Sunday 16 February 2014

Fadil Kepi, njohës i legjislacionit shqiptar i përgjigjet disa pyetjeve të gazetarit Fran Gjoka



Intervistë

Fadil Kepi, njohës i legjislacionit shqiptar i përgjigjet disa pyetjeve të gazetarit Fran Gjoka


-Duke ju falënderuar që pranuat t`ju intervistoj, dëshiroj t`ju kujtoj se kemi 40 vjet që njihemi nëpërmjet gazetës “Mësuesi”. Çfarë janë për ju 40 vjet pune?

-Zoti Fran, ju falënderoj shumë për intervistimin tuaj, që jeni një figurë  e nderuar e arsimit jo vetëm në Qarkun e Lezhës, por dhe në shkallë vendi me shkrimet tuaja në revistën “Mësuesi”, si dhe në mediat e tjera.

-Pas mbarimit të Universitetit të Tiranës, gjithë jetën kam qenë me fat sepse kam punuar në disa institucione e qendra pune me drejtues të mençur e të aftë nga të cilat kam përfituar shumë. Kështu, në shtator të vitit 1963, nisur nga rezultatet, u emërova asistent pedagog i statistikës në Fakultetin e Ekonomisë ku jepnin mësim profesorët e nderuar Hekuran Mara, Vladimir Misja, Aristotel Pano, Fiqiri Sheri, autorë tekstesh e më vonë akademikë dhe mbas pak muajve, specialist në Drejtorinë ekonomike të Ministrisë së Arsimit, Kulturës e Sporteve për rreth 10 vjet dhe njëkohësisht pedagog i jashtëm në fakultet. Ky fat më shoqëroi edhe në Ministrinë e Arsimit, Kulturës dhe Sporteve,  duke filluar nga Ministri i aftë, dinamik, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë Thoma Deliana, zëvendësit e tij të urtët dhe të mençurit Kadri Baboçi e Bedri Dedja, specialisti e komentatori i parë i futbollit Anton Mazreku, trajneri  i suksesshëm i ekipit kombëtar Zyber Konçi, etj. nga të cilat përfitova shumë nga përvoja e tyre, stili dhe metoda e punës, nga ku punova 8 vjet.
-Meqenëse, në ministri, fillova punë direkt nga Fakulteti sipas rregullave duhet të qarkulloja dhe u emërova drejtor i Bazës të Furnizimit për Arsimin, Kulturën dhe Sportin në Durrës, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm në arsimit, kulturës dhe sportit që tashmë i doja shpirtërisht dhe kështu në vitet 1978-1988, punova Drejtor i Institutit të Arkave të Kursimit dhe Sigurimeve në Ministrinë e Financave me ministër financierin e aftë e të njerëzishëm Niko Gjyzari, në të cilin dhashë kontributin tim për rritjen e ndjenjës së kursimit dhe depozitimin e mjeteve monetare në banka në të cilat kishte siguri, ruhej me ligj sekreti i shumave, u bë e mundur që lekët pavarësisht se depozitoheshin në një rreth, në raste nevojash mund t`i tërhiqje në të 27 rrethet e Republikës.

-Këto arritje i bënit të njohura nëpërmjet mediave?

-Në saj të bashkëpunimit me Radio Tiranën, me gazetarët e talentuar si Agron Çobani, Alfons Gurashi, Lulzim Vejsiu etj, bënim emisione të shpeshta edhe për domosdoshmërinë e sigurimit të jetës gjatë udhëtimeve me tren, autobus, shtëpive  private, bagëtive dhe kulturave bujqësore me ish kooperativat bujqësore për mbrojtjen e tyre nga faktorët atmosferikë të paparashikuara si përmbytjet, zjarret, rrufetë, breshëri, rrëshqitja e tokës, shtrëngatat, etj.


                         Një foto me z.Fadil Kepi


-Këto lidhje me mediat i mbajtët edhe kur u emëruat  drejtor i Sigurimeve Shoqërore të Tiranës?

-Në vitet 1988 deri 1996, përsëri qarkullova me detyrë drejtor i sigurimeve shoqërorë të Tiranës, prapë kisha lidhje me sigurimet e organet e medias së shkruar dhe elektronike dhe përsëri me një bashkëpunim me ritëm më të lartë me Radio e Televizionin Shqiptar, tani për t`u shpjeguar shqiptarëve, brenda e jashtë vendit, përmbajtjen e ligjit të sigurimeve shoqërore që u miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 1.10.1993, i cili pati shumë ndryshime me ligjin e mëparshëm, për kushtet dhe dokumentet që duheshin plotësuar për të përfituar pensione në Shqipëri edhe atyre që shkuan në emigracion. Në vitet 1991 si rrjedhojë e ndryshimeve demokratike shumë qendra pune si minierat, kombinatet e tekstileve, SMT, ish kooperativat e ndërmarrjet bujqësore, etj, u mbyllën dhe duheshin pritur e sqaruar hallexhinjtë brenda e jashtë orarit për daljen në pension të plotë ose të pjesshëm, duke e vrarë mendjen ditë e natë që të sigurohej dokumentacioni i nevojshëm që asnjë të mos mbetej pa pension, dhe përsëri këtu më erdhi në ndihmë media e shkruar dhe elektronike, gazetari i mirënjohur i Radio Tiranës Pirro Ruvina me të cilin kemi zhvilluar mbi 2 mijë emisione, në Radiotelevizionin Shqiptar, Shkodër, Pogradec, Lushnjë, Kavajë, etj dhe të gjithë televizionet e Tiranës. Vlen të theksoj dhe ndihmën e madhe dhe intervistat direkte të drejtuara nga zëvendës - drejtoresha e Përgjithshme e Televizionit Shqiptar Antoneta Malaj dhe gazetari i kompletuar i TVSH Bajram Hoxha. Për problemet e pensioneve kam shkruar dhe vazhdoj të shkruaj po thuaj në të gjitha gazetat, por veçoj këtu “ Revistën “Mësuesi” me të cilën jam bashkëpunëtor prej 45 vjetësh, me kryeredaktor mikun tim Andon Andonin dhe gazetën “Telegraf” me të palodhurin dhe dashamirësin e pensionistëve drejtorin  Engjëll Musai.

-Mund të na thoni diçka për kontributin tuaj në problemet që kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore dhe ku juve jeni një ndër njohësit dhe personalitetet më të njohur të vendit?

- Aktualisht popullsi prezente në vendin tonë ka rreth 2,9 milionë banorë dhe 1,5 milionë janë në emigracion, dhe nga këto ka rreth 600 mijë pensionistë, nga të cilat rreth  ose mesatarisht çdo familje ka një pensionist dhe nga numri i përgjithshëm rreth 60 mijë janë pensione familjare që u kane vdekur prindërit dhe 50 mijë invalidë të plotë e të pjesshëm.
-Çdo vit dalin në pension 16 - 18 mijë vetë përfshi dhe emigrantët.
-Balzaku ka thënë: “Atë që duhet të dimë më shumë dhe njohim më pak, janë ligjet”. Kjo më ka detyruar moralisht që mbështetur në legjislacionin në fuqi të sigurimeve shoqërore dhe përvojën e fituar si drejtues e zbatues i ligjit të pensioneve të shkruaj në media e të shkruaj libra për t`u ardhur në ndihmë konkretisht shtresës së nderuar të pensionistëve të cilët hasin problemet të shumta për saktësimin e viteve të punës në ato qendra pune që ata kanë punuar si hidrocentralet kut sot të gjithë e dinë se nga ajo punë e mijërave punëtorëve e specialistëve, ne furnizohemi me energji elektrike, një pjesë e atyre që kanë plotësuar moshën e pensionit  ndonjë nga “zyrtarët” pa u menduar mirë i përgjigjet: janë djegur regjistrat e qendrës së punës, megjithëse ke librezën e punës duhet ta vërtetosh me dëshmitarë se ku punuar etj. Më shqetëson fakti se nga mosnjohja me themel e legjislacionit, nga mos-angazhimi sa duhet i disa punonjësve, ka shuma sorollatje subjektive, që sjellin pakënaqësi, strese, ulin padrejtësisht nivelin ekonomik të 60 e 65 vjeçarëve e të familjeve të tyre të cilët një pjesë të pensionit e përdorin për barna mjekësore? Përmbledhja e fundit e “Legjislacionit të Sigurimeve Shoqërore” botuar në vitin 2010 ka 610 faqe, ndërsa fjala “PENSION” ka 7 germa, pra mesatarisht një germe i takon 88 faqe shpjegime ? A nuk janë shumë ?
-Të marrësh pension të plotë duhet të kesh 35 vjet punë të siguruara, kur nga statistikat e gjendjes civile mosha mesatare e gëzimit të pensionit është 25 vjet ose 10 vjet më pak dhe prapë të sorollatesh ?
-Pa mohuar aspak punën që bëhet nga kolegët e mi të sigurimeve shoqërore sidomos në drejtim të informatizimit të veprimeve, përballimit të punës voluminoze për  rritjet e pensioneve që iu bënë nga 1 gushti i këtij viti, ka mjaft mangësi në kuptimin e zbatimin e ligjit, vonesa në caktimin e pensioneve, tej afateve vendosura nga Këshilli Administrativ i ISSH,etj. të cilat i lexojmë në gazeta, i shohim në televizione e në dyert e gjykatave, Avokatit të Popullit,etj.
-Këto më kanë detyruar i dashur Fran, ti evidentoj këto mangësi t`i analizoj e jap përgjigje në median e shkruar e elektronike dhe të botoj deti tani 4 libra me karakter praktik për pensionet mesatarisht me 150 faqe, dhe në librin e fundit të cilin e kam në përfundim do të ketë formatin e xhepit me 100 faqe.

-Jeni zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Si e keni menaxhuar mandatin e popullit gjatë atyre viteve?

-Mbasi punova rreth 7 vjet drejtori i sigurimeve shoqërore të Tiranës, në maj të vitit 1996, kur ish 55 vjeç, fitova si deputet i Partisë Demokratike me 68% në zonën time ku kam lindur e jam rritur, legjislaturë e cila për arsyet që dihen zgjati rreth 14 muaj deri në  fund të korrikut 1997, mbasi u bënë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe unë nuk rikandidova.

-Më pas, cila ka qenë veprimtaria juaj?

-Kaluan vetëm pak ditë dhe u ftova nga ish Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Mustafa Kërçuku të jem pjesë e stafit të tij, me detyrën e Kryespecialistit dhe pasi punova 3 vjet, Kryetari i Akademisë së Shkencave Akademiku Ylli Popa më ftoi të konkurroja për detyrën e Shefit të Sektorit të Përgjithshëm në atë institucion, ku punova deri në moshën 68 vjeç, dhe tani që jam 72 vjeç prind e gjysh nga vajza e djali  të dy të arsimuar e të suksesshëm në punë me dy mbesa dhe jam i lumtur bashkë me gruan që e kam të një profesioni. Vazhdoj të jem studiues i rregullt i Bibliotekës Kombëtare, ku drejton me kompetencë shkencëtari Aurel Plasari me një staf të përgatitur profesionalisht, që u shërbejnë lexuesve me kulturë e devotshmëri. Aty, studioj jo vetëm ndryshimet e legjislacionit shqiptar dhe më gjerë.
-Çdo vit, me kërkesën e fakulteteve, drejtoj tema diplome të studenteve për problemet sociale, dëgjoj me vëmendje mendimet e tyre për përsosjen e mëtejshme duke kërkuar më të mirën krahasuar me vendet e tjera më të zhvilluara dhe nga ngarkesa që kam më duket se nuk kam dalë në pension.

-A zemëroheni ndonjëherë?

-Ju pyesni me të drejtë a zemëroheni ndonjë herë ? Po, por më shumë me veten, kur lexoj shkrimet e mija apo shikoj në ritransmetim bisedat ne mediat elektronike dhe nuk i vë vetes notën 10 !

-Cilat nga ndryshmet që kanë ndodhur në Shqipëri në vitet e  demokracisë ju bëjnë më shumë përshtypje?

-Kënaqem kur udhëtoj nëpër Shqipëri dhe shoh ndryshime të vazhdueshme, shtëpi, shkolla e qendra shëndetësore të reja me ujë e energji elektrike, që me liberalizimin e vizave jemi afruar shumë me fëmijët emigrantë,që numri i automjeteve, celularëve, pajisjeve elektronike, etj. sipas censusit të fundit të popullsisë është shtuar shume në krahasim me regjistrimet e mëparshme. Një gjë është bindëse që ne jetojmë më mirë se prindërit tanë dhe fëmijët tanë po jetojnë më mirë  se ne dhe ky është suksesi i zhvillimit spiral të shoqërisë. Numri i nxënësve e studentëve në rritje brenda e jashtë vendit duke u ballafaquar çdo ditë me arritjet botërore në çdo fushë të jetës e sidomos në elektronikë është një garanci për ecjen përpara, me gjithë problemet e mangësitë e përditshme që na shqetësojnë e na ngarkojnë me strese, ku secili duhet të shohë edhe përgjegjësinë e tij.
-Falë prindërve të mi, jam mësuar të punoj që në moshë të vogël, por dhe në konvikte ku kam kaluar 8 vjet mësues e edukatorë na mësuan të jemi të zotë të vetvetes, të pastronim mjediset ku mësonim e jetonim, të gatuanim e hekurosnim. Administratorja e shtëpisë është gruaja, ajo blen e gatuan, dhe unë ha dhe e falënderoj për atë që bën pa i bërë asnjë vërejtje, nuk pi duhan dhe asnjë nga llojet e pijeve alkoolike. Ajo ankohet ndonjë herë kur vonohem në kompjuter apo bibliotekë dhe tavolina në kuzhinë është e shtruar. Mundohem të jem korrekt me motrën, vëllezërit, farefisin, shoqërinë, e komshinjtë, por gjithnjë duke parë me kujdes edhe ndonjë gabim apo të mangësi në jetën time, të përditshme me bindjen se për sa kohë jetojmë duhet ta korrigjojmë veten.

-Vendlindja juaj është Preza e Tiranës. Do të dëshironit të na shpjegoni diçka rreth Prezës si një vend i dëgjuar historik?

Komuna e Prezës bën pjesë në prefekturën e Tiranës, ka rreth 7.000 banorë dhe përbëhet prej 7  fshatrash: Preza Kala, Gjec-Kodër, Fushë – Preza, Ahmetaqi, Palaqi, Ndërmejtas dhe Bregu i Shkozës. Kryesisht janë banorë  autokton të fshatit por  edhe një pjesë të ardhur nga rrethe e shtete të tjera, përfshi këtu dhe gjermanë, italianë, etj. Regjistrimi më i hershëm i popullsisë banuese në Prezë njihet viti 1703 me rreth 900 banorë. Preza kufizohet me rrethin e Krujës dhe të Durrësit.

                                       Kalaja  dhe sahati i Prezës

Kalaja ku po zhvillojmë sot bisedën është 277 metra mbi nivelin e detit. Sipas disa historianëve dhe arkeologut austriak Prashniker ajo ka filluar të ndërtohet 2400 vjet më parë. Kalaja ka gjatësi 80 metra dhe gjerësi 50 metra dhe trashësia e mureve është rreth 1,4 metra. Humanisti i madh shqiptar Marin Barleti në librin e tij “Histoia e Skënderbeut” të shkruar italisht në vitet 1508-1510 shkruan :“Preza ose Tirana e vogël”. Pozicioni gjeografik i Prezës, vëzhgues e mbrojtës e bënë të domosdoshme ndërtimin e kalasë si pikë komunikimi me Kalatë e Lezhës, Ishmit, Krujës, Petrelës, Ndroqit e Durrsit. Nga Kalaja e Prezës duket mali i Tomorrit dhe deti Adriatik.
          Pusi afër Kalasë është ndërtuar rreth 200 vjet më parë.
Siç e shikoni në Kalanë e Prezës është ndërtuar dhe kulla e sahatit në vitet 1800-1850 ( para atij të Tiranës) ora e të cilit deri në vitin 1914 dëgjohej jo vetëm, në fshatrat për rreth por deri në Krujë dhe në afrësi të Tiranës. Albanologu gjerman Johann George Fon Hahn i cili në vitin 1853 ose rreth 160 vjet më parë e përshkruan kullën e sahatit dhe thekson se sahati në atë vit punonte.  Në vitin 1914 ora e Prezës është grabitur nga ushtritë pushtuese në luftës së parë botërore. Drejtuesit Komunës, banorët e saj dhe emigrantët prezgjanë në bashkëpunim ndërmjet tyre kanë programuar punën, kanë hartuar projektin dhe preventivin për blerjen e vendosjen e sahatit. Në vitet e luftës së parë botërore arkeologët e Institutit Arkeologjik të Vienës Austriakët Kamilo Prashniker dhe Amold Shober, kanë qenë në Prezë dhe kanë bërë rilevime dhe fotografime në kalanë e Prezës. Në librin e tyre “Kërkime Arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi” botuar në Vjenë në vitin 1919, përkthyer e botuar në gjuhën shqipe në vitin 2003, dhe promovuar në Ambasadën Austriake në Tiranë,me pjesëmarrjen edhe të Akademikëve Shqiptarë, në faqen 81 është fotografuar dhe planimetria e Kalasë së Prezës. Për vlerat historike, kalaja e Prezës është monument kulture dhe mbrohet nga shteti nëpërmjet Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë.

Mund të na tregoni disa ngjarje të ndodhura në kalanë e Prezës si dhe për disa personalitete të saj?

Në kalanë e Prezës ku jemi ne sot: Sipas historianit italian Biemmi më 26 janar 1445, është bërë  dasma e martesës  së motrës të vogël të Skënderbeut Mamicës me Muzakë Topinë nga Petrela. Nusja nga kalaja e Krujës, dhëndëri nga kalaja e Petrelës ndërsa dasma u bo në kalanë e Prezës. Rast i vetëm në historinë e Shqipërisë dhe asaj botërore. Skënderbeu, e zgjodhi Kalanë e Prezës për dasmën e të motrës jo vetëm për bukurinë natyrore të  saj, por meqenëse ishte kohë lufte në radhë të parë për besën e bujarinë e prezgjanëve, që çdo gjë të shkonte mbarë.

-Në vitet ”70” është martuar mësuesi i mirënjohur i shkollës në Prezës Kujtim Xhepaxhiu me zonjushën Fitnete Daci, sot të dy janë gjyshe e gjysh.
-Në vitin 2008 në këtë Kala nga Televizioni shqiptar është zhvilluar konkursi “Mis Shqipëria”, nga regjisori Petri Bozo.
-Shkolla e parë shqipe është ngritur në vitin 1914 dhe mësuesi i parë ka qenë Qazim Domi nga Shijaku. Për 28 vjet drejtor i shkollës së Prezës ka qenë mësuesi i merituar Gani Dervishi i cili është në pension dhe gëzon shëndet të mirë. Rast i rrallë në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht ka kopsht fëmijësh, disa shkolla 9 vjeçare, një shkollë të mesme e cila mban emrin e ish drejtorit të shkollës në vitet 1937-1941 dhe Qendrën shëndetësore.

Në këtë shkollë kanë mësuar Akademiku Bajram Preza dhe Profesor Zyhdi Dervishi dhe të tjerë e kanë përfaqësuar zonën në Kuvendin e Shqipërisë.  Mijëra nxënës, shumë nga të cilët kanë vazhduar studimet brenda e jashtë vendit me rezultate të shkëlqyera diplomuar në profesione të ndryshme punojnë mirë këtu dhe në vende të tjera.

-Ç`mund të na thoni tjetër për Prezën?

Para vitit 1914, në Prezë ka patur shkollë fetare që ndryshe quhej “mejtep” ku mësohej edhe gjuha turke. Në faqen 217 të librit të tij “Historia e Skënderbeut” lexojmë: “nën këmbët e kalasë shekullore të Prezës shtrihet një fushë shumë e bukur dhe gjanë”. Prifti, arkeologu, shkrimtari, nderuar me titullin “Nder i Kombit” Shtjefën Gjecovi, lindur në fshatin Kryezi të Pukës, mbasi e ka vizituar Prezën, në librin e tij “Besë dhe Dashni” në vitin 1902, afërsisht para 110 vjetëve ka shkruan:  “Preza ose Tirana e vogël, ta përtërinë jetën, rreshtat e pemëve dhe bukuria e natyrës ti merr mentë, e të verbon nga sytë. Në Prezë sheh gjithë nur pemësh, bimësh dhe lulesh dhe më poshtë vazhdon:
                    Prezë, o Prezë me të madhnue
                    Kah t’ za fill, unë nuk e di
                    A prej fushës me fillue
                                    A prej kodrash plot hyri ?
Preza përmendet edhe në tekstet e Historisë së Shqipërisë, Historisë së Skënderbeut, Historisë së Tiranës, me autorë, Marin Barletin, Fan Noli, Kristo Frashëri, etj.

Bukurisë së Prezës prej rreth 7 breza i kanë kënduar shumë këngëtarë si Familja  e Xon e Hafsa Zyberit në Tiranë e cila në një këngë këndon:
                  Kumuri e lalës,
          O moj qafë-zezë,
          Dil dhe prite lalën,
          O në Fushë Prezë.

Kishte të drejtë Xakja, Kmurija  mbasi shëtiti në gjithë Shqipërinë, si vend më të bukur gjeti Fushë Prezën.

Është shumë e njohur kënga tjetër popullore që ekziston e regjistruar në fonotekën e Radio Tiranës :
                  Unë ngas qetë, e ti hudh farë moj gocë prezgjane,
          Që ta mbjellim misër të bardhë moj gocë prezgjane.
               

Këngëtarja e re Olta Boka e cila ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, vajza e këngëtarit Reshit Boka është mbresë nga fisi i nderuar prezgjan Mesiti.
Artisti prezgjan Veli Caka, i cili i bie disa veglave muzikore ka marrë pjesë në disa festivale folklorike të Gjirokastrës dhe është nderuar me çmime bashkë me Abdyl Kepin.

Nga Preza kanë dalë sportistë të talentuar në vrapimet e gjata si Limon Daci, futbollistë që kanë luajtur me ekipet e para të “Tiranës”,”Dinamos”, etj.
               
Cila mendoni se është prejardhja e emrit Prezë?     

Sipas Historianëve Marin Barleti dhe Fan Noli në qytezën e Prezës ka jetuar fisi i Parthinëve. Më vonë e ka marrë emrin Mazakene, ndërsa në regjistrimin e parë të popullsisë dhe pasurisë që është bërë nga Turqit në vitet 1431-1432, Preza figuron më emrin “PRESA”.

-Cilat janë disa cilësi të prezgjanve?

-Prezgjanët i karakterizon  besimi tek zoti, optimizmi, ndershmëria dhe humori.  Janë të urtë, të dashur, bujarë mikpritës intelektualë të cilët e duan punën. Ata janë bujq, blegtorë, vreshtarë, bletërritës, artizanë të shkëlqyer ose më shkurt prezgjanit “çfar i sheh syri ia bën dora”. “Toka ka thënë shkencëtari Adam Smith është nëna e begatisë ndërsa puna babai i saj”. Në Prezë gjen në punë edhe mjaft fëmijë gjatë pushimeve verore, pensionistë sepse në bujqësi, blegtori ka punë për të gjithë. “Puna ka thënë një filozof frances largon stresin, mërzinë, vesin dhe varfërinë”.
Po përmend vetëm dy shembuj: -Një nga bujqit më të dalluar ka qenë Selë Bala, me një dorë i cili e sfidoi pensionin e invalidit të cilin megjithëse i takonte nuk e morri asnjëherë por u bë shembull për të rinjtë e Prezës.
-Një tjetër komshi i tij Ali Kurti mbi 90 vjeç, punon si blektor dhe bletë rritës, ka marrë pjesë në panairet konkurruese të rritjes së deshve dhe është nderuar me çmim në Lezhë. Një ditë shkon dhe takon dentistin e fshatit dhe i thotë: kom një hall të madh, “a mund të mjekosh një dhëmballë të dashit që e ka të sëmurë” ?.
Mjalti që prodhon Aliu me bletët e tij është pëlqyer  jo vetëm në vendin tonë por dhe nga një familje gjermane që banon komshi me Aliun prej 15 vjetësh. Veterineret thonë se janë të rralla rastet që delet lindin qengja dy herë në vit, por Aliut kjo me delet e tij i ka ndodhur shpesh.
                Shumë familje prezgjane i hapën dyert vëllezërve kosovarë në vitin 1999.
                Prezgjanët e hershëm e kanë konsideruar tokën të bekuar dhe kanë ditur ta vlerësojnë e ruajnë atë. Shtëpitë e banimit i kanë ndërtuar në kodrën e mbjellë me ullinj dhe pemë të tjera frutore, ndërsa ditën punonin në arat e tyre, por vitet e fundit fatkeqësisht toka është shpërdoruar jo vetëm me ndërtimin e shtëpive të reja, por edhe lokaleve, lavazheve në tokën e bukës, etj. duke e shpërdoruar atë.
                Profesor Kristo Frashëri shkruan se në vitin 1769 nga Durrësi janë eksportuar 2.600 fuçi vaj ulliri dhe 1.400 dengje duhan të prodhuar në Prezë, Ndroq, Krujë, etj.
Pëlhurat e prodhuara  në Prezë me vegjë dhe qëndismat artistike nga vajzat e gratë, janë shumë të bukura me vlera artistike dhe të kërkuara në tregjet brenda e jashtë vendit.

-Diçka për ndarjen administrative të Prezës?

Shumë historianë Tiranën e përmendin si qytet dhe Prezën si qytezë. -Në vitin 1800 Preza varej nga pashallëku i Tiranës. -Nga viti 1925 deri në vitin 1947 ka qenë Komunë dhe varej nga Prefektura e Durrësit. -Nga viti 1992 vazhdon të jetë Komunë dhe varet nga Prefektura e Tiranës. -Shumica e popullsisë është autoktonë prezgjane por nga lëvizja e popullsisë ka edhe të ardhur nga rrethet e tjerë. Rreth 20 për qind e banorëve janë në emigracion, të cilët vijnë shpesh dhe disa nga ata janë kthyer dhe kanë filluar biznesin e tyre në vendlindje. Shumica e shtëpive në Prezë janë të reja, të furnizuara më së miri me ujë dhe energji elektrike, po thuaj të gjitha fshatrat janë me rrugë të asfaltuara. Në Prezë nuk ka tokë të pa punuar, nuk ka shtëpi pa lule natyrale.  Kjo ka bërë që të mos ketë largime nga Preza, por përkundrazi, prezgjanë të larguar më parë, kanë ardhur dhe kanë ndërtuar shtëpi në Prezë. Është shtuar numri i autoveturave dhe i telefonave celularë. Ka shumë emigrantë që punojnë dhe jetojnë në vende të tjera, por ka shumë dhe nga ata që janë kthyer dhe në mënyrë të suksesshme me përvojën e përfituar kanë hapur biznese në Prezë dhe rrethe të tjera. Si kudo në vendin tonë, vitet e fundit ka rënë numri i lindjeve dhe është ulur numri i pjesëtarëve në një familje. Në Prezë, në raport me popullsinë, është trevë që e karakterizon dashuria dhe respekti me njeri tjetrin e me të afërmit, sidomos në hidhërime. Edhe në Prezë thonë “hidhërimet me miq zvogëlohen, ndërsa gëzimet me miq e të afërm zmadhohen”. Mendoj se këtu ka ndikuar pozitivisht edhe feja islame e cila thotë: “ përhapni urtësinë, bamirësinë, dashurinë ndaj prindërve, të afërmve, jetimëve dhe çdo nevojtari. Mos e braktisni njeri tjetrin dhe mos u hidhëroni më shumë se 3 ditë”.

-Çfarë tjetër vlerësoni ndër zakonet e prezgjanëve?

-Nga Preza nuk ka asnjë familje që të ketë dërguar prindin në shtëpinë e të moshuarve, por janë të shumtë shembujt e tjerë që nuset e djemve i kanë shërbyer prindërve të burrit si nënës dhe babës së vet.  Një zonjë e nderuar Tixhe Mezini invalide me një dorë, meqenëse nuk kishte fëmijë birësoi nga shtëpia e Fëmijës një djalë me emrin Bashkim. Jo vetëm Tixhja e trajtoi si fëmijë Bashkimin të cilin e rriti dhe e martoi por dhe Bashkimi e trajtoi nënën që e birësoi si nënën e vet.

-Kemi dëgjuar për mjekësinë popullore në Prezë. Çfarë përfaqëson ajo?

Duke qenë se në Prezë ka shumë pemë dhe lule natyrale dhe të kultivuara është zhvilluar edhe mjekësia popullore. Mjeku i mirënjohur i dermatologjisë Kadri Kërçiku, emrin e të cilit e mban edhe një pavion në spitalin “Nënë Tereza”, vinte shpesh në Prezë, bashkëpunonte me familjen Garipi, ku nonë Moja me ilaçe popullore të prodhuara nga bimët dhe lulet e kultivuara, shëronte sëmundje si ajo e sifilizit, plasjes, etj.

-Po kuzhina e Prezës, cila është?

-Preza duke qenë historikisht qytezë, dhe të parët tanë kanë zhvilluar tregtinë e vajit të ullirit, bulmetit me Shkodrën, Malin e Zi, etj. kanë një kuzhinë të pasur dhe gjellë shumë të shijshme karakteristike. Hasudja, kabunia, byreku me qumësht, petullat me vaj ullini, mishi me nerden, pilaf me grunë të shtypur në dybek të cilin disa familje e ruajnë si relike edhe sot, është vështirë t`i gjesh të gatuara në kuzhina të tjera. Para disa vitesh, mora pjesë në një dasmë ku hoxha i fshatit martonte djalin dhe sipas traditës nuk nxori pije alkoolike dhe meze, por supë me të brendshme bagëtish, mish me zarzavate, pilaf, hasude, kabuni, bakllava  mbyllet me kos delesh. Në fund të darkës më i moshuari i sofrës uroi: Të trashëgohet djali hoxhë efendi Hakiu. Sonte na ke kënaqe me gjellë prezgjone. Kam 10 vjet që nëpër dasma ha vetëm meze.

-Çfarë vendi i ka kushtuar media Prezës dhe banorëve të saj?

Vetë Kodra e Prezës me lartësi 277 metra mbi nivelin e detit është antenë, prandaj dhe Kompanitë AMC e VODAFON, kanë vendosur antenat e tyre. Rreth 60 vjet më parë, para elektrifikimit, po thuaj në çdo shtëpi në Prezë kishte radio-galenë ndërtuar me kufje telefonike. Dhe disa familje të tjera kishin radio me vaj guri dhe disa prej tyre gramafonë, më vonë radio me bateri e deri në ditët e sotme ku familjet janë pajisur me televizorë, kompjuterë, internet, etj. Emri Prezë përmendet nga shumë historianë e studiues shqiptarë e të huaj. Televizionet e ndryshme dhe institucionet shkencore kanë zhvilluar  shumë emisione të shoqëruara me pamjet e bukura e mahnitëse të kësaj zone.

-Ka botime librash që flasin për Prezën?

-Librat e  botuara ku flitet për Prezën janë të shumtë. Vitet e fundit në Prezë ka një televizion lokal që menaxhohet nga mësuesi Muharrem Budlla.  Për rreth 2 vjet shoqata me të njëjtin emër bëri të mundur të botohej gazeta “Preza” në të cilën intelektualët e kësaj zone pavarësisht se ku banojnë brenda apo jashtë Shqipërisë me shkrimet e tyre kanë evidentuan vlerat historike, arsimore, kulturore, të traditave më të mira.

                                   X                                          x                                              x

Në mbyllje të kësaj interviste, më lejoni i nderuar Fadil të citoj vargjet e botuara në gazetën “Telegraf” nga gazetari i njohur Kristo Mërtiri dhe që mbajnë datën  e botimit më 23.7.2011.

Kjo kumurije e lalës,  Tek ky burrë i mençur,      Falen gazetarët,
Zërin ku e gjeti,          Me themele Preze,              Me një barrë shkollë,
Ja fali në Prezë,         Falen hallexhinjtë,               Kurrë s’thotë u lodha,
Vetë Fadil Kepi.        Marrin pakës rreze.            Është institucion.
 
         
                  Dy faqe gazetë,                            Unë nga Tepelena,                         
                      Mbushur me çiltërsi,                    Rashë në dashuri,
                      Njerëzit njohën Prezën,                Në kalanë e Prezës,
                      Nëpër Shqipëri                            Do ngrej një seli,

-Falënderime  për intervistën i nderuari Fadil Kepi!
-Edhe unë ju falënderoj juve dhe ju uroj punë të mbarë!

No comments: