Tuesday 18 February 2014

Unikale



Vilhelme Vranari Haxhiraj
Unikale
Pjesa  8
"Jeto dhe puno për të mësuar!
Puno dhe mëso për të gjetur veten!
Nëse je vetvetja, kërko të gjesh të vërtetën!
Kur njeh të vërtetën, drejtësia të bën të duash...,
janë rrugët që të çojnë te dashuria dhe lumturia humane...!"
Vivra!
U nisëm për në Tiranë të nesërmen pasi shoqëruam vajzat në shkollë. Përsëri për ato u kujdes Valbona. Gjatë gjithë rrugës Edioni më fliste për vlerat parandaluese të kimioterapisë...
   -E di shpirt, e di efektin e saj... Jam e përgatitur për këtë betejë që duhet ta bëj për jetën. Lufta mes jetës së njeriut me kancerin është e ashpër, edhe pse nuk e ke në dorë fitoren.
   -Gjithsesi jeta është një dhuratë tepër e vyer, për të cilën ia vlen të luftosh. Në këtë botë të rreme jeta vjen vetëm një herë për këdo, ndaj dhe duhet shumë...Për këto dhe shumë arsye të tjera ia vlen që njeriu të luftojë për jetën.
  Seanca e kimioterapisë zgjati gjashtë orë. I pranishëm ishte Edioni. Nuk ndieva asnjë dhembje. Veçse sa kohë kalonte e lodhja trupore rritej dhe bëhej e jashtëzakonshme. Të nesërmen më bënë një injeksion, që më çoi në një realitet tjetër. Dy a tri orë pas tij, u nisëm për në Pogradec.    
  Ditën tjetër pas injeksionit, ndihesha e drobitur sikur më kishte kaluar treni mbi trup. Pastaj nuk isha fare në gjendje. Më dukej sikur fluturoja mes një reje të zezë , e ulur mbi një shtrat prej çimentoje. Më dhembte i gjithë trupi, deri në kockë. Më dukej sikur i kisha të plagosura të gjitha gjymtyrët dhe muskujt e trupit. Gjatë kimioterapisë nuk pata të vjella, por pasi u ktheva në shtëpi volla disa herë.
  Ndieja një ndryshim të beftë në qenien time, në psikologji dhe në gjithçka. Nuk di por për asgjë bëhesha nervoze, grindesha me veten. Gjithë kohën isha në një ankth të patreguar. Shqetësohesha pa shkak për çdo gjë. E kuptoja që ndikonte kimioterapia në trurin dhe në ndjesitë e mia. Për shkak të kimios filluan të më binin flokët dhe vetullat. Isha shndërruar në një shimpaze. Flokët janë korniza e fytyrës që përcaktojnë bukurinë femërore, atë bukuri që është aq fine e delikate. Ajo që bije në sy te një femër është trupi, hijeshija e flokëve dhe tiparet. Në një fytyrë spikasin sytë, por pa vetulla të gjata, të harkuara sipër syrit, tiparet e humbin vlerën e tyre. Isha tejet e dëshpëruar, kur sëmundja më vodhi këto dy tipare, me të cilat mburresha. Fillova të mbaja kapele. Një mbasdite, kur doli nga puna,Valbona më solli si dhuratë një paruke që dukej origjinal si flokët e mi.    
  Pas njëzetë e një ditësh bëra seancën e dytë të Kimioterapisë, gjithë analizat dhe Ecografinë. Në bazë të rezultateve të tyre varej bërja e injeksionit.
  -Ne shpresojmë që ti do të shërohesh, ndaj po ta bëjmë injeksionin,- tha mjekja kirurge.
  Pas seancës së dytë dukej sikur e kisha marrë veten, por sikur nuk mbaja mend. "Çudi! Lexoj të njëjtin paragraf disa herë dhe nuk më regjistrohet asgjë në tru. Nuk di ç'po ndodh me kujtesën time? Mos vallë po plakem? Atëherë kam një plakje të parakohëshme. O Zot edhe kjo më duhej...!"
  Valbona vinte çdo dite pas pune. E shikoja që kujtesa po më linte dhe ajo kmbëngulte që të vazhdoja rrëfimin.
  -Riprodhimi me fjalë i veprimeve të ndodhura dikur, e ndihmon fenomenin e të mbajturit mend. Madje e frenon sklerozën, Ardita.
  Atëherë rinisa rrëfimin dhe i fola vetëm për vajzat, për të cilat nuk kisha thënë asgjë.
  "-Për ato të dyja, Dean dhe Siborën, nuk besoj se do të më tresë dheu.
Nuk i kishim mushur shtatë muaj martuar dhe në mesin e shkurtit linda vajzën e madhe.
  -E gjora mama çfarë nuk dëgjonte nga llafazanet...
  "-Sa shpejt që u bëre gjyshe, moj Efgjeni?
   -E ka lindur shtatanike vajzën Ardita?
   -Mirë ia bëri të fejuarit që i vuri tevlikun në qafë, ndryshe...
   -Po nuk u vure pengoren në këmbë, nuk i mbledh dot këta djemtë e  sotëm, jo..."- njëra e hidhte dhe tjetra ia priste.
   -Ime bijë nuk ishte ndonjë e mbetur që ta mbante peng atë djalë. U dashuruan, u martuan dhe ime bijë e lindi vajzën me nder dhe me lezet. Ata të dy morën njëri -tjetrin jo për pesë ditë, por për jetë, sepse duhen. Ime bijë nuk bëri ndonjë të pabërë. Është zonjë e madhe në shtëpinë e saj...,- ishte përgjigja e nënës dhe i linte në mesrrugë të fyera dënglamëdhatë që mbajnë gjithë dynjanë në gojë.
   Fëmija jonë që e quajtëm Dea, ishte lumturia e asaj shtëpie, e strehës sonë. E qara e vogëlusjes ishte gëzimi ynë. Për dy të rinj që duhen nuk ka gjë më të bukur se sa kur bëhen prindër për herë të parë. Kur prisja të lindëte vajza e vogël, më vdiq babai. Nga dëshpërimi pata lindje të parakohëshme, ende nuk kisha hyrë në muajin e nëntë.Vajza e vogël, Sibora, u bë ilaç për të shëruar dhembjen e nënës për humbjen e të shoqit. Ajo e la helmin pas krahëve dhe u muar me rritjen e saj, kurse Dea ishte parashkollore. "
 - Valbona, kjo ishte historia ime e thjeshtë, historia jonë, imja dhe e Edionit. Jeta jonë familjare ka qenë e qetë e bukur dhe plot gjallëri, të cilën e bënin më të bukur dy vogëlushet tona. Gjatë gjithë kohës që ta kam treguar këtë jetë normale, jo e veçantë, por si e gjithë çifteve të tjerë, kam pasur një parandjenjë se do të kisha një fund të tillë.
   -Mos mendo të keqen, por parashiko dhe imagjino daljen e vajzave në jetë dhe veten tënde parafytyroje shkrimtare. Natyrisht ti do të botosh kushedi sa libra të tjerë... Do të jesh një femër e realizuar si bijë, si motër, si bashkëshorte dhe si nënë. Ti që tani je një grua e realizuar si individualitet. Nuk ka gjë më të bukur.
   -Eh çfarë dua dhe ëndërroj unë për ato të dyja, por...!
   -Dëgjo tani. Shtëpia Botuese ku punojmë ne të dyja, ka përgatitur një të papritur të këndshme për ty. Të shtunën je e ftuar familjarisht në një takim.

  ***
   "Mbrëmje... kam para meje një tavolinë, mbi të cilën është libri im i tretë. Një kopertinë e zezë si pendët e korbit, që duke nisur nga fundi dhe gradualisht kthjellohet në krye. E zeza shkrihet nga gri e errët dhe shkon në gri të çelët si gushë pëllumbi. Titulli i tij"Paradoks i kohës" në fushën ngjyrë gri të çelët spikat vishnja me hije të zezë e shkronjave, e cila duket sikur krijojnë në kontrast me fotografinë time. Por çuditërisht janë në harmoni të plotë. E zeza rreth fotos sime, duket si kornizat e lajmërimeve për vdekjen e dikujt. Edhe për mua dihet fundi, është një vdekje e paralajmëruar... Eh, sikur ta s dinin gjendjen time këta njerëz që vazhdojnë të mbushnin sallën.  
   Unë jam në buzë të humnerës, kurse shtëpia botuese organizoi këtë takim letrar, ndoshta është i fundit për sytë e fëmijëve të mi ... "Të gjithë vështrojnë nga unë si të trembur, me keqardhje dhe gjithë mëshirë. Kurse vëmendja ime është drejtuar nuk e di se ku...
   "Një ditë si kjo...është e vështirë, pasi për mua e për të gjithë pjesëmarrësit është krijuar një situatë që dhemb... Ndërsa shoh këta që e vuajnë dhembjen time, pyes veten: pse në gjithë këtë dhembje, vetëm unë ndjehem mirë tek i shoh të gjithë me radhë. Ndoshta më ndodh se kam nevojë të shuaj tensionin e rritur brenda meje... Unë po të shoh ty, i dashur ... dhe vajzat që jeni në rregull, ndaj gjej ngushëllim në buzëqeshjet tuaja dhe fryma e paqes më pushton shpirtin... "-papritur Edioni më pëshpëriti gjithë ëmbëlsi:
  -Besomë e dashur se asgjë të mirë nuk kam pa ty. Më merret fryma nga një peshë e madhe në kraharor, kur mendoj se... Jam i bindur se ti do ti durosh seancat e tjera të kimios. Duhet të më kuptosh mirë. E kam të qartë se çdo gjë është aq e vështirë për mua, kurse për ty akoma më shumë... Zemëer jepi pak kurajo vetes, të lutem mendo pak për vajzat ...O Zot, si ndihen! Sikur ua kanë prerë kokat, njëlloj si kosa kur korr barin...
  Dikur...dikur...Oh, sa larg më duket! Gjithmonë kam pritur me padurim që të arrinte mbrëmja për të shkuar bashkë në shtrat ...Kurse tani vetëm pyes ndërgjegjen: "Përse na ndodhi kështu? Pse fati na dënoi kaq rëndë? Ç'të keqe i kishim bërë Zotit që po na ndan? Ty po të mohon jetën, gëzimin e vajzave dhe mua më la për brengë...Ç'do t'u them vajzave kur të kenë nevojë për ty? Nuk di, nuk di nga t'ia mbaj...E dashur, më thuaj një fjalë..."
-Ndërsa unë gjithmonë çdo mbrëmje shpresoj që të nesërmen të mos zgjohem më ... në mënyrë që të përfundojë çdo gjë... Tortura ,dhembjet e padurueshme, ankthi i agonisë, se kur do të marrin fund vuajtjet fizike dhe ato shpirtërore. Edhe ky takim më ngjan si një angushi frymëmarrëse. Ata po flasin fjalë të bukura për librin, kurse mua më duken si shprehje ngushëllimi për jetën që po më lë dhe që nuk do të marr asgjë me vete veç pasionin tim të pavdekshëm për të shkruar. Ata nuk dinë gjë për mua, si mund ta marrin me mend se sa e dua jetën, kurse tani nuk më intereson asgjë. Dua të më marrin fund, të mbarojnë makthet. Mbi të gjitha dua që të çlirohet Edioni dhe vajzat nga ankthi i pritjes. Të gjorët jetojnë me frikë se mos bije në kllapi dhe nuk zgjohem më. Sikur ta dinin se asgjë nuk varet nga unë. Po të ishte për mua, doja që për të sëmurët që nuk kanë asnjë shpresë rihabilitimi, duhet të ligjërohet të provokuarit e vdekjes me një mbidozë... Atëherë vuajtjet si për familjarët dhe për të lënguarin, marrin fund. Një vdekje e tillë është lehtësi dhe ndihmë për të gjithë. Ndoshta ligjërisht një veprim i tillë quhet krim, por unë e quaj të domosdoshëm, sepse vdekja e menjëhershme shkurton kohën e dhembjeve të paimagjinuara. E njëjta gjë ndodh edhe për familjarët që e shohin të dergjet njeriu i tyre më i dashur dhe nuk mund të bëjnë dot asgjë për t'ia lehtësuar sadopak dhembjet. Takimi mbaroi me shumë urime tringëllima gotash për një shërim të shpejt të autores dhe sa më shumë tituj librash të botuar...
Pas kimioterapisë së tretë nisa të vjellë qysh në spital. Injeksioni më përkeqësoi fare. Kur erdha në shtëpi, iu luta Valbonës që të rrinte disa kohë tek ne.
-E di që nuk është e drejtë, të të kërkoj një gjë të tillë, sepse ti ke ëndrrat dhe dëshirat e tua, por dua të të lutem për diçka...
-Po të dëgjoj me kënaqësi, mikja ime, mësuesja ime...
-Tani jemi vetëm ne të tre, ju të dy , më të gjallë se kurrë ndonjëherë dhe unë me një këmbë në varr. Fundin tim e di unë, e di mjekësia e dini edhe ju. Ju lutem nuk dua të më ndërprisni. Fjalët shpresëdhënëse tani nuk kanë më vlerë. Kam dashur që të vazhdoja t'i rrisja vajzat me pekule. Doja t'i shikoja tek rriteshin e tek më bëheshin shoqe, lutesha që t'i gëzonim të dy sukseset dhe arritjet e tyre. Jam nënë dhe do të kem merak që vajzat e mia, Dea dhe Sibora nuk do të më shprehin dot ndjenjat e tyre kur t'u rrahë zemra për herë të parë, kur të njohin të dashurinë e tyre të parë...Nuk do të jem në këmbë që t'i shoh të veshura bukur për mbrëmjen e maturës. Nuk e di se cilin profesion do të zgjedhin, as se në cilin fakultet do të studiojnë. Nuk di se në ç'kraharor do ta mbështesin kokën në çaste dëshpërimi...Nuk do t'ua fshijë kurrë lotët e dhembjes për mungesën e nënës së tyre. Do t'u teren lotët e hidhur si litar, ende pa u tharë...
Nuk do të jem në asnjë Krishtlindje që t'u bëjë një dhuratë, në asnjë Vit të Ri dhe në asnjë ditëlindje. Nuk do t'iu rregulloj vellon e nusërisë, apo t'u varë gjerdanin në qafë ditën më të bukur të jetës së tyre, ditën e dasmës.
Për gjithë këto mosrealizime,pasi atyre do t'iu mungojë prania e nënës, po t'i lë ty amanet, Valbona. Unë s'kisha motër, por m'u gjende ti. E kam vënë re që ju të dy, ti dhe Edioni kuptoheni. Për sa kohë më ka ngelur të marrë frymë akoma, dëshiroj t'ju shohë bashkë. Nuk dua që ti Bona të jesh kujdestare e vajzave të mia, vajzave tona, por dua të të shoh si zonjë shtëpie.
Ndoshta për ty kjo kërkesë është e padrejtë, por mendoj se nëse ju shoh bashkë, ky fakt  dhe fat i jetës, do të më bëj që t'i vë shpatullat baltës e qetë dhe e lumtur. 
   -Kjo që po më kërkon është e vështirë, Ardita, u hodh përpjetë Valbona.
   -Ti gjallë dhe unë të mendoj për krijimin e një jete të re?! Më duket sikur këto gjashtëmbëdhjetë vite martese kanë qenë fars. Jo unë të kam dashur dhe të dua. Ti do të ngelesh e vetmja femër e jetës sime...
   -Mos u bëj kalama, i dashur! E kam ditur gjithmonë që më ke dashur. Por si ti, edhe shtëpia edhe vajzat keni nevojë për një dorë gruaje, për ngrohtësi femra. Këtë nuk mund ta plotësojë askush tjetër, veçse Valbona, që përjetoi bashkë me ju dhembjen time. Gjithashtu edhe ajo ka nevojë për ju sepse e ka të vështirë të çmësohet pa praninë tuaj dhe kujdesin për ju. Tani kam nevojë për gjumë...
Kur erdhën vajzat nga shkolla u fola ngadalë, secilës në veçanti.
-Unë dua t'ju shoh gjithmonë të lumtura. Ju e dini që ju diua shumë, se  jeni engjëjt e mamit. Sa herë të keni nevojë apo t'ju marrë malli, më thërrisni dhe unë do të vijë. E tillë është jeta. Njeriu lind, rritet, martohet, bëhet prind pastaj udhëton në një rrugë të gjatë. Edhe mua një gjë e tillë po më ndodh. Duhet ta nderoni babin, mos ia ktheni fjalën, se ai ju do shumë. Ju të dyja jeni gjithçka për atë. Kam edhe një porosi tjetër për ju. Që ju të dyja dhe babi të mos e ndjeni mungesën time, i kam kërkuar Valbonës që të qëndrojë me ju.
-Do të rri me ne?!
-Po, pse ju nuk doni?
-Ne e duam shumë Valbonën se jemi mësuar me atë.
Atë çast hyri Valbona dhe i përqafoi të dyja. I përkëdheli në një mënyrë të atillë që mua më sëmboi në zemër...Gjithsesi e mblodha veten.
-Vajzat e dinë për ty, e dashur.
-Edhe unë i dua, sipas mënyrës sime...por kurrë nuk mund t'iu jap atë që u dhuron ti aq natyrshëm. Fjala jote edhe e ashpër të jetë, për ato është bekim, është nektar, se del nga goja dhe shpirti i nënës.
Ndaj unë po flas dy fjalë për të...
Në seancën e gjashtë dhe të fundit të Kimioterapisë, ku, edhe unë, shemra e saj, isha e pranishme. Trupi i saj i drobitur, i plagosur nga metastazat tumorale, nuk e pranoi mjekimin. Në një kohë prej pesë muajsh pas operacionit, tumori i ishte përhapur në të gjitha organet. Çastet e fundit të saj ishin të tmerrshme. As shihte, as dëgjonte dhe më e keqja se nuk i bënin më efekt qetësuesit. Është e dhembshme, je i palogjikshëm, kur sheh njeriun që e do me gjithë shpirt të kalojë tortura çnjerëzore dhe nuk i jep dot ndihmë.
Një mëngjes të artë ajo u dha fund torturave e dhembjeve të patreguara dhe ra në qetësinë e gjumit të përjetshëm 
  Lamtumirë mikja ime, kolegia ime, shemra ime ! Ardita të falenderoj për mirëbesimin që më dhe. Sot jam me familje të kompletuar dhe kjo dhuratë m'u bë vetëm nga ti...Nuk di a do të mundem t'i realizoj ëndrrat e tua për vajzat ,mikja ime?! Nuk e di...,nuk e di ?! Vetëm Zoti do të jetë dëshmitar.    
Epilog
Për ty që je e vetmja dashuri e jetës sime!
  Ndoshta edhe një ditë kam për të jetuar, ndoshta një orë apo..., edhe vetëm një çast... Veçse tani që fundi po më troket, kuptoj se sa e dhembshur qenka jeta. Paçka se si e jeton, jeta është e bukur...Tani që brenda qenies sime ndiej një zgavër bosh, them se kam humbur shumë...Braktisa dashurinë e jetës sime, lumturinë e lashë në mesrrugë dhe harrova detyrën e nënës. Edioni këto vite martese më bëri shumë të lumtur, që t'i shkoj baltës e ngopur me dashuri dhe gëzim. Ndaj nuk duhej ta lija në një nga udhëkryqet e jetës. Më vjen pak çudi..., që edhe një dashuri e realizuar si e jona, u gjymtua, ngeli në mesrrugë. Thonë se njeriu që përjeton një dashuri të madhe, ose vuan ose vdes... Dhe kjo qenka mëse e vërtetë. Më vjen keq që po largohem shpejt dhe nuk i pashë vajzat e mia të realizuara. Ato ishin ëndrra që rritej çdo ditë në sytë e mi.
  I dashur, edhe pse nuk jam aty, jam larg, ndoshta në një planet apo në pafundësinë e hapësirave universale, unë të dëgjoj kur më flet... Madje edhe të përgjigjem. Mendoj se dialogu mes ne të dyve do të vazhdojë gjatë ndoshta, ndoshta në përjetësi... E di pse do të ndodhë kjo? Sepse nuk ka dashuri si e jona...
  -E dashura ime e ëmbël...Është një ditë e re pa ty ...Të tilla do të jenë ato, ku jetës tënde atje, përtej reales, do t'i mungojnë netët romantike. Kjo gjë më trishton dhe më bën të qaj. Nuk di pse jeta më duket pa ngjyra dhe shoh vetëm gri...pa praninë tënde.
  -Jeta ime, jam shumë larg teje, larg juve që ju dua si asgjë tjetër në botë.
 Ndoshta tani gjendem në lartësi të mëdha dhe ende jam duke fluturuar, por të betohem se unë do të kthehem...
   -Këtë nuk e di, nuk jam i sigurt, por kujtimet e tua janë ende shumë të brishta, tejet të freskëta në këtë ditë të lindjes tënde që e festojmë pa ty. Sa shumë e ndiej mungesën tënde, sidomos sot se kjo është ditë e veçnatë, e dashur.
   Ti nuk e di, por Valbona gjithçka që i ke treguar, e kishte të regjistruar. Mendimet e tua i hodhi në letër dhe bëri një roman... Natyrisht me autorsinë tënde, të cilin sot në ditëlindjen tënde po e përurojmë...
 Janë mbledhur shumë miq e shokë. Tani që ti nuk je e pranishme fizikisht, shoh se sa shumë të kanë dashur. Prania e shumë dashamirësve flet për diçka të tillë...Tani më shumë se kurrë e kuptoj se ti ishe drita e syve të mi. Ti ishe koha ku regëtinte zemra ime, shpirti yt dhe jetët e brishta të vajzave tona.
 E dashur...Ti ishe viti dhe stina, ishe pranvera e vera, ishe vjeshta e dimri, ishe nata e dita, ti ishe mëngjesi e mesdita, ti ishe gjumi e ëndrra, pra  ti ishe gjithçka që ka emrin jetë bashkëshortore. Ndoshta sot qiejtë kanë hapur portat e parajsës dhe ti që andej e shikon vlerësimin që po të bëjnë kritika dhe lexuesit. Kjo më bën të jem mirënjohës dhe krenar për ty, e dashur...  
  - I dashur, arsyeja e vetme për të shkruar këto pak rreshta, vetëm sepse dua që të marrë me vete dhe ta ruaj deri në fund çdo frymëmarrje tuajën. Dashuria jonë ngeli e brishtë e dëlirë deri në çastin kur mes nesh hyri krimbi vrastar i kancerit. Ti më mësove të ëndërroj, më bëre tjetër njeri, një femër me botë të madhe. Më vjen keq që nuk arrita të isha ajo që ëndërroje ti
   -Zemër ti i ke dhënë kuptim kohës. Jeta me ty ishte si një këngë, edhe pse herë-herë na bënte të derdhnim lot. Ndoshta e mban mend kur të kam thënë se për ty ka vetëm lindje. Njerëzit si ti nuk vdesin.
   -Ishe ti, dashuria e jetës sime që më bëre të njoh dhuntitë dhe pasionin tim, të cilin e ktheva në vlerë. Dashuria jote dhe vajzat keni qenë gjërat më të mira që më dhuroi jeta. Ti që do t'i gëzosh duhet të jesh krenar se, kemi fëmijë të mirë...Ato janë krijesa me lëndë nga lënda jonë. Ato janë barasvlera e binomit:" Edion dhe Ardita."
  I dashur, të dyja vajzat janë esenca e ëndrrave të mia dhe realizimi i ëndrrave tona të përbashkëta...,se pa ato jeta dhe familja nuk kanë kuptim.  Sot do të doja gjithë fjalët e botës që të më pëshpërisnin për vajzat e mia se si do të jenë nesër kur unë do të kem udhëtuar larg ,shumë larg nga ju, në atë rrugë pa kthim. Por e di se as ato fjalë apo ligjërime nuk do të ishin të mjaftueshme. Sot do t'i lutesha Zotit që nga e gjithë bota të më dhuronin përkëdhelitë e gjithë nënave për të qetësuar shpirtrat e njomë e të dëlirë të dy vogëlusheve të mia. Vajzat e mia, malli im i cunguar, prej mungesës së të cilit ato do të zhuriten, ndaj më dhemb shpirti. Ato ishin dhe janë pasuria ime që kujtoja se do të ma mbushnin gjithë jetën me gëzim, por...
  E di që ato janë të bindura se si nëna nuk ka. E ndiejnë se nëna qëndron mbi të gjithë, sepse është unikale. Vetëm nga një nënë lind jeta e çdo fëmije. Sa shumë kam dashur që t'ua provoja këtë gjë me dashurinë, përkëdhelitë dhe me vetmohimin tim, por fati im tashmë është vendosur...
  Që tani e ndiej shikimin e mjegulluar në sytë e mi të rrudhur nga mundimi. Ndërsa kërkoj ta heq atë maskë si perde të hirtë që më ka zënë shikimin, sytë diçka kërkojnë në terrin që më ka rrethuar, por nuk gjejnë ato portrete të dashura, të cilave u njoh çdo detaj. A ka ndonjë zë misterioz që të më thotë se jeta e tyre do të jetë e bukur? Tani në mendje kam një listë aq të madhe dëshirash për vajzat e mia, sa nuk di ç'të kërkoj, pasi s'gjej dot as radhën në numrin e shumtë të kërkesave. Ato kanë qenë ajri që më mbushnin me frymë. Ishin gëzimi dhe lumturia e jetës sime të shkurtër. Ishin vuajtja, shlodhja dhe gëzimi im. Të dyja kanë qenë ëndrra, pasioni, qetësia dhe lumturia ime si nënë. Kur ishin të vogla më zgjonin nga gjumi...më vonë thosha se kur të rriten do të më lenë pa gjumë...Mjerisht unë nuk e arrita këtë sakrificë sublime të prindit. Koha e kujdesit tim prej nëne, m'u mohua... Pagjumësinë po ta lë ty, Edion. E di që ti do t'ua bësh jetën të lehtë dhe të bukur, që atyre të mos u mungojë asgjë, por edhe ti e di mirë, se asnjë baba në botë, nuk u bë dot nënë. Ndaj fëmijët pa nënë janë si nata pa hënë. Ata marrin vetëm gjysmën e gëzimit, se gjysma tjetër do t'u mungojë...
  Ka njerëz që vuajnë ekonomikisht, u mungon edhe buka e gojës, por ama jetën ua ka kursyer Zoti. Jam e lumtur për ata që e jetojnë jetën mjaftueshëm, aq vite sa për të shijuar gëzimin që të dhurojnë fëmijët kur dalin në jetë dhe pastaj bëhen me familje më vete.
  Kurse unë i kisha të gjitha...Mbi të gjitha fati më kishte dhënë për bashkëshort një njeri të mrekullueshëm.
 Edion...!
  Dashuria e vetme e jetës sime, a më dëgjon?
Ishe ti që më bëre bashkëshorten më të lumtur në botë dhe tani jeta ime është ngërthyer në kthetrat e ftohta të vdekjes. Vdekja është kob që sjell ters...
   "-Ti nuk do të vdesësh, do të transformohesh dhe shpirti yt do të jetë përherë pranë vajzave të tua, "- më pëshpërit një zë. Ndoshta është Zoti... Ndaj dhe sot unë jam këtu. Të kisha premtuar ty dhe vajzave se do të kthehesha një ditë dhe u ktheva për ato të dyja, për ty, i dashur dhe për Valbonën, së cilës i jam mirënjohëse. Dua që ato ta ndiejnë praninë time, shikimin, buzëqeshjen dhe dorën e ngrohtë të nënës.
  Shikoni, shikoni, ju lutem! Ato po më kërkojnë me sy në hapësirë...Kurse unë jam mes të dyjave, u kam hedhur duart mbi supe ...që ato të më ndiejnë pranë dhe të mos kujtojnë se i kam braktisur...Ato dy engjëllushet e mia të pafajshme, me vështirësi kapërdijnë lotët dhe janë të lumtura që unë e mbajta fjalën, erdha...erdha vetëm për ato...
  Ju lutem, o njerëz të mirë, më thoni : "Cila nënë nuk do të ngrihej nga vigvdekja vetëm për t'i dhuruar një çast lumturie, ose vetëm një buzëqeshje a ledhatim fëmijës së saj që e ka lënë me kokë mënjanë?!"
  Pastaj..., oh pastaj... ato dy vogëlushet e mia, me shikim malli të etur drejt hapësirës pa fund, kërkojnë imazhin e asaj që u mungon dhe belbëzojnë sa vetëm veshët e mi i dëgjojnë: " Mami, mami erdhe? Je këtu në këtë përurim të librit tënd...? Oh, mami, sa shumë të duam! Ti nuk e di sa na ke munguar. As tani që je këtu me ne, nuk e kupton dot, nuk e merr me mend se sa na ke gëzuar?! Sot më shumë se kurrë e mësuam se shpirti i nënës qëndron pranë fëmijëve të saj. Pasi e dimë mirë se mes nesh ekziston një lidhje me fije të padukshme të formuara me gjakun, mishin dhe qumështin tënd... Tani e besojmë se nëna është Unikale..." -përfundoi leximin Valbona me sy të vagëlluar dhe zëdridhur.
   -Kjo ishte jeta dhe malli i një nëne që ngjason si dy pika uji me gjithë jetët e vetmohuara të nënave në gjithë botën. Ju falenderoj nga shpirti për praninë tuaj në përurimin e këtij libri, sepse nderuat kujtimin e një gruaje të veçantë dhe një nëne të mrekullueshme. Unë, si Valbonë, si mike dhe kolege e falenderoj nga zemra Arditën ,se kam mësuar shumë prej saj. Kam dashur t'i ngjaj në gjithçka, por...
  Ajo ishte e rrallë si grua, një nënë e përsosur, një njeri me zemër të madhe dhe me shumë botë...për të qenë reale...Ndaj dhe vdekja nuk e la të jetonte, por e mori për ta shndërruar në Mbinjeri..
  Nuk gjen asnjë grua, aq më tepër të dashuruar si Ardita, që t'i drejtohet një tjetre duke i thënë: " Eja dhe vazhdo rrugën që kam nisur unë, së cilës i kam hedhur vetëm themelet. Jeta dhurohet vetëm njëherë, ndaj është edhe tejet e çmuar...Të lutem, mos e lërë të shkatërrohet, sepse mbi gërmadha është e vështirë të ndërtohet lumturia...Vazhdo tani që është e freskët dhe kurrë mos lejo që të vyshket bukuria e jetës! "
   I dua shumë vajzat e saj, sikur të jenë të miat... Edhe pse ishte dëshira e Arditës që e zëvendësova si bashkëshorte të Edionit, por unë e di se kurrë nuk mund ta zë vendin e saj si nënë. Për këtë jam në dilemë, se a do të jem e aftë që t'ia plotësoj amanetin e fundit Arditës?! Nuk e di...Porse edhe pse s'kam fëmijë, e di mirë se vendin e nënës nuk e zë askush...Po bëj të pamundurën që këtyre dy vajzave të mos u mungojë asgjë, por shpirti im e ndjen që atyre u mungon njeriu më i shtrenjtë...Nëna, e cila është një dhe vetëm një në botë...  
   Ndaj nëna ka qenë, është dhe në përjetësi do të ngelet...Unikale!
17- 2-2014

No comments: