Tuesday 11 June 2013

TEUTA E ILIRISË

RESMI OSMANI

ROMAN

Në proces krijimi



Prolog

Kështjella labeate e Skodrës, ngrihej hijerëndë mbi kryet e kodrës shkëmbore. Rrethohej me mure të trashë gurësh masivë në tre sërë, me një portë të madhe hyrëse nga ana jugore dhe shumë hyrje-dalje të tjera ndihmëse e të fshehta. Mbi mur lartoheshin pirgje e kulla rrethore, katërkëndore, frëngji dhe bedena ku sogjetarët bënin roje dit e natë. Ishte si një shqiponjë krahë hapur që mbulonte në barazlargësi Mbiskodrën dhe Nënskodrën. E vështirë për t’iu afruar dhe e sigurtë për tu mbrojtur, kështjella ishte si një sy i stërmadh përherë i çelur, që mbante nën vëzhgim gjithë lëvizjet në fushën dhe kodrat e buta të Ultësirës Bregdetare Jugperndimore dhe Veriperndimore, që ishin të begata e të plleshme e që mbrrinin gjer në det , si dhe hapsirën e hyrjes të liqenit Labeat. Nga verilindja ngriheshin madhështore malet e ilirisë me trembëdhjetë majat e alpeve borë mbuluar, të bukur e të frikshëm, ku bleronin pyjet e rudinat, buronin ujërat e kristalta, banonin zanat dhe në parzmin e tyre, pinin tomlin që të rriteshin kreshnikët e ilirisë.

Nën këmbët e saj rridhnin lumenjtë ujëshumë: Boiana , në perëndim,që buronte nga liqeni Labeat dhe pas një rrugëtimi të shkurtër bashkohej me Oriundin duke rrjedhurur qetësisht për në det. Në të lundronin anijet e mallrave dhe në skelën e saj kishte përherë gjallëri. Në lindje, Klausali , pasi zbriste nga alpet, dilte nga shtrati i ngushtë shkëmbor dhe frelëshuar turrej i hazdisur në zallishtet e fushës. Klausali shpesh përmbyste fushën dhe merrte me vete gjithëçka gjente përpara. Në jugë të kështjellës, pas rrugëtimit të gjatë e të rrëmbyer në viset veriore e malore të Ilirisë së Sipërme, pasi mblidhte ujërat e sivëllezërve të vet, nëpër grykat e maleve, rridhte Oriundi ujëplotë, që ca më tej bashkonte ujërat dhe vllazërohej me Boianën e qetë.

Përveç skelës së Boianës, në hyrje të liqenit Labeat ishte skela tjetër,që shërbente për të dalë në Adriatik dhe në viset veriperndimore të liqenit, nga niseshin rrugët për Olcin , Budua dhe viset më në thellësi të maleve të Daorseve

Brënda mureve të kështjellës, gjendeshin banesat e familjes mbretërore, këshilltarëve dhe dinjitarëve të shtetit, hajate dhe sheshe ku thirreshin e mblidheshin kuvendet, thesari i mbretërisë, ngrehinat e shërbenjësve, garnizoni i Rojes Mbretërore, depot e armëve, të ushqimeve dhe zahiresë, të mjaftueshme për rrethime të gjata . Në qytetin e sipërm, ngrihej madhështor tempulli kushtuar Redonit, hyut të detit dhe nymfeu i Zanave.

Qyteti, ishte zgjeruar jashtë kështjellës në faqet e kodrës në jugë dhe perëndim e verilindje. Aty gjendeshin vilat e bukura të fisnikërisë skllavopronare dhe aristoktacisë ushtarake, tregëtarëve të pasur, tregu, magazinat e mallrave, punishtet e zejtarëve që punonin metalet, përgatisnin armët, puntoritë e qeramikës, poçerisë,lëkurëpunuesve dhe avëlmendet e endjes së pëlhurave të linjta për veshje dhe velat e anijeve, e të shajakut e cohëve të leshta, ku punonin qindra skllave. Dy tempuj dhe gymnasiumet ku mësonin dhe stërviteshin djemtë e parisë e të aristokracisë. Mjeshtrat e ndërtimit dhe punimit të drurit për orenditë shtëpiake, ndërsa në skelën e liqenit kantjeri i ndërtimit të anijeve “Lembe “ dhe “Liburne”. Më tej,në bregun perndimor të liqenit Labeat ishte tregu i skllevërve, që ziheshin nga piratët por edhe nga luftërat.

Skodra u bë kryeqendër e shtetit ilir të Ardianëve, pasi mbreti Pleurat i fuqizuar pas fitoreve të njëpasnjëshme, ndaj fiseve më të vegjël, arriti të nënshtrojë Labeatët, Albanët,Pirustët, Dasaretinë dhe Taulantët, e shtriu sundimin deri në brigjet e lumit Aos . Dinasti i fuqishëm, herë me armë e herë me diplomaci e besëlidhje, por edhe miqësi e krushqi e ngriti shtetin e tij në një hapësirë të gjerë nga lumi Narona në veri, në kufi me Dardanët dhe në lindje e juglindje me mbretërinë e Maqedonisë, ndaj së cilës zhvilloi luftëra të paprera. I pëlqeu kështjella dhe qyteti i Labeatëve dhe e shpërnguli kryqendren e shtetit të vet nga Rizoni në gji të detit dhe rrëzë maleve, në Skodrën e begatë dhe të mirëmbrojtur. Prej aty nisnin rrugët për në jugë: Lis , Epidamn , e Apoloni, prej nga dilte një degë që arrinte deri në liqenin Lynhid ; për në veri në Ulpianë e Damastion . Këto ishin si dejet e gjakut për mbretërinë, në to lëviznin papra karvanët e shumtë me mallra, që i dhanë lulëzim tregëtisë dhe zejeve. Anijet që sillnin mallra luksi,poçerie e pëlhura vinin nga Korkyra e brigjet Italike dhe merrnin grurë, metale, djathra e gjalpë, vaj ulliri dhe verë, shajak dhe pëlhura të leshta dhe sidomos desh, mishi i të cilëve vlerësohej shumë në Romë. Qytetet e bregdetit, nga Olçini deri në Liburni e bregun Dalmat lidheshin me rrugë tokësore por kryesisht me anijet e shpejta liburne.

Pas vdekjes, Mbreti Pleurat, i la pasardhësit, djalitë madh, mbretit Agron ngrehinën e një shteti me themele të forta, të ndërtuar mençurisht, të përqëndruar në një dorë, me qytete të lulëzuar, ekonomi të zhvilluar, me ushtri të fuqishme dhe mbi të gjitha, ajo që ishte krenaria e tij, një flotë anijeshumë që ishte zonjë e Adriatikut, por edhe mjeshtërinë e guximshme të piraterisë, që më pas do të bëhej shkak i telasheve.

Në mitrën e kësaj kështjelle, u ngjiz së pari ëndërra e madhe e bashkimit të Ilirëve në një shtet nga mbreti shikimlargës Pleurat, që ia la amanet të birit. Dihet që amanetin se tret as dheu. Kjo ëndërr u bë qëllim i jetës dhe luftës së mbretit Agron gjatë nëntëmbëdhjetë viteve të mbretërimit të tij. Më pas e Teutës, dhe që atëhere, nga shekulli në shekull, nga mijëvjeçari në mijëvjeçar, ajo ka regëtirë si flakë në zemrat iliro-arbëroro-shqiptare bashkë me lirinë. Ajo nuk është shuar as me zjarr e hekur, as nga gjaku i derdhur që ushqen rrënjët e lirisë, se ëndrrat nuk mund të vriten, nuk mund të vdesin, ato përcillen djalë pas djali, brez pas brezi deri sa kanë ardhur me vrull e shpresë të re deri në ditët tona.

Në këtë kështjellë,në vitin e largët 231 para erës së re, zenë fill këto ngjarje që do të rrfehen në këtë libër për Teutën e Ilirisë.

KREU I

MBRETI AGRON

1

Skodër-Lynhid, verë e vitit 231 para erës së re.

Çeta e kalorësve të armatosur lehtë, që përcillte mbretin Agron, dallohej që larg nga që u ndrinin në diell përkrenaret dhe u kuqëlonin pelerinat e purpurta, që ua valëviste era. Kalimtarët e pakët që hasnin rrugës, pa e ditur kush ishin ata kalorës, hapnin krahun dhe pëkuleshin, hem me frikë, hem me nderim.

Natën e shkuan dhe shlodhën kuajt në kështjellën e bujarit të Petrulës , që ngrihej mbi shkëmb në kodrën e bukur që gjelbëronte nga ullinjtë, e që ishte si një sy që kishte nën shikim tërë luginën në lindje e në perëndim. Bujari i Petrulës i priti me gjithë të mirat dhe nderimet mbretërore dhe i beri ftesë mbretit të kalonte disa dit për gjueti. Mbreti e kishte me ngut, ndaj morën udhën që në ndajnatë. U prinin dy udhërrëfenjës deri sa të zbrisnin në luginën e Skampinit . Në mesditë, pasi lanë prapa luginën e freskët e të gjelbër, mes së cilës rridhte lumi ujëshumë dhe në të dy anët ngriheshin malet e Dasaretëve , morën të përpjetën në një udhë lakadredhëse. Kur sosën në qafë para tyre u shfaq pasqyra e ndritur e liqenit Lynhid . Kishin hyrë në sinoret e Enkeleasve . Si pakuptuar, u ndjenë si të çliruar nga lodhja dhe frymëmorën thellë ajrin e freskët, që sillte puhiza nga liqeni. Në të zbritur i lëshuan kuajt me trok. Udha shkonte rrëzë kodrës, thuajse buzë ujit në bregun e liqenit të gjelbëruar nga kallamishtet, shavari dhe aty – këtu ndonjë shelg.

Përpara, u doli një han, i ngritur mbi trarë të trashë të ngulur në ujë. Aty qëndruan. Hanxhiu i druajtur, por edhe i frikësuar para kalorësve të armatosur,u përul thellë para atij që iu duk si i pari i asaj çete, u uroi mirëseardhjen dhe i ftoi të çlodheshin. Me sytë e tij të vegjël e dinakë, ai u hodhi vetëtimthi një vështrim dhe, duke gjykuar nga veshjet e pasura dhe armët që kishin ngjeshur, gjykoi se ata duhet të ishin sundimtarë nga sërë e lartë dhe duheshin pritur e shërbyer më së miri. Flisnin ilirisht, por pak më ndryshe se enkeleasit, megjithatë kuptoheshin për bukuri. Të sapoardhurit hynë në hajatin e gjatë të hanit, që e mbulonin hasra kallamishtash, që bënin gjysmëhije, kurse nën trarët e rrallë të dyshemesë llokoçiteshin valët e liqenit që sillnin freski. Zunë vend në tryezat e drunjta të gdhendura trashë. Hanxhiu me ndihmësin lidhi kuajt dhe u mbushi koritat me elb. Kalorësit i thanë se e kishin me ngut, prandaj bujtinari nuk mënoi që tu shërbente. Shtroi mësallën e pastër, dhe në një palare balte, një sheleg të pjekur që avullonte dhe ermironte, një shakull me verë dhe kupat, bukë të grunjtë dhe qepë për të hapur oreksin. Hëngrën si të babëzitur dhe pinë si të etur. Mbi bango mbeti vetëm pirgu i eshtrave. Pastaj erdhën peshqit e pjekur në prush.

-Janë të liqenit tonë, të peshkuar në vëngjillë të ditës së sotme. Hajini pa merak dhe u bëfshin mirë. Askush nuk kalon këtej pa i provuar!

Kalorësit e paguan me argjend të ndritur e tingëllues. Bujtinari futi qesen në brez dhe u përkul me nderim, i uroi që zotat ti kishin nën kujdes dhe dita tu bëhej njëmijë. Si finok që ishte, nuk guxoi t’i pyeste as kush ishin, as ku shkonin, e dinte se kërshëria e tepërt dhe gjuha e gjatë ishin me dëm. I ndoqi me sy deri sa humbën pas kthesës së udhës, që çante rrëzë kodrës që binte thikë mbi liqen, pastaj pasi iu gëzua edhe një herë qesesë me monedha argjendi, fërkoi duart me kënaqësi. Dita kishte nisur mirë, mendoi ai, por ç’e do, zagari nuk ze gjithmonë lepuj dhe iu kthye punëve të tij.

2

Mbreti Dhimitër i II-të i Maqedonisë, u tha truprojeve , gjeneralëve dhe këshilltarëve ta linin vetëm. Kishte nevojë të mendohej. Doli në sheshoren e kalasë, të shtruar me plloça dhe u ul në bedenat që ngjanin me dhëmbë të rralluar pleqsh. Kalaja ishte ndërtuar mbi kodrën e vogël e të pjerrët të mbjellë me vreshta. Nën të ishte qyteti i vogël i Enkelanës , me këmbët në ujë e kokën në kodër, tjegullat e pullazeve të shtëpive kuqëlonin nën dritën verbuese të diellit. Më tej shtrihej gjer larg në brigjet përtej pasqyra kaltëroshe si më të gjelbër e liqenit peshkshumë, që valëzonte lehtë nga puhiza që frynte nga lindja. Aty-këtu zbardhnin velat e varkave të peshkatarëve. Mbreti hodhi sytë nga veriperëndimi, atje gjendeshin tokat e Paonisë dhe fusha pjellore e Pelagonisë ku rriteshin kuaj lufte të fortë e të shpejtë. Paonia ilire, pas shumë luftërave e kryengritjeve, ishte nënshtruar dhe bënte pjesë në mbretërinë e tij. Më në veri ishte Dardania, me luftëtarë trima e qëndrestarë, ku ushtria e tij ishte thyer. Ishte një rrezik i përhershëm, që i kanosej sa herë gjente rast, kur ai ishte i zënë në ndonjë luftë. Me ta bashkoheshin edhe fiset e Dasaretëve, por ata ishin thyer e nënshtruar, por nuk prisnin veç rastin për tu kryengritur. Në perëndim mbretëria Ardiane,nga bregdeti Dalmat deri në derdhjen e Aosit që ishte fuqizuar dhe nuk e kishte lejuar për të arritur ëndrrën e tij për të dalë në brigjet e Adriatikut. Mbretërisë i rrinte si thikë në shpinë aleanca greko-epirote e Etolianëve, Akaisë dhe e Lidhjes Epirote, të paisur me ushtri të fortë dhe flotë, që jo vetëm e pengonin të dilte në brigjet e Jonit, por ishin lidhur edhe me qytet-shtetet e Greqisë. Ishin armiq të shpallur. Trualli i mbretërisë lëkundej e dridhej si nga ndonjë tërmet. Kundër saj ishin turrur armiqtë si qena të tërbuar, që donin ti shkëpusnin nga trupi ndonjë llokmë. Rreziku i përhershëm ishin Ilirët, që nuk harronin fitoret dhe lavdinë nën mbretërimin e Bardhylit dhe Glaukias , apo pushtimin dhe mbretërimin e shkurtër të vendit nga mbreti Pirro, që e shpalli veten mbret të Maqedonisë. Vitet e arta të Mbretërve Filip dhe Aleksandër kishin perënduar. Atij i kishte rënë në pjesë trashëgimi i kësaj mbretërie që mbahej me thonj e me dhëmbë, më tepër me lavdinë e dikurshme sesa fuqinë e tanishme. Luftërat e paprera e kishin dobësuar vendin dhe kishin shterrur burimet ekonomike dhe njerëzore, minierat e arit në malin Pangeo ishin varfëruar dhe thuajse nuk jepnin më asgjë. Kishte ardhur koha për paqe, që vendi të merrte frymë dhe të gjallëronte burimet e veta. Për hir të kësaj paqeje, qoftë të përkohëshme, ai kishte ftuar mbretin Agron të mbretërisë Ardiane, per të nënshkruar një besëlidhje ndihme të ndërsjelltë. Duhet të ishin duke ardhur. Lajmi atij i ishte bërë i ditur qysh heret kur ata kishin shkelur në tokën e mbretërisë.

Në fillim mbreti pa shtjellën e pluhurit, pastaj çetën e kalorësve, që sa vinte e shquhej më mirë. Frymoi thellë.Po mbërrinin. E dinte që bisedimet do të ishin të vështira.

3

Salla e armëve e kështjellës ishte përgatitur pë takimin e sovranëve. Në ballinë, ishte Dielli i artë i Maqedonisë me gjashtëmbëdhjetë rreze. Sfondi i purpurt e bënte më të dukshëm, majtas dhe djathtas truporet e mermerta të Mbretit Filip dhe Lekës të skulptorit të famshëm Lisipit. Nëpër mure ishin vendosur shpata të kryqëzuara dhe armë të tjera trofe. Në dysheme një mozaik shumngjyrësh ku paraqitej Leka në gjuetinë e luanëve, në qendër një tryezë mërmeri ngjyrë trandafili, kurse rrëzë mureve divanë të rehatshëm mbuluar me lëkurë leopardi. Në tryezat e vogla të praruara ishin të vendosura gota të arta dhe fruta të stinës. Mbreti Dhimitër II kishte zënë vend midis statujave të dy mbretërve pasardhës i të cilëve ishte, ulur në një fron me shenjat e familjes mbretërore. Majtas e djathtas i qëndronin: I biri princi Filip, gjeneralët dhe dinjitarët e mbretërisë.

Mbretit Agron i printe shambellani i ceremonialit, pas tij vinin shoqëruesit dhe këshilltarët. Qëndroi disa hapa para Dhimitrit dhe u përkul lehtësisht në shenjë nderimi. Në vend të përshëndetjes ai tha vetëm thjesht”Madhëri!”. Dhimitri u ngrit nga froni. Edhe ai u përkul hijshëm dhe i uroi mirëseardhjen:

-Mbret’ i Ardianëve, mire se erdhe në tokën e mbretërisë së Maqedonisë.

Agroni nënqeshi dhe pa u menduar gjatë ia ktheu:

-Madhëri, po tu besojmë etërve tanë, vendi që kam shkelur është truall i Ilirisë. Ne jemi pasardhës të Ilirit dhe, ai ishte bir i Kadmit dhe Harmonisë, që u bashkuan në trojet rreth liqeneve Lynkestë . Këtu është mitra ku u ngjiz populli ynë! I takon që, i ardhuri të jeni ju.- tha dhe e pa me ngulm drejt e në sy.

Dhimitrit si pëlqeu aspak përgjigja dhe iu duk se takimi kishte nisur keq, jo si midis miqsh, por si midis armiqsh. Kësaj I thoshin më shpejt të vritesh sesa të shihesh! Si do qoftë ai ishte mikpritësi dhe duhet të lëshonte fill.

-Mbreti, me ato që foli, që në krye të herës, ma mundëson të them, se në dinastinë tonë mbretërore, ka hyrë aq gjak ilir sa që ne të ndihemi të afërt. Për këtë dëshmojnë zakonet, afëria e gjuhës e deri te mënyra e veshjes. Mbreti Filip II ishte bir i Euridikes ilire nga linkestët, Mbreti Leka, bir i Olimpias Epirote, dhe më pas Dhimitër Poliarketi u martua me Deidemanë,motrën e mbretit Pirro, kësisoj edhe nëse brenda mbretërisë maqedone janë përfshirë toka e fise ilire, ne jemi në trashëgimin tonë mëmësor. Pa thënë pastaj që për këta troje është derdhur shumë gjak. Dihet, ajo që është fituar me luftë, nuk mund të kthehet veçse me luftë. Është një e vërtetë e njohur: Popujt tanë më së shumti kanë luftuar midis tyre sesa kanë jetuar në paqe. Në luftë fiton më i forti. E tillë është lufta. Më së shumti kemi fituar ne, por edhe ilirët , nën prijsa trima si mbretërit Bardhyl dhe Glaukia, shpesh janë ndarë faqebardhë.

Më ndje, mbret, për këtë fjalë disi të gjatë, por shkëndijën e zjarrit e ndezët ju. Mua më takon ta shuaj. Jeni mysafiri im, dhe takohemi për të biseduar, por për tjetër gjë dhe jo për këto që sapo u thanë.

- Madhëri, nuk presim që ju të na rrëfeni trojet tona, pasi ato na i kanë rrëfyer etërit tanë. Në sinoret e tyre janë varret e të parëve, si rrënjë që askush nuk mund ti shkulë. Jeta e mbretërive është si ajo e stinëve që vijnë e ikin, herë dimër e herë verë. Çohen të vegjlit dhe gremisen te mëdhenjte, ashtu siç u shkoq perandoria e Lekës. Kush jeton me lavdinë e së shkuarës dhe nuk sheh rreziqet e së sotmes i bën veç dëm vetes. Është si ta masish shtatin me hijen e mëngjesit. E dimë se nuk ka, as miq, as armiq të përjetshëm. Miku i sotëm mund të jetë armiku i nesërm dhe armiku i sotëm, miku i nesërm, prandaj sytë mbahen të çelur, kështjellat me mure të forta dhe shpatat të mprehta. Sidoqoftë, kemi ardhur si miq, për të qënë aleatë e që mbretëritë tona të jetojnë në paqe.

Teksa mbreti Agron fliste, mbreti Dhimitër II, po e vërente dhe përpiqej të zhbironte mbretin e ilirëve: I veshur thjesht, me një tunikë ngjyrë vjollcë, kapur në supa me tokza të arta, mesin ngjeshur me brez të purpurt stolisur me pafta argjëndi. E vetmja stoli ishte një gjerdan i artë ku ishte varur një pllakë me gjarpërin Boa, totem të ilirëve. Vinte shtatlartë, gjoksgjerë, i fuqishëm si një krep i palatuar, flokëashpër, korb të zeza, fytyrën eshtake, të gjerë, me tipare të spikatura por të ashpra, ia mbulonte mjekra e plotë ku shquheshin fijet e argjendta të thinjave. Sytë të futur thellë në zgavra, hunda si e gjeraqinës dhe buzët e plota e mishtore, sensuale, nuk rrëfenin fisnikëri nga gjaku. Ata sapo kanë zbritur nga malet e tyre, mendoi Dhimitri, i pari i fisit është shpallur mbret dhe ende s’kanë një dinasti, në rrëmbat e së cilës të rrjedhë gjaku mbretëror i disa brezave. Por ai nuk mund të mos vinte re që mbreti ishte guximtar, me një ndërkryerje të brendshme të vetvetishme dhe i zgjuar. Kur bashkohen në një person trimëria dhe mënçuria, janë paja më e mirë për një Sovran.

Ishte koha të këmbenin dhuratat. Agroni i bëri me nojmë njerit prej truprojave. Ai u afrua duke mbajtur para duarve, mbuluar me një pëlhurë të purpurt dhuratën për mbretin e Maqedonisë.

-Pranoni, madhëri, në shënjë nderimi, një dhuratë të varfër, por që bëhet e pasur nga ndjenjat e miqësisë,- tha dhe zbuloi pëlhurën.

Nën të ishte kompleti luftarak i punuar mrekullisht nga mjeshtrat pirustë : përkrenarja ilire, mburoja e çeliktë me reflekse mavi, në qendër të saj ishte gdhendur hyu Medaur,si kalorës me shtizën në dorën e majtë, kollçinjtë me bronz të ndritur, parzmorja e thurur me hallka çeliku dhe shpata e shkurtër dy tehëshe me një dorezë që përfundonte me një mollë të artë.

-E çmuar dhurata, por më e çmuar miqësia e dhuruesit- tha Dhimitri, që i pëlqyen pajisjet luftarake.

Ishte radha e tij të bënte dhurimin:

-Pranoni madhëri edhe një dhuratë nga ana jonë, si vlerësim yni për personin tuaj, Sovran i Ilirisë.

Në sallë hyri një officer i mbretit që hiqte nga freri një kalë madhështor të racës tesaliane, të zi, me blanë të bardhë në ballë, veshët të vegjël e të mprehtë, jelet të gjata e të plota, mbuluar me një halli të purpurt. Kur e zbuloi, u dukën shala dhe pajisjet e shtrenjta të lara në ar dhe argjend. Kali turfullonte e se mbante vendi.

Agroni e pëlqeu dhuratën.

-Qofshin fitoret tona,të shpejta si vrapi i këtij kali- uroi ai.

4

Të dy palët zunë vend në tryezën e gjatë.

Agroni qëndroi ball Dhimitrit II. Mbreti maqedonas duhet ti kishte kaluar të pesëdhjetat, kishte ca tipare të buta e të hijshme gati femërore, nuk mbante mjekër. Flokët e verdha si shtupë, të dallgëzuara, i kishte të prera në lartësinë e qafës. Goja e vogël, e fisme, me buzë të holla, hunda e drejtë po me flegra të gjera, sytë si të gjelbër, të lëvizshëm, të zgjuar e dinakë. Duart e vogla gishtrinjholla të stolisura me unaza e byzylikë, nuk ngjanin si duar luftëtari, ndërsa në qafë një gjerdan ari ku ishte varur pllaka me diellin gjashtëmbëdhjetë rrezesh, simbol i Maqedonisë. Majtas e djathtas i rrinin gjeneralët dhe oborrtarët qëndrimrëndë e dinjitozë.

Dhimitri e nisi bisedën qetë, i menduar duke zgjedhur fjalët. Po përsillte në mëndjen dinake mendimet, që ta paraqiste bisedën se kjo besëlidhje paqeje e mossulmimi, ishte më së pari në interes të mbretërisë Ilire, se Maqedonia mbretëri e vjetër dhe e fuqishme, zere se i bënte nder duke e lënë të qetë në kufijtë lindorë dhe i hapte hapsira e fushveprimi në Adriatik e Jon. Nga kjo aleancë do të ishte Mbretëria Ilire ajo që dilte e fituar. Ai tha se nga Athina dhe qytet-shtetet greke nuk vinte asnjë rrezik, ata ishin mundur e poshtëruar aq herë sa as nuk guxonin të shkrehnin një shigjetë, ishin si qen të rrahur, por në verilindje ishte formuar një aleancë me në krye Etolianët,ku bënte pjesë edhe Akaia, Epiri dhe Dardania. Ishte një kundërshtar i fortë dhe i fuqishëm. Akarnania ishte ende aleate e Maqedonisë, dhe kufi ndarëse me Epirin, Akainë dhe Etolinë, por qyteti i Medionit ishte rrethuar prej muajsh nga Etolia. Po të binte Medioni, kjo aleancë fuqizohej, dilte në kufijtë e mbretërisë së tij dhe i rrinte si thikë pas shpine. Një nga kushtet e Besëlidhjes ishte që Mbretëria Ilire të çlironte nga rrethimi Medionin dhe t’i jepte një grusht vdekjeprurës Aleancës Etoliane.

Agronit iu duk se Dhimitri, donte ti nxirte gështenjat nga zjarri, me duart e të tjerëve.

-Po ne, veç haraçit të gjakut, çfarë fitojmë nga kjo kuturisje në detin e largët dhe sterenë e Greqisë?

-Emër, famë, lavdi, plaçkë lufte e skllevër.Mbretëria juaj ngrihet, del si fuqi politike që bën ligjin jo vetëm në Adriatik por edhe në Jon, ajo bëhet mbajtësja e çelsave të portës së Mesdheut. Me këtë rast, ne heqim dorë nga interest tona në Adriatik,Dyrrah , Apoloni dhe Korkyra e ishujt jonianë dhe u japim liri veprimi, të bëni sit ë doni mbi qytetet e bregdetit,Dyrrahun dhe Apoloninë, që janë nën zotrimin romak. Kjo nuk është pak. Me paqen, ju jeni të sigurtë në kufijtë tanë lindorë se nuk do të goditeni pas shpine dhe, keni dorë të lire të dilni jashtë kufijve tuaj të tanishëm, për zgjerimin e shtetit tuaj.

-Madhëri, nuk është bujari të falësh atë që se ke dhe të këshillosh luftëra, që nuk do t’i bësh vetë!

-Por është bujari edhe të mos e lakmosh kur e mëtojnë të tjerët! Mos harroni, se Roma, tani që i mbylli punët për zotërimin e perëndimit, heret a vonë, në mos ka filluar, do të hedhë sytë në lidje nga gadishulli Ilirik. Atë ka filluar ta këndellë edhe Greqia e përçarë dhe e dobësuar. Pengesa është Iliria. Sado që ati juaj i ndjeri mbreti Pleurat, ruajti miqësinë me Romën, ajo është fuqizuar dhe nuk duron dot që ju të zotëroni Adriatikun e të plaçkitni anijet e saj dhe do të gjejë një shkak. Roma që tani ka filluar ta quajë Mesdheun,”Mare nostrum”, deti ynë. Preja e saj e parë ka për të qenë Iliria. Me këtë besëlidhje, ne do të jemi krah jush, në të mirë e në të keq dhe do të luftojmë së bashku, me vllazërim armësh kundër fuqisë së Romës.

-Që të ndërrmarrim veprimet luftarake në Jon, çfarë tributesh jep mbretëria juaj?

-Armë dhe anije.

-Pyje dhe miniera Iliria ka mjaftueshëm për të armatosur ushtri edhe më të mëdhaja se e jona.

Dhimitri para se ta pyeste se çfarë kërkonte Agroni, u ndrojt se mos ai kërkonte ar. Arka dhe thesari i mbretërisë së tij ishin për të qarë hallin.

-Thoni, Madhëri, cila është kërkesa dhe ne do ta mendojmë.

-Kam dëgjuar se në Tesali keni ferma mbretërore që rrisni kuaj lufte. Do të më mjaftonin njëqin çifte,për të ngritur një qendër shtimi për kuaj lufte. Në fushat e Taulantias rriten kuaj vrapi, por janë më trup vegjël se tuajt.

Dhimitri u hodhi një shikim pyetës gjeneralëve. Ata miratuan me krye.

Me kaq biseda politike u mbyll. Shkruesit u vunë në punë mbi pergamenat dhe kallamarët me mellan për hartimin e neneve të aleancës.

5

Jashtë mureve të kështjellës, në majë të kodrës, ishte tempulli i Zeusit të Rrufeve, kryezot dhe zot i luftës. Deri aty të shpinin shkallët e ndërtuara mjeshtërisht në të përpjetën e pjerrët. Në sheshin e shtruar me plloça ishte altari dhe vendflijimi, më tej vatra e zjarrit, që ishte mbushur me dru lisi të stivuara, gati për tu vënë flakën.

Të dy mbretërit dhe shpurat e tyre, u ngjitën aty, që sipas zakonit të bënin flitë dhe betimin për besnikëri ndaj njeri tjetrit.

Shërbenjësit e tempullit të shenjtë, e lagën turrën e druve me verë dhe vaj ulliri, pastaj me pishtar i vunë flakën. Zjarri mori sakaq dhe gjuhët e flakëve i dhanë dritë muzgut që po binte. Që kryezoti ti pranonte lutjet dhe betimin, u flijuan dy mëshqerra të bardha dhe tre desh brimëdhenj. Pasi i therën dhe i ropën, i prenë në copa të mëdha dhe i hodhën mbi prushet e kuq. Sakaq, tymi i erëndshëm i dhjamit dhe mishrave që po piqeshin u ngjit drejt qiellit.

Kryeshkruesi i mbretit Dhimitër, me ton solemn e qëndrim të madhërishëm si të kuvendonte me zotat, shqiptoi përmbajtjen e betimit:

-Ne, Mbreti Dhimitër II i Maqedonisë dhe Mbreti Agron i Ilirisë, me vullnetin dhe pëlqimin e Zotave, sovranë të kurorëzuar të Maqedonisë dhe Ilirisë, lidhemi me besë, që vendet tona të jetojnë në paqe dhe në gjallje tonë, mes nesh të mos ketë luftë, paqja të jetë bekim i Zotave. Besëlidhemi që ti gjendemi njeri tjetrit në rrezik e në nevojë. Kush shkel këtë besëlidhje, Zeusi e shoftë me një gjuajtje rrufeje dhe mbretëria e tij u bëftë shkrumb e hi!

-Betohemi.-Thanë mbretërit njëzëri.

Larg u shfaq një re, vetëtiu dhe u dëgjua një bubullimë. Zeusi, zoti i luftës dhe rrufeve, i kishte pëlqyer flitë dhe e miratonte besëlidhjen.

Darka ishte shtruar jashtë, në oborr, me gjithë të mirat e mbretërisë. Mbi liqen ishte ndehur një tis i hollë mjegulle, ndërsa tutje në lindje, majëmalet ende ishin të spërndritur nga rrezet e fundit të perëndimit, që kishin reflekse jargavani.

Muzikantët me fyej dhe lira, çapare , dajre dhe tamburë, luanin ca melodi me ritëm të lehtë, femërore, dukej sikur frynte një fllad i lehtë. Kërcimtaret e zeshkëta, skllave të bleara nga Egjipti, të veshura hollë, kërcenin valle me ca lëvizje që bënin tu valëzonte beli i xhveshur dhe tu dridheshin gjinjtë, lëvizjet e tyre dukeshin si të gjarpërusheve.

Nën kupën e qiellit të yjëzuar dhe dritën e pishtarëve, vera në kupat e argjendta kuqëlonte si gjak, ermironte si nektar, shijohej si pije hyjnore.

Dhimitri II e nxiste mikun që të provonte thëllëzat e pjekura e të pinte verën e vjetër të kështjellës. Ai i mburri veçan peshkun e liqenit, të pjekur në prush, i pashoq për nga shija, i denjë për tryezë mbretërore.

Agroni i tha se edhe ata, bënin një verë të ëmbël e të forte nga mjalti që quhej hydromel, që pihej e holluar dhe kishte shije hyjnore si të ambrozit që pinin hyjnitë. Ushtarët dhe vulgu pinin Sabaja, që gatitej nga elbi ose gruri,që ishte freskuese e tërë shkumë. Në liqenin Labeat, kishin veç peshqve të tjerë dhe ngjalave, një peshk të rrallë, krapin, me ngjyrë të kuqërremtë-bakër, që arrinte madhësinë e një qengji, dhe i gatuar në tavë me qepë dhe i shuar me verë, shijonte shumë. Ndërsa mishi i të imtave kishte amzën e barërave të kullotave të maleve dhe i pjekur në fërlek, shkrinte në gojë.

Hëngrën sa u nginjën, pinë sa shuan etjen pastaj shkuan për gjumë. Të nesërmen kishin rrugë të gjatë për të bërë.

6

Në oborrin e kështjellës së Skodrës, u dëgjuan trokëllitjet e patkonjve, hingëllima e kuajve dhe zërat e rojeve. Teuta që ishte shtrirë por ende s’e kishte kapluar gjumi, hapi kanatën e dritares që binte nga oborri i brendshëm. Nën dritën e pishtarëve ajo pa hijet e gjata që luhateshin pastaj ata, që kishin ardhur. Ishte Agroni me truprojet. Zonja e shoqërimit i hodhi krahëve mantelin dhe i priu përpara së zonjës duke bërë dritë me shandanin e qirinjve.Teuta e priti mbretin në koridorin e gjatë, që të shpinte në dhomat e ndenjies e të gjumit.

Ai u afrua. Nga mënyra si ecte, duke u lëkundur dhe si lëvizte, dukej që ishte i lodhur nga rruga e gjatë.

-Imzot, qoftë për mirë dhe ardhç i bardhë. – I tha ajo dhe u përkul lehtësisht.

-Të mirë paç dhe e bardhë qofsh. Mirë se të gjeta.

I mori dorën dhe e tërhoqi nga vetja. Ajo mbështeti faqen në të tijën që ishte tërë lesh, por rrudhi hundët. Ndjeu erën e rëndë të kalit që ishte përzjerë me djersën e kalorësit. “Eh, mendoi ajo, edhe një mbret po nuk u la bie erë!”, por këtë nuk ia tha Agronit, nuk donte ta zemëronte.

-Ç’të reja kemi gjatë mungesës sime?

-Asgjë për tu shënuar, asnjë lajm për tu mërzitur, asnjë nevojë për të vepruar.

-Bukur mirë.

-Si shkoi udhëtimi dhe bisedimet?

-Ka plot të reja por mos u ngut. Po Triteuta, ku është?

- Shkoi në Rizon me gjithë Pinin, djali kishte ethet e ligatinave. Atje klima është më e shëndetshme. Më tha se do të qëndrojë sa kohë që djali të bëhet më mirë.

Ia dha atë lajm me kujdes që ai të mos pikaste që ajo gëzohej për të motrën- shemër që nuk ishte . Ca kohë do ta kishte mbretin të gjithin për vete, vetëm të sajin!

Teuta dha porosi të përgatisnin banjën.

E lau dhe e shplau Agronin trupmadh si të ishte ndonjë fëmijë, e fërkoi me leshqe e ujë të ngrohtë sa iu skuq lëkura. E fshiu me kujdes dhe e lyeu me vaj ulliri që kishte aromën e livandës dhe zhumbricës, pastaj ai u vesh me të linjta të pastra ,borë të bardha.

Ai tha se kishin darkuar rrugës.

Teuta e përcolli në dhomë të gjumit dhe qëndroi në këmbë në pritje.

Agroni i hodhi një vështrim si të donte të admironte bukurinë e saj. Vitet kalonin por ajo sa vinte e zbukurohej. Një bukuri fisnike: I njëjti trup, fidan, si në vajzëri, qafa e gjatë si e sorkadhes që ia vinin më në dukje flokët e mbledhura kurorë, balli i lartë, vetullat korb të zeza e pak të harkuara, sytë të butë si të pëllumbeshës , qerpikgjatë si krahë zogu, goja si një gonxhe trandafili e sapo çelur. Kishte në atë fytyrë butësi e bukuri femërore, por edhe krenari burrërore! E kishte pëlqyer që kur e kishte parë sefte, atë buzëmbrëmje të paharruar maji, kur pasi ishte duke u kthyer nga gjuetia e drerëve, në një çeltirë mes pyllit të lisave, në afërsi të Rizonit, hasi tre kalorës, që kishin hedhur mbi kalë një drenushe të vrarë. Ngau me trok dhe i arriti. Kur i kthyen përshëndetjen, njeri nga zërat iu duk femëror. Nuk ishte gabuar. Kur e pa, me harkun krahë-qafë dhe kukuren e shigjetave në sup, bukuria e saj e verboi si të kishte parë diellin në sy.

-Mos je Thana e pyllit që ke dalë për gjah? Mos më thuaj që atë drenushë e ke vrarë vetë!

-Jam Teuta, bija e fisnikut Ademar , zot i Rizonit dhe drenushën e ka rrëzuar shigjeta e shkrehur nga harku im!

Qe përgjigja.

-Po ti, mos je Medauri,i shndrruar në kalorës me ushtë, kukure e shigjeta dhe me ushtë e shpatë, ke zbritur në pyjet tona?

-Jam Agroni, biri i Pleuratit,mbretit ardian të Ilirëve!

-Ato përralla kallzoja ndonjë tjetre, -tha ajo dhe i grahu kalit që u turr linkthi përpara.

Ai e ndoqi pas dhe me gjithë shpurën e tij të kalorësve, trokiti si mik në kullën e bujarit Ademar

Teuta, që kishte hequr petkat e klorëses, hyri në odën e madhe e veshur me xhubletë të bardhë, me fundin si këmbanë dhe jelek të qëndisur që i vinte në dukje belin e hollë dhe gjokset e bukur që i kërcenin nën jelek. Ajo bëri sikur nuk ishin parë dhe i uroi princit të ri mirseardhjen. Ai u shtang nga bukuria e saj, oda u ndrit si të kishte hyrë dielli. Kur ajo i buzëqeshi, atij në faqe e në shtat i hipi një zjarrmi turbulluese, zemra i shpeshtoi rrahjet, iu bë që ajo ishte zana e gjallë e burimeve të bjeshkëve që kishte zbritur në atë kullë. Ishte si në një ëndërr. Të nesërmen, në ikje, ajo i përcolli deri te porta dhe i dhuroi një buzëqeshje të hirshme prej çapkëneje. Veshur me xhubletën e bardhë të qëndisur me gajtan të zi, dukej si një lule zambaku. Sytë i ndrinin. Kishte në ata sy pështjellim, druajtje, gëzim të brendshëm e të heshtur, pëlqim dhe grishje.

Kur Agroni u kthye në kështjellën e Rizonit buzë detit,Teuta si shqitej nga mendja dhe sytë. Dërgoi shkesin e i kërkoi dorën të atit të saj . Bujari Ademar, para se të jepte fjalën, deshi të bisedonte me princin dhe shkoi në kështjellë.

-Jam i nderuar për kërkesën dhe lumturohem kur e mendoj se bija ime do të jetë nusja e princit trashëgimtar. Por para se të jap fjalën dua të di mendimin e mbretit Pleurat dhe e dua nga ai kërkesën për dorën e bijës sime,Teutës.

Pasi u mendua pak e mbeti në ndërdyshje, ta thoshte apo jo, ai vijoi:

-Princi im,Teuta ka lindur gabimisht vajzë. Ajo kalëron si më i miri i kalorësve, gjuan me shigjetë si më i miri i harkëtarëve, gjuan dhe vret egërsirat si më i miri i gjuetarëve. Krenaria e saj nuk ka kufi, është e papërmbajtur në zemërim, dhe si ta them kryekcyeme , nuk prapset pa e aritur atë që dëshiron dhe nuk i hap rrugë askuj në të drejtën e saj. Kur i hipën dalldia dhe zemrimi duhet t’ia shtrëngosh frenat fort që ta përmbash. Gjithësa thashë, ne ia pranojmë, jemi mësuar, është bija jonë dhe ne krenohemi me të. Pranon princi I sotëm ,mbret I nesërm që, kjo vashë megjithë sa thashë, të jetë zonja e tij? Druaj se mos pa mbushur java, e hipën në anije dhe na e kthen në Rizon!

-Ademar fisnik, më duket që e teproni, ndoshta ngaqë nuk u vjen mirë të ndaheni nga bija juaj që siç duket e doni tepër. Siç ia pranoni ju që e keni bijë do t’ia pranoj edhe unë që do ta kem zonjën time, siç jeni mësuar ju, do të mësohem dhe unë! Por edhe ajo me mua, se edhe unë kam huqet e mia. Sa për ato frenat, di dhe unë ti shtrëngoj, por s’besoj të lindë nevoja.

-Biri im, vajza është fat i botës, nderi i saj është në derë të burrit, mos sot, nesër , për diku ne do t’a përcjellim. Bëj sitë këshillova ……

Por ah, ajo s’i dha dot fëmijë, një djalë, qoftë edhe një vajzë, që do të trashëgonte mbretërinë.

Këtë e bëri më pas, gruaja e dytë e motra e saj, Triteuta që i lindi Pinin. Ajo e pranoi në heshtje këtë zgjedhje, motrën shemër, që ndanin të dyja shtratin me mbretin. Teuta, mendoi Agroni, ishte shumë e bukur, e mençur, ambicioze dhe krenare. Ashtu siç kishte thënë i ati. E denjë për grua mbreti. I pëlqente të përzihej në punët e mbretërimit dhe intrigat e oborrit. Ajo dinte të ruante vendin e gruas së parë, merrte pjesë në mbledhjen e këshillit, dhe kur duhej i rrëfente vendin edhe së motrës, paçka se ajo ishte nëna e pasardhësit.

Triteuta ishte ndryshe, nuk kishte hiret e së motrës,Nuk ishte e bukur,por ishte e pashme, fisnike, por e mbyllur dhe e ndrydhur në vet-vete, fliste vetëm kur duhej. Pas lindjes së djalit, Pinit, e lumturuar, u dha shumë pas tij, u tërhoq mënjanë , në hije , dhe tok me dadon dhe shërbenjëset e shumta, u mor me rritjen e të birit. Mbretërimi dhe mbretërija s’ishin punët e saj.

-Nga kjo udhë nuk u kam sjellë dhurata,-u kujtua t’i thoshte.

Ajo si mbi gjemba,megjithëse se jepte veten, priste nga mbreti i saj, aty në mes të dhomës, e dëshiruar , një shenjë, një fjalë një shikim dashamirës e lakmues që të bëhej pjesë e shtratit të tij atë natë, të gëzonte përkëdheljet , miklimet e dashurisë pas shumë dit e net pritjeje.

Si t’i lexonte mendimet, ai u afrua i buzëqeshur, ashtu trupmadh dhe i fuqishëm. Edhe ai e dëshironte dhe donte të gjente prehje në butësinë ,aromën e lëkurës dhe ngrohtësinë e shtatit të saj. I hoqi nga supet pelerinën dhe pastaj tunikën e linjtë. Ajo kishte bukurinë e një shtatore mermeri, lëkura e saj e ngrohtë, me ermirim të veçantë, nën dritën e pishtarit ndrinte me reflekse qelibari. Një dorë ia vuri nën gjunjë, tjetrën në shpatulla dhe e ngriti hopa, pastaj e uli me kujdes në shtrat, si të tutej mos ajo thërrmohej. Teuta fërgëlloi, një rrymë drithëruese i përshkoi shtatin kur ndjeu frymën e tij të ngrohtë që i çiku faqen dhe i hodhi duart në qafë.

Ai vërtet nuk i kishte sjellë dhuratë, por po i dhuronte veten.Që të dashurosh duhet të dhurosh. Edhe ajo po ia kthente dhuratën e dashurisë me magjinë e shtatit të saj dhe thesaret që fshihte në të.

E harroi mbretin, iu dha burrit.



Vijon

No comments: