Monday 19 May 2014

Apelim i vetëdijes



Vilhelme Vrana Haxhiraj
Apelim i vetëdijes
  Kupola qiellore këtë mbrëmje ka veshur një mantel transparent ngjyrë gushëpëllumbi. As unë nuk di përse më përngjan me një velë të hollë argjendor, i cili duket se e përkëdhel me shumë dashuri trupin e hajthëm e tekanjoz të natyrës. Gjithsesi brenda kornizës së kësaj tabloje magjepsëse dhe kryeneçe, se ç'ka diçka të ftohtë drithëruese e madje, madje rrëqethëse, që depërtohet tek unë. Ndoshta kjo ftohtësi përcillet tek të gjithë ata që e kanë përqëndruar vëmendjen tek kjo natë kristaline grivoshe, ndërsa sjellin ndërmend dhe kujtojnë sa e sa ndodhi të freskëta apo...
  Në një pikë të hapësirës së pafundme, ndoshta në atë më kulmoren e saj, si një biskajë harkore, si vetulla gajtan e vashëzës sime, një dukuri feksi si e skalitur nga magjistarja "natyrë". E skicuar mjeshtërisht, si kurrë ndonjëherë, doli në pah një profil i ngushtë e i ndritshëm fytyre, gati-gati e padukshme,jo plotësisht e qartë. Një pamje e tillë ishte aq e papërfillshme për shikuesit e zakonshëm, sa vetëm një sy i kujdesshëm e i stërvitur e vinte re. Kjo ishte hëna e rilindur.
   Gjithçka e rilindur është e jashtëzakonshme. Është një përtëritje e asaj që iku, të cilën e tashmja e ka lenë pas shpine. Veçse nuk duhet të harrojmë se ende ekzistojnë në mënyrë të pamohueshme, të gjalla e të pashlyeshme gjurmët e hapave tanë, të cilat i rishohim me sytë e së djeshmes. Po të zhbirosh me pak mund, ato i gjen në pluhurin dhe baltën e kohës, në rrugët e drejta apo tinzare, në udhëkryqet fushore ose me pengesa apo në rrugët pa vazhdimësi, përgjatë një rrugine me dritë apo me labirinte të errëta...Ndërsa sodisja mrekullinë që më dhuronte çasti, ndjeva haplehtën, gojëmblën, time shoqe, të cilën ende e quaja si dikur, si në kohën e pafajësisë së rinisë sonë, kur për herë të parë i thirra:"vashëz", e cila m'u afrua dhe më përkëdheli ëmbël si atëherë.
   -Sonte, i zhytur në mrekullinë e magjisë me emrin "mbrëmje", më dukesh si një djalë i ri që bisedon me kohën, duke iu drejtuar hënës. Me gjithë afshin e shpirtit dhe me ëndje, i flet fjalë zemre, më të bukurat, ato që tingëllojnë më ëmbël në të gjitha gjuhët e botës. Po më xhelozon pak, i dashur...Ç'të jetë ky intimitet me universin?! Mos vallë ke rënë në dashuri me atë trup qiellor që merr pjesë në gjithë ëndrrat, dëshirat, ndjenjat dhe ndryshimet kohore të gjithë botës universale?!
   -Eh, vashëza ime ...sikur vërtet ai satelit i tokës sonë të ishte një trup që frymon dhe nëse mund të më dëgjonte, do t'i kisha shprehur gjithë lëmshin e pazgjidhshëm që kam në shpirt dhe gjithë mendimet e koklavitura që ziejnë në trurin tim të verbër, duke më krijuar vetëm ankth. Do t'i kërkoja ndihmë të më shplekste gjithë litarët që më kanë lidhur këmbë e duar, që më kanë shndërruar në një trup inert. Ajo që më dallon e më ndan nga sendet apo trupat pa jetë, është frymëmarrja ime, që më bën të ndihem i gjallë mes të të gjallëve. Kam ngelur i zbrazët, i ngjashëm me një skelet të zhveshur pa mish, pa inde, pa gjak e pa nerva...
  -Shëëët...! Mos ia prish magjinë kësaj mbrëmjeje të pakrahasueshme.Të lutem, leri mënjanë të gjitha mendimet...Ato të plakin para kohe, i miri im.
  -E dashur, ndihem i lodhur, tejet i drobitur...i zhgënjyer nga koha, nga njerëzit, ndoshta edhe nga vetvetja. Nuk di më se cili isha dje, cili jam sot dhe cili do të jem nesër, nëse...
   -Nëse...?!
   -Poqese do ta kaloj paq këtë fazë... Më duket sikur nga e vërteta, me të cilën duhet të përballem dhe ta njoh në thelb, më ndan një humnerë e pakapërcyeshme. U futa në një valle që nuk dija ta kërceja...
  - Unë të njoh dhe e di që do t'ia dalësh. Edhe pse në dukje e brishtë, apo frymëzuese, kjo atmosferë mbrëmjesore, është e mbarsur me lagështi. Ndaj eja të hyjmë brenda.
  -Faleminderit për aperitivin e freskët. Ti shko se nesër je në punë.Unë po qëndroj edhe pak. Nuk do të mërzitesh...,se kam nevojë të tërhiqem brenda guaskës sime. Ndoshta vetmia do të më qartësoj...
  -Bëj si të të duket më e mira për ty. Po të sjell diçka që ta hedhësh krahëve, se këtu në veradën tonë fryn nga të gjitha drejtimet.
***
   Ime shoqe më hodhi një triko të hollë krahëve, ndërsa unë isha zhytur në një botë tjetër.
   "Kjo natë kaq e heshtur, duket sikur gjurmon e përdjek mendimet e mia të hallakatura.
  I gjori baba! I ndrittë shpirti atje ku i prehen eshtrat! Përvoja e kishte bërë të mençur, ndaj dhe ka lenë një thesar me fjalë të urta. Por këto thënie të mençura, tejet të goditura, të mirëpërshtatura, nuk duhen ruajtur vetëm si relike,por duhet të gjejnë shprehjen e tyre në kohën dhe vendin e duhur, ndryshe iu bije vlera. Nëse një mendim i mirëpeshuar, që i kundërvihet së keqes, nuk vihet në zbatim sa herë paraqitet rasti, është pa vlerë. Një individ që e di kuptimin e shprehjes apo fjalës së urtë dhe nuk e vë ujët në zjarr, atëherë ai është i ligu i vetes. Pa e kuptuar një ditë të bukur, do të jetë varrmihës i vetes së tij. 'Mos u gëzo,o i gëzuar, as me shëndetin, as me   paratë dhe as me fëmijët!'  Biri im,zakonisht sinqeritetin e të ndershmit e quajnë "Idiotri",të cilën me kohë, i pandershmi e shndërron në një njeri mediokër,pjellë e fantazisë së tij. Sa keq që virtytin e njeriut të mirë e pa vese, bastardi e quan...budallallëk. Pse vallë? Mos nga që i besoi fjalës së tij? Kjo paaftësi e sajuar që s'sheh dot tej hundës, shfrytëzohet nga mendjet e talentuara për dinakëri e shfrytëzim,nga njerëz që rendin pas famës farse. I tilli që varet mijëpërqind nga fitimi dhe mjerisht është në funksion të parasë apo të servilit që s'lë gjurmë këpuce pa lëpirë me gjuhë, i cili paturpësisht para lekut përkulet deri në tokë, i duket vetja gjeni . E në këtë rast cinizmi dhe hipokrizia, duke fshirë pluhurin e palltos së tjetrit, i nxjerrin gjuhën të virtytshmit.      Ndërgjegjja që ka zgjedhur rrugën e të paudhit, të lajkos e të lavdëron deri në atë masë sa ti bëhesh me krahë. Arrin në atë pikë sa nuk ecën me këmbë mbi tokë, as me kokën mbi supe, por fluturon në hapësirë me trurin e hipnotizuar se ke arritur majën më të lartë të universit. Mendja euforike ngre kështjella rëre në stratosferë pa e prekur fare realitetin, të cilin duhet ta ndjekësh hap pas hapi, ndaj duhet të arrish shkallën më të lartë të njohjes që më pas këtë ta vësh në shërbim të jetës,apo të të mirave materiale. Jetojmë në shekullin e ri, në qytetërimin e njëzetenjëjtë dhe nuk dimë të reagojmë ndaj gënjeshtrës e hipokrizisë, mashtrmit e vjedhjes, që duke na hedhur hi syve me dogma të deklaruara përmes një fjalori "të ri modern", pompoz e të bastarduar në shpirt e në ndërgjegje, kanë injektuar heshtjen e heshtur...Si i verbëri para dritës,apo i drejti që beson në shenjtërinë e vërtetësisë së fjalës së thënë, vepron i bindur se është duke hedhur hapin e duhur në jetë... Duke qenë tejet i sinqertë brenda qenies së tij, si shpirtërisht dhe ndërgjegjësisht, beson se edhe ai tjetri që i është përbetuar se e ka mik kaluar mikut nërì ditë të mira dhe të vështira, jo vetëm për taverna e dollira, i kënaqur thotë:"Ky po, që është mik për kokë..."
  ...dhe babai im vazhdonte e vazhdonte  ..." -Djalo,të rrallë janë shokët e mirë. Besa është fjalë e lashtë, e cila ka lindur me njeriun bashkë. Kurse shokë ngelet ai me të cilin je rritur dhe ke kaluar të mira e të këqija. Edhe ai provohet gjatë kapërcimit të vështirësive që ke hasur në jetë, ke provuar se ai nuk është stepur, nuk të ka sjellë cytjet smirëzeza të të tjerëve, po u ka bërë ballë vetë,pa e tronditur dëlirësinë dhe qetësinë e shpirtit tënd. Atë njeri që nuk e sheh shoqërinë me ty si interes, besoje, se ai është miku që të duhet.
  Në moshë madhore zakonisht lidhjet miqësore bëhen për interes. Nga përvoja dimë se miqësi të tilla nisin papritur e pakujtuar dhe forcohen me hapa galopante sidomos në politikë, ku lind nevoja për mbështetje, lindin në biznes, si dhe kur ke pasuri të madhe. Në rastin e fundit më bajatja dhe më e pështira..., dikush nis miqësi me ty"kur ke gruan e bukur". Pse jo kur ke vajzën në moshën për të krijuar lidhje të reja krushqie. Kujdes nga një njeri i tillë që pasi të të ketë mjelë mirë, pastaj do të ta marrë erzin nëpër këmbë. Kur të jetë poziciouar dhe të ketë pushtet në fushën ku investoi me mashtrim, do të të flakë tej me neveri si një lëvere,duke të të nxjerrë gjuhën pas shpine..."  -Këto porosi të tim Atit i kisha mësuar përmendsh. Madje kur bëheshim bashkë rreth një tavoline disa të njohur apo të afërm, i tregoja me mburrje si shembuj virtyti. Po a i vura në jetë thëniet e babait? A e pyeta ndonjëherë ndërgjegjen, përse arrita në këtë gjendje? Kurrë.
   "Kur të vijnë mendtë, nuk t'i hanë as qentë." Pa u thelluar se nga lindi ky njeri, deri dje i panjohur. Çfarë e shtynte atë drejt afrimit me mua. Më kujtohet mirë, sikur ka ndodhur sot...
  Një ditë po hyja i pavëmendshëm në një bar. Teksa ngjisja shkallët, pa dashje më ndodhi një përplasje e vogël me dikë. Në atë çast një paketë e  vogël u rrokullis në të tatpjetën e shkallëve. Prej zhurmës që dëgjova, ktheva kokën, pa e ditur se isha unë shkaktari. Tani që e mendoj them, se incidenti ishte sajesë e krijuar prej tij, sepse ai nuk i kishte duart prej qulli.
  - Ishte ndonjë gjë me vlerë? U dëmtua? -pyeta teksa ai po e hapte paketën.
  - S' ka gjë...,s'ka gjë...Nuk ishte faji juaj.Unë duarthari e kam fajin. Ishte një dhuratë e vogël për nipin. Po ia riblej.
  -Meqënëse shkaktari jam unë, ju lutem më thoni çmimin.
  -Ç'është ajo fjalë?! Ne jemi burra e nuk jemi fëmijë.
  -Ejani ju lutem dhe ma tregoni...- me gjithë kundërshtimin e tij, e binda të ringjiste shkallët.
  E ftova të ulej në tavolinë. I shkujdesur e la paketën mbi xhamin e tryezës.
Përfitova nga rasti dhe e hapa . Ishte skulpturë mermeri,një kalë që ishte dëmtuar duke u ndarë në dy-tri copa. Më erdhi keq se jo vetëm ishte e bukur, por aq më tepër ishte dhuratë.
 -Sa kushton?
 -Nuk ka rëndësi...pastaj s'ishte faji juaj...
 -Atëherë shkoni bashkë me shoferin në dyqan dhe merrni një tjetër të njëjtë.
  -Jeni shumë i sjellshëm.
  -Më duket se bëra gjënë e duhur.
  -Jo kudshdo e bën një gjë të tillë. Duket që jeni bujar. Me këtë rast njihemi:      -Artani...
  -Gëzohem!...-Kurse unë...Indridi.
  Qysh nga ajo ditë nuk ma kishin zënë më sytë atë njeri. Madje e kisha harruar edhe si ndodhi...
***
 Një mëngjes isha duke dalë me makinë nga shtëpia. Po prisja të vinin fëmijët për t'i çuar në shkollë. Papritmas Artani më del përpara makinës si fanti spathi. Më bëri përshtypje sjellja e tij, që la përshtypjen sikur ishim njohur prej një jete.
  -Tungjatjeta! Si jeni miku im? Duket se nuk më mban mend, hë..., -dhe nisi të bilbiloste si malli pa doganë.
  -Si nuk të mbaj mend? Porse nuk më kujtohet se kur kemi qenë miq! Çudi! Me sa duket më je fshirë nga kujtesa. Gjëra që ndodhin.
  -Urime! Paskeni shtëpi të bukur, - anashkaloi vërejtjen time.
  -Ka edhe më të mira. Gjithsesi nuk qahem..., - ndërkohë erdhën fëmijët. E përshëndeta dhe u nisa. Ai ngeli si hu gardhi, ende i përkulur, duke më ndjekur me sy me përgjërim. Qofsha i gabuar, por m'u duk sikur priste diçka nga unë... "Sa e vogël është bota! Ndoshta ishte rastësi ritakimi me Artanin," - porse nuk isha shumë i bindur për këtë të papritur. Se ç' më la një shije jo të mirë
  Shumë raste të tilla, ashtu siç shfaqen, edhe po aq shpejt harrohen...por me këtë tip ndodhi diçka jo e zakontë. Të nesërmen në mëngjes e në ditët në vijim u përsërit e njëjta histori. Të shtunën që fëmijët e kishin pushim, Artani nuk e pati për gjë që të më hapte e madje edhe ta mbyllte portën e shtëpisë sime duke mos më lenë të zbrisja fare. "Për deri sa po më shërben me kaq përulësi dhe zell, me siguri që ka diçka në këtë mes", - mendova vetëtimthi dhe pa hezituar e ftova të futej në makinë.
   -Ku do të zbresësh? - e pyeta pasi kishim bërë nja dy a treqind metra rrugë.
   -Ti kujdesu që mos të të prishet ty puna, pa unë...
   -Më habit që këto kohët e fundit të kam ndeshur thuajse çdo ditë. Dikur s'të kam parë kurrë në këtë zonë. I njoh banorët e rajonit, sepse është i populluar nga familjet më të vjetra të qytetit. Kurse ti..nuk më...   
   -Kam pak që jam vendosur në pallatin përballë shtëpisë suaj. Jemi aq afër, sa shoh çdo lëvizje të familjes suaj...
   "E bukur kjo histori?! Po ky mos më është vënë pas...? Po përse vallë?"- pyeta veten dhe në atë çast sikur u kujtova për diçka...
      -Më fal Artan,por këtu më duhet të të zbres se do të kthehem për të zgjidhur diçka të lenë pezull.
      Ai sikur hezitoi pak, pastaj vendosi të zbriste. 
Edhe pse i shmangesha takimit me të, ai më ishte qepur si rrodhe dhe nuk më shqitej. I kudogjenduri Artan, më dilte përpara kudo e kurdo, me kohë dhe pa kohë. Ishte i pafytyrë të më ndalte për të më përshëndetur me cilindo të isha.
-Artan, ku punon ti, se nuk të kam pyetur.,- e pyeta një mëngjes kur po pinim kafe.
-Jam diplomuar për menaxhim biznesi dhe punoj në dy-tri biznese të vogla si financier.
-Besoj se të del mirë, apo...?
-Jo keq, por më pëlqen të punoj me ndonjë ndërtues të fuqishëm se kam aftësi për një punë të tillë që ka volum, ku fjala peshon.
-Ku i dihet, ndoshta të buzëqesh fati ndonjë ditë...
***
Tashmë pas kaq vitesh biznesi im ishte rritur dhe kisha ekonomi të mirë. Natyrisht kjo ishte një arritje me punë e sakrificë, porse nuk duhet të harroj se drejtoja një nga firmat e para të ndërtimit. Bashkëshortja ime merrej me financën e biznesit, gjë që ishte një garanci për mbarëvajtjen. Por tani ishte shtatzënë me fëmijën e tretë. Në muajin e pestë ishte rënduar dhe nuk mund ta mbaja në punë deri në kohën e lindjes. Ishte krim ndaj shëndetit të saj si dhe ndaj bebit që do të dilte në jetë.
Duke kapërditur gllënjkat e vogla të kafesë, mendoja se si do ta zgjdhja problemin e zëvendësimit të punës së saj. Ndërkohë syri më kapi Artanin që hyri në bar dhe u drejtua në një tavolinë tjetër. I dërgova kamerierin që e lajmëroi të vinte në tavolinën time.
-Artan, mund të shkëputesh dot nga puna që ke? Natyrisht pa prishur as punën tënde dhe as të atyre që të kanë punësuar.
Papritur ai zgjati qafën çuditshëm, si nepërka kur është gati të sulmojë, picërroi shikimin, kurse dimensioni i bebes së syrit iu zvogëlua dhe retina iu zgjat vertikalisht si objektivi i aparatit fotografik me qëllimin efikas për të fotografuar sa më qartë dhe sa më larg. Në këtë rast hapësira pamore për të kishte kuptimin e largpamësisë...
"Cila është e mira që do të më sjellë lenia e punës që kam? Varet nga propozimi i tij," -mendoi Artani dhe në çast u transformua në një skuth. Një psikolog ndryshimin e tij do ta krahasonte me masat mbrojtëse të iriqit që nga zhurma apo zërat fsheh kokën dhe këmbët, duke nxjerr në pah gjembat e tij si mjetin mbrojtës më të përshtashëm.
-Nëse e lë punën, çfarë më propozoni, zoti Indrid?
-Kam nevojë për një ekonomist që të zëvendësojë për disa kohë financieren.
-Nuk po përgjigjem sot, aq më tepër pa njohur kushtet e punës, pagën etje ...Një nënqeshje vetëgrykësie iu ravijëzua në gjithë qenien e tij prej "inteligjenti cinik" . Kjo vetëknaqësi dukej më së miri veçanërisht në çehren e fytyrës që papritur i ndryshoi si ajo e kameleonit. Për një hop ngela pa fjalë. Kurrë nuk më kishin zënë sytë një ndryshim të befasishëm të temperamentit, brenda pak sekondash, më shumë se dy herë. Jo se po rrëfehem tani dhe mbase duket se e tepëroj, por ishte vërtet një tip i rrallë, ndoshta një ekzemplar që ka nevojë të merret si model studimi, pse jo... Ose, ose s'më kishte rastisur të takoja njëherësh tek i njëjti person, njeriun me disa fytyra apo me temperament të dyzuar. Këtë analizë të vonuar të karakterit të tij po e bëj, jo për mungesë aftësie njohëse nga ana ime, porse i jam futur punës së biznesit, duke vënë në shërbim gjithë shqisat, njohuritë dhe gjithë energjinë fzike, mendore dhe shpirtërore. Natyrisht pa lënë pas gjendjen materiale, pa të cilën nuk do të arrija në pikën ku mbërrita.Këto dukuri të befta të karakterit të tij i anashkalova për çastin. Madje sjellja e tij e rrëshqitshme si ngjalë më pëlqeu. Ky lloj peshku që jeton në ujëra dhe vezët i lëshon në tokë, siguron vazhdimësinë e saj si specie. Atëherë shkathtësia e tij m'u duk e përshtatshme për punën që do të kryente. Më duhej një njeri i tillë, i zhdërvjellët, që të mos ia merrnin arrët nga duart, që ta përballonte ngarkesën e madhe të biznesit. Së pari duhej ta bëja të kuptonte se e besoja. Mungesa e sinqeritetit ka shkatërruar ekonomi, familje, pse jo,... edhe shtete. Kjo ndodh kur mes të mëdhenjve të politikës shtetërore nuk ka mirëkuptim, mirëbesim, kur mes tyre ka smirë, e cila po të kishte qenë mikrob do të kishte infektuar, apo molepsur dhe do të kishte shuar gjithë botën. Gjithsesi duke e punësuar realizoja mangësinë time në punë dhe i jepja atij një mundësi. Por kisha harruar diçka të rëndësishme, se dora e lirë të bënë gjëmën. Sot çfarë nuk na shohin sytë. Janë korruptuar njerëz me pozita të rëndësishme politike, në sferat e larta shtetërore, apo në drejtësi, e jo më në një firmë private që nuk bëhet fjalë.
***
Besoj se për të rritur vlerat e vetes, Artani vetëm pas një jave më dha përgjigje pozitive. Ime shoqe qëndroi një javë a më shumë me të sa, e njohu me ecurinë e punës. Asaj i ishte dukur inteligjent, orientohej shpejt dhe dinte ta kryente detyrën apo të dilte shpejt nga situata të vështira. Përsa kohë dokumentet i kontrollonte gruaja, gjithçka shkoi normalisht si më parë. Pas lindjes ajo nuk e përballonte dot një gjë të tillë. Mendimi i saj ishte se Artani ia ka marrë dorën detyrës. Fjalët e saj ishin bindëse, gjë që më qetësoi.
Më pëlqente rregulli i tij në zyrë, se si i mbante dosjet dhe dokumentet. Kjo mbarëvajtje e kishte bërë me krah Artanin. Sjellja e tij përulëse ndaj meje, që më dilte sa përpara...,mbrapa, që më tërhiqte karrigen kur ulesha, apo më hapte derën e makinës ose të zyrës apo Barit, m'u neverit aq sa, një ditë nuk durova dhe...-Artan, ti ndoshta e ke "edukatë" një sjellje të tillë, por mua nuk më pëlqen. Unë jam njeri i thjeshtë. Jam mësuar ta bëj çdo gjë vet. Deri para se të vije ti, punën me ndërtimin e kemi përballuar ne të dy, unë me gruan. Nëse e ke vënë re edhe makinën e ngas vetë. Jo se nuk kam, por paratë venë e vijnë... Kurse karakteri duhet të ngelet i qëndrueshëm. Unë dua të jem "Ai" që kam qenë dhe "Ky"që jam. Kur të largohemi nga kjo botë, nuk marrim pasurinë me vete, por admirimin apo urrejtjen dhe duke lenë pas një emër të mirë apo të njollosur. Këtë bisedë po e mbyll këtu dhe dua të ngelet këtu.Unë bëj punën time, kurse ti bëj punën tënde. Të dy për atë që bëjmë dhe për përgjegjësitë që mbajmë, marrim shpërblimin... Apo e kam gabim? Të ngelesh "Njeri" është një epitet i ndritur apo një fjalë e bukur që përdoret nga të gjithë. Një përdorim gjithëpërfshirës më duket i padrejtë. Pse?- do të pyesësh ti.Sepse të jesh gjallë, të marrësh frymë, të punosh apo...të kesh familje, të jesh prind e gjithçka tjetër, nuk do të thotë se je njeri. Qenie frymore janë si  kafsha edhe njeriu, si i moralshmi edhe i pamoralshmi, si ai që thotë të vërtetën edhe gënjeshtari, si i besueshmi edhe hajduti, si paqësori edhe krimineli. Pra jo të gjithë këta e meritojnë emrin e bukur "Njeri".I dhunshmi që sjell shqetësime, shkakton dëme, kryen krime, që mashtron, gënjen, vjedh, spiunon dhe korrupton, që nuk shikon punën e tij, por që ha bukën e vetë dhe boshatis xhepin e tjetrit, quhet shtazë ose përbindësh. Po në këtë kategori hyn edhe servili edhe hipokriti. Ndaj në kohë vetmie, në kohë kritike, si: shëndetësore, gjatë marrëdhënieve njerëzore, në kohë krize financiare, morale apo mendore, secili duhet të mbyllet brenda qenies së tij dhe t'i bëj apel ndërgjegjes.-Më falni z.Indrid! Sot mora një leksion të mirë nga ju... Më duhej një mësim i tillë,- belbi nën zë.-Këto quhen dackat apo shuplakat e jetës për të cilat ka nevojë çdo njeri. Vetëm këto përplasje kujtojnë këdo se ku është, në ç'gjendje është, se çfarë është i zoti të bëjë dhe të pyes veten nëse ka bërë gjënë e duhur apo jo. Një fjalë goje e thënë pa mend, një veprim i pastudiuar mirë, prish gjithçka të mirë dhe të bukur. Ndaj kanë thënë: "Gjuha tule është, por kocka thyen." Mos harro se edhe ajo fjalë që dikujt i duket e bukur, rëndon. Nganjëherë është e kundërta e të vërtetës.
-Kurrë s'më ka shkuar ndërmend t'ju lëndoj e t'ju fyej as me veprime dhe as me fjalë, përkundrazi...
-Artan, edhe tepërimet në sjellje apo në të shprehur, janë si një mal mbi shpinë. Nuk është nevoja të deklamosh para askujt se jemi "miq të mirë". Kjo është tepëri.   Se në çfarë niveli qëndron miqësia jonë, do ta tregojë koha. Aty ku ka sinqeritet, aty ku nuk merren për bazë thashethemet që lindin nga xhelozia apo smira për shkak të marrëdhënieve të mira mes individëve, miqësia është e gjatë. Ndryshe farsiteti i një miqësie të sipërfaqshme, bën që ajo të shuhet si vesa para rrezeve të diellit. Madje më shpejt se sa e mendon. Artan, më duhet të të kujtoj se miqësia jonë është marrëdhënie pune. Nesër kur koha mund të na ndajë, nuk besoj se do të kemi më lidhje. Do të jemi veçse dy qytetar të njohur si gjithë të tjerët.Ai qëndroi edhe pak ashtu i ngrysur. Tani që e solli rasti, më kujtohet mirë se pamjen e tij e mbuloi një hije trishtimi ngjyrë hiri. Pas pak u ngrit dhe doli. Atë çast dukej si moti në shtërngatë. Poqese do t'i afrohej dikush, me siguri që do të dëgjonte kërcitje nofullash dhe dhëmbësh.Gjithsesi marrdhëniet në punë i vazhduam normale. Me kohë u vu re një rënie e nivelit të shitjeve të apartamenteve. -Epo gjëra që ndodhin. Pastaj shitja varet edhe nga tërësia e nivelit ekonomik kombëtar. Indrid, i ke verifikuar të gjitha dokumentet?- më pyeti ime shoqe kur i shpreha shqetësimin.
-I kam parë...Gjithashtu jam dakord për rënien e përgjishshme të biznesit, por...Ja do të shohim në ditëlindjen e djalit. I kam ftuar të gjithë, natyrisht edhe Artanin. Madje me gjithë fëmijët apo nipat dhe mbesat e tyre.
-Organizuam një festë të bukur fëmijënore. Nganjëherë edhe të rriturit duhet të bëhen pak bebe, që fëmijët   të ndihen të barabartë dhe të vlerësuar.Tani që janë ndërtuar qendra argëtuese për fëmijët, realizohen festa të bukura, mjafton të paraqesësh një projekt për moshën. Veç t'i shihje kur ata luanin dhe realizonin ëndrrat dhe imagjinatën e tyre foshnjarake. Kurse prindërit i gëzohen ekzistencës dhe rritjes së tyre nën tringëllimën e gotave. Ishte gati në të përfunduar festa. Papritur Artani mori një mirësi të çuditshme në adresë time, për të cilën nuk ishte as koha dhe as vendi. Menjëherë pasi rrëkëlleu gotën me një frymë, m'u drejtua mua dhe njëkohësisht gruas. Besoj se tani financierja kryesore do të kthehet në punë. Këtu detyra ime si zëvendësues mbaroi...-Jemi të mendimit që djali të rritet nën kujdesin e nënës. Na bëhet mirë edhe për dy fëmijët e mëdhenj. Këto tre vite që kanë qenë në mbikqyrjen e saj, kanë pasur përparësi në shkollë. Ti do të jesh në vendin tënd të punës. Ndaj mos e prish aspak grupin e gjakut .
-Duke menduar se tani që djali juaj u bë për të shkuar në kopsht, kam kohë që interesohem dhe kam gjetur një vend pune.-Nëse të intereson, shko...unë nuk të ndaloj dhe as nuk të mbaj me zor.
Kjo ishte mbyllja e festës së trevjetorit të djalit tonë. M'u duk se gjithçka kishim organizuar aq bukur, u fshi me zero. Ai e bëri si lopa, që pasi e mbush vedrën, i jep një shkelm dhe e derdh.
Të nesërmen paraqiti dorëheqjen. Dorëzimet ia bëri gruas, e cila e la djalin me dadon. Derisa të gjeja një zëvendësues, do të punonte ajo. Gjatë kontrollit ajo vuri re disa shkelje ligjore, që nuk iu dukën të rënda. Gjithsesi kur ka mospërputhje të dhënash, duhet kërkuar shkaku.Një ditë fare papritur, na trokiti në zyrë një blerës, të cilit nuk i ishte dorëzuar dokumenti i pronësisë. Por ajo që na bëri përshtypje të dyve ishte çmimi i blerjes së apartamentit më i lartë se çmimi real. I kërkova ndjesë klientit dhe i premtova se do ta kishte në dorë Çertifikatën e pasurisë. Menjëherë kërkova të takoja Atanin për sqarim. Më ra këmisha nga krahët ku rmësova se ishte larguar nga qyteti dhe se nuk kishte lenë adresë. Nuk kisha më nevojë për sqarime. Iu drejtova organeve përkatëse dhe kërkova një kontroll nga ekspert ligjor, më tepër për të vënë në vend dinjitetin tim që e nëpërkëmbi një sharlatan,  një lustraxhi i paskrupullt, sesa doja hakmarrje ndaj mashtrimit tij. Ndërsa kontrolloja postën elektronike, më kishte ardhur një E-mail çuditshëm përmes internetit. Ishte një foto me pamje të llahtarshme, ku mezi dallohej kufoma e sakatosur e një gruaje dhe një vajze të vogël e të  pafajshme. Të dyja ishin të shfytyruara dhe të gjakosura.Nën të shkruhej diçitura: "Mos të duket si skena e një filmi të frikshëm? Jo, jo, jo...Nuk do ta besosh?Të duket diçka e pamundur? E ke gabim nëse mendon kështu. Nuk është çudi dhe as që e merr dot me mend se një gjë e tillë mund të të ndodh edhe ty?! S'është për t'u habitur gjëra që ndodhin fare papritur... Bile atëherë kur as nuk e pret dhe pa e ditur se nga të vjen."- ishte një kërcënim.Ky mesazh më shqetësoi, se ishte shkruar nga një dorë vrastare. Shumë shpejt istitucioni hetimor më dha përgjigje të saktë për Artanin. Jetonte në një nga qytetet e mëdhenj të vendit, ku kishte nisur punë. Ishte ortak në një biznes, me një sekser, po në ndërtim. Pasi ia tregova gjithë ndodhinë e mësipërme ekspertit ligjor, ai buzëqeshi dhe pyeti.
-Ato fjalët e urta të babait, i ke zbatuar ndonjëherë?
-Kisha besim te vartësit e mi, aq më tepër me financierin.
-Çfarë mase kërkon për të?
-Ligji të bëjë punën e vetë, gjithmonë nëse ekziston drejtësia. Unë u tregova naiv. M'u paraqit si "mik i përgjëruar", i besova gjithë ekonominë time, duke e quajtur një profesionist brilant
-Beso dhe kontrollo. Indrid,nuk ka mik në pasuri. As vëllai nuk të do më mirë se veten. Ai që ka gjenet e një babai me ty, që keni lindur dhe jeni ushqyer nga e njëjtë nënë, nuk të do turpin dhe vdekjen, por po të jesh disa shkallë më poshtë se ai në të gjitha sferat e jetës, fle i qetë...e bën gjumin si qengj.
-Jo,nuk ka mundësi.Unë jap jetën për vëllanë. Besoj se edhe ai...
-Nuk e di një gjë të tillë ? Sa keq që beson verbërisht! - ishin fjalët e ekspertit.
"Nuk u shpreha me fjalë, por me ndërgjegje i dhashë të drejtë. Të mos dish nuk është mëkat. Veçse kur di dhe e nënvleftëson aftësinë tënde njohëse, është e pafalshme, madje është krim ndaj vetes." Ishte në të aguar. Këndezat me kohë kishin lajmëruar për rilindjen e dritës, të diellit e të një dite të re, ndoshta e mbarsur me plot të papritura. Lagështia e natës më kishte hyrë në embrionin e çdo qelize të trupit.Por unë isha aq i mpirë mendërisht sa nuk ndieja asgjë. Veç drithmat që më përshkuan trupin, më kujtuan se kisha përgjuar një natë të gjatë e të lodhshme. Gjatë saj, në prani të vetmisë dhe errësirës, bëra bilancin e një gabimi, apo të një pakujdesie që e lashë të zvargej tre vjet para syve të mi. Pësimi bëhet mësim dhe të tregon se mikut, për ta nderuar,  i lëshon  njërën qoshe të oxhakut të shtëpisë , por asnjëherë të dyja, sepu i mirë... në kohë të vështirë." se vjen një ditë dhe ta merrë edhe atë, duke të të nxjerrë jashtë saj. "Sa keq... që s' e di!" Ndaj herë -herë kemi nevojë për një vetgjykim, i cili apelon sjelljen tonë në jetë e korregjon gabimet apo lëshimet me apo pa dashje."Miku i mirë... në ditë të vështirë"

No comments: