Sunday 11 May 2014

KOLLPORTIM ARTISTIK I NGJESHUR ME REMINISHECA TË NDËRLIDHURA

KOLLPORTIM ARTISTIK I NGJESHUR ME REMINISHECA TË NDËRLIDHURA
 
Flutura Açka ‘’Kukullat nuk kanë Atdhe’’ botoi Real-Stamp, Tiranë 2013
 
Autorja Flutura Açka me romanin e saj më të ri ‘’Kukullat nuk kanë Atdhe’’grish përpara lexuesve një lojë dramatike të ngjeshur me parodi, alegori e ironi të stërholluar, për vendin, kohën dhe njerëzit. Ajo jep në vazhdimësi mesazhe të reja e të qarta rrëfyese, ku fiktivja dhe realja koordinohen mirë me kriter të veçantë simbolik në një konvencion reproduktiv e stilistik të sinkronizuar. Me mjeshtëri të kalitur sistemore ndërton jetën e vrullshme të personazheve, duke përdorur në strukturën e romanit zhdërvjelltësinë kreative postmoderne. Kështu shkrimtarja përfshin shumë ngjarje të ndryshme të jetës së ‘’kukullave’’ dhe me kriter të veçantë letrar ndërlidh një rrëfim të adaptuar rrjedhshëm në konflikt dramatik. Romani si tërësi mbërthen në vete koncepte e varietete gjuhësore ironike, provokuese, thumbuese, të sistemuara figurativisht në fragment, të cilat si të tilla që janë me alternativë kuptimi, nga kaptina në kaptinë, shpalojnë një dramë të koduar artistikisht e të goditur mirë me ngjarje. Struktura narrative është e lidhur ngushtë me realitetin dhe me ndodhitë e shumta që ngjajnë gjatë këtyre viteve të fundit të tranzicionit. Faktikisht aty përshkruhet në mënyrë detajuar çdo gjë që ndodh rreth individit dhe shoqërisë. Kyçja e qytetarit të thjeshtë, intelektualit, politikanit, artistit, kriminelit, na jep të kuptojmë tërësinë e frymëmarrjes së një populli në jetën bashkëkohore pluraliste. Shkrimtarja pasqyron të gjitha poret jetës, me të mirat dhe të këqijat e saj që sjell koha dhe hapësira. Ky roman artistik triler nuk fshihet në asnjë rast edhe nga intertekstualiteti i përshtatur i performancës së përkryer gjuhësore dhe brenda kësaj përkryerje të shtjelluar veçohet edhe një ndërlidhje tjetër e frymës së lehtë poetike, që ka normë letrare të koduar me shtrirje më të thellë teorike. Kështu përmbushet qëllimi i shkrimtares për kriter artistik të përzgjedhur, sipas standardit të imponuar nga koha. Në roman shpalohet fshehtësia ironike, satirike, e mbështetur kryesisht në simbolikë të përhershme gjuhësore. Kështu kjo gjuhë e përdorur spontane adaptohet rrjedhshëm në ngjarje, ku edhe merr një puls nxitës koketimi fjalësh të goditura, me tension të ngritur dhe me përmasë rrëfyese të ngjeshur e sistemore gjatë tërë tipizimit të situatës. Këtu shtegton një rrëfim i përzgjatur enigmatik e erotik, me shumë ngjarje jetësore të përjetuara bindshëm nga vitet 2000 e këtej, që përmes një konsumi efikas metaforik, shpalon informacion të verifikuar me ndodhi. Romani plotësohet me shpëlarje ndjenjash të fiksuara intime të veçanta, të cilat vijnë të imponuara nga realiteti jetësor. Dashuria konfliktuoze e personazheve dhe arti gjuhësor i përdorur në tekst imponohet bindshëm nëpër veprime dramatike. Bëhet trandja morale dhe imorale e personazheve, për vlerat dhe jo vlerat njerëzore në rrugëtim e sipër. Hyrja në jetën e tyre të vrazhdë bëhet e detyrueshme për lexuesin, që kërkon shkak dhe pasojë në ngjarje, si segment kyç i njohjes së thellë të asaj imagjinate të imponuar letrare nga përvoja kreative, për ta kuptuar bukurinë tërësore, artistike të veprës. Idetë e rafinuara që ngërthen romani për t’i nxjerrë në shesh të gjitha ndyrësirat e kohës së kaosit të tranzicionit të vrazhdë, e plason këtë shkrimtare në vetëbesim të guximshëm dhe në opozitë të angazhuar veprimi. Kjo bëhet duke vendosur në vetëdije motive të akorduara me mjete të sofistikuara kritike, reale, thumbuese, për realitetin e hidhur të kohës. Romani paraqet një rrëfim të fuqishëm për marrëdhëniet e dashurisë dhe ashpërsisë së jetës, e cila ekziston e kryqëzuar në ndjenjë derisa është e fokusuar si mall. Kjo duket qartë kur shfaqen nuancat subtile të marrëdhënieve ndër njerëzore intime. Flutura Açka e zbulon këtë fshehtësi seksuale të shumanshme të kukullave, ku edhe veçohet niveli kulturor i tyre, për të dhënë një gjykim të mprehtë, të shumë aspekteve jetësore bashkëkohore.  Kryesisht për t’i fshikulluar artistikisht të gjitha veprimet, gjestet, anomalitë, karakteret e njerëzve, që janë të kyçur mbrapshtë në sistem, madje duke mos kursyer kurrgjë nga jeta dhe gjuha e vrazhdë e përditshmërisë sonë, ashtu siç do t’i rikujtonte edhe ca fjalë sharëse të dëgjuara nga një fqinje, Matrona, e cila adapton kukullat e saja të imagjinuara në jetë reale, në fillim të romanit për ’’Atdheun e shkërdhyer nga politika’’. Bile, ajo me atë zhargon thumbues nuk kursen as ministra e kryeministra, e njerëz publik të kohës sonë, që janë element bartës së një politike të degraduar, pa perspektivë zhvillimore edhe nëpër shumë vende tjera të botës. Açka madje ngjiz zërin e revoltës thumbuese kundër pseudo kulturës, pseudo politikës, pseudo biznesit, pseudo shkollimit, pseudo dashurisë, si fenomene të imponuar keq në shoqëri. Ajo me anë të kukullave, që janë femra me frymë e shpirt, avitet guximshëm në kohë të duhur në skenë veprimi dhe me mprehtësi therëse vardiset kundër një shteti, atdheu të korruptuar me përmasa çintegruese, i cili tanimë sipas saj në këtë treg të lirë të jetës reale është zhytur në thellësinë e amoralitetit të degraduar shoqëror. Ku demokracia dhe liria keqpërdoren tmerrshëm nga anarkia sistemore e njëmendësuar e individit dhe nga mentaliteti i rrejshëm i zhvillimit të shoqërisë mediokre. Këtë vrazhdësi njerëzore të shoqërisë do ta bart romani që nga fillimi deri në fund. Açka edhe pse gishtin tregues e ka drejtuar nga Atdheu i saj, Tirana, por vrulli i mesazhit përgjithësohet dhe merr përmasën kritike të shumë vendeve që gjenden në tranzicion. Më së miri këtë gjendje alarmuese, tipizuese, do ta pasqyrojë njëri prej personazheve kryesore të saj Vokër Delia, i cili nuk zgjedh mjete veprimi për t’i realizuar kënaqësitë dhe ndjenjat e veta të sëmura. Ai është në gjendje edhe të vras, për të mbërritur në majën e karrierës së tij rrejshme. Të tjerët para pangopësisë së tij të ç’thurur janë të pa vlerë, janë kukulla që mund t’i manipulojë e renditë në oazën e kënaqësisë së tij kur t’i teket, e kurë të dojë vetë. Ai di dhe kërkon të përfitojë gjithçka që është në shërbim të interesit tij. Ai është një BoBo (Boss), siç i ka quajtur autorja në realitet njerëzit e korruptuar të kryeqendrës së Atdheut të saj. Atë lloj njeriu që ka ideal vetëm paranë. Këto tipa janë të shumtë anë e mbanë botës, që i ngjajnë këtij njeriu karrierist dhe të pa ngopur dhe që keqpërdor shoqërinë. Pesëmbëdhjetë vitet e martesë së tij me kukullën 13, të ashtuquajturën Ajrinë, e cila nga pakënaqësia shpirtërore disa vjeçare, kërkon mirëkuptimin njerëzor të divorcit, (shkurorëzimit) nga i shoqi, për një ndarje të butë, të kuptueshme, pa skandale, pasi tanimë, sipas ndjenjave të saj të lënduara nuk funksionon kurrgjë në jetën e tyre të përbashkët, aspak tolerante të bashkëshortësisë. Mes tyre nuk ka kurrgjë të bukur, madje as drekat e shtruara, as koha e lirë, as paratë, as koktejet, as puthjet, as seksi, nga ajo dashuria shumëvjeçare e idealizuar deri në përhumbje e zhgënjim. Ftohtësia e saj kalon gradualisht deri në urrejtje, ngase ishte një dashuri zhgënjyese, e ndërtuar keq. Që ka shtegun e gjatë të veprimit dhe ndikimit të shëmtuar nga mentaliteti mbisundues patriarkal, e një mashkulli fanatik, i vardisur keq, i cili ka trashëguar gjakun e papastër të një mentaliteti provincial, shoqëror, fanatik të kanunit, ku burri mund të bëjë gjithçka në jetë, bile edhe të vrasë, e gruaja si e nënshtruar, të gjitha lëshimet dhe tekat e tij të ç’thurura që i bën fshehtas, duhet t’i pranojë në vete si veprime normale, jetësore bashkëshortore. Kësaj koketerie morale të njëanshme gruaja duhej të jetë ajo e durueshmja, ‘’hatërmbetura’’, e cila të gjitha veset e pa hijshme të burrit t'i merrte si gjëra normale, gjoja se burrit ia toleruaka këtë komoditet, mentaliteti arkaik i Kanunit. Pikërisht këtu qëndron fuqia e kuptimit të mosnjohjes shpirtërore feministe, e disa meshkujve kur lëndojnë të tjerët, gratë me veprimet e tyre të njëanshme. Vokër Delia dhe Ajrina arrijnë kulmin e konfliktit njerëzor për ndarje, kur ndeshen të vetmuar pas një udhëtimi të papritur në Itali, gjoja për të kujtuar ditën e martesës. Ato atje i shfaqin të gjitha mosdurimet midis tyre për divorc. Heshtja e gjatë dhe refuzimi për dialog të shëndoshë trazon negativisht edhe më shumë komunikimin e tyre, gjatë asaj dreke të shtruar enkas në jugun e Italisë, e që kurorëzohet bindshëm me ftohtësinë e tyre të përhershme të mos përshtatjes. Kukulla 13, Ajrina është e paaftë të luftojë si e vetmuar me këtë kohë të egër, por arma e saj e vetme për t’u mbrojtur nga kjo anomali jetësore, e imponuar, është ndjenja e saj shpirtërore e thyer, që e detyron me krenarinë e egos së saj njerëzore të bëhej e fortë dhe të marr guximin për kapërcimin e kësaj situate të hidhur. Edhe kjo nga mosbesimi bie në gjendje të ronitur dyshimi, si Ana Karenina, por nuk merr qëndrimin e saj tragjik për vetëvrasje, siç u ka ndodhur shumë shoqeve të saja të kohës. Ajrina ka djalin, si Ana, që në këtë rast analogjie vepron kalimthi në roman, por ajo që e ngushëllon situatën e saj të hidhur në roman, është sentimenti i krijuar për rrugëdalje nga e keqja është kryesisht poeti Mond Shpali, i cili me urtësinë e një artisti gjatë një kokteji të përbashkët me elitën kulturore, ku ishte prezent edhe Ajrina, ia kishte vjedhur e mikluar zemrën për një periodë të gjatë kësaj femre që kërkonte ngrohtësi shpirtërore. Vargjet e tij poetike, të cilat ajo i pëlqente shumë i ruante nën jastëk, duke ia mbajtur gjallë kujtesën dhe dashurinë platonike të ëndërruar. Meqë Ajrina me profesion ishte pianiste, gjithsesi se finesat e artit të saj shpirtëror e mendor donte t’i koordinojë dhe akordojë në harmoni me fjalët e bukura poetike të Mond Shpalit, i cili gjithnjë kishte kujdes që të mos ia trazoj ndjenjat edhe ashtu të plaguara dhe të keqtrajtuara nga burri i saj. Ai gjithnjë me modestinë e njeriut të durueshëm dhe të matur në shoqëri merrte dhe jepte guxim me alternativë jete nga distanca, në mbrojtje të një shpirt të lënduar keq. Edhe pse afria e Mond Shpalit me Ajrinën ishte më e thellë se këto fjalë latuese të respektit, ajo në kodin e ndjenjës së saj psikologjike të komplikuar adaptonte hakmarrje dashurie të fshehtë ndaj të shoqit, për t’u revanshuar më në fund. Kukulla 13 edhe pas marrëdhënies intime me një burrë tjetër, Mond Shpalin megjithatë nuk donte të luaj trio dhe aborton me vetëdije fëmijën e dytë të posa nisur, pas një marrëdhënie seksuale me të do ta keqësonte situatën edhe më shumë. Në vete fshehte moral të përgjithësuar njerëzor. Ajo nuk donte ta mbajë këtë fëmijë, peng të konfrontimit jetësor midis dy burrave, derisa ende s’është ndarë tërësisht nga burri i saj i parë, pasi nga ana morale nuk i leverdiste mënyra e veprimit në shoqëri, ndihej shumë keq dhe nuk donte t’i sillte poetit ndonjë të keqe, që do të kishte pasoja të pa parashikueshme në të ardhmen e tyre. Açka sipas këtyre bindjeve dyshuese, për personazhet e veta kërkon një shteg të mundshëm racional, duke ua arsyetuar veprimet e tyre për hamendësimin e egos së imponuar, pasi ato në brendi të situatës e konfliktit janë të ngarkuar me probleme të shumta ekzistenciale. Si duket autorja për t’i arsyetuar kundërshtitë e personazheve përdor mundësitë ezoterike. Personazhet përballen guximshëm me kundërshtitë e jetës dhe luftojnë me këmbëngulësi irracionalen e strehuar në vete. Për vetëbesim të bindshëm jetësor atyre ua ngjesh në vetëdije teoritë oshoiste.  
Një karakteristikë tjetër në roman sjell kukulla 24, e cila luan rolin e një gruaje tipike shqiptare. Ajo është ish shoqja e Ajrinës, e punësuar në Ministrinë e Drejtësisë. Edhe gjendja e saj shpirtërore është e lënduar nga shoqëria. Ajo nuk vuan për dashuri të sinqertë, ngase ka marrëdhënie të mira me bashkëshortin, por shqetësimi i saj është izolimi nga shoqet e saja të punës. Ato shoqet e zyrës e shihnin si një grua të rëndomtë, jo e kohës, sepse ato përveç burrit, mund të zbukuronin jetën e tyre me emocione paralele, duke flirtuar e dashur edhe burra të tjerë njëkohësisht, Këtë ç’thurje morale nuk e pranonte kukulla 24, pasi ajo kishte dëshirë të kultivojë një familje të shëndoshë. Ky personazh përmbush jetën sentimentale të njeriut që gjendet përballë një shoqërie të degraduar, këtu pa hamendje shpalohet një lloj konfrontimi moral midis normales dhe jo normales që derdhet në mënyrë stihike nëpër ujërat e turbullta të kaosit shoqëror.       
2
Shtjellimi i personazheve të imagjinuara demitizohet në rrëfimin e brendshëm të kësaj vepre të dalë nga realiteti jetësor shqiptar. Në fillim zbulohet qëndrimi bazë, i mashkullit dhe femrës, pastaj dalin veçantitë e tyre të jashtme. Nga imagjinata e strehuar intime kalon në atë konkrete për t’i zbuluar fenomenet e kohës. Të gjitha figurat luftojnë për të qenë dominues në veprimet e tyre. Autorja na fut në psikanalizë letrare. Secila prej kukullave afron në skenë dramatike përvojën e vet jetësore në një kohë të caktuar. Figurat bartin në vete karakterin e vet të tipizuar mirë. Edhe kukulla 6, shoqja tjetër e ngushtë e kullës 13 pëson keq me guximin e saj gjurmues nga jeta dhe shoqëria, pasi ajo si gazetare i përcjell dhe i denoncon të gjitha anomalitë e kohës dhe sistemit. Ajo madje shpalon konceptin e saj ‘’të burgut të lirisë shqiptare’’. Kukulla 6 është e lidhur ngushtë për kryeqytetin, por edhe ajo bën një dashuri platonike me të dashurin e saj që gjendet në mërgim. Nuk i bindet kërkesës dhe vardisjes së tij për t’u larguar nga vendi, ngase atdheu i kishte mbetur peng i përhershëm i dëshirave të saj të preferuara, për t’i ndihmuar me mundësitë veta që kishte si gazetare. Kukulla 6 nuk mbetet vetëm me kaq, por shkon edhe më tej me shkrimet e guximshme, duke u marrë edhe me një fenomen tjetër tronditës të shoqërisë shqiptare, gjegjësisht, me fenomenin e homoseksualitetit, si standard i imponuar nga jashtë për të drejtat e njeriut. Madje më tej ajo pëson edhe për shkak të bindjes së saj kërkuese, kundërshtuese, të realitetit të hidhur, për t’i ndihmuar shoqes së vet dhe sidomos të shpalimit të aksioneve të errëta të Metalurgjikut, gjë që për këtë ndërmarrje të ndritur, të dikurshme ku kishin punuar edhe  prindërit e saj ka dorë të përlyer për privatizim edhe Vokër Delia. Qëllimi është kush i shfrytëzon këto mjete e tenderë dhe kush abuzohet me këto fonde të lëshuara për mirëqenien e shoqërisë. Këto janë pyetje retorike që i dedikohen lexuesit për ta kuptuar të vërtetën e kohës. Kukulla 6 me pësimin e saj zbulon shkakun dhe pasojat e situatës politike në shoqëri. Tirana sipas saj është simptomat e vrazhdë e demokracisë së korruptuar, ku shoqëria dhe individi vuan nga virozët e politikës së njëanshme, dekadente, shkatërruese, e cila me mutacionet e saja historike të diktaturës së njëmendësisë sistemore, të ikur, copëtohet keq në demokracinë e brishtë të kohës, e cila mbulon shoqërinë keq ‘’si ndonjë çadër e vjetër’’. Ajo tanimë në vete bart një kohë të bruztë, plot me ngjarje të pafata, vrasjesh për nder, gjakmarrjesh të shumta, vjedhje dhe aksidente të shumta në rrugë, debate politike të pavlerë. 
Romani kërkon vëmendje të posaçme për t’i deshifruar tipat kundërshtues të personazheve, që veprojnë në jetën politike e publike të kohës sonë, meqë në tekst ngjishet perioda kohore dhe hapësira e një vendi postkomunist, bashkë me të gjitha pasojat e shkaqet ekzistuese të zhvillimit të keq të privatizimit, prapëseprapë, titulli i romanit të shkrimtares Flutura Açkas ‘’Kukullat nuk kanë atdhe’’, universalizohet si temë e përgjithësuar me anë të rrëfimit të përzgjedhur gjuhësor dhe shumë dimenzional. Personazhet vepruese sjellin një frymëmarrje sinkronike të shoqërisë, ku dukuritë shoqërore inkarnohen të sistemuara në një ide të caktuar veprimi, për ta shpaluar të vërtetën e kohës. Gruan e vë përballë një sistemi të vrazhdë transitor emancipues. Bota femërore aty aktualizohet si një fenomen i përgjithësuar i ndjesive të përmasave të mëdha feministe, pasi ndjenja e gruas del në shesh kuptimi, si shumë e ndërlikuar, edhe si humbëse edhe si fituese e stratosferës politike e erotike që ngërthen në vete femra, si qenie e pranishme në shoqëri, gjë që pikërisht kjo parabolë kuptimi e bërë të veçantë dhe aktuale këtë vepër të guximshme të Açkës. Zhgënjimet dhe shqetësimet e personazheve lidhen ngushtë me vendin, rrethin jetësor të përmbushur me shumë ngjarje reale e të lidhura strukturalist mirë midis vetes, ku kihet parasysh një tranzicion sistemor i imponuar keq në shoqëri, me shumë pasoja dhe zhgënjim jetësor. Kukullat divorcohen dhe kurorëzohen me ngjarje nëpër shumë segmente të jetës. Ato pësojnë dhe veprojnë duke shpaluar identitetin e vet luftarak në shoqëri. Ato nuk janë kufoma të gjalla që kurdisen në ndjesinë e tjetrit, sa hap e çel sytë, pa e shijuar e përjetuar situatën e rrethit me emocionet e veta tërheqëse. Edhe ato kanë ofkëllimat e ndjeshme të veta,  Ato veprojnë në jetë dhe përvojat e tyre universale i pleksin guximshëm në ngjarje nga ndodhitë e shumta të përjetuara. Shkaqet dhe pasojat e tyre nuk mund të kapërcehen lehtë, pa praninë e tjetrit, burrit, nën vetëdije. Kështu vihen në baraspeshë konflikti, karakteri i mashkullit dhe ai femrës, gjë që në realitet ushqejnë në vete pa kuptimësi marramendëse të paragjykimeve të shumta, të ndërtuara prej zakoneve të trashëguara nga tradita dhe nga pikëtakimi formës së jetës së re, emancipuese, të të jetuarit, të barabartë midis të barabartëve, e cila tanimë sot si e tillë duhet të përballet dhe përplaset në reformë të kushtëzuar sistemore. Kjo arritje e shëndoshë, nga dita në ditë, plotësohet edhe me kthesa shoqërore të imponuara postmoderne. Përmes kukullave shpalohet vetëdijesimi kolektiv i femrës, e cila si e tillë që është në emancipim të drejtë shoqëror, të kulturuar, nënkupton barazinë gjinore për t’i shijuar të mirat dhe të këqijat e kësaj bote në mënyrë të barabartë. Këto femra nuk janë vetëm kukulla gome eksitimi të shpejtë dhe të adaptuara teknikisht rrejshëm në shoqëri, për shumë burra që kërkojë shpëlarje ndjenjash meshkujsh të shashtrisur shesheve të shtrembëruara mendore, por janë qenie të ndritura që mund t’i shërbejnë shoqërisë nëpër të gjitha poret e jetës, kudo që të gjenden duke vepruar e jetuar.
 Vepra ‘’Kukullat nuk kanë atdhe’’ është një shqetësim kolektiv, i imagjinuar mirë nga autorja dhe i lidhur ngushtë me çastet më tronditëse të jetës në një shoqëri që është e bartur keq, më tej në kohë, e sistem të integruar demokratik, me komplekset e komunizmit të trashëguar, me shqetësimet e shumta të emancipimit të vështirë që ua imponon përditshmëria e hidhur e tranzicionit, pasi shoqëria shqiptare del e lodhur nga një sistem i lënduar standardi të sofistikuar i kufizimit jetësor, si dhe nga rregulli i përmbytur i diktaturës, në një shoqëri të hapur, kompleksive pluraliste. Personazhet përballen ashpër në jetë me shpërthimin shumëdimensional të jetës urbane, ku alkooli, droga, prostitucioni, pasurimi i shpejtë, bëhen imazhe të përditshme të njeriut. Rrëfimi nuk shtjellohet bardhë zi, por në mënyrë pluraliste imponohen ngjarjet e kodifikuara të personazheve në syzhe kuptimi, ku konfliktet barten rrjedhshëm, me spontanitet dhe me ndjeshmëri ndikuese nëpër skutat e veprimeve emocionale të tyre dalldisura keq. Autorja eksperimenton guximshëm në rrëfim një shtjellim të motivuar gjithëpërfshirës, postmodern të shoqërisë shqiptare.  Në roman ka edhe intertekstualitet të frymëzuar e absorbuar mirë nga shkrimtari i Amerikës Latine, Mario Vargas Lloza. Autorja përdor gjuhën dhe stilin e tij të përafërt të shprehjes dinamike. Kur jemi në këtë mendim të kujtojmë, sa për ilustrim, pasojat e të miturës Urani në romanin ‘’Festa e cjapit’’, ku kristalizohet mjaft mirë e keqja e trashëguar e një sistemi të korruptuar dhe të udhëhequr keq, m'u aty në Republikën Dominikane, në atë vend të përmbytur nga anarkia e mosbesimi, ku diktatori Truhijo do ta përdhunojë vajzën e përkrahësit të tij, Sekretarit të shtetit, Senatorit, Kryetarit të Partisë Demokratike, i cili me të gjitha ato poste që kishte bartur në shtet, më në fund i sëmurë dhe i vetmuar do të përfundoj shumë keq, dhe si për shpërblim nga shefi i tij i adhuruar merr çnderimin familjar më të tmerrshëm, duke ia keqpërdorur vajzën, në moshën katërmbëdhjetë vjeçare, e cila pas atij momenti të hidhur e pervez seksual, në shtratin e presidentit të pangopshëm dhe ‘’besnik i babait’’, ajo nuk do të martohet kurrë më, nga pasojat dhe traumat e seksit të keq që përjetoi në jetë.
Personazhet e romanit ‘’Kukullat nuk kanë atdhe’’ janë figura aktive që veprojnë edhe në strukturat më të larta të shtetit. Por autorja në mënyrë simbolike përmes këtyre kukullave provokon ndjenja dhe atakon politikanin, gazetarin, biznesmenin e korruptuar e të degjeneruar të kohës. Personazhet sjellin në jetën tyre kontradikta të shumta që ka shoqëria, në Tiranën e saj të dashur post komuniste, aty del në skenë mashtrimi dhe errësira shoqërore, e cila vepron keq, duke ngulfatur Atdheun me viktima të shumta morale e ekzistenciale.
 
 
3.
Flutura Açka, duke njohur mirë realitetin e kohës, me një intuitë të zhdërvjelltë letrare e trajton më tej rrëfimin e saj për kukullat dhe BoBot (Bosat) e vendit. Ajo ka informacion të duhur për këto figura vepruese, kështu që i koordinon mirë këto personazhe nëpër situata të shumta konfrontimi. Autorja me një informacion e bagazh letrar të kujdesshëm i përmbush të gjitha nevojat teorike letrare të strukturës së romanit. Ngjarjes i jep shtimung dhe tension poetik tërheqës. Këtë veprim e bën duke u përqendruar kryesisht në motivet tipike e virtuoze të personazheve. Ajo thur aty detaje reminishencash të ndërlidhura që e shpie lexuesin në kërkim të vazhdueshëm deri në fund të romanit. Përshkrimi i ngjarjeve bëhet nëpër forma të ndryshme të jetës, dhe kjo mënyrë trajtimi i rrjedhshëm na fiksohet lehtë në mendje, përmes kukullave lëvizëse, si protagoniste kryesore të përjetimeve të shumta reale. Ligji, për ta, nuk sistemohet mirë në shoqëri, andaj çdoherë bie në kurth të ngjarjeve të hidhura dhe të degraduara. Kështu në skenë veprimi dalin marrëdhënie kompleksive jetësore që ka njeriu në ndryshim e evoluim e sipër. Açka personazhet si Vokër Delia, i nxjerr në veprim të koordinuar mirë në ngjarje, bashkë me kukullat tjera të veçanta, që luftojnë për ekzistencën e tyre në hierarkinë shoqërore. Sidomos këtu janë interesante reagimet e kukullës tipike 13, e ashtuquajtura Ajrinë, e cila defilon me kërkesat e drejta bindshëm në jetë, bashkë me karakterin e saj të fortë e të paluhatshëm, për të bërë divorcin nga ky njeri i kthyer në ‘’monstrum’’, pasi nuk posedonte ndjenja të mirëfillta njerëzore. Ai ishte burri i pa përmbajtur, që e kishte tradhtuar shumë herë. As pasuria, as kushtet e mira jetësore, nuk vijnë në shprehje para ndjenjave të saja të lënduara keq, prandaj ajo merr një guxim të prerë dhe një vendim të pakthyeshëm për divorc, pa i parashikuar pasojat që mund t’i vinin më vonë. As këshillat e mamasë nuk mundën ta frenojnë vendimin e saj të shkurorëzimit. Ajrina, siç thashë më lartë, për nga karakteri në disa sentenca i ngjan Ana Kareninës. Ajo jeton e ngarkuar me mendime të shumta tronditëse, pasi i mungon harmonia bashkëshortore dhe fjalët latuese, të vërteta, nga i shoqi, i cili me veprimet e tij të pahijshme lëndon keq gruan dhe të tjerët. Por kjo nga dita në ditë kërkon rrugëdalje prej situatës, pasi i shoqi në vetëdijen e tij tunduese kishte trashëguar arrogancën burrërore tradicionale dhe të fanatizmit patriarkal, ku gruaja duhej të mbetej skllave e përhershme e burrit, që ai të jetë përherë personi që vendos për gjithçka, deri te ajo vetëdija e plotë e nënshtrimi të tjetrit. Ai donte të luaj rolin e një zhigoloje dhe këtë lojë e bënte në mënyrë të fshehtë, siç bën një personazh tjetër së bashku me kukullën 30, një pesëdhjetëvjeçare që kishte përvojën e dy sistemeve kohore, por që ishte kalitur në rrugëtimin e saj për të mbijetuar në jetë, me punën e saj që bënte në atelie, duke shfrytëzuar tenderë, dhe duke rekrutuar vajza të reja të kohës për kënaqësitë seksuale me të pasurit, e cila gjithnjë do të vë në shërbim të mendimit të saj një shprehje që kishte trashëguar dikur në fëmijëri, nga i ati ‘’Toka i takon atij që e punon’’, Ajo thotë se dashurinë e shpikën komunistët për të mos paguar seksin. Kukulla 30 për sfidë moshe afër vetes mban djaloshin me pseudonim Tan Rubin, i cili me emrin e vërtetë Rustem vinte nga zona e Mallakastrës. Këtë person ajo e ndan me mikeshat që kishin nevojë për marrëdhënie të fshehtë seksuale. Për prashitjen e përditshme të ‘’tokës së nën barkut’’. Por edhe këtij personazhi kjo jetë e ç’thurur do t’i vijë te hunda dhe më në fund do ta braktis atë jetë urbane të pakuptimtë, dhe do të kthehet në jetën normale të fshatit...
Për dallim nga Ana Karenina e Tolstoit, Ajrina kërkon rrugëdalje, nuk zgjedh rrugën e tmerrshme, të pa shteg, të vetëvrasjes, siç kishin vepruar shumë gra dhe vajza tjera të kryeqytetit, por kjo me fuqinë e karakterit të saj të vendosur, bindshëm kërkon t’i arsyetojë ndjenjat e çiltra për të jetuar ndryshe, me dashuri të sinqertë, si qytetare e denjë dhe e lirë. Me lidhjen spontane e të pëlqyer që bën me poetin Mond Shpalin, të burgosurin politik, i cili kishte përjetuar të zitë e ullirit në burg. Njëzet vite izolimi në sistemin totalitar të së kaluarës. Fjalët e tij të matura poetike, si dhe kujdesi e durimi tij kulturor, ishin veprime racionale të mjaftueshme për të përfituar zemrën e Ajrinës, kukullës13. Tërë kjo maturi njerëzore kish ngjallur e nxitur kërshërinë e shpirtit të saj, të ndejshëm, prej artisteje, e cila ishte formësuar e refrenizuar artistikisht gjatë jetës, me tone të ndjeshme shpirtërore romantike, Meqë është pianiste rrahjet e zemrës së saj kërkonin koordinim ritmik të dyanshëm të marrëdhënies intime, prandaj kërkonte drejtësi midis ndjenjës dhe besimit të dhënë. Nga sjellja e këtij poeti të kujdesshëm kishte marrë kuptimin e drejtë për jetën, për formën e stimulimit të shijes dhe ndjenjës, për ta bërë atë sa më shumë për vete. Pasuria materiale për të nuk ishte mjet i lakmuar devotshmërie që do ta qetësojë shpirtin e ngrysur e të lënduar nga e keqja e fatit të hidhur. Ajo nuk do ta pranojë kurrë këtë të mirë të fituar pa merita nga dikush tjetër, siç lakmonin e pretendonin kukullat tjera për t’u pasuruar e punësuar nëpër bordet e bordelet e kryeqytetit. Secili personazh në roman mbetet për vete, dhe secili shfaq karakterin e vet të veçantë. Ato veprojnë të tronditur nga amoraliteti i rrethanave ekzistuese dhe dobësia e imponuar e së ardhmes në shoqëri. Personazhet bartin pa siguri, zhgënjim dhe frikë në rrugëtimin e tyre jetësor. Veprimet e Vokër Delisë shpalojnë peshën e një shoqërie dekadente e të korruptuar, pa një hierarki vlere njerëzore të mirëfilltë, që do ta çonte shoqërinë përpara. Vokër Delia është një figurë kompleksive, tipike e realitetit të sotëm shoqëror, i cili shpalon identitetin e vet karrierist për të mbërritur me çdo kusht pa merita në majën e politikës së kohës. Ai me të gjitha mënyrat kërkon mundësi për të ardhur në krye të politikës, pa kursyer edhe shkatërrimin e familjes që është e shenjtë në traditën shqiptare, prandaj me ambicien e tij të sëmurë të trendit ambicioz për t’u dukur, e për t'u pasuruar në mënyrë jo të drejtë, nuk zgjedh mjete vepruese. Kukullat nuk janë gra të reja të vetme që dalin në skenë në këtë sistem të korruptuar të pluralizmit të trashëguar nga diktatura më e sofistikuar e vendit, por tërë një arsenal e zhvillim sistemor, burrash e grash që pëlqejnë një formë jetese e zhvillimi të këtillë të funksionimit shtetëror.
Açka nuk na shtron para nesh një roman politik, por brenda veprimeve të personazheve del në skenë një fushë e gjerë amoraliteti të një politike të mbrapshtë, të udhëhequr keq. Me individ jo adekuat për të qeverisur vendin dhe sistemin pluralist të kohës. Tirana bëhet bota e vogël e ngjarjeve të mëdha, e cila në vete përfshinë vlerat dhe jo vlerat njerëzve që bëjnë politikën dhe kulturën e kohës. Këtu duken qartë borgjezët e vegjël, lukset i tepruara, femrat skllavëruara, homoseksualiteti etj. Nëpër këtë rreth sistemor të skllavëruar nga tradita e vrazhdë dhe paragjykimet e shumta ndërtohet njeriu i kohës, i cili është në rrugëtim e sipër, për ta gjetur veten dhe mbijetesën e tij në kohë. Lexuesi njihet me brutalitetin e kësaj jete tranzitore, që vjen jo vetëm nga njeriu i varfëruar, por edhe nga defekti i abuzimit serik i një  shoqërie urbane, e korruptuar nga amoralitete të shumta. Kështu edhe prostitucioni do të bëhet veprim i mundshëm i mirëqenies  së qytetarit,  për të gjetur rrugëdalje nga kjo situatë, pasi morali njerëzor tanimë është degraduar tërësisht në shoqëri, nga klane e individë të pa përngjeshëm. Në këtë formë veprimi janë edhe shumë kukulla, vajza të reja, që e paraqesin brendinë e tyre psikologjike të emancipimit të vrazhdë. Në roman asnjë personazh nuk imponohet pa plagë të marra në arenë veprimi, por secila prej tyre vë fatin e vet në sprovë shoqërore me pasoja. Të gjitha në formën e vet luftojnë për ekzistencë e për t’u dukur në jetën e përditshme urbane me fuqinë e tyre vepruese. Kukullat zhvishen nga perandoria e ndjenjave inferiore, të fshehta, femërore. Sidomos ato zhveshin kuptimin e ndrydhur nga maska e ndërgjegjes së rrejshme në shoqëri. Ky grumbull kukullash të vardisur në veprime është një armatë e madhe të pakënaqurash që dalin të lënduar nga realiteti shoqëror e jetësor me veçantitë e tyre, në Tiranën e përmbytur nga llumi e kaosi i keq i tranzicionit, e që për çdo ditë po shëmtohet nga politika dhe papërgjegjësia e faktorit njeri.
Në këtë vepër përplasen personazhe të shumta, të cilët janë në kërkim të vetes dhe të vlerave jetësore. Ato tërë këtë sakrificë, të drejtë apo të padrejtë e bëjnë për t’i realizuar ëndrrat dhe epshet e tyre të paplotësuara. Ironia dhe satira qe derdhen rrjedhshëm brenda rrëfimit të ngjarjes së romanit, dëshmon për kujdesin feminist dhe të matur të autores për të treguar pozitën tipike të gruas, e cila sipas saj është kukull e kërcënuar keq nga urbanizmi i shpejtë dhe i pa kujdesshëm i shoqërisë. Kryesisht në pjesëmarrjen e njëanshme në jetën publike e politike të kohës. Këto femra, tanimë bëhen kukulla të lëvizshme të lojës së politikës ditore, të meshkujve e politikanëve në kohën e tranzicionit më të vrazhdë të kësaj ane. Këtu bëhet një kritikë e sofistikuar kundër daljes së njeriut nga vetja dhe pakujdesia e pa mbrojtur sistemore e kohës, përballë errësirës së shoqërisë së korruptuar. Degradimi i njeriut në shoqërinë e kohës sonë mban vulën dhe baraspeshën e kuptimit gjatë tërësisë së rrëfimit të romanit. Vitaliteti i kukullave që defilon me guxim  ane e mbanë hapësirës shqiptare jep përshtatje tragjike, provokative të ndjenjave të shpaluara intime të individit, gjegjësisht të femrës së fokusuar në domethënien e vlerës ekzistenciale, e që në shoqëri renditet me plagë kështu si kukull e sunduar, që duhej gjithnjë t’i përshtatej çdo individi, edhe përkundrejt shijes së saj të preferuar ndryshe, me alternativë veprimi. Autorja me spikamë ka hyrë thellë në ndjenjat e gruas, në natyrën njerëzore të femrës, e cila në jetën publike përballet me veçantitë e saja karakteristike në mënyra të ndryshme. Aty veprojnë femra të të gjitha moshave, gra plaka,vajza ndershme dhe prostituta. Flutura Açka, duke gjurmuar thellë në shpirtin e këtyre personazheve, di mirë t’i realizojë ato nëpër situata e skuta të ndryshme ndjenjash dhe kjo mjeshtëri e renditjes së figurave shihet që nga fillimi deri në fund të ngjarjes. Mjeshtëria gjuhësore dhe stili i përdorur në roman e mban interesin e zbulimit të ndodhisë te lexuesi.

No comments: