Wednesday 30 April 2014

AMERIKË S'E KAM ME TY




(cikël poetik nga Roland Gjoza)
.  .  .
amerikë, s'e kam me ty
e kam me veten
ti tkurresh dhe mblidhesh sipas krizave
unë vetëm tkurrem e bëhem sa nje grusht
t'ia ngjesh syve atë grusht
të më dalin xixa
jam primitiv naiv
më vjen ndot të punoj për para
po dhomën e dua të mobiluar bukur
dhe shtëpinë në një zonë të mirë
jetoj me ajër
ti jeton me punë, amerikë
sa ta nxë këtë gjë elementare
bari më ka dalë dy pëllëmbë mbi varr
+  +  +
kam dy pasaporta
dy atdhe
dy shtëpi
dy diej
dy hëna
dy dashnore
një nënë
po më la
s'kam asgjë
.  .  .
erdhi fundi
niset nëna
dy monedha dashurie që i kanë mbetur
i nxjerr nga zemra
qëllojmë bankë e morganit
duam monedhë nga xhepat
ato dy monedha bëhen mal me ar
sa herë i shkojmë në varr

.  .  .

kanë çelur trëndafilat e nju jorkut
nuk mbajnë erë
po janë të bukur si anzhelin zholi
s'e vëmë re
se çdo femër
të çmend me parfum
secila shartuar me një trëndafil
.  .  .
bëj statistikën time
kam zënë një qoshk në nju jork
dhe shoh njerëzinë që nxiton
të parat janë bankat ku hyjnë dhe dalin
të dytat janë tezgat me lule
të tretat teatrot e broduejt
në varreza s'shoh njeri
.  .  .
pijmë birrë me krill të mëdha në times square
përjashta
në mes të broduejt
hëna brenda në birrë
ka ngecur si flutur
më kujtohet vargu i famshëm i sergej eseninit
kuajt hënën pijnë
ky varg nuk shkon midis rrokaqiejve
fantazma e ginsbergut shfaqet
qesh e gajaset si palaço
hëna si flori shpërthen kasafortat
mbi rrokaqiejt e morganit, rrokfellerit
del pasuria e tyre
në qiell ku pritet gjykimi i fundit
le të çmenden miliarderët
në një natë maji
prej miliardave të humbur
ne hëna s'na del
as si kusur
.  .  .
netët e majit gabuan dashuritë
puthje
dhe të dua
për majin
jo për ty
ky gabim përsëritet
qënka kaq i bukur
sa s'do njeri ta korigjojë
.  .  .
nju jorku nuk ka zgjim
e po kjo dihet
këtu sipas statistikave
dhe ëndërrat punojnë
.  .  .
nju jorku e ka me tepricë gjithçka
po asnjë njujorkez nuk le kusur
një cent po të gjej në rrugë
e merr dhe e puth
.  . 
kam parë një pëllumb me frak dhe papijon
në avenjunë e pestë
në këmbë mbante pandofla
por ah, një zonjë e bukur e kishte lidhur me rrip
se isha gati ta përshëndesja si nje poet klasik
.  .  .
vjeshtë
bien gjethet
shkruante në një karton një homles në broduej
pemët u zhveshën
vishni të paveshurit
ai ishte i veshur dhe i mbathur
si për pranverë
po lulet si kishin çelur
.  .  .
ka shumë kisha në nju jork
siç ka banka dhe mcdonald's
në banka dhe mcdonald's
fryhet barku ose xhepi
në kisha zoti është ulur këmbëkryq
as bukë as para
se ka punë me të marrët
.  .  .
nju jorku midis ujërave
një oqeani dhe dy lumenjve
nën këmbët tona peshqit llapashiten
kur i afrohemi uoll stritit
në trup na dalin luspa
plluq, zhytemi
dhe notojmë midis arit
.  .  .
statuja e lirisë
i ka kthyer kurrizin rrokaqiejve të manhatanit
kurrizin i ka kthyer uoll stritit
shikon nga oqeani
pret emigrantët e varfër
tani që ata s'vijnë me anije
turistët pret
pozon para kamerave
si një mis
.  .  .
nuk e di pse më në fund po e dashuroj këtë qytet
që s'pyet për mua
të jesh budalla të presësh dashuri prej miliarderëve
po ja qe me ne fund une ndjej dashuri
diçka dua t'i dhuroj
siç ndodh me dashnorët
po e di që ky qytet i mallkuar nuk i do as poezitë as lulet
është mësuar me dhurata të çmuara
gjithsesi jam i detyruar t'i dhuroj diçka
qoftë dhe të nxjerr zemrën time nga kraharori
dhe t'ia vë në duar,
merre, ti them, bëj me të ç'të duash
ai e merr vërtet dhe e shet
nxjerr prej saj një milion dollarë
ja pse e pata vështirë kaq vjet me nju jorkun
ndryshe
kisha rënë në dashuri me shikim të parë
s'di ç'më shtërngon në fyt
ai i marrë më ka futur dorën dhe po më rrëmon në gjoks
zemrën vërtet do të ma shkulë
.  .  .
artistët e varfër janë një turmë e pafundme
vijnë nga gjithë bota
së pari prekin vendet e bukura në manhatan
që ëndërrën të krehin
baluket e pabindura t'ia shtrojnë
majën e kreshtës së krenisë
ta thyejnë
para madhështisë subeterne
ç'kanë e harxhojnë mendjelehtësisht
pastaj të menduar si filozofë
marrin tatëpjetë në platformat e metrosë
që artin ta shesin për një grosh
.  .  .
rrugët janë ndërtuar si muzikë
avenujtë janë xhaz
bluzz rrugët e zeza të bruklinit dhe bronksit
autostradat rrokenrroll i elvis preslit
aerodromet metalika
po rrija i menduar para rrokaqiejve
padyshim shpikësi i tyre
është ludvig van bethoveni
.  .  .
7 milion qen ka manhatani
po asnjë lehje s'degjohet
20 milionë minj ka manhatani
dalin në metro dhe salutojne gazmorë
9 milionë njujorkezë që udhëtojnë
po t'i mbledhim, sa bejnë?
ky njehsim s'del asnjëherë
se s'ka statistika per minjtë
përafërsisht dhe për qentë
2 milion njujorkezë janë ilegalë
pa letra, siç thonë
për ta as që bëhet fjalë
13 mijë janë të pastrehë
flenë rrugëve dhe lexojnë biblën
sërish u bë film të mjerët
më i madhi bestseller
i frikshëm ky zhan valzhani
nuk është njeri i statistikës
dhe revolucioni persëritet
2 milion emigrantë pa letra,
20 milion minj
7 milion qen
13 mijë të pastrehë
biblën vënë për nënkresë kur flenë
në qytetin më të bukur të dheut
pa përmendur dhe 2 milion njujorkezë
me dokumente të rregullt
po t'i mbledhim, sa bëjnë?
ky njehsim s'del asnjëherë
ne vendin ku u shpik kompjuteri
ipad e iphone
ku shpikja vetë u shpik
ah, ç'harrova kryesoren, atë për të cilën u ula të shkruaj këtë vjershë
nju jorku është gjithashtu qyteti më i madh i miliarderëve
dhe zemra e tij është manhatani me rrokaqiejt ku rrojnë përafërsisht
7 milion qen
20 milion minj
2 milion emigrante pa letra
13 mijë të pastrehë
9 milion njujorkezë me dokumente të rregullt
nju jorku është qyteti më i madh i miliarderëve
po t'i mbledhim, sa bëjnë?
ky njehsim s'del asnjëherë
sërish u bë film të mjerët
më i madhi bestseller
i frikshëm ky zhan valzhani
nuk është njeri i statistikës
dhe revolucioni përsëritet
nju jork 2013

NXËNËSIT DURRSAK NË KRYE TË OLIMPIADAVE KOMBËTARE



NXËNËSIT DURRSAK NË KRYE TË OLIMPIADAVE KOMBËTARE
Nga 57 nxënës fitues, 18 janë nga shkollat e Durrësit
Para dy ditësh, të hënën e 28 Prillit 2014, në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës, DAR organizoi ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve për nxënësit fitues të klasave: 9–10–11–12, të qarkut të Durrësit, të cilët ishin pjesëmarrës në olimpiadat kombëtare, në lëndët: matematik, fizik, kimi, biollgji dhe informatik.
Në këtë veprimtari kaq të rëndësishme, në sallë ishin të pranishëm nxënësit fitues, prindër, mësues, drejtorët e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, publike dhe jo publike dhe përfaqësues të DAR-së Durrës, Lindita Muka drejtore, Anesti Shuka përgjegjës i kurikulës, Gani Meçe inspektor, Avni Çuni drejtor i QKF Durrës dhe i ftuar i nderi Tasim Besho Doktor shkencash për matematikë. Për nxënësit, prindërit, mësuesit, drejtuesit e shkollave dhe strukturat drejtuese të arsimit të qarkut të Durrësit, një takim i tillë festiv është diçka e zakonëshme, pasi përsëritet çdo vit në këtë stinë bollëku me olimpiada. Në kushte të tjera këjo veprimtari do të kalonte si një lajm i zakonshëm, që natyrisht përcillet me emocione. Por ky vit ka diçka më shumë, diçka që e bën të dallohet e që do të mbahet mend gjatë, pasi një numër i madh çmimesh, nga 57 fitues në shkallë kombëtare, plot 18, afërsisht 1/3, janë fituar nga nxënësit e shkollave të qarkut të Durrësit. Është vërtet një ngjarje dhe lajm i gëzueshëm për të gjithë, e cila e vlen të festohet e publikohet, sepse pjesëmarrja dhe fitorja në konkurs është mënyra më e mirë për të vlerësuar e dalluar më të mirët, ata që ne me mburrje i emërtojmë “talente”. Është forma më e bukur, për të vlerësuar kujdesin që bëjnë drejtoritë e shkollave edhe punën e kualifikuar të mësuesve të pasionuar të lëndëve shkencore nëpër shkollat tona publike dhe jopublike. Kështu që, me kaq shumë çmime e vënde nderi, cilido nga ne ka të drejtë të mburret e krenohet me arritjet e nxënësve tanë.Nuk është gjë e re dukuria që vihet re në këto vitet e fundit. Numri i nxënësve që i kushtohen lëndëve shkencore, sa vjen e rritet. Është një frymë që kultivohet në familje dhe në shkollë. Vetë numri i fituesve të dalë nga faza e dytë e olimpiadës, e cila zakonisht organizohet brenda qarkut, i bën të panevojëshme fjalët e tepërta. Janë 106 fitues çmimesh të ndarë reciprokisht: 26 me çmim të I-rë, 15 me çmim të II-të, 26 me çmim të III-të dhe 38 nxënës që morën fletë lavdërimi.
Në atmosferën e festës dhe emocioneve, të pranishmit i përshëndeti Drejtoresha e DAR-së znj. Lindita Muka, e cila në fjalën e saj uroi nxënësit fitues, që nderuan veten, familjen, shkollat dhe mësuesit e tyre, duke kërkuar që në të ardhmen të shtohet më shumë numri i tyre. Durrësi ka nevojë për këta nxënës të ditur, që nesër do t`i khtehen qytetit tonë si kuadro me vlerë. Një përshëndetje dhe falënderim të veçantë u drejtoi mësuesve, sepse pas çdo nxënësi të sukseshëm qëndron një mësues i zoti. Sepse janë pikërisht këta mësimdhënës që zbulojnë talentet, e më pas me shumë durim e përkushtim, pa zhurmë e bujë, punojnë me ta dhe po arrijë rezultate kaq të mira, të cilat na gëzojnë e na nderojnë të gjithëve. Ne na vjen mirë që shkollat e Durrësit po arrijnë të konkurojnë e po fitojnë denjësisht me më të mirat e vendit. Fitoret janë pasqyra dhe pashaporta e emrit të tyre. 
OLIMPIADAT KOMBËTARE 2014 Fituesit e Qarkut të Durrësit; Tabela
Lënda Matematik

Nr

Emir Mbiemri
Shkollat
Klasat
Pikët
Renditja
çmimi
Lënda

Gledis Kallço
Turgut Ozal
X
35
2
Matematik 12

Boriana Gjura
Turgut Ozal
XII
34
2
Matematik 12

Rei Myderrizi
Turgut Ozal
IX
32
3
Matematik 9

Devid Duma
Turgut Ozal
XII
29
3
Matematik 12
Shënim: Gledis Kallço, nxënës i klasës X-të, konkuron për matematik 12.
Lënda Fizik

Nr

Emir Mbiemri
Shkollat
Klasa
Pikët
Renditja
çmimi
Lënda

Evis Hoxha
Turgut Ozal
XII
43
1
Fizik 12

Rubin Deliallisi
Rilindja
XII
38
1
Fizik 12

Genti Rustemi
Turgut Ozal
XII
36
2
Fizik 12

Xhoana Bylykbashi
Naim Frashëri
XII
32
3
Fizik 12
Lënda Kimi

Nr

Emir Mbiemri
Shkollat
Klasat
Pikët
Renditja
çmimi
Lënda

Xhesika Koroveshi
Turgut Ozal
XII
39
1
Kimi 12

Boriana Gjura
Turgut Ozal
XII
37
2
Kimi 12

Rubin Deliallisi
Rilindja
XII
36
2
Kimi 12
Lënda Biollogji

Nr

Emir Mbiemri
Shkollat
Klasat
Pikët
Renditja
çmimi
Lënda

Rubin Deliallisi
Rilindja
XII
38
1
Biollogji 12

Valentina Sadikllari
Turgut Ozal
XII
34
2
Biollogji 12

Fiona Metalla
Rilindja
XII
28
3
Biollogji 12

Andi Zaimi
Rilindja
XII
28
3
Biollogji 12
Lënda Informatik

Nr

Emir Mbiemri
Shkollat
Klasat
Pikët
Renditja
çmimi
Lënda

Devid Duma
Turgut Ozal
XII
50
1
Informatik 12

Evis Hoxha
Turgut Ozal
XII
48
1
Informatik 12

Jeton Shehu
Leonik Tomeo
XII
39
1
Informatik 12
Festa e shpërndarjes së çmimeve u shndërua në spektakël të bukur, pasi në skenë u ngjit grupi i valltarëve të vegjël të QKF-së, i cili sapo ishte kthyer nga një turne në Turqi, ku mori pjesë në një konkurs ndërkombëtar të fëmijëve. Vallet e tyre të luajtura mjeshtërisht, u përcollën nga të pranishmit me duartrokitje gjatë gjithë kohës.  Urojmë që takime dhe festa të tilla të kemi përherë!
Kadri Tarelli