Friday 5 April 2013

Në emër të poezisë jam gati të lë gjithcka…..





Intervistë me poetin e mirënjohur shqiptaro-amerikan Nexhip EJUPI

Nga Raimonda MOISIU

Që në moshë të re,  Poeti Nexhip Ejupi  ka qënë në kërkim të identitetit të tij unik dhe të etur për të ndarë vizionin e tij krijues  në letrat shqipe. Pena poetike e Nexhip Ejupit karakterizohet nga pavarësia e përgjithëshme e mendimit filozofik dhe e shpirtit artistik, dhe një jetë e jetuar në harmoni me natyrën dhe njerëzit që e rrethojnë, me të mirat e të metat e shoqërisë, brengat, hallet, dhimbjen, trishtimin, mallin dhe  dashuritë e saj.Ai beson në të vërtetën e jetës dhe dashurisë brenda cdo individi, sepse secili prej nesh, përfshirë edhe poetin, janë pjesë e së tërës, një univers mbi shpirtin, përmes të cilës ne kapërcejmë  cdo sfidë e mbijetojmë. 
“Në emër të poezisë jam gati të lë shumë punë të tjera monotone, sepse vetëm poezia na mban gjallë, na ngushëllon, na lumturon , na vdes e ngjall prapë”-shprehet poeti Nexhip Ejupi. Modest, bujar, i talentuar dhe me shpirtin babaxhan,- poeti Nexhip Ejupi  është jo vetëm jashtëzakonisht profilik , por edhe një emër I shquar tahsmë në letrat shqipe, i cili  gjatë gjithë jetës së tij me peshën e mendjes së shëndoshë e të kthjellët, dhe peshën e  duarve të palodhura,  ai na ka dhuruar ; “Shqetësimet e Pranverës”, “Drithërima ere”, “Lirikat e Elbasanit”, “Hëna e Vllehëve”, “Ma mori kapelën era”, “Psherëtima të mërguara”, Vetëtin një vetull reje”, “Brenda meje rrjedh një lumë”, “Fjala ka shpirt”, “Bora qan me njëmijë sy”, në process botimi një vëllim poetik  tre serial, e dhjetra e dhjetra vëllime me poezi, që  do të thotë mijra vargje…Në këtë bisedë të nhrohtë e mbresëlënëse si dy kolegë, poeti Nexhip Ejupi ndau kujtime, aspiratat dhe eksperiencat dhe përvojat jetësore, puna dhe përkushtimi që e kanë bërë atë tashmë një emër të admirueshëm e të njohur në letrat shqipe. 

Bisedoi:Raimonda MOISIU

-Përshëndetje, Nexhip,-Faleminderit  për kohën e vyer në përkushtim të kësaj interviste. Vepra juaj krijuese poetike dëshmon gjithënjë e më shumë se jeni ndër poetët e shquar, nisur aty nga  vitet ’78, të shekullit të kaluar dhe  ju kini botuar për herë të parë librin,  “Pesha e duarve”, në moshën 29 vjecare. A ka diçka mbresëlënëse  në fëmininë tuaj që ju ka frymëzuar për t’u bërë poet?
Natyrisht,pa mbresa të fuqishme e mbresëlënëse nuk ka shtysa apo nxitje për t'u marrë me dicka të re,e cila është një fushë e panjohur për ty si fillestar.Nëse më lejoni të bëj një krahasim; fillestari i ngjan një fëmije kureshtar,që sapo është ngritur në këmbë dhe po hedh hapat e para.Në fillim ka frikë, megjithatë guxon dhe e hedh hapin e parë...Ai kështu ka nisur të ecë,ëpor ecja nuk është vetëm hapi i parë. Bëhet hapi i dytë, i tretë, lëkundet…Që të mos bjerë, zgjat duart të mbahet te sendet që ka më afër. Por më të afërt janë duart. Ne i takojmë atij brezi, që jemi rritur me djep)enes, është djepi- a ka gjë më të bukur, se sa sytë e nënës? Nuk ka ..! Atje mbahet fëmija dhe ecën e ecën,  nuk ka frikë nga ecja. Mbase,e zgjata këtë përgjigje,por kjo është mbresa ime me e parë, që nuk e harroj kurrë,duart e zgjatura të nënës për të më mbajtur e për të mos u rrezuar. Ka edhe duar të tjera që zgjaten drejt këtij kërthije të njomë, që ngulmojnë ta ndihmojnë përtej këtij pragu të fillimit, të gjyshes,të motrës,të babait. Vëlla nuk kam pasur,  do të doja të kisha, të më ndihmonte dhe ai. Mbase kjo mungesë më  ka nxitur t'i përshpejtoj hapat e ecjes. Mbase do ta gjeja diku përpara e t’i thoja:Ja ku jam, më ndihmo jo me duar, por me këshilla,me punëra të mira. Këtë vëlla do ta gjeja te shokët, që më qartësonin përherë e më shumë,do ta gjeja te mësuesit e gjuhës shqipe,te i ndjeri Ibrahin Gani,te Besim Qorri i gjimnazit Dhaskal Todri,te Profesor Kongoli e te të gjithë profesorët e mëvonshëm të Universitetit të Tiranës.
-Çfarë ju ka pëlqyer në adoloshencë për të lexuar? Cilët nga autorët tanë,  pëlqeje më shumë?
Në adoleshencë kishim një detyrim leximesh,të cilat edhe nuk të tërhiqnin,por që ne ishim të detyruar t'i lexonim. Madje,leximet e detyruara, duhej t'i jepnim edhe provim,-thënie klasikësh. Pjesë përmendësh në gjuhën ruse,që e kishim të detyruar për ta mësuar e që nuk e mësova kurrë. Po kishte edhe lexime, që të zgjonin fantazinë si; “Tregime të  Arkadi Gaidarit,të Leon Tolstoit.Tre libra nuk i harroj kurre,"Pinokun" dhe dy libra të tjerë me tregime të shkurtra Kopshtari dhe Kallzime. Kisha një shoqe gjimnazi që ishte e dhënë edhe ajo pas letërsisë,-Iliriana Sulkuqi. Bënim hartime dhe i ndjeri, mësues,Besim Qorri, na i lexonte përpara klasës.Ky ishte promovimi ynë i parë i krijimeve tona, kurse botimi i parë ishte një faqe letrare, që ne mëngjes për mëngjes e shihnim me bishtin e syrit se a kishte vënë atje ndonjë gjë të re Profesor Ndricim Xhyra apo Besim Qorri. Por të shihnim ndonjë gjë,do t'ia thonim njëri-tjetrit, menjëherë dhe dicka do te lexonim njëkohësisht nga KRIJIME TONA TË ATËHERSHME. Adoleshenca ime dhe e gjithë moshatarëve të asaj kohe ka qenë e ndrydhur. Kam qenë shumë i ndrojtur, nuk para dilja për t'u dëfryer, isha i turpshqm,skuqesha shpejt para ndonjë vërejtje,sado të  vogel. Liria e vërteë e adoleshencës sime ka qenë Shkumbini, lugina e tij midis kodrinave me bimësi të larmishme,të mbjellë nga dora e njeriut apo të natyrshme, shkurre të egra. Atje meditoja për të shkruar ndonjë gjë,sidomos kur ishte për të fantazuar, rreth detyrave me karakter krijues, të detyrave të shtëpisë.Nuk kam qenë nxënës i shkëlqyer,po edhe i prambambetur s'kam qenë.Kam qenë nxenes mesatar. Matematika  dhe trigonometria më dukeshin lëndë të papërtypshme. Mbase më kanë kaluar për hatër të aftësive në lëndet shoqërore, ku vërtet bia në sy;letërsi,histosi,botanikë ,Zoologji,etj. Nga autorët tanë më pëlqente që atëhere Dritero Agolli,megjithëse edhe ai ishte në fillesat e veta .Sa kishte botuar “Në rrugë dolla”, “Hapat e mia në asfalt”  e ndonjë tjetër vëllim.Po ashtu dhe Ismail Kadareja,sidomos me vëllimin “Enderrimet” dhe “Përse mendohen këto male”,që ishin për ne të rinjtë manifeste shëmbullore e duhej të mos i harronim kurrë. Dhe ne s'i harruam kurrë! Poetë të tjerë më pëlqenin si Fatos Arapi,Musa Vyshka,Viktor Qurku…Njohuritë tona do të na i zgjeronin bangat e filologjikut me leksionet e Muzafer Xhaxhiut për Antikitetin grek e romak. Leksionet e gjuhësisë për fonetikën,morfologjinë dhe sintaksën. Këtu nuk kishte matematikë.Kishte vetëm letërsi dhe gramatikë,  nuk kisha të beja me ekuacione trigonometrike apo algjerbrike,por kisha të bëja me fjalën,  studiohej fjala tingull më tingull e shkronje më shkronjë.Jo vetëm kaq.Studiohej fjala rrokje më rrokje, rasë më rasë e lakim më lakim.Studiohej  në të gjitha njësitë dhe njehsime të veta me vecantitë e karakteristikat që kishte secila njësi.Kështu pak nga pak tek  une e te shoket e mij,krijohej një vetëdije gjuhësore.Këtë na e rrënjosnin leksionet e Mico Samarës,tëJani Thomait,të Androkli Kostallarit. Në letërsi u vinim veshin leksioneve të Nexhp Gamit, të Ismail Kadaresë apo të Zihni Sakos për Folklorin, të Nasho Jorgaqit. Ishim studentë në kryeqytet sdhe Tirana për mua ishte horizont i ri,fushëpamje e re,pikëvështrim i ri për veten e për gjërat rreth meje. Ndjenim peshën e diktaturës,por ishim të rinj dhe idealist, e   përballonim me ëndërrimet tona, se një ditë do të ishte ndryshe,shpresa në  favor të dëshirave tona.Ishim në kryeqytet dhe fare pranë redaksive të gazetave të kohes,po ne lakmonim Gazetën Drita dhe sidomos Zërin e Rinisë që atë  kohë e drejtonte Mico Verli, një përkrahës shpirtmadh i talenteve të reja. Aty do të shkëlqente talenti i Ndoc Gjetjes, i Rudolf Markut,i Zoi Dashit,i Alfred Capalikut, i Agim Spahiut,i Visar Zhitit,i Moikom Zeqos, Xhevahir Spahiut,Roland Gjozës e Sherif Balit, etj., mes të  cilëve do të botoja edhe unë,po jo aq shpesh, se sa ata të tjeret.Sepse duhej të ishe i shkathët,të kishe miq e të njohur,të ishe edhe i bërrylave, sjellje kjo që nuk më shkonte përshtat. Edhe sikur të doja nuk mund ta bëja,se ashtu isha i gatuar. Prit,mos u ngut,gazeta aty është,lexo më shumë, përfito më tepër.
Nga ata që botojëe,zere se ishte krijesa jote,kënaqu me pak, vecse të jetë e bukur...
-Kam shfletuar dhe lexuar me interes të vecantë vëllimet tuaja  me poezi, krijimtari kjo para se të emigronit: “Shqetësimet e pranverës”(1990), “Drithërima ere”,(1991)”Lirikat e Elbasani”,(1998) “Hëna e Vllehëve”,(2000). Sinqerisht jam ngazëllyer nga mjeshtëria e kulturës profesionale dhe thelbi artistik e filozofik i penës tuaj poetike. Cila ka qënë eksperienca tuaj e parë në gjininë e poezisë?
Eksperienca ime e parë në  gjininë e poezisë ka qënë gazeta e murit "Letrari i ri" i shkollës "DhaskalTodri", ishte  poezi e një vëllimi hartimesh nga të gjitha Shkollat e Mesme,  në tërë vendin, kushtoj Elektrifikimit të Shqipërisë, dhe një poezi e botuar në revistn"Nëntori”. Vetëm me këto tri-katër poezi të botuara në shtypin e kohës, me ndihmën e poetit Musa Vyshka, po ngjizej brishtësisht përvoja ime në të shkruar,po ngjizej mendimi poetik,gjithnjë luhatës e i pashtratëzuar në njohuritë krijuese. Më asp në Universitet do të njihesha me krijueë të tjerë, do të ballafaqonim krijimet dhe së bashku vazhdonim të ngjitnim shkallët e redaksive,  ku më të shumtën e herës i zbrisnim të dëshpëruar, sesa të gëzuar.Packa gjendjes sonë shpirtërore, ne po ngjisnim e po zbrisnim shkallët e artit, ato shkallë të artit të atëhershëm, që ishte më shumë i kontrolluar, i vëzhguar dhe i politizuar. Na orientonin keq. drejt tarracave,shinave të  hekurudhave, heronjve të tipit e Lei Fenit kinez.Nuk na pëlqente kjo gjë,por nuk mund dhe ta shprehnim.Keq ta shprehnim e keq ta shkruanim. Kështu kalonin vitet,conim përmbledhje pas përmbledhje për botim dhe heshtje,vërejtje e vetëm vërejtje, për mirënjohje të realitetit.Më të guximshmit edhe shkruanin,edhe u shprehën ,por ata diktatura i dënoi ose me heqje të drejte botimi ose me burgim.Unë jam i asaj pjese krijuesish të  dënuar me heshtje.Më  duheshin dhjetë vjet për t'u botuar një libërth 64 faqe me rastin e 100 Vjetorit të Lidhjes së Prizrenit...Lidhja e Prizrenit më ndihmoi se nuk shkrova për lejfenët,por për patriotë si Abdyl Frashëri...apo Gjin Bue Shpata. Ia di për nder Redaktorit të atëhershëm, të ndjerit Perikli Jorgoni,që më  tha të shkruaja për këte pjesë të historisë së Rilindjes Kombëtare...
- Kur ju shkruani një poezi  cila është pjesa më e vështirë; shtjellimin e elementeve  me modelet e fjalës që e përbëjnë, muzikaliteti i vargjeve, strofës,  kadenca, ruajtja e  rimës, metafora, figurat artistike etj. Ku qëndron forca e inteligjencës tuaj;është ambicje sfidë apo të dyja bashkë?A duhet ruajtur rima, apo vargu i lirë?
Pyetja është është tejet  interesante dhe sigurisht që do një përgjigje interesante, po hajde  ta gjesh këtë përgjigje(Qesh)...Në radhë të parë duhet gjendja shpirtërore për c’ka duhet të shkruash.Për cdo motiv ka një gjendje shpirtërore, të ndihmon për ta realizuar motivin.Motiv që të nxit qoftë edhe vetëm me një fjalë,ashtu si fara në tokë do vlagën e duhur,do dhe klimën e duhur.Suksesi nuk është me sustë.Suksesi është mundim, përpjekje e vetëm përpjekje,t'i kthehesh e t'i rikthehesh disa herë një motivi,një vargu,një strofe,një poezie apo një cikli të tërë,që mund të përbëjë bërthamën e librit të mundshëm e të suksesshëm.Kjo quhet lodhje mendore,po është edhe  lodhje fizike, të dhemb mesi,të dhembin shpatullat.Pa dhimbje nuk lind asnjë gjë e gjallë.
-Cili është elementi më i rëndësishëm dhe interesant për të shkruar një libër të suksesshëm me poezi?
Ende nuk jam i njohur si poet, pra poeti vjen një cast dhe i lind dëshira të kujtojë bëmat).Ato janë bëma dashurie, njohjet, përkëdheljet, bashkëngacmimet, bashkëbisedimet, puthjet, jo-të,po-të, pritjet, mërzitjet, thyerjet e zemrës ,trishtime të jo-ve dhe gëzimet e po-ve.Ja  kjo është  gjendje shpirtërore shumë e përshtatshme, për të thënë dicka për njeriun më të dashur, kësisoj të shkruash për dashurinë. Të shkruash për dashurinë,duhet të kesh  zemrën aq të madhe,sa të nxejë përbrenda gjithë rruzullin tokësor,madje gjithë hapësirën yjore.Të shkruash për dashurinë,duhet të japësh dashuri,duhet ta duash,  ta mbrosh,qoftë edhe me jetën tënde. d.Ta respektosh,ta miklosh,ta lartësosh dashurinë.Nuk mund të ketë dashuri jashtë mundësive të sakrificës sublime dhe supreme për të.Kështu nuk mendoj vetëm unë, kështu mendojnë të gjithë ata që bien në dashuri të përzëmërtë,të sinqertë,të ndershme, më jetëgjata se jeta e dy njerëzve të bashkëshortuar.
-Përvec vëllimeve sa përmenda më lart, - në mërgim ju kini shkruar disa vëllime me poezi sikundër : Vetëtin një vetull reje, 2008, Brenda meje rrjedh një lumë-2009, Fjala ka shpirt,2009. Pra ju keni shkruar shumë lirika dashurie e mesa di unë iu kanë quajtur “një rebel i pandreqëshëm”. A ka dicka të vërtetë në këtë thënje? Kur shkruan poeti krijime të tilla?
Nuk besoj se jam rebel aq i pandreqshëm,kur në të vertete jam i pranueshëm në miqësi e shoqëri dhe ma dëgjojnë fjalën dhe ua dëgjoj.Nuk dal kundër vullnetit të  një shoqërie të civilizuar,vecse nuk pajtohem me disa shfaqje jo të këndshme periferike, me dëshirën e mirë  që edhe kjo perferi sjelljesh jo të mira,t'i nënshtrohet atmosferës së shëndoshë të shoqërisë së sotme shiptare. Mediokriteti gjithminë  më tmerron.Ndaj tij kam frikë sic kam frikë ndaj një sëmundjeje ngjitëse,si ndaj një lëngate që zgjat shumë.Mediokritetit nuk i shpëtojmë tërësisht.Mediokriteti është si  ai virusi që hyn në kompjuter dhe të prish projektet,ose t'i ben ato të paarritshme artistikisht.Të fut në qerthullin e bejtexhinjve, qe u duhet vetëm një letër e një stilolaps dhe vetëm shkruaj..
- Te vëllimi poetik “Lirikat e Elbasanit”, për kë e pate shkruar këtë vëllim? Dhe pse ky titull?
“Të kam puthur me afsh e me et’,
Si askush, s'të ka puthur si unë,
Buzë Shkumbinit,nën shelgjet e qetë,
të kam puthur me afsh e me et’...
Sërish erdha ku lumi bucet,
Me stërkala vetmie e shkume.
Ku të puthja me afsh e me et’,
Si askush s'të ka puthur si unë...”
Kjo poezi është shkruar tani që jam në Amerikë...Ku është Shkumbini?..Po ajo?...Pra,për të shkruar për dashurinë,mjafton ta kujtosh atë,të mos e harrosh atë dhe fantazo rreth kësaj ndjenje sa më shumë,sepse gjithnjë ke për të lënë prapë dicka të pathënë.

-Qindra e qindra vargje  lirike “të pastra dhe të drejtpërdrejta në të shprehur” –dhe vërtet jeni nga poetët e rrallë që me vargjet tuaja shpërthyese ilustroni dashurinë njerëzore. Cfarë ju ka shtyrë për të shkruar lirika të tilla?
Kur shkruhet një poezi,(më pëlqen më shumë emërtimi lirike),nga ana teknike do merresh me brumëzimin e ndjenjës.Ky brumëzim nuk bëhet vecas,por njëkohshëm,bashkë me brumëzimin e mendimit. Kur ky brumëzim realizohet,vëren se nga anon kandari,nga ndjenja apo nga mendimi.Po anoi nga ndjenja,është lirike,po anoi nga mendimi është përsëri lirike,vecse quhet lirike meditative.Në morinë e  llojeve të lirikave zotëron lirika e dashurisë,lirika e jetës,e vazhdimësisë njerëzore,për cdo moshë .
-C’është dashuria për ju” Kur e ndjen një burrë se është i dashuruar? Por edhe në rast se një lidhje dashurie prishet,-  si ia arrini ju ta reflektoni në poezitë tuaja, dashurinë dhe dështimin?
Pamvarësisht moshës, dashuria më drithëron gjer në rrënjë të flokeve.Ja shëmbulli i një lirike të shkurtër;
“Kur s'të shoh,moj syshkruar,
Kam vec hi në kraharuar,
Me thëngjinj të porsa shuar...
Kur të shoh,moj vetullzezë,
Mespërmes një zjarr më ndez,
Prushëroj gjer në mëngjes...
Kjo poezi nuk është shkruar kur kam përjetuar castin e dashurisë,por shumë e shumë vite më pas...Përtërij në vetvete gjendjen e dikurshme,mbase edhe më e bukur prej pjekurisë se moshës.
-Cilat janë  temat më të pëlqyeshme në krijimtarinë tuaj poetike ? Sa janë motivet vetiake? Cilën poezi tuajën keni të  shtrenjtë?
Poezite dashurore,shoqerore dhe meditave jane te miat,motive personale,kuse ato filozofike I jane nenshtruar nje njohjeje filozofike te Castit,je ne rolin e mesuesit apo te folozofit qe u jep mend te tjereve,packa se ato te nevojiten ty vete, Ketu nuk ka receta te gatshme.Poe zite me te shtrenjta per mua jane atro per dssdhurine.Atje ndihem me I frymezuar me I kenaqur,me I aaritshem.

-Cila është vepra më e mirë e një poeti ? A mund të na thoni një nga poezitë e dashura?

Ja,një poezi e dashur për mua;
Befas ndala hapin.
M'u bë sikur dëgjova,
Zërin tënd ëmbelak..,
Jo,jo,
Celnin lilake...

-Në tërësi ju jeni poet i shëndetshëm dhe i pjekur artistikisht, me tërë besimin për jetën ; megjithatë herë herë keni një melankoli të ndjeshme, kjo vihet re te vellimet poetike “Psherëtima të mërguara” dhe “Bora qan me njëmijë sy”. Si bashkëjetojnë tok te ju dashuria, trishtimi, dhimbja, malli, brenga,…?
Dy vëllimet “Psherëtima të mërguara” dhe “Bora qan me njëmijë sy”, -kanë një tis të ndjeshëm  melankolie, të shprehura në tri fjalë:Psherëtimë,Mërgim dhe Qan.Të jesh larg Atdheut,kur nuk je larguar kurrë nga qyteti yt vec ndonjë ditënatë,dhe tani të jetosh kaq larg larg të afërmve të zemres,doemos do të ndjehesh i përmallur dhe përmallimi është melankoli,pra  ndjenjë njerëzore dhe e  drejta ime të shkruaj edhe nën ndikimin e kësaj ndjenje,aq me tepër,kur trishtimi dhe melankolia, na mohoheshin njëherë moti.

-Ju shkruani tregime për fëmijë, këtij simboli të së ardhmes së njerëzimit, me një stil të vecantë e të admirueshëm  frymëzimi,  që rrjedh bukur e vrullshëm, dhe keni shfaqur këndvështrimin tuaj kritik –letrar, për antologjinë e Klasës së Pestë , të ciklit tetëvjecar, e titulluar “Sa e bukur fjala shqipe” . Cili është “celësi sekret në letërsinë për fëmijë?
Pak tregime kam shkruar për fëmijë.Qëllimi im ka qenë të jap botën e tyre në rritje e në edukim përmes naivitetit e  ngazellimit naïv, përmes triumfesh të hiperbolizuar prej fëmijëve që ndonjëherë, të madhen e bëjnë të  vogël dhe e kundërta.Më shumë jam marrë me poezi  për fëmijë.Bota e fëmijëve është pjesë e pandashme prej botës së Lizës në botën e Cudirave. Në të shumtën e herës fëmijët thonë vetëm- Po.Që të thonë- jo,-atyre u duhet një provim e  një pësim që t'u bëhet mësim...

- -Pse shkruani? A keni disiplinë në të shkruar? E përfytyroni veten pa shkruar ndonjëherë?
Nuk e përfytyroj një ditë të mos merrem me shkrime,të paktën me poezi.Driteroi thotë se krijimtaria është si tështima,po të zuri,nuk përmbahet.Dhe mire e ka!Shkruaj që të qetësoj veten nga ndonjë shqetësim i rastit.Shkruaj se gjithë jetën jam marrë me shkrime dhe më është bërë një refleks i kushtëzuar, më duket sikur ennde sikur dashuroj,sikur ende dashurohem. Jemi populli që shpresojmë më shumë në Europë se do të bëjmë dicka.Ndjehem pjesë e këtij mentaliteti të popullit. Njëlloj gravitacioni nga i cili nuk mund të shkëputesh.Disiplina ime e të shkruarit është indisiplinimi.Kudo që të jem,do të meditoj për dicka,do të nxjerr një nga ato letrat e vogla dhe   mbaj shënim ndonjë mbresë ngacmuese,ndonjë shkëndijë figurative:Krahasimi,epiteti,apo metafora,indisiplinimi më con te disiplinimi,sepse gjithë c'është e padisiplinuar,duhet disiplinuar brenda kornizave të llojit të artit që ti ke zgjedhur për ta shprehur.
-Si jeni ndier përballë botës së frikëshme  të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit?Cfarë kuptoni me shprehjet “vetëgjymmtim dhe vetëvrasje intelektuale’?
Padrejtësia më bën ta ngrej zërin sipas mundësive të mia, për t'i dalë në mbrojtje së drejtë,të mohuar,kur duhet të bëhet e kundërta,Bashkohem me zërin e komunitetit që e ndjen të domosdoshme t'i kundërvihet kësaj padrejtësie...
-Si shkrimtar dhe  poet, cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë` në vëndin tonë?
Kombi që të jetë një komb vërtet dinjtos përpara botës, duhet të sic bëjnë kombet e tjera-më të mirën e kësaj bote.Vlerëson zgjedhjet e drejta,mban nën “mbikëyrje” qeverinë dhe kur ajo gabon, dhe i thotë; Këtu s'e ke mirë.Komb me dinjitet është ai, ku gjithë qytetarët e tij i ka të punësuar.Te biesh nën zotërimin e dëshpërimit,t'i humbësh të gjitha shpresat për mundësira të tjera më të mira, për mua është  vetëgjymtim,  autokrizë shpirtërore dhe mendore,mosdalje nga gjendja e mjerë ku ke rënë.Demokracia në vendin tonë duhet të bëjë më shumë për mirëqënien e popullit, për mirëruajtjen e kulturës sonë popullore të trashëguar në shekuj dhe mundësisht të kontribuojë në zhvillimin e saj, në përputhje me kushtet e sotme.Partitë tek ne janë të shumta.Duhet të jenë më të pakta, sepse shumë parti i shumëklanizojnë popullin.Shumë parti janë varfëri shpirtërore,shoqërore,politike për një komb.Duhet të jenë më elastike ndaj  njëra-tjetrës partitë,të lëshojnë pe, kur duhet, në emër të shoqërisë që përfaqësojnë.Projektet e mia në të ardhmen janë vetëm tri;të botoj vëllimin “Fati s'ka sy” .Në tri libra me të njëjtin titull dhe me këtë botim mund të ndjehem i përmbushur pa i lënë asnjë peng vetvetes në poezi. Ky pra është pengu që mund të më mbetet, nëse nuk e realizoj botimin e këtij libri të vëllimshëm në tri pjesë.
Ndryshimin tek vetja do ta shikoja lidhur me aktivitetin tim letrar.Le të merresha edhe me prozën,qoftë atë të shkurtër, sa për thyerje monotonie.Në Shoqërinë tonë njerëzore ndryshimin do ta shikoja te kombi im,tek shoqëria që përbën kombin tim,sa ecën ajo përpara, sa përputhen idealet e saj përparimtare me idealet e shoqërisë njerëzore. Në fëmijëri nuk i vija re hallet e problemet familjare,mbasi ato i zgjidhnin më të mëdhenjtë dhe mua nuk më mungonte asgjë për ta jetuar sic duhet e për ta gëzuar fëmijërinë time të hershme,brenda privacioneve të asaj kohe, duke u mjaftuar vetëm me kënaqësitë fëmijërore.
 -Projektet tuaja në të ardhmen?Cfarë iu ka mbetur peng?
Kam për botim një libër me romanca lirike, ndarë në tre nënvëllime të vecantë,ku në secilin nënvëllim ka cikle me nga 100 motive me një titull libri të mëparshëm...Pse kjo?Sepse poezitë që  meritonin të botoheshin që prej  demokracisë,nuk m'u përfshinë në libër dhe unë i futa në këto vëllime seriale(tre), se edhe ato ëe shkretat duhej të shihnin dritën e botimit...
-Mesazhi për shkrimtarët e poetët e rinj...
Për poezinë kam pasur besim,kurse për prozën jo.Unë edhe sot mendoj për prozen sikundër mendoja në femijeri apo rini, më mirë të themi.Proza të shkakton dhimbë në brinjë, në mes,në shpatulla,pa leri ato të kokës.Kurse poezia t'i mjekon,ta përtërin shëndetin,të bën të fluturosh, qoftë edhe me flatrat e një zogu.
Për poetët dhe shkrimtarët e rinj kam mendimin se duhet të lexojnë jo vetëm në shqip,por edhe në gjuhët e tërë botës,vecanërisht në anglisht.Duhet të mos i nënvleftësonjë parakohësit e tyre, as bashkëkohësit,që të jenë vazhdues të tyre si paskohës,si përcjellës tradite,kulture,të cdo trashëgimie të mirë për brezat që vijnë më pas...
Faleminderit!
Intervistoi: Raimonda MOISIU

No comments: