Monday 26 May 2014

DY ATDHETARË KOMBËTARË



                                DY  ATDHETARË  KOMBËTARË
                Ata ishin dy atdhetarë kombëtare, dy trima, dy fshatarë të mesëm, dy familjarë, dy gjysmë analfabetë, dy luftëtarë të lënë në heshtje. I pari, çami Daut Hoxha, pjesëtar i Luftës së Parë Botërore, nga Dhrohomija e Paramithisë dhe i dyti, kosovari Hasan  Remniku, nga fshati Remnik i Preshevës, luftëtar në Luftën e Dytë Botërore.
Mbas pushtimit të Çamërisë, filloj menjëherë çarmatimi i popullsisë, në fillim me të butë e me lajka dhe pak kohë më pas, me dhunë të egër. Me porosi të dhespotëve të Janinës dhe të Paramithisë e nën drejtimin e kolonel Ipitit e të Delijanaqit me shokë, njësi të përbëra prej andartësh, nga më gjakatarët, iu vërsulën egërsisht popullatës çame. Përveç grabitjeve dhe përdhunimeve në gjithë Çamërinë, ata grinë me thika, sëpata e plumba ballit, të gjithë atdhetarët që mundën të shtinin në dorë. Vetëm në vendin e quajtur Liver, te përroi i fshatit Selan, më 23-3-1913, hijenat në fjalë, vranë 100 prej krerëve më në zë të fshatrave, ndërmjet Paramithisë e lumit Kalama. Fuat Pronjon dhe Subhi Dinon, nga Paramithia – dy prijësa të shquar atdhetarë të vendit, i rropën  së gjalli dhe i flakën në një humnerë. Lajmi i kësaj masakre, u përhap si rrufe në të gjithë Çamërinë. (Ibrahim  D. Hoxha  “Daut Hoxha”. Bot. 2000, f. 15).                                          
Moshatarë bashkëkohës me ta, dëshmojnë si Hamdi Ruçi nga Kortesi (i datl. 1900), Sali Qemali nga fshati Nihuar (datl. 1891), Shuaip Mete nga Filati (datl. 1888) etj, tregojnë: “Grekët në Çamëri, zunë të vrisnin jo vetëm lulen e atdhetarisë, por edhe luftëtarë në masë. Shumë njerëz morën malet dhe njëri nga këta, ishte Daut Hoxha, djalë i zgjuar, i shkathët, i shpejtë dhe shumë trim. Në jugperëndim të Çamërisë, pas vitit 1913, qarkullonin shumë çeta andartësh gjakpirës përqark  Prevezës, Pargës, Margëlleçit, Paramithisë etj. Dauti filloi t’u shkonte pas, për t’u treguar vendin. Dauti me çetën e tij, u bë tmerri i njësiteve ushtarako-andarte dhe i vendkomandave të horofillaqisë (policisë) greke, që qarkullonin për të mbledhur armët, duke i bërë popullit tortura të shumta.“ Në një pusi, Dauti me çetën e tij vrau 17 horofillakë, duke u hakmarrë për poshtërsitë që u kishin bërë fshatrave të Paramithisë.      
Një ndër çetat andarte, të udhëhequra nga një prift, kishte arritur kulmin e poshtërsisë kundra popullatës së këtyre fshatrave përqark Margëllëçit e Paramithisë. Ata u takuan ballë për ballë me çetën e Daut Hoxhës, I cili kishte dale ta kërkonte.
-Uratë!,- i thotë Dauti, - Sipas të drejtës, nuk mbetet as borxh pa larë, as hak pa marrë!...
-Po, kur të bëjë emër perëndia… - thotë  urata.
-Po kur perëndia nuk kujtohet, njerëzia t’ lërë të harrohen?... 
-Hasha!  Perëndia nuk lë gjë pas dore.
-Uratë, thuaj të vërtetën, çfarë i keni bërë kësaj krahine?! - dhe Dauti nxori kamën e ia vuri majën në grykë. 
-Aman mos më ther! – u tromaks urata duke treguar 4-5 veta të çetës së tij. Por ata ia dhanë vrapit tatëpjetë pllajës. Pa kaluar as 25-30 hapa u bene shoshe nga plumbat e çetës.
Një zë i mbytur nga turma tha që prifti të vihej me shpatulla në mur. Prifti u detyrua të pranonte se ky me çetën e tij kishte vrarë shumë luftëtare të çetës Muharem Rushiti. Kështu ndëshkimi i tyre ishte i pa diskutueshëm. (f. 20)  .                                                                                                                                                                         Duke vepruar kudo me guxim, Daut Hoxha u fut në Paramithi, hyri në zyrën e rrethkomandantit të horofillaqise (policisë) dhe duke drejtuar tytat e dy dhjetçeve turke, që i mbante të fshehura nën kondokapë, i tha:
-Unë jam ai që kërkoni! Ju urdhëroj të ikni si rrufeja nga fshatrat për rreth, se u moret shpirtin njerëzve, ose t’i hodha trutë në erë!...
-Pa dale, mo zoti Daut! Të gjejmë fjalën me të mire!...
-Të thaç, zgjidh dhe merr: ja ti, ja u!... 
Kapiteni dha fjalën për urdhrin që ju kërkua. (f. 21).  
Me veprime dinake, grekët bindën dy vëllezërit e  Murat Bejdo Lilës, Halitin dhe Sejkon djem nga fshati Karbunarë për të vrarë Daut Hoxhën.  Me dhelpëritë e tyre pushtetarët grekë kërkonin edhe po t’i vriste Dauti këta djem, atëherë vinin në hasmëri fshatin Karbunarë me çetën e Daut Hoxhës, kështu greku “Hodha lumin , ujkun kalit”. Nuk kaloi gjatë, në Qafe të Dhrizës (ndërmjet Karbunarit dhe Trikopallkës) Haliti dhe Sejkua u vranë.  Pushtetarët e sigurimit grek,  dridheshin nga  frika prandaj ngritën dy djem të tjerë për të u futur në çetën e Daut Hoxhës, Cil Mastoren dhe Nikollë Qamon, duke qenë në çetën e Dautit, ata kishin më shumë mundësi për ta vrarë Dautin dhe trimat e tij, si Koço Suljotin, Shaban Taron etj. Por ata u zbuluan shpejt dhe u pushkatuan.  (f.53).        
Prefekti i Paramithisë ftoi plakun Jor Suljotin në zyrë. Xha Jori të kam thirrur  për një punë me rëndësi të madhe për qeverinë, po e mbaruat do te nderoheni dhe do te merrni shumë para (rreth 750.000 dhrahmi). Qeveria greke kërkon vrasjen domosdo të Daut Hoxhës. Yt bir, Koçua, kur t’i  gjëjë anën, të vrasë Daut Hoxhën e të më sjell kokën e tij.  -“Dëgjo!  Po është që e ëma e ka bërë me mua, Koçua nuk e bën kurrë at turp … Po ësht se e ka zën ferrave me ndonjë pular mundet, i ligu e bën pa i dhënë hiçgjë.” –Xha Jori, ç’thua kështu?  -“Më pyete, a jo? “–Po!... – “E u  të thaçë atë që di. (f. 56).             
Më 1920, në Sajadhë (afër Qafës së Botës) kishin dërguar prokurorin e Janinës dhe komandantin e forcave të Kufirit grek të bënin ç’mos pёr të vrarë Daut Hoxhën e Koço Suljotin. Për këtë, dërgonin njërin pas tjetrin vrasës në Konispol, që fshiheshin gjerdheve, ledheve, nën rrugë, mbi rrugë e ku mundeshin; ruanin ditë e natë për të dalë në pritë Dauti, që ta vrisnin. Natën i vinin vërdallë shtëpisë kur nuk ishte Dauti për t’i therë fëmijët. Mirëpo qeni shumë i forte, nuk i linte të afroheshin dhe u hidhej përsipër. Atëherë ata vranë qenin, dhe si krisi dufeqi, ata krisën e ikën. (f. 58).           
Dyndjet e çetave greke këndej kufirit ishte e vazhdueshme. Shumë prita i ngritën Daut Hoxhës,  por në asnjërën prej tyre nuk arritën ta vrisnin. Për ta shtënë në dorë Daut Hoxhën, ishte kërkesë ndërshtetërore. Kur ndodhi vrasja e Gjeneral Telinit, më 27-8-1923, e kryesuar nga pushtetarët epror kolonel Plasira nënkolonel Neokli Boçari, Vasil Kollovoi me shokë, të cilët e vranë egërsisht në Zhepë 8 km. përtej Kakavies, grekët për këtë vrasje shpallën nxitimthi Daut Hoxhën dhe bashkëluftëtarët e tij.            Zotin Daut e priti nënprefekti  në Zyrë, por në atë kohë e mori prefekti i Gjirokastrës në telefon. Ai porositi ta dërgonin Dautin menjëherë. Në Gjirokastër e morën në pyetje nga një komision evropian. E mbajtën dy muaj aty. Nga Parisi erdhi një telegram që Daut Hoxha ishte pa faj. (f. 76). Komisioni i Posaçëm Hetimor Ndërkombëtar ngarkoi qeverinë greke për vrasjen e Enriko Telinit.                                      
Më 25-6-1926 gjeneral Aleksandër Konduli, ministër grek në Tiranë, nënshkroi me palën shqiptare marrëveshjen për dorëzimin njëra-tjetrës të keqbërësve. Njëri nga këta ishte Daut Hoxha. Në pranverë të vitit 1932 dha pëlqimin dhe urdhëroi paraqitjen e tij në gjyqin e posaçëm. Gjyqi u ngrit në Tiranë dhe u zhvillua në Gjirokastër. Në gjyq qeveria greke përfaqësohej nga av. Shkarpa,( Av. shumë i zoti.) Në gjyq av. Shkarpa u mundua të fajësonte Daut Hoxhën për plot e plot “vrasje, vjedhje, e ç’nderime” që Daut Hoxha – sipas tij, kishte vazhduar të bënte “edhe pas vitit 1925-së”.  Për këto “faje” gjyqet e Janinës dhe të Prevezës e kishin dënuar disa herë  në mungesë me vdekje. Me dëshmitarë u vërtetua se Daut Hoxha vetëm ka vrare dhe asgjë tjetër.    -Po për vrasjet që paditesh,  ç’ke të thuaç? –Pyeti kryetari i gjyqit.                                 
-Kam vrarë shumë më tepër nga sa përmendi përfaqësuesi grek, po jo për  “hakmarrje”,  siç tha z. Shkarpa; kam vrarë vetëm pushtetarë keqbërës dhe pjesëtarë të njësive ndjekëse në ca luftime. Ca ku i gjeja, sepse nuk linin të zezë pa bërë në Çamëri… Mos më pyet në kam vrarë e sa kam vrarë, por më pyet se ku i kam vrarë, kur, ku e pse i kam vrarë… I vrava në vendin tim e jo në të tyren; I vrava kur këta na vunë të na shuajnë të tërëve nga faqja e dheut; I vrava se këta u lëshuan mbi ne me plumb, thikë, sëpatë, me urë në dorë  e me vraka zgjidhur; I vrava për t’i shporrur nga vendi im këta që erdhën na shkelën e na robëruan. … Tani këta qahen e më bëjnë mua fajtor e jo vetëhen e tyre. Këta u derdhën me zjarr dhe hekur në një vend që nuk ishte i tyre dhe ne nuk kishëm të drejtë të mbroheshim? Tani zotërinj keni të drejtë të gjykoni se i kujt është faji:  i të vuajturit, i të munduarit, i të dëmtuarit, apo i keqbërësit…
Gjyqi e quajti Daut Hoxhën të “padorëzueshëm”. Nga Janina kishin ardhur në Gjyrokastër disa vetura me nga 4-5 veta, dyshohej për ndonjë rrëmbim të Dautit nga agjentët grekë, për gjatë rrugës nga burgu për në gjykatë, prandaj e pajisën me dy kobure me urdhër të prefektit Ismail Gjylbegu.                    Karabineria Italian në Konispol e çarmatosi Daut Hoxhën. Ishte njësoj sikur t’u thoshje grekëve:  “Ja ku e keni Daut Hoxhën, vrajeni po deshët!” Në vendin e quajtur “Sheshi i Rahut” në Vrinë, më 15-6-1940 u gjet kufoma e tij pa kokë, të cilën e çuan pertej kufirit. Prefekti I Gjirokastrës D. Çarçani, në shkrimin e vet nr.251/ date 23-6-1940, që i dërgoi M.P.B., theksoi se vrasja e Daut Hoxhës “është bërë për çështje politike”. (A.Q.SH. F. 252, dos. 99,  f. 3,5).                            
“Tiranë 22 gusht 1940  XVIII  Shkëlqesisë Kryetarit të Policisë Romë. “… Vlerësoj të vë në dukje natyrën e vërtetë politike të krimit që nga organet e tjera, zyrtarisht vepruese…”. Për këshilltari i përgjithshëm I Policisë  Skaminaçi. (AQSH.F. 253,Dos. 45, f. 66).”                                                         
Njoftimi zyrtar mbi vrasjen e Daut Hoxhës u shpall nga agjensia italiane e lajmeve, “Stefani” me 12 gusht 1940.  Pas 2 ditëve një zyrtare i lartë fashist arriti nga Tirana në Konispol dhe në prani të zyrtarëve vendas, mori në pyetje të shoqen e Daut Hoxhës, Adile Haxhi Ibrahimi. -Kush ta vrau burrin, moj zonjë?  -Pyeti zyrtari I lartë.  –Italia!  -u përgjigj Adilea.  –Pse, për të vrarë burrin tënd erdhi Itailia në Shqipëri?!  -“Atë u nuk e di, po di që grekërit e vranë vetëm tani që erdhi Italia, se kjo ia morri armët. Pse s’e kishin vrarë dot më përpara? Grekët u përpoqnë sa u lodhën, po s’e vrisnin dot se i kish supet e mesin të ngarkuara me armë. Tani që ju ja hoqët, s’kish me se të mbrohej”. Përgjigjia i mpiu dhe i hutoi keq të pranishmit.  Jasin Zejnua ndërhyri:” Zotërinj, tha ai, ajo e ka humbur nga vrasja e të shoqit, nuk din ç’thotë.  Andaj u lutem dilni pakëz jashtë sa të mbledhë vetëhenë”. Si dolën jashtë italianët dhe të pranishëm të tjerë, 2-3  konispolatë që mbetën brenda iu përveshën Adilesë:  -“Ç’bëre kështu, moj?!  Çish nuk i vë një çikë glishtin kokës? Me këto fjalë humbe timinë (vlerën) e tët shoqi, humbe fëmilën e vetëhenë!  -Pa u të vërtetën thaç, s’thaç nonjë gjë të tepërt!  -Po jo, moj, s’lipsej të thoshe ashtu. Eni çish doje ta thosha?  -Të thoshe që burrin ma vranë grekët e u e kërkoj nga Greqia”.    
Pas pak hetuesit u ftuan të ktheheshin brenda shtëpisë dhe vazhduan pyetjet:  -Kush ta vrau burrin, moj zonjë?...  -Grekërit…                                                                                                                                                            
Më 21-22 gusht 1940 një grup i dytë hetuesish, arriti nga Tirana në Konispol. Këtë herë në përbërjen e grupit ishte edhe një anglez, drejtori i zyrës së agjensisë telegrafike londineze në Romë “United Pres”. Reynaldes Packard.  –Kush ta vrau burrin zonjë?  -Pyeti Packardi…  –Grekërit.  –U përgjigj Adileja.  –Përse këtë e din dhe atë që burri yt kishte therur 75 grekë nuk e din?!  - “ Atë e din ti që e thua! Po edhe në i pati vrarë, në vendin e tij i vrau, nuk vate t’i vrit në vendin e tyre;  i shkelën shtëpinë e vendin, pa i vrau”. –Po ai vrau edhe njerëz të pafajshëm… –“Jo,  aj vrau ata që vrisnë e prisnin; vrau nga ata që erdhën kushedi se nga dhe i grabitën vendin, mallin e gjërin dhe shkelën nderin”.  Rainald Packardi doli në fotografi me familjen e Daut Hoxhës , i premtoi se do të bënte të njohur “United Pres-it dhe botës mbarë për përgjigjet e të vesë së Daut Hoxhës.  (Flet. “Tomori”, nr. 162, Tirane, 24-8-1940).        PJESA E DYTË                                       Hasan Alia – Remniku, ka lindur më 1910 në një familje kosovare mesatarisht të kamur. Hasani ishte një lloj Robin Hudi shqiptar, se depot e shtetit ishin të mbushura me mall e veshmbathje, ndërsa popullata shqiptare vuante për një kothere bukë, apo për një pale opinga. Ai e djente veten keq dhe në një mënyrë ishte I detyruar që t’i merrte ato nga magazinat dhe tua shpërndante popullit shqiptar. Ai nuk duronte padrejtësitë e komshinjve serbë. Hasani ishte i martuar me Naziren nga Lubishta, lindën tre fëmijë: Naziren, Nurien dhe Aliun (1942).  (Nga S. Keçmezi – Basha 19-2-2010).                                                           
-Shoku komandant, tha Kurti, baca Demiri më ka çuar t’u them se Hasan Remniku ju pret të dielën mbrëma në kishën e Letnicës, te patër Ndoni.  Orce Vapcarovi (i deleguari i shtabit supreme të Ushtrisë Nac. Cl. Të Titos në batalionin “Çlirimi”) iu drejtua Arbenit dhe Pjetër Munellës…” Mos është ky, ai që vrau komandantin e xhandarmërisë në Shkup?”  -Pjetri i tha: Po. -  Pjetri Vazhdoi: -Në prag të luftës, Hasani ka qenë  30 vjeç, u burgos prej pushtetit të atëhershëm serb në bazë të një shpifjeje, që ia kurdisën disa serbë me qëllim që t’i rrëmbenin tokën e bukës, një arë të mirë që rrallë i gjendet shoqja. E burgosën se gjoja kishte vjedhur 7 teneqe me gjalp (tëlyn).  Mirëpo pas ndërhyrjes së priftit të Letnicës, patre Ndon Lekës, xhandarmëria i gjeti teneqet e tëlynit në duajt e grurit të një serbi, pikërisht të njërit prej atyre, që e kishin denoncuar për vjedhje. Me gjithë këtë, Hasanin nuk e nxorën nga burgu. Iu desh të shiste gjysmën e mallit e të gjasë gjallë që të fitonte lirinë.  Doli i pafajshëm, ashtu siç ishte, por me gjak të turbulluar. Nuk është gjë e lehtë të turpërohesh në sy të botës, të ç’burrërohesh pa fijen e fajit dhe kur del prej burgu të gjesh hasmin zot në pasurin tënde. Megjithëkëtë, Hasani s’bëri asgjë. Vetëm bleu një pushkë dhe përgjoi kohën. (Kapllan  Resuli “Tradhëtia”( f. 95).                                                                      
Mirëpo në qoftë se Hasani nuk përzihet në punët e të tjerëve, përziheshin të tjerët me punët e tija dhe se linin rehat… Në Zhegër, njëfarë Anastas  Gjorgjeviç, ishte bërë njësh me bullgarët dhe gjermanët. Ky Rrëmbeu toka, livadhe dhe bashtina . Mandej nisi edhe me dhunuar e vrarë. Me gjakun e fshatarëve shqiptare ushqente qentë e langonjtë e vet. Në një ditë, në katundin e Hasan Remnikut, ai pushkatoi 12 shqiptarë të pafajshëm dhe u rrëmbeu pasurinë. Me këtë urrejtje të madhe shkoi te shtrati i fjetjes Hasani dhe i nguli disa thika. Më vonë dëgjoi se ia kishin burgosur gruan. Shkon në Zhegër dhe vrau togerin  e xhandarmërisë. I la një letër të lidhur me tel të hollë te fyti, shkroi t’i lironin gruan nga burgut, ose do të vriste nga një oficer çdo javë… Pas kësaj ia lëshuan të shoqen. Atëherë Hasani u kërkoi arën e bukës që ia kish rrëmbyer A. Gjorgjeviçi. Nga frika e tmerri, Hasanit ia kthyen çdo gjë të rrëmbyer. Mbas një heshtjeje, Pjetri tha: Vetëm brenda vitit 1942,  ka likuiduar 50 oficerë e xhandarë, dhunues e grabitës të ndryshëm. Mbas çdo krimi, që bënin këndej serbët dhe bullgarët, vinte Hasani dhe kërkonte kryefajtorin për ta ekzekutuar. Në ndjekje pas tij, u lëshuan bullgarët me forcat e tyre.  Mjafton të dëgjojnte për ndonjë kriminel, mjafton t’i ankohej kush, dhe Hasan Remniku si xhebrail,  gjendej te vendi. Kudo ia kishin frikën, leqet e këmbëve u dridheshin prej tij. Paguanin shuma të mëdha për kokën e tij. Një kapter xhandarmërie, ai e kish tredhë. Njëfarë Bozhidari ia kish prerë gjuhën me thikë se e kish spiunuar. Një tjetri i kish shkurtuar dorën, se kish rrahur një shqiptar pa pikën e fajit. (f. 97).                                              Nga Agim Gashi citojmë: “Në vitin 1941, marrëveshja (Ribentrop-Çiano) për ndarjen e territorit, Gjermanët u larguan nga pjesa më e madhe e territorit të Kosovës, duke ia lënë Italianëve dhe bullgarëve:  Kaçanikun Karadakun dhe pjesa e Anamoravës. Prej Gërlice dhe tutje mbeten nën administratën bullgare – Kumanovë, Viti, Kaçanik. Bullgarët nisën t’i rrihnin meshkujt kudo që i takonin, në arë, në rrugë, në mulli, në oborr, në familje etj. Me këtë donin t’i fyenin e t’i turpëronin, duke ua ulur dhe përdhosur dinjitetin dhe krenarin e tyre.                                                
Hasan Remniku u betua: “Pasha at’e nanë, qi m’ka dhanë gji, / Pasha Nanën tonë Shqipni, / Trupi i jem n’dhe s’ka me hi- / Pa e marre gjakun për vllaznit e mi! ...”  Ishte vjeshta e vitit 1940, bullgarët erdhën në Remnik. Tellalli Thirri gjithë meshkujt, nga mosha 16 – 80 vjeç të mblidhen në oborrin e Xhamisë. Hasani i lajmëroi të mos hyni në oborr, po fshataret nga frika e familjes  u futën në oborr. Ushtria bullgare rrethoi fshatin ane e kënd. Hasani e shpërtheu rrethimin. Populli u ngujua në Xhami. Bullgaret kërkonin dorëzimin e armëve, fshatarët refuzuan, filloi tortura me vrasje therje dhe thyerje gjymtyrësh për tre dite e net, dyshemeja e xhamisë u mbulua me gjak. Burgosën 60 gra të Remnikut, për tre javë i mbajtën te shtëpia e Muharremit, se nuk kishte vend në burg duke i terrorizuar. Hasani me Ramis Gernicën shkuan te nënprefekti i Gjilanit, ky ndërmjetësoi te komanda bullgare dhe i liruan.  Kolonat bullgare vinin natën dhe trazonin familjet shqiptare të Remnikut dhe të Gjylekorit. Këto trazira të shpeshta e të rrezikshme, shtynë Hasanin të organizonte largimin e popullatës. (A. Gashi “Hasani Kaçaku I fundit”, 5-4-2009).                                     
Orce Vapcarovi,  Ilia Vuçiqi  (të deleguarit), dhe Bilana infermiere në spital, përgatitën kurthin për të eleminuar Arben Preshevën dhe Hasan Remnikun, kur të shkonte në Letnicë, te kisha e Patër Ndonit.  -Bilana, letrën ju duhet t’ia dorëzoni tezes tuaj në Letnicë. Keni dëgjuar për Hasan Remnikun? Ai që na urren ne sllavët pa dallim… “Nije kërv voda, drugarice Bilana!” Duhet të mendoni për jetën e tezes tuaj që është në rrezik. “I za sllavu sllavjansku a smert shiftarsku” (për lavdinë sllave,  vdekjen e shqiptarëve).  (f. 111).                                                                                            
Bilana ia hipi kalit dhe arriti me një frymë te tezja, që urrente shumë shqiptarët.  Ndërsa Arben Presheva u nis vetëm pa shoqërues. Për gjatë rrugës takoi Demir Kaçanikun, komandanti i kompanisë së pestë. - Dua të bisedoj me ty, i tha Demiri.  Dëgjova se Miodrag Pavlloviçi, përpara 3 muajve ka pushkatuar në kodrat e Miçipapës shtatë shqiptar të pafajshëm dhe ka marrë flamurin shqiptar e ka copëtuar dhe shkelur më këmbë, janë të gjithë të indinjuar, ai duhet nxjerrë në gjyqin partizan.                                   Arbeni, fliste te Patër Ndou i qetë dhe me fjalë të matura. Një fjalë e urtë e popullit tonë thotë: “ armiku i vjetër mik s’bëhet”. … Patër, më thanë se është Hasani në kishë, foli Arbeni. –“Qetu jam, qetu”!  Arbeni u kthye menjëherë dhe hoqi duart nga automatiku.  Mbas shpinës se tij qëndronte Hasan Remniku, tmerri i krahinës. Ishte me automatik të shkurtër në duar, me shirita fishekësh, me dy bomba dhe kobure në brez. I mbathur me opinga lëkure të lehta, i veshur me tirqe e kësulë të bardhë.  -Më falni për mundimin që morët dhe erdhët deri këtu. –Qofsh me nder dhe me faqe të bardhë, se ky mundim për mua s’ashtë gja.  –Por mendova, pse kam vrarë ca shkije gjakatare, e thashë, s’do begedisnit të flasësh me mua.  –Përsa u përket gjakatarëve qe keni vra, ju lumtë dora!  - I lumë qofshi!  Pa hë, flisni, ç’keni pasur të më thoni? Ç’dëshironi prej meje?  -S’dëshëroj gja, Z. Arben.  Ju thirra të merremi vesh për një punë, tha Hasani, - para pak kohe, aj Miodrag Pavlloviçi juaj,  ka vrarë shtatë shqiptarë pafaj. Ai e ka hak plumbin tim. Unë ia kisha dhënë, sikur mos  të kishte qënë shoku juaj.  “Shoku juaj!” Sesi i tingëlloi në shpirt. Sa e rëndë e pështyrë i erdhi. Sa keq. (f. 133).                     
Edhe unë, o Hasan Remniku, -foli Arbeni me takt prej diplomati e me zë të qetë,  -mendoj se jeni trim, njeri i drejtë e i ndershëm. Gëzohem që u njohëm!.  –Deri sa t’i keni ata shkijet me vehte, s’vjen Hasani me ju. –Sikur të mos ishin sllavët në radhët e partizanëve tuaj. –I tha ai, dhe sikur të lëshonit kushtrim vetëm për një çlirim kombëtar, për bashkimin tonë me Kosovën, bir kosovari s’do të qëndronte në shtëpi.  Edhe Patër Ndou ishte kundra shprehjes “pa dallim kombësie”, jo. E si te luftohej për çlirimin e Kosovës nga shkiet duke i pasur shkiet pëkrah? A e mendonte shkau çlirimin e Kosovës?  (f. 138).                   Pak kohë pas largimit të Hasan Remnikut, kisha u rrethua  nga forcat bullgare që kërkonin dorëzimin e Hasan Remnikut dhe të Arben Preshevës. Filloi lufta natën në errësirë,  Arbeni gjuante nga dritarja në drejtim të flakës së armëve që gjuani rrethuesit. Arbeni u ngjit te kambanarja e kishës, aty u plagos në krah dhe në kofshë, po kur humbi shumë gjak,  zbriti poshtë dhe Padre i lidhi plagët. Prifti për herë të parë filloi të gjuante me automatikun e Arbenit, por u plagos rënde dhe vdiq. Krismat në mes të natës u dëgjuan përreth. Kthehet Hasani dhe filloi të pastrojë vendin, duke ndjellë vdekjen e rrethuesve dhe duke thirur, “Përpara trimat e Arbenit”!  Urra-a-a! Përpara!. Rrethuesit morën poshtë lëndinës. Hasani thërriste nga jashtë para derës, Arbeni rrëshqitas i hapi derën, Padra kishte vdekur kurse Arbeni me plage te lidhura prej Pater Ndonit. Mbahu i thotë Hasani, dorën e djathtë nën gju, të majtën në sqetull, e ngriti dhe shkuan te kali i fshehur në pyll.  Kjo vërteton se sllavët serbë, janë në lufte me sllavët bullgar, por kundër shqiptarëve ata bashkohen.  (f. 151).                                                                                                           
-Pjetër!, - thiri Arebeni menjëherë, pasi e shtruan në dyshek, - Ço një korrier përtej Morave me urdhër, të vijë Miodrag Palloviçi këtu. Të dalin të gjithë jashtë dhe t’i afrohu. I tregoi për bisedën me Hasan Remnikun dhe Bajram kaçanikun. Miodrag Pavlloviçi duhet çuar para gjyqit partizan menjëherë. Vrasjet që ka bërë në Kuevishtë e Lubancë janë të pajustifikuara. –Të thirret menjëherë këtu, Pjetër. Do ta hedh në gjyq. Ndërsa Patër Ndon Lekën shënoje në listën e dëshmorëve. (f. 156)                                   
Shtabi i batalionit, në bashkëpunim me Komitetin Qarkor të partisë, vendosi t’i bëhej atentat qark-komandantit të Preshevës, për krimet dhe masakrat para disa ditëve, Demir Kaçaniku u ngrit e tha: -Ma lini mua këtë punë!…                                                                                                                            
- Demir Kaçaniku! –Mirësevjen Hasan Remniku … -Ke besë Demir Kaçaniku? -Besë shqiptari Hasan Remniku! –Qe atëherë, toke!... Në atë kohë Hasani nxorri koburen e i tha: -Merre këtë që të më marrësh hakun!  Demiri ia mori, nxori revolen e vet dhe iu kthye: -Merre këtë, që të më vrasësh hasmin!… Ndihem i vendosur të vrasim kolonel Hristo Kondov, tha Demiri. Ka derdhë gjak shqiptari. Pajtohesh me ne?... Dua vetëm një gjë prej teje. Fol Hasan Remniku! –Të më japësh djalin,  - Me gjithë qejf!  Edhe djalin ta jap,  -iu përgjigj Demiri … Hasani takoi Batushin të birin e Demirit  21 vjeçar. Aty nga ora nëntë e darkës iu afruan klubit të bilardos, panë se lozte koloneli me shokët e tij.  U ngjitën kumbullës në kopësht, nëpërmjet dritares te tavolina e bilardos, e shënuan Kolonelin dhe me dy krisma të menjëhershme e lanë të vdekur. Ashtu si erdhën, kopësht më kopësht dhe gardh më gardh, u larguan pa I diktuar kush. (f. 176).                       
Kalorësi,  mbasi mori e dha sinjalin me Kurt Lashticen, shkoi drejt shtabit pa fijen e drojes.  Tek dera, roja flinte gjumin e madh me një brakë gjaku dhe me njëherë u fut në dhomë, pasi dalloi mirë personin, nxori thikën, e ia këputi gurmazin Miodrag Pavlloviçit, i preu veshin e djathtë dhe në mur shkroi: Kështu do të pësojnë të gjithë ata që u bien në qafë shqiptarëve.  Hasan Remniku.                  
Tri ditë pas kësaj ngjarjeje, Arbeni liroi nga burgu të gjithë të arrestuarit dhe, me përjashtim të oficërave, të tjerët i dëboi jashtë kufirit të zonës së lirë. (f.276).                                                               
Mbas luftimeve me forcat gjermano-bullgare, Arbeni ishte plagosur dhe kishte humbur ndjenjat nga një goditje me gur në kokë, mbi të ishte vrarë e motra Shpresa dhe shoqja e saj Hasija. Hasani i hoqi të vdekurat nga trupi i tij dhe kur e diktoi që ishte ende gjallë, e lëvizi.  Mandej pasi erdhi në vete:  – A më bëjnë sytë, a po je ti Hasan Remniku?  -e pyeti Arbeni burrin me mustaqe. -Hasani jam, zoti Arben. –Po ç’të solli këndej?  - Erdha me pa… Mandej i dha mataren me ujë, - pi i tha. - Arbeni e mori dhe piu me gërqe dhe u kthjellua. (f, 320).                                               
Hasan Remniku, organizoi këputjen e telefonave të komandës bullgare, para se të kalohej lumi Moravë në 12 shtator 1941,  paralizoi karakollin e Naselës dhe të Kungullarit.  Serbët në fillim vranë rreth 20  remnikas duke i  varrosur edhe të gjallë.  Hasani në fund të vitit 1942, vrau 15 serbë të Remnikut, si shpërblim të vrasjeve që ata bënë më parë. Në Zhegër vrau zullumqarin Sllobodan Jovanoviçin, dhe i ngritën këngë: “Sllobodan, ai luli i s’amës -/- Po i rruan faqet n’dritë të llamës! / Hasani   Qazimit iu ka avitë: / Ti në ballë, e unë – fyt! …”.                      
Më 5 tetor 1951, grupi i Hasan Remnikut, u përcoll nga kulla e Agush Mehmetit në Bresalë, të dielën më 7 tetor 1951, rreth orës 20, Ishin: Hasani,  Agush Mehmeti, Qibrie Mehmeti, Mustafa Koka, dhe Rabije Koka.  Natën 9 – 10 tetor 1951 të shoqëruar me sahanlëpirës, mbasi kaluan lumin u hodhën në hendeqe, në moment u ndezën dritat e kamionëve dhe ndriçuan grupin, kërciten armët. Pas pak u qetësua, në hapësirën e ndriçuar gjendeshin të shtrirë, Hasan Remniku, i rrethuar nga bashkëpunëtorët e vet të vdekur.  Në tradhëtinë, ku Hasani me shokë ishin prerë në besë e të pabesëve, mjerisht shqiptarë.             
Më 10 tetor 1951, kufomat u ekspozuan në Prizren, në komunën e Vitisë, në Gjilan dhe Kamenicë.  UDB-a për të mbjellë tmerr në popullsinë shqiptare, burgosi mbi 27 jatakë dhe bashkëpunëtorë të Hasanit. (Akllapi Net-Forumi i hapur, Ramadan Asllani 5 prill 2009).                          
Për akademikun Kapllan Resuli, ka ardhur koha të hidhet dritë, mbi ata që gatuan tragjedinë e Kapllan Resulit, te quajtur përdhunim gjaku.  Ramiz Alia, tha me gojën e tij, më keq se një sllavo-grek, gënjeshtrën se Kapllan Resuli kishte vdekur ne burg. Ndërsa në R.D., nr. 6, Tirane 23-1-1991, u botua se Akademiku Kapllan Resuli është gjallë dhe u lirua nga burgu mbas 20 vjet në Spaç-Burrel. Poetja Zhuliana Jorganxhi, poetizon: “Ishte Hero – ishte njeri! / Dhe shok nuk kishte një të dytë. / Foli kur heshtnim unë e ti, / sa çeli zemrën, ai mbylli sytë. / dhe thane se: vdiq i harruar, / Në burg të errët, në vetmi”. / A kish më t’vdekur, të pambuluar, / Se të pagojët, si unë e ti? (U botua Tiranë  26-1-1991
                                Rasim Bebo  Addison  Çikago  Maj  2014.  rasimbebo@att.net                                                                                                                       

No comments: