Tuesday 14 May 2013

Përroi i heshtjes



Përroi i heshtjes
Kur shpirti qëndron poshtë mbi baltë
bota është shumë e dobët për të folur rreth tij...”
(Rumi, poet Persian i shekullit 13-të)

Nga Fatmir Terziu

Edhe retë nuk krihen në atë pellg
ku era është baltosur deri në frymë
ende është i njëjti zot,
                             i njëjti dreq
dielli nuk zë besë s’ka hapësirë
e gjitha hapet me të njëjtin çelës
                               për fat të keq
... edhe retë e dinë këtë mirë.

Edhe retë e mallkojnë atë shi
ku kalbja u ngjiz zuri vend
                              me stuhi
nga rruga përreth del i njëjti pluhur
dielli s’bën paqe me askënd
                           për çudi
tymi del dhe bëhet flurudh
... retë nuk besojnë më kërkënd.

Mysafirë të njëjtë nëpër festa
Zhardhokë gjembaçë ngado
fëmijë që zhulaten pa kërkesa
ky pellg i baltosur prodhon. Relikja
shtrihet në fletë të mëdha mbi baltosje
pa e ditur çkafit jetës i bën bisht
ndoshta bash ky qëndrim i shkujdesur
kërkon të (ri)hapim paksa sytë.

Sipas stinëve përroi i heshtjes
e ushqen padashje këtë pellg
edhe i tharë apo i plasarritur
kërma e tij prodhon qelb. Rrufeja
nuk e djeg të zezën e tij asnjëherë
se ai në zezërimë është ngjizur...
...përherë....

Zogjtë eremitë

E fati pa asnjë retorikë të bind
Se nuk u shkrua asgjë kokëposhtë
Kësaj rruge që sillet rrethnajë lind
Fati nga rënjët që ka hedhur kjo Botë.

Është stinëkufi dhe koha zgjohet nga trokitjet. Stina
s’ka harruar të mbjellë pikat e zhurmta të shiut
ia ka lënë vendin pelerinës së grisur të fraqeve
buzëqeshja e fshehur e Diellit mes reve karshillëk
alarmon krrokamat e çafkave t’i bëjnë lutje gjithnajës
të mos gjëmojë në boshllëk...

Alarmi i shiut nuk depërton këtu brenda
ndërsa amfiteatri ka ngritur atje larg çadrat
në skenën tragjike hapet tenda
zbulon rrjetën që Dimrit thurrën merimangat
në ekranin e trullosur të trurit
ku plekset imazhi i ikjes nga balta.

E fakti pa asnjë retorikë të bind
Se nuk u shkrua asgjë kokëposhtë
Kësaj rruge që sillet rrethnajë lind
Fati nga rënjët që ka hedhur kjo Botë.

Fatit i ndërtojmë shtëpiza në ëndërra
Zogj përrallorë bëjnë aty foletë
Eremit i shenjtë larg nga shkretëtira
Zbret Dashurinë dhe zbut stinët me lezet.

No comments: