Natyrisht lija pas krahëve ata që doja me shpirt, por nuk di pse zemra më dhembte fort për nënoken, e cila e ndjente më shumë nga të gjithë mungesën time. Eh, e tillë ishte ajo, e mira, gojëmjalta, nëna ime që ligështohej edhe për një zog fluturak, jo më për të birin. Ndaj sa herë largohesha më mbetej koka pas, vetëm për atë zonjë. Ndërsa udhëtoja me makinë, shikoja transformimin që sjellin kapërcimet e periudhave vjetore.
 Nuk di, por vjeshta atë vit më dukej si më e bukura stinë, ndryshe nga sa kisha kaluar deri atëherë. Dukej sikur universi këndonte këngën tonë, këngën e dashurisë. Ndoshta kështu më dukej mua. Kjo stinë, ku shkrihen të katra stinët në një të vetme, e kishte veshur natyrën me petkun e ylberit, ku në të nuk mungonte asnjë ngjyrë e tij. Tufa zogjsh fluturonin drejt perëndimit të largët. Era e lagësht e detit sillte me vete jodin dhe freskinë, si lajmëtaren e fundit të verës. Herë-herë më ngjante sikur të tëra sendet e mbitokës, drurët, lulet, njerëzit e gjithçka ishte në një lëvizje marramendëse si kurrë ndonjëherë.
Ky shtator i jashtëzakonshëm për shpirtin tim të dehur nga dashuria, na ribashkoi. Madje edhe dita e parë e vitit shkollor ishte disi ndryshe...
Brikena po më priste te vendi, ku unë e spikata për të parën herë. U takuam si dy miq të ngushtë, sikur ishim njohur që kur nisëm të belbëzojmë rrokjet e para foshnjarake. Për një çast m'u duk sikur do të hidheshim në krahët e njëri-tjetrit. Vetëm atëhere e kuptova se sa vend kishte zënë ajo në shiprtin tim. Secili nga ne të dy shprehte mungesën e gjatë të tjetrit.
-Eh kështu e ka dashuria...! Është gëzim, është hidhërim, është lumturi, është brengë...Ndaj dhe është tejet e veçantë,- i thashë ato fjalë që buronin nga shpirti, por që nuk isha në gjendje t'i ndërtoja aq bukur. Mbaj mend se diku i kisha lexuar.
-Paske goxha përvojë ti...?! Kush të paska njohur...?!
-Pse?
-Je modeli i të dashurit ideal, tek i cili çdo femre ka gjetur shpirtin binjak.
-Nuk besoj se ti bije më poshtë nga unë...- duke qeshur hymë në shkollë. 
Ishte viti i fundit, një vit pune dhe sprove për mua. Duhej të kisha mesatare të lartë në rezultatet përfundimtare. Ndaj më duhej të studioja shumë. Ndjenja e dashurisë nuk më pengonte, madje më kishte bërë me krah, për të bërë çdo detyrë në një kohë rekord. E gjithë kjo vetëm e vetëm të më ngelej pak kohë për të dal apo për të ndenjur me Brikenën. Gjatë gjithë vitit shëtisnim bashkë larg syve ziliqar, apo dashakeq dhe gojëve të liga. Me raste shkonim në kinema. Ishim pa ndonjë burim ekonomik, si gjithë moshatarët tanë. E megjithatë kursenim nga pak për të kënaqur veten me ndonjë akullare, arançatë, apo një ëmbëlsirë. Prej saj kisha mësuar se i pëlqente torta dhe kur dilnim bashkë, i blija ndonjë pastë, toronë, suxhuk me arra ose një copë torte. Kurse për vete merrja ndonjë birrë dhe i shijonim duke ecur ngadalë. Herë -herë harroheshim ulur në lulishten e madhe të qytetit, e cila atëherë ishte mahnitëse dhe bisedonim për jetën në tërësi, rininë, ëndrrat tona. Ishte vërtet bukur. Kështu patëm munduësi ta njihnim më mirë njëri -tjetrin. Tek diskutonim, unë këpusja ndonjë lule dhe ia vendosja mbi flokë, aty ku zinin të plekseshin gërshetat e saj të zeza.
Duke bërë shaka e krahasoja me lulet dhe i thoshja se ajo ia kalonte bukurisë së tyre.
-Të lutem Aurel, mos... Mos e tepëro tani!
-Unë them një realitet- iu përgjigja pa dorashka. 
Sa herë ndaheshim nga një takim, e ndiqja me sy derisa nuk e shihja më dhe në mendje më gëlonte..." Kurrë nuk më ka shkuar në mendje se në përditësi ka të tilla vajza të bukura, të ndjeshme, plot me virtyte dhe mençuri. Kjo sepse kurrë nuk kam dëgjuar në familje të flitet për femrën, për ëndrrat dhe për fatin e saj. Zakonisht biseda të tilla zhvillohen kur bëhet ndonjë krushqi me mblesëri. Kam dëgjuar të thonë, se "X" baba ka një vajzë të mirë që fatin e së cilës duhet ta lidhim me djalin e "Y" prindi..."- ky ishte botkuptimi im në marrëdhëniet djalë-vajzë. Kur ende nuk e kisha njohur Brikenën, martesa të tilla më dukeshin lidhje të natyrshme, që për derisa i pranonte shoqëria, pse të mos e pranonin dy të rinj? Por...kjo shëqëri a ka pyetur vallë për dëshirat dhe ëndrrat e këtyre të rinjve?
Kur njoha dashurinë e vërtetë, dënoja aktin dhunues, që fatin e femrës e vendosnin të tjerët. Pra femra trajtohej si mall tregu dhe jo si qenie humane që kishte të drejtat dhe liritë e saj. Atëherë nisa të kuptoj se sa vlera ka liria e individit. Brenda meje lindi një revoltë e heshtur ndaj mendësive të kalbura të mesjetës, apo njerëzve që i kishin shndërruar në ligje të pashkruara, por të detyruara dhe të zbatueshme në masë. Thyerjen e këtyre rregullave të ngurta, shoqëria e dënonte dhe e quante imoralitet. Të rinjtë që nuk i zbatonin apo prishnin të tilla lidhje martesore, quheshin imoralë ose pa karakter. Një vajzë e martuar me dashuri, përgojohej gjatë. Madje edhe kur ishte në moshë të thyer, përsëri flisnin me përbuzje, duke e shvlerësuar. Pavarësisht se ajo mund të ishte një femër ideale, shembulli i bashkëshortes apo i nënës së mirë, ose ajo përfaqësonte femrën e lirë që ka dashur të jetë vetvetja, duke e zgjedhur vetë fatin e saj.
Biseda të tilla zhvillonim të dy, kokë më kokë me Brikenën.
Një ditë ishim ngjitur mbi qytet në kodrën plot me ullinj. Dikur kishte qenë pronë e një familjeje të pasur. E shpronësuar dhe tashmë ishte pronë shtetërore. Atje sipër si në një ballkon gjigant, na dukej vetja sikur ishim zotër të vendit.
-O Zot, sa bukur! Çfarë mrekullie ka bërë natyra me këtë vend mbizotrues e plot pushtet mbi gjithçka që e rrethon. Që nga këtu sipër qyteti duket si një oaz i gjelbër. I lumtë mendjes njerëzore që ka zgjedhur këtë parajsë për të ndërtuar fillimisht një qendër të banuar, që me kohë e zgjeruan dhe e shndërruan në qytet.
Toka është e bukur për shkak të larmisë së relievit, për shkak të ujërave, bimësisë dhe sidomos se në të jetojnë qeniet e gjalla. Mbi të gjitha këto që ka toka, qëndron njeriu, i cili e transformon atë. Por që ta shijosh bukurinë e saj, duhet ta shohësh që nga ajri. Këtu sipër unë e shijoj dhe e adhuroj si kurrë ndonjëherë qytetin tim. Sa herë mërzitem, ngjitem këtu me shoqet apo me motrën. Ndoshta këtë do të bëj kur ti të jesh larg. Të kam thënë që unë kam vetëm një motër. Ajo e di për lidhjen tonë. Jam e bindur që do të më shoqërojë për të vrarë vetminë. Në mes të kësaj qetësie dhe bukurie magjike do ta gjej qetësinë që do të më mungoj. Sa herë shijoj këtë mrekulli, kthehem në shtëpi e përtërirë dhe plot energji,- pohoi ajo.
-Sa romantike je, e dashura ime e shtrenjtë,- i thashë dhe e rrëmbeva para duarve. Nisa t'u marrë erë flokëve të saj, ku kisha zhytur fytyrën. U shtrim në bar, me shikim nga qielli, ku nuk kishte asnjë re. Vetëm kaltërsi...,pafundsisht kaltërsi hyjnore.
-Po vitin tjetër, ku do të jemi?... -pyeti me një psherëtimë të thellë.
-Këtu, në tokë...me shpirt dhe me zemër bashkë...
-Pas tre muajsh ti do jesh në universitet kurse unë...
-Ej, vogëlushe, dashuria jonë, nuk ka frikë nga ndarjet e përkohshme.  Zoti na ka bekuar ...e di pse? Se kemi lindur dhe jemi bërë për njëri-tjetrin. Me telefon dhe me letra komunikon edhe sikur të jesh në fund të botës, dashuria ime.
-Nuk di pse kam një parandjenjë...
-Brikenë, më shiko pak në sy...mos u bëj superticioze, si plakat e qëmoti. Kudo që të jemi vitin tjetër...,tjetrin, ne do të jemi në planetin tonë, ndaj...,- e kapa nga krahët dhe e ktheva përballë vetes. - Oh, çfarë mrekullie!-klitha i ngazëllyer, sikur kisha zbuluar fundin e botës.
-Ç'pate kështu?
-Unë shoh të pasqyruar në sytë e tu perëndimin e jashtëtzakonshëm. Më e bukura është se unë gjendem brenda syve të tu.
-Ti nuk je në vete. Mos je marrosur gjë?
-Kush tha se nuk jam i tillë? Ai që dashuron harron të jetojë realitetin. Mos harro se vetë dashuria është e paarsyeshme. Po ne si duhet të jemi?!
-Është më se e vërtet. Nuk ka dashuri si e jona. Ne ngjasojmë shumë me ata zogjtë e sapokthyer nga shtegtimi, që duke cicërruar dhe gjithë ankesa, kërkojnë veç një strehë. Edhe dashuria jonë që të rritet dhe të maturohet ka nevojë për mbështetje. Aurel, këtë duhet ta kërkojmë dhe ta gjejmë më parë te vetja, pastaj tek familjet tona.
-Mendoj se është hap i parakohshëm. Babai im nuk ka për të pranuar sepse synon që unë të shkoj me studime.
-Kur nuk do ta pranojnë të tutë që je djalë, po familja ime?... Shkojmë tani se u bë vonë dhe mamaja ka nisur të merakoset me largimet e mija të shpeshta. Aurel, shoh se nuk je ti i vendosur, po ata?! -shprehu pakënaqësinë dhe më uroi gjumë të ëmbël, ashtu fare thatë.                                                        
E lashë pranë shtëpisë së saj dhe u nisa për në konvikt. Isha i përhumbur nga pyetja që më bëri Brikena. Kurrë nuk e kisha shkuar nëpër mend ndarjen me të. Kujtoja se çdo lidhje dashurore është e pazgjidhshme. Së paku unë si person, për ndjenjat që kisha ndaj saj dhe për karakterin tim, si njeri i fjalës, isha i sigurt. I zhytur në mendime, nuk vura re se te porta e konviktit po më priste babai. Nxinte më shumë se terri i natës. Në atë çast që e spikata, sikur m'u shemb qielli mbi kokë.
-Nga ke qenë kështu, more karafil? Të kam dërguar të mësosh e jo të harbosh natën.
-Më fal, baba...po ende nuk është errës...
-Si guxon dhe flet?! Ti nuk duhet të hapje gojë...Jam burrë plak dhe kam dy orë që të pres... m'u sos durimi. Mos vallë duhet të të kujtoj që pas një muaji nis sezonin e provimeve, nga ku varet e ardhmja jote?
-Baba qysh sot jam gati të hyj në provim...edhe mos të të turpëroj. E di mirë se cilat janë detyrat dhe përgjegjësitë e mija. 
-Mjaft më dërdëllise! Fjalë të tilla janë pa bereqet. Se si e ke hequr vallen gjithë këto vite, shtatori do të flaë...Kam ardhur të të them se mos bën ndonjë marrëzi me zgjedhjen e degës për në fakultet. Do kërkosh çfarë të kam thënë unë.
-Baba, nuk merret parasysh dëshira apo talenti i studentit, shihen vetëm nevojat që ka atdheu dhe partia.
-Bëj ashtu siç të them unë, pa nuk ka për të të dalë keq, jo. Dua të bëhesh ushtarak i zoti...Ndryshe mos më dil përpara, - më përshëndeti dhe u largua gjithë tërsëllim.
"Oh, po të drejtohem ty, qiell dhe gjithë universit! Deri kur do të jem nën vartësinë e të tjerëve? A do të vijë dita që unë të jem vetja, të kem liri të plotë për të menduar, për të folur dhe për të vepruar pa më detyruar askush? Babai im i gjorë! S'është në gjendje të konceptoj kohën apo të veçojë zhvillimet sociale- kulturore të çdo periudhe të së shkuarës apo të tashmes. Nuk është më shumë se dyzetë vjeç dhe e quan veten plak. Ndaj dhe gjykon si i tillë..." - belbëzova gjithë inat. Atë kohë nuk dija ta përcaktoja se gjithë këto të drejta që kërkoja unë, që së bashku përbënin një koncept, të cilin vetë tani jam në gjendje ta përkufizoj, ishte" liria vetjake" ajo që më mungonte.
Ndaj duke analizuar rrjedhën e ngjarjeve që ndodhën më pas, sot e kuptoj se sa e vyer dhe e shenjtë është kjo e drejtë legjitime, në bazë të së cilës individi fiton pavarësinë . Përsëri nuk e kisha të qartë se, pavarësia individuale fitohet më lehtë kur ke një burim të ardhurash, pasojë e frytit të punës, mundit dhe djersës së ballit. Gjithë natën nuk vura gjumë në sy. "Unë një ushtarak?! Ushtarak një jetë të tërë?! A do të mundem dot vallë?!"- me këto mendime të zymta më zuri gjumi..., një gjumë me copa dhe gjithë ëndrra..., sikur isha në ballë të luftës duke pasur kundërshtar babanë tim me grada gjenerali. Mëngjesi më gjeti qepallarënduar e me dhembje koke...

  vazhdon...

No comments: