Sunday 16 February 2014

KTHIM NË SHTËPINË QË NUK EKZISTON



P o e z i

Sejdi BERISHA

KTHIM NË SHTËPINË QË NUK EKZISTON
(Poemë, elegji, simfoni apo trembje shpirti...)

I.
Tash... 
Dua të kthehem
Në shtëpinë e babait
Ka mbi gjysmë shekulli
Nuk e gjej dot...
Oborr as dyer oborri nuk ka
Shtëpia që nuk ekziston

II.
Brenda
Pak mure e do shenja të vjetra
Por pa gjurmë të plakut tim
Përveç ngjyrave të shokës
Me të cilën brezin e trupit e ngrohte
Edhe hijes së kamishit prej qelibari

III.
Në katin e sipërm të kullës
Dritaret e vogla si etje drite
Edhe do rrjetë merimangash
Për të krijuar imazh lashtësie

IV.
Në ballë oxhaku
Në gozhdën e raftit
Ku qëndronte kafja për mysafirë
Tufë e çiftelisë kishte ngelur kacavjerrë
Edhe një copë cerge me lesh dhie
E plisi i bardhë pa asnjë gjurmë
Merrnin frymë pavdekësie

V.
Dal në divanhane
Plotë krande
Me to sorrat çerdhe kishin bërë
Zbres më poshtë
Magjja e miellit
Nga minjtë e bërë blozhdë
Duart e nënës mu kujtuan
Bukë duke gatuar
Ndonjëherë
Edhe ndonjë leqenik apo përpeq
Me kulloshtrën e lopës Kuqeshë

VI.
Asgjë nga shtëpia e babait nuk gjeta
Asgjë nga ato kujtimet
Të cilat
Në pika gjaku mendoja t’i shndërroj
E të qarkullojnë në mua
Si rrugëtim i pambarim

VII.
Diku te dollapi i bukës
Një copë sofre kishte ngelur
Por troha buke askund 

VIII.
Zbrita poshtë në ahur
Tek grazhdi i kalit pullali
Më kujtohet
Hingëllonte pas tagjisë
Me misër të bardhë
Asnjë trohë shenje
As për plehun
Me të cilin
Tokën e bënim më pjellore

IX.
Edhe në natën me terr
Diçka duke kërkuar
Në shtëpinë që nuk ekziston...
Vetëm hëna
Një cep të trapazanit e ndriçonte
Në ato dërrasa pishe
Ku babai përherë i pushonte kocat
Por edhe gjumë të mirë bënte

X.
Sillesha e sillesha
Nëpër shtëpinë që kurrë nuk e pashë
Rrapëllima e derës së odës
Nga era e furishme e moteve
Frymën e babait ma kujtonte
Me të cilën edhe lagjes i jepte gjallëri

XI.
Në arë krye fshatit
Varri i gjyshit
Vetëm dy gurë shekullor
I jepnin shenjë
Ani
Eshtrat e tij i bëjnë mirë tokës...

XII.
U ktheva tek dhoma e çerepit
Edhe aty
Asnjë shenjë djerse e sime nënë
E lypa edhe atë vendin
Ku djepi me trupin tim përkundej
Sa vështirë pa gjurmë
Çdo gjë dukej bosh
Edhe ajri që përftonte andejpari      

XIII.
Po, sa lotët më tradhtuan
Duke kujtuar ninullat e nënës
Mbi shtatin tim të njomë
E, unë...
Asnjë nga ëndrrat e saj për mua
Sikur nuk ia kam plotësuar
Në kullë vetëm veriu frynte
Të thante acari
Kurse trupin tim
Ngadalë diçka ma shkrinte ma digjte

XIV.
Tash, dua të kthehem
Po, ku...
Sa herë kam pyetur kështu
Sa herë vargje për këtë kam shkruar
Që, pa mbaruar fjalën e fundit
Ato digjeshin e përcëlloheshin...

XV.
Tash, kah t’ia mbaj
Kurrë nuk e gjeta
Kurrë nuk e përjetova
Kurrë nuk e preka shtëpinë e babait
Me rrënjë e kishin zhbi...

XVI.
Pushova pak
Pastaj preka veten
Po, për fjalë të nderit
Unë qenkam vetë babai
Preka xhamadanin
Vetë i babait është
Edhe plisi e kamishi prej qelibari
Edhe tirqit me gajtanë dymbëdhjetë fijesh
Por prapë përcëllim
Vetëm fytyrën nuk ia shoh babait
As buzëqeshjen e shikimin e tij plotë jetë

XVII.
Kthehem prapa
Prek trupin
Tash, prapë unë
Duke u dridhur si thupra në ujë

XVIII.
Ku tash...
Ku është babai
Shtëpia e tij ku është
Ani
Ndoshta është në gjakun tim
Ajo kulla e babait

XIX.
Një zë ma trembi gjumin
Bri varrit të babait
Duke fjetur kisha qenë
Kurrë më ëmbël e rehat se tash
Sipër varrit ia kisha pas vënë dorën
Si kur ia vënë trupit më të dashur
Kur e kapërthen në gjumë pa brenga
Në shtratin e jetës
Në shtratin e ëndrrave
Që të lënë pa gjumë

XX.
E tash
Kah t’ia mbajë
Ju më tregoni
Se diçka mendjen ma ka ngatërruar
Diçka shpirtin ma ka ligështuar
Diçka këmbët m’i ka rënduar...

XXI.
E tash
Tërë këto vargje që i shkrova
A janë poemë
Ndoshta elegji
A janë simfoni
Apo janë shikim i përbiruar
Nëpër birë të gjilpërës ...

XXII.
Asgjë nuk janë
Veçse trembje shpirti
Që tmerrësisht më dhemb
Për shtëpinë e babait tim
Për jetën time...

(Pejë, e martë 31 dhjetor 2013)      

No comments: