Tuesday 4 March 2014

Gjethet bien në pranverë

Istref Haxhillari

Prej një jave dielli i fshihej Shkëmbit të Shqiponjave. Suferina luante melodinë e harbuar të përvitshme, grabitqarët e hapësirës nuk guxonin të dilnin nga guvat. Era përplasej egërsisht mbi gurin gjigand, e rrihte nga të gjitha anët. Fishkëllima e shtrëngatës tingëllonte pa pushuar ditë e natë.
Strukur shpellës së madhe me përthyerje të frikshme stalakmitesh, Braho Fordina vështronte kuturu kredhur në pështjellim mendimesh dhe ndjesish të ngatërruara. Kohën e çmonte me dritë dhe terr, shpesh mëdyshej nëse fekste mëngjesi apo ndehej mbrëmja.
 Ngriti sytë.
Prijësi dremiste i qetë me kokën futur krahëve. Mashkulli më i madh i lukunisë grabitqare e mori kreun e tufës me luftë. I vjetri, drobitur nga vitet, nuk e linte vendin e parisë, sfidanti duhet ta meritonte. Mbrëmjes vonë, në dritën e argjendtë të hënës, ikanaku soditi përleshjen e pazakontë me sqep e thonj, pendët shpërndarë në ajër si gjethet e panjës në vjeshtë dhe koloninë çuditërisht indiferente.
Dhjetëra shqiponja kacavjerrë majës së shkëmbit pastronin pendët, hidhnin sytë pjerrtas mbi kundërshtarët e kreshpëruar.
Goditjen e fundit prijësi i moshuar e mori në ajër përmbi kokën e Brahos. Dha frymën e fundit dhe u përplas në pikiatë pesë metra larg tij. Tjetri e ndoqi në tokë, i erdhi rrotull me krahët e hapur të gjakosur. Vështroi njeriun mbështetur përfund ahut të madh dhe fluturoi drejt grigjës. Brahua dalloi sqepin e trashë të kthyer si hundë dhe njollën e kuqërremtë në krahun e majtë të fitimtarit.
Prijësi i ri i la mbresë.
Ditët që erdhën, u panë disa herë. Sa afrohej njeriu, shqiponjat zhurmonin të egërsuara. Aty kishin vezët, të vegjlit, shtëpinë. Kur u rrek të ngjitej në shpatin jugor, mori goditjen e egër pikërisht nga prijësi i ri. Arriti në kohë të lëvizte kokën dhe mbrojti sytë. Sqepi iu ngul në shpatull rrëshqanthi, copëtoi gunën, e gjakosi. I hutuar u struk rrëzë ahut në zgavrën e hapur nga egërsirat dhe mbylli derën, thurur me degë të forta lajthie.
Të nesërmen nuk bëri asnjë përçapje.
Vuri me nge leqet.
Gjysmën e lepurit të egër zhyer me gjak e la përpara derës. Shqiponjat vështronin me kërshëri nëpër karakollet e gurta. Prijësi fluturoi nga maja e shkëmbit, qëndroi degës së ahut përmbi gjahun dhe shikoi i hakërryer njeriun. Zbriti në tokë, bëri hapin e parë, të dytë, burri nuk lëvizi. Atëhere u hodh me kërcim të gjatë, rrëmbeu prenë ndër kthetra dhe u largua triumfator.
Fitorja u përshëndet me klithma të mprehta, shurdhuese.
Mëngjesin e një dite të kthjellët pranvere, e la gjahun, dhelpër të vogël kuqalashe, afër këmbëve. Kur shpendi i shpupurisur u step tre hapa larg, ia zgjati miqësisht. Prijësi u afrua me ecjen qesharake prej çalamani dhe krahë të hapura, i gatshëm të ngrihej në ajër. Binin në sy këmbët e plota si qafa mjellmash, kthetrat ngjyrë bronzi, koka e brymtë.
E mori gjahun qetësisht dhe u largua kokulur.
Më pas nuk ngurroi, e përlau mishin nga dora e njeriut. Dy muaj zgjati loja që farkëtoi miqësinë e habitshme si rrallë tjetër mes gjallesave në botën e çartur.
 Afërsia mes njeriut e shpendit mori formë kur ikanaku pa përvojë u strehua në Shkëmbin e Shqiponjave, i vetmi vend sigurie në hapësirën përqark malit Kozic. Prijësi e donte më shumë nga sa duan njerëzit njëri-tjetrin. Syri i shqiponjave pikaste lëvizjet e  ndjekësve në largësi të mëdha. Brahua dëgjonte klithmat e shqetësuara të zogjve në çdo cep të pyllit. Me kohë mëtoi nëse rrezikohej prej njerëzve apo kafshëve të egra. Nga njerëzit mbrohej përkrye shkëmbit në shpellën e stalakmiteve, egërsirave u fshihej në guvën e ahut.
 Muajt e dimrit ushqeu koloninë e dobësuar nga të pangrënët. Grackave të ngritura mjeshtërisht binin lepuj, dhelpra, dhi të egra, thëllëza. Darka e shqiponjave asnjëherë nuk ishte shtruar kaq e bollshme.
E përshëndesnin ardhjen e tij me krakëllima të buta miqësore.
Verës u mahnit nga shaqjet e hatashme të tufës.
Orë të tëra ngulte sytë në kopshtin zoologjik të reve, ku miqtë fluturues zhvendoseshin midis koka shtazësh të përçudnuara shtresave lejla e gri në perëndim të diellit. Vjeshtës shqiponjat morën pamje të këndshme, lozonjare. Zgjatnin qafën, mprihnin sqepat  nëpër gurë, barisnin me hap mbretëreshe shullënjve shkëmborë. Drita binte mbi puplajat farfuritëse, krahët ngjyrë çeliku dhe shpërhapej me të gjitha nuancat e ylberit.
Brahua u mahnit me pamjet e grigjës.
I vështroi me kërshëri nga afër; ato kishin fytyrë. Të gjitha gati njëlloj e prapë aq të ndryshme. I ndërmendën gratë e fshatit mbrëmjeve kur tirrnin lesh me furkat e gjata dhe mbanin nëpër gojë njerëzinë.
-Oh, plaka Mine, - i regëtiu njëra me qafën e gjatë të bardhë, puplat e imëta në trajtën e bashkave të leshit, sqepin e kërrusur si hunda e saj. Ecja e ngadalshme çalthi nga këmba e majtë, i solli të gjallë anenë.
Ja dhe Tina me Ritën mendjelehtë shikonin tërë naze një mashkull shtatmadh që ngrohej shullërit plloçak. Gjeti mjaft të njohur mes shqiponjave. U gëzua sikur të dashurit e tij, shndërruar në zogj, e shoqëronin përçapjes së vështirë.
Sundimtarët e ajrit shpalosnin ndjenja delikate herë të ëmbla, herë të serta, kur shoqëroheshin në grupe dhe çiftoheshin. Kujdesi për të vegjlit shfaqej në trajta të holla, që nuk i pati vënë re te njerëzit.
Sytë e Braho Fordinës i rrëmbushnin lot malli.
Kujtimet e sulmonin pa mëshirë. Jehona sillte zërat e njerëzve ashtu si puthjen e erës me drurët e pyllit, kundërmimin e athët të eshkëtirës, zukatjen e bletëve në gjoksin e shkëmbit. Me zor i përballonte.
Sakrificën dhe mallin i kishte emocione binjake.
Kredhur brenda vetes, shquante hollësira të hershme. Më parë as do t’i shkonin nëpër mend….
Në dasmën e vëllait të madh Sokolit, luajti për herë të parë vallen dyshe. Xha Meti ia mësoi mbrëmjeve, një dimër të tërë. Lani e mbante, djersët i rridhnin çurk.
-Të shkon, - i tha plaku, - qenka enkas për ty.
Vallen e hoqën në lëmin e shtëpisë veshur fustanella të bardha borë, këpucë të lehta, takijet e leshta. Dasmorët u mahnitën. Valltarët e rinj nuk kërcenin, po fluturonin duke kënduar:
“Plot molla lule të bardha…”
Aty pikasi sytë e lotuar të Shqipes. Vajza u lebetit nga përdredhjet e frikshme, lëshoi një “oh” kur mbaroi. Brahos i mbeti koka andej. Si nuk e pati vënë re?
Kaq pranë!...
U ngrit në këmbë të shkundte përhitjen e kohës. Hodhi sytë mbi fshatin e  mbuluar nga dëbora.
-Oh, Zot! - gulçoi.
Vegimet e ditës i kontrollonte, ëndrrat e ujshme të natës e sfilitnin.
-Përse? - e pyeste Shqipja e menduar me brengën e zezë në shpirt.
Ai e shikonte dhe tretej fjalëve të pathëna.
-Ti e di, - përgjigjej.
-Ç’fitove?
Sidoqë mundohej nuk gjente rrugëdalje në qerthullin e hamendjeve të terrta.
Thellë shpirtit, si imazh që zhduket e s’kapet dot, vazhdonte të regëtinte shpresa. Ndoshta do ta shihte edhe një herë. Sa e sa gjëra ndodhin në botë!
-Gjallë a vdekur? - Çupa fatkeqe kullohej së qari.
Zgjohej dhe thërriste, përpiqte pëllëmbët pas faqeve të gurta. Prej dhjetë muajsh nuhaste lirinë.
-Vërtet ç’fitova?! - hungërinte nëpër shpellë.
-Emri yt qarkullon gojë më gojë, - i tha verën e shkuar Lani, - thonë se je me krahë e fluturon.
U gëzua, gjeti njëfarësoj përgjigjen e pyetjes, që e mundonte.
-Krahët e shqiponjave, - ia ktheu, - nuk më zenë dot.
E ndoqën këmba-këmbës.
Rrezikuar në çdo hap, vinte rrotull shkëmbit gjigand të pingultë, derisa kuturisi  përçapjen e çmendur. Rifilloi ngjitjen me vështrim nga shqiponjat. Ua nguli sytë një copë herë, vardisur përfund shkrepit. Prijësi sodiste qetësisht, kolonia merrej me punët e saj. U bind në paqen e heshtur.
Sundimtarët e ajrit nuk e trazuan njeriun me gunë, e konsideruan pjesë të tyre.
Pas orvatjesh të pabesueshme, arriti shpellën e madhe mbushur me stalakmite. Vështirë të ngjitej në rrethana të tjera, të zakonshme.
Streha e Braho Fordinës nuk arrihej nga njerëzit. Gjurmët humbisnin rrëzë shkëmbit. Askush nuk besonte se mund të kacavarej rrëpirës së thiktë. Po ai hipte e zbriste sa herë ia donte puna.
Ftohtësira dhe forcat e ndjekjes e bllokonin me ditë të tëra.
Rrethimi i fundit në fillim të janarit, e detyroi të ngjitej. Kërkuesit u larguan nëpër muzg, po cikna behu papritur natën, veshi me akuj të pakalueshëm shkallët e pjerrëta prej gurësh të dalë si kukunj.
Mbeti në shpellë.
Po ta shikonte dikush nuk do të besonte se në atë masë të madhe mbuluar me lesh të dendur, ku shkëlqenin sytë e skuqur nga e ftohta, fshihej njeriu. E shumta arushë, kacavjerrë shkrepit për të dimëruar.
 Janari e izoloi më gjatë se çdo herë tjetër. Kapërceu muaji mbyllur në çarkun e lartësisë.
Shtatë ditë pas vetëburgosjes, prijësi gjuajti lepur. U ngop dhe lëshoi pjesën e mbetur në shpellë. Brahua i futi një purtekë shkoze, e ngeci mes shpatullave në dy furka përmbi prushin e shkarpave të ahut. E rrotulloi ngadalë derisa u përzhit. Preu një copë gjysmë të pjekur, e përtypi me nxitim. Ditë të tëra pa futur asgjë në gojë veç ujit të stalakmiteve dhe dëborës.
Ngriti kokën nga strofulla e gurtë. Buzët i kishte të lyrosura.
-Pa ty do të kisha vdekur, - i tha mikut të murrmë me kthetrat qarkuar rrënjës së gjembariut.
-Krra, krra, - u dëgjua zhurmërima dashamirëse e shpendit sikur kuptonte saktësisht gjuhën e njeriut.
Mëlçinë e përcëlluar ia zgjati me shkop. Prijësi e çukiti përkitas: shqiponjat nuk e honepsnin mishin e pjekur.
Tri javë pas ngjitjes në shkëmb, behën ndjekësit. Dëgjoi alarmin e kolonisë së shqiponjave shumë larg masivit të gurtë. Grupin e njerëzve të armatosur e vëzhgoi më pas nga shpella e stalakmiteve si tufë ujqish të uritur.
Mori nishan, qëlloi me dorë të sigurt. Rënkimi i të plagosurit dhe zhurma e armës i vuri në panik njerëzit me uniformë, që rrekeshin më kot të shkoqisnin nga vinte rreziku. Krismat e tjera boshatisën sheshin përfund shkëmbit. Të vrarin, djalë të ri jo më shumë se njëzet vjeç, e braktisën.
Sytë e hapur bojë deti vështronin të habitur.
E mbështeti pas trungut të ahut. Shpendët ndjenë erën e gjakut, vinin rrotull. Kur dita u davarit dhe muzgu zaptoi hapësirën, prijësi u krodh fluturimthi. Me goditje befasuese të sakta i nxori sytë. Brahua u largua i lemerisur në thellësi të pyllit. Lukunia e përlau trupin. Kockat e zbardhura shkëlqenin në dritën e hënës.
Grabitqarëve me pupla u shijoi së tepërmi mishi i njeriut, Braho Fordinës i hipën të ngjethura.
Vuri kapelën e të vrarit, ngriti kokën. Instiktivisht nuhati armiqësinë e tufës, zhurmërimin e mbytur të shqetësuar. E hoqi menjëherë. Ia veshi uniformën trungut të bredhit në përmasat natyrore të njeriut. Shqiponjat sulmuan viktimën në vendin ku duhet të ishin sytë,  sakaq e shkalafitën.
Sa herë e sillte rasti merrte ç’linin ndjekësit, kapela, xhaketa, rripa lëkure. I hidhte përfund shkëmbit, shikonte sjelljen e lukunisë. Pas përgatitjeve me lëvizje ritmike të krahëve, shqiponjat suleshin pingulthi copëtonin trofenë.
 Brahos i shkëlqyen sytë; nuk ishte i vetëm në betejën e gjatë, të ashpër.
Ditën e parë të ngjitjes soditi pyllin, shtrirë në këmbët e shkrepit gjigand, si teatër natyror, qarkuar nga shpate shkëmbore qindra metra teposhtë ultësirës së Shkumbinit. Fshatrat, sëravitur njëri pas tjetrit, fundoseshin dëborës së dimrit.
E mahniti Kozici me drurë të dendur, shpërndarë në çdo cep. Pylli rritej lartësi pas lartësie në garë me retë, mbulonte malin si qilim i blertë. Drurët e vjetër qindravjeçarë vishnin sipërfaqe pafund. Ahet mbushnin shpatet më të thepisura brigjeve dhe çukave të thikta. Mbi qoshet, gungat e shkallinat e poshtme gjallonin grupe pemësh më të ulëta. Faqeve të rrafshëta toka e butë mbështillej nga një petk i ngjeshur shkurresh, gëmusha shkoze, lajthi, dëllinja. Lisa viganë pluskonin në ajrin e kthjellët.
Në fund fare, Shkumbini bashkonte ujërat me përrenjtë përqark, buçiste i potershëm.
Ujqit, dhelprat, lepujt, dhitë e egra vërtiteshin si qerthull i pambarimtë në ndjekje të njëri-tjetrit. Nga çatia e pyllit rabeckat, korbat, mëllenjat pis të zeza hovnin me qindra në ajër, pastaj këputeshin një nga një si gurë në kërkim të ushqimit.
Kasollet e bagëtive kërcënoheshin çdo natë nga arinjtë dhe kopetë e ujqëve, që mërzenin ditën në zemër të pyllit, dhelprat vetmitare mësynin qymezet e pulave.
Afër mesditës zbuloi me tejqyrë shtëpinë e tij, folezë e çmuar lyer me të bardhë. Dalloi me vështirësi njerëzit tek lëviznin udhëve, të vegjël si milingona. Pamjet e zhytën në kujtime, më së shumti pelin të hidhura…
Veshët i buçitën nga britmat, ulërimat, zhurmat e armëve. Dhjetëra njerëz të armatosur grumbulluan burrat në sheshin përqark manit. Pas këmbimit të fjalëve pa krye, taksidari i egërsuar e zuri për gryke të atin.
-Nxirrni bereqetin e fshehur, - e kërcënoi.
-Nuk ka bereqet të fshehur, - mezi u përgjigj plaku.
-Shteti i ri mbahet me detyrimet tuaja. Sapo kemi dalë nga lufta.
-Kur s’ka nuk merr as mortja, - psherëtiu me keqardhje kryetari i fshatit.
Taksidari e vështroi vëngër. Iu duk se burri i vjetër, i gjatë si shkop, tallej.
-Ka edhe mënyra të tjera, - hungëroi.
Ai ngriti supet.
Ndihmësi i taksidarit, një shkurtabiq i egër me mustaqe të shpëlara, e shtrëngoi plakun sa i dolën sytë, e përplasi pa frymë përtokë. Brahua iu qas të atit, po një shkelm i fortë ia solli mendjen vërdallë.
Iu mbajt fryma, rënkoi me gulçima të zgjatura.
U ngrit i ndërkryer, me shpejtësi, nguli vetëtimthi thikën e harkuar në barkun e kërcyer të mustaqelliut tinëzar, në aq pak kohë sa të tjerët nuk arritën të bënin lëvizjen më të vogël. Gjysmë i shkalluar, pa përfillur rrezikun, i vuri tehun në fyt taksidarit. Nga  të gjitha anët iu drejtuan tytat e armëve.
-Thuaju t’i hedhin! - ulëriu.
Tjetri e pa veten në thonjtë e djalit shtatmadh si ndonjë div. Thika i gërvishtte qafën,  gjuri i Brahos e torturonte në fund të barkut.
Të dërguarit e qeverisë u larguan.
Përveç armëve, lanë pas ankthin.
Fshatarët mbajtën frymën: Brahua qe çmendur. Të prekej qeveria!? Askush nuk mund të hahej me të, aq më pak një fshat i vetmuar. Pleqtë s’mbanin mend të turpërohej kështu fuqia e shtetit. As në kohën e mbretërisë nuk pati ndodhur. Besimtarët e moshuar dhe besëtytët më të rinj, pandehën se djali ngriti dorën kundër Zotit.
Brahua u mbështet pas trungut të manit. Muskuloz, i vrenjtur, mustaqet sterrë të  zeza. Thika i vajti në kockë dhe gjaku në tru: bëri atë që duhej.
 Dhe mori në sy vdekjen.
-Kush dëshiron le të më ndjekë, - tha me zë të butë.
Njëmbëdhjetë djem, aq sa armët trofe, iu bënë shokë.
-Këtej rrotull, - u foli burrave, ngurosur si statuja përqark manit.
I ati iu afrua.
-Bir i babait, - e përqafoi përmes lotëve.
Pas një muaji fshatin e përmbytën forcat e armatosura. Ndjekësit iu qepën këmba-këmbës. Në përpjekjen e parë u vra Sokoli. Trupin ia sollën në fshat, e masakruan në sy të njerëzve. Plaku nuk duroi thikat mbi djalin e vrarë, vdiq në mbrëmje. Dhe mori me vete brengën
Ndjekja në thellësi të pyllit u përsërit.
E egër, këmbëngulëse.
Emri i Brahos u përhap me shpejtësi, kundërshtia i ngjante shiut verës së thatë. Fshatarët e shihnin me shpresë flakëzën e re. Taksat u merrnin frymën, shteti nuk u besonte, i kërcënonte gjithnjë e më shpesh. Shpresat u davaritën në pak vite, njerëzit ndiheshin të zhgënjyer.
Revolta përngriti qeverinë. Forca gjithnjë e më të organizuara u vunë në ndjekje të rebelëve, mësynin malet nga të gjitha anët. Arratia nuk kishte të ardhme, do të përmbysnin gur mbi gur t’i kapnin.
Braho Fordina mblodhi shokët e mbetur.
-Ikni, - u tha, - më kërkojnë mua, ju nuk jeni fajtorë. 
U larguan të gjithë atë natë. Nuk i shpëtuan ndëshkimit të vrazhdë. Shteti u tregoi qytetarëve se rebelimi ishte i pafalshëm.
Kur mbeti vetëm, Braho Fordina u strehua në Shkëmbin e Shqiponjave.
Jetonte me mish gjahu dhe vezë shpendësh. Ushqime i sillnin rrallë, kur largoheshin  ndjekësit. Koka e tij paguhej shtrenjt. Nuk ishte e lehtë të ndihmoje kundërshtarin e qeverisë; spiunët përgjonin…
“Dhjetë muaj, nuk u mërzitën?” - tha me vete.
Nguli sytë në hapësirë. Mugëtira erdhi përnjëherë pis e zezë. Bashkë me natën behu sërish shtrëngata, nisi vajin era, e vetmja muzikë e lartësive.
-Eh, or mik, si do të vejë filli? - iu drejtua prijësit.
-Ti nuk je si ata, - Brahua bëri me dorë andej nga duhet të qenë ndjekësit.
E bëri zakon të fliste me zogun çdo natë, derisa e mbërthente gjumi nën gunën e dhirtë. Thurte plane, shpesh ëndrra me sy hapur, kërkonte mendimin e aleatit murrash.
-Krra, krra, - zogu zgjati kokën, mprehu sqepin në cep të guvës.
-S’i thonë shaka, luftë me shtetin, - u mburr Brahua.
Prijësi i shqiponjave futi kokën mes krahëve.
-Të flihet? - i tha me qesëndi. - Sa gjumash je?!
Shpella u krodh në gjysmëterr. Nga perëndimi, ndriçimi zvetënues i diellit të padukshëm, rrinte ende varur. Kur u shua e fundmja regëtimë drite, qielli erdh u bë ngjyrë jargavani e blu, terrina pushtoi vendin. Sytë iu mësuan me zor në errësirë, ndërsa suferina vazhdonte këngën e mërzitshme të njëllojtë.
Afër mëngjesit e zunë drithmat, mbërdhima i hyri në palcë.
“Çatisi shkurti”, - tha me vete. Fshati e quante muaji i zi.
 Rregulloi drutë gjysmë të djegura, i fryu prushit.
Në lindje nisën të përvijoheshin grumbuj resh ngecur në qafa malesh. Dita në agun e saj hapte udhë përmes të çarave të qiellit. Ravijëzoheshin vagëllimthi drurët e mëdhenj mbuluar me kapele dëbore.
Pas pak gdhiu, furtuna reshti. Hyrja e zgavërt fuste me zor përflakjen kaltëroshe.
Formacioni shkëmbor i përbindshëm ngrihej nga thellësitë, shndriste në një të kuqe të kërmëztë bakri, a thua pati marrë flakë dhe prushitej nga të brendshmet e tij. Braho Fordina ndjeu gëzimin e çlirimit prej burgut të lartësisë.
Në pritje të zbutej akulli, vëzhgoi me nge fshatin.
Afër mesditës vuri re lëvizje të pazakontë nëpër rrugë. Një flakë e madhe shpërtheu te sheshi ku lartohej mani. Nuk ndodhte të ndiznin dimrit zjarr jashtë. Në pranverë po. Digjnin koskutat e misrit, barin e kalbur, mbeturinat e dushkereve.
Pastronin arat për mbjelljet e reja.
E pa veten fëmijë tek grumbullonte ferra, rrënjë barishtesh të egra, degë të thata dhe ndizte zjarr mes arës si ky i sotmi. Zemra e kallkanosur nuk duroi: dhjetë muaj me egërsirat, pa zëra njerëzish, larg shtëpisë dhe të afërmve.
Lotët humbën nëpër leshrat e dendura të fytyrës.
Qielli i kaltëruar, ndriçimi i bardhë, ajri i kristaltë ia ngatërruan kohërat.
Uli kokoren e rreckosur, bëri një hap në dalje të shpellës dhe vështroi shkallët e rrëpirëta. Akulli zbutej me zor, squllej ngadalë, po ai nuk mund të priste. Parandjenja të frikshme e shtynë të kuturiste. Filloi zbritjen me ngulm, rrëshqiti, futi thonjtë nëpër gurë, gjakosi duart.
Zoti e shpëtoi nga rrokullima në humnerë.
Zjarri, si ogur i zi, vazhdonte të fekste përmes xhamave të tejqyrës. I vendosur mori rrugën e fshatit. Mbi lumin e mpakur, të ngrirë kallkan, takoi Lanin.
-Na frikësojnë, - i tha.
Braho Fordina nuk foli. Hoqi armën nga supi, shtiu pa iu dridhur dora. Shigjetat e zjarrta të plumbave çanë qiellin tejpërtej.
-Ç’bëre! - u mblodh Lani.
Brahua i vuri dorën në sup dhembshurisht...
Gjyqi e dënoi me varje publike. Tentuan të zbulonin lidhjet me armiqtë, fijet e komplotit, bashkëpunëtorët. Nuk besuan arratinë e vetmuar të Braho Fordinës.
-Me se ushqeheshe? - e pyetën.
-Mish gjahu, - tha.
-Po dimrit?
Nënqeshi i habitur.
-Vendosja leqe nëpër shtigje, - u përgjigj. - Ngahera ngrejmë kurthe në fshat.
-Ku strehoheshe?
-Në Shkëmbin e Shqiponjave.
Dërguan njerëz panë vendin. Ngrehina shkëmbore e thiktë u ngjethi mishtë.
-Atje nuk kacavaret njeriu, - i thanë.
-Unë u ngjita.
Nënqeshën me ironi, këmbëngulja i nervozoi. Mos priste ky buzëqumësht ta besonin?!
Akuza për rrëzimin me dhunë të qeverisë e çuditi.
-Me qeverinë nuk pata gjë, - kundërshtoi.
-Vrave grumbulluesin e drithit, - i thanë, - preke shtetin.
-Shteti nuk i djeg njerëzit e tij, - u inatos Brahua dhe heshti.
Tërë ato pyetje të çuditshme, pa kuptim.
“Ku s’u shkon mendja!” - mërmëriti i sëndisur.
Pranvera e atij viti s’u ngjante të mëparshmeve, erdhi disi e vonuar. Pemët sapo  mugulluan, me zor çelën lulet e  kumbullave nëpër lugina, arrat dimëronin ende. Shkumbini flinte në shtratin e vjetër. Nga maja e Kozicit era ngjishte ca re gri ngarkuar me lagështirë dhe çast pas çasti fironte dritën e diellit.
Në shesh sollën banorët e pesëdhjetë fshatrave. Njerëzit zvarriteshin indiferentë, më shumë për t’u dukur. Ashtu si qindra copëza të jetës së tyre, prania në shesh lidhej me pëlqimin e qeverisjes. Fshati i tij erdhi vetë. Të mëdhenj e të vegjël donin ta shihnin edhe njëherë; e kishin të afërm, u dhimbsej.
Aq njerëz bashkë Brahua nuk kishte parë kurrë.
“Sikur vijnë për dasmë”, - mendoi i pikëlluar.
Në rreshtin e parë Shqipja fshinte sytë e buavitur. Të ëmën plakë e mbanin për krahu. Gra të tjera qanin në heshtje fshehur, sikur turpëroheshin nga lotët.
 “Janë mbledhur për mua”, - u drodh së brendshmi.
E ndjeu deri në thellësi të shpirtit; vajtonin mortin e tij. Ishte dhe nuk ishte mes tyre. Frikën e vdekjes e mendonte, po kurrë nuk besoi të qe kaq e llahtarshme. Asnjëherë s’kish patur si tani etje për të jetuar. Kaq shumë gjëra të thjeshta jetësore do të zhdukeshin. Me mundim mposhti plogështinë që po e mpinte.
Dikush e zgjidhi. Fërkoi kyçet e duarve, ngriti flokët që i kishin zënë sytë. Turma ndiqte pa frymë çdo lëvizje.
-Si do të prishet kaq i ri, i bukur! - pëshpëriti dikush.
-Shpirtin po ia marrin njerëzit, jo Zoti, - tha një tjetër, me sa dukej hoxhë. - Gjynah, - mërmëriti dhe ngriti sytë nga qielli.
Në qetësinë e përmortshme u dëgjua një zë i thatë si tingull teneqeje.
-Çfarë ke për të thënë?
Djali shikoi me habi fëmijësh.
E ç’mund të thoshte? Se aty në shesh një vajzë e priste? Apo sa shumë i donte njerëzit, malet, fshatin e tij? Kush nuk i dinte këto?
Vështroi përqark i mallëngjyer.
Donte të merrte sa më shumë imazhe, të mos linte asgjë pa soditur. Vuri re një gjethe të tharë kumbulle ngjitur në këpucë. Shikoi një copë herë fletëzën e gjorë që fërfëllinte në erë. Druante se do të shkëputej dhe fluturonte, po ajo qëndroi me kokfortësi kapur në një cep.
Oh, sikur të ndalej hapi i kohës, të mos vinte kurrë ai çast i tmerrshëm! Pikëllimi rritej si ortek, i shqyente zemrën.
Ngriti kokën me mundim.
-Dua Lanin, - tha.
Zbatuesi i ligjit s’e kuptoi, u mat të kërkonte sqarim, po vuri re djalin që u shkëput nga turma me çantë në dorë.
“Ky qënka tjetri”, - tha me vete.
 Lani nxori nga trasta fustanellat, kapat dhe këpucët, të gjitha të bardha. U afrua një plak thatanik i kërrusur me gajde, pas tij dy të tjerë me fizarmonikë dhe daulle.
Djali i shikoi me dashuri.
Përkëdheli me sy xha Metin, deshi ta falnderonte me gjithë shpirt; po i lehtësonte çastet e fundit. Plaku e puthi me dorë dhe lëshoi tingujt e gajdes. Të tjerët e ndoqën. Në mes të sheshit buçiti melodia e njohur.
 Braho Fordina harroi vdekjen.
 Lëvizi këmbën e djathtë, u mbështet mbi supin e shokut, nisi këngën.
“Plot molla lule të bardha…”
Lani u përkul nën peshën e rëndë, e shoqëroi me lëvizjen e këmbëve dhe mbajti ison e këngës.
“… Hej lule të bardha…”
Brahua kërceu përmbi kokën e tij. U drodh në lartësi, qëndroi mbi njërën këmbë të përkulur, ndërsa gjuri tjetër preku tokën. Trupi kaba rëndoi mbi Lanin. Nga rrjeshti i parë u dëgjua një “oh” e zgjatur. Brahua e shikoi Shqipen fluturimthi në ajër me sytë e qeshur çapkënë, sikur i bënte isharet. Pastaj u hodh përpara. Lani e ndiqte në të gjitha spërdredhjet e holla të valles.
-Dil i mblidh moj çupë e re, - oshëtiu zëri i djaloshit nën hijen e litarit që lëkundej me pulsin e valles.
-Unë i mbledh po s’kam në se, - Lani mbante ritmin.
Qindra njerëz përcillnin vallen e vjetër sa dheu i vendit. E kishin parë të luhej nëpër dasma, fejesa, lindje fëmijësh, po kështu kurrë. Në shesh zotëroi qetësi varri. Sy e veshë ndiqnin magjinë e valles së Braho Fordinës, kapedanit të këngës.
Kur mbaroi, gratë dënesën me zë të lartë, nuk u fshehën më. Përmbi të gjitha u dëgjua një zë i dridhur plake, ngritur në këmbë me shami dorës së djathtë.
 “Jam zgjuar apo në ëndërr oi, oi
Bir të bëri nëna dhëndërr oi, oi…”
 Me dorën tjetër shkulte leshrat e hirta të kokës.
-Të marton nëna me litarin o bir, - u çorr me zë të shuar.
-U çmend, - tha dikush.Të tjerat e shikuan me inat.
Vajzës së fikur i hidhnin ujë.
Ç’ishte kjo gjëmë? Të varej kënga, të shuhej vallja?
-Jepini fund, -  mezi u dëgjua zbatuesi i ligjit.
Zëri iu drodh.
Brahua shkoi në litar i lehtësuar si besimtarët që rrëfehen para vdekjes.
Nga degët e arrës, përqosh sheshit u sul vërtik një shqiponjë. Njerëzit shikuan xhelatin e përgjakur që ulëriu dhe fluturoi nga dërrasat e trekëmbëshit. Në vend të syve, hapur dy gropa të zeza. Zogun e metaltë me sqepin e kthyer e vunë re të largohej me shpejtësinë e plumbit vetëm disa.
Më pas nuk ishin të sigurt në se e panë vërtet.
Braho Fordina e pikasi prijësin përpara se të kridhej në degët e shtrembëra të arrës. E ndjeu nga krakëllima e mbytur.

No comments: